Murat Gecaj:HYSË XH. HASA, I PASHKËPUTUR NGA “RRËNJËT”, PËRHERË ME MENDJE E ZEMËR NË VENDLINDJE…

HYSË XH. HASA, I PASHKËPUTUR NGA “RRËNJËT”, PËRHERË ME MENDJE E ZEMËR NË VENDLINDJE…

(Shënime për librin e ri, “Vlera intelektuale kuksiane-2”)

Nga: Prof.Murat Gecaj, publicist e studiues 

1.

Këto pak radhë, kushtuar kolegut e mikut dhe shkrimtarit e studiuesit, Hysë Xhemali Hasa, po i nisi duke sjellë në kujtesë gazetën periodike (shqip-italisht), “Rrënjët”, e cila botohet në Romë, nga publicisti vlonjat, Hasan Aliaj. Që nga titulli i saj, kuptojmë qëllimin dhe misionin e saj, atdhetar e mbarëkombetar shqiptar. Pra, synohet që të evidentohen e të ruhen, por dhe të bëhen sa më të njohura për lexuesit tanë, sidomos të rinjtë e të rejat, se cilat kanë qenë ato “rrënjë” të lashta të shqiptarëve, që nuk i shkulën dot stuhitë e shekujve, por arritën të paprekura, deri në ditët tona. Ndër të tjera, në atë gazetë shkruhet për ngulimet arbëreshe të Italisë dhe zellin e tyre që t’i ruajnë sa më mirë, gjuhën, traditat  e zakonet shqiptare. Janë të shumta figurat e ndritura të tyre, por përmendim këtu De Radën me “gjakun e shprishur të arbërit”. Por nderojmë dhe disa të njohur të ditëve tona, si: prof. Mateo Mandela e  shkrimtarin e studiuesin Luis de Rossa, me gazetën “Këmbora”. Ndër ta, spikatë veprimtarja e palodhur, Luçia Martino.Jo shumë kohë më parë, ajo shoqëroi një grup folklorik arbëresh, në festivalin e parë, të organizuar nga Diaspora,  në Bolonja të Italisë dhe më pas në Ulqin. Artistët arbëreshë ishin me veshjet, këngët e vallet karakteristike, aq të bukura shqiptare. Kështu, ata dëshmojnë “rrënjët” tona shumëshëkullore dhe në ato treva arbëreshe.Prandaj, më pas, Luçia  shkroi e publikoi një artikull, me titullin domethënës, “Plani, për të shpëtuar kulturën arbëreshe”(Shih librin, nga M.Gecaj, “Si ujëvarë bjeshke”, Tiranë, dhjetor 2017, faqe 184-186).

Tashmë, është e njohur për të gjithë, se krahas emigracionit të viteve të mëparshëm, sidomos në periudhën pas vitit 1990, me qindra e mijëra  shqiptarë morën udhët e mërgimit, në shtete të ndryshme të Europës, por dhe deri në Amerikë e Kanada. Atje, ku jetojnë e punojnë shqiptarët emigrantë, janë tubuar në shoqata të ndryshme atdhetare e kulturore. Me disa nga nga këto shoqata ose lidhje të bashkatdhetarëve tanë, kam patur kënaqësinë të njihëm ose të shkruaj për ato.

Që mos ta lodhi lexuesin e këtyre radhëve, po ndalem pak te Shoqata emërmirë “Bijtë e Shqipes”, e cila e zhvilllon veprimtarinë e saj në Filadelfia të Amerikës. Atje funksionon edhe shkolla “Gjuha Jonë”, të cilën e ndjekin fëmijët e bashkatdhetarëve tanë. Pjesëtarë dhe veprimtarë të dalluar të kësaj Shoqate, e cila zhvillon veprimtari të pandërprera atdhetare e kulturore, janë miq e të njohur tanë, si: Tajar Domi, Llazar Vero, Vlashi Fili…e të tjerë. Disa nga ata, gjatë viteve të fundit, kanë shkruar  artikuj, në shtyp e në Internet, por dhe kanë publikuar libra me vlerë. Prandaj ata  duhen uruar e përgëzuar, sepse krijimet e tyre lexohen me vëmendje nga lexuesit tanë. Gjithashtu, meritojnë të publikohen recensione kushtuar atyre, pasi flasin edhe  për “rrënjët” tona të lashta, kanë përmbajtje  edukative, letrare e artistike.

Gjithashtu, nuk mund të lë pa përmendur këtu  Qendrën Kulturore Shqiptare “Migjeni”, në Boras të Suedisë, me veprimtarin e palodhur Sokol Demaku dhe Shoqatën e Shkrimtarëve e Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI-Albani”, Suedi, që kryesohet nga miku i nderuar, Hysen Ibrahimi. “Vargut” të këtyre shoqatave, pa harruar shumë të tjera në shtete të ndryshme, i shtohet edhe ajo “Mërgimtari”, në Kiel të Gjermanisë,  me drejtues Ejup Krasniqin…

2.

Në vazhdim të këtyre radhëve hyrëse, në këtë shkrim, më lejoni që të ndalemi te kolegu e miku kuksian, Hysë Xhemali Hasa, studiues i palodhur në Filadelfia dhe autor i disa librave. Është njëri nga ata bashkatdhetarë, që mendjen e zemrën i ka në vendlindje, pra është i lidhur me fije çeliku të fortë, me “rrënjët” tona të stërlashta. Këtë gjë nuk është e vështirë ta vëresh edhe në titujt e 10 librave, që ai ka botuar. Të tillë janë:”Vila, pjesë e krenarisë lumjane”(2008), “Midis emigrantëve  shqiptarë në Amerikë”(2010), “Nga Filadelfia, në Tirranë”(2011), “Mes shokësh, në shërbim të Atdheut”(2013), “Kontribute  atdhetarie” e “Dritare kohe, në mençurinë kuksiane”(2015), “Personalitete ushtarake lumjane” e “Lavdi, në përjetësi”(2016).

Së fundi, janë dy libra “binjakë” të këtij autori, tashmë të njohur në emigracion, ndërmjet miqëve të Shoqatës “Bijtë e Shqipes”, në Filadelfia, por dhe në Shqipëri e më gjerë: “Vlera intelektuale kuksiane-1”(2016) dhe “Vlera intelektuale kuksiane-2”(2018). Në lexues i vëmendshëm, ka parë të publikuar disa nga këta shkrime, që përfshihen në këta libra voluminozë. Sigurisht, për secilin mund të shkruhet e të flitet, veçmas, duke evidentuar vlerat, që ngërthejnnë në faqet e tyre. Po unë do të ndalem në librin e autorit Hysë Hasa, që u botua në fillimin e këtij viti. Atë ma solli prej tij, djali Fitimi, i sapo kthyer nga Filadelfia. Me këtë rast, e falënderoj këtë, po së pari, e uroj  dhe e përgazoj autorin e tij, për këtë dhuratë të çmuar!

Sigurisht shkurtimisht, po e shfletojmë së bashku këtë vepër të re të autorit të palodhur, Hysë Xh.Hasa, “Vlera intelektuale kuksiane-2: Portrete intelektualësh kuksianë, të fushave të ndryshme”(Tiranë, 2018).Libri në fjalë ka 460 faqe dhe është i ndarë  në 14 pjesë, me dy shënime hyrëse dhe, në fund, referencat. Redaktor e korrektor është Hatem Dervishaj dhe recensentë: Prof.Shefqet Hoxha, prof.Murat Gecaj, prof.Dritan Spahiu e prof.Enver Bytyçi, me punimet grafike nga Artur Shyti. Autori u ka shprehur falënderimin dhe mirënjohjen e tij, atyre që e mbështetën në botimin e këtij libri: Haki Çollaku, Petrit Zanaj, Jakup Domi, Eqerem Myrtaj, Llukan Dylgjeri, Vlashi Fili, Ahmet Shabani, Enver Parllaku e Lavdie Noka.

Është e kuptueshme, nga secili lexues, se është e pamundur që, në këtë shkrim të përmbledhur, të përmendi emrat e gjithë atyre intelektualëve  kuksianë, të cilët i kanë shkrirë energjitë e tyre, mendore e fizike, në fushat e ndryshme të jetës. Së pari, autori shprehë nderimin e respektin për ndihmesën e intelektualëve të qeverisjes vendore të vendlindjes. Ndërsa, e vazhdon atë me nderimin për ndihmesën e atyre bashkëkrahinasve, që iu kushtuan  arsimit e kulturës, mësimit dhe edukimit të breznive të reja, si dhe për ruajtjen e shëndetit të malësorëve kuksianë, por dhe të jurispondencës. Po me këto ndjenja mirënjohjeje, ai shkruan edhe për intelektualët, që iu  përkushtuan çështjeve të ekonomisë, në gjeologji e miniera, si dhe në inxhinieritë elektrike, mekanike, elektronike e ushqimore, pa harruar ata, që punuan në agronomi, shërbimin pyjor e veterinar. Një vëmendje të veçantë u ka kushtuar autori Hysë Hasa punonësve të palodhur të kulturës,  artit e krijmtarisë, që ta bajnë jetën e bashkëkrahinasve të tyre, sa më të bukur, të qetë e të gëzueshme.

3.

Dëshiroj që këtë shënim timin modest,  për librin e ri të kolegut e mikut tim, Hysë  Hasa, ta mbylli me disa radhë, që ai ka shkruar në fillimin e veprës së tij:

“Vlerat e mrekullueshme të popullit të Lumës, Kukësit e Hasit, jo vetëm që nuk kanë shterruar, por epokë pas epoke, janë ngritur dhe janë rritur, si  asnjëherë., E para, “çelësi” i gjithë kësaj mbrekullie duhet kërkuar në marshimin e lirisë, në shpirtin e njeriut. Si gjithë populli shqiptar, edhe  ai lumjan e kuksjan, ka provuar mbi shpinën e vetë shumë invazione të huaja dhe atë e kanë  shoqëruar, në jetë të jetëve, skamja e varfëria. Por kuçedrat e mjerimit, jo vetëm nuk e përkulën dhe varfëruan shpirtin fisnik të popullit kuksian, por përkundrazi, e flaku tej, me përçmim, skllavërinë.Ai, gjënë, që ka urryer më shumë, ka qenë nënshtrimi i shpirtit, që asnjeherë nuk e ka pranuar!…”. Ndërsa autori e mbyllë Hyrjen e tij: “Mbetem me shpresë, se kam mirëkupotimin e lexuesit, që libra të tillë monografikë e bëjnë krenar çdo personazh.  Por ata janë edhe një pasurim i thesarit pozitiv, të vlerave intelektuale kuksiane dhe pasurim i historisë  krahinore kuksiane e asaj mbarëkombëtare shqiptare.Faleminderit!”

E  përgëzojmë kolegun e mikun krijues, Hysë Xhamali Hasa, për këtë vepër të re. Urojmë që ai të ketë përherë shëndet të plotë e jetëgjatësi dhe gëzime e lumturi, vetjake e familjare, duke pritur  prej tij libra të tjerë, sa më të arrirë, me vlera atdhetare, letrare, kulturore e artistike!

Image
m