Gladiola Jorbus: Sfondi i familjes dhe pabarazia në arsim

Gladiola Jorbus

Sfondi i familjes dhe pabarazia në arsim

(Roli katalizator i shkollës)

 Arsimi luan një rol të rëndësishëm në jetën e njeriut. Integriteti i një shoqërie është rezultat i drejtpërdrejtë i një sistemi arsimor cilësor. Synimi kryesor është  arritja e zhvillimit etik, intelektual, fizik, social dhe estetik të nxënësit, në mënyrë që të jetë i aftë të mësojë gjatë të gjithë jetës, të mendojë në mënyrë të pavarur, kritike e krijuese, t’u përshtatet ndryshimeve, të ketë vetëbesim e shpirt bashkëpunimi dhe të jetë i gatshëm të ofrojë përpjekjet e tij për mirëqenien, përparimin, lirinë e demokracinë e vendit e më gjerë. Ky është njëkohësisht dhe misioni i sistemit arsimor.

Një nga psikologët më të dëgjuar bihejvioristë XH. Watson thotë: “Më jepni një dyzinë fëmijësh të shëndetshëm dhe unë ju garantoj se do t’ju jap edhe mjekë, edhe filozofë, por edhe punëtorë të thjeshtë, edhe tregtarë”. Kjo tregon më së miri rolin e madh që ka mësuesi në edukimin e një njeriu të devotshëm për një shoqëri në zhvillim.

Puna me grupe në shkollë është një fillesë e mbarë për operacionet e përbashkëta, për të nxitur të menduarit kritik dhe për të kultivuar nocionin e rëndësishëm të bashkëpunimit tek ata, ndaj shkolla duhet të jetë si një familje e madhe, ku të gjithë nxënësit të promovohen njëlloj.

 Rëndësia që ka përdorimi i kësaj metode mësimdhënieje, jo thjesht në të nxënit, por edhe në përvetësimin e aftësive sociale të qenësishme për krijimin e një personaliteti të shëndetshëm tek fëmijët është vënë re prej kohësh.

Është e pranuar gjerësisht se mundësitë edukative për fëmijët duhet të jenë të barabarta. Kjo tezë vjen nga dy vëzhgime në lidhje me arsimin dhe fëmijët: së pari, se arsimi ndikon në mënyrë të konsiderueshme shanset e jetës së një personi në aspektin e suksesit në tregun e punës dhe lulëzimin e përgjithshëm njerëzor; së dyti, se shanset e jetës së fëmijëve nuk duhet të përcaktohen nga disa rrethana arbitrare të lindjes së tyre, siç janë klasa e tyre shoqërore, raca dhe gjinia.

 Sfondi i familjes ka qenë prej kohësh i njohur si një burim i pabarazive të rëndësishme. Edhe para se të marrim parasysh se fëmijët kanë personalitete dhe nevoja mjaft të ndryshme, pabarazia në pasurinë familjare dhe dallimet në prioritetet familjare ndikojnë mbi perspektivat e fëmijës në tregun e punës, në pjesëmarrjen qytetare dhe në mirëqenien e përgjithshme.

Edhe pse numri i prindërve që zgjedhin të paguajnë shkollimin për të pasur fëmijët e tyre të arsimuar në shkollat ​​private mund të jetë relativisht më i vogël, blerja e shkollimit privat të elitës mund të sjellë avantazhe për disa studentë (dhe disavantazhe relative për të tjerët). 

Nxënësit në shkolla publike, gjithashtu mund të pësojnë disavantazhe nga mungesa e efekteve pozitive të konkurencës së nxënësve cilësorë në klasat e tyre.

Madhësia më e vogël e klasës, mësuesit më të kualifikuar dhe më shumë mundësi ndërkurrikulare mund t'u mundësojnë nxënësve të shkollave jopublike të përfitojnë nga avantazhet e përzgjedhjes së suksesit më të madh në procesin e pranimit ndër kolegje serioze dhe në tregun e vështirë të punës. Meqenëse mundësitë e punësimit dhe vendet e elitës  janë të lidhura ngushtë me përfitime të tjera në shëndetësi, pasuri dhe mirëqenie të përgjithshme, këto pabarazi mund të thellohen. Ndërkaq shkolla duhet të ketë vazhdimisht në fokus përgatitjen e fëmijëve dhe të rinjve për pjesëmarrje aktive në shoqërinë demokratike, duke fuqizuar kështu kulturën demokratike;t’i aftësojë ata në luftën kundër ksenofobisë, dhunës, racizmit, nacionalizmit agresiv dhe intolerancës. Gjithashtu duhet të përpiqet të sigurojë dhe të forcojë kohezionin shoqëror, drejtësinë sociale në të mirën e përgjithshme; të fuqizojë shoqërinë civile përmes pajisjes së qytetarëve e drejtuesve të ardhshëm  të saj me njohuri dhe shprehi demokratike e mbi të gjitha t’i edukojë me idenë se shteti forcohet me punë, ide fisnike dhe dashuri. 

Për të realizuar këto pikësynime, shkollës i duhet të sheshojë mosbarazimet, të ngulmojë në bashkëpunimet mes nxënësve, të rrisë në kontinuitet performancën e mësuesve. Pesha që mbart mbi supe është tejet e rëndë, por ajo ka ditur ta mbajë me dinjitet, ndër shekuj, gjatë rrugëtimit të saj paralel me proceset evolutive të shoqërisë njerëzore.