Fetah Bahtiri NJË LIBËR PËR FENOMENE DHE DUKURI NEGATIVE NË SHOQËRI

Fetah Bahtiri

NJË LIBËR PËR FENOMENE DHE DUKURI NEGATIVE NË SHOQËRI

Sokol Demaku: BEHU GUXIMTAR, MOS PËRBUZ, 2019, 77 faqe, Botues: Revista ”Dituria”, Borås (Suedi)

     Pata rastin që ta kem në dorë dhe ta lexoj librin më të ri të autorit Sokol Demaku, libër ky që ka një titull interesant e karakteristik dhe pikërisht ky titull ma kishte zgjuar kërshërinë që të njihem me përmbajtjen dhe mesazhet të cilat autori ia përcjell njerëzimit nëpërmjet tij.

     Ajo që në fillim bie në sy është se librin nuk është voluminoz, por, përkah përmbajtja dhe mesazhet, është diçka krejt ndryshe nga mënyra e shprehjes së ndjenjave të atyre që shkruajnë libra, ndryshe nga format e kukamave dhe klithjeve të cilat i lëshojnë shkrimtarët për të depërtuar në shpirtin e atyre të cilëve u dedikohen shkrimet dhe krejt ndryshe nga mënyra e transmetimit të mesazheve deri te lexuesi.

     Libri ka një përmbajtje të thukët dhe në kaq pak faqe gjejmë shumë materiale e tema të cilat janë një lloj barre e pakëndshme dhe që shkaktojnë tronditje në shumë mjedise të shoqërisë bashkëkohore, sidomos në ato shqiptare. Në libër trajtohen tema të shumëta nga fusha filozofike, psikologjike e sociale që lidhen me moralin, etikën, karakterin dhe ndërgjegjen e njeriut, sidomos në shoqërinë shqiptare, gjithnjë nga këndvështrimi i autorit – ashtu si i ka parë dhe i ka përjetuar ai vetë ato në jetën e përditshme.

     Meqenëse autori momentalisht jeton dhe vepron në mërgim, ai që në fillim cek: “Kuvendim me bashkatdhetarin tim në mërgim”, të cilit i jep këshilla të dobishme për ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës shqipe, për flamurin, trashëgiminë kulturore, identitetin kombëtar, gjithnjë duke qenë krenar për virtytet që ka shqiptari, sepse edhe të tjerët ”të vlerësojnë ty në bazë të kulturës që e ke.”

     Mirëpo, autorin Sokol Demaku, e mundojnë fenomenet dhe dukuritë negative me të cilat shoqëria jonë ndeshet në kohën e tanishme. Këto dukuri e fenomene negative janë të shumëta dhe ai ndalet në zbërthimin e disave prej tyre.

     Dyfytyrësia ”është ndër vetitë më të rrezikshme të njerëzve. Përmes kësaj vetie, syresh shfaqin sa për sy e faqe besimin, duke fshehur brenda zemrës mëllefin dhe pabesinë.” Të këtillët janë shtjerakeq e fytyra qyqare. Ndërsa hipokrizia si një veti e shëmtuar ”njeriut ia prish shpirtin, jetën ia nxin!” dhe njeriu i tillë ”mund ta tradhtojë vetveten, duke e mashtruar atë”. ”Kur njeriu është dyfytyrësh, nuk di pra të jetë i pastër”. Ai njëkohësisht është edhe intrigant e edhe i pabesë.

     Nihilizmin e përkufizon si kuptim folozofik i cili është mohim i plotë i të gjitha normave morale, i vlerave kulturore dhe i traditave të shoqërisë, sepse nihilizmi ”pohon se objektet dhe dukuritë nuk kanë asnjë vlerë të vërtetë…”.

     Hipokrizia dhe hipokriti tregojnë natyrën njerëzore dhe personalitetin e njeriut të caktuar. Një hipokrit ”shtiret sikur është i mirë, i virtytshëm e i dashur me qëllim që të gënjejë të tjerët…”, veti këto të cilat personi i caktuar (që është hipokrit) nuk i ka.

     Morali, etika dhe ndërgjegjja përkufizohen si tërësi e parimeve të normave, rregullave dhe sjelljeve të njerëzve në shoqëri. Ndërgjegjja si ”dhunti e vetëgjykimit, ndjenjës së pendimit dhe e keqardhjes kur ne bëjmë gjëra që janë kundër normave tona morale…”, sot është zhdukur nga horizonti, pohon autori në libër.

     Urrejtjen Sokol Demaku e përcakton si ”ndjenjë përbuzjeje shumë e madhe ndaj një personi ose diçkaje të atij personi”, ”një ndjenjë të fortë armiqësore për dikë a për diçka. Dëshiurë e fortë për ta parë tjetrin keq.” Kultivimin e urrejtjes e gjen në kultura, fe dhe parti politike, me synimin për të mbizotëruar ndaj të tjerëve. Porosia e autorit është se urrejtja nuk duhet të luftohet me urrejtje, por,  me tolerancë, mirëkuptim, arsyeshmëri dhe paqe.

     Mizoria për autorin është veprimi me egërsi e pa mëshirë për t´u kënaqur kur i bën të tjerët të vuajnë dhe kjo veçori gjendet më së shumti ”tek të pasurit dhe të fuqishmit”.

     ”Egoizmi është tipar i një njeriu që mendon e kujdeset vetëm për vete e nuk shqetësohet për të tjerët, që vë interesat vetjake mbi interesat shoqërore.” Ka edhe mendime se të gjithë njerëzit janë egoistë.

     Autori i këtij libri ndalet edhe në vetëvrasjet, duke bërë një analizë bukur të hollësishme për këtë fenomen, cilat kategori të njerëzve dhe për ç´arsye janë të prirur t´ia marrin jetën vetvetes etj. Ai këtë fenomenin e quan ”tragjedi bashkëkohore, moderne,… një epidemi e cila ka kapluar njerëzimin.

     Ndërkaq abuzimin e quan ”epidemi ogurzezë moderne”, problem të madh shoqëror dhe shëndetësor në tërë botën, një të keqe ogurzezë që po godet pa mëshirë. Fjala është këtu për narkomaninë dhe autori ndalet edhe në pasojat e saj, prezanton edhe disa të dhëna statistikore për abuzuesit e narkotikëve dhe rekomandon veprimet që duhet ndërmarrë kundër kësaj dukurie.

     Shpifja për Sokol Demakun është ”një trillim i gjërave të paqena për t´i përlyer dikujt emrin e mirë, punën e mbarë, veprën madhore të jetës…” Ata që bëjnë këso shpifjesh ”janë të panatyrë, janë të rremë, janë mospërfillës, të dobët, të shëmtuar…” Shpifjet bëhen shpeshherë edhe duke keqpërdoruar fjalën e shkruar, nëpërmjet komenteve të ndryshme. Veprimet e këtyre shpifësve ndalen vetëm atëherë ”kur kjo krijesë ngordh”, thekson autori.

     Unë konsideroj se autori Sokol Demaku shkaktarin kryesor të ekzistimit të këtyre fenomeneve të dëmshme e negative në shoqërinë tonë e sqaron në rrëfimin ”Deveja e sheikut”, në faqet 61 deri 65 të librit, kur deveja plakë ia jep hallanin sheikut me fjalët: ”Po, për të gjitha do ta bëj hallal, ngarkesë e shkarkesë, me ujë e pa ujë, me ushqim e pa ushqim, hallal të qofshin! Por, një jo, kurrsesi nuk mund ta fali, nuk mund ta bëj hallall as unë as shoqet e mia. Shumë rënd ishte për ne që na vure në ball gomarin që t´i printe karvanit ai.” Gjithashtu më duhet të shtoj se gati të gjitha këto fenomene, të cilat pothuajse i ka shijuar secili intelektual, ndodhin fare lehtë në situatat kur karvanit i prin gomari.

     Konsideroj se ky rrëfim që ka zënë vend këtu është një alegori dhe aludim në aktualitetin shqiptar në Shqipëri dhe në Kosovë.

     Unë dëshiroj që t´i cek edhe dy gjëra.

     - E para, në shumë vende autori për të gjitha këto të këqia ia lë fajin kohës bashkëkohore, shekullit në të cilin jetojmë, ”në këtë kohë pa kohë” dhe për këtë shumë herë shpreh një zhgënjim të thellë. Ky zhgënjim përsëritet disa herë sepse ”jemi të zhveshur nga morali, kemi veshur atë petkun negativ të jetës ku kemi humbur moralin, njerëzinë, respektin…” Dua të shtoj se asnjë shoqëri nuk i preferon këto fenomene të dëmshme, të gjitha shoqëritë i luftojnë ato me të gjitha mjetet dhe mundësitë që i kanë. Madje, shpenzojnë me miliona euro për t´i mënjanuar ato. Dhe dua të pohoj se në këtër shekull çdo gjë është shumë më mirë sot, se që ka qenë dje – në të gjitha aspektet.

     - E dyta, sikur autori të kishte qenë pak më i kujdesshëm, nuk do të bëheshin disa lëshime gjuhësore në të cilat has lexuesi.

     Por, dua të them me plot gojë se autori Sokol Demaku meriton respekt të veçantë që ka vendosur dhe ka marrë guximin për t´i goditur me sukses fenomenet dhe dukuritë negative të pranishmne në shoqërinë e sotme shqiptare. Ai këtë e bën në mënyrë origjinale, me gjuhë të kuptueshme e të rrjedhshme dhe në mënyrë të bindshme.

     Do të ishte mirë që secili intelektual ta lexojë këtë libër dhe ta ketë në bibliotekën shëpiake. Këtë ua rekomandoj edhe të gjithë dashamirëve të librit.

Image
k