Dituria

  • Rrit madhësinë e fondit
  • Madhësia normale e fontit
  • Ul madhësinë e fontit
Home Nyheter-Lajme Kadri Tarelli: SHKOLLA “SHAQE MAZREKU” FESTON 75 VJETORIN

Kadri Tarelli: SHKOLLA “SHAQE MAZREKU” FESTON 75 VJETORIN

Kadri tarelli

75 Vjetori i shkollës “Shaqe Mazreku”

Durrës më 27. 03. 2012

SHKOLLA “SHAQE MAZREKU” FESTON 75 VJETORIN

“Mirësevini të nderuar kolegë. 75 vjet në rrugën e dijes”

 

Me këto fjalë të shkruara në hyrje të shkollës 9-vjeçare “Shaqe Mazreku” në Durrës, u hap festa e bukur kushtuar 75 vjetorit të krijimit të saj, e cila e ka zanafillën në gushtin e vitit 1937. Një përvjetor i veçantë, pasi takon në vitin jubilar të 100 vjetorit të pavarësisë dhe shkolla “Shaqe Mazreku është një copëz e vogël në historisë një shekullore të shtetit Shqiptar. Në këtë ditë të shënuar, kishte një pjesëmarrje mjaft e madhe të mësuesëve, nxënësve, prindërve të shkollës, por edhe plot të ftuar të tjerë. Mes tyre edhe ish drejtues dhe mësues veteranë, të cilët kanë shërbyer në këtë shkollë vite më parë. Në nderim të kësaj ngjarje të madhe për shkollën dhe arsimin në Durrës, ishin edhe përfaqësues të pushtetit lokal, Prefekti z. Genc Alizoti, Kryetar e Këshillit të qarkur znj. Egla Begteshi dhe drejtori i DAR z. Filip Gjançi. Mes të ftuarëve ishte dhe kryetarja e bordit të shkollës znj. Mimoza Mele drejtore e kompanisë së sigurimeve SIGAl dega Durrës. Në fjalën e tyre, ata përshëndetën dhe uruan drejtorinë, trupën mësimore dhe nxënësit për punë të mbarë dhe suksese në vitet që do të vijnë, për të qënë ashtu si deri më sot, shkollë cilësore në krye të shkollave të Durrësit.

Sot shkolla, kjo vatër e dijes, e cila ndodhet në qendër të qytetit të Durrësit, mban emrin e nderuar të mësueses Shaqe Mazreku, vajzës nga Prizëreni e shpërngulur familjarisht në Durres, mbas vendosjes së kufinjëve, coptimit të trojeve shqiptare duke lënë jashtë Kosovën dhe troje të tjera. Shaqe Mazreku ishte pionere e parë femër në arsimin e Durrëst, e cila së bashku me misionaren tjetër mësuesen Marie Kaçulini, emrin e të cilës e mban një tjetër shkollë në qytetin e Durrësit, në kushte shumë të vështira që kalonte vendi, u përpoqën për hapjen e shkollave  në qytetin tonë. Ishin vitet e para pas pavarësisë. Gjendje lufte dhe trazirash. Trojet shqiptare ishin arenë luftimesh mes focave ndrëluftuese gjatë të luftës së parë botërore. E pikërisht këtu shfaqet madhështia, përkushtimi, idealizmi dhe dashuria e këtyre vajzave të reja, për t’u dhënë fëmijëve dije, kulturë e atdhedashuri. Ato u përballën me vështirësitë dhe pengesat, nuk u thyen dhe nuk u kursyen në përmbushje të misionit të tyre fisnik, për t’ u mësuar vocërrakëve të  vegjël gjuhën e bukur shqipe, shkencën dhe normat e qytetarisë durrsake.

Me kënaqësi të veçantë u ndoq programi artistik, që ishte përgatitur cilësisht mjaft mirë. Këngët, vallet dhe recitimet e nxënësve ndërthurreshin me pjesë të historikut të zhvillimit të shkollës ndër vite, të cilat u ndoqën me mjaft interes dhe u duartrokitën nga pjesëmarrësit e shumtë. Po kështu interes pati vizita në klasën ku ishin paraqitur punimet më të mira në vizatim dhe pikturë. Nga konkurimi u përzgjodhën 13 punimet më të mira, për të cilat u shpërndanë edhe çmime. Nxënësit fitues janë:  Servio Avdyli, Ina Selimi, Anxhelo Terniqi, Pamela Tare, Anxhela Shegani, Daniela Dhamo, Klara Avdyli, Luis Hoti, Erda Rama, Anxhela Imeraj, Gilda Kastrati, Sindi Dizdari dhe Fleura Çela.    

Në  fillimet e para, shkolla pati tri klasa të ciklit fillor me 150 nxënës dhe tre mësues me drejtues Aristidh Kero. Çdo vit numri i nxënësve shkoi në rritje. Kështu në vitin 1946 shkolla pati 5 klasa, 360 nxënës dhe 7 mësues. Në vitin 1962 kapaciteti arriti në 6 klasa, 486 nxënës dhe 12 mësues. Mbas një rikonstruksioni të përgjithshëm, në verën e viti 1968, nga shkollë fillore kaloi në sistemin 8-vjeçar me rreth 700 nxënës.  Ndërsa sot numëron 29 klasa, 895 nxënës dhe 38 mësues, duke u bërë një ndër shkollat e mëdha të qytetit të Durrësit.

Kanë kaluar shumë vite, jo pak por plot 75 vjet dhe shkolla “Shaqe Mazreku”, e cila ka fituar një emrë të mire, ka qënë dhe mbahet si një ndër shkollat më cilësore të Durrësit. E gjithë kjo, falë punës plot pasion dhe përkushtim të kuadrit drejtues, por edhe të mësuesëve cilësorë që ka patur vazhdimisht në gjirin e saj. Ndaj me nderim të veçantë u lexuan dhe u duartrokitën emrat e drejtuesëve të shkollës, të cilët me punën, kulturën dhe vizionin e tyre, kanë lënë gjurmë në ecurinë, emrin dhe sukseset e kësaj shkolle.

Drejtuesit ndër vite kanë qënë:

Aristidh Kero (drejtori i parë), Vlash Dyshniku, Jorgjica Kushi (Dokja), Jorgji Dhimitriadhi, Ramazan Kacani, Efigjeni Lasko, Raif Myshketa, Vangjeli Ziu, Vehap Muça, Tomorr Golemi, Zenepe Topi, Bardhyl Ramzoti, Eva Stavri, Dafina Kondi, Vera Xhafa, Gani Krasniqi, Vera Çela, Bujar Sefa, Kristaq Milo, Bashkim Shyle, Arben Peza, Adela Nikolli dhe drejtori aktual Yzeir Begteshi.

-“Çdo drejtues shkolle, apo mësues qoftë, e di mirë se, nuk është e lehtë të fitosh emrin e mirë, duke u përballur me vështirësitë e kohës, por më e vështirë është ta mbash atë, kur kërkesat për cilësi të nxënësve, prindërve dhe qytetarisë durrsake janë në rritje, aq më tepër kur, “Konkurenca” mes shkollave më të mira është një sfidë e hapur dhe e vazhdueshme”.  -Kështu shprehet në bisedë drejtori i shkollës Z. Yzeir Begteshi. Ai vazhdon:


-Vite më parë, duke vlerësuar cilësinë e punës së stafit pedagogjik, më 7 dhjetor 1071, shkolla jonë  është dekoruar nga strukturat shtetërore të kohës me urdhërin “Për shërbime të shquara”. Jam vërtet i kënaqur si drejtues i shkollës, pasi jo më shumë se dy vjet më parë, shkolla jonë çertifikohet nga MASH-i, “Ndër shkollat 9-vjeçare të qarkut Durrës, për rezultate të larta cilësore për vitin 2009 – 2010”. Nuk është pak. Është nderim për kolektivin mësues – nxënës, por edhe përgjegjësi që duhet mbajtur. Po e them me pak rezerva, por në çdo fillim viti shkollor ne ndodhemi në siklet të madh, kur fillojmë rregjistrimet, pasi ka shumë kërkesa nga nxënës dhe prindër jashtë zonës së përcaktuar që mbulon shkolla jonë. Shkaku është i njohur: Emri i mirë që gëzon shkolla jonë, korrektesa, serioziteti dhe kërkesa e madhe e mësuesëve ndaj nxënësve dhe cilësia e lartë në mësimdhënie dhe mësimnxënie. Duke u mbështetur në thënien e lashtë, se shkollën e mirë e bëjnë mësuesit e mirë, kam të drejtë të shprehem për mësueset e shkollës që unë drejtoj, se janë vërtet të zotë, të përgatitur e të përkushtuar. Mjafton të përmend se vetëm në këto dy – tre vitet e fundit nga shkolla jonë janë nderuar disa mësues: Mësuese Sotirika Shala vlerësohet nga MASH-i “Mësuese më e miër për vitin 2009 -2010”. Vazhdojmë më tej: në vitin shkollor 2010 – 2011 mësuesja e gjuhës dhe letërsisë Engjëllushe Dedej është ndër “10 mësuesit më të mire të vitit” të rrethit të Durrësit. Kështu mund të shtoj se, nxënësit tanë janë pjesëmarrës në të gjitha veprimtaritë që organizon QKF dhe DAR, duke përfshirë veprimtaritë letrare, artistike, sportive, konkurset shkencore dhe olimpiadat e matematikës dhe kanë zënë vende nderi. Pa e tepruar mund të them se nxënësit tanë që mbarojnë klasën e nëntë, janë të mirëpritur, bile duhet thënë janë të lakmuar nga shkollat e mesme të qytetit tonë. Duke lënë pak mënjanë modestinë, na vjen mirë për rezultate që kemi arrotur, ndaj dhe kemi të drejtë të krenohemi”.


Festa e bukur e 75 vjetorit të shkollës ishte organizuar bukur dhe la mbresa te të gjithë të pranishmit. Model për t’u marrë shembull.

Urime kolektivit mësues dhe nxënës të shkollës “Shaqe Mazreku”, për suksese të mëtejshme në rrugën vështirë të dijes dhe të edukimit.

Përgatiti

Kadri Tarelli

 

 

Tidningen-Gazeta

Vem är Online?

Kemi 50 vizitorë n'linjë

Besökare

Shikimet e përmbajtjes : 1193057
SocialTwist Tell-a-Friend

Newsflash

 

 

Kadri Tarelli

Suedezët në bibliotekën e Durrësit


Durrës më 22. 11. 2012

BIBLIOTEKA E DURRËSIT PRET MIQ NGA SUEDIA


Në kuadrin e100-vjetorit të Pavarësisë, të hënën pas dite në një nga sallat e bibliotekës së qytetit të Durrësit u organizua një takim me disa shkrimatrë të ardhur nga veriu i largët, nga Suedia. Ata ishin Sedulla Zendeli-Daja dhe Sokol Demaku, të dy veprimtarë që kanë bër emër e po bëjnë punë të madhe në diasporë, në kushtim të arsimimit në gjuhën shqipe të fëmijëve të bashkatdhetarëve tanë. Janë të dy shqiptarë, i pari nga trevat e Maqedonisë dhe i dyti nga Kosova, por që jetojnë e punojnë prej kohësh në Suedi. Në këtë ditë të shënuar të ngjeshur me veprimtari në Durrës, shoqëroheshin nga publicisti dhe studiuesi Murat Gecaj, shkrimtari Viron Kona dhe nga Petrit Xhaja autor tekstesh shkollor, të gjithë të ardhur nga Tirana.

Takimi në bibliotekë ishte një kërkesë e kaherëshme dhe e shumë pritur. Miqtë zgjodhën pikërisht këto dit fundnëntori, për të marrë pjesë në festimet e 100-vjetorit të Pavarësisë në shkollën 9-vjeçare “Demokracia” të Durrësit, e cila prej pesë vitesh ka lidhje binjakëzimi me shkollën “Fjardingskolan” në qytetin Boras të Suedisë. Si i thonë fjalës, “Një rrugë e shumë punë”. Kështu mbas emocioneve nga veprimtaria në shkollë, edhe një bashkëbisedim me shkrimtarë e krijues durrsak në bibliotekë. Ide dhe qëllim mjaft i dobishëm, njohja dhe afrimi me njëri-tjetrin, njëkohësisht hartimi i projekteve për lidhje dhe bashkëpunim mes bibliotekës së Durrësit me një nga simotrat në Suedi. Në fakt duhet thënë se, të dy shkrimtarët nga Suedia janë të pranishëm për publikun Durrsak nëpërmjet shkrimeve në revistën “Dituria”, që botohet në gjuhën shqipe në Suedi e që vjen rregullisht edhe në bibliotekën e Durrësit.

Drejtuesja e takimit znj. Teuta Dhima me mjaft finesë dhe elegancë, u kërkoi ndjes pjesëmarrësve për mungesën e drejtoreshës së bibliotekës Znj. Flora Dervishi, e cila ishte e ftuar të ishte në qytetin e Manastirit, në festimet në përkujtim të  “Kongresit të Manastirit”. Më tej pas përshëndetjeve të rastit, fjala u mbeti miqëve, të cilët shpalosën përpjekjet plot atdhedashuri që bëjnë në dhe të huaj, për mbajtjen gjallë të gjuhës dhe frymës kombëtare tek të gjithë mërgimtarët, në veçanti të fëmijëve dhe të rinjëve. Ata venë në shërbim të tyre të gjithë fuqitë fizike dhe intelektuale, për orgnizimin e veprimative të shumta, për të bashkuar të gjithë shqiptarët, që të mos këputen rrënjët e vendlindjes e të mos  harrojnë dheun e të parëve.

Profesori i nderuar z. Sadullah Zendelia-Daja, poet, shkrimtar, studiues dhe hartues i fjalorit shqip-suedisht me 27.000 fjalë, sot i moshuar rreth të tetëdhjetave por i mbajtur mirë dhe me kujtesë të fortë, solli të gjalla kujtimet e dyzet vjetëve të shkuar, kur udha e mërgimit e degdisi në Suedi. Vetëm ata që e kanë provuar kurbetin e dinë dhe i kuptojnë dhimbjet e ndarjes nga vendi yt, e më pastaj vështirësitë, përpjekjet për mbijetesë e përplasjet që të ofron emigrimi. Me thjeshtësinë e një itelektuali të vërtetë, bën sikur i harron vuajtjet e asaj kohe, por sjell në kujtesë përpjekjet për të hapur të parën shkollë në gjuhën shqipe për 15 fëmijët e shqiptarëve. Ishte koha kur emigrantët shqiparë mbanin pasaportë jugosllave, e askush në Suedi nuk i njihte për shqiptarë. Sa e vështirë ishte t’u mbushje mendjen autoriteve vendase, pasi ata nuk i njihnin problemet e hallet e shqiptarëve. Krahas shkrimeve dhe botimeve të shumta, “Daja”, emër me të cilin e njohin të gjithë shqipatrët në Suedi, tani po punon për fjalorin 35.000 fjalësh në të dy gjuhët. Është një përpjekje e madhe për t’u ardhur në ndihmë bashkëatdhetarëve që jetojnë e punojnë në Suedi.

Ndërsa Sokoli, energjik e i palodhur, poet, publicist dhe drejtues emisionesh në gjuhën shqipe në radio, hartues e botues i revistës letrare-artistike “Dituria”, anëtar i kryesisë së shoqatës atdhetare “Migjeni”, mësues i pasionuar, në fjalën e tij u përqëndrua në përpjekjet për shkollimin e fëmijëve shqiptar dhe edukimin e tyre me norma të demokracisë dhe qytetarisë, ku Suedia qendron në majat e saj. Fryma e të qenit i barabartë dhe i respektuar, edukohet që në shkollë, që tek moshat e vogla, pavarësisht rracës, ngjyrës, gjuhës dhe kombit. Në shkollën ku ai jep mësim fliten 32 gjuhë të botës, por askush nuk guxon të mendojë e më pak të shprehë dallimet mes tyre.

Më tej shkrimtari i njohur nga Tirana Viron Kona, autori i më shumë se 30 librave, fitues i disa çmimeve, i cili ka vizituar dy herë Suedinë, si i ftuar në promovimin e librit “Eh, more Bubulino”, i përkthyer në suedisht dhe i futur në programin mësimor të shkollave të atij vendi, u ndal tek bukuria e shpirtit suedëz. Shembujt që solli shkaktuan të qeshura te të pranishmit: “Provo të presësh një degë nga pema që ke në oborrin tënd, pa marrë lejë në bashki apo komunë”! Ne çuditemi, pasi nuk e konceptojmë dot forcën dhe zbatimin e ligjit edhe nga njeriu më i thjeshtë i atij vendi. Shembujt na bëjnë të mendojmë brenda vetes, sepse ato shprehin kulturën dhe vendosmërinë e të gjithëve banorëve që e duan vendin e tyre, ndaj përpiqen ta mbrojnë me fanatizëm gjelbërimin, mjedisin dhe ekologjinë.

Të njëjtat përshtypje shprehu edhe Murat Gecaj, i cili para pak muajsh ishte i ftuar në Suedi. Kështu i’u dha mundësia ta prekë vetë atë realitet që na mahnit, sidomos në dashurinë për librin dhe frekuentimin e bibliotekave duke filluar që nga moshat më të vogla.

Në fund të këtij takimi kaq të ngrohtë, të rinjët gjimnazistë të shkollës “Olsi Lasku”, gjallëruan sallën. Nxënësit Aleks Llukovi, Fllanxa Shurbi, Sofika Gega dhe Jesika Osmani, plot art dhe ndjenjë recituan pjesë nga poezitë e Fishtës, Sadulla Zendelit-Daja, dhe poetes nga Durrësi Gentiana Zagoridha. Mesazhi i tyre ishte i qartë. Dobia e takimeve të tillë, ndjehet vetëm kur vlerat njerëzore, humane, letare e artistike përcillen tek të rinjtë. Kështu edukohet te ata dashuria për librin, duke bërë që të frekuentojnë më dendur bibliotekën, tempullin e dijes, kulturës e përvojës së shoqërisë. Duke prekur librin, nxisin deshirën për t’u bërë të dobishëm, pasurojnë shpirtin, fisnikërohen dhe bëhen më të mir e më të zotë, për t’i shërbyer vetes dhe kombit.

I përbashkët ishte falënderimi dhe urimi: Mirëupafshim ! Më shumë takime të tilla !

Kadri Tarelli

Durrës