Dituria

  • Rrit madhësinë e fondit
  • Madhësia normale e fontit
  • Ul madhësinë e fontit
Home Publikationer-Botime të reja Kurtesh Devaja: Deri te Molla e Kuqe

Kurtesh Devaja: Deri te Molla e Kuqe

 

Deri te Molla e Kuqe


Kurtesh Devaja

"Kur të rriteni dhe të shtoheni ju muhaxhirët e rinj, mos i lini trojet tona të Toplicës, se ato janë tokat e të parëve dhe kthehuni atje së paku t’i vizitoni varret dhe themelet e shtëpive të djegura e të bëra shkrumb e hi”. (Amaneti i muhaxhirëve të Toplicës). Problemet historike në jetën tonë kombëtare dhe shtetërore janë prezente në vazhdimësi. Këto probleme datojnë qysh herët, dhe ato kanë ndikuar në të gjitha proceset e zhvillimit të përgjithshëm shoqëror e kombëtar. Brezat e lindur dhe të rritur në vitet që po jetojmë, të ndarë politikisht me kufij shtetesh, të vendosur nëpër tokat shqiptare me vendimet e Traktatit të Shën Stefanit, Kongresit të Berlinit dhe Konferencës së Londrës, e quajnë të pakuptimtë mosangazhimin e duhur të politikës mbarëkombëtare për t’i korrigjuar padrejtësitë dhe gabimet historike që shqiptarëve iu imponuan gjatë shekujve. Nuk mund të them se është faji i brezave më të vonshëm, pse nuk e kemi ditur këtë, por do të mbetemi fajtorë nëse nuk e mësojmë sot drejt këtë padrejtësi që iu bë shqiptarëve gjatë shekujve të fundit. Sepse deri tash këto padrejtësi në librat e historisë e të gjeografisë i mësuam mbrapsht, ashtu siç na servuan dhe na mësuan të tjerët.


Por, sa më shumë që tash mësojmë, më shumë e kuptojmë se në ato libra nuk është shkruar drejt e si duhet e vërteta historike për shumëçka nga e kaluara jonë. Kjo u bë nga ata që e shkruan historinë me diktate politike e ideologjike. Por, njëkohësisht, fajtorë edhe më të mëdhenj janë ata që e falsifikuan historinë tonë kombëtare. Brezi ynë i sotëm do ta mbajë fajin nëse brezave që vijnë nuk ua shpjegojmë drejt historinë tonë. Pra, do të mbetemi fajtorë nëse për brezat që vijnë nuk i shkruajmë drejt librat e historisë e të gjeografisë sonë kombëtare.

Duhet të dihet qartë e mirë se shteti shqiptar në vitin 1912 u shpall në kufijtë edhe ashtu të tkurrur politikisht që përfshinte 4 vilajetet shqiptare, në një sipërfaqe prej mbi 90 mijë kilometrash katror. Mirëpo, pavarësisht kësaj, nuk pushoi zaptimi dhe grabitja e tokave shqiptare nga fqinjët, e që është më keq çështja shqiptare dhe këto padrejtësi ndaj kombit tonë vazhduan që nga  Paqja e Budapestit, më 1877, Traktati e Shën Stefanit, deri në Kongresin e Berlinit (1878). Çështja shqiptare u kalua shkarazi, duke u përmendur vetëm aq sa i prekte interesat e njërës, ose të fuqisë tjetër botërore. Ndërsa, Fuqitë e Mëdha kujdeseshin që t’i kënaqnin interesat e fqinjëve të shqiptarëve, duke u dhënë toka shqiptare. Nga e gjithë kjo, përfitime më të mëdha nxori hegjemonizmi serb, i cili gjatë shekujve gjithnjë i zaptonte tokat shqiptare. Prandaj, edhe vendimet që u morën në Kongresin e Berlinit, të cilat ishin shumë të padrejta, e shtuan zemërimin e shqiptarëve kundër Fuqive të Mëdha. Ky pezmatim u ndie dhe u theksua veçanërisht në viset ku ndodhi humbja e territoreve.

Prandaj, edhe plagët e rënda të pashëruara që vazhdimisht dhembin dhe ngacmojnë edhe sot trungun kombëtar, e që quhen Molla e Kuqe, Toplica e Sanxhaku i Nishit, ishin dhe mbeten preokupim i shumë gjeneratave, pasi zaptimi i asaj pjese të territorit shqiptar nga serbët, sot e gjithë ditën mbeten të paqartësuara dhe të pandriçuara sa e si duhet. Sepse, kjo pjesë e historisë së dhimbshme për shqiptarët, me gjithë përpjekjet, asnjëherë nuk u ndriçua drejt, qartë e mirë. Nuk u ndriçua drejt, e të mos them fare gjithë ajo që kishte ndodhur në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, në atë pjesë që ishte tokë shqiptare, e që u zaptua nga sllavët. Kjo çështje në vazhdimësi vetëm shkarazi përmendet nëpër disa dokumente historike, apo të autorëve të pakët shqiptarë, por edhe të atyre të huaj. Për më tepër detyrën që duhej ta kryente historia, i mbeti traditës gojore e cila aq sa pati mundësi e kurajë e kultivoi në kujtesën e vet popullore.

Që nga koha kur isha nxënës i shkollës së mesme, por edhe gjatë studimeve, e në veçanti gjatë bisedave të zakonshme, si në tubimet familjare, por edhe në ato më të gjera shoqërore, isha kureshtar të di për historinë e Mollës së Kuqe, që brez pas brezi përcillej nga të moçmit, duke e cilësuar si kufi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që nga koha e sundimit të Perandorisë Osmane. Por, asnjëherë nuk e kisha mësuar me saktësi të vërtetën se ku ndodhej kufiri që quhej si Molla e Kuqe. Për Mollën e Kuqe shpesh në opinion dolën edhe spekulime të ndryshme, kinse ajo është joekzistente etj. Nën trysninë e kësaj kureshtjeje dhe i interesuar për të vërtetën, vendosa që t’i qasem me një cikël dokumentari televiziv, që në verën e vitit 2011 u transmetua në 9 episode në televizionin publik, Radio Televizioni i Kosovës, e që u realizua në bashkëpunim me Radio Televizionin  e Preshevës. Kjo ishte një përpjekje që, sado kudo me të dhëna arkivore, biseda me historianë, demografë, etnologë, veprimtarë dhe nëpërmjet deklaratave të dëshmitarëve të gjallë, apo stërnipërve të atyre që e kishin përjetuar kohën e tmerreve dhe gjenocidit serb ndaj shqiptarëve në Sanxhakun e Nishit dhe Toplicës, ta prek këtë temë, e cila meriton më shumë se kaq. Në këtë cikël të dokumentarit u përpoqa që ta shtjelloj sado pak historinë e Mollës së Kuqe, por t’i prek edhe ngjarjet tjera që e kishin sajuar atë periudhë të dhimbshme për kombin tonë.

Nga puna që kam bërë, gjatë realizimit të ciklit të dokumentarit për Sanxhakun e Nishit, Toplicën dhe kufirin “Te Molla e Kuqe”, arrita të gjej shumë fakte historike në retrospektivë, për ato ngjarje lemeritëse që kishin shoqëruar atë periudhë historike. Do ta përmendja një element që hasa në vendet që vizitova, për të mbledhur dhe siguruar materialin, për ta shtjelluar këtë tematikë, vërejta se bashkëbiseduesit vazhdimisht ndjeheshin të trishtuar kur i përmendin ngjarjet që kishin përjetuar stërgjyshërit e tyre gjatë periudhës së dëbimeve në Sanxhakun e Nishit në vitet 1878-1889. Dhimbja dhe pikëllimi i tyre ishte i papërshkruar, për gjithë ata që ende ruajnë me tapitë e tokave dhe pasurive të tyre në Sanxhakun e Nishit e Toplicës, e që sot e kësaj dite, kjo e drejtë u mohohet vazhdimisht nga Serbia.

Fatkeqësisht, të vdekurit nuk mund të kthehen, por me kujtimin e tyre mund ta vazhdojnë praninë e tyre midis nesh. Sepse, ato ngjarje kanë qenë krim kundër shqiptarëve, e për këtë nuk mund të thuhet asgjë. Prandaj, edhe vendosa që në këtë libër të përfshij pjesët më të rëndësishme nga dokumentari im “Lugina e Preshevës, dikur dhe sot”, i transmetuar në vitin 2011 në Radiotelevizionin e Kosovës. Pjesa që ka të bëjë me rrëfimet e ngjarjeve është autentike. I vetëdijshëm për punën e bërë, nuk dua të jem përjashtues për kritika, ose rrëfime tjera që gjërat i ndriçojnë ndryshe, ose pretendojnë se përshkrimet dhe analizat e tyre janë më të sakta, seç i kam paraqitur në këtë libër. Personalisht vetëm do të përfitoja dhe do të më kurajojnë për hulumtime më të hollësishme në këtë lëmi shumë të ndjeshme dhe të dhimbshme për kombin tonë, në përgjithësi.

Por, njëkohësisht, vatrën e ngrohtë të stërgjyshërve tanë në Sanxhakun e Nishit dhe Toplicës e konsideroj se duhet ta ngremë dhe ta mbajmë gjallë si çështje kombëtare dhe të kërkojmë me argumente të fuqishme në të gjitha institucionet ndërkombëtare që të aktualizohet çështja e kthimit të shqiptarëve në trojet e tyre etnike në Toplicë dhe në Sanxhakun e Nishit. Në elaborimin e kësaj çështje shumë të vështirë, por me interes kombëtar dhe shkencor me sugjerimet e veta substanciale dhe me këshillat përmbajtjesore kontribuuan edhe recensentët e këtij libri, historianët e spikatur Prof. dr. Muhamet Mala dhe Prof. dr. Jahja Drançolli dhe veprimtari Reshat Avdiu, për çka u jam shumë mirënjohës. (Parathënie e librit “Te Molla e Kuqe, 1878-2012)”, Faik Konica, Prishtinë, 2012. Zgjodhi B. Y.)

 

 

Tidningen-Gazeta

Vem är Online?

Kemi 20 vizitorë n'linjë

Besökare

Shikimet e përmbajtjes : 1369110
SocialTwist Tell-a-Friend

Newsflash

 

PËRSHENDETJE TË PËRZEMËRTA DHE TË NGROHTA NGA FËMIJËT E KOSOVËS JU SJELLË BABADIMRI KOSOVAR FËMIJËVE SHQIPTAR NË BORÅS TË SUEDISË

 

Një traditë shekullore e këtij populli fisnik në festimin e festave te fundvitit edhe sot është prezent dhe ka filluar të aplikohet edhe nga ardhacakët të cilët nuk janë të pakët në këtë skaj të rruzullit tokësor këtu në hemisferën e veriut, pra në Skandinavi. Festat e fundvitit këtu në Suedi festohen në menynë madhështore, kësaj tradite kohëve të fundit kanë filluar ti përshtaten edhe shqiptarët. E gjithë kjo në kuadër të integrimit të ardhurve në jetën dhe kulturën e vendit ku ata jetojnë dhe përkrahjen e shtetit suedez dhe komunave për të huajt respektivisht të ardhurit. Edhe këtë vit u pa më së miri se sa aktiv janë mërgimtarët shqiptar dhe se sa ata ku­jdesen që edhe me të vegjlit të ndihen të lumtur dhe se me të vërtetë dikush mendon dhe angazhohet për ta.

Qendra Kulturore Shqiptare “Migjeni” në bashkëpunim me redaksinë e mujores shqipe këtu në qytetin Borås  të Suedisë “Dituria” edhe këtë vit ishin kujdesur që edhe më të vegjlit të ndjejnë gëzimin e festave të fundvitit.

Sot në lokalet e Fjärdingskolan në Borås ishte për vizitë Babadimri Kosovar, i cili vizitoj dhe përshëndeti vogëlushët shqiptar dhe të tjerë me rastin e festave të fundvitit. Ishin mbledhur në sallën e Fjärdingskolan të qytetit Borås fëmija shqiptar, por bashke me ta ishin në pritjen e  Babdimrit Kosovar edhe bashkëmoshatarët e tyre nga të katër anët e botës, të cilët bashkë me fëmijët shqiptar vijojnë mësimet në këtë vatër arsimore.

Pra fëmijët nga qyteti Borås kishin një rast të veçantë, për gëzime, për dallim nga moshataret e tyre shqiptar në qytetet tjera të Suedisë ku ata jetojnë. ”Babadimri nga Kosova” i cili një kohë të gjatë kishte bërë përgatitje serioze për udhëtimin e tij në veri në qytetin Borås të Suedisë, në të cilin jetojnë dhe mësojnë shumë vogëlush shqiptar, në këtë qytet në veri të Evropës ku Babadimri u ndau dhurata në një veprimtari të organizuar me këtë rast. Këtu në Borås fëmijëve shqiptar, por jo vetëm me kaq, Babadim­ri u solli edhe shumë të fala nga moshatarët e tyre nga fëmijët e Kosovës, nga fëmijët e vendlindjes. Babadimri kosovar” në thesin e tij të mbushur enkas për vogëlushët boråsar me dhurata nga plaka e tij në Kosovë kishte sjelle për ta libra por edhe përshëndetje të përzemërta dhe të ngrohta nga kosovarët. 

 

Baba dimri Kosovar fëmijëve shqiptar u dhuroj librin e shkrimtares për fëmije Shahe Rama “Festa e Abetares” ndërsa fëmijëve të kombeve dhe kombësive të cilët vijojnë mësimet në këtë shkollë së bashku me moshatarët shqiptar Babadimri kishte siguruar librin e shkrimtarit për fëmije nga Tirana Viron Kona  në suedisht përkthyer e botuar kohë me parë këtu në Borås  “Min kära Bubulino” ne suedisht nga ana e redaksisë së revistës Dituria.

Është punë e madhe që të organizojmë manifestime të tilla, ku fëmijët tanë do takohen dhe njihen me njeri tjetrin thotë një nënë e cila së bashku me djalin e sajë është shumë e lumtur për dhuratën që i ka sjellë ”Ba­badimri Kosovar”. Por duhet që të gjithë të angazhohemi në këtë drejtim. Ndarjet dhe përçarjet momentale ne mes nesh nuk janë të mirëseardhura, duhet ti lemë mërit, duhet ti lemë huqet e këqij se nuk janë për ne se ka kaluar ajo kohë, duhet të jemi të bashkuar dhe të ndihmojmë fëmijët tanë thotë kjo nënë.

Edhe personeli, pedagogët, mësues dhe të pranishëm u mahnitën nga bukuria dhe prezantimin i Babadimrit Kosovar, mirësjellja e tij, dashamirësia, dhuratat për fëmijët dhe përgëzimet e përshëndetjet e bashkëmoshatarëve nga Republika e Kosovës për vogëlushët e Fjärdingskolan. E lidhur me këtë nga pedagogët e këtushëm  mësuam se ne një të ardhme të afërt nxënës të kësaj shkolle do vizitojnë Kosovën.