Viron Kona: Ta provojmë dhe njëherë!

 Viron Kona

Ta provojmë dhe njëherë!

 

“Një prej dënimeve për refuzimin që të merrni pjesë në politikë është

që ju të përfundoni duke u qeverisur nga inferiorët tuaj”.

                                                                                              Platoni

Politika na përthithë nën gjeratoret e saj,

në valë të turbullta na përpëlit orë e çast,

herë na tundon me premtime magjepse,

herë na mbush shpirtin me vrer e maraz.

 

“Vëmë dorën n`zjarr” për udhëheqësit partiakë,

bëjmë tifo rreth tyre të azdisur dhe të harbuar,

për partinë flijohemi e për liderin “lëmë kokën”,

për ta vëmë bast nderin dhe jetën tonë t`çmuar.

 

Politika na deh  e mistershëm na hipnotizon,

24 orë, “Non Stop” për atë flasim e mendojmë,

edhe kur shohim që “dallgët” e saj na mbytin,

dhe kur n`dritë t`diellit liderët na mashtrojnë.

 

Rendim  pas saj si të verbrit njëri pas tjetrit,

s`ndalemi edhe kur na shfaqet një humnerë,

shumë vonë pikasim dhelprën bishtdredhur,

q`pas kërdisë së parë, ç`ka mbetur na i merr.

 

Shkojmë pareshtur në sheshe e demonstrata,

zbrazim zemrat, ngrihemi e kërkojmë drejtësi,

befas ata rishfaqen me “shqetësim”para nesh,

dhe si shenjtorë na premtojnë “një fillim të ri”.

 

Jeta na ka “dal borxhit” me përvoja  t`hidhura,

por ngaqë s` nxjerrim mësime, digjemi përherë,

sa kohë që liderët “tru gomari” do të na shtien,

do themi zemërgjerë:“Ta provojmë dhe njëherë!”