SOTIR ATHANASI :Tregim

     SOTIR ATHANASI

KRYQI I ANËS, VIA DEI, PROFESORI TRAGJIK PETRONINAS, UNË DHE TË TJERË

Pjesa e Parë përfundoi me fjalët: Atë natë bëra një gjumë me ëndërra të pakuptimta . . .

Ndiqni tani ndiqni vazhdimin miqt e mi!

PJESA E DYTË

Atë natë bëra një gjumë të trazuar e me ëndrra të pakuptimta. Vetëm nga mëngjesi gjërat nisën të kthjellohen e mbase të ndërlikohen edhe më. Se u ndodha në studion e shokut tim piktor.

- Ti bën shtatore nudo? - e pyeta unë befas dhe I pataksur nga ajo që më shihnin sytë.

- Po, - tha ai, - ç'ka këtu për t'u çuditur? Aq më pak të ngrish e bëhesh statujë, siç ke marrë ti pamjen. Madje, dukesh I tronditur sikur po sheh trupin e EVËS. . . Pastaj, pse paske ardhur deri këtu me të mbathura?

Unë u befasova dhe u skuqa kur pashë veten dhe u binda që kjo ishte plotësisht e vërtetë. Më kot u rreka për të përimtuar trupëzimin e punimit, kur ai tha:

- Ti e di se unë në shkollë përherë kam shfaqur dhunti e dëshira femrore..

- Është e vërtetë.

- Prandaj edhe shoqërohesha me vajza.

- Edhe kjo është po ashtu: e vërtetë.

- Unë më vonë, shumë më vonë, në Akademi, do të kuptoja se kisha atë që quhet "energji pozitive". Mendimi im, s'i linte hapsirë për kundërshtim nga ana e shokëve të grupit.

Unë nuk e kisha fare mëndjen. Ai vazhdoi: - Po Kasemin, ç'e shtynte të grindje me të gjithë e për çdo gjë? A nuk vërehej tek ai, një lloj paudhësie djallëzore, që fillon me sherr e përfundon me grushte? Dhe a nuk mund të quhet kjo " energji negative "?

- Më mirë të mos flasim për 'të. Ai, tashmë është nisur në atë udhëtimin e gjatë për te Zoti.

- Ku s'ka për të mbërritur kurrë . Në ferr mbase po. Në skëterrë se për atje ia preu biletën një hundëlesh. Gjeti atë që kërkoi: katranin.

E vërteta ishte se Kasemi gjithmonë u binte më qafë binjakëve. I tillë qe edhe Borani me vëllanë e tij, Arjanin. Për këtë arsye shoku im, Borani, fliste me mllëf kundër tij. Por, ajo që më tronditi ishte fakti se sapo ai përmendi fjalën FERR, menjëherë m'u shfaq tabela e dyqanit: VIA DEI.

Hapa sytë me një dridhërimë skandaloze. Ç'të ishte kjo vallë?

Aty nga ora dymbëdhjetë e gjysëm, tek po shkumoheshin me derën e banjës hapur, ndjeva ardhjen e tim eti nga jashtë.

Qe I ngrysur në fytyrë se i kishte dështuar edhe një tjetër m'undësi punësimi. Në këto raste, vetullat i vareshin mbi sy dhe zymtësia e tregonte edhe më të plakur. Veç kësaj, flokët i qenë zbardhur plotësisht, karakteristikë kjo, për shumicën e moshatarëve të tij tiranas. Gjë që, e tregonte më fisnik, por edhe më të moshuar e aspak të përshtatshëm për tregun e egër të punës në kapitalizëm.

Mbase do të qe më mirë t'i lyente flokët, ashtu siç bëjnë gratë. Por edhe siç kishin vepruar shumë vërsnik të tij.bashkatdhetarë. Tok me 'ta, edhe njëri nga xhaxhallarët e mi që, vetëm pas kësaj, gjeti një vend pune.

Por, tim eti, nuk mund t'i flisje vetëm për dy gjëra: lyerjen e flokëve dhe heqjen e kollaros..

Nëna I kujtonte shpesh shprehjen e Hygoit: "Institucionet në shembje, fillojnë e zbukurohen".. Bëje dhe ti, - e nxiste ajo. Por ai, e gjente shtegun e daljes nga ky "rrethim", madje po me ato mjete: - Ai thoshte: - dakort me restaurimet, por po ky Hygo ka thënë: "Ndërron guacka, ndërron molusku". Se këtu bëhet fjalë për Institucionin e Mëndësisë. Ti kërkon që unë të tjetërsohem?

Atë kohë, gabimisht, mua më dukej se s'kishte të drejtë ai. Për këtë do të bindesha një dekadë më vonë. Thjesht se, një djalë i dajës sim oficer në repartet e kimisë, vuante nga zemra dhe se ajo, I qe dëmtuar aq shumë nga kimikatet me të cilat edhe punonte, sa I këshilluan transplantin, të cilën, po të mos e bënte, jetën e kishte, në mos me javë, me disa muaj. Por ai kishte tre fëmijë, dy nga të cilat vajza dhe këto qenë meraku i tij. Ky ishte shkaku i vetëm që fundin e priti me stoicizëm. Ai kishte frikë nga TJETËRSIMI. Zemra e huaj mund të rrihte ndryshe për vajzat e tij të bukura, SI ATO.

Këto, unë do t'i mësoja një dekadë më vonë...



Babai hyri në shtëpi tejet i dëshpëruar me një heshtje që nxinte. Tërhoqi një karike nga nëntrapeza dhe u shëmb mbi 'të si të donte të zbrazte barrën e mërrisë që po ia ulte përherë e më shumë supet. Se jetonim te ungji im i cili kishte shkuar për dhjetë ditë në plazh. Ata do të ktheheshin dhe duhet t'ua lironim shtëpinë e cila, s'kishte më shumë se dy dhoma e një guzhinë. Kësisoj, ne mund të mbëlidheshim vëllazërisht, secila familje nga një dhomë. Veçse, që të ndodhte kjo, duhej jo vetëm të ishte dakort xhaxhai. Madje familjarisht me xhaxheshën dhe tre fëmijët thuajse vërsnik të mi, por edhe I zoti I shtëpisë.

Ne, nuk ishim të sigurt as për njërën palë e as për tjetrën: domethënë, të zotërve të shtëpisë. Se mund të ndodhte të binte dakort burri, por s'qe e këtij mendimi e shoqja e tij. Kjo, siç po dëgjonim, mund të kërkonte nga im ungj, rritjen e qerasë, për të cilën, nuk e besoja kurrë se do t'a pranonte si zgjidhje. Nga ana tjetër: im atë nuk i lejonte vetes që familja e tij, të kishte detyrime të kësaj natyre, qoftë edhe nga vëllai i vet. Domethënë im ungj. Kjo nuk duhet të ndodhte Kurrësesi. Por edhe që të paguante ai qeranë, do të thoshte të mos dilnin të hollat për shpenzimet e ushqimit. Kjo mëdyshje e ky udhëkryq e kishin rrëzuar shumë tim atë. Ja pse qe urgjente zgjidhja e shtëpisë.

Ktheva kryet se im atë ndezi një cigare, flaka e shkrepjes reflektoi në pasqyrë. Qe një shkëlqim që, vetëm për të tillë s'mund të merrej. Për ogur të mirë, jo se jo. Atë çast u preva dhe si bestyt që jam, kisha bindjen që dita ime e parë e punës, nuk do të shkonte mbrodh.

Mamaja iu afrua tim eti dhe nisi t'i flasë zëëmbël:

- Mos u mërzit, mor burrë! Kush e di se ku do të dalë një vënd pune edhe për ty. Të të bëj një kafe?

Ai nxorri një tjetër cigare nga kutia DS që kishte lënë mbi trapezë dhe me kapuçin e së parës, ndezi tjetrën. Atëhere kuptova se sa shpejt e piu atë. Paketat I kishim sjellë nga Tirana dhe ai i kishte llogaritur që me 'to, t'a shtynte deri në janar. Ishim ende në shtator. Dhe ai kishte pirë vetëm për një javë, të gjithë kuotën e muajit pasardhës.

Mamaja e përsëriti pyetjen me një ton më të ëmbël e me një formulim të ri: - Ka mbetur edhe ca kafe e bluar në mulli. T'a vë xhezvenë e të ulem edhe unë pranë, o burrë? Se bashkë do të tiganisemi e do t'ia dalim edhe këtë rradhë. Neve s'na rrëzoi e s'na vuri poshtë diktatura. Të na gremisi tani demokracia?

Ai pohoi me krye dhe vuri pak, po fare pak, po ju them, buzën në gaz. E njihja mirë atë grimasë. Ngjasonte me qesëndisje. E mbase edhe e tillë, mund të qe. Por jo për nënën time. Aspak! Se atë e respektonte si të qe e shenjtë. Ateizmi i tij më jep të drejtën t'a përcaktoj ndofta edhe kështu. Ai ato çaste tallej kësisoj me problemin. Ku I dihej? LUFTA E KLASAVE e kishte vënë në pozicione të ngjajshme me të tanishmen, disa herë. Dhe e përbashkëta qe se, ajo niste me zbërthimin e kollares.

Se isha I vogël dhe kur vërreja këtë veprim tek im atë, e dija që atë natë, ai do t'a gdhinte së toku me time më. Bashkë me 'ta, edhe unë pas derës së dhomës së gjumit. Përgjoja bisedat e tyre dhe gëlltisja lotët e dhimbjes për sedrën e vrarë të tim eti. Se kështu niste zhgradimi civil e qytetar. Dhe kishte filluar atje, ditën për diell, në atë zyrën e errët të kuadrit. Aty ku, PËRIMTËSOHESHIN BIOGRAFITË, siç I quante babai. Në ato OBSERVATOR GJIGAND. Nuk kishte në 'to shkencëtarë. Jo. Por ca nëpunësa përbindësha e ciklopë arshivash. Aty ku Ia kishin deklaruar shkurt, prerë e në sy. Se " partia flet hapët .

Kjo thënie kishte vërtetësi, ashtu siç qe e mbrujtur me paciptësi dhe pashpirtësi. Se thuhej nga një surrat që rrëzëllente nga kënaqësia e këtij kumti e ngjajshme me çehren e atyre kryetarëve të kooperativave, kur raportonin në zyrat e Partisë, rendimentin e lartë të grurit, ndërsa për vete, hanin bukë misri.

Të gjitha këto cilësime, veçanti e xhevahire për kohën e shkuar të LUFTËS SË KLASAVE, më kujtoheshin tani, kur im atë, me një lëvizje vendimtare, e flaku tutje kollaren po me atë neveri siç do të bënte po të qenë vendosur në 'të poshtërsitë e gjithë botës:

- Sot, kur të zbresish për bukë, shko në market, moj grua dhe shih të gjesh bojë të përshtatshme për këto cullufet e mia.

Pra: ai kishte arritur në dy përfundime të skajshme për secilën në vetvete. Braktisjen e kollaros dhe ngjyerjen e flokëve.

Për kollaren ai nuk qe tërhequr edhe kur e kishin qesëndisur se " nuk kemi nevojë për ARKITEKTË. Njeriut që kishte dashur t'a përcjellë, në këtë mënyrë, një tip GEI, im atë I qe përgjigjur: keni të drejtë, zotri. Ju mbase kërkoni GJENOKOLOGË.

Dhe qe penduar. Duhet të tregohej më i duruar. Ndryshe nuk do të gjente asnjëherë punë. Me pak fjalë: me ardhjen në Greqi, vënd me demokraci funksionale, brënda javës, atij I qe thyer një nga kollonat, që diktatura nuk kishte mundur as t'ia lëkundte.

Gjithsesi e parë kësisoj, është dëshpëruese të mendohet. Por njerëzit, nga mungesa e orientimit, kanë pësuar edhe ngjarje më dramatike se sa heqja e një kollaroje. Prandaj, nuk duheshin hedhur armët e as të shuheshin shpresat.

- Si thua? - e pyeti sërish nëna babanë.

Shikimet tona për një sekondë u takuan dhe të dy, tashmë, shihnim në drejtim të tim eti. Për sytë e nënës, isha zënë disa herë me Kasemin. Se ai, kur më shante, do të thoshte: "Atë sybukurën ku t'a kesh!" Dhe unë, edhe pse krenohesh me një të tillë sharje, përsëri kërciste grushti. Herë fitoja dhe herë humbisja. Por tani, te syzeze e sybukura nëna ime, kishte ca rrudha rreth tyre. Për këto, jo vetëm që shpërfilleshin në sharjet e Kasemit, por edhe s'kishe me kë të zihesha me grushte. Cili është ai që nuk e do nënën e tij të jetë përherë e bukur?

Ndjeva dhimbje dhe nga kjo më shkëputi zëri nanuritës I saj që I drejtohej tim eti:

- Prit, mor burrë, prit një herë!

- Prit baba!, - përsërita dhe unë. Mbase më ecën mbarë puna dhe I marr ato para. Me aq të holla që do të sjell dhe me ekonominë e mamasë, do të shtyjmë sa të bëhet diçka edhe për ty. Pastaj...

Nëna ndërhyri. Diç donte të thoshte, por unë s'e lashë. Dhe për t'ia ngrijtur disi moralin IDHULLIT tim, BABAIT, shtova:

- Ja vuri një herë në përdorim ato simbolet e tua dhe deshifroje një ëndërr që pashë.

- Pa hë, po të dëgjoj, - tha ai, sa shpërfillës, aq edhe mëdyshas për të mos ma prishur, se sa për të dëgjuar se çfarë kisha parë unë në gjumë.

Ia tregova atë dhe prisja me ankth spjegimin. Ai ndenji gjatë pa folur. Kështu ndodhte "kur problemi ishte serioz". Në këto raste, mendimi I tij, kërkonte një lloj ballafaqimi me njerëzit dhe kohën. Për mua, tek e shih-ja, ashtu si të përgjumur, herë - herë më ngjante si i nemitur.

- Pa ma thuaj edhe një herë, - tha dhe sërish ndezi një cigare.

Unë e ritregova ëndrrën fill e për pe. Kësaj here më me hov, e gëzim që e kisha nxjerrë tim atë nga ajo gjëndje dëshpërimi.

- Sublimim ! - thirri. - Sublimim! - përsëriti dhe mundohej të tregohej sa më i qetë, se së brëndëshmi, e ndjeja që kishte shqetësim.

- Që do të thotë?

- Mbulim.

- Të kujt?

- Të sjelljes, të karakterit, të impulseve, shoqërish të papranueshme, por aspak të dëmshme dhe ky është shoku yt piktor. Atij I pëlqen shoqëria me femra dhe ju, me siguri, e keni tallur.

- E gjete, për kokën e mamasë. Dhe...?

- Dhe, ai I vizaton ato nudo. E bën këtë se ua njeh shpirtin dhe i idealizon si subjektet që pikturon. Ai kërkon të harmonizojë bukurinë shpirtërore edhe nëpërmjet linjave të tyre trupore. Këtu, s'ka asgjë të keqe. Ajo qëndron gjetiu. Te Kasemi.

- Po ai ka vdekur?

- Ashtu është. Por shoku yt piktor, të paralajmëron për të bërë kujdes. Mund të ndeshesh me KASEMIZMA edhe më të këqinj dhe që e lënë ku e ku, për nga ligësia KASEMIN. Se veprimet e tyre të papranueshme, ata i mbulojnë me sjellje të mirëpritura për shoqërinë. Hap sytë! Ëndrra të thotë se do të vihet në provë karakteri yt!

- Mos e frikso djalin! - I tha nëna me një ton qortues. - Po shih se do të derdhin kafenë që ke përpara. Atë bëj! Pa ëndrrat, ëndrra janë.

Ajo kishte të drejtë. Unë njëmend u trëmba. Se fjalët dhe këshillat e tim eti, i vlerësoja gjithënjë. Edhe për ëndrrat.

- Mos harro! - më tërhoqi ai vëmëndjen! Jemi në Greqi dhe këtu e ka burimin ajo fjala e urtë:

KARAVI I MIRË, DUKET NË FURTUNË?

*    * *

DHE FURTUNA, KISHTE FILLUAR. . .

VAZHDON NË PJESËN E TRETË