Dituria

  • Rrit madhësinë e fondit
  • Madhësia normale e fontit
  • Ul madhësinë e fontit
Dituria

KUR DIKUSH E TEPRON, NUK MUND TË “GJËMOJ”SHUMË, NDËRKAQ KARAKTERISTIKË E IMJA ËSHTË SINQERITETI,

KUR DIKUSH E TEPRON, NUK MUND TË “GJËMOJ”SHUMË, NDËRKAQ KARAKTERISTIKË E IMJA ËSHTË SINQERITETI, RESPEKTI DHE SAKTËSIA

-thotë mësuesi, përkthyesi, shkrimtari dhe publicisti në mërgim Fetah Bahtiri

Këtu në Suedi unë kam ardhur në vitin 1991. Me vete i kisha pesë fëmijët të moshës 0 deri 7 vjeç. Shpresoja se do të kthehem në atdhe brenda disa muajsh dhe e vlerësoja se është dëm që fëmijët mos të mësojnë shkrim e lexim, pak histori, pak gjeografi, pak art figurativ dhe pak muzikë kombëtare. Së pari fillova të punoj me fëmijët e mi, pastaj kësaj iu bashkëngjitën edhe të gjithë fëmijët e kampit dhe u krijua në shkollë e plotë fillore.

Një përkthyes i mirë i një vepre letrare është shumë i vlefshëm dhe i rëndësishëm. Përkthyesi i mirë ndodh që ia kalon autorit me shprehjet e bukura dhe artistike.

Shkrimtari, kur shkruan një vepër, me te jep një porosi te lexuesi. Që të arrihet ky qëllim, shkrimtarit duhet t`i përdorë mjetet artistike – vepra të ketë vlera artistike. Ndërkaq përkthimin e shoh si një zanat. Sidomos kur është fjala për përkthime profesionale.

Unë jam një prej themeluesve të Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë “Naim Frashëri” dega në Suedi. Pikërisht unë jam ai që e kam shkruar edhe Statutin e parë të LASH-it.

Pse sot LASH-i nuk funksionon? Ka shumë arsye, por kjo në rrethanat e sotme varet shumë prej atdheut tonë, i cili duhet të kujdeset më shumë për ne dhe për fëmijët tanë që njëkohësisht janë edhe të atdheut.

 

 

Një prezantim të shkurtër.

Fetah Bahtiri, i lindur më 11.10.1943 në fshatin Lisicë, komuna e Mitrovicës. E kam të kryer shkollën fillore (1959), gjimnazin (1963), fakultetin filozofik, dega për gjuhë dhe letërsi shqipe (1968) dhe fakultetin juridik (1982). Kam punuar si mësues, arsimtar i gjuhës shqipe, profesor i gjuhës shqipe, asistent i Anton Çettës në Institutin Albanologjik të Prishtinës, drejtor shkolle në Mitrovicë dhe asistent i rektorit të shkollës në Suedi, koordinator për integrim, jam marrë me shkrime gazetareske, kontribute shkencore, kontribute në folklor, kontribute gjuhësore, kritika letrare, recensione librash etj.

I lindur në fshatin Lisicë komuna e Mitrovicës ku edhe kaluat rininë tuaj. Çfarë mund të na thoni për atë kohë për vendlindjen tuaj?

Fshati im quhet Lisicë. Ky toponim është i pastër shqip. Vjen prej fjalës “lis”. Babai im, Ramadani, i cili na la në vitin 1995 kur ishte në moshën 93-vjeçare tregonte se fshati kishte qenë shumë i pasur me lisa dhe se “krejt rrafshi i Kosovës këtu furnizoheshin me dru për nevojat e zdrukthtarisë dhe të ndërtimtarisë...” Fshati quhej Lis, por serbët e kishin sllavizuar toponimin prej “Lis” në “Lisicë” dhe e kishin regjistruar kështu edhe në librat e tyre. Përndryshe, fshati i cili shtrihej në malet e Shalës së Bajgorës, në lindje të Mitrovicës, për shkak të mungesës së infrastrukturës, ujit të pijshëm dhe rrymës elektrike, e ka lëshuar atë terren kodrinoro-malor dhe banorët janë të vendosur tani në rrafsh, në të dy anët e magjistralës Prishtinë – Rashkë – Kralevë e tutje, përbri lumit Sitnicë, aty ku ky lum derdhet në lumin Ibër. Kur udhëtohet nga Serbia (Rashkë – Leposaviqi – Zveçani) fshati i parë shqiptar në “Mitrovicën Jugore” është pikërisht Lisica. Prej qendrës së Mitrovicës nuk ka më shumë se 2 kilometra.

Shkollimin fillor dhe të mesëm keni bërë në qytetin minatorëve në Mitrovicë. Mund të na thuash më shumë për jetën tuaj në rini?

Prej fshatit tonë nxënësit duhej të shkonin në Tunelin e Parë. Por, unë isha i pari i fshatit që fillova mësimin në Mitrovicë. Pas meje – të gjithë vepruan kështu. Pra, këtu e kreva shkollën fillore në vitin 1959. E kam të regjistruar në memorien time mësuesen e parë, që quhej Nadire Deva. Isha nxënës mesatar. E kaloja klasën me suksesin përfundfimtar shumë mirë. Vetëm klasën e katërt e kalova me sukses të shkëlqyeshëm, kur mësues e kisha Nexhmedin Barutin. Pastaj vazhdova mësimet në gjimnazin “Silvira Tomazini”, të cilin e kreva në vitin 1963. Këtu kam pasur një mori profesorësh të dalluar, të cilët ndikuan shumë në ndërtimin tim si njeri, intelektual, atdhedashës. Po i përmend vetëm disa prej tyre: Latif Berisha, Latif Mulaku, Skender Skenderi, Musa Gashi, Shinasi Korenica, Ismail Gubetini, Lah Nimani, Emin Pllana, Ejup Hamiti etj. Si nxënës i gjimnazit merresha me shkrimin e poezive, shkruaja vjersha, organizonim mbrëmje letrare, në të cilat merrja pjesë rregullisht.

Keni studiuar Gjuhë dhe letërsi Shqipe në Prishtinë, çfarë ka në mendje sot Bahtiri nga këto kohëra, nga jeta studentore?

Pasi e kreva gjimnazin në vitin 1963, gjatë vitit vijues shkollor 1963/64 punova si mësues në fshatin Bare, Shalë e Bajgorës. Pastaj u regjistrova në Fakultetin filozofik, dega për gjuhë dhe letërsi shqipe në Prishtinë si student i rregullt. Por, unë njëkohësisht edhe punoja, edhe studjoja. Së pari punoja si mësues klase në fshatin Prilluzhë, komuna e Vushtrrisë, e pastaj punoja në shkollat fillore të Prishtinës që atëbotë mbanin emrat “Aco Maroviq”, “Vuk Karaxhiq” dhe “Emin Duraku”. Ishte kjo një jetë intenzive, e mbushur me ngjarje dhe veprimtari të ndryshme aktuale politike e shoqërore. Studioja, punoja në arsim, merresha me shkrime gazetareske, me jetën kulturore, shkruaja poezi, madje disa herë fitova çmime në kuadër të konkurseve të nivelit komunal në Mitrovicë. Çuditërisht, për të gjitha kisha kohë dhe koha mjaftonte.

Gjatë vitit përfundimtar të studimeve albanologjike (viti shkollor 1967/68), kur shënohej për herë të parë 500-vjetori i vdekjes së Skenderbeut, në kuadër të Shoqërisë kulturo-artistike të studentëve “Ramiz Sadiku” përgatitëm dramën “Trimi i mirë me shokë shumë” – Skenderbeu, të shkrimtarit Sulejman Pitarka. Regjisor e kishim Kristë Berishën. Rolin e Skenderbeut e luante Hasan Salaj, një shok i imi nga studimet. Artistja jonë e madhe, Safete Rugova luante rolin e Mirushës, ndërsa unë luaja rolin e Sakipit. Mbaj mend se këtë dramë ne e shfaçëm nëpër të gjitha trojet ku kishte shqiptarë, në Kosovë e Maqedoni dhe se kjo dramë bëri bujë të madhe kudo që u shfaq. E di se në Strugë, p. sh. pas mesnatës, i shoqëruar me disa shokë në mesin e të cilëve ishte edhe poeti Nuhi Vinca, kah ora dy e natës u hodhëm në lumin Drini i Zi dhe aty u lamë e u kënaqëm.

Me këtë dramë në verën e vitit 1968 morëm pjesë edhe në Festivalin e dramave jugosllave i cili tradicionalisht mbahej në Hvar të Kroacisë, ku ne e zumë vendin e dytë, pas një grupi profesionistësh të Beogradit, me pjesën “Klaunët”.

Si student kisha shumë shokë të cilët më vonë u bënë personalitete eminente të politikës, kulturës dhe artit në Kosovë.

Në vitin 1982 keni diplomuar edhe në Fakultetin Juridik, çka ju shtyri në këtë?

Pas përfundimit të studimeve albanologjike, punova si profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Gjimnazin “Silvira Tomazini” në Mitrovicë, në Shkollën normale “Hasan Prishtina” dhe në Institutin Albanologjik të Prishtinës, ku merresha me folklor dhe isha asistent i Anton Çettës. Studioja edhe shkallën e tretë të studimeve pasuniversitare. Disi, gati si pahiri, në fund të vitit 1972 konkurova dhe u zgjodha drejtor i Shkollës fillore “Velko Banasheviq” (sot “Bedri Gjinaj”) në Mitrovicë. Aty kalova afër katër vite, por, si rrufe u paraqit një fshesë, e cila njerëzit e papërshtatshëm politikisht, i largoi nga arsimi dhe kjo më goditi edhe mua. Lidhja Komuniste e Jugosllavisë, sipas raportit të UDB-ës, më shpalli publikisht armik të shtetit, armik të klasës punëtore, armik të bashkimin e vëllazërimit dhe më larguan nga arsimi. Pas një viti gjeta punë si përkthyes në Bankën interne të Kombinatit “Trepça”. Në punë kisha të bëja bukur shumë edhe me çështje juridike, gjëra të cilat unë i kisha ushtruar në punë dhe i njihja mirë. U regjistrova si student me korrespondencë dhe studimet i kreva me notë bukur të lartë në periudhën kohore janar 1979 – 1982. Mund të them se prej kësaj dege kam pasur shumë levërdi në jetë. I kam kryer shumë punë juridike që kishin të bëjnë me nevojat e mia, por, njëkohësisht kam qenë edhe një shërbëtor i qindra njerëzve dhe u kam ndihmuar që t`i fitojnë proceset e ndryshme juridike nëpër gjykata, në konteste me institucione të ndryshme etj.

Mësues në regjionin e Shalës, të Vushtrrisë, por edhe në Kryeqendrën e Kosovës, kujtimet e juaja nga kjo kohë e rinisë suaj në punë me brezin e ri, por mësues edhe në mërgim, një paralele mes punës si i ri në vendlindje dhe asaj në mërgim?

Edhe më parë përmenda vendet ku kam punuar si mësues. Kudo kam qenë i mirëseardhur dhe kam bashkëpunuar mirë me prindër, me nxënës dhe me personelin udhëheqës të shkollave. Kujtimet më të mira që i kam, i kam pikërisht nga kjo periudhë. Por, edhe kam gabuar ndonjëherë... Në shkollën fillore “Vuk Karaxhiq” të Prishtinës jepja gjuhën shqipe në paralelet serbe, të cilat mësonin shqipen si lëndë joobligative. Një ditë, një nxënës serb i klasës së tetë, ishte më i gjatë se unë, ishte ulur prej bankës së fundit në bankën e parë. Me të filluar ora e mësimit, filloi një tallje për gjuhën shqipe. Unë nuk kalkulova asgjë. I përvola duart dhe e grushtova aq fuqishëm dhe rrëmbyeshëm, sa që fytyrën e tij e mbuloi gjaku dhe ajo iu deformua. Drejtoresha e shkollës, një serbe apo malazene, me mbiemrin Radunoviq (gruaja e drejtorit të atëhershëm të KEK-ut në Obiliq), nuk ndodhej në zyrë. Zëvendës i saj ishte një Nexhip Habibaj, e di se ishte me prejardhje nga Shqipëria. Shkova te ai dhe ia tregova tërë të vërtetën.

Unë nuk di se çfarë bëri ai, por më shpëtoi nga kjo situatë dhe prej kësaj dite mësimi i gjuhës shqipe si gjuhë joamtare në paralelet serbe funksiononte më mirë se përpara.

Këtu në Suedi unë kam ardhur në vitin 1991. Me vete i kisha pesë fëmijët të moshës 0 detri 7 vjeç. Shpresoja se do të kthehem në atdhe brenda disa muajsh dhe e vlerësoja se është dëm që fëmijët mos të mësojnë shkrim e lexim, pak histori, pak gjeografi, pak art figurativ dhe pak muzikë kombëtare. Së pari fillova të punoj me fëmijët e mi, pastaj kësaj iu bashkangjitën edhe të gjithë fëmijët e kampit dhe u krijua në shkollë e plotë fillore. Bashkatdhetarët që ishin mësues nga atdheu iu përgjigjën nevojës dhe u angazhuan bashkë me mua në këtë mision të shenjtë. Këtë punë e ushtrova për shtatë vite rresht, vullnetariusht, pa marrë kurrfarë kompensimi.Unë sot jam i lumtur kur e di se shumë fëmijë nga trevat shqiptare, të cilët sot jetojnë në Suedi, janë kthyer në atdhe ose ndodhen diku në ndonjë vend të Evropës, e përkujtojnë se shkronjat e para shqipe i kanë mësuar nga mësuesi Fetah Bahtiri.Punën e mësuesit vullnetar e kam ushtruar me pasion.

Përveçse një mësues i pasionuar, shkrimtar me renome, jeni edhe përkthyes i njohur nga gjuha suedeze ne shqipe ashtu edhe nga shqip në suedisht do të ishte më interes të mësonim nga ju se si e përkufizoni rolin e shkrimtarit dhe përkthyesit në jetën bashkëkohore?

Me përkthime jam marrë qysh moti. Në Kosovë e kam pas autorizimin për përkthime mes gjuhës shqipe e serbokroate. Këtë punë e kam bërë për më shumë se 13 vite rresht edhe në Bankën interne të Kombinatit “Trepça”. Kam përkthyer me qindra mijëra faqe materiale nga më të ndryshmet. Ndërkaq, në Suedi, si gjuhëtar që jam, jam interesuar për këtë punë dhe prej vitit 2000 e kam fituar licencën, që këtu i thonë autorizim për përkthime. E kam numrin e përkthyesit të autorizuar 664, e kam edhe vulën e cila kërkohet për ta validizuar një përkthim. Autorizimin e jep Kammarkollegiet (Agjencia për Shërbime Juridike, Financiare dhe Administrative e Suedisë).

Duke u munduar që të përgjigjem sa më saktësisht në pyetjen e Juaj, më duhet të theksoj: shkrimtari, kur shkruan një vepër, me te jep një porosi te lexuesi. Nëse lexuesi e ka kuptuar atë porosi, qëllimi është arritur. Që të arrihet ky qëllim, shkrimtarit duhet t`i përdorë mjetet artistike – vepra të ketë vlera artistike. Ndërkaq përkthimin e shoh si një zanat. Sidomos kur është fjala për përkthime profesionale. Por, këtë zanat askush nuk mund ta ushtrojë nëse nuk e njeh mirë gjuhën amtare. Unë jam i vetëdijshëm se ka shumë të rinj që e dinë gjuhën suedeze më mirë se unë. Por, ata nuk janë dhe nuk mund të bëhen përkthyes të mirë pa e njohur gjuhën e nënës. Përndryshe, edhe përkthimi është art, sidomos kur bëhet fjalë për përkthimin e poezive. Ekziston ai sentimenti artistik edhe te përkthyesi, edhe te shkrimtari.

Duhet të jem i sinqertë, nga përkthimet kam pasur dobi të dukshme materiale, kurse nga shkrimet kam pasur vetëm shpenzime.

Por, jam i vetëdijshëm se njeriu nëse mundet, duhet ta lë një gjurmë pas vetes. Unë përpiqem që këtë domosdoshmëri ta përmbush me shkrimet e mia letrare e publicistike.

Qysh si student jeni marrë me shkrime, cilat janë shkrimet e juaja të para dhe ku i keni publikua në atë kohë ato?

Me shkrime jam marrë edhe si nxënës i gjimnazit. Krijimet e mia të para ishin vjershat, të cilat i kam botuar në revistën letrare “Jeta e re”, në revistën për rini që quhej “Zëri i rinisë”, në gazetën “Rilindja”, në gazetën lokale të komunës së Mitrovicës “Zveçan” etj.

Krijimtaria juaj i përket një periudhe të gjatë kohore. Cila është tema dhe motivi ne veprat e juaja?

Temat janë kryesisht atdhedashuria, e përditshmja e rëndë, e mundimshme, e padrejtë ndaj një pjesë të njerëzve, por edhe e ardhmja. Ka krijime që i kushtohen edhe dashurisë. Romani im i fundit “Rrugëtim i dashurisë” bën fjalë pikërisht për dashurinë e dy të rinjve, e cila arrin t`i pajtojë dy familje të gjakësuara.

Nga e merrni frymëzimin, çfarë është tema apo subjekti në veprat e juaja?

Është përditshmëria që më frymëzon. Jeta është ajo. E ndiej në shpirt, më mundon, vuaj për shkak të asaj ndjenje... Atëherë vendos që atë ta shpreh në mënyrë artistike. Është interesant se vendimet më të mëdha dhe më të rëndësishme i marr kur jam i shtrirë për të fjetur, por kur gjumi nuk më merr, sepse diçka më mundon. Më vjen frymëzimi, më vjen ideja... Ngrihem, e marr lapsin e letrën dhe shënoj atë që është kryesore. Të nesërmen pason përpunimi dhe stilizimi i mëtejmë

Ju keni botuar në shqip, çka ka botua deri më tani Fetahu?

Kam botuar vjersha të shpërndara nëpër gazeta e revista të ndryshme, ndonjë tregim, kritika letrare, ndonjë kontribut gjuhësor, shkrime gazetareske me karakter analitik për tema të rëndësishme shoqërore, siç është p. sh. shkrimi në “Rilindje” në vitin 1966 për trajtim të barabartë të gjuhës shqipe në raport me gjuhën serbokroate etj.

Veprat e mia kryesore të botuara janë këto:

- “Kangë për Zaden”, përmbledhje vjershash, 1968, botim i Klubit letrar “Trepça” nga Mitrovica

- Planprogram mësimor për gjuhën shqipe si gjuhë amtare në shkollën suedeze, planprogram ky i pari i llojit të këtillë i përpiluar në Suedi. Planprogramin e ka botuar Shtëpia botuese ”Toena”, Tiranë, në vitin 2000. Planprogrami është i shkruar në gjuhën suedeze dhe në gjuhën shqipe;

- Ambasadorët dhe shërbëtorët, Libër për refugjatët shqiptarë në qytetin Uddevalla të Suedisë, viti i botimit 2007, botim i Shoqatës së Shkrimtarëve të Mitrovicës ”Jakup Ceraja”;

- Rrugëtim i Dashurisë, roman, viti i botimit 2011, botim i Shoqatës së Shkrimtarëve të Mitrovicës ”Jakup Ceraja”;

- ”Miku i madh i shqiptarëve Ullmar Qvick (Monografi)”, botim i Shoqatës së Shkrimtarëve, Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Suedi, 2012.

Keni qenë bashkëpunëtor i mujoreve kosovare “Gjurmime albanologjike” dhe “Përparimi” si dhe i Institutit Albanologjik të Prishtinës, çka mund të na thoni për këtë kohë dhe çka ka botua Ftahu në këto mujore?

Në revistën shkencore “Përparimi” qysh para më shumë se 40 vitesh kam botuar punime për këngët historike dhe kreshnike, për këngët e dasmave etj. Revista shkencore “Gjurmime Albanologjike” ka botuar materiale të folklorit të mbledhur prej meje shumë herë. Të fundit janë materialet në vëllimin “Këngë popullore historike”, I e II nga viti 2007.

Kur kemi te bëjmë me përkthime, sepse ju jeni edhe përkthyes i autorizuar, çfarë është roli i një përkthyesi sot në kohën bashkëkohore?

Një përkthyes i mirë i një vepre letrare është shumë i vlefshëm dhe i rëndësishëm. Përkthyesi i mirë ndodh që ia kalon autorit me shprehjet e bukura dhe artistike. Rast të këtillë kemi p. sh., me Nolin, shumë përkthime të të cilit janë vlerësuar janë më të bukura se sa origjinali. Këtu në Suedi e kemi një përkthyes shembullor i cili përkthen shkëlqyeshëm prej gjuhës shqipe në gjuhën suedeze. Ky është zoti Ullmar Qvick, i cili me gjuhën e tij fjalës poetike të shkruar në gjuhën shqipe ia jep fuqinë dhe magjinë e shprehjes në gjuhën suedeze. Ndërkaq, kur është fjala për përkthime profesionale, përkthyesi ka të bëjë me materiale të cilat ndodh të jetë të rëndësishme e edhe shumë sekrete. Përkthyesi i autorizuar është i obliguar që rreptësisht ta ruaj sekretin afarist dhe profesional, konkretisht obligimin e ruajtjes së fshshtësisë.

Ju jeni edhe bashkautor i përpilimit të fjalorit të parë juridik Suedisht-Shqip, çfarë ju shtyri në këtë?

Unë jam përkthyes i autorizuar. Universiteti i Stockholmit, Instituti i përkthimeve, e ka gjetur emrin tim në regjistrin e përkthyesve të autorizuar dhe më është drejtuar me shkrim që të bashkëpunoj në këtë punë. Unë e kam pranuar ofertën me ëndje. Unë me një grup përkthyesish dhe interpretësh kam qenë së pari në Tiranë në një lloj kursi dyjavor ku pranë Universitetit të Tiranës kemi marrë mësime nga studjuesit më eminentë shqiptarë të gjuhës shqipe dhe të juridiksionit shqiptar. Pastaj i jemi përveshur punës njëvjeçare dhe e kemi përpiluar një fjalor të mirë i cili përmban terminologjinë kryesore juridike dhe sociale. E ndiej obligim që këtu ta veçoj një bashkëpunëtore, e cila e ka pasur mbi supat e saj barrën kryesore

gjatë përpilimit të këtij fjalori. Kjo është Melihate Dragoshi nga Helsingborgu.

Jeni njëri nga themeluesit e LASH “Naim Frashëri” dega në Suedi, çfarë mund të na thoni për këtë dhe pse LASH sot nuk funksion në Suedi?

Po, unë jam një prej themeluesve të Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë “Naim Frashëri” dega në Suedi. Pikërisht unë jam ai që e kam shkruar edhe Statutin e parë të LASH-it. Atëbotë Lash-i funksiononte mirë, sepse shumica prej nesh besonim se shumë shpejt “do të bëhet mirë” dhe se do të kthehemi në atdhe. Por, nuk ndodhi kështu. Puna u bë më keq, nevojiteshin veprime e ndërmarrje të tjera për ta ndihmuar atdheun dhe ne nuk e harruam atë. Punuam për te ditë e natë dhe ishim ambasadorë të vërtetë të atdheut tonë këtu në Suedi. Kësaj teme ia kam kushtuar një libër të tërë me titullin “Ambasadorët dhe shërbëtorët, Libër për refugjatët shqiptarë në qytetin Uddevalla të Suedisë”, botuar në vitin 2007. Pse sot LASH-i nuk funksionon? Ka shumë arsye, por kjo në rrethanat e sotme varet shumë prej atdheut tonë, i cili duhet të kujdeset më shumë për ne dhe për fëmijët tanë që njëkohësisht janë edhe të atdheut.

Sa jeni ju i kënaqur me punën në shkolla në mërgim kur kemi të bëjmë me Lëndën e Gjuhës shqipe, sa është ky mësim sot efektiv tek fëmijët mërgimtarë?

Unë jam marrë shumë me këtë problematikë, kam shkruar një planprogram mësimor për gjuhën shqipe si gjuhë amtare në shkollën suedeze, kam punuar vetë me nxënës që nga klasa e parë e deri në shkollën e mesme dhe i di të gjitha raportet. Gjithashtu kam qenë koordinator për integrim në kuadër të komunës së Uddevallës, kur mësimi i të gjitha gjuhëve amtare ka qenë nën përgjegjësinë time. Që mësimi i gjuhës shqipe të jetë i suksesshëm, nevojitet një kuadër i mirë, i kualifikuar, nevojitet angazhimi më i madh i prindërve, me çka, përpos në 2 – 3 vitet e para të qëndrimit tim këtu, kurrë nuk kam qenë i kënaqur. Mësuesit e gjuhës shqipe në të shumtën e rasteve janë të pakualifikuar, të paarsimuar. Ka edhe të atillë që për herë të parë këtu në Suedi janë bërë mësues gjuhe. Kjo bën që mësimi i gjuhës shqipe në ndodhet në nivel të ulët. Përndryshe, sistemi shkollor në Suedi garanton dhe mundëson funksionim të mirë të mësimit të gjuhës amtare.

Keni punua një kohë të gjatë koordinator për Integrim në komunën Uddevalla, çfarë mundë të na thoni rreth integrimit të shqiptarëve këtu?

Konsideroj se integrimi i shqiptarëve në Suedi është i mirë, por mund të jetë edhe më i suksesshëm. Në komunën ku jetoj unë (Uddevalla), shqiptarët janë të integruar shumë mirë.

Forma më e mirë e integrimit është realizuar nëpërmjet punësimit. Marrëdhëniet e punës dhe profesionet që ata i kanë dhe i ushtrojnë janë të llojllojshme.

Shumica e tyre merren me punë fisnike - u bëjnë shërbime dhe u ndihmojnë atyre që kanë nevojë për një shërbim të këtillë dhe ndihmën e tjetërkuj. Pra, fjala është për shëndetësi dhe përkujdes.

Ndërmarrja për transortimin e udhëtarëve Omnibus në Uddevalla, shpeshherë nga bashkatdhetarët quhet Kosovatrans. Aty punojnë si shoferë autobusi shumë shqiptarë nga Uddevalla dhe disa nga komunat e afërme. Madje janë edhe disa femra që e ushtrojnë këtë profesion jo edhe aq të lehtë.

Një pjesë e mirë e bashkatdhetarëve punojnë në kuadër të arsimit dhe edukimit. Ata janë mësues dhe edukatorë të zellshëm në shkollën suedeze, në institucionet parashkollore dhe në shkollën shqipe të mësimit plotësues dhe me detyra pune që me fëmijët shqiptarë të komunikojnë në gjuhën shqipe dhe t`u ndihmojnë atyre, në gjuhën amtare shqipe.

Në Uddevalla ka edhe bashkatdhetare farmeciste me kompetencë, të cilat klientëve dhe pacientëve u japin barna nëpër farmacitë e qytetit.

Një grup i madh i bashkatdhetarëve punon në Industrinë e automobilave dhe në degë të tjera të industrisë, ku i kryejnë punët nga më të komplikuarat me teknologjinë më bashkëkohore.

Shumë bashkatdhetarë punojnë në tregti, ka punëtorë nëpër zyra, punëtorë në mirëmbajtjen e pastërtisë në qytet e në brigjet e detit etj.

Një pjesë e mirë e bashkatdhetareve tona punon nëpër kuzhinat e shumta që ndodhen pranë çdo shkolle, parashkolle, në spitalin e qytetit, pranë shtëpive për përkujdesin ndaj të moshuarve, etj. me kualifkimin dhe arsimimin special si kuzhiniere dhe puna e tyre vlerësohet gjithmonë me notën maksimale të mundshme.

Janë disa bashkatdhetarë, të cilët kryejnë edhe punë të besueshme me autorizime dhe përgjeshësi speciale për sigurimit të personave, objekteve, pronës e të ngjashme. Kjo punë e sigurimit, një lloj ”securitas”, është e çmuar lart dhe puna e tyre i ngjan punës së policisë.

Një pjesë e mirë e të rinjve nga Uddevalla u janë përkushtuar degëve të ndryshme të studimeve universitare anembanë Suedisë dhe dëshirojnë të arrijnë në zenitin e ngritjes profesionale të degës që kanë zgjedhur dhe janë duke e përsosur arsimimin profesional në degë të ndryshme. Degët që këta të rinj i studiojnë janë nga fusha e mjekësisë, ekonomnisë, sociologjisë, shkencave shoqërore, degët e arsimit, biznesit, politikës ndërkombëtare etj. Disa prej tyre edhe kanë magjistruar në degët e zgjedhura dhe janë ekspertë të dalluar.

Edhe disa sportistë shqiptarë nga Uddevalla janë ngritur deri në nivelin e elitës sportive në Suedi. Dallohen sidomos disa futbollistë që kanë luajtur dhe luajnë në Allsvenska, në Superettan, në Divizionin I të futbollit, por ka sportistë të dalluar edhe në hendboll, në boks, mundje etj.

Për të gjithë vlen një rregull i pashkruar: të gjithë janë shumë të përgjegjshëm në punë e në veprimtari, të vyer, të ndershëm, të sjellshëm, korrektë, shembullorë dhe për këtë arsye edhe janë të dashur e të respektuar.

Nuk mund e lëmë pa e përmendur edhe faktin se në konkursin e bukurisë ”Mis Diaspora” për Skandinavi dy herë ky titull u ka takuar dy motrave, vërtetë bukuroshe, që janë pikërisht nga Uddevalla.

Në Uddevalla vlen dhe jeton ai slogani i njohur: ”Sa lezet me qenë shqiptar!”

Një shkrimtar, një publicist, një përkthyes kërkon te jetë pothuajse për gjithçka i informuar. Kjo ka të bëjë kryesisht me natyrën e personit. Thjesht doja një përgjigje te shkurtër  si është Fetahu nga natyra ?

Kur dikush e tepron, nuk mund “gjëmoj” shumë. Ndërksaq, karakteristikat e mia kryesore janë:

- Kohën e respektoj shumë dhe rreptësisht,

- Kurrë nuk kam gënjyer e as nuk gënjej,

- Premtimin e mbaj gjithmonë, pa marrë parasysh pasojat,

- Atë që e pështyj, kurrë nuk e lëpij.

Ju jeni shkrimtar, përkthyes, gazetar, publicist, çfarë është aktiviteti juaj në media. Si e ndieni veten si mësues, shkrimtar, publicist dhe përkthyes në mërgim?

E ndiej veten mirë, por shpeshherë mallëngjehem për baltën e Kosovës, gardhiqet e fshatit tim, njerëzit e atdheut tim. Mosha ime e tanishme nuk më lejon që të jem shumë aktiv si përpara në të gjitha fushat. Tani merrem kryesisht me ndonjë shkrim, me interpretime dhe me përkthime.

Kohëve të fundit keni punuar në përpilimin një Monografi, nëse ka mundësi më shumë të dimë për këtë Monografi, se për çfarë bëhet fjalë në te?

Libri ka dalur nga shtypi. Ky është një libër i cili mban titullin “Miku i madh i shqiptarëve Ullmar Qvick (Monografi)”. Kjo Monografi bën fjalë për një njeri të madh suedez, një albanolog të famshëm, i cili ka shkruar e botuar shumë vepra për kulturën shqiptare, gjuhën shqipe, historinë, politikën etj., i cili ka qenë pjesë e të gjitha lëvizjeve dhe organizimeve të shqiptarëve në Suedi për pavarësinë e Kosovës e më gjerë. Unë synoj që me te të shpreh falënderime, mirënjohje, përgëzime dhe nderime ndaj mikut të madh të shqiptarëve, Ullmar Qvickut, i cili aq madhërueshëm kontribuoi në ngritjen, ndërtimin dhe forcimin e miqësisë shqiptaro-suedeze. Me këtë libër dëshiroj që ta falënderojmë zotin Ullmar Qvick për miqësinë e pastër ndaj shqiptarëve. Në të vërtetë, libri nuk është vetëm monografi, por është edhe një lloj antologjie e krijimeve të Ullmar Qvicku.

Libri ka 230 faqe dhe është i shtypur me ngjyra. Recenzentë të librit janë Rizah Sheqiri dhe Sokol Demaku.

Planet e Fetah Bahtirit për të ardhmen, çka lexuesit presin nga ju?

Më duhet të pranoj se nuk kam farë planesh të detajizuara, por idetë dhe frymëzimet vijnë e shkojnë ditë e përditë.

Nëse do të kishe mundësinë ta jepje ndihmësën tënde në realitetin që jetojmë ne shqiptarët pa marrë parasysh se ku, ku mendon konkretisht që duhet ndryshuar diçka ne për të mirë?

Shqiptarët janë njerëz të mrekullueshëm, bujarë, punëtorë. Ta duam dhe ndihmojmë njëri tjetrin më shumë. Poshtë gjelozia! Vdekje gjeloizisë!

Çka mendoni mbi gjendjen politike shqiptare në përgjithësi, parë në prizmin Shqipëri-Kosovë dhe trojet tjera shqiptare?

Jemi një popull, jemi një trung. Sot Kosova e ka simbolin e vet shtetëror dhe respekt maksimal për te. Kjo ka qenë ecuri e domosdoshme për momentin, por këtë Kosova mund ta ndërrojë kur të dojë. Posa Kosova të pranohet si anëtare e Kombeve të Bashkuara, duhet t`i bashkangjitet trungut të vet.

Përveç artit te të shkruarit, publicistikës, punës së mësuesit dhe përkthimit si e kalon kohën e lirë Fetahu?

Parazitin e urrej. Dëshiroj të jem aktiv gjithmonë. Punoj diçka, përkthej diçka, shetis, ju ndihmoj të tjerëve.

Çka ju bën të lumtur dhe çka ju mundon më së shumti në jetë?

Shëndeti i mirë është pasuria më e madhe e njeriut. Jam i lumtur nëse jam i shëndoshë, por jam i lumtur nëse mund t`i ndihmojë dikujt diçka me rëndësi.

Ajo që më mundon... Të kaluarat po harrohen. Duhet të jem fare i sinqertë: Sot më së shumti po më mundon gjendja në shtetin e Kosovës për shtetformimin e të cilit kam luftuar më shumë se një gjysmë shekulli, ku as pas 13 viteve nuk u zgjodhën problemet më të rëndësishme të një pjese të madhe të popullatës. Ndërkaq, ata që po merren me politikë po bëhen ekspres milionerë...

 

 

MBRËMJEKULTUROR SHQIPTARE NË LIDKÖPING TË SUEDISË

Sokol Demaku

MBRËMJEKULTUROR SHQIPTARE NË LIDKÖPING TË SUEDISË

 


Me ftesë të Bibliotekës së Komunës Lidköping në Suedi, anëtarët e Qendrës Kulturore Shqiptare Migjeni nga Borås i Suedisë mbremjën e 24 shtatorit 2014 prezentuan më dinjitet Kulturën dhe Gjuhën shqipe për miqt suedez dhe për bashkëkombasit tanë dhe fëmijët e tyre që jetojnë në komunën Lidköping në një mbremje Kulturore organizua nga Biblioteka e komunës Lidköping, Studiefrämjandet dhe nga Qendra Kulturore Shqiptare Migjeni nga qyteti Borås, në të cilën mbrëmje u prezentua gjuha, kultura dhe tradita shqiptare në vite.

Ishte kënaqesi të jesh pjesëmarës i një manifestimi të tillë kulturor, në mesin e miqëve suedez në një mbremje te tillë kulturore, ku temë boshte ishte kultura dhe bashkëpunimi ndërkultoror mes shoqatave kulturore që veprojnë në qytete të ndryshme në Suedi.


Anëtar të Krysisë së QKSH Migjeni nga Borås, në fillim miqtë e pranishëm suedez dhe bashkëkomabsit tanë që jetojnë në këtë komunë i informaun për punëne e tyre, aktivitete e QKSH Migjeni në Borås, kulturën, gjuhën dhe traditën shqiptare në përgjithësi, e ku të pranishmit treguan një interesim të jashtëzakonshëm, për gjuhën, kulturën dhe traditën shqipe, pastaj ata i infomuan të pranishmit me punën dhe aktivitete e kësaj shoqate kulturore me seli në Borås.

Ishte mjaft impresionues për ta puna e anëtarëve të shoqatës dhe prezentimi i të arriturave të shqiptareve në Borås me rrethinë, botimi i revitës Dituria,  ku më këtë rast Bibliotës së komunës Lidköping iu dhuruan nga dy egzemplar të cdo numri të revitës, pastaj 30 tituj libra në shqip të cilat do jenë në sirtarët e kësaj biblioteke dhe do jenë në përdorim për lexim për fëmijet, të rinjt por edhe të rriturit këtu, pastaj prezentimi i punës së radio Diturisë dhe fillimi i punës me kanalin TV në gjuhën shqipe TV Dituria nga qyteti Borås i Suedisë. Anëtarët e krysisë së QKSH Migjeni të gjithë fëmijëve shqipatr të pranishëm në këtë mbrëmje kulturore iu dhuruan nga libër për fëmije si dhe nga një flamur kombëtar dhe të Repubilkës së Kosovës.

Për miqtë suedez Krysiai shte përkujdesurë dhe kishte përgatiturë një fletushkë në gjuhësn suedeze me shenime karakteristike për Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi.


Lidhur me këtë para të pranishmëve u shfaq një film dokumentar i punuar nga ana e redaksisë së TV Dituria mbi punën e anëtareve të kesaj shoqate si dhe punën e e TV dhe radio Diturisë në Borås të Suedisë.

Temë boshte këtë brëmje ishte kultura dhe kultura e veshjes shqiptare. Lidhur më këtë u shfaqen sekunca nga filmi dokumnetar “Veshja tradiocionale shqiptare ne Kosovë” punuar sipas skenarit dhe idesë së Bora Balaj nga “Bora fashion”.

Interesim të madh tek të pranishmit zgjoi qështja e gjuhës shiqpe e ku u parashtruan pytje të shumta lidhur me këtë si dhe për kulturën dhe traditën e shqiptarëve në përgjithësi, për fytyrat e shquara kombëtare shqiptare si Skenderbeun, Nëna Terezën, pastaj për gjuhën dhe alfabetin në shqip.

Besojmë se takime te tilla me shoqtat suedeze dhe miqtë suedez ia vlenë të kemi sa me shumë në te ardhmen në menyrë që të njejtit të kenë dhe marrin sa me shumë informacione për gjuhën, kulturën dhe traditën shqitare.


Interesim të vecant tek të prnaishmit zgjoj puna me fëmije dhe të rinje, organzimi i pritjes së Vitit të ri, ardhja e babadimrit kosovar në Suedi dhe shpërndarja e dhuratave për fëmijët shqiptar, krejt kjo një vepër dhe punë e  vyer e anëtareve të QKSH Migjeni në Borås.

Besojmë se edhe në të ardhmen këta njerëz të vyer të traditës dhe kulturës edhe ne vende tjera dhe qytete tjera do jenë prezetn me një prezentim  të tillë të kulturës sonë.

 

Fran Gjoka: -Intervistë me Prof. Murat Gecaj

Fran Gjoka

40 VJET, MIQËSI DHE BASHKËPUNIM I NDËRSJELLTË

 -Intervistë me Prof. Murat Gecaj, nga Fran Gjoka, arsimtar e publicist-

 

Nga e majta: F.Gjoka e M.Gecaj

Prof. Gecaj, duke ju falenderuar për këtë intervistë, dëshiroj t`u kujtoj se bashkë kemi njohje e miqësi jo pak, por 40 vjet. Çfarë ju sell në mendje ky fakt?

-Tani, më kujtove jo vetëm kohën e njohjes sonë, por dhe faktin që, kur i kalova 70 vjet jetë, u shkrova kolegëve në një faqe internet se, tashmë, “unë jam gjyshi i maleve”…Pra, më shumë se gjysmën e kësaj periudhe të jetës sime njihemi bashkë nga afër. Siç e di edhe ti, në fillim të viteve ’80-të, të shekullit të kaluar, isha me punë redaktor në gazetën ditore “Bashkimi”. Sipas praktikës së kohës, ne shkonim me shërbim nëpër rrethe të ndryshme të vendit. Të jem i sinqertë, më pëlqente më tepër të shkoja në Malësinë e Gjakovës (Tropojë), pra në vendlindjen time, por dhe në rrethet veriorë, që nga Kukësi e Puka, Shkodra (nga e kam bashkëshorten), Dibra, Lezha e Kruja e tjerë. Kështu, në një rast, erdha edhe në Lezhë, pasi ti kishe nisur të shkruaje në atë gazetë dhe e kishim detyrë të takoheshim me bashkëpunëtorët tanë ose korrespondentët vullnetarë, siç i quanim në atë kohë. Por ai takim, shënoi edhe lidhjen tonë të fortë ndërmjet nesh, pasi ti më ftove edhe në shtëpi, në Ishull-Lezhë, ku njoha nënën tënde të mirë Gjyste, një malësore kreshnike; bashkëshorten tënde Gjelina, vajzat tuaja të vogla, atëherë dhe vëllezërit e pjesëtarë të tjerë të familjes.

Lexo ma...
 

Murat Gecaj: TË LUMTË, SHQIPËRIA IME!

Skicë:

TË LUMTË, SHQIPËRIA IME!

Nga: Prof. Murat Gecaj

publicist e studiues-Tiranë

 


Tani, kur po i shkruaj këto pak radhë, është mesdita e datës 21 shtator 2014. Të gjithë bashkëkombësit e mi, që ndodhen në Sheshin “Nënë Tereza” të kryeqytetit, por dhe përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” e kudo në Shqipëri e trojet tjera amtare, me sy e mendje të përqëndruar kanë ndjekur dhe po ndjekin me interes të jashtëzakonshëm mbërritjen në vendin tonë të Papa Françeskut. Ndërkaq, ata po përcjellin me shumë vëmendje Meshën e Shenjtë, që ai po drejton, bashkë me ndihmëtarët e vet.

I zbritur në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Rinasit, në mengjesin e kësaj të diele, përmes rrjeteve të fuqishme audivizive, ne pamë që kreu i Vatikanit e përshkoi “Rrugën e Durrësit” i pritur me gëzim e brohoritje nga qindra veta. Por, në saj të mjaft gazetarëve të ardhur nga vende të ndryshme të Europës e botës, kjo ngjarje historike u përcoll për miliona besimtarë katolikë dhe të interesuar të tjerë.

Në Tiranën tonë, Papa Francesku u ndodh ndërmjet një befasie shumë të këndshme, emocionuese dhe, ndoshta, të papërjetuar ndonjëherë më parë prej tij. Kështu, duke “prishur” dhe portokollin e hartuar, ai hyri nëpër “tunelin” e madh njerëzor dhe të stërgjatë, ku binin në sy portretet e martirëve të fesë katolike, i shoqëruar me lule e brohoritje të fuqishme nga besimtarët e të gjitha feve, të cilët kishin dalë për ta pritur dhe nderuar atë. Ishte ky një rit i njohur e traditë shumëshekullore e shqiptarëve, për ta pritur mikun në shtëpinë e tyre.

Sapo mbërriti në afërsi të Sheshit “Nënë Tereza”, Papa Françeskut iu ofrua një pritje e paharruar, nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani. Pas fjalës mireseardhëse të tij në mjediset e Presidencës, Papa Françesku iu drejtua shqiparëve me fjalë zemre e dashamirëse. Ai i bekoi ata për paqe, harmoni fetare dhe përparim të pandalshëm, drejt Europës së Bashkuar.

Gëzimin dhe lumturinë e tij ne e pamë të shprehur aq natyrshëm, kur i përshendeste parreshtuar mikpritësit e zjarrtë shqiptarë, të moshave e feve të ndryshme. Papa Francesku u përkul nga makina e tij e hapur, i përqafoi dhe i bekoi disa fëmijë. Me siguri, kjo gjë do të jetë lumturi e gjatë për ata dhe një kujtim, që rrallë u përsëritet në jetë.

Emocionuese ishte edhe kur, para Meshës së Shenjtë, kryebashkiaku Lulëzim Basha i dorëzoi atij, simbolikisht, Çelësin e kryeqytetit Tiranë.

Nuk e di as se çfarë mendojnë besimtarët katolikë të Romës e më gjerë, në Italinë fqinje, por mendoj që, me pritjen madhështore që iu rezervua Papa Françeskut dhe me Meshën e Shenjtë, që u mbajt në Sheshin “Nënë Tereza”, u konkurrua me dinjitet me atë, në Sheshin “Shën Pjetri” të Vatikanit.

Mesazhi i të gjitha veprimtarive të deritanishme dhe i atyre, që do të organizohne deri në mbyllje të tërë vizitës afër 12-orëshe të Papa Franceskut në Shqipëri, është: Paqe, vëllazërim e mbarësi për të gjithë shqiptarët.

Sonte, por edhe nesër e më gjatë, nuk do të reshtin komentet e shkrimet rreth kësaj vizite historike të Papa Françeskut në Shqipëri, e cila e pason atë të Papa Gjonpalit II, në vitin 1993. Bazuar në ato çfarë panë e dëgjuan, ata nuk kanë si të mos shkruajnë me nota pozitive e dashamirëse për Atdheun tonë, për tërë këtë pritje të shumëpritur dhe e cila do të ruhet gjatë, në kujtesën e bashkëkombësve të mi.

Prandaj, si gjithë të tjerët, kam arsye që sot të ndjehem krenar dhe nga zemra të shprehem: “Të lumtë, Shqipëria ime, vendi i paqes e përparimit dhe i bashkëjetesës shembullore fetare!” Në këtë udhë, “çelësin” e hyrjes në Bashkësinë e Europiane e kemi në duart tona.

Tiranë, 21 shtator 2014

Ora, 13.00

 

DOLI NGA SHTYPI NË SHQIP LIBRI”DJALI DHE TIGRI” I AUTORIT SUEDEZ LARS WESTMAN

DOLI NGA SHTYPI NË SHQIP LIBRI”DJALI DHE TIGRI” I AUTORIT SUEDEZ LARS WESTMAN

Në kuadër të redaksisë së botimeve të revistës Dituria këto ditë doli nga shtypi libiri ”Djali dhe Tigri” i autorit suedez Lars Westman në përkthim të shkrimtarit dhe publicistit Sokol Demaku.

Libri është redaktua nga Viron Kona, me recenzet Dr. Rovena Vata, Ismet Hasani dhe Mr. Kadrije Meniqi, si dhe nënë përkujdesjen editoriale të Mr.fil Sadulla Zendeli Daja, e me përkujdesje në shtyp të shtypëshkronjës nga Tirana Westprint.

Libri ka gjithësejt 145 faqe dhe është shypurë në 1000 egzemptar e do të shpërndahet falas për nxënësit e shkollave fillore në Republikën e Kosoves, në Republikën e Shqipëri dhe diasporë.


Faleminderit Lars!

Lexuesit e vegjël shqiptarë e kanë njohur letërsinë suedeze veçanërisht nëpërmjet librave të nobelistes Selma Lagerlof dhe të magjishmes Astrid Lindgren. Ashtu si fëmijët në Skandinavi dhe në botë, ata e kanë lexuar me ëndje “Udhëtimin e mrekullueshëm të Nils Olgerssonit” dhe “Pipi Çorapegjatën”, kurse tani, kanë në dorë një tjetër libër të mrekullueshëm nga letërsia suedeze, “Djali dhe Tigri” të shkrimtarit të njohur Lars Westman.

Që në fillim të këtij shkrimi, dëshiroj të them se shkrimtari suedez, na ka dhuruar një libër me vlerën e një margaritari vezullues. Me penën e tij të artë, ai na rrëfen me një stil tërheqës dhe gjuhë të figurshme, aventurat e Djalit që e donte aq shumë macen e tij, Tigrin, saqë, për tre muaj resht, pa u lodhur dhe pa u tërhequr nga vështirësitë, e kërkoi atë deri në skajet më të largëta të atdheut, Suedisë së bukur. Në çdo faqe, libri mban të ndezur zjarrin e kureshtjes për të mësuar fatin e Djalit dhe të Tigrit dhe, krahas emocionit dhe kënaqësisë së madhe, na jep artistikisht mësime të vlefshme për gjeografinë dhe historinë e Suedisë, na nxit shpirtin e guximit dhe të vendosmërisë, për të njohur edhe më mirë botën e njerëzve dhe të kafshëve. Tregimet, shfaqin episode, ngjarje, aventura, dialogë, batuta, fjalë të urta të mrekullueshme pa fund, të cilat ushqejnë pareshtur flakët e dëshirës për ta lexuar me pasion çdo rresht, paragraf dhe faqe të librit. “Djali dhe Tigri”, nis me arratisjen e papritur të Tigrit, shqetësimin dhe vendosmërinë e djalit për ta kërkuar dhe për ta gjetur doemos atë. Njerëzit që ai takon, thuajse të gjithë e këshillojnë Djalin që të kthehet në shtëpi, por ai nuk mund të kthehet, ai nuk mund ta braktisë dhe ta lërë në mëshirë të fatit Tigrin, mikun e tij të dashur.

Episodet vijojnë si sekuenca filmike: biseda me parashikuesen e fatit, episodi, se si Djali, përtë siguruar ushqimin e ditës bëhet fotograf, dialogu i këndshëm me urithin, i cili ndihet keq sepse nuk ka krahë që të fluturojë së bashku me shpendët dhe, në pamundësi, ëndërron të hapë një tunel të gjatë të nëndheshëm deri në Lapland, tregimi për salmonin madh, që ndonëse me plagë në trup, priti natën me hënë që të kërcente fluturimthi në ujëvarë dhe të shkonte doemos në vendlindjen e tij, tregimi për shitësin shëtitës, për macet e egra, shtegtimin e zogjve drejt Afrikës, takimi i Djalit me vajzën që donte të shkonte në Paris, përshkrimi i aventurave të Vjedullës, tregim për djemtë që mblidhnin kanoçe, për vajzën refugjate në kambanore, tregimi që na mëson se dhelpra dhe kusarët janë e njëjta gjë, tregimi për jetën e samve dhe të drerëve në Veri të Suedisë...

Duket sikur autori ngjyen penën e tij në ngjyrat e mahnitshme të aurorave polare dhe përhapë nuancat e tyre të freskëta nëpër faqet e librit, duke na treguar se bota është e madhe, se jeta është e bukur kur i jep vlerë dhe kuptim, se mirësia dhe dashuria njerëzore duhet të triumfojnë mbi gjithçka, se është gjithnjë në rrugë të mbarë dhe nuk gabon kurrë, ai që ecën në rrugën e së vërtetës, se e drejta për të jetuar është e drejtë e çdo gjallese të rruzullit tokësor...

Njëri tregim më i interesant se tjetri, njëri më tërheqës se tjetri, një bukuri e pafund fabulash, përshkrimesh, shprehjesh me hijeshi artistike pasqyrohen në faqet e këtij libri të magjishëm, që e ka sjellë në gjuhën shqipe me përkthimin e tij poeti, shkrimtari dhe gazetari i njohur Sokol Demaku.

Në libër përshkruhet Suedia, mjediset dhe peizazhet e saj magjepse, qytetet, krahinat, bregdeti, ishujt, klima dhe natyra e këtij vendi të mrekullueshëm. Përshkruhen, skaliten dhe portretizohen njerëzit, personazhet e librit, që të mbeten në mendje për karakterin e pa përsëritshëm, zakonet, bisedat, fjalët që përdorin, mendimet që shfaqin, humori, të veçantat e secilit. Përshkruhet llojshmëria e kafshëve dhe e shpendëve, jeta e tyre, respekti, kujdesi dhe dashuria e suedezëve për çdo gjallesë të rruzullit tokësor.

Duke lexuar të 140 faqet e këtij libri, kuptojmë se jemi bërë më të ditur, më të pasur shpirtërisht, më të vendosur në qëllimet tona për të mësuar dhe për të përballuar jetën dhe vështirësitë e saj, për të dashur më shumë atdheun dhe njerëzit, për të respektuar lirinë dhe mendimin përparimtar, por jemi bërë edhe më të ndjeshëm ndaj natyrës, drurëve dhe pemëve, kafshëve dhe shpendëve. Ndërkohë që, mendimet dhe përjetimet tona, imagjinata dhe frymëzimi ynë, kanë fituar hapësira dhe dimensione të reja. Shkrimtari na ka vënë në mendime, ka nxitur tek ne përfytyrime për gjëra që nuk i dinin përpara se të lexonin këtë libër, ka bërë që t’u tregojmë me padurim shokëve dhe miqve se çfarë libri të rrallë kemi lexuar dhe, pastaj, bashkërisht, të përpiqemi të vëmë në skena të improvizuara teatri, episode, ngjarje, rrëfenja të këtij libri.

E përshëndes kolegun suedez për librin e bukur, edukativ, tërheqës dhe mbresëlënës që na ka dhuruar. Kam ndjerë shumë gjatë leximit të librit, kam përjetuar emocione të bukura dhe befasuese, jam përfshirë në valë respekti dhe dashurie për jetën dhe njerëzit e guximshëm, këmbëngulës në arritjen e qëllimeve që i vënë vetes. E falënderojë nga zemra dhe e urojë shkrimtarin suedez për krijime të tjera të bukura, që na pasurojnë dhe na zbukurojnë mendimin, fantazinë, imagjinatën dhe jetën tonë.

Faleminderit Lars Westman!

Viron Kona,

 


Faqe 15 nga 42

Newsflash

SESION PËRKUJTIMOR, NË 130-VJETORIN E HASAN TAHSINIT

Titulli “dijetar”, në vendin tonw, i takon vetëm atij e askujt tjetër:

Sami Frashëri

Nga: Prof. Murat Gecaj

Publicist e studiues- Tiranë

Dijetari ynë i madh, Hasan Tahsini

Një ndër peronalitetet e shquara të atdhetarizmit, arsimit, kulturës e shkencës shqiptare, ishte dhe Hasan Tahsini ose Hoxhë Hasan Tahsini. Lindi në fshatin Ninat të rrethit të Sarandës, në vitin 1811 dhe, pas një veprimtarie të gjerë e të dendur për çështjen kombëtare shqiptare, i mbylli sytë përgjithnjë në vitin 1881, pra në moshën 70-vjeçare.

Ishte rilindës i njohur, filozof, matematikan, psikolog e astronom etj. Për këto fusha të diturisë njerëzore vuri në përdorim, disa gjuhë, që ai zotëronte. Është i njohur si themelues dhe rektor i Universitetit të parë Osman, çelur në Stamboll të Turqisë. Po kështu, krijoi e drejtoi me aftësi të veçanta Shoqërinë e Dijetarëve Shqiptarë ose Kuvendin Shkencor Shqiptar.

Meritë të posaçme pati Hasan Tahsini se vetë ideoi dhe përhapi mendimin për themelimin e shtetit të pavarur shqiptar, pra të shkëputur nga ndikimi osman. Një punë të madhe bëri ai edhe për hartimin e alfabetit të gjuhës amtare shqipe dhe dëshiroi e synoi që të ishte i ndryshëm nga i popujve të tjerë. Ndër meritat e tij të mëdha, është së ai u dha mësim disa figurave të njohura të historisë sonë kombëtare, si Abdyl, Naim e Sami Frashërit, Vaso Pashës, Jani Vretos, Ismail Qemalit etj. Duke e kujtuar atë me nderim e respekt të veçantë, Samiu ka shkruar: “Hoxhë Tahsini ishte më i larti ndër të lartët. Ishte një nga ata njerëz të mëdhenj, që qindvjeçarët dhe kohët i nxjerrin rrallë e me vështirësi të madhe…Titulli “dijetar” në vendin tonë i takon vetëm atij e askujt tjetër”.

Lexo ma...