Sejdo Harka: Shkrimtari Viron Kona dhe miqtë e tij në Suedi
E hanë, 15 Tetor 2012 15:03
Sokol Demaku
Shkrimtari Viron Kona dhe miqtë e tij në Suedi
Nga Sejdo HARKA
Publicist

Në foto: Sejdo Harka
Shkrimtari dhe publicisti Viron Kona, ka vite që shquhet për një krijimtari të bollshme dhe cilësore. Deri tani ka botuar mbi 30 libra me tregime, novela, romane e shënime publicistike udhëtimi, për fëmijë e të rritur, që rrokin një problematikë sa të gjerë aq dhe të larmishme. Edhe pse ka botuar shumë vepra, përsëri, vazhdon të shkruajë e të shkruajë pa mbarim, sepse, siç thotë dhe vet, “kokën e ka plot me libra”.
Pasioni për të shkruar, përgjegjësia e lartë qytetare ndaj shoqërisë, për t’i përçuar asaj çdo gjë që di dhe mendon, nevoja për të mundur stresin e hallet, bëjnë që shkrimtari Viron Kona t’i gdhijë netët para ekranit të kompjuterit, nën tingujt melodiozë të tastjerës, që zbardh e zbardh faqe pambarim librash. Është fitues i disa çmimeve në gjininë e tregimit dhe të novelës. Krijimtaria e tij ka filluar të flasë edhe në gjuhë të huaja.

Libri ”Eh, more Bubulino !”, në vitin 2011, u botua i përkthyer në Suedi. Për këtë arsye, V. Kona, është ftuar të vizitojë këtë vend dy herë.
Gjatë mbrëmjes së promovimit të librit “Eh, more Bubulino !”

Në foto: Per Kettisen, duke i dhuruar shkrimtarit Viron Kona “Enciklopedinë e Borasit”,19 Maj 2011

Në bibliotekën e parashkollorëve Hasslehus Bibliotekë, Boras, Suedi, 18 maj 2011
Këto vizita dhe takimet e ngrohta me miqtë dhe kolegët e tij në në këtë vend, janë bërë frymëzim pë të të shkruar librat publicistikë me shënime udhëtimi dhe refleksione letrare ”Bukuri suedeze” dhe”Për ju miqtë e mi”. Në këto dy libra, shpalosen bukuritë e rralla të Suedisë dhe veçanërisht ato të qyteteve të saj të papërsëritshëm, Borasit, Goteborgut dhe Vimmberby. Këto shënime, sa letrare aq dhe publicistike, janë sintezë e kulturës dhe historisë, e shpirtit dhe filozofisë, e ëndrrave dhe miqësisë së lashtë midis suedezëve dhe shqiptarëve. Megjithse shumë larg njeri-tjetrit, ata i lidh, jo vetëm ora dhe meridjani, por edhe kultura e historia, edhe shpresa e liria, edhe heroizmi e trimëria ,edhe besa e krenaria…
Protagonistët e këtyre shënimeve udhëtimi janë suedezët dhe shqiptarët, njerëzit e punës dhe shkrimtarët, heronjtë dhe luftëtarët, poetët dhe gjuhëtarët, mësuesit dhe gazetarët, që me punën, dijet dhe shpirtin e tyre të madh , krijojnë ura lidhëse midis kombeve dhe kombësive të ndryshme. Në këto vepra gjen dhe elementë autobiografike. Vetëm nga fjalët që miqtë e shokët e tij shprehin për personalitetin dhe krijimtarinë e Viron Konës, kupton se tek kjo figurë janë harmonizuar bukur dimensionet morale e shpirtërore me ato intelektuale e krijuese. Në qenien e tij janë mpleksur sinqeriteti dhe ndershmëria, talenti dhe përgjegjegjësia për të kryer çdo detyrë, sado e vështirë të jetë ajo. Dallgët e jetës e kanë përplasur herë në maja malesh e herë në pllaja të thepisura, herë në administratën e lartë të shtetit, e herë si emigrant për të siguruar bukën e gojës. Por, nuk është ligështuar e gjunjëzuar kurrë. Kur bisedon me të nga afër, për një çast, shqetësimet dhe hallet , t’i heq si me dorë.

Në foto:Viron Kona
Në buzëqeshjen dhe vështrimin e tij, lexon sinqeritetin dhe kthjelltësinë e mendimit; në fjalën e ngrohtë, dashurinë dhe respektin prej shoku e miku. Me një gotë raki përpara, ai të fut në fantazinë e tij krijuese. Të flet për naracionin dhe, pa e kuptuar, të bën protagonist të tyre, të tregon për personazhet dhe të duket sikur të flet për njerëzit e tij më të dashur. Me fantazinë e tij krijuese, zbulon e krijon realitete të reja dhe karaktere të papërsëritshme. Shkul si me dorë hijet e botës së vjetër. Vret pasionet e këqia dhe ëndërrat e frikshme që mpijnë mendjen dhe shpirtin e njeriut të lirë, mbyll në bodrume veset dhe ligësitë e njeriut, konservon atdhedashurinë dhe besën, mbyt frikën dhe skllavërinë dhe ringjall ëndrrat e bukura e dashurinë. Me personazhë të tillë si Bubulinoja, që rendin si Maratonomaku, me ëndrrën e lajmëtarit të një bote të re, herë në tokë e herë në planetët e tjera të Galaktikës, autori përçon mesazhe të ngrohta progresi dhe zvillimi, jo vetëm për vendin tonë, por edhe për gjithë botën. Nëpërmjet heronjve të tillë, ai përçon guxim e vendosmëri, vrull e mençuri, forcë e dashuri, ëndrra të guximshme dhe krenari, që burojnë nga shpirti i pastër dhe liridashës i popullit shqiptar. Me ëndrrat e Bubulinos në mendje dhe shpirt, V. Kona nisi fluturimin e tij drejt Suedisë, sa të largët, aq edhe të afërt për shqiptarët. Ky fluturim, e bëri me krahë e miq shumë.
Arti dhe letërsia, ëndrra dhe fantazia, kultura dhe miqësia, i ka lidhur ngushtë këta shpirtra krijues, të cilët, si me daltën e skulptorit, gdhëndin shpirtin dhe këngën, gjuhën dhe ëndrrën e njerëzve të lirë. Miqtë e Vironit në Suedi, janë sa të shumtë, aq edhe të rrallë. Ata janë suedezë dhe shqiptarë, gazetarë dhe shkrimtarë, mësues e dietarë, ndërtues dhe veprimtarë. Me ta ndan gëzimet e shqetësimet dhe bashkon zemrat e ëndrrat, për një jetë më të lirë e të lumtur.
Një nga miqtë e tij më të mirë në Suedi është Ulmar Kvik, i cili është dashuruar shumë herët me Shqipërinë dhe shqiptarët. Tek kjo figurë, lexuesi sheh portretin e albanologut dhe të dietarit shumplanësh, që e ndjen veten më shqiptar se shqiptarët, sepse, edhe gjuhën e historinë, edhe kulturën e shoqërinë shqiptare, e njeh dhe e kupton më mirë se vet shqiptarët.

Duke u takuar me albanologun e njohur suedez Ulmar Kvik, prill 2012

Foto të kopertinave të librave “Bukuri suedeze”(2011) dhe “Për Ju miqtë e mi”(2012).

Rektori Per Sjostrand duke marrë autograf nga Viron Kona.
Në krah të djathtë, redaktori i librit Sokol Demaku
Botim I gazetës “Boras Tidning”,19 maj 2o11
Në librat e tij për Shqipërinë ndjen forcën e rezistencës e të krenarisë shqiptare. Në ëndrrat e tij sheh si zgjaten urat dhe duart e bardha të miqësisë e të sinqeritetit, të zhvillimit e të progresit. Ndërsa në mendjen dhe shpirtin e tij sheh si lartësohen kultura dhe mençuria, mirënjohja dhe dashuria, besa dhe thjeshtësia…
Kvik shkruan për shqiptarët dhe e ndjen veten si ata, flet për dhimbjet e tyre dhe trishtohet, përshkruan heroizmin e këtij populli dhe entusiazmohet, zbulon lashtësinë e bukurinë e rrallë të gjuhës dhe të kulturës shqiptare dhe elektrizohet sikur të ishte bir i këtij vendi. Për Ulmar Kvik, Shqipëria ka prodhuar më shumë heroizma se sa grurë. Zinxhiri i heronjve shqiptarë është i pafund. Ata janë Skënderbeu dhe Pirroja, Ismail Qemali dhe Isa Buletini, Sami Frashëri dhe Mitrush Kuteli, Ismail Kadare dhe Petro Marko, Nobelistët, Nënë Tereza dhe Ferid Murati…
Miq të papërsëritshëm shpirtëror për Viron Konën, janë edhe shumë figura të tjera të artit dhe letërsisë suedeze dhe shqipe, si August Stridberg, që ndryshe është thirrur “Ylli i poezisë suedeze”; Astrid Lindgren, për mesazhet e paqes që përçon nëpërmjet Pipi Çorapegjatës, të cilat burojnë nga sentenca filozofike e Viktor Hygosë: ”Plumbat do t’i zëvendësojmë me vota”; Selma Lagerlëf, e njohur në Shqipëri me “Udhëtimin e Nils Holgersonit”, e para grua, anëtare e Akademisë Suedeze dhe fituese e çmimit Nobel.

Në Vimmerby, në parkun e madh kushtuar shkrimtares suedeze Astrid Lindgren.
Dalë në foto me aktoren që luan rolin e Pipi Corapegjatës,19 maj 2011
Poetin e mirënjohur Sadullah Zendeli - Daja, vargjet e të cilit lotojnë nga dhimbja kosovare; poeti, publicisti e prozatori Sokol Demaku, i cili me fjalën dhe penën e tij, i afron njerëzit si me magnet. Miq të rrallë për Konën , mbeten edhe shkrimtarë e publicistë të tillë si Hamit F Gurguri e Bahtir Latifi, të cilët i thurin himn flamurit dhe atdhedashurisë, shpresës dhe lirisë, për të përçuar mesazhin e ngrohtë me vlera universale: ”Kush është pa atdhe, është si zogu pa fole.” Është kjo arsyeja që V.Kona , për shokët e tij në Suedi shkruan :”Paska edhe njerëz të tillë që modelojnë dhe konfigurojnë bukur jetën dhe e bëjnë atë më të mirë e më të ëmbël për vete dhe për të tjerët”. Shumë nga këta miq kanë ardhur edhe këtu në Tiranë, të cilët në biseda e takime, në kafe , darka e pronovime librash, na kanë sjellë nga Suedia e largët mesazhe të ngrohta miqësie dhe atdhedashurie, barazie dhe vëllazërie, shprese dhe lirie. Mrekullohesh, kur mëson se në Suedi, ligji mbron edhe pemët edhe kafshët nga keqtrajtimi e dora vrastare. Por, ligështohesh tepër, kur sheh se, në Shqipëri, jo vetëm kafshët, por edhe njerëzit përçmohen e dhunohen, përndiqen dhe suverjohen. U privohen ëndrrat dhe liria, gëlltiten nga gjakmarrja dhe hasmëria, nga krimi i rrugës dhe makutëria. Për autorin, çdo gjë suedeze është bërë pjesë e shpirtit dhe mendjes së tij. Atë e mbrekullon, jo vetëm bukuria suedeze, por edhe puna e mirëqenia, edhe guximi e ëndrra e tyre për ta bërë atë gjithnjë e më të mirë. Mbresa të veçanta i ka lënë V. Konës qyteti Boras, mbi të cilin lartësohen dhe shumë simbole e monumente, me një brendi të thellë e tepër sinjifikative, si “Pinoku”, që simbolizon luftën kundër hipokrizisë dhe gënjeshtrës, si dhe, “Gërshërët,” që simbolizojnë punën, si burim jo vetëm i mrekullisë suedeze, por dhe i zhvillimit të gjithanshëm të gjithë shoqërisë njerëzore. Për autorin, mik i përjetshëm do të mbetet edhe “Promeksi” suedez, i cili, siç tregon vet, i shpëtoi jetën nga “pushkatimi politik”. Ajo makinë suedeze, që, dje, çante tunele për të bashkuar malet shqiptare, sot krijon ura shpirtërore, mbi të cilat rendin shpresat dhe ëndrrat, dëshirat dhe zemrat e dy popujve me miqësi të përjetëshme.
Viron KONA: Përjetime rreth vëllimit poetik të Vjollca Spahos”Po të shkruaj...”
E hanë, 08 Tetor 2012 14:21
Sokol Demaku
Lulet e Narçizit çelin edhe në dëborë
(Përjetime rreth vëllimit poetik të Vjollca Spahos”Po të shkruaj...”)

Viron KONA
Prej kohësh kam dashur të shkruaj për vëllimin poetik “Po shkruaj...” të shkrimtares dhe publicistes së njohur Vjollca Spaho. E kam “vonuar” shkrimin për këtë libër, (“Kurrë nuk është vonë për të thënë fjalën tënde!”) pasi, kam ndjerë vështirësi dhe përgjegjësi, sepse dëshiroj t`i përgjigjem sa më mirë temës, përmbajtjes dhe mesazheve të fuqishme të librit. Mbase, ka qenë edhe fakti sepse, sapo e kam marrë në duar dhe kam nisur ta shfletoj, më ka përfshirë një dhembje e thellë dhe e heshtur...

1.
Shoh kopertinën ku mbizotëron e verdha në të kafejt e gjetheve vjeshtake. Mbi to, një dorë duke shkruar vargje dhembjeje dhe premtimi të sinqertë, dhe sjell vazhdimisht përpara syve kolegen fisnike Vjollca Spaho, redaktoren e gazetës “Mësuesi”, sot e revistës “Mësuesi”. Unë nuk jam më në atë staf, pasi punët kështu venë dhe vijnë, por, tek mbaj në duar vëllimin “Po shkruaj...”, kujtoj kohën kur, me Vjollca Spahon dhe Andon Andonin, punonim bashkë në redaksinë e gazetës. Diskutonim, këmbenim mendime sesi ta bënim sa më të mirë gazetën e mësuesve, i përkushtoheshim asaj me gjithë zemër, shkrimeve dhe rubrikave, teksa, kur gazeta dilte, e përfytyronim atë të shfletohej nga duart e kolegëve tanë mësues në të gjithë Shqipërinë. Ato çaste, sytë tanë i rëndonte një pyetje e sinqertë e shoqëruar me ankth: “Ju pëlqenë ky numër gazete ?”, “Çfarë mendimesh, vlerësimesh, vërejtjesh keni?” , “Çfarë mund të bënim më mirë ?” Se, dihet gazeta është si zogu. Po e lëshove nga duart, nuk e kap dot më. Si rrjedhojë, në gazetën e shtypur, nuk bën dot asnjë korrigjim ose të ndryshosh diçka...
Vjollca punonte atëherë, si edhe tani me revistën, shkruante e shkruan për gazetën artikuj nga përvoja e saj si mësuese, si inspektore, e, mbi të gjitha si një personalitet letrar e publicistik.
Gjithnjë kanë tërhequr vëmendjen krijimtaria e saj, ku spikat një botë e pasur, plot kulturë dhe ndjenjë, plot vlera ideore dhe mesazhe për jetën dhe më të mirën në jetë, për më të bukurën, për më të madhërishmen... Fjalën dhe mendimin ajo i shndërron në rreze, në vërshime ndjenjash e kumtimesh që të mbeten në mendje. Ajo i laton vargjet mjeshtërisht, i ngjyen me figuracion të vyer poetik, me një figuracion që rrjedhë ëmbëlsisht, në fillim si një rrëkezë e, që, kthehet dalëngadalë në një përrua. Një përrua që rrjedh e rrëshket me rrëmbim mes gurëve e shkëmbinjëve të lumit, duke krijuar në rrugëtimin e tij një muzikalitet tërheqës, një kaltërsi qiellore, freski pranverore. Vjollca ligjëron në vargje, strofa, në çdo faqe dhe, në të gjithë vëllimin.
”Po shkruaj...” shpërthen nga brendësia e tokës, e, pastaj, nis e rrjedhë lehtë - lehtë, ëmbël, si një puhizë, si një aromë luleje, si një dallgëzim i vogël, e, më tej, ngrihet lart-lart e, zëri ligjërues, tingëllon i fortë, kumbueshëm. Poetesha vozit me vargjet e saj mes dallgëve të jetës, drithërohet në vargje si një fije bari që e reh era ...
“PO SHKRUAJ ..” çelet në faqen e parë me kushtimin mëmësor: Yllkës dhe Rajnës. Vjollca, ia kushton këtë libër dy vajzave të saj, dy yjeve të saj, që,kanë krijuar familjet e tyre, kurse Vjollca është bërë gjyshe.
2.
Gjithnjë kam ndjerë vështirësi të shkruaj artikuj vlerësues e kritik për libra, por ndonjëherë edhe kam guxuar. Them se, të guxosh nuk është pak. Sepse po guxove, diçka do ta bësh, një hap përpara do ta hedhësh, doemos, aq më tepër që karakteri i këtij vëllimi poetik të grish, të zhyt në subjektin e tij, ku poezitë të kapura fort për dore, duken se i ngjiten një lëndine, ku jeta shfaqet me tërësinë, larminë, llojshmërinë e saj, por, edhe me të papriturat...Në çdo resht vrullojnë ndjenja. Ndjenja pa fund. Ndjenja të thella njerëzore, veçanërisht për njeriun e dashur...
Një çast, vështrimi më mbetet tek mendimi i shprehur në një faqe të tërë, ku autorja citon një thënie të Spinozës: ”Trishtimi e rrëzon njeriun nga majat e përsosmërisë”. Pastaj, vijoj të lexoj parathënien brilante të mikut, kolegut dhe shkrimtarit Andon Andoni...Vështrimi im nxiton në vargjet e poeteshës, shoqes sonë zemërartë e trimëreshë.
“Trëndafila të bardhë”, është titulli i poezisë së parë, trëndafila që krahasohen me gjallesën më të bardhë, më të dashur, më të bukur, pëllumbin:
Për ty!
Trëndafila të bardhë, si pëllumba fluturojnë,
Ngarkuar me kristale bore e malli të largët,
Vijojnë poezitë njëra pas tjetrës, herë si tingulli i pikave të shiut, herë si një lule fushe, herë si një puhizë flladitëse dhe, që, diku, përfundojnë me merakun e poetes:
”Unë sigurisht, nuk jam vetëm kjo...
Ti merak mos kij,
Se jam fjala, zëri, kënga, dashuria jote.
Mjafton. Lexuesi mbetet një çast. Zë e mendon për ndjenjat e thella të njeriut që ka kaluar një dhembje të madhe e tronditëse; që ka provuar një humbje të rëndë; që e mundojnë kujtime të dhimbshme, male malli. Vjollca poeteshë i thurr vargje njeriut që qëndron i artë dhe i shenjtë në zemrën e saj dhe të fëmijëve të saj, jeta e të cilit, u këput papritmas, si një yll dritëpërhapës, që shuhet në qiellin e pafund...
3.
Zakonisht, librat poetik mund t`i lexosh edhe me pauza, ashtu si edhe vëllimet me tregime. Por, jo këtë libër. Ky vëllim është një ligjërim, një vërshim i pandërprerë poetik, që fillon dhe nuk ndalet. Ai nis dhe, nuk përfundon, edhe kur lexon e përjeton vargjet e fundit. Madje, në mënyrë figurative, ai rifillon në mendjen e lexuesit, sepse bëhet njësh me lexuesin, skalitet në mendjen e tij dhe veçohet mes veprave të bukura. Aty, në zemrën e lexuesit e ka stacionin, sepse, edhe nisja e tij, është nisur nga një zemër. Kam rastin këtu, të perifrazoj thënien proverbiale të Gëtes: “Zemra juaj, do të fitoj shoqe, kur ju del nga zemra ajo që thoni”.
4.
“Po shkruaj...” një gjerdan vjershash, që në thelb përbëjnë një buqetë të freskët lulesh mbi petalet e të cilave ende shndrit vesa e argjendtë. Por, mund të shprehem se, kjo buqetë, përbën edhe një poemë, ku, ashtu si bleta mbledh nektarin, poetesha mbledh e zgjedh figurat letrare që kanë burim shpirtin. Dhe ato rrjedhin të ndritshme, si të duan që, nëpër vargje, të rivalizojnë njëra-tjetrën: metafaora, metonimi, krahasime, epitete..., e deri te forma interesante poetike: haiku.
Shpresoj lexuesi të më japë të drejtë, kur lexon vargjet te poezia “Deti dhe unë”:
”Do të derdh lot nëse duhet,
Për ta bërë më të madh detin,
Do të uluras , sa mundem,
Që dallgët e egërsuara,
ëndrrën të mos ma mbysin.
5.
Në vijim, në faqet e këtij vëllimi poetik, nis e fëshfërin “Era e shfrenuar”, shprehet dëshira poetike “Rri me mua”...., troket poezia “Me gjethe vjeshte”, shfaqet nga thellësia e shpirtit:“Mall dhe dhembje”, ”Do të shkruaj”, ”Po të shkruaj”... Ndalem te kjo poezi, më saktë në vargjet e fundit të saj, që përfundojnë me një metaforë të fuqishme, e të mbushur me drithërima me bukuri tronditëse:
Ndërsa Ti lexo se ç`të shkruaj...
Nuk ka letër më të bukur se ajo,
Që shkruan dhembja për TY
E teksa mbaj frymëmarrjen një çast, vijoj të lexoj: ”Vjeshtë e trishtë”, “Një gllenjkë vjeshte”.
Poetët i kanë thurur vargje jetës dhe ndarjes së papritur me të, por, them se ndjenja e fuqishme e vargjeve në vijim, nuk ka sesi të mos na tronditin emocionalisht:
Pije një gëllënjkë vjeshte
Prej dorës sime
Dhe lëmë, të rrëzohem prej helmit,
Si një gjethe, mbi ty”
6.
Vjollca Spaho jep mesazhe realiste, ndonëse paraqet realitete të dhimshme të jetës: Jeta ka të papritura dhe ato duhen përballuar. Jeta ka dhembje dhe ato duhen shëruar. Jeta ka lot, por..., por, s`është lehtë të ndalësh vërshimin e tyre, madje, ato, ndonjëherë s`ka digë që t`i përmbajë...
E, megjithatë, jeta, duhet të jetohet. Autorja e ndjen gjer thellë në shpirtin e saj të bukur këtë aforizëm, këtë lajtmotiv. Ajo ndjen se, duhet të bëhet e fortë: edhe për veten, edhe për fëmijët, edhe për niprit dhe mbesat, për vazhdimësinë, të ardhmen....
Tek lexon këtë vërshim poetik, bindesh edhe një herë se, poezia është ndjenjë, poezia është mesazh, poezia është rikrijim i përjetimeve më të thella e më mbresëlënëse, poezia është delikate, transparente, e thyeshme, ajo ka vërsnik shpirtin e mirë, shpirtin e butë, të kadifejtë. Në poezitë e Spahos, ndjen rrahjen e zemrës së njeriut të mirë. Lexuesi i ndjen këto rrahje, i respekton dhe i nderon, por edhe mban ritmin e tyre me kujdesë e delikatesë, në vëmendje, në kujtesë. Poetesha dhe lexuesi përjetojnë bashkë idenë, ndjenjën, mesazhin, teknikën e vargëzimit. Përjetojnë bashkërisht figuracionin e shkëlqyer poetik.
Dhe tani dhimbje shumë kam ndier,
por s`jam rrëzuar nga pesha e trishtimit...
Por, s`jam rrëzuar nga pesha e trishtimit...Më pëlqen ta përsërisë këtë varg, që shpreh idenë e qëndresës, idenë e vazhdimit të jetës, idenë se, të përkohshëm jemi fizikisht në këtë botë, por, nuk jemi të përkohshëm shpirtërisht. Shpirtërisht jemi të gjithkohëshëm, sepse, jeta, nuk ka stacion ndalese, ajo ka vazhimësinë te brezat që vijnë, që, në thelb, janë vazhdimi i jetës sonë...
7.
Në një shkrim të vetëm, nuk është e mundur t`i shpreh të gjitha ato mendime, ndjenja të fuqishme që më shkaktuan poezitë, njëra pas tjerës, njëra pranë tjetrës, të gjitha bashkë. Por, them se një shkrim vlerësues, gjithsesi e ka një pikë në fund. E, megjithatë, nuk ka vend ajo pikë, tek ndjenjat, idetë dhe mesazhet e fuqishme që sjellë te lexuesi ky vëllim i dhimshëm dhe njëherazi i mrekullueshëm poetik...
Vjollca Spaho, vijon të krijoj, vijon, bashkë me kolegë, të bëjë revistën “Mësuesi”, një revistë, ku gjithkush do të kishte dëshirë të shihte të botuar qoftë edhe një shkrim; një revistë me vlera të shumta, që i shërben shkollës dhe mësuesve...Në këtë punë të palodhur e brilante, si kurdoherë, Vjollca Spaho rrezaton dritë dhe mirësi, ndjenja të thella humane, gaz njerëzor dhe vrulle për të thënë të vërtetat e jetës...
Fetah Bahtiri: PROMOVIMI I LIBRIT
E diel, 23 Shtator 2012 11:59
Sokol Demaku
Shoqata e Shkrimtarëve, Artistëve dhe Krijuesve
Shqiptarë në Suedi ”Papa Klementi XI Albani”
Libri ”THESAR KOMBËTAR I MËRGATËS
SHQIPTARE NË SUEDI 1,
Për pavarësinë e Republikës së Kosovës”
Kristianstad, Suedi
PROMOVIMI I LIBRIT
më datë 22 shtator 2012 në Kristianstad, Suedi
FJALA E REFERUESIT, PROF. FETAH BAHTIRIT

Shoqata e Shkrimtarëve, Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Suedi ”Papa Klementi XI Albani” del para lexuesve dhe dashamirëve të librit shqip kësaj radhe me librin e saj të parë, të cilin e kanë shkruar një numër i madh autorësh që kryesisht kanë bërë një punë grupore. Libri është emërtuar me titullin ”Thesar Kombëtar i mërgatës shqiptare në Suedi, Për pavarësinë e Republikës së Kosovës”. Ky libër është fryt i mërgatës, e cila gjatë dy decenieve të fundit ka qenë shembull i angazhimit duke i shërbyer atdheut, kryesisht Kosovës dhe për vënien e gurëve në themelin e pavarësisë së saj.
Në këtë libër bukur voluminoz me 480 faqe pasqyrohet denjësisht veprimtaria e bashkatdhetarëve të cilët ishin vendosur këtu në fillimin e viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, pra para dy dekadave.
Libri të cilin po e promovojmë sot ngërthen në vete një dokumentacion voluminoz e të kompletuar mirë, por duhet cekur se kjo është vetëm një pjesë e veprimtarisë së bashkatdhetarëve tanë të cilët jetojnë e veprojnë në Suedi. Shoqata këtu argumenton bindshëm veprimtarinë e shumë bashkatdhetarëve të palodshëm e vetëmohues në realizimin e idealeve dhe qëllimeve shekullore, që Kosova të bëhet shtet i pavarur dhe demokratik. Unë pohoj se autorët e shkrimeve ia kanë arritur qëllimit plotësisht. Këtë pohim e mbështes në materialet e prezentuara në libër.
¨ 
Në këtë libër janë dhënë 7 harta, 261 fotografi dhe 207 dokumente të cilat me
gjuhën e vet ilustrojnë e konfirmojnë gjendjen faktike dhe kontributin e mërgatës shqiptare në Suedi në shërbim të atdheut dhe popullit të vet. Kështu, libri flet me dokumente, është një lloj arkivi i dokumenteve të cilat bindshëm argumentojnë faktet, kontributet dhe të vërtetën. Pra, kjo vepër është libër i fakteve, libër i argumenteve, libër i provave. Këto foto dhe këto dokumente janë dhënë në teknikën bardhe e zi, me çka vlera e tyre është e zbehur.
Përkah struktura, libri është i ndarë në gjashtë kapituj.
Kapitulli i parë bën fjalë për veprimtarinë e bashkatdhetarëve tanë nëpër shumë qytete e regjione të Suedisë. Në këtë kapitull të gjitha temat janë punuar nga grupe autorësh, kurse renditja e materialeve është dhënë sipas rendit alfabetik. Si duket ky ka qenë rregulli dhe përcaktimi i redaktorit. Kështu, kontributet e bashkatdhetarëve, organizimi dhe veprimtaria e tyre është dhënë për qytetet: Borås, Båstad, Falun, Göteborg, Halmstad, Hyltebruk, Hässleholm, Laholm, Landskrona, Lundegård e Lättarp, Smedjebacken, Uddevalla, Vetlanda dhe Ängelholm.
Në kapitullin e dytë gjejmë shkrime bukur të gjata për disa individë të merituar, të cilët vepruan në Suedi e edhe jashtë Suedisë dhe afirmuan shqiptarët si komb dhe integrimin e tyre në shoqërinë suedeze,. Renditja e shkrimeve në këtë kapitull është bërë sipas moshës së individit për të cilin bëhet fjalë në shkrime, duke filluar me më të moshuarin dhe duke përfunduar me më të riun, në rastin konkret me më të renë. Kështu shkrimet jepen për këta veprimtarë: Sadulla Zendelin-Dajën, Fetah Bahtirin, Bedri Pacin, Sejdi Zekën, Shyqri Gjurkajn, Murteza Berishën, Halim Hotin dhe Yllka Sheqirin.
Edhe në këtë kapitull shkrimet janë bërë nga grupe pune.
Ndërkaq, në kapitullin e tretë gjejmë shkrime të individëve si autorë dhe aty hasim tema interesante e të përgatitura mirë. Këtu ka shkrime interesante, autorë të të cilave janë: Ullmar Qvick, Murat Gecaj, Fetah Bahtiri, Prof. Dr. Eshref Ymeri, Ismet Hasani, Fazli Hajrizi, Kadrije Meniqi dhe Gentiana Zagoridha.
Në kapitullin e katërt i gjejmë katër intervista të përgatitura nga Hysen Ibrahimi, në kapitullin e pestë ndodhen poezitë dhe në të gjashtin një novelë autobiografike e autorit Hamit Gurguri, e cila lë përshtypje të jashtëzakonshme.
Në libër kemi shkrime të këndshme për Sesionin shkencor që është mbajtur në Ängelholm të Suedisë më datë 2 qershor 2012 dhe shkrime përkitazi me promovimin e veprës së historianit Jusuf Buxhovit ”Kosova” I, II dhe III, që u bë po atë ditë në të njëjtin vend, autorë të të cilave janë: Sokol Demaku, Qibrije Hoxha, Rizah Sheqiri dhe Hysen Ibrahimi.
Si përfundim, mund të konstatoj se ky libër është i vlefshëm jo vetëm për ditët e sotme, por edhe për kohën e ardhme; jo vetëm për gjenaratat e sotme, por më shumë për fëmijët tanë, për fëmijët e fëmijëve tanë, për historinë gjithpërfshirëve të këtyre muhaxhirëve të ardhur këtu diku nga Ballkani. Gjithashtu unë mendoj se është e vlefshme dhe e dobishme që këtë libër në bibliotekën e vet ta ketë secila familje shqiptare këtu në Suedi, e edhe në tërë gjeografinë shqiptare.
Unë do t`u kisha rekomanduar të gjithë bashkatdhetarëve të prirë në përdorimin e pendës që të shkruajnë sa më shumë libra për veprimtari të ngjashme në ambientet ku ata jetojnë, punojnë e veprojnë, në mënyrë që të lënë një gjurmë prapa vetes, sepse kështu ata i shërbejnë familjes së vet, popullit të vet, atdheut të vet dhe historisë kombëtare.
Dhe krejt në fund, më duhet ta cek edhe një fakt të rëndësishëm: ai që e shfleton këtë libër, në faqen e fundit lexon:
Botimin e financoi
Halim Hoti, Suedi
Unë mund të them me zemër e shpirt: Halim Hoti! Të lumtë! Të falemnderit shumë për kontributin, veprën dhe veprimtarinë tënde
Referuesi,
Fetah Bahtiri
Mehmet Deliu:“Heroina e Popullit” Shotë Galica,
E premte, 21 Shtator 2012 12:06
Sokol Demaku
“Heroina e Popullit” Shotë Galica,
emër nderi e krenarie, emër mburrje e lirie
(Me rastin e 85 vjetorit të vdekjes)

Shkruar nga Mehmet Deliu
Në kuadrin e 100 vjetorit të pavarësisë tonë kombëtare, Bashkia Fushë-Krujë dhe Organizata për Dëshmorët e Atdheut të rrethit Krujë, zhvilluan ceremoninë përkujtimore me rastin e 85 - vjetorit të vdekjes së “Heroinës së Popullit” Shote Galica.
Shote Galica, jo vetëm në këto 100 vitet e fundit, por dhe më herët, përbën një simbol të gruas dhe nënës në mbarë hapësirën shqiptare, që historikisht u përball me ashpërsitë e jetës, që me dinjitet duroi peshën e shekujve të robërisë dhe varfërisë, të lotit dhe gjakut, që nuk u mposht nga asnjë sfidë.
Ato hynë në histori me qëndresën e tyre, ato hynë në këngë me bujarinë e tyre, ato u mitizuan për besnikërinë dhe sakrificat e tyre si Rozafa e kalasë prej guri, si Doruntina..., që bijtë e tyre i nisën në luftë me fjalët: ”kthehuni fitimtarë” e, kur ata ktheheshin të gjakosur nga lufta, fjala e nënave ua miklonin plagët atyre.

Ishte nëna dhe gruaja shqiptare ajo, që i rezistoi të gjitha këtyre dhe nuk u dorëzua. Asaj, i dedikohen të gjitha, para së cilës populli ynë me respektin më të madh duhet të përkulet deri në gjunjëzim-para qëndresës dhe heroizmave të Nënës Shqiptare ! I gjithë ky respekt për nënat tona, denjësisht përcillet në emrin e nënës, në emrin e gruas dhe në emrin e heroinës sonë kombëtare – SHOTE GALICËS, ky emër kaq i madh që zuri vend po aq të madhërishëm e të lavdishëm në historinë tonë kombëtare. Emri Shotë Galica është emër nderi e krenarie, është emër mburrje e lirie për të gjithë shqiptarët kudo që janë. Është dashuri për atdheun, pasion dhe frymëzim i qindra Shotave të reja që ranë me pushkë në dorë . Ato luftuan për çlirimin e atdheut - ashtu si Shotë Galica dikur, dhe ranë për atdhe sa herë e kërkoi domosdoshmëria e lufta çlirimtare, ato ranë me emrin e Shote Galicës në gojë!

Qerime (Shotë) Galica e inspiruar në bëmat e trimëreshave shqiptare e bindur thellë në të drejtën e popullit tonë për të qenë të lirë e vuri pushkën krahut dhe për 12 vjet me radhë nuk u nda nga burri dhe bashkëluftëtari i saj Azem Galica dhe nga shokët e tij. Për 12 vjet me radhë Shote Galica luftoi kundër pushtuesve serbë, austrohungarezë e bullgar. Shota u lind në vitin 1895 në krahinën Radishevë të Drenicës martire, në një familje të varfër por shumë patriotike. Ajo, ishte motër e gjashtë vëllezërve. Babai i saj Halili, ngaqë e kishte të vetmen vajzë, nuk e ndau nga djemtë e tij për asnjë çast. E merrte me vete nëpër kuvende burrash, ku pati fatin të shohë me sytë e saj trimat e kohës si: Isa Boletinin, Shaqir Smakën, Kamer Loshin, Nak Berishën, Mehmet Deliun, Azem Bejtën, e shumë trima të tjerë. Nëpër ato kuvende merreshin vendime që të kërciste pushka mbi pushtuesin serb. Aty këndohej dhe kënga e binte çiftelia për trimëritë e trimave tanë. Shota i binte mirë çiftelisë, si edhe çarkut të hutës. Këndonte si zanë mali, sa edhe të tmerronte me zërin e kushtrimit: ”Ooo, Prite, prite Azem Galicën, o hejjj”... Nëpër ato kuvende Shota njohu Azem Galicën, me të cilin u martua në vitin 1915. Ajo në vend të rrobave të nusërisë, veshi rrobat e burrave, në vend të pajës vuri armën krahut dhe u bë nuse malesh. Në dasmën e saj ishin 300 krushq me 300 pushkë krahut, binin tridhjetë lodra përnjëherësh, kërcenin 300 malësorë vallen e Kaçakëve të malit... Shota që nga ai çast nuk u nda më nga Azemi dhe nga bashkëluftëtarët e tij. Dhoma e saj e nusërisë u bë Çiçavica, stolitë e saj, ishin gjerdani me fishekë rreth belit. Kjo pra ishte Shota – gruaja shqiptare, që nuk u lodh e nuk u tut kurrë para jetës së vështirë të malit, as para flakës së barotit, as para rënies e plagosjes së luftëtarëve të lirisë, as para masakrave që bënin xhandarët serbë mbi popullatën shqiptare. Përkundrazi morali dhe forca e saj sa vinte e shtohej e vetëdijshme se liria e vendit nuk arrihet pa u djegur në flakët e luftës!
E tillë ishte Shota dhe si e tillë vazhdoi këtë rrugë pa u luhatur, as edhe pas vrasjes nga serbët të burrit e shokut të jetës së saj Azem Galicës.
Gjatë jetës së saj prej kaçaku të malit, Shota është ndeshur dhjetëra herë me pushtuesin serb. Janë dhjetëra beteja, me orë të tëra luftime, në pozicione të ndryshme e shumë herë të pavolitshme e të pabarabarta në armatime. Gati në të gjitha rastet, luftëtarët e lirisë kishin dalë fitimtarë, megjithëse kishin pësuar edhe goditje të rënda me humbjen e shokëve. Kjo përballje e Lëvizjes së Kaçakëve të Kosovës me pushtuesin serb nuk ishte e shkurtër, prandaj për Shotën, Azemin dhe bashkëluftëtarët e saj ishin krijuar mite e legjenda: Ishin përhapur fjalë se Azem Bejta bashkë me gjokun e tij po fluturonte, ose se kur thërriste Shota: “Oooo, prite, prite Azem Galicën o heejjj” dëgjohej për tej shtatë malesh e kodrash, ose se Shota me një dorë lufton dhe me tjetrën i bie çiftelisë dhe se plumbat e saj kurrë nuk shkonin huq, mandej thoshin se Azemin dhe Shotën nuk i zë plumbi i shkjaut, e deri te legjenda kulmore qe tregon një guxim e forcë të padëgjuar, kur për të nxjerrë plumbin që kish marë nga serbët, i zgjat nagatin e saj doktorit duke i thënë pa ju dridhur qerpiku: ”qëlloje, se plumbi del me plumb”. Shota luftoi e barabartë me burrat në çetën e Azem Galicës nga viti 1914-1926. Çeta kishte rreth 400 luftëtarë dhe vepronte krahas kryengritësve të tjerë të Kosovës, ku vetëm në Rahovec kishte mbi 10.000 kryengritës. Gjithë Kosova në ato vite ishte kthyer në vatër zjarri, ku në cdo cep luftohej për liri e pavarësi. Çeta e Azemit dhe e Shotës mbajtën të çliruar për një kohë të gjatë një zonë prej disa fshatrash dhe e quajtën “Arbëria e Vogël”. Mizoritë Serbo-Malazese mbi popullin e Kosovës kanë qenë të mëdha. Vetëm në një aksion të tyre ata vranë 12.371 vetë dhe burgosën 22.110 të tjerë, dogjën 6050 shtëpi, ndërsa 10.526 shtëpi u plaçkitën. Në një aksion tjetër Serbët vranë gra, fëmijë e pleq në disa fshatra, nënat me foshnja i dogjën të gjalla, plaçkitën dhe rrënuan kudo, duke mos lënë asgjë në këmbë. Në këto luftime Shota humbi 22 pjesëtarë të familjes së saj: 4 vëllezërit dhe i shoqi u vranë në luftim e sipër, kurse nëna, motrat, nuset dhe fëmijët e vëllezërve u pushkatuan nga forcat shoviniste mizore serbe.
Pas këtyre masakrave çnjerëzore dhe rënjes në fushën e betejës të burrit të saj, Azemit, ajo nuk u gjunjëzua e ligështua, por gjeti forca dhe e udhëhoqi vetë çetën e luftëtarëve të lirisë të Azemit në luftë kundër forcave mizore Serbe. Shote Galica u priu luftëtarëve të lirisë në sa e sa aksione të rrepta ballë për ballë me armikun. Ajo me zërin e saj u fuste tmerrin xhandarëve kur jepte kushtrimin: “Ooo prite, prite Azem Galicën, o heej”... Shota edhe u plagos në luftëra, por morali i saj nuk u thye asnjëherë, kështu duke u bërë shembull e krenari për ne.
Shota në rolin e nënës nuk pati rastin që të gëzoj ledhatimet e djalit të saj i cili i vdiq shumë shpejt pas lindjes, për shkak të kushteve të malit. Mirëpo Shota nuk ndenji indiferent kundrejt kësaj ndjenje, ajo mori me vete ngado që shkoi fëmijët e shokëve të rënë për liri të Kosovës. Ajo për as një çast, nuk i la vetëm ata, duke u bërë nënë e dytë e tyre deri në çastet e fundit të jetës së saj. Shote Galica në fundin e dimrit të vitit 1926, të një dimri të ashpër, e lodhur dhe e dërmuar e me zemër të plagosur, shoqëruar nga bashkëluftëtari i Çetes, Mehmet Deliu e me pak shokë të tjerë, erdhën në Shqipëri, për të marrë vehten me shpresën së do të ktheheshin me pranverën e parë. Ajo u vendos në katundin Shullaz të Krujës. Me vete kishte edhe fëmijët e shokëve të rënë, fëmijë të mbetur jetim të cilët Shota kishte marrë përsipër t’i rritë dhe t’i edukojë me frymën atdhetare. Me shpresën se do të gjente mbështetjen e mbretërisë së Ahmet Zogut ajo u zhgënjye shumë shpejt nga sjelljet e tij mospërfillëse, pasi Shota nuk e dinte, se mbreti Zog ishte borxhli ndaj Krajlit të Serbisë i cili e kishte strehuar, armatosur dhe kthyer nga hotel Bristoli i Beogradit në karrigen e mbretit të Shqipërisë, duke e rrëzuar të parën Qeveri Demokratike në Ballkan - Qeverinë e Fan Nolit!
Në këto rrethana Krajli i Serbisë, pasi kishte dëmtuar rëndë pas 12 vjet lufte Lëvizjen Kaçake të Kosovës së bashku me prijësin e saj, Azem Galicën, kishte kërkesa shtesë pranë mbretërisë zogolliane që të asgjësoheshin edhe rrënjët e kësaj lëvizje në Shqipëri ku Shotë Galica i kishte nën përkujdesje!... Shote Galica e përballur me tmerrin e varfërisë, rrethuar nga harresa, varfëria, mjerimi dhe inferioriteti i një regjimi mbretëror zogollian, i shkroi një letër mbretërisë në fjalë ku thoshte: “ Unë jam Shote Galica- gruaja e Azem Galicës, prijësit të Lëvizjes Kaçake të Kosovës. Gjendem në katundin Shullaz të Krujës, kam dhe katër fëmijë jetim me vete. Janë fëmijët e luftëtarëve të vrarë për çlirim të Kosovës. Jam e shtrënguar të ju vë në dijeni se jam duke vdekur nga uria së bashku me fëmijët jetim!”... Shota, po ndeshej me vdekjen dhe vdekja e saj në atë moshë kaq të re, më shumë pati për pasojë moskujdesin njerëzor ndaj saj, ky moskujdes i qëllimshëm i një regjimi mbretëror antikombëtar kurorëzoi kushtet e një vdekje të parakohshme dhe të pa natyrshme të një gruaje që quhej Shote Galica e cila kishte vetëm 32 vite!...
E sëmurë nga plagët e mara në luftë, në kushte të tilla të vështira ekonomike e shëndetësore, Shota pati ardhur në fshatin Derven të Fushë-Krujës, me shpresën se do të ndihmohej, nga shteti i asaj kohe, por e zhgënjyer thellë, e tradhëtuar dhe e braktisur mizorisht, ajo vdiq më 20 korrik 1927 dhe u varros sipas porosisë së vet, aty ku ishte qendra e Fushë-Krujës dhe rruga që lidhte Shqipërinë me Kosovën.
Pas çlirimit të atdheut, shteti shqiptar, duke vlerësuar lart kontributin dhe sakrificat e Shote Galicës i dha asaj titullin e lartë “Heroinë e Popullit”. Më vonë emri i saj është përjetësuar në shkollën e mesme të Fushë-Krujës si dhe është shpallur “Qytetare Nderi” e Fushë-Krujës.
Është në nderin e Fushë-Krujës ku Shote Galica, jetoi çastet e fundit të jetës së saj, vdiq dhe u varros këtu, duke sjellë me vete historinë e heroizmin saj të pashoq, për të cilat dhe është vlerësuar lart nga gjithë spektri politik, që si qytet, si institucione shtetërore e organizata shoqërore, si komunitet e qytetarë të thjeshtë, që brez pas brezi të kujtojmë e nderojmë jetën dhe veprën e saj si luftëtare e idealeve të mëdha kombëtare shqiptare dhe model për edukimin e brezave të rinj.
Në mbyllje të këtyre radhëve e ndjej për detyrë qytetare e atdhetare, që të theksoj nevojën e një vlerësimi e angazhimi më të madh e të vazhdueshëm, jo vetëm të institucioneve, të organizatave e të komunitetit të Fushë-Krujës, por dhe të Qarkut Durrës e të institucioneve qendrore të Shqipërisë e Kosovës, për ta mirëmbajtur e shndrruar vendvarrimin e saj në një vënd të përshtatshëm, plotësisht të merituar e tërheqës për publikun e gjërë shqiptarë.
Lavdi të përjetëshme jetës dhe veprës së Shote Galicës !
|
|