Dituria

  • Rrit madhësinë e fondit
  • Madhësia normale e fontit
  • Ul madhësinë e fontit
Home Nyheter-Lajme Murat Gecaj:EKSPOZITË E BUKUR PIKTURE, NGA MINELLA TANELLARI

Murat Gecaj:EKSPOZITË E BUKUR PIKTURE, NGA MINELLA TANELLARI

EKSPOZITË  E BUKUR PIKTURE,  NGA  MINELLA  TANELLARI

(Në Muzun Historik Kombëtar, 15-20 nëntor 2011)

Nga: Prof. Murat Gecaj

Publicist e studiues –Tiranë

 

Nga e majta: Minella e Murati, para një pikture me pamje nga Përmeti

(Tiranë, 19 nëntor 2011)

1.

Në prag të festave të  Nëntorit 2011, në kryeqytetin tonë zhvillohen veprimtari kulturore e artistike, si shfaqje të ndryshme, përurime librash, fotoekspozita etj. Njëra nga këto veprimtari mbresëlenëse ishte edhe ekspozita e pikturës, nga Minella Tanellari (më 15-20 nëntor 2011), hapur në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar. Pas përurimit të saj, ku morën pjesë  piktorë e skulptorë, punonjës të  kulturës, artit e arsimit, nga media e shkruar dhe ajo elektronike etj., ekspozitën e kanë vizituar njerëz të profesioneve të ndryshme, ndër ta edhe mësues e pedagogë, nxënës e studentë të shkollave të kryeqytetit.

Dëshmi e vizitave të kryera në këtë eskspozitë pikture, janë edhe mbresat e lëna me shkrim, në “Librin e përshtypjeve”. Duke e shfletuar atë, më tërhoqën vëmendjen mendimet e shprehura nga dy veta. I pari, ka shkruar pikërisht sot: “I nderuar koleg! Vizitova me kënaqësi ekspozitën tuaj dhe ndieva kënaqësi shpirtërore për frymën, që i përshkon punimet tuaja.  Si piktor dhe skenograf dhe anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve, tanimë mësues i artit figurativ, e ndiej për detyrë t’u përgëzoj për numrin e madh të punimeve dhe larminë e temave, si dhe mbi të gjitha, për nivelin realist të këtyre veprave. Ju uroj me zemër suksese të metejshme! Me respekt: Artur Zurbo, Tiranë, 19 nëntor 2011”.

 

Dy piktura, në ekspozitë (Nga: M.Tanellari)

Ndërsa  dy ditë më parë, një vizitor tjetër është shprehur: “I dashur Minella! Rrofsh dhe të ndrtittë dora për ta bërë penelin pishtar, që të na ngrohë zemrën dhe të na e mbajë mendjen e ndezur e të zgjuar, për të krijuar gjithnjë vepra të bukura e të dashura për popullin tonë, që na lindi, na rriti dhe na mësoi për të bërë punë të mira, për sot dhe për brezat që vinë! Me respekt: Rrapo Këlliçi”.

Pa u ndalur posaçërisht  në punimet e shumta e të bukura të kësaj ekspozite edhe pse nuk jam i kësaj fushe, më bëri përshtypje jo vetëm sasia e punimeve, por dhe brendia e tyre. Autorin Minela Tanellari, duke qenë për disa vjet emigrant në Greqi, vertet e ka tërhequr jeta  qytetare e atij shteti fqinj, por kryesorja janë punimet e shumta e të frymëzuara të tij, të cilat ikushtohen me dashuri, mall e art vendlindjes së tij, Përmetit, si dhe qyteteve e krahinave të tjera të Shqipërisë. Kështu, në peisazhet e tij paraqiten bukuritë e rralla të qyteteve tanë, si Përmet, Gjirokastër, Tepelenë, Berat, Vlorë e Shkodër apo të Leskovikut, Vithkuqit  e Divjakës. Ndërsa në punimet me tematikë natyrën tonë të mrekullueshme, bien në sy male, si Nemërçka e lumenj, si Vjosa e Drino dhe fusha të pamata e të bleruara, plot lulëzim. Me ngjyra të bukura janë paraqitur edhe të gjitha stinët e vitit në vendin tonë.

Ky autor na tregoi se, në këtë ekspozitë, u vendosën  64 punime kavaleti, të gjinisë së peisazhit e kompozime dhe 30 piktura murale, kryesisht nga Athina. Individualiteti e relizmi i këtyre punimeve  është i shprehur dukshëm edhe në 5 portrete mjfat shprehëse e të arrira. Këto janë ato, që ai ua ka kushtuar me dashuri gjyshi e artisti, mbesës e nipit apo  një nëne skraparlleshë, që unë do ta quaja “sokoleshë”,  e cila të rrëmben me vështrimin e saj fisnik. Kështu mund të përmendja edhe disa detaje të punimeve me pamje nga qytetet shqiptare, për të cilët ai e ka shprehur edhe mallin e pashuar të mërgimtarit.

2.

Për ta njohur shkurt lexuesin me këtë autor, shënoj këtu se Minella ka lindur  në Përmet, më 14 dhjetor 1943, ku kaloi fëmijërinë dhe u arsimua. Në vazhdim, i kreu studimet për pikturë, nën kujdesin e veçantë pedagogëve Nexhmedin Zajmi e Guri Madhi etj. Duke dëshmuar afirminin e tij në fushën e pikturës, në vitet 1964-1990, mori pjesë në të gjitha ekspozitat dhe konkurset kombëtare, të organizuara në Shqipëri.  Në vitin 1975, është pranuar anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Një ngjarje e shënuar për të ishte hapja, më 1986, e eskpozitës së parë vetjake me piktura, në Pallatin e Madh të Kulturës në kryeqytet. Ekspozita të tilla çeli, më 1989, përsëri në Tiranë dhe në qytetet: Përmet, Sarandë, Gjirokastër e Berat.

Më 2 shkurt 1990, piktori Minella Tanellari emigroi në Athinë-Greqi. Atje punoi piktor  pavarur dhe bashkëpunoi me studio të njohura arkitekture e restaurimi.  Një vit më pas, realizoi skenografinë e një drame, me aktoren e njohur greke, Irini Papas, e cila u shfaq në qytetet italiane: Romë, Napoli, Milano, Torino e Bolonjë. Në vitin 2008, hapi një ekspozitë pikture në Galerinë e Fondacionit Amerikan “Porta” dhe në  tetor 2009  përfaqësoi artistët e Shqipërisë, në Festivalin Botëror të Arteve Pamore, organizuar nga UNESCO, në Pire-Athinë, ku u nderua me çmimin e parë. Ndërsa në vijim, në dhjetor të atij viti, çeli ekspozitën vetjake  në Galerinë “International Action Art Pire”, në Athinë.  Pas gjithë kësaj veprimtarie mjaft të frytshme e të vlerësuar, në gusht 2010, ai u rikthye në Shqipëri  dhe u vendos në Tiranë, ku vijon të punojë si artist i lirë.

Por gjithnjë  piktori i talentuar M.Tanellari mendonte e dëshironte, që punimet e tij të shumta dhe të bukura t’i bënte të njohura edhe para popullit artdashës të kryeqytetit Tiranë, gjë që ia arriti me hapjen e  kësaj ekspozite të tij të këtyre ditëve.

Për veprimtarinë e gjerë dhe të çmuar, në fushën e pikturës, Minella Tanellari është dekoruar me Urëdhërin “Naim Frashëri” të Klasit të Parë. Por, njekohësisht, ai ka merituar nderimin dhe vlerësimin e kolegëave artistë dhe të njerëzve, që e çmojnë e vlerësojnë artin e pikturës, gjë e cila u vërejt qartë këto ditë, gjatë vizitave në ekspozitën, për të cilën folëm më lart. Prandaj  i urojmë atij nga zemra: shëndet të plotë, jetëgjatësi me krijmtari të bollshem e cilësore dhe lumturi familjare!

Tiranë, 19 nëntor 2011

 

Tidningen-Gazeta

Vem är Online?

Kemi 28 vizitorë n'linjë

Besökare

Shikimet e përmbajtjes : 1315641
SocialTwist Tell-a-Friend

Newsflash

 

ERDHI NGA SUEDIA, NUMRI I RI I REVISTËS “DITURIA”!


Nga: Prof. Murat Gecaj

publicist e studiues-Tiranë

1.

Dje në mëngjes, trokiti fort dera e jashtme e banesës sonë, në Rrugën “Karl Gega” të kryeqytetit. “Do të jetë postjeri”-tha bashkëshortja,-se ai i bie me forcë derës, për të treguar se erdhi një lajm nga jashtë”.  Ndërkaq, menjëherë mua më shkoi mendja te kolegu e miku  im, në Boras të Suedisë, Sokol Demaku. Se ai nuk harron të ma dërgojë mua, por dhe kolegëve tjerë në Tiranë, revistën mujore në gjuhën shqipe dhe me emrin domethënës ,“Dituria”.

Kur po shkoja ta hapja derën, vetimthi solla në mendje  ato ditë të bukura maji të sivjetëm, kur në atë qytet të bukur suedez u mblodhën  emigrantë shqiptarë nga tërë Suedia. Por kishim shkuar dhe ne,  katër miq nga Shqipëria (unë, Viron Kona, Kozeta Hoxha e Kadrije Gurmani), për të festuar së bashku 5-vjetorin e Qendrës Kulturore Shqiptare “Migjeni”, por dhe të Revistës “Dituria” dhe 4-vjetorin e Radios Lokale, po me të njëjtin emër. Pra,  ajo revistë  kishte patur  “ditëlindjen” dhe ne morëm pjesë në atë ngjarje të shënuar të saj. Por, natyrshëm, nuk kishte se si mos ta pasqyronte ajo në faqet e saj, këtë ngjarje të shënuar, mbrëselënëse dhe të paharruar. Prandaj, nga kërshëria, e shfletova me të shpejtë numrin 6 (qershor-2012) të revistës “Dituria”…


2.

Në krye të kopertinësë së parë të kësaj reviste, me kryeredaktor Sokol Demakun, lexohen vargjet e njohur të poezisë së  Ndre Mjedës: “Përmbi za, qi lëshon bylbyli,/ gjuha shqipe m’shungullon,/përmni erë, qi nep zymbyli,/pa da zemrën ma ngushllon!...”. Dhe, më poshtë, valëviten krenarë flamujt e Republikës së Shqipërisë e Republikës së Kosovës dhe ai i Mbretërisë së Suedisë.

Në brendi të revistës, është publikuar shkrimi im, “Në vendin e njerëzve të lirë, të ditur dhe të lumtur”(Nga bashkoi Qendra Kulturore Shqiptare “Migjeni”, në Boras të Suedisë). Pa u ndalur posaçërisht në përmbajtjen e këtij resportazhi, shënoj se aty flitet për manifestimin e bukur të ngjarjes, që përmenda më lart. Shkrimin e shoqëron edhe një fotografi, bashkë me albanologun e njohur suedez, Prof. Ulmar Kvik.  Po kështu, autori jep përshtypjet e tij dhe të kolegëve, gjatë vizistës së tyre, në qytetet Boras e Goteborg.

Në vazhdim, një  vend me rëndësi zë edhe shkrimi tjetër, “Për idealin e shenjtë kombëtar”, kushtuar përvjetorit të 123-të të shkollës shqipe të Prizrenit, që është dhe e para në Kosovë. Posaçërisht, në këtë shkrim me firmën time, flitet për mësuesit nismëtarë të kësaj vatre diturie e atdhetarizmi,  Mati Logoreci e Lazër Lumezi. Ata nuk kursyen asgjë që të rinjtë, por dhe të rriturit, të mësonin të shkruanin dhe të lexonin me alfabetin e gjuhës sonë amtare.

Më tej, me interes është biseda e zhvilluar nga bashkëpunërori i kësaj reviste, arsimtari e poeti Arsim Halili, me Prof. Begzad  Avdiun. Ajo i kushtohet Akademisë së re “Stoa”, në Bujanoc të Kosovës Lindore (Lugina e Preshevës), ngritur më 3 nëntor 2009. Ndër të tjera, aty flitet për detyrat dhe synimet e këtij institucioni të rëndësishëm. Drejtuesi i saj tregon se qëllimi është që të përgatitet elita e re intelektuale shqiptare, në fushat e  shkencës dhe artit.

Në këtë numër reviste është botuar edhe një shkrim, kushtuar disa botimeve të reja të krijuesve shqiptarë në Suedi (nga M.Gecaj) dhe reportazhi nga Durrësi, “Stinë provimesh” (nga Kadri Tarelli). Gjithashtu, tërheqin vëmendjen: shkrimi i Dr.Rovena Vates, nga Qendra e Studimeve Albanologjike-Tiranë, “Baza pagane dhe e krishterë, te personazhet e Kutelit, Gogolit e Turgenjevit”; shkrimi i Bardhyl Selimit, “Themeluesi i arsimit të lartë matematik në Shqipëri (Kujtime për Prof. Petraq Pilikën)” dhe i Baki Ymerit, për  librin e Veli Veliut, “Shpirti i Dritës Hyjnore” (kushtuar Nënë Terezës).

Revista “Dituria”, në këtë numër, gjithashtu, përmban disa krijime të mirëfillta letrare. Kështu, është botuar një tregim nga Aleko Likaj dhe cikle me poezi të frymëzuara nga autorët: Gentiana Zagoridha, Kadrije Mëmiqi, Josiba Osamni, Arqile Gjata, Gentijana Mikushnica, Imri Trena, Mimoza Bici e Sokol Demaku. Në një faqe tjetër janë botuar vjersha për fëmijë nga: Shahe Rama, Imri Trena, Xheladin Mjeku e Yllka Shabani (nxënëse e kl.IV, Bujanoc).  Rreth vlerave konkrete të tyre, për arsye vendi, nuk po ndalem këtu.

Në mbyllje të numrit të ri të kësaj reviste janë botuar:  një tregim për fëmijë e skicë, nga Gentjana Mikushnica dhe skica nga Z.Kryeziu e J.Osamni. Ndërsa Bardhyl Selimi është autor i “Problemeve matematikore”, me zgjidhje dhe i disa anekdotave shqiptare.

E urojmë redaksinë e revistës “Dituria” për përkushtimin e dëshmuar, në përgatitjen dhe botimin e saj, në shërbim të lexuesve të shumtë shqiptarë.

Tiranë,  9 qershor 2012