Murat Gecaj: SOT, ME PROF. HEKTOR VESHIN…

Skicë:

SOT, ME PROF. HEKTOR VESHIN…

Nga: Murat Gecaj

Megjithëse nuk kishte shumë kohë, që ishim takuar, në shoqërinë dhe të kolegëve tjerë, siç shprehen shpesh herë disa veta, “na kishte marrë malli” për t’u parë sërish. Kolegu e miku im i kahershëm, studiuesi e botuesi, Prof.Hektor Veshi-anëtar i kryesisë së Shoqatës së Arsimtarëve të Shqipërisë-jeton në një lagje tjetër, pra “Ali Demi”. Sot në mengjes, ai mori udhën dhe erdhi afër banesës sime, në lokalin “Galaxy”, në fillimin e Bulevardit të Ri të kryeqytetit.

Siç është e kuptueshme, meqenëse ishim vetëm ne të dy, bisedën e bëmë të këndshme. Sigurisht, folem për familjet tona dhe kujtuam kohën e punës sonë, unë në shtypin arsimor e ai  në ish-Institutin e Studimeve Pedagogjike. Bile, njëkohësisht, punuam edhe për të marrë gradën “Doktor i shkencave” dhe, me pas,  titullin shkencor.

Por, megjithëse në pension, ne i vazhduam lidhjet e takimet tona miqësore edhe duke qenë në kryesinë e Shoqatës së Arsimtarëve të Shqipërisë e duke marrë pjesë, si pjesëmarrës e organizatorë, në veprimtaritë që bënim, sidomos me raste festash.

Pa u zgjatur, shënoj këtu se Hektori është marrë jo vetëm me botime studimore, por edhe letrare. Ishte befasi e këndshme për mua, kur ai sot me dhuroi një kopje të librit të tij me tregime dhe me nënshkrim dashamirës, “Legjenda e dashurisë së përjetshme“ (Tiranë, 2018). Libri përmban 215 faqe dhe në të janë, gjithësej, 25 tregime. Autori ka bërë vetë një Hyrje të shkurtër.

Jam i ndërgjegshëm se, ky botim i ri i Prof.Hektor Veshit, meriton një recension të plotë. Mirëpo, kësaj here, po mjaftohem me këtë shënim dashamirës e falënderues për atë, si dhe me publikimin e kapakëve të librit në fjalë.

Në mbyllje, Prof.Dr. Hektor Veshit i urojmë nga zemra: Shëndet të plotë e mbarësi, krijimtari të frytshme dhe gëzime e lumturi, vetjake e familjare