Ullamr Qvick

Ullamr Qvick

Arsimtari, publicisti dhe aktivisti shqiptar me banim në Borås të Suedisë, Sokol Demaku, më ka dërguar në kohën e fundit tre libra nga dora e tij.
Sokoli është për të lavdëruar për zellin e tij, entuziazmin e zjarrtë dhe iniciativat e tij të shumta në dobi të marrëdhënieve shqiptaro-suedeze. Ai organizon takime të poetëve shqiptarë në Suedi, emisione të radios në gjuhën shqipe, udhëtime me pjesëmarrës suedezë në viset shqiptare etj.

Libri i parë që më ra në dorë quhet "Låt oss stanna ännu en tid", 60 faqe, Borås 2017, një përmbledhje poezish në gjuhën suedeze. "Le të mbetemi edhe një kohë në vendin më të bukur me njerëz të mirë të cilët kujdesen për ne" .... Sokoli vë në dukje në vjersha të shkurtëra dhe të thjeshta fatin e mërgimtarit. Përmbajtja e librit na jep përshtypje të mirë me një filozofi të thjeshtë njerëzore, gjuha është në përgjithësi e pastër me pak gabime gjuhësore. Libri është i pranueshëm nga ana teknike, me cilësi të mirë.

Libri i dytë që mora nga Sokoli ka karakter didaktik, një libër me vlerë për shkollat në botën shqiptare. Titulli "Një rrugëtim në veriun e largët " 87 faqe, Borås 2017, na tregon se si lexuesi do të filloj një udhëtim për në viset më tërheqëse të Suedisë. Libri është i mbushur me hollësira për mrekullitë e Suedisë, me histori, gjeografi dhe përsonalitete me nam. Ky është një libër që nderton ura midis Shqipërisë dhe Suedisë, me tekste të përshtatshme për rininë shkollore. Kam vetëm një vëretjtje: cilësia e fotografive është tepër e dobët. Ndoshta në botimet e ardhshme do të ishte më mirë të mblidhen ilustrimet në një pjesë të vecantë, në fund të librit, me letër cilësore dhe teknikë të mirë?

Libri i tretë është fruti i punës së përbashkët të Solol Demakut dhe të Viron Konës. Vironi është mik i pasionuar i Suedisë dhe ka botuar libra me të dhëna dhe përshtypje nga vendi im. Libri "Poleni Viking", 228 faqe, Tiranë 2016, është i ndertuar mbi një vizitë të një ekipi suedez në Shqipëri. Katër shkrimtarë suedezë erdhën në Shqipëri dhe libri është një udhëpërshkrim kulturor dhe gjeografik, edhe me të dhëna për kulturën suedeze. Mund të them lirisht se të dy autorët kanë krijuar një farë enciklopedie me fakte për Shqipërinë dhe Suedinë. Një libër tërheqës por me të njejtën vërejtje: Cilësia e fotografive! Janë edhe më të dobëta se në të dy librat e recensuar më sipër. "Sa keq me bizele aq të shijshsme" (Så synd på så rara ärtor) themi ne suedezët! 
Librat prapësëprapë duhet te rekomandohen për lexim, edhe ndër shqiptarët ne vendet nordike. Pasuria e përmbajtjes dhe përshkrimi i ambienteve janë faktorë shumë të fortë në botimet e Sokol Demakut. Ai meriton përkrahje në punën e tij kulturore. Në këtë lëmi ai thith ajrin e pastër (He breathes the rare air), shprehje angleze për ata që merren me punë të rrallë të dobishme. Ju lumtë dora, Sokol Demaku!

 

Image
u