Dituria

  • Rrit madhësinë e fondit
  • Madhësia normale e fontit
  • Ul madhësinë e fontit
Home Publikationer-Botime të reja MURAT GECAJ: KUJTIME, QË MBETEN KURDOHERË TË PASHLYERA…

MURAT GECAJ: KUJTIME, QË MBETEN KURDOHERË TË PASHLYERA…

KUJTIME, QË MBETEN KURDOHERË TË  PASHLYERA…

(Libri “Përjetë me Shefikun”, nga Urti Osmani-“Mësuese e Popullit”)

Nga: Prof. MURAT GECAJ

publicist e studiues-Tiranë

1.

Nuk është hera e parë, që marr në dorë libër me kujtime e mbresa, nga një bashkëshort. Tani, p.sh., më kujtohet se, një botim i tillë, ishte edhe libri me poezi, që shkroi e publikoi, afër dy vjet më parë, kolegu e miku i paharruar, i ndjeri Skënder Hasko.  I njohur nga lexuesit tanë për shumë botime të gjinive të ndryshme, pas ndarjes përgjithnjë nga jeta të bashkëshortes, ai thuri disa poezi. Në kujtim të saj, ato i tuboi në librin “Më iku Shanja, gjysma ime”…

Ndërsa në këto pak radhë dëshiroj të flas diçka për një libër të ri, me autore Urti Osmanin-“Mësuese e Popullit”.  Sigurisht, lexuesit e njohin emrin e saj përmes mjaft botimeve të ndryshme pedagogjike, pra për arsimin dhe edukimin. Një vend të merituar ato kanë zënë edhe në ndihmë të fëmijëve të bashkatdhetarëve tanë, në diasporën shqiptare. Ndërsa kësaj here, ajo u ul e shkroi libër të një natyre tjetër. Atë e hartoi me dashuri, dhimbje e mall të pashuar, me disa kujtime të zgjedhura, për bashkëshortin dhe bashkëpunëtorin e jetës, prof. Shefik Osmanin, i cili u nda përgjithnjë nga jeta, më tepër se një vit më parë. Rasti e solli që unë, ashtu si dhe kolegë e miq të saj, të bisedonim me të gjatë kohës, kur vendosi t’i hidhte në letër kujtimet e saj. Ajo shprehej e mallëngjyer dhe e merakosur: “Vallë, a do të mundem unë, që t’i shkruaj të sakta dhe ashtu si duhet e si e meriton, kujtimet e mia të një jete, me Shefikun e shtrenjtë?”.

2.

Pas një pune disamujore, këmbëngulëse e të pasionuar,  mësuesja veterane e arsimit tonë kombëtar, Urti Osmani, arriti ta mbaronte librin e saj, të cilit i vuri titullin domethënës, “Përjetë me Shefikun”. Në kushtimin e saj, ajo shkruan: “Shefikut, bashkëshortit tim të paharruar, me mirënjohje të thellë, për kujdesin e jashtëzakonshëm, që ka treguar dhe për dashurinë e pakufishme, që më ka dhuruar”.

Libri në fjalë u përgatit për botim nga Shtëpia Botuese “Filara”, Tiranë dhe u shtyp, me një teknikë të lartë, nga Shtypshkronja “Mileniumi i Ri”, po në kryeqytet. Ai është ndërtuar sipas një strukture të menduar me kujdes të posaçëm. Hyrjen e librit e ka shkruar prof.dr. Tomor Osmani-“Mjeshtër i Madh”, pedagog në Universitetin e Shkodrës, “Luigj Gurakuqi”. Ndërsa në parathënie  ka shkruar pak radhë, vetë autorja, Urti Osmani. Më tej, vijojnë 7 kapituj të librit, secili më i bukur e domethënës, se tjetri.

Një vend parësor i ka kushtuar autorja njohjes dhe mbresave nga jeta bashkëshortore, duke dëshmuar për lexuesit edhe fakte të prejardhjes së tyre, mbresa nga jeta arsimore e pedagogjike, në Shkodër e Tiranë etj. Po, për këto të fundit, ka shkruar më hollësisht në pjesën “Ngjarje të shënuara”. Veprimtaria e gjerë, arsimore dhe pedagogjike,  e prof. Shefik Osmanit ishte e mbushur me veprimtari të shumta e të paharruara, si brenda dhe jashtë vendit. Dëshmitare e tyre ishte kudo vetë Urtia, si në udhëtimet e bëra në Zvicër, Kosovë ose Suedi. Ndërsa më hollësisht flitet për këto në pjesën “Shënime dhe mbresa nga udhëtimet” jashtë Shqipërisë, si në Itali, Gjermani, Holandë, Iran, Dubai dhe Arabi Saudite.

Për punën e përkushtuar atdhetare, arsimore e pedagogjike dhe për botimet e shumanshme, prof. Shefik Osmani  është çmuar, vlerësuar e nderuar. Për këto, autorja shkruan e dëshmon edhe me  mjaft fotografi, se ai mori “Çmimin e Republikës”, të shkallës së tretë, për “Fjalorin Pedagogjik Shqiptar” (1984); titullin “Mësues i merituar”(1989) dhe titullin “Drejtues kërkimesh”(1995), i barabartë me “Profesor”.

Një pasuri e çmuar, për të ndriçuar jetën dhe veprimtarinë e prof.Shefik Osmanit, janë edhe kushtimet e vlerësimet e sa e sa personaliteteve, kolegëve e miqëve të tij, të cilat autorja i ka vendosur në pjesën e pestë të këtij libri. Ndërsa në pjesën e shtatë janë pasqyruar, përmes fotografive, pjesëmarrjet dhe ligjëratat e mbajtura nga ai, si brenda e jashtë vendit. Mendoj se ky “mikroalbum” përbën një libër më vete, domethenës e kuptimplotë.

Vëmendjen e lexuesit e tërheq edhe pjesa “Heshtja, dhimbja që nuk durohet”, përmes radhëve të dhimshme të së cilës Urti Osmani e kujton plot dashuri e mall të pashuar, bashkëshortin dhe bashkëpunëtorin e një jete të tërë, prof.Shefik Osmanin. Plot sinqeritet, me mendimin e një lexuesi, ajo i përgjigjet edhe pyetjes së kureshtarëve,  nëse ai kishte patur ndonjë të metë: “Urtia e ka përshkruar Shefikun ashtu siç ka qenë. Ndërsa, nga marrëdhëniet e tyre bashkëshortore, ne kemi marrë shembull”.

3.

Në tërësi, këtë botim e bëjnë më të lexueshëm pjesët e shkurtëra nga autorja, të cilat lidhen natyrshëm e organikisht me njera-tjetrën. Veçori tjetër dalluese është përdorimi i sa e sa fotografive, shprehëse e domethenëse. Ato i japin kuptim tërë përmbajtjes së një jete, ndërmjet dy bashkëshortëve e bashkëpunëtorëve të ngushtë, në punë, studime e botime në fushën e arsimit kombëtar shqiptar.

Mund të shkruaja e të flisja edhe më gjatë për vlerat e domethënien e këtij botimi. Ndërsa, po përfundoj me mendimin e shprehur nga një mësuese dhe edukatore, Katerina Zhuri. Ndoshta,  ishte e para që e lexoi librin “Përjetë me Shefikun” dhe, përmbledhurazi, ajo u shpreh  me këto fjalë: “Është shëmbulli më i mirë e më i bukur, përkushtimi më bindës dhe emocionues, që mund t’i bënte ajo bashkëshortit të saj të dashur, të nderuar dhe përgjithnjë në mendjen dhe zemrën e vet. E përgëzoj, e uroj dhe shprehi mirënjohjen time ndaj saj, për këtë “lapidar prej floriri”, që i ngriti atij. Pra, i lumshin mendja e duart!”

Tiranë, 14 shtator 2013

 

Newsflash

                       KONFERECNA RAJONALE E ARSIMIT KUKES - ARSIMI NA PERKET TE GJITHVE

Synime per rritje cilesore ne arsim

          Konferenca rajonale e arsimit me teme: - “Arsimi na perket te gjithve”, u mbajt ne qytetin e Kukesit me pjesmarrje te mesuesve, drejtoreve te arsimit te detyrueshem nentevjecar, drejtor gjimnazesh, perfaqesues te komunitetit, kryetar komunash e bashkise, drejtues te OJF-se, nga Kukesi,Hasi e Tropoja, si dhe prefekti i Qarkut te Kukesit z. Elez Maci, dhe Zevendes Ministri I Arsimit e Shkences z. Halit Shamata.

     Ne fillim perfaqesuesja e MASH-se Znj. Nina Gjoci, prezantoi qellimin e kesaj conference. Ajo u ndal ne punen qe duhet bere ne te ardhmen, per te rritur dhe edukuar nje brez te devotshem dhe te gatshem per te cuar vendin tone ne arritje me te larta.

     Drejtori I Drejtorise Rajonale te Kukesit z. Ylli Metalia, u ndal ne arritjet e arsimit ne KUkes, Has dhe Tropoje, duke theksuar per zhvillimin e arsimit sa me cilesor.

     Ne fjalen e Zevendes Ministri I Arsimit e Shkences z. Halit Shamata, solli pershendetjet e Ministrit te Arsimit e Shkences Prof. Dr. Myqerem Tafaj. Une e njoh shume mire qarkun e Kukesit, vijoi z. Halit Shamata, sepse detyren time si mesues e kam filluar ne nje fshat te qarkut te Kukesit, ku kam mbresa dhe kujtime shume te bukura, une ju kam ndjekur ne vijimesi dhe ne arritjet qe keni patur dhe per kete ju pergezoj.

      Ndersa Dr. Mexhit Hajdari, Drejtues I filjalit te Universitetit Shtetrore ne Kukes, theksoi vijueshmerine e cilesise se punimeve te reja ne kete fakultet te studenteve te pranuar nga Kukesi, Hasi, Tropoja, Puka, Peshkopia dhe nga Kosova kryesisht nga rrethinat e Prizerenit.

     Per teknologjine dhe informacionin Znj. Ardiana Sula perfaqesuese e MASH-it, dha nje kumtese me mjaft kompetence profesionale dhe shkencore.

    Znj. Dafina Cenaj ne kumtesen e saj u ndal ne funksionimin e financave dhe planifikimin buxhetor ne arsim, e cila u ndoq me mjaft vemendje nga pjesmarresit e kesaj konference.

    Znj. Albina Buci pati mjaft interes kumtesa e saj per projektet ne mesimdhenie.

    Ne fund te konferences folen per eksperiencen e tyre shume vjecare ne fushen e arsimit dhe te edukimit, perfaqesues te kominitetit te prinderve shembullor, mesues dhe drejtues shkollash, perfaqesues te pushtetit vendor nga Kukesi, Hasi e Tropoja.

Ibrahim Hajdarmataj