Kadri Tarelli:VEPRIMTARI NË VLORË

VEPRIMTARI NË VLORË

Vilhelme Vranari Haxhiraj, fisnikja e Kaninës, Anëtare e re e Akademisë së Shkencave dhe e Arteve Shqiptaro-Amerikane, me seli në Neë York.
Në mesin e dhjetorit 2018, në qytetin e Vlorës u organizua ceremoni festive, me rastin e dorëzimit, nga akademiku Eshref Ymeri, të çertifikatës për zonjën Vilhelme Vranari Haxhiraj, si anëtare e re e Akademisë së Shkencave dhe e Arteve Shqiptaro-Amerikane, me seli në New York.

Në këtë ngjarje të veçantë për qytetin bregdetar, merrnin pjesë intelektualë të njohur, qytetarë të thjeshtë, artistë, arsimtarë, shkrimtarë, poetë, gazetarë, sportistë, mjekë, krijues dhe drejtues institucionesh letrare-artistike, miq dhe dashamirë të familjes Haxhiraj, mes tyre edhe një grup krijuesish, nga Klubi i Shkrimtarëve dhe Artistëve të Durrësit. 
I gjithë takimi, apo kuvendi, siç e quaj unë, u shndërrua në një spektakël të vërtetë, të drejtuar me mjeshtëri artistike nga Fitim Haxhiraj, bashkëshorti i zonjës së nderuar Vilhelme. Në foltore e morën fjalën z. Eshref Ymeri, i ardhur posaçërisht nga ShBA për këtë veprimtari me vlera njerëzore, akademike dhe atdhetare. Ai përshëndeti në emër të Akademisë së shkencave dhe të arteve Shqiptaro-Amerikane, me seli në New York, që më: 30, Tetor, 2018, e pranoi unanimisht znj, Vilhelme Vrana Haxhiraj, anëtare me të drejta të plota si akademike, me motivacionin: “Si autore me shumë kontribute, me krijimtari letrare të bollshme në disa gjini, në studime dhe publicistikë, si brenda dhe jashtë atdheut. Ajo është një vlerë e pamohueshme që nderon kombin”. Wshtw një vendim dhe shpërblim i mirëpritur, për këtë zonjë të nderuar, në krijimtari dhe studim filozofik, e cila me ndjenja të thekura atdhetarie, ka vënë një gur të rendë në fushën e letrave shqipe. 
Më tej vazhduan fjalën: Albert Habazaj, kryetar i Shoqatës së shkrimtarëve “Petro Marko” të Vlorës, Ahmet Demaj, kryetar i shoqatës “Labëria”, Vlorë, mësuesja Lejla Gorishti, e njohur si redaktore dhe studiuese e krijimtarisë së Vilhelmes, Gentian Banaj nga Fieri, mësues letërsie dhe gazetar i TV. “Apollonia”, mësuesja Vjollca Tytyni, bijë nga Gjakova, martuar në Vlorë, etj. Gjallëri dhe kënaqësi na dhanë, interpretimi i poezive të recituara nga Gentian Banaj dhe poetët durrsak, Agim Bajrami dhe Merita Kuçi (Thartori). Në fund u lexua përshëndetja drejtuar enkas për znj. Vilhelme, nga shkrimtarit dhe analistit Skënder Kapiti, i cili nuk mundi të marrë pjesë në këtë takim.
Unë pata nderin të përshëndes të pranishmit dhe të them pak fjalë urimi, për këtë vlerësim kaq të lartë e të bukur, që i bëhet një zonje vlonjate, poete, shkrimtare dhe studiuese. Vlerësim që na nderon të gjithë ne shqiptarët, kudo që jemi.

Në foto: Lejla Gorishti, Albert Habazaj, Eshref Ymeri, Vilhelme Vrana Haxhiraj, Kadri Tarelli

Jam i nderuar të flas në këtë kuvend në Vlorën e Flamurit.
Jam i tejet i vlerësuar të flas para akademikëve dhe mendimtarëve të njohur, për vlerësimin që i bëhet “Princeshës së letrave”, znj. Vilhelme Vrana Haxhiraj.
Shenjtorja jonë Nënë Tereza, diku na porosit: “Unë vetëm, nuk mund të ndryshoj botën, por mund të hedh një gur në ujë, për të krijuar shumë valëzime”. Unë dua të shtoj, se Vivra (pseudonimi), hodhi shumë gurë në detin e letërsisë, mendimit dhe filozofisë, duke krijuar dallgë të fuqishme, aq sa të nderohet dhe vlerësohet me 24 çmime si në Shqipëri, ashtu edhe në shumë vende të botës, që nga Suedia e ftohtë deri në botën mesdhetare, e më përtej oqeanit. Më së fundi pranohet anëtare e Akademisë së Shkencave dhe e Arteve Shqiptaro-Amerikane, duke marrë urimin e parë nga senatori i kongresit Amerikan Joseph DioGuardi. Është një vlerësim që, secili nga ne do ta ëndërronte dhe lakmonte, duke e merituar me punë e dije, gjithmonë në shërbim të kombit. 
Në vargun e vlerësimeve duhet thënë se, ajo i meriton të gjitha, pasi: 
- Është e vetmja autore shqiptare, që futet në 24 antologji, si shqiptare, arbëreshe, italiane, (2010-2012), mes 100 autorëve fitues nga e gjithë bota, më tej në Mal të Zi, Kosovë, Rumani, Angli, Suedi, Greqi, etj. 
- Është e para autore femër, brenda trojeve shqiptare, që u përkthye në gjuhën rumune. 
- Vivra me studimin e saj, “Rugëtimi filozofik i Prof. Dr. Isuf Luzaj”, e solli filozofin tonë, kaninjotin me dy doktoratura të mbrojtura në Sorbonë, profesor në Universitetin e Bunosajres-it në Argjentinë, dekoruar nga dy presidentë të SHBA, Regan dhe Klinton. Studiuesja Vrana bëri që, filozofi ynë të hyjë në Shqipëri nga “dera ballore”, dikur të mbyllur nga diktatura. Po tutem të bëj vlerësimin e këtyre fjalëve, që kanë brenda krenari dhe shumë dhimbje, trishtim me shumë të panjohura, që dalin vrullshëm nga një shpirt i lënduar, i munduar dhe i trazuar dhunshëm.
- Talenti i saj, e shndërroi në letërsi, vuajtjen e një kombi nën regjimin komunist, duke tronditur nga themelet piramidën letrare dhe psikologjinë që e prodhoi dhe e mbrojti atë. Proza e saj ka përmasat e një drame globale. Përmes saj, ajo ka ribërë shpirtin e humbur të njeriut dhe të kombit. Ngacmimi, më mirë cimbisja që dhëmb në shpirt, më çon drejt pyetjeve, që dalin nga gryka e thesit me të panjohura, të habisë, të ulërimës, të pabesisë, paburrërisë dhe mërzisë, ndaj dikur shkrova: 
“Vivra je vullkan! Pse shpërtheve vonë? 
-Duarlidhur, gjuhë prerë, 50-vjet sëra jonë”. 
- Ajo, duke i dhuruar letërsisë shqipe afro 50-vepra, brenda 23 viteve punë, mjaft publicistikë problemore dhe ideore, në shumë media të vendit dhe të huaja, bija e Kaninës së lashtë, renditet nga kritika profesionale dhe nga lexuesi, mes emrave më të shquar të letërsisë shqipe. 
Ne krijuesit në përgjithësi përsërisim shprehjen, se pak rëndësi ka sasia, por më shumë cilësia e veprave. Unë pyes veten dhe ata që e njohin krijimtarinë e “Princeshës” sonë të letrave: cila nga veprat e saj, nuk ka brenda letërsi të bukur dhe art fjale, mendim të thellë, vuajtje dhe brengë, dashuri dhe urrejtje, nderim dhe përçmim, fund e krye psikologji, shkencë dhe filozofi bashkë? Janë veprat dhe vlera e tyre, që Vivra jonë të nderohet me çmimet dhe nderimet më të larta, siç edhe i ka merituar. Të gjitha këto janë gurë të gdhendur në themelet e piedestalit, për të vendosur mbi të përmendoren e saj, si përfaqësuese e emrave më të shquar të letërsisë shqipe. 
Kjo veprimtari, më kujton porosinë e Ciceronit, që na vjen nga lashtësia: “O popuj nderoni njerëzit e mëdhenj, se përmes tyre do t’u njohë bota”, fjalë që më ngacmojnë të thur disa vargje, të cilat burojnë vetiu: 
Vivra! Fisnike zonjë, po zbret nga Kanina,
Ku fryn fllad i detit, shtrëngata, suferina.
Pena jote shpatë, gjëmim e vetëtima,
Në ballë kuvendi, mes burrash të mençur e trima.
Princeshë nga sëra, mbretëreshë në letra, 
Dru i fortë mbive, nga rrënjët e vjetra.
Nuk të theu vuajtja, as dhuna e tiranit,
Shpirti yt i lirë, i dha zjarr vullkanit.

 

Image
k