Dituria

  • Rrit madhësinë e fondit
  • Madhësia normale e fontit
  • Ul madhësinë e fontit
Home Debattartiklar-Debatt artikuj Kadri Tarelli: MËSUESI MUZEMIL OSMANI “QYTETAR NDERI” I DURRËSIT

Kadri Tarelli: MËSUESI MUZEMIL OSMANI “QYTETAR NDERI” I DURRËSIT

 

Kadri Tarelli

Durrës më 22. 03. 2012.

MËSUESI MUZEMIL OSMANI  “QYTETAR NDERI” I DURRËSIT


Para pak kohësh bashkia e Durrësit nderoi mësuesin Muzemil Jasin Osmani me titullin “Qytetar Nderi” me motivacionin: “Për konsideratën dhe respektin e fituar nga puna e tij e palodhur në fushën e arsimit, ku falë artikujve dhe botimeve të shumta ndikoi fuqishëm në rritjen e cilësisë në shkollë..”. Ishte në një ceremoni e bukur festive ku merrnin pjesë mësues, drejtues shkollash, përfaqësues të pushtetit lokal, shumë qytetarë të Durrësit dhe  të komunitetit çam.

Mësuesi i talentuar z. Myzemil Osmani, autor i 30 librave për matematikën, është i njohur në rrethet arsimore dhe shkencore të Durrësit, por edhe në të gjithë vendin. Njihet dhe respektohet nga të gjithë mësuesit, veçanërisht të matematikës, ca më shumë nga nxënësit e shkollave, pse jo edhe nga pasionantët e matematikës, sepse u bënë shumë vite që kanë nëpër duar librat  e tij. E nisi që në rini me shkrime për matematikën, rreth viteve 1980, në revistën shkencore për fëmijë “Horizonti”. Ishin vitet e para në punë si mësues matematike, për të arritur në botimin e librit të parë “Matematika e Mrekullive dhe të Fshehtave” në vitin 1996, e për të vazhduar me “Pitagora dhe Arkimedi”, “Jetë për Matematikën”, e  deri në ditët e sotme me librat, “Nëpër olimpiada të Europës” dhe tekste mësimore shkollore të ciklit 9-vjeçar.


Të hartosh dhe të botosh kaq shumë, për më tepër në fushën e matematikës është një punë e jashtëzakonëshme, një pasuri për mëndimin pedagogjik Shqiptar, pse jo edhe një sakrificë njerzore. E di dhe e beson vetëm ai që e ka provuar vetë. Vetiu lind pyetja: Ç’ forcë e shtyn  të bëjë sakrifica kaq të mëdha ? -Përgjigja qëndron tek entuziazmi për jetën, pasioni për matematikën, përkushtimi për punën dhe dashuria për nxënësit, veçori që Myzemilit nuk i ndahen gjatë tërë jëtës. Është një investim i kahershëm i tij, i bërë gjatë gjithë viteve të shkollës, që në moshë të re, kur kalonte orë të tëra duke zgjidhur ushtrime dhe problema, apo duke harxhuar ato pak para për të blerë revista dhe libra matematike, ku mësuesi ynë i nderuar mrekullohej dhe gjente vetveten tek lexonte shkrime për kollosët e matematikës, të cilët i kanë dhënë kaq shumë njerzimit.

Të hysh në oborrin e “Mbretëreshës së Shkencave”, ca më shumë të ngjisësh  shkallët e këtij “Pallatit mbretëror”, nuk është e lehtë e as shaka. Së pari duhet guxim, e pastaj të tjerat me rradhë, vullnet, pasion, durim, kulturë, punë e mësëshumti mundim,  e për t’u shtyrë më tej duhet edhe kultura e të shkruarit bukur. Prandaj Myzemili, i mirëpritur në të gjitha shkollat e vendit, kudo që shkon merr përshendetje dhe përgëzime nga të gjithë mësuesit, kolegët, nxënësit, prindërit dhe qytetarët, e deri tek profesorët e matematikës në Universitet.

Shpirti idealist, dhe detyra e misionarit të dijes, është edhe një tipar i fshehur, apo i heshtur tek mësuesit, por pak me tepri edhe tek Myzemili. Është detyra fisnike që e shtyn për të dhënë e thënë gjithçka, për brezin  e ri, që të bëhen më të ditur, më të zotë dhe më të mirë, si qytetarë që t’i shërbejnë kombit dhe shoqërisë. Përvoja e gjatë disa vjeçare, si mësues matematike nëpër fshatrat e Mirditës e të Rrogozhinës dhe në shkollat e qytetit të Durrësit, ka qënë një mundësi më shumë për të trajtuar materialin e teksteve dhe librave, me ngarkesën dhe fjalorin e moshës, pa lënë pasdore metodikën e mësimnxënies. Myzemili me mjeshtëri artistike, u tregon lexuesëve dhe sidomos të rinjëve, se pas atyre shifrave, teoremave dhe formulave të ftohta, qëndron një histori e tërë jete, përpjekje shekullore e mbushur me sakrifica, mundime, dështime dhe fitore. Merita e Myzemilit, si mësues e studiues, është se përcjell te shkollarët e rinj përvojën e tij dhe të brezave të matematikanëve, duke theksuar se matematika nuk është kaq e egër sa duket. Mjafton vetëm pak guxim dhe vullnet, për t’u futur pa frikë e drojtje në botën e magjike të matematikës.

Ndërmarrje e vështirë të analizohen të gjithë librat e botuar nga Myzemili. Janë specialistët, mësuesit dhe nxënësit në mbarë shkollat e Durrësit, por edhe brenda e jashtë vendit, ata që gjykojnë, shprehen e japin vlerësimin maksimal. Njëri më cilësor se tjetri. Veç një gjë s’mund të lihet në heshtje: Brenda fushës së matematikës, natyra e librave është shumë e larmishme: nga “Lojra Zbavitëse”, tek libra mësimorë për klasa të ndryshme të ciklit shkollor 9-vjeçar dhe fletore pune që shoqërojnë tekstet. Shtojmë këtu, libra me ushtrime e problema që janë dhënë nëpër olimpiadat botërore të matematikës, (kjo në ndihmë të talenteve). Interes paraqet, për pasurim e rritje kulture, jetëshkrimi për kollosët më të mëdhenj të të gjitha kohrave, në librin ”Jetë për Matematikën” i kompozuar me finesë nga Muzemili, aq sa mund ta quajmë një enciklopedi të vogël të matematikës. Me të drejtë Prof. Dr. Aleko Minga në parathënien e këtij libri  thotë: “Është një mozaik i këndshëm, gurët e të cilit janë qëmtuar me kujdes nga visaret e matematikës”.

Myzemili, studiues, mësues i talentuar dhe autor i librave, tani së fundi edhe botues, ka kujdesin dhe mirësinë që, edhe nëpërmjet lodrave, anekdodave, apo problemave, të josh t’i kërkosh e t’i lexosh librat me kënaqësi, të nxit ta duash e të merresh me matematikë. Kjo shkencë, me harmoninë dhe magjinë që mban në gjirin e saj, po të dish ta njohësh e ta dashurosh, të frymëzon për gjëra të mëdha e të bëhet e afërt, e shtrenjtë dhe e bukur si poezia, muzika, piktura, skulptura, artitektura.

Është nder për këshillin bashkiak, që vlerësoi punën e një jete të tërë, përkushtimin, dhe sakrificat e mësuesit dhe matematikanit të talentuar z. Muzemil Osmani në dobi të zhvillimit të arsimit kombëtar. E ka merituar prej kohësh.

Urime Myzemilit. Titulli “Qytetar Nderi” na gëzon të gjithëve. Urime për shëndet të mirë dhe botime të tjera për matematkën.

 

 

Tidningen-Gazeta

Vem är Online?

Kemi 18 vizitorë n'linjë

Besökare

Shikimet e përmbajtjes : 1009362
SocialTwist Tell-a-Friend

Newsflash

Poezia është edhe neurozë legjitime shoqërore

 Avni Rudaku lindi më 1984 në Gjilan. Është Baçelor i Psikologjisë dhe Sociologjisë në Universitetin Publik të Prishtinës. Vazhdoi studimet master në Sociologji, në të njëjtin universitet dhe, aktualisht është duke  mbaruar temën për master. Ka botuar një mori refleksionesh të karakterit publicistik, shkencor dhe letrar. Është fitues i çdo burse vjetore të Universitetit të Prishtinës. Libri “Poezi pa frymë”, është njëherazi libri i tij i parë, i botuar në janar të vitit 2010. Është ngacmuar të shkruaj poezi para një viti, ku përmes vargut dëshiron më pak të transmetojë emocion (frymë), e për më tepër të shqyrtojë tema e nëntema të konteksteve të ndryshme socio-kulturore dhe psiko-filozofike, e veçmas sfidat e jetës bashkëkohore. Jeton dhe punon në Gjilan. Aktualisht është asistent i ri për lëndë psikologjike, në Kolegjin Universitar "Iliria", dega në Gjilan.

Lexo ma...