Nga Petrit Malushi: Simbolikat e emrave të njerëzve në gjuhën shqipe

Nga   Petrit  Malushi

Simbolikat e emrave të njerëzve në gjuhën shqipe

               Në gjuhën shqipe, ashtu si në të gjitha gjuhët e tjera, funksioni kryesor i fjalës në aspektin morfologjik, nga ana kuptimore, pra e përmbajtjes si njësi e mëvetësishme, është shenjimi i një diçkaje. Ajo mund të shenjojë një frymor apo jo frymor, një person, objekt, send, dukuri, fenomen, veprim etj. Nëse brenda këtij konteksti kalojmë te klasat e fjalëve, të ndryshueshme e të pandryshueshme: emrat, mbiemrat, përemrat, numërorët, foljet, ndajfoljet, lidhëzat, parafjalët, pjesëzat dhe pasthirrmat, atëhere këto funksione dalin më të qarta. Madje më të specifikuara dalin brenda çdo klase fjalësh. Nga ana sintaksore, funksioni i fjalës është në varësi të ndërtimit të fjalisë, bashkimit të fjalëve sipas rregullave gjuhësore të drejtshkrimit dhe drejtshqiptimit për të kumtuar diçka gjatë ligjërimit, pra të rolit që mbart çdo fjalë brenda fjalisë, qoftë kjo e  thjeshtë apo e përbërë.                                

                                  Emrat e njerëzve, preferencat prindërore...

                Prej fjalëve të tjera emrat dallohen se emërtojnë frymorë dhe jo frymorë, dukuri, fenomene, etj. Mbiemrat janë shoqërues të emrave dhe sipas rasteve tregojnë tipare dhe cilësi të tyre. Te emrat e njerëzve mbiemrat tregojnë përkatësi familjare dhe fisnore. Në tërësinë e emrave, dhe të atyre që emërtojnë frymorë në veçanti, një vend të konsiderueshëm zënë emrat e njerëzve. Në jetën e përditëshme emri i çdo personi duket individual dhe thjesht për t´u dalluar nga të tjerët. Por, veç kësaj duke iu referuar çastit fillestar, kur i linduri pa emër pagëzohet me një emër, del se ai nga ana kuptimore mbart një simbolikë të caktuar. Kjo simbolikë e shoqëron emërmbajtësin gjatë gjithë jetës së tij, madje edhe pas vdekjes, te guri i varrit.  Zbulimi i saj bëhet vetëm po të njihen situatat e vendosjes së tij. Ajo lidhet ngushtë me dëshirat, psikologjitë, mentalitetet, botët e brendshme të prindërve, të afërmve, kujdestarëve apo edhe të tjerëve që u ngarkohet detyra e vendosjes së emrit të porsalindurve. Jo pak herë ndodh të pyetemi për personin që na ka përzgjedhur emrin që mbajmë dhe çfarë kuptimi ka ky emër. Një ndër zakonet e të parëve tanë, që e trashëgojmë edhe sot, është ai i impenjimit të gjithë pjesëtarëve të një familjeje për të gjetur emrin e atij që pritet të vijë në jetë, sapo merret vesh shtatzania e një prej femrave të familjes. Dikur rrethi zgjerohej edhe me kumbarë apo nun, gjë që sot ndoshta nuk është më aq masive. Në këtë rast familja dhe personi, që përzgjidheshin si të tillë, ishin të nderuar dhe të respektuar baraz me miqtë e tjerë, dhe lidhja e krijuar ruhej gjithë jetën. Kështu vendosja e emrit lihej plotësisht në dorë të kumbarit apo nunit. Në ditët tona pagëzimi i fëmijëve bëhet që në barkun e nënës, pasi falë shkencës mjekësore gjinia e tyre mësohet ende pa dalë në jetë. Simbolikat e emrave janë tregues të preferencave dhe shijeve mbizotëruese të të rriturve, si adhurues të një perëndie, një mbreti, udhëheqësi, një luleje, peme, shpendi, trupi qiellor, një këngëtari, sportisti, aktori, shkrimtari, personazhi etj, që fëmija i sapoardhur, në jetë të bëhet si ata, apo afërsisht si ata, pra t´u ngjasojë atyre në tipare, karakter etj. Natyrisht nëse janë të saktë në përzgjedhjen e emrit apo  do të zhgënjehen më pas, kjo nuk u bie aspak në mend, në ato çaste kur janë duke thurur ëndrrën e tyre për pasardhësin a pasardhësen. Ky fenomen vazhdon të ruhet pa lëkundje, jo vetëm te familjet që jetojnë në Shqipëri e Kosovë, por edhe tek ato që ndodhen jashtë tyre, në shtete e kontinente të tjera, kudo ku gjallon gjaku shqiptar. Ndërkohë preferencat janë nga më të ndryshmet. Vërehen simbolika ringjalljeje emrash familjarësh, simbolika fetare, kombëtare, emra vendesh, pemësh, lulesh, kafshësh, zogjsh, ndenjash, emocionale etj. Emra për çdo simbolikë, mund të renditësh pa fund në grupe e nëngrupe, si do të veprojmë në shtjellimin e mëposhtëm, thjesht për arsye studimi, ku qëllimi është evidentimi i dukurive që egzistojnë realisht dhe jo inventarizimi i emrave të njerëzve në gjuhën shqipe.   

                                     Emra të ringjallur

               Familjarët në shenjë respekti dhe për të rikujtuar të ikurit nga jeta, emrat e të afërmve ua rivendosin të porsaardhurve në jetë. Kështu me emrat e një gjyshi a të një gjysheje, të një nëne a babai, vëllai a motre, të një xhaxhai a dajo, halle a tezeje që nuk jetojnë më, pagëzohen bijtë dhe bijat apo nipërit e mbesat e tyre.         .        Emrat e ringjallur si për meshkujt edhe për femrat formojnë grupin më të madh dhe janë të pakta familjet që nuk e manifestojnë këtë fenomen. Ata trashëgohen edhe pse mund t´u bëhen ndryshime në ndonjë tingull apo ndonjë rrokje, për t´i moderuar. Sipas rasteve vendosen të pandryshuar, ose  përshtaten për kohën duke i pasuruar me parashtesa apo prapashtesa.

               Si emra të ringjallur pa ndryshime, ndër të shumtit janë edhe : Aleks, Ahmet, Aleksandra, Antoneta, Banush, Bedri, Bektash, Gjergj, Gjelosh, Gjin, Gjon, Hekuran, Irakli, Janaq, Jorgji, Kastriot, Konstandin, Konstandina, Mark, Nafie, Ndue, Ndoc, Nik, Petraq, Preng, Selim, Sofie, Selman, Vasillaq,Vasilika, Zenel,…                     

Nga kjo kategori me ndryshime ndeshim të tillë si : Jorgji – Jorald, Kareman-Kremantin, Miti-Mition, Refije-Refjona, Toli-Tolin, Sanie-Saniel, Sofie-Sofjona, Shefiko-Shefiona,…

                                  Emra hyjnish, perëndish dhe heronjsh mitologjikë

                Emrat e hyjnive, të perëndive dhe heronjve mitologjikë të mbartura nga njerëzit përbëjnë një grupim tjetër. Hershmëria e tyre lidhet me kohën kur ka filluar  besimi tek fuqitë dhe aftësitë e mbinatyrshme. Ndoshta me këtë veprim njerëzit kanë dashur t´i bënin perënditë sa më njerëzore dhe emërmbajtësit të visheshin me aftësitë dhe vetitë e tyre mrekullibërëse. Kështu, njëlloj si vetë perënditë, ata mund t´i ndihmonin në rast nevoje.  Disa prej këtyre emrave, perëndish e heronjsh janë: Athina, Afërdita, Agamemnon, Apollon,  Ajaks, Ajkuna, Andromaka, Antigona, Akil, Dionis, Demetra, David, Efigjeni, Enea, Gjeto, Halil, Hermes, Hektor, Helena, Menela, Muji, Moisi, Odise, Olimpia, Parid, Penelope,Uliks, Zana, Zefir,...

                                         Emra fetarë

                Një grup më vete formohet nga emrat me simbolikë besimesh fetare. Këtu kemi emra festash dhe emra shenjtorësh për të gjitha besimet. Emrat e perëndive dhe ata me simbolikë besimesh fetarë janë të vetmit që, ndër shekuj dhe breza janë transmetuar dhe vazhdojnë të transmetohen pa pësuar ndryshime. Kuptimplotë si të tillë janë emrat : Bajram, Kadri, Mevlud, Novruz, Pashk, Pashka, Pashkë, Ramazan,...

               Si emra shenjtorësh ndeshim : Abas, Ali, Aleks, Hazret, Islam, Imam, Isa, Jakov, Jani, Jorgji, Jovan, Kristian, Kostandin, Kozma, Llazar, Marie, Muhamet, Parashqevi, Sofie, Thanas,  Vangjel, Vasil, Vasilika,...  

Preferenca ka patur edhe për emrat e shërbëtorëve hirarkikë të fesë :Dervish, Haxhi,…  

Shumë nga këta emra janë tregues se, personat mbajtës të tyre kanë lindur pikërisht në ditët simbol të festave fetare dhe shenjtorëve. 

                               Emra perandorësh, mbretërish, sulltanësh

                 Duke ruajtur linjën e simbolikës së emrave, që e theksojmë sërish se është e lidhur me botën shpirtërore të atyre që i vendosin, ç´ka është objekt i këtij shkrimi dhe jo listimi i tyre, një grupim tjetër formohet me emrat e perandorëve, mbretërve dhe sulltanëve. Të tillë janë : Abdyl, Agron, Aleksandër, Albert, Artur, Bardhyl, Çezar, Elisabeta, Enrik, Faruk, Filip, Genti, Luigj, Murat, Mustafa, Mehmet, Napoleon, Neron, Piro, Rikard, Sulejman,Teuta,...   

              Grupimet e emrave zgjerohen edhe me ata të trupave qiellorë : Afërdita, Diell, Diella, Hënë, Mars, Marsiona, Venera,…

                                      Emra lulesh dhe pemësh

             Të preferuar për t´u vendosur në të dy gjinitë, përherë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë edhe emrat e luleve dhe të pemëve. Kjo të bën të mendosh për plotësimin e dëshirave që lidhen më fort me bukuritë fizike, pasi vetë lulet janë simboli i bukurisë, i freskisë dhe aromës. Ja disa prej tyre : Bajame, Burbuqe, Dafina, Hurma, Karafil-e, Kulumbri, Limone, Lule, Manushaqe, Marina, Menekshe, Mimoza, Nerënxë, Selvi, Tërfile, Trëndafil-e, Vjollca, Xinxife, Zambak, Zerdeli, Zymbyl-e,...

            Por nuk mungojnë edhe emrat e stinëve të tillë si Behar, Behare, Pranvera, Vera, Verore,  që tërhiqen nga ana shpirtërore.

                                      Emra fatsjellës, emocionalë

            Psikologjia dhe mentaliteti i njerëzve kanë krijuar edhe emra fatsjellës : Agim, Agime, Afrim, Afrime, Azgan, Bardha, Bardhosh, Bashkim, Bashkime, Begator, Besart, Besmir, Besfort, Bekim, Bekime, Bukurosh, Bukurie, Bukuroshe, Çelik, Ditmir, Ditbardh, Drita, Dritan, Diamand, Era, Ëngjëll, Ëngjëllush, Ëngjëllushe, Fatbardh, Fatbardha, Fatlind, Fatmir, Fatmira, Fatmiroshe, Fation, Fationa, Fitim, Fitime, Fitore, Fillesa, Flutura, Fluturak, Flori, Florian, Florika, Floresha, Florimond, Fundim, Gazmir, Gazmend, Gëzim, Gëzime, Heroina, Hajri, Hajrie, Hyrije, Indrit, Jehona, Jetmir, Jeton, Kreshnik, Kristian, Kristiana, Lavdie, Lavdërim, Lartim, Lulëzim, Lulëzime, Lindita, Lek, Mbarime, Merita, Meriton, Mjaftime, Mjaftore, Nderim, Ndërtim, Ndriçim, Pajtim, Pajtime, Përparim, Premto, Premtim, Premtime, Pushime, Rezart, Rezarta, Rezana, Rubin, Sose, Sherbet, Sheqere, Shkëlqim, Trim, Vetëtim, Vitore, Vitori, Xhevair, Xhevaire, Zengjine... Duket se kështu emri i vendosur do t´u paraprinte gjatë  ecjes në jetë.

                Emrat e zogjve, shpendëve dhe kafshëve  

Emrat si: Astrit, Drago, Dragush, Dreni, Drenush, Drenusha, Fëllëza, Kanerina, Luan, Luanesha, Petrit, Pëllumb, Pëllumbesha, Sorkadhe, Skifter, Shqipe, Shqiponja,...të rriturit me sa duket i kanë konsideruar si ogur i mirë që edhe fëmijët të manifestojnë në karakter shkathtësinë, forcën, bukurinë e emrit të pagëzuar.    

                Grupi i emrave ku mund të futen Adhurim, Adhurime, Besa, Besnik, Besim, Bujar, Dashnor, Dashamir, Dashuri, Durim, Durime, Dhurata, Festim, Festime, Kujtim, Kujtime, Vendim, Vullnet, Shpresa,...  janë të lidhur më tepër me botën e brendshme dhe anën emocionale.

                            Emra simbolesh kombëtarë

                   Emrat që lidhen së tepërmi me ndjenjat kombëtare janë ata të simboleve, vendeve dhe lumenjve si : Adriatik, Adriatike, Alban, Albana, Albion, Albiona, Arbër, Arbëror, Arbërora, Arbërore, Asamble, Atdhe, Berat, Bjeshka, Çajup, Dajt, Dardan, Drini, Fatos, Flamur, Flamure, Golik, Gjergj, Ilir, Ilirjan, Jon, Korab, Kongres, Liri, Ogren, Partizan, Patriot, Proletar, Republika, Rozafa, Sazan, Tarabosh, Tomorr, Thesar, Valbona, Visar, Vlora, Shkumbin, Shkëlzen,...

                  Emra filozofësh, shkencëtarësh, shkrimtarësh, personazesh...

                   Larmia e grupimeve të emrave zgjerohet edhe me emra që kanë lënë mbresa e gjurmë tek të pasionuarit në fusha të ndryshme. Ka plot raste me emra filozofësh e shkencëtarësh : Albert, Arkimend, Aristotel, Edison, Pjer,... emra shkrimtarësh dhe personazhe librash : Adelajda, Aida, Ernest, Esmeralda, Eva, Ibsen, Izabela, Klajdi, Maksim, Sofokli, Spartak, Tatjana, Valter, Viktor,... emra këngëtarësh Albano, Denis, Elvis, Majkëll,...emra aktorësh dhe personazhe filmash: Edmond, Greta, Izaura, Romeo, Zhulieta,...emra sportistësh: Bebeto, Gerd, Rivaldo, Ronaldo,...

                     Emra ish-udhëheqësish

                    Një grup më vete përbëjnë emrat që lidhen me hirerakinë ushtarake të perandorisë osmane : Asqeri, Caush, Myftar, Zabit,...  emart blektoralë Bari, Çoban dhe emrat e ish-udhëheqësve : Dimitrov, Fidel, Josif, Lenin, Stalin, Vladimir,...Por këta emra tashmë thuajse kanë dalë nga preferencat.

                         Emra me bashkime (kompozita) tingujsh e rrokjesh

                    Krejtësisht të veçantë për nga mënyra e krijimit, janë emrat e formuar nga bashkime (kompozita) tingujsh e rrokjesh. Motivet udhëheqëse në këto raste janë përjetësimet e emrave të personave nga brezi në ikje, në emrat e brezave në ardhje. Prej dy e tri apo edhe katër emrash të familjes, zakonisht të prindërve e gjyshërve, shkëputen rrokjet nistore apo fundore ose të dyja, dhe bashkohen e kombinohen duke dhënë emrin e ri. E njëjta gjë mund të bëhet edhe me tingujt, kjo varet nga dëshirat dhe fantazitë e „kompozitorëve“. Ndër më të dëgjuarit nga ky tip tek ne, me të cilët janë mësuar thuajse të gjithë shqiptarët janë pseudonimet, por që kanë kryer plotësisht rolin e emrit, Migjeni (Millosh Gjergj Nikolla), Asdren (Aleksandër Stavre Drenova), apo edhe këta emra që i kemi ndeshur në Tiranë : Agna (Agron dhe Natasha), Isli (Ismail  dhe Liri), Shyze ( Shyqyri dhe Zenepe), Sajma (Skënder, Artan, Junida, Mirvjen), Melsi (Marks,Engels, Lenin, Stalin).  Natyrisht ka edhe shumë raste të tjera. Ndërkohë që nuk mungojnë edhe llojet me përmbysje të rendit të tingujve, si për shembull Inva-Avni etj. Këto dukuri evidentohen që nga e shkuara, por vazhdojnë edhe sot. Emri në raste të tilla është plotësisht produkt i rrokjeve dhe tingujve të pranëvendosur dhe bën përjashtim nga çdo lloj liste emërore.

                           Emrat sipas fjalëformimit                                                                               

                    Po t´i analizojmë emrat e njerëzve nga mënyra e fjalëformimit, ashtu sikurse veprohet për të gjitha fjalët në gjuhën shqipe, vërejmë se mbizotërues janë emrat e parmë. Ata janë të shumllojshëm dhe numri i tyre është i pambarimtë. Kjo vërehet lehtësisht po të shikosh çfarëdo lloj liste emërore, qoftë edhe një fare të thjeshtë, një regjistër gjendje-civile, regjistër shkolle, një listë banorësh, një listë pronarësh, një listë votuesish, një listë studentësh etj. Në faqet e tyre gjen si emra të parmë edhe të prejardhur apo të përbërë. Për vite të tëra kam punuar në arsim, mbi tridhjetë, dhe në regjistra kam shkruar dhe lexuar lloj-lloj emra nxënësish e prindërish. Me sa kam vërejtur më të shumtë kanë qenë emrat e parmë, ndër të cilët po sjell vetëm disa :  Alketa, Aldo, Arjan, Artan, Drita, Drane, Eriselda, Gjek, Gjin, Gjon, Gjok, Jani, Klejdi, Laura, Laureta, Leonard, Luis, Llesh, Nikollë, Niko, Olsi, Orgesa, Preng, Sali, Sami, Shpresa, Xhevdet, Zenepe, Zihni, etj, etj.  Në numër të pakët hasen emrat e prejardhur, që shpesh janë formuar me prapashtesim : Ana- Anushe, Bejo-Bejushe, Bejko-Bejkush, Braho-Brahush, Demo-Demush, Dane-Danush, Ëngjëll-Ëngjëllush-Ëngjëllushe, Fato-Fatushe, Hanko-Hankushe, Kadri-Kadrush, Lule-Lulushe, Rrapo-Rrapushe, Salo-Salushe,.... Rastet nuk mungojnë edhe me emra të përbërë, prej të cilëve po përmendim : Besfort (Besë e fortë), Besmir, Besart, Ermal, Fatmir (Fat i mirë), Fatbardh (Fat i bardhë), Mirvjen (Vjen e mira), Rezart, Rezarta...                                                                                                                            .                       Përsa u përket gjinive, emrat e personave mund të analizohen dhe të grupohen sipas dy gjinive biologjike, mashkullore e femërore, apo gjinive gramatikore, që kanë të njëjtat emërtime si ato biologjike. Në gjininë gramatikore asnjanëse, emrat e së cilës formohen prej mbiemrave, nuk ndeshen emra personash. Vërehet se jo tek të gjithë emrat e të dy gjinive biologjike ka përputhje me gjinitë gramatikore. Gjuhësisht tek emrat, nga ana gramatikore tregues të gjinisë mashkullore janë mbaresat –i dhe –u ndërsa tregues të gjinisë femërore janë mbaresat –a dhe –ja. Por ka edhe emra mashkullorë që marin mbaresën –a të gjinisë femërore : Ago-Agua, Bejo-Bejua, Dako-Dakua, Dane-Dania, Dule-Dulia, Dhimo-Dhimua, Gogo-Gogua, Koço-Koçua, Kiço-Kiçua, Liko-Likua, Lek-Leka, Llane- Llania, Maqo-Maqua, Myrto- Myrtua, Nano-Nanua, Niko-Nikua, Nik-Nika, Pilo-Pilua, Preng-Prenga, Sofo-Sofua, Zalo-Zalua, Zoto-Zotua, Zylo-Zylua, Xhelo-Xhelua, etj. Raste ka edhe kur emra femërorë biologjikë marrin mbaresën –i të gjinisë mashkullore gramatikore si  : Ami, Ani, Bali, Besi, Eleni, Emi, Keti, Leni, Lori, Luçi,  Meri, Moni, Myzi, Semi, Soni, Xheni, Xhuli,...                                                                              .            Emrat femërorë të parmë dalin direkt në trajtën e shquar, apo edhe në të pashquarën : Ana, Anife, Besie, Blerta, Donika, Ela, Ema, Kaltra, Lavdie, Saveta, Sanie, Sofika, Sonja, Vilma, Violeta,...  Ndërkohë një numër i caktuar emrash femërorë formohen prej emrash mashkullorë që marrin mbaresat –e, -a, apo prapashtesat -ore,-ona,-oshe... Adrian-Adriana, Agim-Agime, Alban-Albana, Albion-Albiona, Bashkim-Bashkime, Besnik-Besnike, Bedri-Bedrie, Bleon-Bleona, Bujar-Bujare, Bukurosh-Bukuroshe, Dorian-Doriana, Fation-Fationa, Fatmir-Fatmira-Fatmiroshe, Fitim-Fitime-Fitore, Gëzim-Gëzime, Kristi-Kristian-Kristiana, Kujtim-Kujtime, Lulëzim-Lulëzime, Marsi-Marsiona, Mjaftim-Mjaftore-Mjaftoshe, Myrvet-Myrvete, Nuri-Nurie, Nustret-Nustrete, Olsi-Olsiona, Paqësor- Paqësore, Qamil-Qamile, Robert-Roberta, Ruzhdi-Ruzhdie, Sabri-Sabrie, Vildan-Vildane, Xhemil-Xhemile,......  

                           Emrat shqiptarë dhe emrat e huaj

                Po të tentohet, që emrat e njerëzve për një arsye apo për një tjetër, të  grupohen në emra shqiptarë dhe emra të huaj, është e vështirë e ndoshta e pamundur të gjendet një vijë ndarëse, ku të gjithë emrat të formojnë dy grupe, përjashtues për njëri-tjetrin. Me aq sa kemi lexuar dhe kemi dëgjuar, në vendin tonë klima përherë ka qenë e favorshme për të vendosur edhe emra shqiptarë edhe emra të huaj, pa asnjë lloj paragjykimi, pa harruar përpjekjet që u bënë për frenim në vitet e sistemit monist. Arsyet janë të shumta. Shtresimet kohore të përballin me faktorë kombëtarë, politikë, shoqërorë, socialë etj, etj. Riti i vendosjes së një emri çdo personi të  sapolindur nuk ka ndryshuar, edhe pse është i hershëm sa lindja e njerëzimit. Shumë më vonë, kur u krijuan kufijtë shtetërorë, brenda tyre kanë bashkëjetuar njerëz me kombësi dhe besime fetare të ndryshme, gjë që vazhdon normalisht edhe sot në kohët moderne. Ndryshimet dhe ndarjet shtetërore e politike nuk kanë qenë pengesë për të vendosur çfarëdo lloj emri të pëlqyer. Për shembull, ekzistenca e perëndive besohet nga të gjithë, pa dallime kombësie e besimi. Kështu emrat e tyre, pra të perëndive, nëse dëshiron i vendos kushdo, pa u paragjykuar as nga kombi, as nga besimi, as nga shteti. Argumentet këtu janë të pambarimta. Apo tjetër në këtë plan, mjafton të përmendim pranëndodhjen tonë me vendet fqinje. Marrëdhëniet jo vetëm me to, por dhe me shumë shtete të tjera në fusha të ndryshme si :  politike, ekonomike, tregëtare, arsimore, mjekësore, kulturore, etj,  mbartin ndikime që janë prezente në larminë e përzgjedhjes së emrave nga familjarët për fëmijët e tyre. Lëvizjet e lira të njerëzve, në kohë të ndryshme dhe për arsye nga më të ndryshmet, shoqërohen edhe me përpjekjet e tyre për t´u ingranuar sa më shpejt dhe sa më plotë me ritmin e jetës së vendit ku vendosen familjarisht. Ashtu sikurse komunikimi me gjuhën e atij vendi, përditshmëria e jetesës, marrëdhëniet në punë, me komunitetin ku banohet, jetën sociale, jetën shoqërore etj, edhe përzgjedhja e emrave për fëmijët e lindur në ato vende nga prindërit duhet parë realisht, si element i ingranimit në jetesën e re.  Fakt tjetër përbën krijimi i familjeve nga lidhje martesore të dyanshme, si në kohët e hershme edhe në të tashmen. Kështu edhe kjo ka sjellë dhe do të sjellë vendosje emrash sipas preferencave prindërore dhe familjare. Veç këtyre, pra të vendosjes së emrave të huaj me dëshirë, për vendin tonë duhen marrë në konsideratë pushtimet shekullore nga të huajt. Ata ashtu si kanë ndikuar në futjen e fjalëve të huaja në komunikim, kanë lënë gjurmë edhe në prurje me emra të huaj personash. Shumë e shumë prej tyre tashmë kanë zënë vend në fondin e emrave shqiptarë. Natyrisht ka edhe shumë të tjerë që kanë kaluar në fjalorin pasiv. Kohët dhe brezat kanë rregullat e tyre të pashkruara edhe për preferencat e emrave. Për shembull do të ishte paradoks të mendohet pse në kohët që jetojmë vendosen rrallë apo nuk vendosen më emra të tillë : Abedin, Alem, Allaman, Baxhul, Çelo, Çuman, Fran, Frrok, Gjok, Gjyle, Gjyste, Hajdar, Hasan, Hekuran, Hysen, Koço, Kiço, Kushulla, Maliq, Mazllum, Maxhum, Merjeme, Miço, Muço, Ndue, Ndoc, Qatip, Reis, Rrapush, Rrok, Sefer, Servet, Shaqir, Taqo, Uk, Veli, Velide, Veis, Zabit, Zenepe, Zeqir, Zyra,...dhe pse janë të preferueshëm emrat e rinj : Albi, Ani, Anxhela, Bledi, Dario, Diona, Dori, Dorian, Elia, Elisa, Enestjo, Ersi, Flori, Johan, Johana, Jon, Kaltra, Klajdi, Klea, Klejdi, Klodi, Kristi, Luis, Mario, Nikolas, Paolo, Paola, Rea, Reni, Roxhers, Tea,Tomas, Sabiel, Sara, Sindi, Stivi, Xhek, Xhekson, Xhimi, Xhoni, Xhulio,...       

                  Edhe në periudhat pa pushtues e krejtësisht të lirë, për vendosjen e emrave janë vërejtur të dy dukuritë, si për emra shqiptarë edhe për të huaj. Edhe sot kjo është e pranishme. Përsëri gjithçka bëhet me dëshirë të plotë nga familjet dhe prindërit e fëmijëve dhe në funksion të së ardhmes së tyre. Gjithsesi edhe pse faktorët e mësipërm janë realë dhe s´mund të mohoen nga askush, familjet shqiptare përgjithësisht duhet të priren nga tendenca e vendosjes së emrave shqiptarë, si shenjë e ruajtjes së identitetit të  gjakut që u vlon në deje, dhe forcimit të lidhjeve të brezave pasardhës me atdheun, Shqipërinë. Rastet nuk mungojnë që, pas emocioneve të momentit për vendosjen e një emri, është reflektuar më vonë duke e lënë atë dhe duke vendosur një emër tjetër, madje në të shumtën e herës janë vetë fëmijët që  kanë vizione të reja. Më së shumti kjo ndodh me emrat e ardhur prej gjuhës turke. Një fenomen i tillë u vërejt edhe gjatë marrëdhënieve të mira shqiptaro-sovjetike, në vitet ´50-´60 të shekullit të kaluar, kur u vendosën emrat : Aljosha, Boris, Borisov, Fjodor, Malenkov, Molotov, Nadjezhda, Sashenka, Sovjetik, Sufarov, Zhdanov, ... një pjesë e të cilëve pas ndryshimit të situatës politike u zëvendësuan me emra të rinj.   

                    Më të dallueshëm emrat e personave janë nëse grupohen mbi besimet fetare. Edhe prania e emrave të njëjtë në vende të ndryshme vetëm mbi këtë bazë mund të argumentohet. Në vendin tonë bashkëegzistenca e përhershme në harmoni të plotë e tre besimeve : të krishterë, myslimanë dhe katolikë ka qenë faktor pranues dhe jo përjashtues. Ka emra që janë lehtësisht të dallueshëm si të krishterë, të tjerë si myslimanë apo të tjerë si katolikë.  Ndërkohë janë të shumtë emrat që preferohen nga të tre besimet fetare.

                Është fakt i pakundërshtueshëm që një grup emrash, në çfarëdo lloj konteksti tingëllojnë qartazi si shqiptarë dhe janë të dallueshëm si të tillë, pasi nuk ndeshen në vende e kombe të tjera dhe në familje që s´kanë asnjë lidhje me botën shqiptare. Ka prej tyre që vinë që nga lashtësia, nga mesjeta e hershme dhe e vonë, nga rilindja, shpallja e pavarësisë e pas saj, gjatë sistemit monist e deri sot dhe përsëri e ruajnë plotësisht identitetin dhe janë të preferueshëm për t´u vendosur  nga familjet shqiptare tek pasardhësit. Në vazhdim të kësaj po përmendim vetëm disa pre tyre, një numër fare të vogël : Adriatik, Adriatike, Agron, Agim, Alban, Albana, Arbër, Arbëror, Arbërore, Adrian, Adriana, Aranit, Artan, Bardhyl, Besa, Besnik, Besian, Besiana, Bashkim, Bujar, Dardan, Drini, Dritan, Dritëro, Dhimitër, Ermal, Enkeled, Enkeleda, Elton, Fatmir, Fatbardh, Fisnik, Genti, Genci, Gjergji, Gjin, Gjon, Ilir, Ilirjan, Ilirjana, Kastriot, Kliti, Klodian, Kreshnik, Lindita,Luan, Martin, Majlinda, Marjeta, Mirela, Mujo, Pleurat, Petrit, Pëllumb, Piro, Rozafa, Sazan, Skerdilaid, Sokol, Skifter, Shpresa,Taulant,Teuta,... Më autoktonë tingëllojnë disa emra që vendosen në zonat veriore të vendit : Ded, Dila, Drane, Frrok, Gjelosh, Gjek, Gjetan, Ndoc, Ndue, Pashk, Preng, Prel, Uk, Ujkash,...  

                              Sinonimia e emrave                

                   Gjithmonë duke mbetur brenda botës mbarëshqiptare, në tërësinë e emrave të njerëzve që janë në përdorim, jo të gjithë në gjuhën shqipe janë të shpjegueshëm nga ana kuptimore. Kjo dukuri së tepërmi vërehet tek disa emra që në shqip kanë hyrë nga gjuhë të tjera, madje ka raste kur gjuha shqipe mund të jetë gjuhë e tretë e përdorimit të tyre. Ashtu sikurse ka emra mirëfilli shqiptarë  që identifikohen me një lule, pemë, vend etj, edhe këta duhen analizuar në gjuhën e origjinës, ku mund të simbolizojnë një send, lule, kafshë, dukuri, gjendje shpirtërore etj. Kështu në shqip, pavarësisht se kanë tjetër përbërje tingullore, nga ana kuptimore janë sinonim i kuptimit fillestar të mbartur nga gjuha tjetër. Për shembull emri Asllan në gjuhën shqipe, kuptimin fillestar e ka në gjuhën turke, Luan ; edhe Bedri në gjuhën turke ka kuptimin, me Hënë e plotë, Nexhat – shpëtim (turqisht), Sabri- durim (turqisht), Adil - i ndershëm (arabisht), Adelina - fisnike (hebraisht), Mahmut - ndriçim (turqisht), Nadjezhda – shpresë (rusisht),.....Emri Viron në shqip mendohet se është variant i emrit Bajron (Byron) nga anglishtja.   

                                     Dallimet e varianteve shqip

                   Në gjuhën shqipe, emrat e gjinisë mashkullore në më të shumtën e herës janë në trajtën e pashquar, pa përjashtuar edhe rastet e trajtës së shquar. Po kështu ndodh edhe me emrat e gjinisë femërore, të cilët dalin edhe në trajtën e pashquar, edhe në të shquarën. Emra mashkullorë në trajtën e pashquar : Ajet, Altin, Arian, Artan, Besjan, Julian,...Në trajtën e shquar : Andi, Bledi, Edi,  Endri, Klajdi, Pandi, Redi, Seldi, Sindi, Skerdi,...Emra të gjinisë femërore në trajtën e pashquar : Kujtime, Mbarime, Mereme, Naile,... dhe në trajtën e shquar : Ana, Arta, Anxhela, Merita, Mirela, Rudina,... Parë në këtë plan, tek grupi i emrave që thuajse kanë të njëjtën përbërje tingullore si në shqip edhe në gjuhë të tjera, vërehen dallime, ndonse jo të theksuara. Në shqip ata dalin në variantin „rrënjë“, dhe më të shkurtër e pa mbaresa. Në gjuhët e tjera, pas trajtës së pashquar që kanë në shqip, marrin mbaresa apo prapashtesa. Për shembull, në shqip shkruhet dhe dëgjohet Anton, ndërsa në italisht varianti i përdorimit të këtij emri është Antonio,  Dhimitër në shqip – Dhimitri në greqisht, Leonard në shqip – Leonardo në italisht, Mikel (shqip) – Mikele (italisht), Robert (shqip) – Roberto (italisht), Sokol (shqip) – Sokolov (bullgarisht),...    

                                           Emrat  „binjakë“

                         Emrat me të cilët pagëzohen të porsalindurit janë zyrtarë. Të gjitha dokumentet, me të cilat ata pajisen gjatë jetëgjatësisë së tyre, plotësohen vetëm me këta emra. Por në jetën e përditshme, në rrethet familjare dhe shoqërore, vërehet një dukuri që veç emrit zyrtar, shumë njerëz thirren edhe me emra të tjerë, të cilët rëndom quhen emra përkëdhelie. Këta emra, që po i quajmë “binjakë” të emrit të pagëzimit, janë bashkëshoqërues të tij, madje ndonjëherë bëhen aq publikë, sa kur dikush dëgjon emrin e vërtetë të personit habitet. Ata „fitohen“ gjatë jetës dhe paraqiten në variante të ndryshme si nga ana kuptimore edhe nga rrethanat e vendosjes. Disa kanë lidhje me emrin zyrtar sepse marrin prej emrit të plotë  një pjesë të fillimit apo të fundit. Të tjerë nuk kanë lidhje fare nga ana tingullore, por mund të kenë lidhje shpirtërore ose mbartje të kuptimit mbi bazën e ngjashmërisë me personin e emrit tjetër. Shkak mund të jenë edhe faktorë të tjerë rastësorë, që mund të lidhen me ndonjë veprim, tipar a veshje a kushedi se ç´mund tjetër të personit, të cilat janë mbreslënëse te personat që marin përsipër t´i thërrasin më emrin e ri. Sigurisht “pagëzuesit” e emrit të dytë, në familje apo shoqëri nisen nga diçka, por askujt nuk i bie ndër mend të merret me këtë fakt. Më pas jetëgjatësia e emrit të dytë, i përkohshëm apo i përhershëm, varet nga sa ka qëlluar në shenjë përzgjedhësi. Ja disa raste që lidhen me shkurtimet e emrave të plotë : Arben-Beni, Artan-Tani, Antoneta-Neta, Baftjar – Bato, Bledar-Bledi, Eriselda-Eri, Elisabeta-Beta, Fatmir-Miri, Izabela-Bela, Latif - Lato…..Ndodh që një emër mund të ketë më tepër se një variant të dytë. Kjo lidhet me krahinorizmat. Për shembull Ali thirret edhe Like edhe Liu, Bashkim, diku thirret Baçi dhe diku Baço, Besnik – Beso dhe Niku, Brahim - Braçe edhe Bimi, Myrteza – Myrto dhe Xake, Përparim – Papi, Paro dhe Rimi, Refat - Refo dhe Fate, Silvana-Silvi dhe Vana, Sotir - Soto edhe Çote, Shyqyri - Shyqo dhe Shyqi, Valentina – Vali dhe Tina,…   Ka të tjerë që lidhen me rivendosjen e emrit të një pjesëtari të familjes që nuk jeton më. Në këtë rast lidhja është shpirtërore e jo morfemore e fonemore. Për shembull ai që ka emrin e gjyshit thirret Babush apo Bushi, ai me emrin e vëllait-lako,lai,…  Ndërkohë ka shumë raste kur lidhje të tilla nuk egzistojnë, e megjithatë  emri “binjak” e shoqëron personin deri në fund të jetës. Në Tiranë na ka rastisur të dëgjojmë që :  një person me emrin Bedri, në familje dhe në shoqëri e thërrasin Dushi, një tjetër me emrin Xhelal e thërrasin Lak,  dikush me emrin Remzi  thërritet Xike apo Pici, ndërsa me Lake kemi dëgjuar t´i thërrasin edhe një që quhet Sokol, edhe një tjetër Mihal, apo edhe një të tretë Roland,…   

                                          Përjetësime rastësore në emra

                       Çdokush është kureshtar të dijë arsyet dhe rrethanat e vendosjes së emrit, me të cilin identifikohet në të gjitha dokumentet zyrtare dhe jo zyrtare, apo në të gjitha mjediset, familjare, shoqërore, sociale etj.  Disa arrijnë ta shuajnë këtë kuriozitet, por ka edhe nga ata që nuk ia dalin dot mbanë. Kjo bëhet më e vështirë, sepse veç çfarë renditëm më lart, nuk përjashtohen edhe rrethana rastësore të vendosjes së emrave të vërtetë apo emrave përkëdhelës. Për këtë do të përpiqemi të sjellim rrëfime të personave konkretë.

                  Bedri Alimehmeti, tiranas autokton, gazetar, shkrimtar, studiues, publicist, opinionist sportiv tregon më tepër se një rast : „Lindja e motrës, më 19 dhjetor 1947, përkoi me daljen e xhaxhait nga burgu. Rastësia në familjen tonë, bashkoi  lindjen, me fitimin e lirisë së xhaxhait. Ishin dy ngjarje shumë të rëndësishme në të njëjtin moment, që nuk mund të liheshin pa u përjetësuar. Por, gëzimi i parë, lindja që pritej, dukej sikur solli me vete edhe gëzimin e dytë. Kështu emri Mirvjen, që iu vendos motrës, ishte më se kuptimplotë në këtë rast, si simbol edhe i të mirës tjetër që na erdhi„.      

             „ Një shoku im nga Kashari ishte tifoz i Tiranës dhe i futbollistit të këtij ekipi, Perikli Dhales. Edhe pse ky shok ishte mysliman, kur i lindi djali i vendosi emrin e futbollistit që simpantizonte, Perikli“.

               „Babai më ka rrëfyer se, në vitet ´30 të shekullit të kaluar, kur zhvilloheshin kampionatet kombëtare të futbollit, lojtarët futbollistë flinin tek shtëpitë e njëri-tjetrit. Në një rast të tillë futbollistët e Tiranës, Adem Karapici dhe Selman Stërmasi fjetën në shtëpinë e futbollistit shkodran Mehmet Dibra. Për rastësi dhe fat,  gruaja e Mehmetit atë natë lindi djalë. Të zotët e shtëpisë gëzimin e ndanë edhe me miqtë. Kështu nëna  e Mehmetit ua tregoi djalin e sapolindur të dy futbollistëve duke i kërkuar leje Ademit që t´i vendoste emrin e tij dhe të bëhej kumbar. Dëshira u plotësua menjëherë dhe fëmija u pagëzua me emrin e plotë Ademkarapici“.     

           Viron Kona, shkrimtar shumëplanësh, prozator e poet, gazetar, mësues, specialist arsimi, në librin „ Mos m´i zbukuroni plagët !“ ,“Ermal“ 1998, tek tregimi „Dolli për babanë e Çuenlait“ sjell një rast interesant. „Nestori ,- rrëfen Kona,- i nxitur nga dëshira e miqve për t´u shpjeguar se si i kishte vajtur mendja që t´i vinte djalit atë emër aq të nderuar, nisi të tregojë : Kaluam nëpër mend shumë emra kapedanësh të mëdhenj, politikanësh të dëgjuar, udhëheqësish shtetesh e personalitetesh historikë, por ata më të dëgjuarit ishin zënë. Vetëm në lagjen tonë , përfshi edhe fëmijët e mi, do të gjesh emrat : Lenin, Stalin, Kutuzov, Aleksandër, Skënderbe, Priam, Huniad, Julqesar, Saladin... U vumë në hall të madh...Këtë punë ia ngarkuam një nipit tim që punon në bibliotekë, Demostenit,...                                Ai na rekomandoi vetëm emrat Napoleon dhe Riçard...por vetëm nga fisi i Danajve janë tre Napoleon,ndërsa nga Bizhdollanajt janë dy Riçard. Disa ditë lëkundeshim midis emrave Akil, Hektor, Enea..., se, siç kuptohet edhe im atë nga “Iliada” e kishte marrë emrin tim. Por, një mbrëmje, tek haja darkë dhe dëgjoja lajmet në radio,...e gjeta më në fund emrin e djalit...Çuenlai...Çuenlai..., se ky ishte emri i mikut të madh kinez, që kishte ardhur para pak ditëve dhe po vizitonte Shqipërinë. Dhe duke mbushur gotat me raki urova : ” Të na e gëzoi emrin djali, o Katerinë ! Ta kemi me jetë të gjatë Çuenlai Vinokashin e parë ...!”

                Kështu mund të zgjateshim pa kufi, por ndoshta kaq është mjaftueshëm për të argumentuar idenë kryesore, që emri i çdo personi në gjuhën shqipe veç funksionit të personifikimit individual për t´u dalluar nga të tjerët, ka edhe një simbolikë, e cila  është bërë shtysë e fortë për atë që e ka vendosur tek i porsalinduri. Edhe një herë theksojmë se këto dukuri të vërejtura dhe të renditura për simbolikën e emrave shqiptarë, janë reale dhe të pranishme jo vetëm në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Greqi, por kudo që jetojnë e punojnë shqiptarët nëpër shtetet e Europës, në Amerikë, Kanada e Australi. Ndërkohë, kaq sa shtjelluam, nuk mund të konsiderohet as nga ne, as nga të tjerë, si gjithçka për këtë temë. Emrat shqiptarë janë miliona, aq sa shqiptarë jetojnë në rruzullin tokësor, të shpërndarë gjithandej. Përherë mund të zbulohen dukuri të reja edhe në këtë fushë. Kushdo dhe kurdoherë, shqiptar apo edhe i huaj, mund të shkruajë pambarimisht.