Nga Gladiola Jorbus: Shkruaj saktë shqip

Nga Gladiola Jorbus

                                                   Shkruaj saktë shqip

Gjuha e bukur shqipe nuk po respektohet e lëvrohet në drejtshkrim, drejtshqiptim, leksik etj., ashtu siç e meriton dhe ashtu siç i shkon për shtat. Është e tejmbushur me vandalizma. Po, po pikërisht kështu; vandalizma.

Sepse të shkatërrosh gjuhën ka të njëjtën peshë, me barbarinë e treguar ndaj momunenteve të artit dhe të kulturës.

Marrveshje, piktakim, zëvendsim në shqipen standarde, (kujdes standarde dhe jo standarte) duhen shkruar marrëveshje, pikëtakim, zëvendësim pasi ë-ja është e ngulitur fort në trup të fjalës, edhe pse gjatë shqiptimit rrëgjohet. (Nëse dikush do ta vërtetojë këtë, le t’i referohet një miku të besuar siç është “Fjalori i shqipes së sotme”). Janë të panumërta rastet kur rregullat e drejtshkrimit shqip shkelen me të dyja këmbët.

Mangësitë në shqipen e shkruar, prej kohësh i hasim kudo: në titra televizive, në libra, në gazeta, në revista, në fjalime politikanësh, në dokumente zyrtare, në shkresa të protokolluara, në tabela të zeza, në tekste shkollore apo ato universitare. Mund të vazhdoja dhe më tej.

Besoj se ka ardhur koha që t’i rikthehemi seriozisht rregullave të drejtshkrimit, të pikësimit dhe të gramatikës së shqipes. Madje mediat, institucionet dhe zyrtarët e lartë që s’i respektojnë ato, le të gjobiten për dëmin kakofonik që u sjellin shqiptarëve.

Duke mos respektuar parimet e drejtshkrimit të shqipes, ne mohojmë vlerat kombëtare, hedhim poshtë themelet e ekzistencës së gjuhës sonë, duke treguar kështu mungesë kulture, intelekti e qytetërimi. E si mund të pretendojmë nga nxënësit e studentët tanë të zhvillojnë të menduarin kritik dhe të përvetësojnë shkrimin akademik, nëse ata nuk njohin rregullat e drejtshkrimit?!

Një këshillë miqësore: “Mos e ndani nga dora fjalorin shqip-shqip !”. Në ditë të tilla është po aq i rëndësishëm sa librat e shenjtë.

Image
g