Dituria

  • Rrit madhësinë e fondit
  • Madhësia normale e fontit
  • Ul madhësinë e fontit
Home Publikationer-Botime të reja Abetare e Posaçme

Abetare e Posaçme

Abetare e Posaçme

Për nxënësit shqiptarë jashtë Republikës së Shqipërisë

Autorja: Urti Osmani

Titulli I librit: Abetare e Posaçme

Për nxënësit shqiptarë jashtë Republikës së Shqipërisë

Numri I faqeve: 48

Botues: Shtypshkronja “Milenium i Ri”

Shtypi: Shtypshkronja “Milenium i Ri”

Donator: AIITC

Me anë të këtij libri synohet që nxënësit shqiptarë jashtë Republikës së Shqipërisë të përvetësojnë e të shqiptojnë saktë e drejt tingujt e gjuhës shqipe. Ky synim duhet të arrihet, sepse është një nga qëllimet e këtyre shkollave. Shqiptimi i qartë i tingujve dhe njohja e shkronjave të alfabetit të gjuhës amtare janë të domosdoshëm, sepse vetëm kështu përvetësimi i saj mund të quhet i plotë, por edhe se tekstet e leximit dhe literatura tjetër, me të cilën nxënësit bien në kontakt, janë shkruar mbi bazën e standardeve të gjuhës letrare shqipe. Mbi të gjitha, çdo njeri i kulturuar duhet ta flasë gjuhën e tij amtare sa më qartë e sa me më pak gabime e dialektizma, ashtu siç ndodh në vendet e qytetëruara të botës.

Kjo abetare besojmë se do t’u vijë në ndihmë nxënësve të Shkollave Shqipe të Mësimit Plotësues në diasporë, kudo ku ndodhen, por kryesisht atyre në vendet gjermanishtfolëse, anglishtfolëse dhe në Suedi.

Nga vëzhgimet që kemi bërë në disa Shkolla Shqipe të Mësimit Plotësues në vende të ndryshme të Europës, kemi konstatuar defekte shqiptimi në shumë nxënës. Tingujt nj, gj, rr dhe th në shumicën e rasteve nuk shqiptoheshin, natyrisht që edhe shkronjat e tyre nuk njiheshin. Shkronjat e alfabetit të gjuhës shqipe: ë, ç, dh, ll, sh, zh dhe xh, nuk pasqyrohen kështu në alfabetet e gjuhëve të lartpërmendura, por tingulli i njërës ose i tjetrës dëgjohet në gjuhën e huaj që ata mësojnë. P.sh. sh-ja shqipe në gjermanisht shkruhet kryesisht me shkronjat sch, në suedisht me shkronjat sk, ch dhe tj dhe dëgjohet si sh-ja shqipe.

Shkronjat e alfabetit shqip: c, q, x, y dhe z janë dhe në alfabetet e gjuhëve të huaja të lartpërmendura, por shqiptimi i tyre është i ndryshëm nga ai i gjuhës shqipe. P.sh. x-ja shqipe shqiptohet si ks në fjalët që e përmbajnë, ose z-ja në suedisht shqiptohet si s, ndërsa në gjermanisht kryesisht si c. Në anglisht si edhe në shqip z. Këto veçori i njohin shumë mirë mësuesit, që punojnë në këto shkolla me nxënësit

shqiptarë. Në këtë libër, 16 njësi mësimore u kushtohen tingujve të gjuhës shqipe dhe pikërisht: th, sh, ë, q, dh, zh, gj, rr, ll, nj, c, z, ç, x, xh dhe y.

Çdo njësi mësimore fillon në faqen çift dhe mbaron në atë tek. Kështu, me një të hapur libri, syri i nxënësit, me një shikim rrok në vija të përgjithshme, të gjithë përmbajtjen e njësisë. Por, meqë nxënësit nuk mund ta mësojnë vetë mënyrën e artikulimit (nyjëtimit) të tingullit që nuk shqiptojnë, as që mund ta korrigjojnë pa ndihmën e mësuesit. Jemi përpjekur që në faqen çift të çdo tingulli të japim udhëzime, kryesisht për mësuesit, lidhur me mënyrën e artikulimit të

tij, shoqëruar kjo me profilin përkatës dhe figura të tjera plotësuese. Ku ka pasur mundësi paraqitjeje, janë vendosur skica që paraqesin pamjen ballore ose në profil të organeve të gojës gjatë artikulimit të tingullit. Këto e ndihmojnë shumë edhe mësuesin.

Profilet e artikulimit të tingujve janë marrë nga libri i autorëve A.Dodi dhe J.Gjinari me titull “Fonetika dhe gramatika e gjuhës së sotme letrare shqipe”.

Tiranë, 1983. Po me këtë tekst jemi konsultuar për mënyrën e artikulimit të tingujve të ndryshëm.

Fjalët dhe fjalitë, në shumicën e rasteve, janë shoqëruar me figurat përkatëse, për t’u bërë më i lehtë kuptimi i tyre. Gjithashtu, ndërtimi gramatikor është i thjeshtë dhe i përshtatet moshës së nxënësve.

Tema “Mësoni, recitoni” zhvillohet me anë të tri vjershave, të cilat përmbajnë edhe 15 nga të 16 tingujt e mësuar prej nxënësve.

Nxënësit, duke i mësuar përmendsh këto vjersha dhe duke i deklamuar ato, sigurisht pa gabime shqiptimi, i automatizojnë tingujt e mësuar, të cilët duhet të shqiptohen sa më qartë e sa më saktë. Tingulli i automatizuar saktë nuk harrohet lehtë, nxënësi e shqipton lirshëm, pa u menduar se si duhet ta artikulojë.

Në libër përfshihet dhe alfabeti i gjuhës angleze, suedeze, asaj gjermane si dhe alfabeti i gjuhës shqipe, të cilin është e domosdoshme që ta mësojnë përmendsh, ashtu siç mësojnë alfabetin e gjuhës së vendit mikpritës. Një mësim i tillë është i nevojshëm. Mjafton të kujtojmë dobinë që u sjell nxënësve kur përdorin një fjalor, një enciklopedi etj.

Teksti përfundon me një vjershë të Naim Frashërit, e cila ngjall te nxënësit dashurinë për gjuhën amtare dhe atdheun.

 

Tidningen-Gazeta

Vem är Online?

Kemi 19 vizitorë n'linjë

Besökare

Shikimet e përmbajtjes : 1015011
SocialTwist Tell-a-Friend

Newsflash

 

PËRSHENDETJE TË PËRZEMËRTA DHE TË NGROHTA NGA FËMIJËT E KOSOVËS JU SJELLË BABADIMRI KOSOVAR FËMIJËVE SHQIPTAR NË BORÅS TË SUEDISË

 

Një traditë shekullore e këtij populli fisnik në festimin e festave te fundvitit edhe sot është prezent dhe ka filluar të aplikohet edhe nga ardhacakët të cilët nuk janë të pakët në këtë skaj të rruzullit tokësor këtu në hemisferën e veriut, pra në Skandinavi. Festat e fundvitit këtu në Suedi festohen në menynë madhështore, kësaj tradite kohëve të fundit kanë filluar ti përshtaten edhe shqiptarët. E gjithë kjo në kuadër të integrimit të ardhurve në jetën dhe kulturën e vendit ku ata jetojnë dhe përkrahjen e shtetit suedez dhe komunave për të huajt respektivisht të ardhurit. Edhe këtë vit u pa më së miri se sa aktiv janë mërgimtarët shqiptar dhe se sa ata ku­jdesen që edhe me të vegjlit të ndihen të lumtur dhe se me të vërtetë dikush mendon dhe angazhohet për ta.

Qendra Kulturore Shqiptare “Migjeni” në bashkëpunim me redaksinë e mujores shqipe këtu në qytetin Borås  të Suedisë “Dituria” edhe këtë vit ishin kujdesur që edhe më të vegjlit të ndjejnë gëzimin e festave të fundvitit.

Sot në lokalet e Fjärdingskolan në Borås ishte për vizitë Babadimri Kosovar, i cili vizitoj dhe përshëndeti vogëlushët shqiptar dhe të tjerë me rastin e festave të fundvitit. Ishin mbledhur në sallën e Fjärdingskolan të qytetit Borås fëmija shqiptar, por bashke me ta ishin në pritjen e  Babdimrit Kosovar edhe bashkëmoshatarët e tyre nga të katër anët e botës, të cilët bashkë me fëmijët shqiptar vijojnë mësimet në këtë vatër arsimore.

Pra fëmijët nga qyteti Borås kishin një rast të veçantë, për gëzime, për dallim nga moshataret e tyre shqiptar në qytetet tjera të Suedisë ku ata jetojnë. ”Babadimri nga Kosova” i cili një kohë të gjatë kishte bërë përgatitje serioze për udhëtimin e tij në veri në qytetin Borås të Suedisë, në të cilin jetojnë dhe mësojnë shumë vogëlush shqiptar, në këtë qytet në veri të Evropës ku Babadimri u ndau dhurata në një veprimtari të organizuar me këtë rast. Këtu në Borås fëmijëve shqiptar, por jo vetëm me kaq, Babadim­ri u solli edhe shumë të fala nga moshatarët e tyre nga fëmijët e Kosovës, nga fëmijët e vendlindjes. Babadimri kosovar” në thesin e tij të mbushur enkas për vogëlushët boråsar me dhurata nga plaka e tij në Kosovë kishte sjelle për ta libra por edhe përshëndetje të përzemërta dhe të ngrohta nga kosovarët. 

 

Baba dimri Kosovar fëmijëve shqiptar u dhuroj librin e shkrimtares për fëmije Shahe Rama “Festa e Abetares” ndërsa fëmijëve të kombeve dhe kombësive të cilët vijojnë mësimet në këtë shkollë së bashku me moshatarët shqiptar Babadimri kishte siguruar librin e shkrimtarit për fëmije nga Tirana Viron Kona  në suedisht përkthyer e botuar kohë me parë këtu në Borås  “Min kära Bubulino” ne suedisht nga ana e redaksisë së revistës Dituria.

Është punë e madhe që të organizojmë manifestime të tilla, ku fëmijët tanë do takohen dhe njihen me njeri tjetrin thotë një nënë e cila së bashku me djalin e sajë është shumë e lumtur për dhuratën që i ka sjellë ”Ba­badimri Kosovar”. Por duhet që të gjithë të angazhohemi në këtë drejtim. Ndarjet dhe përçarjet momentale ne mes nesh nuk janë të mirëseardhura, duhet ti lemë mërit, duhet ti lemë huqet e këqij se nuk janë për ne se ka kaluar ajo kohë, duhet të jemi të bashkuar dhe të ndihmojmë fëmijët tanë thotë kjo nënë.

Edhe personeli, pedagogët, mësues dhe të pranishëm u mahnitën nga bukuria dhe prezantimin i Babadimrit Kosovar, mirësjellja e tij, dashamirësia, dhuratat për fëmijët dhe përgëzimet e përshëndetjet e bashkëmoshatarëve nga Republika e Kosovës për vogëlushët e Fjärdingskolan. E lidhur me këtë nga pedagogët e këtushëm  mësuam se ne një të ardhme të afërt nxënës të kësaj shkolle do vizitojnë Kosovën.