NJË LIBËR UNIK QË LEHTËSON KOMUNIKIMIN NË SHËRBIMET MJEKËSOR

Sokol Demak

                            NJË LIBËR UNIK QË LEHTËSON KOMUNIKIMIN NË SHËRBIMET MJEKËSOR

Fetah Bahtiri: SVENSK – ALBANSK ORDLISTA, BERGEPP, FRASER OCH RÅD INOM SJUKVÅRDEN

FJALOR, SHPREHJE, FRAZA DHE KËSHILLA NË SHËRBIMET MJEKËSORE SUEDISHT - SHQIP 

          Ka dalur nga shtypi një fjalor i shkrimtarit Fetah Bahtiri me titullin në gjuhën suedeze dhe shqipe: SVENSK – ALBANSK ORDLISTA, BERGEPP, FRASER OCH RÅD INOM SJUKVÅRDEN -- // -- FJALOR, SHPREHJE, FRAZA DHE KËSHILLA NË SHËRBIMET MJEKËSORE SHQIP – SUEDISHT”.

          Fjalori ka 120 faqe dhe është botim i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi, redaktuar nga Sokol Demaku dhe Hamit Gurguri.

          Fjalori është karakteristik në radhë të parë për arsye se, përveç pjesës prej 30 faqesh që është një fjalor klasik me rreth 4400 fjalë në të dy gjuhët, është unik për arsye se gjer më sot nuk kemi pasur rastin që të hasim ose ta kemi në dorë një fjalor të këtillë me fjalë, fraza, shprehje dhe këshilla në fushën e shërbimeve mjekësore në Suedi, i shkruar në gjuhën suedeze dhe i përkthyer edhe në gjuhën shqipe. Fjalori… është një libër me fjalë, shprehje dhe fraza të dhëna në formën pikërisht ashtu si përdoren zakonisht në shërbimet e përditshme mjekësore. Ai personelit mjekësor do t´ia lehtësojë komunikimin e përditshëm me pacientët të cilët e flasin gjuhën shqipe dhe nuk e dinë mirë gjuhën suedeze. 

          Në Parathënien e Fjalorit… autori sqaron pse i ka hyrë punës për përpilimin e një libri të këtillë. Gjatë kryerjes së punës si përkthyes i licencuar nga Agjencia për Shërbime Juridike, Financiare dhe Administrative e Suedisë (Kammarkollegiet), ai thekson: ”Ajo që kohëve të fundit më është dukur interesante janë materialet e shumëta që kanë pasur të bëjnë me fjalë, shprehje, fraza dhe këshilla nga fusha e shërbimeve mjekësore në Suedi…  Në këtë libër janë seleksionuar dhe prezantuar fjalë, shprehje, fraza dhe këshilla të zakonshme të shërbimeve mjekësore të cilat përdoren në shërbimet mjekësore në gjuhën suedeze të përkthyera edhe në gjuhën shqipe të cilat unë i kam përkthyer për porositësit…”  

          Në libër i gjejmë ”Disa nga fjalitë e para suedisht – shqip që përdoren e kanë të bëjnë me mjekësinë dhe shërbimet mjekësore, për të vazhduar në pjesën ”Kujdesi shëndetësor në Suedi nëse ti je azilkërkues, i/e fshehur ose pa lejeqëndrimi” – shkruar paralelisht në të dy gjuhët e përmendura. Si vazhdimësi e kësaj jepet në mënyrë tabelore (suedisht – shqip) mënyra e pranimit mjekësor të refugjatëve dhe analizat laboratorike që u bëhen atyre. Pason ”Pranimi i foshnjeve” dhe këshillat e hollësishme për gratë e porsabëra nënë – dita e parë për të vazhduar me kapitullin ”Shërbimi mjekësor për fëmijë dhe të rinj”, ”Pranimi i fëmijëve”, ”Psikiatria për fërmijë dhe të rinj” etj.

          Janë interesante edhe pjesët e librit me titujt: ”Fjali dhe fjalë përkitazi me infeksionin”, ”Veprimtaria e dëgjimit”, ”Fjali përkitazi me shëndetin seksual”, ”Habilitimi urologjik dhe i zorrëve”, ”Zbrazja e zorrëve”, ”Gjilpërat venëporte”, ”Mjekimi i dhëmbëve”, ”Këshilla përkitazi me dhëmbët e fëmijëve”, ”Laja dhëmbët fëmijës”, ”Informacion për morrat e kokës” etj.

          Në fund është dhënë edhe një lloj tabele prej katër faqesh ”Shënime individuale Suedisht/Shqip” ku të interesuarit mund të shënojnë gjëra sipas nevojave individuale.

          Pra, edhe njëherë mund të theksoj se libri si i këtillë që është, përveç pacientëve të cilët nuk e njohin fare gjuhën suedeze ose atë e njohin vetëm pjesërisht, i dedikohet edhe personelit mjekësor në institucionet shëndetësore, siç janë shtëpitë e shëndetit (Vårdcentral), spitalet, Këshillat e qarqeve të ndryshme (suedisht: Landstinget) në të gjitha viset e Suedisë. Kështu, tani e tutje, personeli i shërbimeve mjekësore dhe pacientët që nuk e zotërojnë gjuhën suedeze do të kenë çasje në këtë libër i cili do t´ua lehtësojë në masë të madhe komunikimin reciprok. Prandaj konsideroj se është mirë dhe e dobishme që secila familje shqiptare këtë libër ta ketë si pjesë të bibliotekës shtëpiake.

 

Image
fb