BEDRI ALIMEHMETI: Poezi

BEDRI ALIMEHMETI

E TILLE

Mbi të gjitha
tek ti,
pëlqeva thjeshtësinë.
Ndaj të dashurova
thjesht,
me gjithë fuqi.
E tillë
kishe mbetur.
Dhe e tillë mbetsh,
gjithnji.
Thjeshtësisht
e thjeshtë
në përjetësi.

NE "LEMZA" BAR

E di, jam mësuar tashmë me ty,
Apo jo, shumë ta don zemra.
E kam seriozisht shikomë në sy, 
Të ulemi, sigurisht te bar "Lemza".

Këng'e Krajkës gjysmëshekullore
Adoleshencën na sjell në mëndje.
Vite të paharruar të jetës shkollore,
Pse jo, t'i kujtojmë me mall e ëndje.

PRES

Nuk e kuptoj jo, dhe ende nuk e di
Më hanë gishtrinjtë, penda më vlon,
Sa herë në Tiranë nis të bjerë shi,
Ritmi i tij kujtimet e fjetura m'i zgjon.

Një përparse e zezë, me jakë të bardhë
Krela të verdhë, që supeve dallgëzojnë
Nga rrug'e "Dibrës" do të jetë duke ardh,
Ndën streh pres, ulluqet fort gurgullojnë.

PEISAZH I LARGET

Një autobuz "Viberti" me shpejtësi,
Për në Kino-Studio sapo u ngjit lart,
Një "Ikarus" hungarez, një "Ifa" taksi,
Zbritën poshtë për në Kombinat.

Pas murit, te llustra Pacit s'ka njeri,
Për qejf t'vet ngadalë thith një cigare.
"Çunat e Tironës kon stërvitje nishti,
Të djelën Partizonin do e shemim fare".

"Këtë javë nuk diskutohet mër Pac,-
Ia kthen një shok i tij mbështet te pema,
-Partizonit, pa llafe këtë herë veç dajak,
Aq mo tepër, neve na lu ene Ali Mema".

Një pajton del avash nga pazari i vjetër,
Kal'i lodhur ei këputur mezi hedh hapin,
Te dera farmacis një plakë nxjerr recetën
Më tej dëgjohet: "Llotaria provoni fatin"

DUFI

Çantë e hedhur me nerva e inat mbi kolltuk,
Celulari e çelsat në tavolinë u përplasën,
Shfryrje e ajrit tej mushkurive me aq duf,
S'i pe, dy vajza e një djalë desh u gajasën,

Domosdo ishe jashtzakonisht e tensionuar
Kur u ule, e lëshove gjithë peshën e trupit
Kuptohesh, me të dashurin ishe zemëruar
S'ke ç'bën, e kotë, kujt t'ia nxjerrësh dufin.

Por, tashmë që ke mbetur krejt vetëm,
Përlotesh dhe asgjë nuk kujton më dot,
Thua vallë të gjitha kaq shpejt u tretën,
Gjithë kjo kohë me të, të ketë shkuar kot?!

LETRA MBI TAVOLINE

Letrën që po shkruaj e gjeta mbi tavolinë,
Para meje këtu kishin zënë vend tri gra.
Të këndshme, e rezatonin mirë bukurinë
Edhe pse mbi supe kishin vite, goxha.

Petale lulesh shumëngjyrshe u gurgullonte
Buzëve të ravijëzuara e qeshura e bukur.
Kur dolën, njëra ngulmas po më vështronte,
Ku i kam ndesh këta sy të gjelbërt, hë pra kur?

Mos vallë në xhiron e dikurshme të Tiranës?
Apo gjatë një vere të largët buzë detit në plazh.
Nuk e di, kot vras mëndjen si i thonë fjalës,

Ndaj në letrën e tyre këto vargje shkruar lash.