Rizah Sheqiri:Qasje

Qasje:

Rizah Sheqiri:

Poezi e përjetimit dhe revoltës

Fjalë me rastin e promovimit të pëmbledhjes poetike të Ibrahim Kadriut “Udhëkryqet - Korsningar” në gjuhën shqipe e suedeze, botoi: “Erik Hans” - Borås, Suedi, 2019.

Ibrahim Kadriu-poeti i fjalës së zgjedhur, i mendimit të thuktë dhe i ndjenjës së thellë

Ibrahim Kadriu   - është poeti i fjalës së zgjedhur, mjeshtri i rrëfimit e i mendimit të thuktë dhe i ndjenjës së thellë, një mjeshtër i vërtetë i shkrimit letrar i cili na ka dhuruar  vepra të shumta  të të gjitha zhanreve letrare; duke filluar nga poezia, letërsia për fëmijë, proza e shkurtër, romani, kronika, esseu, drama dhe deri tek skenari i filmit.

Hyrje

Ibrahim Kadriu u lind më 8 janar 1945 në Zhegër të Gjilanit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, shkollën e mesme të mësuesisë në Gjilan kurse studimet i kreu në Prishtinë. Pas dy viteve të punës si pedagog, më 1968 filloi punën në të përditshmen "Rilindja" ku punoi gazetar,  redaktor i kulturës dhe reporter i lirë. Në "Rilindje" punoi deri në dhjetor të vitit 1999 kur nisi punën si redaktor në të përditshmen "Zëri". Që nga fillimi i viteve të gjashtëdhjeta aktivisht u mor me letërsi, ndërsa librin e parë, një përmbledhje me poezi me titullin "Netët e Karadakut", e boton më 1969, për të vazhduar më pas me  botimin e shumë përmbledhjeve me poezi, tregime, romane,  pjesë teatrele, skenar filmi, etj. 

Pa hy shumë në hollësi, konstatoj  me plotë të drejtë se Ibrahim Kadriu është njëri nga shkrimtarët tanë bashkëkohorë nga më të sukseshmit dhe më produktivët. Ai është njëri nga   shkrimtarët tanë  më të  zellshëm që i ka lëruar me shumë sukses pothuajse të gjitha gjinitë letrare, duke  krijuar kështu një opus të gjërë e të pasur letrar që e begaton ndjeshëm gjithë letërsinë bashkohore shqiptare, që krijohet jo vetëm në Kosovë, por gjithasndej ku ka shqiptarë.

Ai ka krijuar me ndjeshmërinë perj një mjeshtri të vërtetë të krijimit dhe na ka dhuruar  vepra të shumta letrare të të gjitha zhanreve duke filluar nga poezia, letërsia për fëmijë, proza e shkurtër, romani, kronika, esseu, drama dhe deri tek skenari i filmit. Padyshim  puna e tij e palodhshme, me ndjesi prej mjeshtri letrar, e  krijuar me përkushtim e dashuri, i ka sjellë atij majat e suksesit në krijimtari duke marrë një sërë çmimesh nga më të ndryshmet e duke u kurorëzuar kështu edhe me çmimin  më të lartë që i jepet një krijuesi a shkrimtari siç është çmimi për vepër jetësore në krijmtari, çmim ky që iu dha me shumë meritë.

Për vlerat që ka sjellë me punën e tij krijuese dhe për veprën e tij letrare Ibrahim Kadriu  ka marrë edhe një varg çmimesh tjera letrare, nga të cilat vlen të  veçojmë; Çmimin "Shtjefën Gjeçovi," për poezi, Çmimin e nëntorit, për skenarin e serisë televizive "I ikuri", 1980 RTP, "Fidani", realizuar sipas romanit "Pas kthimit", Çmimin e vendlindjes, Çmimin "Agim Ramadani", Çmimin vjetor “Ymer Elshani”, Çmimin vjetor të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, etj.

Pra vlerat letrare të këtij autori të sukseshëm kemi pasur fatin t’i lexojmë, t’i shijojmë e t’i  përjetojmë me kënaqësi. Me disa nga veprat e sukseshme të I. Kadriut pothuajse është rritur e formësuar gjenerata jonë. Tash pa dashur të përmend veprat letrare të tij veç e veç, seç më vjen ndërmend ta kujtoj romanin e tij për fëmijë “Pas kthimit”, njërin nga romanet e para për fëmijë që unë tashmë gadi para gjysmërshekulli e kam lexuar, një roman që e kujtoj edhe tani,  e i cili më vonë qe realizuar edhe si serial televiziv për fëmijë me të cilin janë rritur  gjenerata e gjenerata fëmijësh në Kosovë.  E deri tek romani i tij i botuar kohë më parë  “Misioni rus” një roman i angazhuar dhe shumë i guximshëm që trajton një temë të njohur, të përjetuar a të dëgjuar gojë pas goje ndër  popull, por  asnjëherë të trajtuar sa e si duhet në letrërsinë shqipe. Roman ky që shtjellon përpjekjet e qarqeve të caktuara armiqësore për përhapjen sa më të madhe të një verbërie fetare, haraqin e të cilës, edhe sot, po e paguan rëndë populli ynë i shumëvuajtur.

Pra Kadriu për këtë kohë letërsisë sonë i ka dhuruar shumë vepra të rëndësishme për të cilat edhe është shpërblyer me shumë çmime.

Leximi i veprës çmimi më i lartë për shkrimtarin

Por gjithsesi për një shkrimtar çmimi më i lartë është leximi dhe pëlqimi i veprës nga lexuesit kudo qofshin ata. Pra shikuar edhe nga ky prizëm vepra letrare e Ibrahim  Kadriut është e pëlqyer, lexuar e adhuruar nga lexuesit e të gjitha moshave të të gjitha kategorive e të të dy gjinive. Aqë më tepër vepra e tij letrare është bërë përjetim e kënaqësi estetike e letrare edhe per lexues në gjuhë të tjera, si në gjuhën serbokroate, sllovene, rumune, polake, norvegjeze e tash së fundit edhe në gjuhën suedeze me përkthimin dhe botimin përmbledhjes “Udhëkryqet - Korsningar” si dhe libri për fëmijë "Dreni dhe Drenusha" të cilin unë tashmë e kam përkthyer në suedisht, libër ky i  cili është gati për shtyp dhe për botim. Përveq këtyre,  pjesë nga veprimtaria e Ibrahim Kadriut, qoftë në poezi a në prozë janë botuar dhe janë përfshirë edhe në shumë në antologji të ndryshme në frëngjisht, gjermanisht, arabisht, rumanisht, turqisht, italisht, anglisht, etj.

Siç e përmendëm, Ibrahim Kadriu ka krijuar një varg veprash letrare e poetike që janë bërë pjesë e një thesari të veçantë jo vetëm për letërsinë e poezinë shqipe por edhe më gjërë. Pra Ibrahim Kadriu është shumë i sukseshëm në shumë fusha e gjini letrare, edhe fushën e poezisë. Ai pra edhe në këtë fushë na ka dhuruar një varg përmbledhjesh poetike të cilat shquhen për shprehjen e pasur figurative dhe për realizimin e mrekullueshëm poetik.

Përkthimi i letërsisë sfidë dhe përgjegjësi

Fjala e shkruar është e përjetëshme, aqë më tepër fjala artistike e poetike. Po pra, vargu i latuar  me mjeshtri dhe poezia e  mirë, shkruhet dhe përhapet si aromë e këndshme luleje dhe kënaqë gjithë ata që e lexojnë, e ndjejnë dhe e përjetojnë. Poezia e mirë e kënaqë lexuesin e çdo moshe në çdo kohë e në çdo vend.  Një poezi e mirë, një vepër e mirë letrare në çfardo gjuhe qoftë, është gjithmonë potenciale që të përjetohet e të lexohet në kohë e në hapsirë të gjithbotëshme. Pra, poezia e mirë në çfardo gjuhe qoftë ajo është potenciale që të transmetohet e përjetohet edhe në gjuhë e në hapsira të tjera. Këtu po ndodhë sot edhe me poezinë e bukur të Ibrahim Kadriut që  po botohet për t’u përhapur, për t’u lexuar e për t’u përjetuar edhe në një gjuhë tjetër, në një hapsirë tjetër, nga lexues të tjerë, në rastin tonë edhe këtu në Suedi, në gjuhën suedeze.  Por, ku ta dishë, nga këtu, kjo poezi mund të përkthehet e shpërndahet edhe në gjuhë të tjera gjithandej nëpër botë

Edhe pse përkthimi i letërsisë, do përgjegjësi të madhe, aqë më tepër përkthimi i poezisë, kemi kënaqësinë që edhe për lexuesit e poezisë në gjuhën suedeze të prezentojmë përmbledhjen “Udhëkryqet - Korsningar” të Ibrahim Kadriut.

Kjo përmbledhje poezish sot pra, po i kalon kufinjtë e saja gjuhësore, kombëtare e kulturore duke u bërë kështu pjesë e letërsisë dhe thesarit të pasur të  poesisë në gjuhën suedeze. Poezia e I. Kadriut tashmë po u ofrohet edhe lexuesëve dhe adhuruesëve të fjalës poetike edhe këtu në Suedi dhe atë në gjiuhën suedeze, pra poezia e Ibrahim Kadriut që nga tash do të  komunikojë edhe me lexuesit e rëndomtë, me poetët e me adhuruesit e poezisë,  me kritikët letrar, dhe me gjithë  dashamirët e fjalës së shkruar poetike në gjuhën suedeze, duke u bërë kështu një pjesë e denjë e poezisë me vlerta të mirëfillta që përkthehet nga shumë  gjuhë e nga shumë vende të  botës edhe në gjuhën suedeze. Pra, lexuesit suedez po i jipet mundësia, të shijojë një pjesë të poezisë shqipe shkruar nga miku e kolegu ynë poeti Ibrahim Kadriu, dhe këtë falë përkthimit të kësaj poezie edhe në gjuhën suedeze nga një shkrimtar - Hamit Gurguri, i cili gati gjysmën e  jetës dhe veprimtarisë së tij letrare e ka bërë këtu në Suedi, në kontakt të përhershëm me gjuhën, letërsinë dhe kulturën suedeze. Pra një shkrimtarë e një përkthyes i këtillë ka ditur që me mjeshtri të sjellë këto poezi në gjuhën suedeze.  Për më tepër  ai edhe pse është njohës i shkëlqyeshëm i gjuhës suedeze, për finesat poetike të shprehjes në gjuhën suedeze ka bashkëpunuar ngushtë dhe ka marrë ndihmën kompetente nga një poete suedeze që është përkujdesur me delikatesë që  fjalën poetike ta gëdhend e latoi edhe më mirë dhe ta përshtatë sa më natyrshëm në gjuhën poetike suedeze. Dhe këtë konsideroj unë, ajo e ka bërë me delikatesë, me përgjegjësi dhe mjeshtëri prej një poeteje të vërtetë. Prandaj poezia e I. Kadriut e përmbledhjes “Udhëkryqet - Korsningar” edhe në gjiuhën suedeze tingëllon shumë bukur dhe përcjellë fuqishëm ndjenjen poetike të origjinalit. Për këtë meritëmn më të madhe e ka përkthyesi dhe nismëtari i përkthimnit të kësaj përmbledhje milku im i çmuar shkrimtari Hamit Gurguri, i cili për këtë projekt më njoftoi e më gëzoi qysh në shtatorin e vitit  2018 gjatë ditëve të Panairit Ndërkombëtar të Librit në Gëteborg ku ishim bashkë dhe kur ëndrronim këtë ditë të promovimit të këtyre poezive të mikut tonë të përbashkët Ibrahim Kadriut në në gjuhën suedeze. Por, pa asnjë padyshim për përcjelljen e ndjesisë dhe e finesave të bukura poetike të këtyre poezive, të figurave estetike, të shprehjeve metaforike të zgjedhura poetike edhe në gjuhën suedeze meritë të veçantë, siç thashë, ka edhe poetja suedeze Anna Mattsson, të cilën në emrin tim, po edhe në emrin e përkthyesit dhe poetit, e falenderoj shumë për kontributin e saj dhën që kjo poezi të vijë sa më bukur, të përjetohet sa më ndjeshëm dhe sa më thellë edhe në gjuhën suedeze.

E kaluara si kujtim dhe kranari

Poezia e Ibrahim Kadriut jo vetëm që  është përjetim, revoltë e reflektim për të sotmën, por ajo edhe kujtim e krenari për të kaluarën e mundimshme, por gjiuthësesi shumë krenare. Është  kujtimi e reflektimi për jetën dhe sakrificën e gjeneratave të shumta të paraadhësve të tij për të mbijetuar dhe për të mos u dorëzuar nëpër kohë e shekuj me qëllimin e vetëm për të krijuar një të ardhmeje të një jetë me identitet që i bën ballë çdo sfide e furtune të ashpër të kohës. Pikërisht  ashtu si në poezinë e tij “Babai” ku jo vetëm portretizohet figura e babait të autorit, por aty na jipen bukur shumë nga sfidat e të parëve tanë për të krijuar themele e trarë  të forta dhe të qëndrueshme të ardhmërisë. Vizione të krijuara me punën e me mundin e tyre, me idetë, mjetet dhe mendimit e tyre vatanake për të krijuar kështu vepra të cilat gjithësesi i kanë qëndruar kohës stoikisht:

Babai im arkitekti dhe skulptori

Veprat i ka lënë që i qëndruan kohës

Shiut, breshrit, tërmeteve dhe djegieve të zjarreve serbe

Oxhaqet e mbetura drejt qiellit iu përshtatën legjendës

Në të tilla shtëpi oxhaqet do të nxjerrin përherë tym

Oxhaqet e shtëpive që i ngriti babai im arkitekti e skulptori.  (Babai)

Në këto, po edhe në vargje tjera të disa poezive të kësaj përmbledhje shumë herë poeti reflekton mbi të kaluarën e dhembshme, mbi historinë tragjike për të nxjerrë mësime të vlefshme nga ajo.  Ai reflekton shpesh, thellë dhe bukur mbi të kaluarën e mundimshme të paraadhësve që me shumë mund e sakrificë ia vunë themelet të sotmes, të cilën poeti në vargjet e veta të kësaj përmbledhje e sheh me një  sy shumë kritik, sepse, sipas vargjeve të tij, pa asnjë mëdyshje, e sotmja mund të ishte edhe më e mirë.

Poezi e ndjenjës,  e reagimit, e revoltës dhe angazhimit intelektual

Poezia e Ibrahim Kadriut është poezi e ndjenjës,  e reagimit, e revoltës, e angazhimit intelektual e artistik qoftë në planin individual qoftë në atë kombëtar e gjithë njerëzorë. Poezia e tij është ndjenjë e përjetim, reagim  dhe reflektim rreth një absurdi njerëzor që ndodhë në kohën dhe në hapsirën e autorit. Është një reagim e revoltë e tij ndaj një gjendje kaosi, ndaj një gjendje amullie, ndaj një gjendje pasigurie të individid dhe të popullit i cili përbuzëshëm  ka ngelur në udhëkryqet e jetës përballur me vështirësi nga më të ndryshmet; sociale, ekonomike e aqë më shumë shoqërore e politike, pa shumë shpresë për ndryshime, pa shumë shpresë për ditë më të mira.

Pra poezia e I.Kadriut mund të lexohet edhe  si një poezi e angazhimit poetik e intelektual për ndryshime rrënjësore të kësaj gjendje që jo vetëm që është e ndjerë por është edhe e komplikuar. Poezia e Kadriut  rreket dhe i shtjellon pikërisht këto probleme që janë madhore  e ekzistenciale për njeriun e kohës dhe hapsirës së tij. Pra, siç e thashë më parë, poezia e kësaj përmbledhje është poezi e ndjenjës së thellë të një shpirti delikat prej poeti i cili përjeton tmerrin e urrejtjes ndërnjerëzore dhe shpresën e dëshirën e flakt të tij për mirësi e për liri…

Por ironia është e madhe saqë as liria më nuk është  ashtu siç shkruhet në fjalorët enciklopedik, sepse liria e tij është e lënduar, vuan nga dhembjet dhe ende është e sëmurë:

Liria ime është e lënduar e sëmurë

Nga liria e tjetrit e cila dot s’i bën punë /Liria/

Për të vazhduar më tutje me konstatimin e tij se liria nuk është ashtu siç e ka ëndrruar  dhe të gjithë ata që e kanë stërkequr  të gjithë ata bqë e kanë lënduar, të gjithë ata që e kanë sëmurë, nëse asgjë tjetër, në emër të lirisë, duhet të turpërohen për sjelljet dhe te bëmat e tyre.

Dhe liria nuk është ashtu siç thuhet në fjalor

Në emër të lirisë shpesh bëhemi horë.../Liria/

Dhe para kësaj shenjtërie, para lirisë pra, duhet të turpërohen të gjithë ata, para së gjithash këtë duhet ta bëjnë ata që kanë marrë në dorë udhëheqjen e  popullit  në liri. Popullin dhe njerëzit e vuajtur të  cilët jo vetëm nuk po e përjetojnë gëzimin e lirisë, por ende po vazhdojnë të vuajnë e lëngojnë në kohë, sepse sikur kanë mbetur të lënduar, të plagosur, të rënduar, të lodhur e të traumatizuar, jo vetëm nga robëria shekullore, por edhe liria e tyre  që tashmë është e sëmurë, me shpresën e vetme që  t’ia gjejnë shërimin. Ata njerëz , ai popull,  sikur ka ngelur në margjinat e kohës, të harruarit e kohës, të humburit e kohës, të humburit si tragjikët në mjegullën e dëndur, e të cilët sikur nuk dijnë të gjejnë ose e kanë tepër vështirë ta gjejnë rrugën e tyre të dritës për daljen nga ky ankth e makth i cili fatkeqësisht për ta ka zgjatë më shumë, sepse ndjenja e të qenurit i harruar e i humbur diku mes udhëkryqesh pa e ditur rrugën e daljes a të hyrjes pa ditur atë rrugën e ikjes a të kthimit, pa e gjetur askurrë atë rrugën e tyre që i shpien drejtë një të ardhmje të denjë e të lumtur, të lirisë së shëndoshë e të dashurisë së njëmendët, të përparimit, të zhvillimit dhe të ngjadhnjimit të tyre mbi çdo të padrejtë, mbi  çdo të keqe, mbi  çdo të ligë e  mbi çdo  vujtje. Një gjendje e mjerë, e ndjerë e tragjike që qoftë me fajin ose pa fajin e tyre, këtij populli e këtyre njerëzve, ju ka ndodhur dhe  po vazhdon t’iu ndodhë përsëri.

Përkundër kësaj gjendje që akoma vazhdon të jetë e ndjerë, poeti nuk e sheh një zgjedhje në ikje, sepse ikja është dhembja dhe tragjedia më e madhe:

Krejt çka ishin dhembje radhazi i nxjerr

Kohën që ikën në kërkim të tyre shtjerr.

Si përmbajtje letrare në punë më hyjnë

Të bëhem vasal i kujtimeve më shtyjnë.

Kjo që them i përket ambientit të lindjes

Më mban n’ethe e m’i ndihmon bindjes. 

Se kudo në botë të shkoja mbetem i huaj

Për gurët, malet e fushat që i kisha - vuaj./Largim s’do të ketë/

Ikja nga vetvetja është vetëm humbje e tëhuajësi. Prandaj poeti konstaton me të drejtë se,  përkundër gjitha dhembjeve e vuajtjeve,  ikja nga atdheu nuk është zgjidhje. Pra, ikje nga vetvetja dhe nga atdheu nuk duhet të këtë qoftë të mbetur edhe në këtë gjendje udhëkryqesh plot plagë që gjithësesi duan shërim,  apo thënë më mirë plagë udhëkryqesh që duan vetëshërim, gjendje kjo nga e cila patjetër duhet gjendur rrugëdalja për shpëtim  me mundësinë e këthimit në vetvete, natyrisht një gjë e tillë është e mundur, por vetëm duke iu këthyer seriozisht vetvetës dhe besimit në vetvete, me qëllimin e vetëm  për të dalur njëherë e përgjithminë nga tmerri i ankthit dhe nga kjo si ëndërr e keqe, ku vazhdimisht pritjet nëpër udhëkryqet plot dilema zënë pritë dhe sjellin  vuajtje e mundime:

Kjo më gëzon shumë se flas me vetveten

 I ofroj kurajë duke e marrë me të mirë,

Të gjitha dhembjet shpirtërore i lë të treten

me mundësinë e ikjes nga  ëndrra e vështirë. /Udhëkryqet si mundime/

Udhëkryqet si dhembje dhe pritjet si torturë

Udhëkryqet, më asociaciojnë vendin ku ka ngelur si në amulli populli bir i të cilit është vatë autori.  Autori që sikur populli i tij me plagët e  shumta të udhëkryqeve, sikur kanë mbetur peng të pritjes në udhëkryqet me shumë dilema,  pa e ditur mirë nga t’ia mabjë, nga të ik a të shkojë, kujt t’i besoë e pas kujt të shkojë, kujt t’i besojë a kujt të mos i besojë, kujt t’i dorëzohet a kujt të mos i dorëzohet, për kë të flijohet a për kë të mos flijohet, dilema këto nga më ekzistencialet për individin po edhe për shoqërinë.

Gjendja e popullit të tij nëpër kohë ta kujton edhe atë legjenden e lisit në maje.  Ashtu si në poezinë e poetit me titull “Lisi  dhe spata”, ku trungut i  duhet të bëj çmos vetëm e vetëm për të qëndruar atje, atje ku është në maje dhe për t’iu bër ballë të gjitha stuhive që e rrahin fort, pandalë dhe nga çdo anë:

Kështu zë legjenda për lisin e sëpatën

Përballë vrullit shpirtëror që të preket maja

 

Dhe njeriu ngjitet e ngjitet e ngjitet

e në ngjitje shpëtimin kërkon

prenë degët i prenë

kjo është e tëra

për të mbetur atje lart

në luftë të përhershme me erërat /Lisi dhe sëpata/

Por tashmë, siç konstaton poeti, edhe atje në atdheun e tij më asgjë nuk është sikur më parë, sepse as atje në atdherun  e tij më nuk ka nevojë që njeriu të jetë me atë a me këtë diktator, me atë apo me këtë mizor. Përkundrazi, sipas poetit, tashmë  njeriu i atdheut të tij ka nevojë më shumë se gjithçka tjetër të jetë vetëm vetevetja. Por kjo nuk është edhe aqë e lehtë sa duket, sepse sërish njeriu i tij është në udhëkryq, atje sikur  gjithçka është shndërruar në drojë ankthi e  pritjeje,  ashtu siç e  thotë edhe vet poeti

në Kosovë çdo lindje është e para dhe e fundit

lindje të pangopura me dashuri

Kur të vish në Kosovë

krejt gjërat janë në pritje

të presin të të falën si virgjëresha dhëndrit /Kur të vish në Kosovë/

Dhe jo vetëm kaq, pritja me drojë  dhe dhembja e saj është edhe më e madhe, sepse njeriu i kohës dhe i hapsirës prej nga vjen autori sikur nuk e gjenë vetvetën as në prijen e as  udhëkryq; mu për këtë ai duhet t’i këthehet e rikëthehet prapa historisë dhe atje të kërkoi mbrojtje, apo siç thotë vet poeti, atje  të kërkoj strehim - azil, sa për ta marrë vetvetën në mbrojtej,  për ta gjetur e për ta kuptuar edhe më mirë vetvetën e tij. Dhe jo vetëm kaq, por do të shtroja unë, edhe për t’i gjetur shkaqet dhe gabimet historike që kanë sjellë këtë gjendje ku ndodhet individi dhe shoqëria e sotëme. Pra ai i mbushur mllef kërkon ngaqë njeriu i sotëm që të kthehet shumë prapa vetëm e vetëm për ta njohur e kuptuar vetvetën dhe gjendjen e tij të sotme, për ta gjertur e kuptuar  siç duhet vetvetën dhe për të dalë njëherë e përgjithmonë nga labirinthi i tmerrit dhe për të marrë shlirshëm frymë gjatë kërkimit të vetvetës:

Kur s’ka dashuri

urrejtja jote s’më duhet

e shpall të pa qenë

frymëmarrjen time në shtjellë

Mes durimit dhe shpresës

të këtyre ditëve

që mezi e tejkalojnë natën

tash kur kërkoj azil

për faqet e historisë

të prehur në pritje

të gjetjes së vetvetes/Frymëmarrje në shtjellë/

Sa shumë e  vërtetë, ajo që thotë poeti, se kur dashuria mungon, nuk të duhet fare as urrejtja e kujtëdo qoftë ajo, dhe mu për këtë e vetmja pritje që arsytohet është pritja e gjetjes së vetvetës qoftë edhe në ankthin e vuajtjes,  të harrimit a të trishtimit.

Poeti do të rebelohet dhe për një gjendje tjetër tër ndjerë në udhëkryqet pa rrugëdalje e për këtë gjendje ai fajson natyrisht individin por një fajin dhe përgjegjësinë totale do t’ia ngarkoi edhe vetë popullit të tij i cili sikur pajtohet me premtimet  e kota të udhëheqësve dhe të politikës  se nesër do të bëhet më mirë dhe nuk e merrë fatin e vetë në dorë për të ndërruar diçka, për të gjetur një rrugëdalje nga amullia e mërzitshme e ankthit dhe e makthit në të cilin ka rënë, por vetëm bëhet pre e premtuesëve dhe e premtimeve të kota duke ua lënë fatin në dorë:

Populli është fajtor

se emrin e vet ua ka falë të tjerëve

të mbajnë ison e premtimeve;

Populli është fajtor

se do strehim mbi kokë…

kurrë nuk shfajësohet ai

gjithmonë i ngarkuar

për fajet pse aq shumë e do jetën

populli është fajtor

do të ngulfatet me fajësinë e vet./Populli është fajtor/

Prandaj ska se si të mos jetë i arsyeshëm e shumë i kuptueshëm edhe mllefi artistik e njerëzor i një njeriu aqë më tepër i një shpirti të ndjeshëm siç është një shpirt i ndjeshëm poeti.

Rebelimi i poetit dhe shfryrja e mllefit poetik ndaj një gjendje ankthi

Një shpirt poeti s’ka se si të mos  shpërthej në në kundërshtim të skajshën ndaj rënjes në pesimizëm të thellë të popullit të tij. Poeti si një rebel i vërtetë ngre zërin lartë  dhe me poezi thërret për një ndryshim të kësaj gjendjeje të ndjerë.  Për një tejkalim mjegullënaje dhe agonie, duhet një bashkim e shtërngim mendjesh e grushtash. Duhet angazhim syçeltësi dhe sakrificë e vetmohim i të gjitha forcave përtparimtare. Ai sikur paralajmëron  që në qoftëse nuk ndodhin ndryshime të thella një tagjedie të mundëshme nuk do t’i dihet fundi. Prandaj  nëse dëshirohet që të evitohet kljo tragjedi, të gjithë duhet të angazhohen për të ndërruar diçka. Shpëtimi i vetëm është angazhimi i të gjitha forcave; të mendjes e të dijes  për dalje nga ky udhëkryq i pa shpresë. Në të kundërtën shfaqja që po luhet në teatrin e quajtur “Teatri Kosova” do të përfundojë si tragjedi. Kjo “lojë” fatkeqësisht, duket siklur është një tragjedi shumë dimensionale; e paparë dhe e panjohor ndonjëherë më parë në këtë vend - në  Teatrin e quajtur Kosova, ku korrupsioni dhe kequdhëheqja e klasës politike sikur i ka tradhtuar, përbaltur e vetëvrarë të gjitha parimet flijuese, prandaj  këto punë poshtruese e thellojnë dita-ditës këtë tragjedi të paparë duke i dërguar njerëzit dhe vendin drejt një humnere: 

Të vinin një ditë e të shihnin shfaqjen në Teatrin Kosovë

Do të bënin vetëvrasje për përbaltjen e parimeve flijuese

Para se të gjenin shprehjet më adekuate për bashkëluftëtarët

Para se t’i shikonin të gjitha listat e pjesëmarrësve në front

Para se me pështymje t’i përshëndetnin rebelët e dikurshëm

Do të bënin vetëvrasje për tradhtinë e parimeve flijuese

Që u bënë ushqim për korruptim e punë të tjera poshtëruese. /Teatri Kosova/

Një përshkrim shumë dimensdional të një gjendje të ankthit, lexuesi i vëmendshëm do ta përtjetojë gjithësesi në ciklin e fundit poetik të përmbledhjes,  që mund të lexohet si një libër më vete, e të cilin autori e ka titulluar “Teatri Kosova”. Teatër ky në të cilin ende po vazhdon të luhet një shfaqje - tragjedi e paparë nga aktorë, të mbrendshëm e të jashtëm, karakteret tragjike të cilëve shumë vështirë të kuptohen qoftë edhe nga analistët më të shkathtë. Atje, pra në Teatrin Kosovë, ku veç varret janë të njëmendëta, askujt sikur nuk i bëhet vonë për asgjë, dhe kështu loja e rrezikshme edhe më tej vazhdon, e teksti i dramës nuk ndryshon anon nga tragjedia:

Në teatrin Kosovë

Perdja vazhdon të jetë e ngritur pa u ditur kohëzgjatja

Repertori nuk ndryshon mbetur vetëm në një rrëfim

Për të gjitha vitet dhe stinët

Alegorisë i gjendet strehë

Më mirë se në çdo kohë

Teksti i dramës nuk ndryshon anon nga tragjedia

 

….

Në teatrin Kosovë

Askujt s’i bëhet vonë të bëhet aktor i devotshëm

Gjithë bota provoi skenën me talente të zgjedhura

Të ngritura akademive prestigjioze

Për eksperimente aktrimi me lojën që vazhdon, vazhdon… /Teatri Kosova/

Poeti është i guximshëm dhe e thotë hapur drojën e tij për tragjedinë që mund të ndodhë, ai e thotë hapur,  jo vetëm atë që e ndjen, por edhe atë që e parandjen, sepse ai ka kaluar shumë sfida gjatë jetës së tij, pra edhe vet i ka përjetuar shumë nga sfidat tragjike, me shumë kurdisje mashtrimesh e dredhish e kurthash të armiqëve të popullit dhe të atdheut të tij. Ai vet  është përflakur nëpër këto sfida e veshtirësi por pa e heshtur fjalën dhe mendimin e tij as edhe njëherë.

Prandaj poeti me profecinë e tij, me ndjesinë e tij të thellë, e parandjen frikën për rreziqe e tragjedi të reja në këtë vend.  Kështu herë pas herës e ngrit zërin dhe paralajmëron për rreziqe e tragjedi të mëdha. Ai ngre lartë zërin alarmues të revoltës poetike e intelektuale për syçeltësi e menquri intelektuale, politike e gjithëshoqërore për largim e  për dalje nga kjo situatë duke bërë shpejtë ndryshime rrënjësore, të mençura dhe pozitive. Sipas tij kjo është një nga detyrat parësore të mendimit intelektual, të shkrimit, të shkrimtarit, të poetit dhe të vetë poezisë. Pra, të qenurit shkrimtar a poet, ai e sheh gjithmonë si akt të mbrojtjes së dashurisë nga urrejtja, të ruajtjes së lirisë nga sëmurja e saj, të ngadhnjimit të  drejtësisë ndaj padrejtësisë, të fitores së mirësisë mbi  ligësinë… Poeti, në këtë mision të tij,  nuk do të heshtë kurrë, bile bile nuk do të ketë as kohë për të vdekur,  pikërisht ashtu siç do të shprehet poeti edhe në poezinë e tij:

Të jesh shkrimtar

s’ke kohë të vdesësh

i ke të zëna të gjitha orët

me dashuritë

e me ndonjë gotë

je i tëri i zgjuar e s’të duhet gjumi

kur je vetëm

por jo i vetmuar

je mbret

pa stoli pa roja

e oborrtarë

dhe vetëm pena di të trimërojë

të ruajë pushtetin e plotë

….

Të jesh shkrimtar

Kosova të falet tërësisht

me këngë e me vaje priten e zë në çdo stinë

asgjë nuk mban të mbyllur

pushim ofron

derisa strehohet në varg me gjithë peshën e dashurisë

të mbetet në përjetësi ashtu siç është

kokë - lartë /Të jesh shkrimtar/

 

Thuaja në gjithë poezinë e përmbledhjes “Kryqëzimet - Korsningar” fati i poetit është i lidhur ngushtë me fatin e atdheut dhe me fatin e popullit të tij, prandaj në Tratrin Kosova tragjedia sikur vazhdon të luhet edhe më tutje pa e ditur saktë përfundimin, apo siç do të thotë vetë poeti,  atje (në Kosovë apo siç e thotë poeti në Teatrin Kosovë) nuk dihet asgjë se  farë do të ndodhë sepse asgjë sikur nuk është e njëmendët përvec varreve.

Pra fati i Kosovës dhe i ardhmërisë  së saj  si shtet i ri akoma vazhdon të jetë i varur, jo vetëm nga vullneti i popullit të tij, por kryesisht edhe nga ndërkombëtarët dhe nga fuqitë e mëdha të cilat njëherë e përgjithmonë duhet ta kuptojnë drejtë këtë shfaqje tragjike që po zgjatë kaqë shumë. Për ta ndihmuar drejtë e mirë që kjo shfaqje të përtfundojë njëherë e përgjithmonë drejtë, gëzueshëm dhe mirë; me ngadhnjimin e vërtetë të dashurisë mbi urrejtjen, të të mirës mbi të keqen, të lirisë mbi robërinë, të përgjegjësisë mbi papërgjegjësinë, të diturisë mbi paditurinë, të  drejtësisë mbi padrejtësitë… Qoftë ashtu  dhe ashtu u bëftë! 

Përfundim

Poezia e Ibrahim Kadriut shquhet për fjalën e zgjedhur, për mendimin e thuktë dhe për ndjenjen e thellë. Ajo është një poezi e ndjerë që përmes fjalës së zgjedhur dhe figurave të shumta poetike sjellë tek lexuesi jo vetëm mendimin e thellë, por  edhe ndjenjën e thellë të përjetimit tematik, ideor dhe njërkohsisht estetik e artistik. Kjo poezi gjithësesi është një pasqyrë nga ato pasqyrat më realet shpirtërore të poetit, të popullit dhe të atdheut të tij në një periudhë me shumë shqetësime, dhe si e tillë nga  do lexues i angazhuar do të përjetohet thellë e ndjeshëm, edhe për faktin se e trajton një preriudhë me një gjendje delikate të mbushura përplotë shqetësime e brenga. Një gjendje me shumë kthesa të papritura e gadi-gadi  edhe ekzistenciale të një vend e të një shteti të ri dhe të popullit të tij.

Kjo poezi, për më tepër, lexuesin suedez do ta ndihmojë që ta kuptoj,  ta ndjejë dhe ta bashkëndjejë më mirë e më për së afërmi dhembjen, vuajtjen dhe tragjedinë e individit e të popullit shqiptarë në trojet etnike, në Kosovë kryesisht.

Pra Ibrahim Kadadriu është poeti dhe shkrimtari që me krijimtarinë e tij para  do të keqeje a vëshirësie nuk dorëzohet, nuk ligështohet dhe as nuk hesht.

Në fund poetin  e shkrimtarin Ibrahim Kadriu e uroj me zemër për përkthimin dhe botimin e librit në gjuhën suedeze dhe  njëherit i urojmë  jetë të gjatë e mbarësi, përplot suksese të reja në krijimtari  me kurajon për të mos heshtur kurrë, e për të na dhën edhe  shumë e shumë  krijimtari, edhe shumë e shumë vepra me vlerë e rëndësi!

Suedi, shkurt - mars 2019

Image
r