Nga Prof. Dr. Eshref Ymeri:NJË LIBËR ME VLERË PËR HISTORIOGRAFINË SHQIPTARE

NJË LIBËR ME VLERË PËR HISTORIOGRAFINË SHQIPTARE

Nga Prof. Dr. Eshref Ymeri

I nderuar z. Nuri Dragoj! Duke u njohur me punimin tuaj, mjaft interesant, “Përmeti dhe Lufta e Dytë Botërore 1939-1944”, bindem edhe më shumë në faktin që puna e historisë është ca e ngatërruar. Kjo për faktin se nuk është e lehtë ta trajtosh duke u nisur nga kriteri i së vërtetës, i cili kërkon që historiani të jetë kryekëput i paanshëm dhe autoritet shkencor i padiskutueshëm. Sipas të gjitha gjasave, anashkalimin e këtyre dy kërkesave themelore, duhet të ketë pasur parasysh edhe Volteri, kur ka thënë: “Historia është një tërësi krimesh, çmendurish dhe fatkeqësish, mes të cilave bien në sy disa virtyte, disa kohëra fatlume, si puna e ca vendbanimeve me njerëz që zbulohen aty-këtu, mes një shkretëtire të egër”.
Ngjarjet historike që shtjelloni në këtë vepër mbi bazën e fakteve të dokumentuara, më sjellin në kujtesë një thënie mjaft të goditur të shkrimtarit amerikan Robert Hainlain (Robert Anson Heinlein - 1907-1988). Ai thotë: “Historia lidhet me të vërtetën, ashtu si puna e teologjisë me fenë”.
Pas leximit të veprës suaj shkencore, një vepër dyvëllimshe, e cila të befason me morinë e fakteve që sillni përmes më shumë se dy mijë citimeve, më erdhi ndër mend shprehja e famshme, me domethënie aforistike, e cila, me sa duket, ka prejardhje të kryehershme: “Historinë e shkruajnë fitimtarët”.
Pikërisht në thelbin e këtij aforizmi fshihet tragjizmi i objektivitetit historik. Prandaj koha ka vërtetuar me fakte se aforizmi në fjalë duhej pasuruar me diçka tjetër. Atij i duhej bërë një shtojcë e vogël me domethënie të thellë. Shtojcën e ka bërë Anton Dreksleri (Anton Drexler - 1884-1942), një personalitet i njohur evropian, themelues i nacionalsocializmit gjerman, pararendës i Hitlerit, i cili thotë: “Historinë e shkruajnë fitimtarët, prandaj humbësit nuk përmenden në të”.
Çdo lexues i veprës suaj, i cili të vërtetën e ka për yll karvani, vjen në përfundimin e vetvetishëm se historia është konkrete, është e prekshme, është e faktuar vetëm atëherë, kur zhvillimin e saj, ai e kundron me sytë e vet në ditët tona.
Ju keni derdhur shumë djersë dhe kam bindjen se ia keni arritur plotësisht të hulumtoni aq thellë në historinë e krahinës së Përmetit dhe përgjithësisht të jugut të Shqipërisë, saqë e keni bërë lexuesin të rrijë dhe të përsiatë thellë në heshtjen e tij: Vallë a do të vijë ajo ditë kur historianët “e liçensuar” të vendit tonë, të arrijnë të flasin me gjuhën e fakteve, të dalin para masës së lexuesve me autoritet shkencor në zbulimin e objektivitetit historik? Në këtë aspekt, kam bindjen se librat tuaj, janë një leksion i mirë për historiografinë shqiptare.
Në përfundim të leximit të veprës suaj, lexuesi gjakftohtë shtron pyetjen: Cili duhej të ishte kriteri i objektivitetit të historianëve në pasqyrimin e historisë së vendit tonë, gjatë viteve të luftës? Përgjigjja, në këndvështrimin tim, se si duhen shkruar vepra shkencore të paanshme, në të cilat të pasqyrohen plotësisht ngjarjet dhe dukuritë historike, si edhe të vlerësohet vendi i tyre në historinë tonë kombëtare, deri tani vazhdon të mbetet e hapur. Por ju me punën tuaj të madhe i jeni afruar më shumë se kushdo tjetër të vërtetës, e cila, ndonëse është e dëshiruar, në fakt, është anatemuar thuajse tërësisht. 
Sipas historianëve “të liçensuar”, humbësit gjatë viteve të luftës, nuk paskan të drejtë të kalojnë nëpër “sitën” e objektivitetit historik. Ata, në “punishten” e historianëve tanë, duhet të shërbejnë vetëm si objekt demaskimi, përçmimi, poshtërimi dhe talljesh të përhershme, siç ndodhi faktikisht gjatë një periudhe mbi gjysmëshekullore.
Ju jeni ndalur dhe keni folur me gjuhën e fakteve për Marrëveshjen e Mukjes. Nuk e di se cila ishte arsyeja e vërtetë që komunistët pranuan të ulen në një tryezë të përbashkët me përfaqësuesit e nacionalizmit shqiptar. Ndoshta diku thellë, në vetëdijen e tyre mund të ketë gjalluar vetëtimthi ndonjë ndjenjë grahmuese nacionalizmi, për tragjedinë që shovinizmi evropian i shkaktoi kombit shqiptar në Kongresin e Berlinit dhe në Konferencën e Londrës. Paçka se në veprën tuaj argumentohet me dokumente historike, që komunistët shqiptarë, në aleancë me komunistët serbë dhe grekë, përfaqësues këta të dy vendeve tradicionalisht armiqësore ndaj kombit shqiptar, e kishin kristalizuar qëndrimin e vet ndaj Ballit Kombëtar dhe Legalitetit që nga fundi i vitit 1942 dhe sidomos në pranverën dhe në verën e viti 1943.
Fakti që komunistët shqiptarë e hodhën poshtë Marrëveshjen e Mukjes, sapo teksti i saj i ra në dorë Miladin Popoviçit, dëshmon pa mëdyshjen më të vogël se Enver Hoxha dhe krerët e tjerë të udhëheqjes komuniste, nuk ishin gjë tjetër, veçse vegël e verbër në shërbim të Beogradit. Miladin Popoviçi, pasi e lexoi tekstin e Marrëveshjes së Mukjes, e zhubraviti, e mblodhi shuk dhe ia pëplasi Enver Hoxhës në fytyrë. Ky s’u bë i gjallë, në vend që të mbante një qëndrim burrëror prej shqiptari me vetëdije të lartë kombëtare.
Për fatkeqësinë tonë kombëtare, historianët “e liçensuar” nuk i zbuluan asnjëherë arsyet e vërteta të hedhjes poshtë të Marrëveshjes së Mukjes. Me heshtjen e tyre për atë Marrëveshje, ata braktisën të vërtetën historike, u radhitën përkrah ideologjisë komuniste, e cila u shartua në vendin tonë nga ana e serbosllavizmit, përmes emisarëve të tij Dushan Mugosha dhe Miladin Popoviçi, dhe ngritën bateritë kundër përfaqësuesve të nacionalizmit shqiptar, sikur gjoja ata ishin shkaktarët e përçarjes ndërshqiptare.
Me përvojën tuaj të pasur, keni studiuar shumë dokumente arkivore dhe gjatë hulumtimeve serioze që keni bërë në truallin e historisë së viteve të luftës në trevën e Përmetit dhe më gjerë, keni zbuluar shumë të vërteta, për të cilat historia zyrtare ka heshtur. Ka heshtur qëllimisht, sepse po të fliste me gjuhën e fakteve, siç keni folur ju, atëherë do të dilte në dritën e diellit e vërteta tragjike rreth tre objektivave që shovinizmi serbomadh u kishte ngarkuar emisarëve të vetë në Shqipëri, emisarë këta, të cilët “themeluan PKSH si agjenturë solide të tyren, futën vendin në një luftë civile dhe larguan nga pushteti elementin nacionalist shqiptar”. 
Këto tri objektiva, Enver Hoxha, në përputhje me orientimet Beogradit, i realizoi më së miri. Këtë e vërteton fare qartë kjo dëshmi tronditëse për lidhjet e ngushta të Enver Hoxhës me titizmin jugosllav: “... Kallxon nji zojë e cila, aso kohe bante punën si përkthyese në shërbim përsonal të sekretarit të Partisë Enver Hoxhës, në marrëdhanje diplomatike me ambasadën e Jugosllavisë në Tiranë, si nji ditë me nji bashkëfjalim ndërmjet ambasadorit titist e Enverit, ky i fundit shend e verë i paska pasë kumtue përfaqësuesit të Beogradit gati-gati si tue u krenue: “E mbytëm Patër Anton Harapin e, me të kemi plagosë për vdekje Klerin Katolik!..”. Simbas rrëfimit të grues, ambasatori, diplomat i vjetër panserbian, i paska pasë përgjegjë: “Po, po! Po keni endè gjallë Patër Gjon Shllakun, i cili peshon shumë”, ndaj duhet - vazhdoi ai - “simbas porosisë që kam prej qeverisë sime, të zhdukni Shllakun dhe të shkatrroni kulm e themel çerdhen e Klerit Katolik në Shkodër, me në krye Françeskanët!” Pra, Enver Hoxha i mburrej përfaqësuesit të një shteti tradicionalisht armik të kombit shqiptar, se si ai vriste shqiptarë dhe se si merrte udhëzime për të vrarë të tjerë shqiptarë.
Në veprën tuaj me taban të shëndetshëm shkencor, ju keni dhënë një kontribut të shquar në studimin e historisë të trevës suaj amtare, duke hedhur dritë në një shkallë të konsiderueshme mbi pasqyrimin e saj, me sa më shumë objektivitet. Prej studimit që ju i paraqisni lexuesit nxirret një përfundim interesant: Në procesin e grumbullimit të dijeve historike janë të mundshme përftesat dhe firot. Me këtë rast, për shkak të arsyetimeve ideologjike, jo vetëm ngjarje të veçanta, por madje edhe periudha të tëra janë zhdukur nga fushëpamja e historianëve “të liçensuar”. Pikërisht këta historianë kanë fshehur qëllimisht servilizmin flagrant të udhëheqjes komuniste para Dushanit dhe Miladinit, të cilët Enver Hoxhën e kishin shndërruar në njeriun e tyre të bindur plotësisht.
Nga libri juaj mësojmë se njeriu me cilësi të larta morale, nuk ka liri të zgjedhë, pasi zgjedhja e tij është përcaktuar që në gjenezë, ngaqë liria e zgjedhjes te njeriu është pjesë e prirjeve të kundërta të tij. Sido që ta bëjmë zgjedhjen, në mënyrë të vetëdijshme apo të pavetëdijshme, dy janë rrugët: Do të përballemi me zgjedhjen që buron nga një veprim i diktuar nga arsyeja apo nga pasione irracionale, sepse problemi i zgjedhjes nuk është çështje e mundësive të barabarta. Në rastin e personazheve të skalitura në studimin tuaj, përballemi me njerëz që kanë përqafuar rrugën e progresit në kundërshtim me regresin, të burrave që kanë preferuar të ushqejnë dashurinë dhe të shpërndajnë urrejtjen, të luftëtarëve që kanë vlerësuar mbi gjithçka pavarësinë dhe lirinë, në kundërshtim me skllavërinë. 
Ju keni zbuluar me fakte konkrete mjerimin e udhëheqjes komuniste shqiptare, e cila, në Plenumin e Beratit që u mblodh më 23 nëntor 1943, e kishte bërë “zot shtëpie” emisarin e Titos, kolonelin Velimir Stojniç. Prandaj ai shovinist serbomadh, nga tribuna e atij plenumi, lëshonte një deklaratë poshtëruese për vendin tonë: “Shqipëria jo që nuk e rrit dot ekonominë e saj, por as e zhvillon dot atë, sepse imperializmi do ta gëlltiste;… e vetmja zgjidhje e saj është të bashkohet në një konferderatë me Jugosllavinë…”.
Enver Hoxha, i mbrujtur mirë tashmë me kolaboracionizmin me shovinizmin jugosllav, në mbledhjen e Byrosë Politike të 15 dhjetorit 1947, del po me të njëjtën deklaratë publike, duke vazhduar poshtërimin e vendit të vet, sipas shembullit të Velimir Stojniçit tre vjet më parë: “Duhet ta fitojmë kohën e humbur e të bëjmë sa më shpejt bashkimin de facto të Shqipërisë me Jugosllavinë në të gjitha fushat (parti, ekonomi, ushtri, etj.), sepse Shqipëria nuk mund të qëndrojë si shtet i pavarur dhe aq më pak të ndërtojë socializmin pa u bashkuar me Jugosllavinë…”.
Shtrembërimi apo fshehja e fakteve historike nga studiues të kohës së diktaturës enveriane, por edhe pas saj, ka bërë që ju, me këtë vepër shkencore, t’u jepni përgjigje pyetjeve se si duhet shkruar tani historia; si të arrihet vërtetësia dhe objektiviteti në trajtimin e saj; mënyrën si mund t’i njohim dukuritë historike në tërë kompleksitetin dhe frymën e tyre kontradiktore; nevoja për t’iu kundërvënë falsifikimit të historisë. Kundërveprimi ndaj synimit të një sërë historianësh dhe publicistësh “të liçensuar”, për t’i interpretuar zhvillimet e ngjarjeve në përputhje me ideologjinë zyrtare në pushtet, është domosdoshmëri e kohës. Kjo për arsye se, duke i servirur ndodhitë e viteve të shkuara, ashtu siç u vjen osh tekave zyrtare, duke anashkaluar të vërtetën, me të vetmin qëllim që ngjarjet historike të pasqyrohen në mënyrë të njëanshme ose të deformohen plotësisht, i sjellim një dëm të madh edhe të ardhmes së kombit shqiptar, pasi nuk do të jetë në gjendje të shmangë gabimet e bëra më parë. 
Në faqet e kësaj vepre mësohet me lehtësi se para kombit duhet të sillemi me dinjitet, pasi bijtë e tij i janë përgjigjur çdo thirrjeje, ndonëse politika nuk ka qenë në gjendje t’i udhëheq në drejtimin e duhur. Nevoja ka bërë që shqiptarët të ndërgjegjësoheshin se liria mund të fitohej vetëm atëherë kur kërkohej nga tërësia e individëve dhe jo nga një individ i veçantë. Vetëdija e shqiptarëve ka reaguar në shekuj, pa ndonjë vendim politik, i çfarëdo lloi qoftë ai, përherë në kundërshtim me mendësitë e regjimit pushtues, pa iu trembur shtypjeve të dhunshme që ushtronte makina ushtarake, pa u urdhëruar nga askush, duke u përfshirë vullnetarisht në breza në luftën për liri. Pra, kemi të bëjmë me një moral të lartë popullor, me rivlerësim të besimeve që udhëhiqnin sjelljen shoqërore të njeriut të lirë, i cili drejtohej nga nevoja e një koncepti shoqërisht të përbashkët, për një jetë më të mirë. Kjo, krahas përmbushjes së kënaqësive individuale, mbështetej edhe në gatishmërinë për të shkrirë krejt pasurinë, pa kursyer as jetën për idealin e lirisë. 
Në vlerësimin e Kongresit të Përmetit ju e keni vënë theksin me shumë të drejtë në një fakt të pamohueshëm: ai kongres s’ishte gjë tjetër, veçse një kopje e shëmtuar e AVNOJ-it jugosllav. Në atë kongres u hodhën themelet e luftës së klasave, e cila, fill pas nëntorit të vitit 1944, filloi të zbatohej me tërë egërsinë e vet, përmes burgosjeve, internimeve dhe pushkatimeve të kundërshtarëve politikë. Por edhe para vitit 1944 ajo ka qenë konkrete. Vrasja e ballistëve, djegia e shtëpive të tyre, por edhe e njerëzve të tjerë që simpatizonin Ballin, ishte një luftë klase e pastër. Frytet e asaj lufte klasash, populli shqiptar i voli gjatë viteve ’80, kur degradimi i diktaturës komuniste të Enver Hoxhës e katandisi popullin tonë deri në atë derexhe, saqë ai u gjend ballë për ballë me degjenerimin gjenetik për mungesë të ushqimeve bazë për mbijetesë. Skenari dhe regjisura jugosllave (me kryeaktor Enver Hoxhën) për varfërimin e popullit shqiptar deri në përmasa proverbiale, funksionoi për mrekulli. 
Në bindjen time, ju keni bërë vlerësime mjaft objektive për Ballin Kombëtar dhe për Legalitetin. Por duhet pranuar se, sikur Enver Hoxha të kishte patur burrërinë dhe të mos lëvizte nga trualli i shqiptarisë, përballë emisarëve shovinistë jugosllavë, ngjarjet do të kishin ndjekur një tjetër rrjedhë. Por kjo ishte e pamundur për dy arsye: Së pari, Enver Hoxha, si njeri i bindur plotësisht para titizmit jugosllav, i përzgjedhur me kohë e me vakt nga Beogradi për të qenë në krye të partisë komuniste, veproi në përputhje me orientimet e shovinizmit jugosllav, për përçarjen dhe për hedhjen e farës së vëllavrasjes në radhët e popullit shqiptar. Së dyti, komunistët shqiptarë, me në krye Enver Hoxhën, gjatë viteve të luftës kishin si pikësynim kryesor marrjen e pushtetit me çdo çmim, pa lejuar absolutisht bashkëqeverisjen me përfaqësues nga radhët e nacionalistëve shqiptarë.
Ju e theksoni me shumë të drejtë dhe unë ndaj plotësisht të njëjtin mendim me ju, se faji kryesor për gjendjen ku u katandisën Balli Kombëtar dhe Legaliteti pas hedhjes poshtë të Marrëveshjes së Mukjes, bie kryekëput mbi Enver Hoxhën dhe krerët e tjerë të udhëheqjes komuniste, të cilët e futën popullin tonë në luftë vëllavrasëse. Ishin pikërisht ata fajtorët kryesorë, të cilët u bënë shkak që një pjesë e nacionalistëve shqiptarë të bashkëpunonte me gjermanët. Nënkuptohet vetvetiu që krerët kryesorë të nacionalistëve shqiptarë u treguan të paaftë dhe dritëshkurtër pas pushtimit të vendit tonë nga Italia fashiste. Ata nuk u hodhën menjëherë në veprime konkrete, nuk u vunë në krye të popullit për organizimin e tij në luftë të armatosur kundër pushtimit fashist dhe i lejuan vetes që komunistët të organizoheshin nga emisarët jugosllavë dhe t’ua rrëmbenin iniciativën nga dora. Oportunizmi i krerëve nacionalistë del mirë në pah në kujtimet e njërit prej përfaqësuesve të tyre të njohur, ministrit të brendshëm të viteve të luftës, Kol Bib Mirakaj, kujtime këto të botuara në librin e tij me titull “Vetëvrasja e një kombi”, Botimet “Fiorentina”, Shkodër, 2014. 
Për sa u përket vlerësimeve tuaja rreth temës, nëse gjatë luftës ka pasur luftë civile apo luftë vëllavrasëse, mendoj se gjykimi juaj është më afër së vërtetës: gjatë viteve të luftës ka pasur jo luftë civile, por luftë vëllavrasëse. Kjo për arsye se lufta civile përfaqëson në vetvete formën më të ashpër të zgjidhjes së kontradiktave shoqërore që janë grumbulluar me kohë dhe që shfaqet si një kundërvënie e armatosur me përmasa të mëdha e dy palëve kundërshtare. 
Profesori i shkencave politike në Universitetin e Stanfordit (Stanford University) të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhejms Feron (James D. Fearon - 1963), thotë se lufta civile, si një konflikt i dhunshëm brenda vendit, është luftë e grupeve të organizuara, të cilat kanë si pikësynim marrjen e pushtetit me forcë në qendër të vendit apo në një rajon të caktuar, ose ndryshimin e politikës shtetërore. 
Nisur nga ky këndvështrim, duhet pranuar se luftë civile quhet përplasja e armatosur mes shteteve të Veriut dhe të Jugut në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitet 1861-1865, luftë civile quhet përplasja mes Ushtrisë së Kuqe dhe Ushtrisë së Bardhë në Rusi,pas revolucionit bolshevik në vitet 1918-1920, luftë civile quhet përplasja mes komunistëve dhe antikomunistëve në Greqi, në vitet 1945-1949. Në të gjitha këto përplasje, palët ndërluftuese kanë pasur formacione ushtarake të mirorganizuara dhe të përmasave të mëdha.
Prandaj ju keni shumë të drejtë që përplasjen mes komunistëve dhe nacionalistëve në vendin tonë, gjatë viteve të luftës, e quani luftë vëllavrasëse dhe jo luftë civile. Ajo ishte vërtet një luftë vëllavrasëse, sepse forcat nacionaliste në vendin tonë nuk qenë të afta të vetorganizoheshin siç duhet, menjëherë pas 7 prillit të vitit 1939 dhe të krijonin forca të armatosura deri në nivel brigadash, e le pastaj për t’u ngritur deri në nivel divizionesh.
Si gjithmonë, ju përgëzoj për punën e vështirë kërkimore që keni përballuar dhe ju uroj suksese në veprimtarinë tuaj krijuese, e cila ka në themel vetëm kriterin e së vërtetës.

Image
n