Dituria

  • Rrit madhësinë e fondit
  • Madhësia normale e fontit
  • Ul madhësinë e fontit
Home

Vlora Banushaj: PARA PASYRËS SË JETËS

Shkruan: Vlora BANUSHAJ

 

                                              PARA PASQYRËS  SË JETËS

 

 

Pas një dite të gjatë, ndoshta edhe pak të lodhshme, u ula të pushojë pakëz. Sot  komunikova me pranverën me gjuhën e ngjyrave! Kjo gjuhë e komunikimit me gjithë ato ngjyra të gëzuara, të hapura dhe me plot gjallëri më dhuroi një buqetë buzëqeshjesh dhe shkëndija lumturie... Buzëqeshte natyra - buzëqeshja edhe unë! Më dukej se gjithçka ishte mbështjellë në buzëqeshje!!!... duke i mbuluar ca re të vockla mërzie që rastisin të shëtisin në qiellin e shpirtit ndonjëherë edhe në këtë stinë të ringjalljes së natyrës. Dhe diku në rrugën e kësaj hapësire të këtij komunikimi e kapa, e ndjeva një thirrje, e mora një ftesë... Mirëpo, pas kësaj  ftese, shkova t’i prek pak e t’i shijoj edhe ngjyrat e ëndrrave, aty ku harmonizohen e shkrihen ngjyrat e dëshirave që na i “dhuron realiteti” që shpeshherë, disa nga këto, thuhen shprehimisht e disa nga ato ndoshta mbesin përjetësisht të rezervuara thellë...

Për një çast hedha hapin dhe tejkalova pak realitetin, për të qëndruar vetëm për disa momente... e pasi u ktheva prapë për ta prekur realitetin, ah, po, m’u kujtua ftesa që e kisha marrë sot. Një ftesë jo e zakontë në dukje të parë!  Por, nuk është hera e parë që e marr një  ftesë të tillë!!! Nuk është hera e  parë që jam e ftuar. Nuk më është e adresuar nga ndonjë mik apo mikeshë! Jo. Nuk është e shkruar në letër, as nuk është e thënë me fjalë! Nuk  vije nga jashtësia!  Kjo është një thirrje pa zë, pa fjalë, pa zhurmë. Një ftesë e pashkruar! Por, ka tingull, notat e të cilit arrin t’i kapë vetëm veshi im! Thirrjen dhe dridhjen e ndjen vetëm zemra ime! Vendimin e merr mendja ime! Dhe ju përgjigja thirrjes. Ngase nuk kisha dyshime të shkoja apo t’mos shkoja. Nxitova! Thuajse i kisha të numëruara minutat!!! Më thërriste shpirti, zemra njëzëri... Kisha shumë nevojë për këtë takim. Kisha nevojë pak të veçohem së bashku me shpirtin tim e të shtrihem në hapësirën time… Ta ndjej e ta shijoj këtë liri të pakufizuar, por me shumë përgjegjësi për mua! Andaj, erdha të takohem! Më kënd?! -do të ishte pyetja e radhës. Po më kënd tjetër:  Vetëm se me  vetën!!!

Takimi me vetveten! I mora të gjitha ato që më takojnë vetëm mua... Çdo gjë e huaj është e rëndë, e tepërt, andaj, edhe nuk e marr me vete, sepse nuk është pjesë e imja dhe nuk më shkon! Nuk flenë në natyrën time... se nuk dua zhurmë dhe atë zhurmë për asgjë!!!...

Këtu ku shkoj nuk ka vend ajo që nuk më takon mua. Këtu gjithçka është pjesë e imja. Gjithçka... dhe Asgjë...  tash m'u kujtua kjo, sepse është e rezervuar për mua dhe unë e kam të rezervuar për dikë... Gjithçka e mban vulën time. Gjithçka e mban nënshkrimin tim. Dhe sa herë që ngjitem në shkallët e kësaj hapësire, në secilin moment ndihem më e plotësuar e më përmbushur.

Sapo hedha hapin këtu në hapësirën e rezervuar vetëm për mua,  u ula dhe qëndrova para pasqyrës! Po, po, pikërisht para  pasqyrës së jetës sime! Aty ku reflekton dhe pasqyrohet shpirti im si është më së miri. Sipër pasqyrës harkohet ylberi i ndjesive të mia me të gjitha ngjyrat… Sigurisht se para pasqyrës qëndron libri. Titulli i tij është: Libri i jetës! E lë aty afër, sepse secilën ditë e shpalos nga një faqe të re dhe shpesh i rikthehem prapa ta rilexojë ndonjë  fragment të jetuar, të kaluar aty... sepse aty në çdo faqe, në çdo rresht, ka mbet një pjesë e imja... gjurmët e hapave të hedhur. Për atë edhe kam shumë kujdes se me çfarë po i mbushë këto faqe të librit të jetës sime. Faqet që i lë pas, janë vazhdimësi e faqeve që shkruhen, e këto pastaj do të jenë pikë referuese e atyre faqeve që do të pasojnë. E tëra rrjedhë dhe funksionon si zinxhir, e kaluara, e tashmja dhe e nesërmja... Nuk dua që një ditë, kur t’i rikthehem e ta shfletoj këtë libër, ta kem ndjenjën se duhet ta gris ndonjë faqe apo ta shlyej ndonjë rresht. Jo, të paktën ato që i kam unë në dorë, joooo...

Dhe vazhdoj t’i shfletoj dhe të marr ndjesi nga me të ndryshmet: herë ndjej lumturi, e herë krenari; herë nostalgji, e herë-herë mall; herë gëzim… Ndonjë faqe ka gjurmë të lotit... ndonjë faqe si ta hapë dalin shkëndijat e shumta të buzëqeshjeve... dhe unë tretëm në to dhe dua të mbetem aty... dhe m'u kujtua ajo thënia: “Buzëqeshja me zemër është nektar  i jetës”...

Mirëpo, mund të them se këtu ka shumë qetësi. Shumë paqe. Paqe me vetën, e pastaj kjo bartet edhe tek të tjerët!

Mundohem ta kuptoj vetën, e ndonjëherë kur tjetri nuk arrin të më kuptojë, unë të paktën mundohem ta kuptoj atë. Këtu nuk lëviz asgjë, në fakt nuk dëgjohet të lëvizë diç, mirëpo nuk do të thotë se nuk ka jetë - ka dhe atë shumë! Thellësi dhe pafundësi… por, edhe unë kam shumë kujdes që ta ruaj këtë qetësi në këtë  përditshmëri të zhurmshme.

Dhe nuk më tremb aspak ky takim! Nuk më pengon kjo qetësi, kjo heshtje, ky pushim, ky veçim… Jam më shumë se e mishëruar. Këtu e prekë atë ngjyrën që e dua pafundësisht -  kaltërsinë e qiellit, këtu e prek atë ngjyrën e artë të diellit, këtu e prek edhe ngjyrën e kuqërremtë të perëndimit të diellit, këtu e prekë edhe qiellin të ndriçuar me yje… Gëzimi, shqetësimi, loti, buzëqeshja, malli, dashuria, të gjitha e kanë vulën me emrin tim. Këtu marr ajër lirshëm, këtu dëgjojë tingujt që s’arrij t’i dëgjoj në përditshmërinë time. Këtu ndodhë një transformim apo një pastrim i imi. Këtu nuk flas më askënd, por, nuk e ndjej nevojën të flas më dikë tjetër. Këtu  marr shumë dashuri, shumë pastërti, shumë ngrohtësi... shumë përgjigje nga pyetjet që i marr me vete...

Këtu, në tavolinën e jetës sime, i shtrojë para vetës gjithë ato që m’i ka ofruar jeta dhe çfarë kam bërë me to! Këtu i marr të gjitha përgjigjet! Mundohem ta zgjedhë atë më të mirën, atë më të arsyeshmen por, gjithherë duke mos e lënë anash atë shpirtëroren. Këtu funksionon harmonia, bashkëpunimi... ndjenjat janë shoqe me arsyen... Duke folur me veten ndonjëherë mjegullohet shikimi dhe e ndjej se vazhdon të më ndjekë ajo ngjyra e hirtë... por, edhe kjo është ngjyrë jete apo jo? Askush nuk e sheh këtë ngjyrë, askush nuk e sheh këtë si ngjyrë që s’ka vend... por, ja që unë nuk e pëlqej fare.

Duke menduar kështu, e dëgjova një zhurmë! U drejtova në drejtim të asaj  që e dëgjova më tej - ishin “ca pika shiu”...  e pas kësaj rrezet e arta të diellit takohen me shikimin tim dhe më duket se e mora një përkrahje të fuqishme në këtë rrugë të gjatë që jam nisur...

E unë vazhdoj të mendoj me zë para pasqyrës së jetës sime, sa herë takohem me vetën...

Unë vazhdoj ta lexoj jetën... Vazhdoj t’i dëgjoj tingujt e jetës... dhe sigurisht t’i buzëqeshë jetës.

 

Newsflash

 

Delvina Kërluku

Manifestimet me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë!

Atdheu është vendi ku kemi lindur dhe ku kanë jetuar të parët tanë. Atdheu ynë është Shqipëria, për të luftojnë e punojnë shqipëtarët.

Historia e këtij vendi është aq e dhimbshme, përshkak të luftrave, përçarjeve të trojeve të saj. Gjuha e këtij vendi është e lashtë sa vetë Shqipëria. Këto fakte datojnë qysh nga preardhja e të parëve tanë pellazgët e më tëj Ilirëve, deri më sot të ashtuquajturit e këtij vendi shqipëtarët.

Shqipëria sot gëzon statusin e saj të pavarur, i cili është një copë vend, ku trojet e saj të dikurshme u përçanë nga luftrat e okupatorëve. Një copë Shqipëri është në Maqedoninë Ilire, një pjesë tjetër quhet Çamëri, edhe Kosova quhet  Shqipëri. Të gjithë këto troje i përkasin asaj dhe saherë ka nevojë vendi amë, këta i dalin krah.

Edhepse historia e ka bërë të vetën, këto troje nuk qëndrojnë qetë deri në ribashkim. Këto troje qajnë kur humbin jetë shqipëtarët anemban botës. Këto troje i gëzohen gëzimeve. Pra edhe këtë vit të gjithë këto troje janë në këmbë të festojnë 100 vjetorin e Pavarësisë së vendit amë - Shqipërisë. Për këtë festë, festojnë edhe shqipëtarët që kanë rrugëtuar jashtë vendit, në mërgim, duke formuar shoqëri atje bashkë me bashkëkombasit e vet dhe poashtu në të mirë e në të keqe i dalin zot Atdheut. Shqiptarët sot janë kudo, dikush është larguar nga mëmëdheu, përshkak të gjendjes së vështirë ekonomike e dikush për arsye të ndryshme. Por, ato pavarësisht se janë larg, ata mendojnë e veprojnë për të.

Dikush qëndis flamurin, dikush pikturon figurat e kombit, dikush thurr poezi a libër, dikush këngë i këndon mëmëdheut, etj.

Ky vit është viti më jubilar i Shqipërisë. Ky vend më 28 Nëntor feston ditën e pavarësisë, atë ditë ku bota i’a caktoi kufijtë dhe e shpalli atë të pavarur në krye me Ismail Qemalin dhe shokët e tij. Edhe pse disa nga ne shqiptarët jemi jashtë saj, edhe pse ne e vuajmë këtë gjë, ne përsëri i brohorasim kësaj dite, ku valëvitet i lirë flamuri kombëtar shqiptar. Ky flamur do të valvitet edhe në trojet e saj që kanë mbetur jashtë saj, sepse shqiptarët në këto troje kanë gjuhën, traditat, zakonet e njejta si vetë Shqipëria. Prandaj, këtu tek ne edhe në vendet e tjera me shumicë shqiptare është formuar Këshilli Organizativ për 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë dhe ditë së Flamurit Kombëtar shqiptar me shqiponjën dy krenare. Në çdo tokë shqiptare është i formuar një këshill të udhëhequr nga selia amë Tirana. Pra ky këshill si në Tiranë, Prishtinë, Shkup e gjetiu funksionon për festimin sa më dinjitoz të ditës së flamurit. Në këtë këshill përfshihen përfaqësues të të gjithë institucioneve.Si përshembull në vendin tonë në Maqedoni nga informacionet që kemi marrë nga mediat dhe nga pjesmarrja në manifestimet, shikohet që shqiptarët në këtë vit feste bashkohen në këngë, valle, art e kulturë, shkencë, etj… Rast konkret është shfaqja e operës “Skënderbeu” në Shkup, ku ishin të përfshirë gjithë aktorët, sopranot shqiptar nga trojet shqiptare. Konferenca shkencore për heronjtë dhe kontribuesit në çështjet shqiptare si psh: vepruesit për Shqipërinë por të ardhur, nga vendi sot i a.q Maqedoni, Josif, Bageri, Mehmet Pashe Deralla, Dervish Cara, etj.

Para do kohe u vendos në Shkup edhe Busti i heroit Hasan Prishtina ku identifikon atë se kjo figurë është e vendosur edhe në Prishtinë dhe tani do vendoset edhe në Tiranë. Kjo dëshmon që këndvështrimet  mbi çështjen shqiptare janë të përbashkëta, vëllazërore. Ndërsa, muaji Nëntor i bashkon shqiptarët me poezi, këngë, valle ku parashikohet asambli shqiptar në Manastir, vendosja e monumenteve në muzeun e shkronjave të ABC –së. Manifestim në Shkup. Dhe se këtë vit çdo vend, çdo individ është kontribues për këtë ditë të madhe. Fjala, poezia kënga, vallja gjëmon në çdo dhomë e tokë shqiptare. Sepse Shqipëria është nëna jonë,ne jemi bijtë e saj. Për të rrojmë e punojmë ne. Rroftë mëmëdheu – Shqipëria.

Shkup, Nëntor 2012