Dituria

  • Rrit madhësinë e fondit
  • Madhësia normale e fontit
  • Ul madhësinë e fontit
Dituria

Diaspora shqiptare: problemet, organizimi, sfidat dhe projekti Emigranti

Faton Krasniqi

 

Diaspora shqiptare: problemet, organizimi, sfidat dhe projekti Emigranti

 

Kur flasim për diasporën shqiptare gjithmonë mendojm për gyrbetin apo ndonjëherë e përdorim edhe termin mërgata shqiptare. Të flasim rreth historisë së saj ne e dimë se ajo ka ekzistuar edhe para një shekulli në periudha të ndryshme kohore por fluksi më i madh i tyre, sidomos i kosovarëve filloj gjatë viteve 70-ta. Shumica prej tyre u larguan nga vendi për shkaqe ekonomike duke e gjetur vetvetën nëpër vendet perëndimore e sidomos ato gjermano-folëse dhe duke pasur një qëllim "për të punuar dhe fituar para".

Pas viteve 90-ta qëllimet e migrimit të popullatës shqiptare ndryshuan duke ndikuar ndryshimet politike dhe me pas edhe lufta në Kosovë i detyroj që shumë shqiptarë të marrin rrugën e gyrbetit për qëllime të ndryshme. Me rritjen e fluksit të madhë të emigrantëve në shtetet perëndimore pas viteve 90-ta, këto shtete e panë të arsyeshme të përdorin disa programe të cilat do t'ju ndihmojn të huajve në gjetjën e vetvetës në rrethana të ndryshme. Këto programe ata i quajtën integrime që si qëllim kishin organizimin e të huajve në mësimin e gjuhës, angazhimin në punësim, njohjen e përgjithsme të sistemeve të tyre dhe gjëra tjera në interes të emigrantëve dhe shtetit të tyre.

Të rikujtojm se migrimet e shqiptarëve gjatë viteve 70-90-ta kryesisht ishin meshkuj që kishin qëllime të punës dhe përfitimit të parave ndërsa pas viteve 90-ta ata filluan ti marrin edhe familjet e tyre dhe kështu edhe qëllimet e tyre filluan të ndryshonin pasi fëmijet filluan të ndjekin shkollat në një vend të huaj dhe në një forme lindën edhe programet e reja të integrimit të cilat pak a shumë ndikuan në vetëdijesimin rreth çështjeve edukuese ku mundësitë e përfitimit të kësaj forme filluan ti shfrytzonin fëmijët e tyre duke ndjekur shkollat dhe në këtë menyrë pas viti 2000 lindi gjenerata e re e emigrantëve të cilët në shumë vende i quajn gjenerata e dytë.

Pas vitit 2000 programet integruese filluan të rriten dhe dalja e gjeneratave të reja filloj ti tregoj rezultater e tyre me shkollimin në profesione të ndryshme dhe në disa raste edhe kualifikime të larta universitare. Por sa është e kënaqshme kjo arritje dhe si bëhet organizimi i shqiptarëve në diasporë, do mundohem ti jap disa opinione të cilat kanë qëllime të vetëdijësimit në çështjet integruese dhe edukuese duke mos anashkaluar edhe organizimin e komunitetit shqiptar me aktivitetet kulturore.

Në vazhdim do jap mendimin tim rreth termit "integrim" duke marrur edhe disa shembuj. Fjalët për lexuesit besoj se janë të kuptueshme por ndonjëherë po dëgjoj që disa thonë se integrimi i diasporës shqiptare në shtetet perëndimore do sjell asimilim tek shqiptarërt por unë absolutisht nuk pajtohem me këtë dhe sigurisht do jap edhe opinionin tim me disa shembuj se pësrse mendoj kështu dhe përse ne kemi nevojë të integrohemi dhe organizohemi më mirë.

Nëse flasim për gjërat konkrete, siç thashë më herët, shumica e shqiptarëve kemi ardhur në gyrbet për shkaqe ekonomike ”me fitu para” dhe unë them se nëse vërtet është kjo arsyeja atëherë ne pas disa viteve duhet të fitojm një shumë të parave dhe kthehemi në Kosovë por tani unë do ju pyes juve (lexuesve) sa shqiptarë e bëjn këtë veprim me vetëdeshirë? Unë nuk kam statistika të sakta por do jap mendimin tim duke u bazuar nga gjërat që kam parë dhe them se më pak se 5 % kthen me vetëdëshirë prandaj këtu lind pyetja nga ana ime.

Kur ne jetojm në një shtet mbi 20 vite dhe fëmijët tanë lindin e rritën këtu, përse mos ti përshtatemi jetës në shoqërinë ku jetojm duke mos harruar edhe gjuhën, kulturën dhe traditat tona?

Shumica do thonë se ne jemi duke bërë një gjë të tillë por unë faktet nuk po i shoh sepse mediat po flasin ndryshe dhe gjërat po shihen ndryshe (mos ti anashkalojm grupe të caktuara pozitive që nuk mjafton në krahasim me numrin e përgjithshëm sa jemi ne).

Ja disa fakte të cilat na bëjnë të mendojm pak

•Ne duhet pranuar se jemi të huaj në shtetet jashtë atdheut dhe duhet pajtuar edhe me realitetin që jemi në nivelin e dytë edhe në praktik sepse kështu trajtohemi por nëse ne mendojm vërtet kështu atëherë ne duhet mundohemi më shumë dhe integrohemi më mirë që të barazohemi

•Duke qenë pjesë e nivelit të dytë shumica prej neve bëjm punë më të vështira se shtetasit vendas. Kush dëshiron që të bëj një punë më të vështirë? Askush!!! kush dëshiron që dikush ta udhëheq për diqka kur ndihet se është i nivelit të njëjtë? Askush!!! E shumë e shumë shembuj tjerë.Po ku qëndron problemi, që neve na ofrohen punët më të vështira? Edukimi!!!

•Ne duhet ta pranojm faktin se shtetasit perëndimorë kanë arritur të shkollohen shumë më shumë se të huajt që jetojn këtu sepse sistemi i tyre e ka sjellur këtë edukim dhe realiteti dihet se gjithqka është arritur me shkollim. Edhe integrimi në qëllimet tona është pjesë e edukimit

Po kalojm tek përgjigja e shprehjes ”integrimi sjell asimilim” sepse unë thashë që nuk pajtohem absolutisht prandaj e sqarova çështjen dhe ja edhe disa mendime.

•Sa më shumë që ti njohim gjërat në gyrbet aq ma lehtë do kalojm me to

•Nëse ne kemi më shumë durim dhe ndjekim shkollimin atëherë mundësit për punë më të lehtë dhe më të mirë janë shumë më afër

•Nëse ne ”xhelozin” e kthejm në ”mburrje apo përkrahje” ne shumë më lehtë ecim përpara

•Nëse këtë gjëra që i thashë më lartë do jenë pjesë e jona atëherë ne do të fitojm më shumë kohë, më pak shtres, më pak mundim etj dhe në këtë mënyrë do kemi më shumë kohë të mendojm, qëndrojm me fëmijët tonë, familjet tona dhe në këtë mënyrë largohet edhe asimilimi duke i kushtuar më shumë kohë marrjes me çështjet konkrete sesa duke menduar për asimilimin.

•Kur fëmija sheh shembuj të mirë tek prindërit apo merr më shumë këshilla nga prindëri sigurisht që është më afër me kulturën dhe traditat tona

Këto gjëra tregojn se sa më shumë që të integrohemi, aq ma lehtë do e kemi jetën ku po jetojm dhe aq ma larg asimilimit do jemi.

Organizimi

Edhe organizimi në forma të ndryshme ka ekzistuar qysh prej viteve 70-ta por rritja dhe forma organizuese kanë ndryshuar pas viteve 90-ta duke u hapur edhe shumë organizata apo shoqata kulturore. Këto organizata kanë luajur një rol të rëndsishëm në mbarëvajtjen e aktiviteteve kulturore të cilat kanë ndikuar edhe në gjeneratat e reja në ruajtjën e traditave tona kulturore dhe gjuhësore me hapjen edhe të shkollave shqipe me mësime plotësuese.

Kur flasim për vetitë pozitive të organizatave, sigurisht që duhet të mburremi por në anën tjetër duhet të mendojm edhe për vetit negative. Me një fjalë ndoshta nuk mund ti quaj edhe veti negative por le të marrim shembuj të cilët ndikojn negativisht në organizimin e komuntitetit tonë psh xhelozia, mos-bashkëpunimi, mundësitë e pashfrytëzuara, interesat personale etj. Këto veti që i përmenda më lartë ne mundohemi gjithmonë ti fshehim në momentet e duhura dhe ti shpalosim atëherë kur nuk kemi nevojë kështu ato do mbesin gjithmonë të panjohura për komunitetin prandaj edhe unë këtu po e shpreh mendimin tim duke u munduar që këto veti negative ti sjell në veti pozitive.

Ne nuk kemi nevojë të xhelozojm njëri tjetrin në arritjet pozitive (fatkeqësishtë xhelozia në shumë raste ekziston), ne kemi nevojë më shumë që ti ndihmojm njëri tjetrit (fatmirsisht ka shumë raste por mund te ketë edhe më shumë), mos-bahskëpunimi i duhur dhe interesat personale fatkeqësishtë ekzistojn në shumë raste por ne mundohemi që ti fshehim dhe ato gjithmonë do mbetën kështu duke shkaktuar dhimbje jo vetëm tek rrethi i ngushtë por edhe më gjerë sepse ne si komunitet i përbashkët nuk po bëjm aq sa duhet që të kemi një organizim më të mirëfilltë.

Sfidat

Ne kemi shumë sfida përpara nesh, ato janë pjesë të komunitetit tonë të cilat nuk duhet ti lejojm që koha ti marrë me vete por ne duhet të punojmë më shumë që gjërat të shkojnë më mbarë. Unë mendoj se ndër sfidat kryesore që ne kemi përpara janë: shëndrrimi i xhelozisë në përkrahje, krijimi i urave lidhëse në organizimin më të mirëfilltë të organizatave shqiptare duke përfshirë edhe shkollat shqipe, bashkëpunimi me njëri tjetrin dhe institucinet në forma të ndryshme dhe shumë gjëra tjera që sjellin gjëra pozitive për komunitetin tonë.

Pikërishtë për të gjitha këto që i thashë më lartë kam punuar me vite të tëra në krijimin e një projekti i cili quhet Emigranti dhe ka si qëllim kryesor organizimin dhe integrimin e diasporës shqiptare. Më poshtë shkurtimishtë do bëjë prezantimin e këtij projekti me disa pika kryesore.

Çka është Emigranti?

Emigranti është një projekt i cili i dedikohet integrimit dhe organizimit të shqiptarëve në diasporë duke përfshirë informacione, udhëzime, broshura dhe materiale tjera të cilat janë të nevojshme për gjetjën e një rruge sa më të lehtë në shoqërinë e re ku vendosen.

Qëllimi i projektit "Emigranti" është që shqiptarët të cilët vizitojn për herë të parë një shtet të huaj si dhe ata që kanë jetuar më gjatë, të kenë mundësi të qasjes sa më të lehtë të integrimit në shoqërinë e rrethit ku vendosen dhe me gjerë duke filluar nga mësimi i gjuhës, shkollimi, punësimi dhe shumë gjëra tjera të nevojshme për një të huaj që jeton apo viziton një shtet tjetër.

Me pretendimin si ndër projektet më të mëdha që është bërë ndonjëherë për diasporën shqiptare projekti në fjalë ka një fushë të gjerë të veprimtrive duke përfshirë nga 12 seksione në secilin shtet dhe shumë kategori tjera ku për momentin vepron në 19 shtete prej të cilave 7 përfshijnë fushat e integrimit dhe organizimit ndërsa shtete tjera kanë të bëjn më së shumti me komunitetin shqiptar dhe pasqyrën e atij shteti.

Shtetet kryesore që përfshijnë integrimin dhe organizimin janë: Austria, Gjermania, Zvicra, Finlanda, Suedia, Norvegjia dhe Danimarka. Deri më tani janë publikuar mbi 1 000 faqe të webit me punime të ndryshme duke përfshirë edhe rreth 15 broshura me çështje të integrimit dhe edukimit.

Premtimet flasin për një të ardhme që do sjell shumë risi dhe befasira të ndryshme kushtuar diasporës shqiptare. Për momentin një përkushtim më i madh i është kushtuar shqiptarëve në Zvicër duke sjellur pak më shumë materiale në krahasim me vendet tjera por sdiqo që të jetë gjatë tërë kohës publikohen punime të reja nga të gjitha shtetet ku vepron ky projekt.

Ky projekt do ju sjell shumë mundësi konkrete në të gjitha fushat duke ju përkrahur dhe sjellur gjërat e nevojshme që çdo kushë të ketë mundësi të arritjes së qëllimeve të tyre por kjo nuk është e mjaftueshme sepse neve na duhet edhe interesimi juaj, angazhimi, vullneti, durimi dhe pranimi i realiteti duke mos lejuar që të bëhemi pasiv sepse mundësit gjithmonë janë të hapura për të gjithë.

Projekti ka shumë përparsi në të gjitha aspektet si:

•Ne bashkëpunojm me të gjithë që kanë qëllime në interes të komuniteti shqiptar

•Materialet tona bazohet në burime të sakta pra institucionet, organizatat etj

•Ne i përkrahim të gjithë, pa pasur dallime të moshës, politikës, fesë, individuale etj

•Shërbimet tona për të gjithë ju janë falas por sigurisht ndonjëherë edhe neve na duhet përkrahja juaj në forma të ndryshme psh. sponzorimet e bizneseve, përkrahja institucionale, bashkëpunimi i organizatave etj

•Ne kemi programe të veçanta për rininë shqiptare në diasporë

•Ne mundohemi të bëjm atë që ju keni nevojë dhe atë që ju kërkoni

Përveq këtyre vetive pozitive ne kemi edhe përparsitë tjera në internet të cilat ju vetë mund ti vërtetoni dhe shihni se si funksionojn dhe si shembull më poshtë do ti shënojë disa fjali të rëndsishme që mund ti kërkoni në internet përmes portalit www.google.com

Shembull po e marr Zvicrën por ju mund ti merrni edhe shtetet tjera:

Shoqatat shqiptare në Zvicër, Shkollat shqipe në Zvicër, Bizneset shqiptare në Zvicër, Shqiptarët në Zvicër, Edukimi në Zvicër, Ambasada e Zvicrës ne Prishtine, Ambasadat shqiptare në Zvicër etj

(Të gjitha këto mund ti zëvendsoni edhe në bazë të kantoneve).

Shpresoj që mos të kam lënduar askend sepse me anë të këtij opinioni jam munduar ti shpalos disa gjëra të rëndësishme të diasporës shqiptare me qëllim të përkrahjes në arritjen e realizimit të projektit Emigranti që ka qëllime të mira për gjithë komunitetin shqiptar.Për më shumë informacione rreth projekti Emigranti vizitoni webfaqën zyrtare www.gjiganti.com

Faton Krasniqi (Autori ësht themelues dhe zhvillues i projektit Emigranti)

 

 

Sokol Demaku: ”BABADIMRI KOSOVAR” 150 DHURATA PËR FËMIJËT SHQIPTARË NË BORÅS TË SUEDISË

 

”BABADIMRI KOSOVAR” 150 DHURATA PËR FËMIJËT SHQIPTARË NË BORÅS TË SUEDISË

Nga Sokol Demaku

Një traditë shekullore e këtij populli fisnik në festimin e festave të fundvitit edhe sot është prezente dhe ka filluar të aplikohet edhe nga ardhacakët të cilët nuk janë të pakt në këtë skaj të rruzullit tokësor këtu në hemisferen e veriut, pra në Skandinavi konkretisht në Mbretërine suedeze.



Festat e fundvitit këtu në Suedi festohen në mënyrë madhështore dhe ne forma dhe mënyra të ndrsyhme, kësaj tradite kohëve të fundit kanë filluar ti përshtaten edhe shqiptarët. E gjithë kjo në kuadër të integrimit të të ardhurëve në jetën dhe kulturën e vendit ku ata jetojnë dhe në përkrahjen e shtetit suedez dhe komunave ku ata jetojnë, për të haujt respektivisht të ardhurit.

Këtë vit u pa më së miri se sa aktiv janë mergimatrët shqiptar dhe se sa ata kujdesen që edhe me të vegjlit të ndihen të lumtur dhe se me të vertetë dikush mendon dhe angazhohet për ta.



Në këtë dhjetor respektivisht me 19 dhjetor në lokalet e Fjärdingskolan të Borås, në organizim të Qendres kulturore shqiptare ”Migjeni” me seli ne Borås u organizua pritje e Vitit të Ri për voglushët shqiptar dhe mysafirët e tyre femijët suedez dhe kombeve dhe kombësive tjera të cilet vijojnë mësimet në ketë vatër arsimi, në këtë qyetet dhe qytetet për rreth.

Në këtë manifestim moren pjesë mbi 150 voglush shqiptar së bashku me moshataret e tyre me kombësi të ndryshme. Fëmijët ishin të pranishëm në këtë manifestim me recitime, këngë, ndersa për me të vegjel dhe të pranishmit në këtë manifestim madheshtor mbajti një ligjeratë mbi integrimin në shoqëri Mag. Sadula Zendeli Daja.


Daja ishte kujdesur që ky manifestim të jetë sa më madhështor, si Daja di vet dhe ka ambicie.
Pra fëmijët nga qyteti Borås kishin një rast të veçantë, për gëzime, për dallim nga moshataret e tyre shqiptar në qytetet tjera të Suedisë ku ata jetojnë. ”Babadimri nga Kosova” i cili një kohë të gjatë kishte bërë përgatitje serioze për udhetimin e tij në veri në qytetin Borås të Suedisë, në të cilin jetojnë dhe mësojnë shumë voglush shqiptar, në këtë qytet në veri të Europës ku Babadimri u ndau dhurata në një vperimtari të organizuar me këtë rast, këtu në Borås fëmijëve shqiptar, por jo vetëm me kaq, Babadimri u solli edhe shumë të fala nga moshatarët e tyre nga fëmijët e Kosovës, nga fëmijët e vendlindjes, nga Kosova.
”Babadimri kosovar” në thesin e tij të mbushur enkast për voglushët boråsar me dhuarata nga plaka e tij në Kosovë kishte sjellë për ta libra, libër i cili nën përkujdesjen e Sadula Zendeli Daja ishte perkthye në gjuhën suedeze dhe tema e librit ishte  Kryetrimi legjendar shqiptar Skenderbeu në botim të shtëpisë botuese nga Tirana Toena, por Babdimir kishte sjelle më vete edhe përshendetje të perzemerta dhe të ngrohta nga kosovarët për fëmijët këtu.
Kjo ishte një kënaqësi për fëmijët tanë, kjo ishte një respekt për ta, pra në të ardhmën jam i mendimit thotë sadulla Zendeli-Daja se ne duhet të angazhohemi edhe më dhe të jemi se bashku dhe që këto manifestime të jenë sa më mirë të organizuara dhe të përfshihen të gjithë fëmijët që jetojnë në këto anë . Është punë e madhe që të organizojmë manifestime të tilla, ku fëmijët tanë do takohen dhe njihen me njëri tjetrin.


Madhështinë e manifestimit ia shtuan edhe recitimet e përgatitura nga nxënësit i Fjärdignskolan në gjuhën shqipe dhe suedeze kushtuar heroit legjendar Adem Jashari, humnaitares shqiptare Nena Terezë, besës shqiptare e shumë virtyteve tjera të kombit tonë.

Përkthyesi, poeti, shkrimtari dhe publicisti Sadula Zendeli-Daja me këtë rast ndau për miqt suedez libra dhe fjalor suedisht- shqip dhe pasuroi fondin e  bilbiotekës së Fjärdingskolan me fjalor dhe libra shqip, por me pasion u muar edhe fjalori në katër gjuhë dhe me 1000 ilustrime punuar nga Daja dhe botuar nga shtëpia botuese Toena, në gjuhën shqipe-angleze-suedeze dhe italiane.

Tradita mbetet traditë dhe duhet të vazhdojmë edhe ne të ardhmen me këtë traditë e cila, mendojme se duhet të përhapet në të gjitha ato pjesë ku jetojneë dhe frymojnë shqiptarët. Kjo është kerkesë kohe, është kërkesë e cila imponohet nga gjenjda aktuale ne të cilen gjendemi, sepse po të mos vazhdojme kështu ne na pret nje asimilim dhe atëhere do jetë vonë për të nderrmarë dicka në këte drejtim.


Në kryesinë e QKSH ”Migjeni” na thanë se për cdo vit marrin letra perkrahje nga prindër nga regjione të ndryshme të Suedisë kur ata lexojnë e dëgjojnë për këto aktivitetet ë kesaj Qendre në ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës, kulturës dhe traditës shqipe. Një nënë nga regjioni Dallarna thonë ketu tu ketë shkruar dhe ate kërkon që edhe atje nese ka mundësi ky Babadimër të vizitoj voglushët shqiptar, por këta thonë se nuk ka mundësi dhe kushte për një gjë të tillë por ndoshta do ishte me ineteres që ata të cilët janë kompetent për qështjet e mësimit të Gjuhës shqipe apo edhe për aktivitete kulturore të angazhohen por edhe të konatktojnë këta entuziastë këtu në Borås dhe të ndermarrin dic në këtë drejtim.


Pasditja ishte rezervua për takime me miq suedez, në mënyrë që edhe daja por edhe aktivistë të QKSH ”Migjeni” të kembejnë mendime dhe ide për një të ardhme me të mirë të të gjithëve në këtë vend.

Ishte impresionues takimi me Drejtoreshen e Drejtorisë së arsimit të Distriktit të Lindjes së Komunës Borås, Gylsen Özdokan, e cila veq kishte ne dijeni punën dhe aktivitetine të madhit Sadulla Zendeli – Daja.

http://www.tv4play.se/program/nyheterna-bor%C3%A5s?video_id=2252752

 

Murat Gecaj: ME VËLLEZËRIT EMIGRANTË NË SUEDI, KUR FESTONIM 100 VJET PAVARËSI…

 

ME VËLLEZËRIT EMIGRANTË NË SUEDI, KUR FESTONIM 100 VJET PAVARËSI…

-Mbresa-

Nga: Prof. Murat Gecaj

Publicist e studiues-Tiranë


 

Bisedë e ngrohtë dhe miqësore, me Prof. Dr. Sali Berisha, Kryeministër i  Shqipërisë (Tiranë, 29 Nëntor, 2012)

1.

Në një bisedë përmes Internetit,  miku im Sokol Demaku më kishte njoftuar se kolegu ynë i përbashkët, Bahtir Latifi ndodhej në Vlorë, për të marrë pjesë në festimet e 100-vjetorit të Pavarësisë. Gjithashtu, më pare, ai më kishte thënë se, me këtë rast,  po përgatitej një udhëtim i disa vetave, nga Suedia, për në Kosovë dhe, më tej, në kryeqytetin e shtetit të parë shqiptar…

Ndërsa një ditë më pas, pra më 29 nëntor 2012, kur në Tiranë vazhdonin ende festimet dhe veprimtaritë e ndryshme, më mori në celular i njohuri im, biznesmeni me banim në atë shtet skandinav, Halim Hoti. Ai më tregoi se grupi i bashkatdhetarëve nga Suedia ndodhej te Muzeu Historik Kombëtar dhe se prisnin orën e takimit me Kryeministrin e Shqipërisë, prof.dr. Sali Berisha. Sigurisht, pa u vonuar u nisa për  atje. Por, ndërkaq, doja të dija për kolegun e mikun tim, shkrimtarin e publicistin Viron Kona, gjithashtu, i njohur mirë nga ata. Pas lidhjes me celular, mësova se ai ndodhej pikërisht në qytetin e Vlorës, pra ishte e pamundur ardhja e tij që t’i takonte. Kjo sepse bashkatdhetarët tanë do të udhëtonin shpejt, pa u vonuar, një pjesë me autobus për në Suedi dhe pak veta  për në Kosovë.

I pari, që takova në afërsi të Muzeut, ishte Bedri Paci, bashkëfshatar i imi nga Bujani i Malësisë së Gjakovës (Tropoja). Ashtu si dhe me një pjesë të atyre kolegëve, me këtë isha njohur në prill të këtij viti, kur u zhvilluan, në Boras të Suedisë, veprimtaritë  me rastin e 5-vjetorit të Qendrës Kulturore Shqiptare “Migjeni”. Jo larg tij, ishte edhe miku shkrimtar  Fetah Bahtiri, me kolegë të tjerë.  Së bashku, shkuam te një makinë, ku ai kishte lënë disa libra të tijët. Pasi m’i nënshkroi me dashamirësi ata, m’i dhuroi librat: “Dritë, ngrohtësi, optimizëm” (për shkollën shqipe në strehimoren Svenshëgen, Suedi, më 1991-1994), Prishtinë, 28 nëntor 2012  e vëllimin me poezi “Monolog në mërgim” (Prishtinë, 2012), si  dhe librin me disa autorë, “Thesar Kombëtar i Mërgatës Shqiptare në Suedi”-Nr.1, 2012.

Ishte kënaqësi për mua, kur  ritakova  Florije-Lule Bajraktarin, veshur me rroba të bukura popullore, nga  vendlindja e saj, Kosova. Në Boras atë e kisha parë, kur i dhuroi albanologut Ullmar Kvik një pikturë, ku ishte pikërisht një lule, simbol  mirënjohjeje e respekti për të. Ajo më tha se kishte pyetur disa veta, nëse duhej ta veshte e ta mbante rrobën kombëtare, gjatë këtyre manifestimeve. Sigurisht, edhe unë e përgëzova për këtë gjest të bukur e domethënës të saj.

U desh të kalonin disa minuta, që t’i “gjenim” kolegët e miqtë e mi, Hysen Ibrahimin, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve, Artistëve e Krijuesve Shqiptarë “Papa Klemanri XI-Albani”, në Suedi dhe biznesmenin e njohur, në atë bashkësi e më gjerë, Halim Hotin. U përqafova përzemërsisht me të gjithë dhe, pasi koha na priste, shkuam në një lokal, aty afër e pimë bashkë nga një kafe. Temë e bisedave tona ishin festimet e bukura dhe masive të shqiptarëve, në Shqipëri e Kosovë, por dhe në të gjitha trojet tona amtare e në diasporë.

Shënoj këtu se, pasi ata u larguan për në Suedi, publicisti Bahtir Latifi publikoi te faqja e ineternetit “Dituria”(Boras) një reportazh. Ndër të tjerat, aty mësova se në udhëtimin e gjatë me autobus, nga Suedia për në Kosovë, ku arritën më 24 nëntor, vërtet ishin lodhur  ca, por dhe ishin kënaqur: me biseda të ndërsjellta, duke recituar poezi etj. Një ngjarje e shënuar kishte qenë për ta, përurimi i shtatores së “gjeneralit popullor” Isa Boletini, në Mitrovicë. I frymëzuar nga ky rast, aty për aty, Fetah Bahtri shkroi një poezi. Ndër vargjet e saj, po shkëpus vetëm këto:

Këtu, para teje u përkulën beglerë e pashallarë,
Hasan Prishtina, Bajram Curri e Ismail Qemal…
Eu! Sa i madh që qenke, sot gjeneral,
Sikur bjeshkët e Isniqit me mal,
Me flamur buzë Ibrit e Sitnicës,
Zbukuron sheshin e Mitrovicës…


 

Një fofografi e përbashkët dhe e paharruar, nga takimi me Kryeministrin e Shqipërisë, Prof.Dr. Sali Berisha

Kolegu B.Latifi tregoi se, kur ata hynë në tokën e Shqipërisë, 48-vjeçari Enver Krasniqi, që shkelte këtu për herë të parë, u emocionua shumë. Prandaj u ul në gjunjë dhe e puthi tokën tonë amtare!

Gjithashtu, gjatë bisedave tona të ngrohta, më treguan plot emocion për  mbresat e shumta, nga pjesëmarrja në festimet e organizuara në Vlorën e Ismail Qemalit. Më 28 Nëntor 1912,  aty e kishin nënshkruar Aktin Historik të Pavarësisë Kombëtare edhe disa delegatë nga Kosova, pra Sali Gjukë Dukagjini, Bedri Pejani e Rexhep Mitrovica, por dhe Mid’hat Frashëri, përfaqësues i saj. Në mbështetje të fortë dhe të palëkundur të kësaj ngjarjeje madhore, në historinë tonë mbarëkombëtare, kishin qenë edhe Isa Boletini, Hasan Prishtina e Bajram Curri, ky i fundit në pamundësi për të qenë i pranishëm aty, nga rrethanet e krijuara, sidomos në Veri të Shqipërisë.

2.

Me mendimin e afrimit të orës së takimit, me Kryeministrin Sali Berisha, udhëtuam për atje me një autobus të linjës qytetëse. Sapo arritëm te porta e hyrjes, nëpunësit e atyshëm na treguan se kishin dijeni të saktë për pritjen  e parashikuar. Pasi u kryen formalitetet e duhura, bashkë me këtë grup, hyra edhe unë në mjediset e Kryeministrisë. Të  jem i sinqertë me lexuesit, edhe pse i moshuar, nuk më kishte takuar ndonjëherë rasti të shkoja në zyrat e Kryeministrit të Shqipërisë. Ndërsa kisha takuar në zyrën e tij disa herë kolegun publicist, Qemal Sakajeva, nëpunës pranë atij institucioni të lartë shtetëror të vendit tonë. Pra, ashtu si kolegët bashkatdhetarë me banim në Suedi, kjo përbënte një ngjarje të rrallë për mua. I pari, që njoha, ishte Neritan Ceka, këshilltar aty dhe që e kisha patur bashkëstudent, në Faklultetin Histori-Filologji të Universitetit të Tiranës, unë për gjuhë-letërsi dhe ai për histori. Më vonë u bë arkeolog i dëgjuar, si i jati Hasan Ceka, por dhe politikan e deputet në Kuvendin e Shqipërisë.

Kishim zënë vend të gjithë afër kabinetit të Kryeministrit… Sakaq, nga dera përballë doli prof.dr. Sali Berisha, i qeshur  dhe plot energji. U takua me radhë e përzemërsisht  me gjithë të pranishmit. Ai na uroi mirëserdhjen e iu drejtua të tjerëve, nëse e dinin që unë e kisha patur atë nxënës, në shkollën 7-vjeçare të fshatit Tropojë, në vitet ’50-të të shekullit të kaluar. Ndërsa unë iu përgjigja atij, me faktin, tashmë të njohur: “Dhe, të kemi patur nxënësin më të mirë të shkollës!” Ç’është e vërteta, pa u zgjatur, shënoj këtu se ne kemi patur takime e kemi mbajtur lidhje të mëvonshme edhe familjare, për arsye të vendbanimit në një lagje të Tiranës, të profesioinit të tij mjek zemre ose të detyrës sime në shtyp.

Dr.Berisha foli për festimet madhështore të 100-vjetorit të Pavarësisë, për nderimin e veçantë, që iu bë shumë figurave të shquara atdhetare etj. Por edhe u interesua posaçërisht për punën dhe jetën e këtyre bashkatdhetarëve, me banim në Suedinë mike. Siç e kam shënuar dhe në një shkrim të mëparshëm, e falënderuan Kryeministrin për pritjen e ngrohtë, Hysen Ibrahimi e Qibrije Hoxha. Pasi të gjithë së bashku bëmë  një fotografi me Kryeministrin, ky i përshëndeti një për një të gjithë pjesëmarrësit në këtë takim dhe i uroi ata përsëri,  për festën e përbashkët të Flamurit dhe për arritje sa më të mira, në jetën e përditëshme.

Kur po delnim nga hyrja e Kryeministrisë, me një çantë në shpinë, gjetëm arsimtarin dhe shkrimtarin e njohur Hamit Gurguri, gjithashtu, emigrant në Suedi. Ai ishte kthyer nëpër Durrës, pas udhëtimit të kryer më këmbë, që nga Kosova e deri në Vlorë. Sigurisht, atij i mbeti merak, që nuk arriti të ishte i pranishëm në takimin me Dr. Berishën.

Për korrektësi, shënoj këtu, se në takimin e mësipërm me Kryeministrin, prof.dr. Sali Berisha, ishin: Hysen Ibrahimi, Qibrije Hoxha, Fetah Bahtiri, Osman Ahmetxhekaj, Rrahman Rrahmani, Florije-Lule Bajraktari, Bedri Paci, Bahtir Latifi, Bajram Muharremi, Shaban Murseli, Adem Ahmeti, Halim Hoti, Mursel Shkupolli dhe unë.

3.

Në vendtakimin e parë, pra në afërsi të Muzeut Historik Kombëtar, ku kishim bërë edhe disa fofografi për kujtim, u ndava me të gjithë ata kolegë e miq të dashur, duke i falënderuar  sinqerisht për nismën e tyre të bukur, realizimi i të cilës, padyshim, kërkoi nga të gjithë edhe lodhje të shumta fizike, por që u solli atyre mjaft kënaqësi shpirtërore dhe kujtime të paharruara. Sigurisht, për ato, ata do t’u tregojnë familjarëve e të afërmve dhe gjithë të njohurve të tyre, si në Suedi, por dhe në Kosovë e më larg.

Në mbyllje të këtyre pak radhëve, i përshëndes nga zemra të gjithë këta vëllezër bashkatdhetarë, të cilët morën udhën për në Tiranë e deri në Vlorë dhe që festuan e gëzuan bashkë me ne, në 100-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë!

Tiranë, 11 dhjetor 2012

 

 

Kadri Tarelli: MIQ NGA SUEDIA, KOSOVA E KALABRIA NË SHKOLLËN “ILIRIA”. PLAZH. DURRËS

 

Miq në shkollën “Iliria”

Durrës më 12. 12. 2012

 

MIQ NGA SUEDIA, KOSOVA E KALABRIA NË SHKOLLËN “ILIRIA”. PLAZH. DURRËS


Veprimtari të shumta u zhvilluan nëpër të gjitha shkollat e Durrësit, me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë. Për të qënë të saktë i gjithë viti ishte i mbushur me të tilla “ngjarje”, që kulmuan në ditët e fundit të nëtorit, të cilat i dhanë qytetit një gjallëri të pazakontë e që do të mbetet gjatë në kujtesë. Që u bënë festime në të gjitha shkollat nuk përbën gjë të veçantë, pasi kudo ishin përgatitur me kujdes programe që t’i shkonin përshtat kësaj dite të “Shenjtë” të shqipatrëve, por kur thua se së bashku me ne festuan edhe  suedezë, kosovarë dhe kalabrezë, atëherë duhet ndalur pak. Jo të gjithë e kishin këtë fat dhe mundësi, që mes tyre të kishte edhe miq kaq të rrallë.

Me ftesë të Flamur Panaritit drejtor i shkollës jopublike “Iliria” në Plazh në Durrës, miqtë nga suedia, Kosova e Tirana kryen një vizitë pune në mjediset e shkollës, ku gjetën një mjedis festiv. Suedezët miq ishin, Per Kettsen drejtori i shkollës “Fjardingskolan”, Sonja Persson mësuese në këtë shkollë, bashkë me ta edhe shqiptarë nga Kosova me banim në Suedi, si Sokol Demaku mësues, poet, shkrimtar, publicist, drejtues i radios lokale në gjuhën shqipe, botues i revistës “Dituria”, me ta edhe shumë i njohuri Sedulla Zendeli-Daja, shqiptar nga Maqedonia, shkrimtar e poet, hartues i fjalorit shqip-suedisht me 27.000 fjalë. Shumë e veçantë ishte pjesmarrja e Hamit Gurgurit, shkrimtar dhe përkthyes, i cili u nis nga Suedia, mbrin në Kosovë dhe i bashkëngjitet grupit të flamurtarëve që shkonin në këmbë për në Vlorë, si Isa Boletini me plot luftëtarë kosovarë këtu e 100 vjet të shkuar. Në festë ishin të ftuar edhe nga Kosova, poeti Adem Zaplluzha dhe Kadrije Meniqi drejtore e shkollës “Isa Boletini” në Vushtri. Si të ftuar bashkë me miqtë erdhën edhe shkrimtarë e publicistë nga Tirana, si Murat Gecaj, Viron Kona, Ibrahim Hajdarmataj, Bashkim Saliasi dhe Petrit Xhaja. Së bashku, shoqëruar me miqtë ishte edhe Avdyl Buçpapaj drejtor i shkollës “Demokracia”, i cili pati kënaqësinë t’i kishte më parë të gjithë pjestarë të festës në shkollën e tij.

Ishin mësuesit dhe nxënësit e shkollës “Iliria”, që pritën e përejtuan kënaqsin, që festës t’i shtohej lezeti me miq të ardhur nga larg kastile për këto dit të shënuara. Shumica e vizitorëve vinte për herë të parë këtu, ndaj mbetën të befasuar nga kushtet e krijuar për mësim dhe edukim, duke filluar që nga korridorët të shtruar me tapet e më tej nëpër klasa, bibliotekë e laboratorë, të gjitha të paisura më së miri. Interesimi i miqëve suedez ishte kryesisht për lëndën e matematikës, për të cilën kërkojnë të marrin përvojën e shkollave tona. Por kënaqësia më e madhe u ndje kur u vizitua parku rreth e qark shkollës, ku, pavarësisht se jemi në prag fillim dimri, gjejmë një gjelbërim të harlisur të barit, portokallave, limonave dhe drurëve të ndryshëm. Në mes të këtij “oazi të pyllëzuar”, ndeshim me kafazë të mëdhenj të mbushur me shpendë dhe kafshë të egra, e për të vazhduar me “liqene” ku notojnë mjelma të bardha e të zeza. Është një mrekulli e vërtetë, një mjedis që e vlen të merret si model, pasi aty nxënësi mëson dhe edukohet me ndjenjën e të bukurës dhe të dobishmes.


Nj bisedë mes miqsh, Per Kettesen u shpreh i mjaft i kënaqur nga mikpritja shqiptare, njëkohësisht i habitur nga ky mjedis i mbajtur kaq mirë dhe i ujdisur kaq bukur, që është në kontrast me gjendjen dhe pamjen e rrugëve dhe lagjeve të qytetit. Është një plagë që na dhemb të gjithëve, ndaj pikërisht këtu ndërhyn drejtor Flamuri, duke shprehur nevojën për shkëmbim përvoje, në mënyrë që  të përfitojmë nga shembulli i shkollës dhe i vendit të tyre. Pasi ndjehet shqetësimi si mësues e si qytetar sepse përpiqen të  edukojnë brenda shkollës dhe më pas përplasen me pamjen e shëmtuar, kur dalin në mjedisin e qytetit. Shkollat tona kanë nevojë të njihen me format e punës që ndjekin kolegët suedez, sidomos për krijimin dhe ndërtimin e marrëdhënive të bashkëpunimit demokratik mësues-nxënës-prindër-komunitet, mbase më së shumti, për edukimin e nxënësve që të zbatojnë kudo e kurdoherë norma qyteatrie. Të gjithë kanë nevojë ta shohin e ta prekin në vend demokracinë suedeze, e cila është kampione dhe qendron në majë të të gjitha vendeve të botës. Mes të tjerave, u diskutua gjatë dobia dhe hartimi i projekteve pa të cilat shkolla nuk ka zhvillim të qëndrueshëm. Megjithëse siç shprehen suedezët, s’mjafton një projekt i mirë, po nuk u zbatua deri në fund.


Dy dit më vonë në festimet e100-vjetorit të pavarësisë, në shkollë u ndodh edhe grupi folklorik kalabrez “Figli dell’akuila”, e përkthyer në shqip: “Të biltë e shqiponjës”, i ardhur nga Italia. Grupi përbëhej prej njëzet e pesë pjesëmarrësish dhe po niseshin për të marrë pjesë në festimet në Tiranë. Kur dëgjuan muzikë u kthyen, përshëndetën, u takuan dhe u përqafuan si vëllezër të një gjaku, me mësuesit dhe prindërit pjesëmarrës. U ngjitën në skenë dhe kënduan dy këngë shumë të bukura. Kënga “Ne jemi arbëresh” na drithëroi të gjithëve. Kishin kaq shumë emocione, pavarësisht se ishin ngjitur kushedi sa herë në skenat e botës. Siç u shprehën në shqip Paskuale Bruno. President Gruppo Folk “Figli dell’akuila”. “Të biltë e shqiponjës” dhe Francesko Pellikano Sindako Di Fraskineto. Prov. Cozenza. Calabria, ata kishin shumë dëshirë të qëndronin më gjatë, të ndiqnin të gjithë koncertin e të kënaqshin me këta djem e vajza si yje, që të veshur me Kostume kombëare këndojnë e kërcejnë kaq bukur. Ishte bukur ! Vërtet bukur, kur feston me miq që vijnë nga larg, e sidomos kur janë edhe të gjakut tënd.

Takimet me miq të largët ndodhin rrallë, por suedezët, kosovarët dhe kalabrezët do të mbeten gjatë në kujtesën e mësuesve, nxënësve dhe prindërve. Ishte 100 vjetori i Pavërësisë që na bashkoi.

Të bashkuar të festojmë edhe mijra përvjetorë të tillë !

 

Kadri Tarelli

Durrës

 

 

Viron KONA: Ju dua, më shumë se veten !

Ju dua, më shumë se veten !

Duke lexuar vëllimin poetik “Ditari i dhimbjeve”, të Sadulla Zendeli - Daja

Shkruar nga Viron KONA

Duke bashkëbiseduar me prof. Murat Gecaj, teksa pinim nga një kafe dhe uronim njëri-tjetrin për Ditën e Mësuesit - 7 Marsin, erdhi biseda te Sadulla Zendeli - Daja. I thashë Muratit, se kisha shkruar diçka për të, nisur nga libri i ndjeshëm i poetit dhe gazetarit Bahtir Latifi. Shtova, se në atë libër më bëri përshtypje përshkrimi dhe jeta e këtij njeriu dhe, unë, ndonëse nuk isha pasur rastin ta njihja, u shpreha me fjalë zemre për të. Kisha lexuar që Sadulla Zendeli - Daja, kishte qenë i detyruar të linte vendlindjen nga rrethanat e kohës, dhe, që nga viti 1966, ndodhet me banim në Suedi, qytetar i këtij vendi nga më të përparuarit e Europës dhe botës. Nga jetëshkrimi që bënte Bahtiri për këtë njeri zemërmadh, më kishte bërë përshtypje të thellë jeta e tij interesante në mërgim, e pajisur me një fuqi njerëzore, gati e mbinatyrshme, jetë të cilën mund ta besosh dhe të materializosh vetëm tek njerëz me zemër të artë, me karakter të fortë dhe të qëndrueshëm, njerëz me vlera të gjithanshme, që në çdo kohë janë të gatshëm të çlirojnë dhe emetojnë energji të mëdha pozitive e njerëzore në fushat e jetës: në punë e arsim, në kulturë e veprime humane, në ndihmë të atyre që kanë nevojë për një nxitje, për një fjalë të mirë, për një kapje për dore, sa të mësojnë të ecin vetë. Shembulli dhe jeta e këtij njeriu, ato çfarë shkruhen për të në librin e Bahtirit, të bëjnë të mendosh se, shqiptari, me forcën dhe vullnetin e tij, mund të arrij gjithçka. Sadulla Zendeli - Daja, është modeli dhe shembulli më i mirë për të ecur gjithnjë përpara në këtë jetë dhe që nuk ndalet asnjëherë në rrugën e tij, sikurse, nuk i frenon asnjëherë forcat, energjitë, ëndrrat, dëshirat për të bërë më të mirën për njerëzit.

Pasi mbarova këtë ligjëratë plot pasion për Sadulla Zendeli - Daja, prof. Murati më tha se, e kishte takuar Sadulla Zendeli ( Daja ), në Panairin e 14-të të Librit, “Tirana - 2011”, ku siç u bë e njohur nga shtypi, morën pjesë rreth 90 shtëpi botuese dhe shumë autorë të gjinive dhe fushave të ndryshme të letrave. Sadulla kishte ardhur të përuronte një fjalor suedisht - shqip dhe librin me poezi të përmendur më lart me vjersha, “Ditari i dhimbjeve” ( me redaktor e hyrjen, nga Skënder Hasko ). Kështu që, edhe kureshtja ime për të mësuar më shumë për këtë njeri, erdhi duke u rritur. Në bisedë prof. Murati, më shpjegoi, se përse shqiptarët në Suedi, e thërrasin Sadulla Zendeli – Daja. Ai ka punuar atje për formimin e Shoqatës “Iliriada” dhe çeljen e shkollës së parë shqipe, në vitin 1975. Gjithashtu, për t`u ardhur në ndihmë emigrantëve shqiptarë, ai hartoi një gramatikë shqipe dhe fjalorin e parë suedisht - shqip, në vitin 1994, me 17 mijë fjalë dhe më pas një tjetër me 28.500 fjalë. Gjithashtu ai ka përgatitur edhe një tekst gramatike, për nxënësit e klasave I-IX; një fjalor për fëmijë, shqip - suedisht, me ilustrime të shumta dhe që i mësojnë fëmijët sesi ata të njohin botën nëpërmjet një atlasi të përpiktë dhe shkencor gjeografik që titullohet: “Bota në pëllëmbë të dorës”. Krahas këtyre, Sadulla ka publikuar tregime në revistën shqipe “Besa”, është angazhuar me drejtimin e bibliotekave të disa shkollave, ka shkruar një katalog të librave në gjuhën shqipe dhe gjuhët tjera ballkanike, që ndodhen në bibliotekat suedeze, ka hartuar tekst për “Historinë e shqiptarëve, nga viti 600 p e re dhe deri më 1973”…
-Sigurisht që Bahtir Latifi, poet dhe gazetar i talentuar, ka shkruar gjithçka mirë dhe bukur për portretizimin e karakterit të këtij personaliteti shqiptar në Suedi, - shtoi prof. Murat Gecaj, - por Sadulla ka botuar edhe libra. Madje, unë kam edhe një fotografi me të dhe një libër të tij, për të cilin, ti si shkrimtar, ke mundësinë të shprehesh më shumë.
U entuziazmova nga ky mendim dhe iu futa leximit të librit poetik “Ditari i dhimbjeve”.
Isha ende në faqet e para dhe, teksa lexoja, për një çast mbajta frymën:
“Ndërkohë këpucët,
shkelnin mbi shpirtin e pafajshëm”
Mjaftojnë këto vargje për të thurur një roman të tërë, një roman emocionues, të dhimshëm, të vërtetë, siç është dhe vjen jeta për shumë njerëz në këto botë. Padrejtësi ? Sigurisht që po. Dhe, poeti, Sadulla Zendeli - Daja, sikur na thotë: Nuk duhet vepruar kështu, nuk duhet dënuar njeriu padrejtësisht, sepse jeta e njeriut është e shtrenjtë, si vetë natyra, fusha, malet, deti, zogjtë, pemët, lulet, njerëzit e mirë, përrenjtë gurgullues dhe të kulluar. E lini jetën të vijojë, të jetoj si përroi, si lumi, mos ia prisni rrugën, mos e shkelni dëborën e bardhë, mos e fikni zjarrin e jetës, mos i shuani yjet dhe dritat, se jeta duhet të vazhdojë....

Emigracioni një fatkeqësi. Veçanërisht në fillimet e tij, një zgjedhë, një vështirësi, një karantinë. Edhe më pas, jo se është më i mirë, por dukja është më e mirë. Njerzillëku i atyre që ke përreth mund të jetë i mirë, sepse varet ku je, në cilin vend dhe në cilin shoqëri do që të ndërtosh jetën dhe ardhmërinë tënde dhe të fëmijëve. Ka nga ata që rezistojnë, ka nga ata që tërhiqen. Ka nga ata që mbeten në mes të rrugës. Por, jo mëshirë, por forcë, karakter, besim, shpirtmadhësi. Tregoje veten se kush dhe cili je, mos u dorëzo, se kudo që të shkosh do të gjesh njerëz të mirë, që do të të duan, do të të afrojnë dhe do të ndihmojnë. Nuk duhet të na vijë turp kur na ndihmojnë, se të gjithë njerëzit kanë nevojë për ndihmë. Askush nuk është i përkryer. Por, mëshirë ? Jo ! Jo mëshirë, sepse, pastaj, vlera e jetës shumëzohet gjatë gjithë kohës me mëshirë, dhe mbetesh i mëshiruar. Të mëshiruar jemi vetëm përpara Zotit. Përpara njeri - tjetrit, jemi dhe duhet të jemi krenar dhe harmonik, ta duam, ta respektojmë dhe ta mbajmë të pastër qenien tonë, ekzistencën tonë, shoqërinë tonë njerëzore.
Kërkojmë nëpër hapësirën kozmike të pafund qenie të gjalla, qenie si ne ! Pse ? Sepse na duket vetja “të vetmuar”. Sepse na duket vetja se, në të gjithë këtë Gjithësi, jemi vetëm ne dhe kemi nevojë për shokë e miq.
Por, jemi afro 7 miliardë ! Nuk i gjejmë dot shokët dhe miqtë këtu ku jemi !? Sigurisht, por duhet të kujdesemi ca më shumë për vetveten si njerëz, të nderojmë e respektojmë më mirë veten dhe llojin tonë...Por, edhe të kërkojmë respektin nga të tjerët. Bota është ekuilibër, harmoni.
Jeta ka plot çaste. Mos vallë gjithnjë jemi të gëzuar? Mos vallë gjithnjë jemi të mërzitur e trishtuar? Mos vallë gjithnjë jemi të qetë? Mos vallë gjithnjë jemi nervoz dhe të zemëruar? Të gjitha këto i kemi. Kjo është jeta, me gëzime e hidhërime, me dhembje e kënaqësi, me bukuri e harmoni, me dashuri vëllazërore mes nesh. Qoftë kjo fjalia e fundit përherë!
Njeriu është qenie e natyrës. Njeriu ka jetën e vetë, hallet e veta, vazhdimin e vetë, qëllimin e vetë. “Nuk është kollaj të sakrifikosh dhe të braktisësh të gjitha, sepse dikush është në vuajtje edhe mundim !?” Por, ama, po e bëre këtë, je, mbi, të gjithë. Je i fituar, je i lumtur, je i nderuar, je NJERI. Ke fituar mbi jetën, ke fituar mbi vuajtjen, ke fituar mbi fatkeqësinë. “Kush shpëton një jetë, ka shpëtuar një botë”. Rroftë jeta ! Këto kuptoj unë nga Sadulla Zendeli - Daja. Prandaj dhe përpiqem t`i thur himn mendimit dhe veprimit të tij poetik.
Te “Plepat”, një ngjarje tronditëse, një ofshamë që ngrihet në kupë të qiellit, nga vuajtja dhe nga “tytat mbi të pafajshmit”. Mbi të pafajshmit, sepse, në regjimet diktatoriale, tytat e zeza, vetëm ndaj të pafajshmeve drejtohen, kurse përpara të fajtorëve të vërtetë, shtrohen sixhade, vendosen poltronë dhe qenë-rroje, që ata të mos “bezdisen”; kërcasin tapat e shampanjës, përhapen “aroma” deliresh, vinë rrotull si hienat servilët e uritur, shërbëtorët besnikë, vrasësit, kaubojësit – pistolierë, xhonglerët, fundërrinat:
“Më mirë të na mbysë uji Vardarit tonë,
se pushka e armikut shekullor.”
“Plepat qiellgërvishtës ulnin kokën,
Dhe lëshonin lotët e fundit të vjeshtës së përgjakur...!?”
Sadulla Zendeli – Daja, përdor mjeshtërish, një figuracion të pasur metaforik, madje të mrekullueshëm në gjetje artistike, të dhimshëm në përmbajtje:
“Qengjat e braktisur blegërijnë,
Gjaku mbi barin e njomë pikturon,
peizazhin e pranverës”.
Theksi i poezisë së Sadulla Zendeli - Daja, është atdhetar. Atij i qan zemra për Kosovën martire, por është edhe krenar, sepse ajo e fitoi pavarësinë, me forcën dhe mundin e vetë, me gjakun vetë...Dhe, ja, si vjen refreni:
“I bini çiftelisë, atë dëgjojnë malet tona,
Këndoni këngën e lirisë, Këngën e pavarësisë...”
Një mendim i përparuar human dhe njerëzor, një mendim i ëndërruar nga mendjet më të ndritura të kombeve, që nga Viktor Hygoi dhe të tjerë pas tij:
“Evropa e Bashkuar”.
“Aty të jesh edhe Ti, Kosova ime,
o gur xhevahir i zemrës sime !”
Një atdhetar i vërtetë, i cili ndjen dhimbje për atdheun, për gjithçka të tij, për njerëzit, lisat, lumenjtë e përrenjtë, të afërmit, trimat.., për gjithçka jetësore, jetike, të afërt, për vetë jetën...E cila gjë duhet më shumë se drita e syrit ? Dhe krahasimi poetik vjen tek vendlindja, te Kosova e dashur:
“O Kosova jonë mrekulli,
Që të kemi dritë në sy !”
Vjersha “Thirrje”, natyrisht që është një lajtmotiv i poetit, një këngë zemre, që, ai, do që të realizohet dhe, për këtë ai punon, për këtë ai përpiqet, sakrifikon, nuk pushon, nuk lodhet, ëndërron dhe dashuron çdo gjë të bukur, që i shërben të ardhmes së vendit të tij. Natyrshëm te Sadulla Zendeli – Daja, bashkohet ëndrra me realitetin, dëshira me punën konkrete, thirrja për punë, përpjekjet e sakrifica. Prandaj ai hap shkolla shqipe, harton fjalorë shqip, me fjalë e shprehje, sa më të freskëta dhe burimore, sa më shumë, që fëmijët të mësojnë, të duan dhe të dashurojnë gjuhën e tyre, të të parëve, gjuhën që do të t`ua mësojnë edhe brezave të ardhshëm, gjuhën shqipe...
“Me alfabetin tonë të shkruajmë historinë,
Me pushkë e penë,
Të mbrojmë lirinë !”
Figurat letrare janë të gjetur, krahasimet janë të figurshëm, emocional dhe origjinal, aq, sa, herë - herë nuk kanë shokë:
“Se fillikat kam mbetur,
Si një pemë vetmuar...”
Më kanë mbetur në mendje vargjet:
“Nuk jam i vdekur,
Por, edhe kur të vdes,
I gjallë do të mbetem.
Po të më shpien të prehem në vendin tim,
Aty do të vijë jehona e fjalës shqipe,
E qeshura a vajtimi i vendasve të mi,
Dhe do të ndihem vërtetë njeri !
Në vendlindje, edhe të vdekurit gjallojnë.”
Këto vargje, nuk di pse më sjellin ndërmend disa vargje të poetit hungarez, Shandor Petëf:
“Dhe në ndodhtë që pas një gërrqe,
Sytë e vdekjes të pikas,
I them: Bujrëm, nënëmadhe,
Hiqmë shtegun të vijë pas !”
Por, poeti shqiptar “Daja”, ka thellë brenda në shpirt një dëshirë ndryshe, me një mendim sa shpirtëror, që rrjedhë i ngrohtë nga zemra, aq edhe surrealist, që e bënë poezinë e tij, jo vetëm të komunikueshme, por edhe moderne. Ndryshe nga vargjet e Petefit, i cili sigurisht që ka një lajtmotiv tjetër në vargjet që cituam më sipër, “Daja”, nëpërmjet metaforës poetike, “kërkon” që, kur të vijë ai çast, “shtegu” ta shpjerë atje, në Kosovën e tij të dashur..., sepse, vetëm atje, ai mund të rijetoj përsëri...
“Dhe do të ndihem vërtetë njeri !
Në vendlindje, edhe të vdekurit gjallojnë.”

Sadulla Zendeli - Daja, ky njeri me botë të pasur, ky poet i dhimbjes, por dhe i besimit e shpresës, që ka njohur thellësisht jetën, gëzimin e pakët, brengën e shpirtit dhe dëshpërimin, ky njeri zemërartë, nëpërmjet poezisë, i gëzohet asaj që është forca më e madhe, përtëritëse: Krijimit dhe atdhedashurisë....
 


Faqe 32 nga 42