Përparim Hysi: Libri me poezi"Stina e qershive" të Bledar Koçit

 Libri me poezi"Stina e qershive" të Bledar Koçit
                         (ese)

Nga   Përparim  Hysi        

            Librin me poezi të Bledar Koçit ma dha, babai i tij, gazetari dhe shkrimtari, miku im, Bashkim Koçi. E mora me kënaqësi dhe,aty për aty (atij, natyrisht nuk ia thashë), më lindi ideja: pema që bie nën pemë. Sa vajta në shtëpi dhe, tek po shfletoja, u ndala tek poezia "Jetë". E lexova dhe iu riktheva. Pashë qoftë dhe me këtë poezi që kisha të bëja me një poet. Se,sado që poezia "Jetë" kishte vetëm katër strofa, pasi e lexon, zë dhe ke qejf që ta thosh përmendësh. Se ka një mesazh shumë domethënës,sikur këto vargje nuk i ka shkruar një riosh (Bledarin nuk e njoh fizikisht,por e di mirë që është i ri në moshë), por si t'i ketë shkruar një "urtak me një barrë thinja". Hamendësimi shkon dhe më tej dhe them:- Ka të drejtë POETI GREK JORGOS SEFERIS, kur thotë:" Trualli i poezisë është në zemrat e njerëzve". Por, për t'u bërë dhe ju, lexues, pak më pjesëmarrës, mjafton t'u sjellë strofën e fundit të kësaj poezie dhe do mbështesni, pa dyshim,atë që them për POETIN BLEDAR KOÇI:
"Orët që kalojmë,
Në ankth ditët presim
Kemi frikë të rrojmë
Tmerr kemi të vdesim."

Që me këtë poezi, vëmendja ime gjatë leximit u bë më këmbëngulëse dhe,shpesh, në vazhdim të gjithë ciklit me lirika,erdhi dhe m'u përforcua bindja e paluajtshme: BLEDAR KOÇI është POET me një ADN të fuqishme lirike.
Unë, pa modesti të rreme, jam paksa poet lirik dhe, tek i shon në tërësi poezitë e Bledar Koçit, jo vetëm i pëlqej; jo vetëm i ndjej se, në të tre të katërtat e poezive irike gjejnë limerin e tyre,edhe rimat,edhe figurat stilistike,edhe vargu dhe, mbi të gjitha, në asnjë prej poezive të tij lirike, nuk ka zgjatje e stërzgjatje dhe, duke vepruar kështu ( e di apo nuk e di, është punë për të),poeti sikur ka vënë në vend atë porosinë e çmuar të një prej LIRIKËVE më të mëdhenj të botës, atë të SERGEJ ESENINIT që thotë, mes tjerash, një poezi lirike, zakonisht duhet të  jetë me tri a katër strofa. Poezia e gjatë e lodh lexuesin dhe,zakonisht, gjatë shkruajnë poetët që nuk e vlerësojnë poezinë. Andej, nga vendet e Lindjes së mesme, thuhet:" Biseda e shkurtër, litari i gjatë". E shkurtër duhet të jetë poezia lirike. Pse është e tillë poezia e BLEDAR  KOÇIT, pa vjen si një relaksim apo si një aperativ që të largon dhe stresin,por dhe vapën.
Para se të flas për poezi të veçanta të këtij poeti, nuk kam si mos ndaloj tek ndonjëra syresh që,sado e me katër vargje, jep një mesazh të bukur e të bardhë.
Shijojeni me mua këtë katërvargësh:
"Mbi kokë fluturimthi
Lozin dallëndyshe
Me të shpirtin sjellin

Ah, të mirat gjyshe!"

Nuk ndalova kot këtu. Është si një poezi prelud;si një eksklamacion apo si një shpërthim; si një ngjizje dashurie për të mirat gjyshe,që, në kohën e sotme, mjerisht ose janë braktisur, ose janë lënë si fshesa që, pasi spastron shtëpinë, lihet pas derës.

                                                      *     *    *
Dhe poezi pas poezie,  në sytë e mi si lexues dhe jo vetëm kaq, zë e rritet porfili poetik i POETIT BLEDAR KOÇI: e shoh atë tek kërkon"thinjën e parë të babait"(Thinja e tim eti); e shoh"kur luan mbi xhama  dhe shkruan"mundimet e nënës"(Nëna); e shoh kur, mbushur me nostalgji, kërkon  vitet e fëmijërisë,atje në trojet e të parëve:në një fshat malor,hipur mbi"branën" që tërheqin qetë:Limoni dhe Kazili. Një poezi peizash që të ngop jo vetëm me klorofil,por dhe me fjalorin fshatarak:telvigë,selishtë,plis. Më tej, tek lexon, o do bëhesh edhe ti nga Zëndani, o do marrësh kërrabën;o do kthesh paguren me dhallë dhe të përfundosh"çoban me brrucë a gunë/me Balon që nuk të ndahet.
Dhe gjithçka që citoj, vetëm me vargje me rimë, me skemën ABAB ose AABB.
Mandej, dashuria përvendlindjen vazhdon me poezi,si: "Guri i vendit tim",Gurra e Balazit","Shtëpia e vjetër","Pusi i etjes sime","Qeni Murro".
Poezia e BLEDAR KOÇIT është sa e thjeshtë,aq dhe e bukur, jo se ai është i paarritshëm, por bukuria dhe vlera e poezisë së tij, qëndron në atë mesazh aq njerëzor që përcjell përmjet vargjeve. Ai shkruan poezi për xhaxhanë e tij të mirë; për NËNËN GREKE. Sa sinjifikative janë vargjet:"... dua të çoj tek nëna e barkut/ të shëndoshë e jo të ligur".Poeti shpeh mirënjohjen ( a e gjeni kund atë sot, në këtë botë kaq polare e të ftohtë),me vargjet:"Nënë greke/nënëzo/ Më je lidhur me kujtime/ Se nuk shlyhesh dot me to/mban një copë të jetës sime/. Një poezi e bukur gati antologjike për mirënjohjen që ia bën më të bukur karizmën poetit dhe si një dafinë ia vendos mbi ballin e bukur e të bardhë.

                                                          *     *     *
Një cikël  me vete janë poezitë që poeti,BLEDAR KOÇI, ua kushtuar njerëzve që ka dashur dhe do.Një poezi që kullon dhimbje është ajo,për DRITËRONË: "...Eh,DRITËRO!/Trishtimit/ç'të shkruaj/..ah,lapsi në duar/fletorees s'më nget/... si ty,që veç lindin dhe mbesin pa vdekje/. Xhevahir Spahinë e quan"shtjellë stuhie". Poezi të bukura ato për"mësues që,metë vërtetë/gëlltisnin nxituar kafetë/.../por me kamat e shpirtit/shkallmonin errësirën e ditës".Po kështu janë të qëlluara, pa stërzgjtaje,poezitë për ADEM JASHARIN,Luftëtarit të panjohur apo dhe Legjendë.
                                                      *     *     * 
Një cikël i ëmbël (a nuk hahet bakllavaja në fund?), është cikli erotik.Edhe këtu poeti nuk stërzgjatet.Poezia e dashurisë tek BLEDAR KOÇI me pak fjalë,është si një fshat që duket dhe nuk do kallauz. Le të ndalemi tek strofa e parë të poezisë:"Të parës dashuri"
"kur shkriu e para dashuri,
Dhe ndjenjat rrodhën lumë
Një ëndërr imja fle tek ti
Të tuat, ngrinë tek unë.!"
Në shijen time pak "erotike", në këtë vëllim do veçoja"Vajza Arvanite". Janë përjetime dhe ndjesi të gjalla që,përmjet vargjesh, bëhen të prekshme:
"Me dredhtë të qepallës
Vështrimin prej drite
Atje në ugare
Një vajzë arvanite

Trupvogla zeshkane
Avitej si ngjalë
Me buzë çuçuriste:
-Ç'u bëshe,re djalë?

.....................................
Dhe ika me vjeshtën
Ugarit, kaq vite
Me pengun që s'putha
Një vajzë arvanite.
Siç e gjykoj këtë poezi të veçantë, them se dashuria djeg më tepër,kur ka pengesa.
Por në mbyllje të gjithë këtij shkrimit tim,për librin "Stina e qershive" të BLEDAR KOÇIT,kam të drejtën e plotë që të them:"  Në doni të  "hani" qershi në çdo stinë, atëherë lexoni librin "Stina e qershive",se atje do gjeni një peizazh nga fshati,do gjeni ngjyrë e lirizëm; do gjeni gjithë atë koloritë të jetës ku nuk ka asgjë abstrakte.Do gjeni jetën,qiellin, tokën, njerëzit pa maska në fytyrë. Do gjeni poezinë që do t'ju çlodhë.  Me mua kështu ndodhi dhe ndaj shkrova për t'i thënë kësaj vape made in Sahara, sikter! Më bëjnë fresk poezitë e BLEDAR KOÇIT!