Dituria

  • Rrit madhësinë e fondit
  • Madhësia normale e fontit
  • Ul madhësinë e fontit
Home Debattartiklar-Debatt artikuj Murat Gecaj: ME SHKRIMTARIN E NJOHUR NAUM PRIFTI, BISEDUAM “PËR SHKUP E PËR SHKODËR”…

Murat Gecaj: ME SHKRIMTARIN E NJOHUR NAUM PRIFTI, BISEDUAM “PËR SHKUP E PËR SHKODËR”…

ME SHKRIMTARIN E NJOHUR NAUM PRIFTI, BISEDUAM “PËR SHKUP E PËR SHKODËR”…

Nga: Prof. Murat Gecaj

Publicist e studiues-Tiranë

Nga e djathta: N.Prifti e M.Gecaj (Tiranë, 2 gusht 2011)

1.

Ndoshta, ky titull i shkrimit tim duket pak i pakuptueshëm. Kjo mund të jetë për ndonjë lexues, që nuk e di kuptimin e shprehjes popullore, që “folëm ose biseduam për Shkup e për Shkodër”. Megjithëse nuk jam i qartë se si ka mbetur e tillë kjo shprehje, që përdoret kryesisht në Malësinë e Gjakovës (Tropojë), përmbajtja kryesore e saj është, kur dy veta flasin me njëri tjetrin për tema nga më të ndryshmet, pra kur ata kalojnë “nga një degë, në tjetrën”. Kështu na ndodhi edhe mua e kolegut e mikut tim të kahershën, shkrimtarit të shquar Naum Prifti.

Pas një “odiseje” të mëparshme me anën e Internetit, përmbi Oqenain Atllantik, fatmirësisht, u morëm vesh me telefon dhe u takova dje në mbrëmje, në Tiranë, me këtë shkrimtar të njohur, aktualisht me banim në Nju Jork. Kishim afër 15 vjet që nuk ishim parë dhe, së fundi, kur unë isha për vizita atje, në vitet 1993 e 1994. Sigurisht, takimet e dy njerëzve ose kolegëve janë të natyrshme dhe nuk ka se përse të bëhen publike, nëqoftëse ato nuk kanë dhe një interes të tillë. Por, meqenëse mendova se ky mik i imi i kahershëm është ndër shkrimtarët e tregimtarët më të shquar shqiptarë, mendova se lexuesi ka kërshëri të njihet me të, më nga afër.

Zanafilla e njohjes sonë është që në fillimin e viteve 60-të të shekullit të kaluar, kur unë mbarova studimet e larta e nisa të punoja në shtypin e fëmijëve. Ndërsa Naumi, shtatë vjet më i madh se unë në moshë, në atë periudhë kishte nisur të bënte emër me krijimet e tij. Përveç tregimeve, ai filloi të shkruajë edhe skenarë për filma, kryesisht artistikë.

Jo vetëm për ata, që nuk e dinë këtë fakt të fundit, por edhe për ndonjë që e ka harruar atë, po rikujtoj këtu se Naum Prifti është skenarist i filmave të Kinostudios sonë: “Pika e ujit” (1976), “Zani, partizani” (1976), “Udha e shkronjave” (1978), “Era e ngrohtë e thellësive” (1982), “”Kush vdes në këmbë” dhe “Fejesa e Blertës” (1984) e “Tre veta kapërxejnë malin” (1988).

Kur e përmendim tani këtë tematikë, pra të skenarëve për filmat artistikë, ai flet me dashuri të veçantë për atë, që i kushtoi “Mësuesit të Popullit” dhe martirit të shkollës shqipe, Petro Nini Luarasi, i cili këto ditë (17 gusht 2011) mbushë 100-vjetorin e vdekjes. “Ndoshta,-tregon tani Naumi,- këtë skenar e shkrova edhe për lidhjet e mira dhe respektin e veçantë, që kisha për birin e tij, pedagogun Skënder Luarasi, të cilin e kujtoj gjithnjë me nderim”. Por ai i ka për zemër edhe mjaft nga librat e tij, ndonjërin nga të cilat thotë se nuk e kishte gjetur në libraritë e kryeqytetit.

Ndërsa edhe në vitet e qendrimit në Amerikë, Naumi nuk ka ndenjur duarlidhur. Përkundrazi, ka shkruar artikuj të ndryshëm në shtyp, si për shembull te gazeta shqip-anglisht, “Illyria”. Me rëndësi për këtë autor ishte libri me tregime e novela, “Gërryerja e shpirtit” (me tema nga periudha e diktaturës në Shqipëri). Në vitin 2003 publikoi librin tjetër, “Nëna e diellit”, në të cilin flitet për figura të njohura shqiptare, si S.Malëshova, M.Kuteli, K.Trebeshina, B.Xhaferi, T.Zavalani, S. Luarasi etj. Po kështu, bashkë me Nuhamet Mjekun, ka botuar librin me shumë interes, “Shekulli XXI dhe Kombi” (shkrime nga nga autorë të ndryshëm). Ai tani më tregon se ka mjaft dorëshkrime të vlefshme, ende të pabotuar, ndër të cilët disa në arkivin e tij vetjak, në shtëpinë që ka në Tiranë.

Në bisedën tonë zunë vend edhe disa shkrimtarë e personalitete të njohur të letrave shqipe, që nga Fan Noli, Faik Konica e Dritëro Agolli, por edhe Isuf Luzaj, veprat e të cilit po i publikon tani shkrimtari e poeti Xhevat Beqaraj. Me të drejtë, për I.Luzajn tani po përgatitet një propozim, që atij t’i jepet titulli më i lartë, “Nderi i Kombit”, me nismën e shkrimtares vlonjate Vilhelme Vranari. Po kështu, kujtuam me respekt vëllain e tij, Peter Priftin dhe studiuesen Safete Juka, që e kanë zhvilluar veprimtarinë e tyre atdhetare e letrare në Amerikë, deri sa janë ndarë përgjithnjë nga jeta.

Si kolegë të shtypit të shkruar, folëm edhe për disa gazeta e revista, si në Tiranë e në Nju Jork dhe për qendra Interneti, të cilat po bëjnë një punë të vlefshme për nxitjen e krijimtarisë letrare e publicistike të autorëve shqiptarë, siç janë: “Fjala e Lirë”, “Bota e Re”, “LGSHD” e tjerë.

Të jem i sinqertë me lexuesin, ne biseduam bashkë edhe për tema të aktualitetit, si për Shqipërinë e Kosovën, por dhe për Nju Jorkun, ku ka një komunitet shqiptarësh, të vjetër e të ri dhe që e kanë gjetur aty mirë vetën, në atë qytet e shtet të stërmadh. Pra, në përgjithësi, pikëtakimet tona në bisedë ishin shumë të përafërta, se folëm edhe për tema “të nxehta” të politikës së ditës, të mbështetjes së krijuesve e botimeve të tyre e tjerë, por gjithnjë me frymë miqësore dhe mirëkuptim të plotë.

2.

Si pjesë të këtij shkrimi, për bisedën e zhvilluar me mikun e kolegun Naum Prifti, dëshiroj të rikujtoj këtu diçka nga jeta e krijimet dhe botimet e tij letrare, e cila është e larmishme dhe me vlera të shumanshme.

Ka lindur në Rehovë të Kolonjës, në një datë të shënuar për arsimin tonë kombëtar, pra më 7 mars 1932. Shkollën fillore e përfundoi në vendlindje dhe atë 8-vjeçare në qytetin e vogël të Ersekës. Me dëshirën për t’u bërë sa më mirë njerëzve, ndoqi e përfundoi Politeknikumin Mjekesor në Tiranë, në vitin 1953. Por ishte letërsia ajo e fshehtë magjike, që e tërhiqte më shumë dhe që e bëri të ndiqte më pas studimet në degën gjuhë-letërsi shqipe, në Tiranë. Në vitet 1954-1960, punoi redaktor në revistën humoristike “Hosteni” dhe tre vjet të tjerë në vazhdim, redaktor në revistën e ilustruar “Ylli”. I detyruar nga rrethanat e kohës, në vitet 1967-1970 e provoi edhe profesionin e fituar në auditorët e shkollës së lartë, pra mësuesinë, në Divjakë të Lushnjës. Në vitet 1970-1972, e rikthyen në kryeqytet, tashmë redaktor përgjegjës i buletinit “Skena e fëmijëve dhe dy vjet të tjera inspektor i degës së teatrit, në Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës (1974-1976). Po kështu, gjatë asaj kohe ka dhënë leksionet e letërsisë shqipe, si pedagog i jashtëm, në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit të Tiranës.

Me fitoren e proceseve demokratike në Shqipëri, shkoi emigrant në Nju Jork të SHBA-ve. Përsëri atje e vijoi punën e tij, në shërbim të bashkatdhetarëve, duke publikuar në shtyp e duke botuar libra. Që nga viti 1995, është zgjedhur sekretar i Federatës Mbarëshqiptare “Vatra”. Ndërsa, me krijimin e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptarë-Amerikanë, e zgjodhën kryetar të saj.

Naum Prifti ka nisur të shkruajë e të publikojë që në rininë e tij. Sasia dhe cilësia e librave të tij e rendit atë ndër shkrimtarët më prodhimtarë të shekullit të kaluar. Krijimtaria e tij letrare është e larmishme dhe shtrihet në disa gjini: tregime, drama, komedi, novela, skenarë filmash, pjesë për teatrin e kukullave, skenarë për filma vizatimorë, biografi, artikuj kritikë, publicistikë etj. Janë thuajse 100 vepra letrare, më shumë se vite jete dhe dyfishi i një gjysmëshekulli krijimtarie. Ka fituar çmimin “Penda e Argjndë” (Tiranë, 2001) për vëllimin me tregime “Nëna e Diellit” dhe “Penda e Artë” (Nju Jork, 2003), për librin me tregime dhe skica humoristike, “As Miço, as Muço”. Tregimi i tij, “Dimri i Urisë” ka merituar Çmim-Nderi (Honour Prize), në Konkursin Letrar Ndërkombëtar të “Maison Naaman pour la Culture”(2004-2005). Ky autor shqiptar është pranuar anëtar-nderi, i Shoqatës Kulturore “Naji Naaman”.

…Ishte mbrëmja e fundit e qendrimit, gjatë kësaj radhe në Tiranë, e njeriut të mirë dhe autorit të shquar të letrave shqipe, Naum Prifti. Tani ai ndodhet përsëri në familjen e tij, në një pjesë të Nju Jorkut. Ndërsa unë kujtoj fjalët, që ai tha: “Bëre mirë ti, që nuk qendrove në Amerikë, kur ishe dhe u takuam bashkë, më 1993 e 1994. Se, me gjithë jetën e mirë, që bëjmë atje, përsëri na mungon shoqëria jonë, nuk i kemi pranë vendlindjen as Shqipërinë. Dhe, sa dëshirë kam që këtë vend tonin ta shoh sa më të zhvilluar, të përparuar e të lulëzuar! Por, kjo do të arrihet vetëm me mirëkuptim të plotë ndërmjet njerëzve, me diturinë dhe punën e bashkuar të të gjithë bashkatdhetarëve tanë, pa asnjë dallim partiak, fetar ose çdo lloji tjetër, qoftë ai”.

I urojmë nga zemra mikut e kolegut Naum Prifti: Shëndet të plotë e jetëgjatësi, përsëri krijimtari të zgjedhur, si përherë dhe le të shohë vetëm gëzimin e lumturinë e pasardhësve të tij!

Tiranë, 3 gusht 2011

 

Tidningen-Gazeta

Vem är Online?

Kemi 9 vizitorë n'linjë

Besökare

Shikimet e përmbajtjes : 1014771
SocialTwist Tell-a-Friend

Newsflash

Kanal Televiziv në Gjuhën Shqipe në Skandinavi

”TV Dituria”

Organ i QKSH ”Migjeni” në Borås


QKSH ”Migjeni” në Borås është një ndër shoqatat kulturore me aktive ne diasporë për ruajtjen, kultivim e Gjuhës, kulturës dhe traditës shipe.

Përmes këtij Kanali TV ne synojmë të kultivojmë tek fëmijët shqiptarë në Skandinavi dhe më gjerë kulturën, traditën shqipe, synojmë të sjellim të arriturat më të mira në fushën e letërsisë për fëmijë nga të gjitha trojet shqiptare dhe mërgata jonë, te mundësojmë fjalën shqipe në shtëpitë e mergimtarëve tanë, që është shtylla kryesore për krijimin e një identiteti të shëndoshë e modern. Përmes përmbajtjeve të përshtatshme për moshën e fëmijëve dhe për rrethanat e tyre jetësore , Kanali ”TV Dituria”  do të jetë një lidhje e natyrshme e botës fëmijërore me Atdheun dhe me vendin mikpritës.

Do të bëhen marrëveshje për kontakte të përhershme me shtëpit Televizive nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Lugina e Preshevës, të cilët do ta ushqejnë këtë kanal me përmbajtje të përshtatshme për botën fëmijërore dhe mërgatës në përgjithësi.

Në programet e këtij kanali një vend i veçantë do t’i kushtohet edhe botës prindërore. Prindërit shqiptarë kanë nevojë imediate për tu informuar mbi shumë çështje që kanë të bëjnë me shkollimin e fëmijëve të tyre, duke filluar me informacionet mbi sistemin shkollor aty ku ata jetojnë e deri tek temat e veçanta mbi vështirësitë konkrete që ata i mundojnë.

Me porogram ne baze te nje plani te periluar do te fillohet me 7 qershor nga ora 18;00 ku cdo javë në kete kohe mund te percilelt program dikrekt ne Gjuhen  shqipe, ndersa per cdo dite do te emitohen dokumentar si dhe filma shqip.

Fushat transmismetimit

TV Kanali i hapur transmeton programin në Transmetuesit analog tërë ditën në paketën bazë Com Hem në kanalin S11 dhe rrjetet dixhitale Telia në kanalin 500. Ne kemi arritë të mbulojmë me program rreth 245 000 familjeve në Göteborg, Molndal, Kungälv dhe Kungsbacka dhe 8. 000 dhoma hotelesh në këtë qytet dhe të gjithë strehimit studentore në Gothenburg, dhe bëjmë tranmetim të hapur Web Channel TV që mund të gjeni në ketë adresë interneti dhe ta përcillni programin tonë në cdo pjesët ë rruzullit tokësor

http://www.dituria.se/

 

PËRSHEDNETJE VËLLËZËRORE!

Më gëzoi shumë lajmi për çeljen nga ana juaj dhe e stafit tuaj të  Kanalit Televiziv në Gjuhën Shqipe në Skandinavi, ”TV Dituria”, Organ i QKSH ”Migjeni” në Borås.

Si edhe revista dhe radio “Dituria”, sikurse edhe QKSH “Migjeni’, edhe çelja e këtij kanali televiziv është fryt i punës dhe i atdhedashurisë tuaj, i vlerave tuaja njerëzore, shpirtërore e kulturore, i përpjekjeve të mëdha dhe të mençura që ju keni bërë hap pas hapi, duke arritur deri në çeljen e një kanali televiziv. Vërtet, sukses i madh dhe mbresëlënës !

Është rasti që, nga ana ime, bashkë me falënderimet dhe mirënjohjen e thellë për ju, i shpreh respektin dhe konsideratën e lartë strukturave të Shtetit Suedez që mbështet nisma dhe zhvillime të tilla demokratike të fjalës së lirë, duke ju vlerësuar juve dhe bashkëkombësit  tanë aty në Suedi. Me punën, qëndrimin dhe përkushtimin, ju e keni merituar këtë respekt, kujdes dhe vëmendje të veçantë dhe, për këtë, meritoni nga çdo shqiptar përgëzimet dhe urimet më të mira dhe më të sinqerta.

Ju uroj shumë shëndet dhe suksese, edhe në këtë detyrë të re që keni marrë përsipër.

Me siguri, si edhe me revistën dhe radion “Dituria”, edhe me këtë kanal televiziv, ju do të bëni më të mirën.

Jeni të mrekullueshëm !

Me dashur vëllazërore

Viron Kona