Dituria

  • Rrit madhësinë e fondit
  • Madhësia normale e fontit
  • Ul madhësinë e fontit
Home Debattartiklar-Debatt artikuj Prof. Murat Gecaj:“MËSUESJA E MERITUAR” NAZMIJE PASHOLLI, EDUKATORJA E PARË E VAJZAVE DIBRANE

Prof. Murat Gecaj:“MËSUESJA E MERITUAR” NAZMIJE PASHOLLI, EDUKATORJA E PARË E VAJZAVE DIBRANE

“MËSUESJA E MERITUAR”  NAZMIJE  PASHOLLI,  EDUKATORJA  E  PARË  E  VAJZAVE  DIBRANE

Nga: Prof. Murat Gecaj

Publicist e studiues-Tiranë

1.

Vitet rrjedhin, si pa u kuptuar, por ato lënë gjurmë në mendjen dhe zemrën e njerëzve. Por, sa bukur është, kur dëshmitë, dokumentet dhe kujtimet ruhen të pashlyera në brezat pasardhës. Ja, sot sikur më “zgjoi” nga gjumi një mesazh, përmes Internetit. Atë ma dërgoi e nderuara Lindita Fehmi Pasholli. Pa bërë komente, po e tregoj atë më poshte:

Përshëndetje! Ju falënderoj për pranimin e miqësisë në Internet! Ua bëra kërksën time, e nisur nga emri juaj, të cilin e kam në kujtesë dhe të shkruar në një artikull për gjyshenm time, mësuesen Nazmie Pasholli. Aty gjej dhe një autograf tuajin, me të cilin e keni shoqëruar këtë material, duke ia dhuruar babait tim të paharruar. Sot .. nuk jetojnë më, Gjyshja as Babai!...Por do të doja t'iu falenderoja edhe unë, si brez i tretë, për shkrimin tuaj aq me vlera, i cili mbetet e ruhet edhe për familjen tonë në breza! Atë shkrim, sot ua lexoj femijëve te mi për njohjen e trashëgimisë së tyre, atdhetare, arsimdashese e kulturore.Për të mos u marrë më shumë kohë, Ju falënderoj sërish! Me respekt: Lindita Pasholli-Titka, Tiranë, 5 maj 2012”.

Ndërsa nuk vonoi dhe Lindita, përmes një e-maili në adresën time private, më dërgoi një fotografi familjare, e cila është bërë shumë vite përpara. Me atë po e shoqëroj këtë shkrim tjetër modest, duke qenë i bindur se mësuesja veterane e arsimit tonë kombëtar, Nazmije Pasholli, meriton shumë më tepër se kaq.

Në familjen Pasholli-Tiranë: Nazmija (ulur), me mbesën, Linditën në duar dhe (lart-djathtas) i biri, Fehmiu me motrën, Dritën dhe një nip.

Po, po, më kujtohet shumë mirë njohja me babain e Linditës, Fehmiun dhe fmailjarë të tjerë, në Tiranë. Kjo ka ndodhur mjaft vite më parë, kur mblidhja materiale e dokumente për disertacionin tim, kushtuar jetës dhe veprimtarisë së mësuesve tanë atdhetarë, sidomos nga Kosova e Dibra etj. Ndërsa tani, gjej rastin ta kujtoj e ta nderoj përsëri këtë arsimtare veterane dhe të paharruar të gjuhës amtare, “Mësuesen e merituar” Nazmie Pasholli. Gjithashtu, këtu shprehi edhe respektin për mbesën e saj, që trashëgiminë atdhetare, arsimore e kulturore e përcjell aq bukur te brazat pasardhës.

Nazmie Pasholli, bija e Bexhetit, lindi në vitin 1906, në një familje të  varfër, në Dibrën e Madhe ose « Dibrën e Epërme », siç e quajnë disa. Si babai  dhe nëna i vdiqën në moshë të re, duke e lënë atë jetime të mitur, bashkë me një motër e dy vëllezër. Secili nga këta pati një jetë të dhimbshme dhe u ndanë shpejt nga kjo botë.

Nazmia dhe vëllai, Esati, u rritën në « Strehën Vorfnore » të  Tiranës. Ajo ishte një vajzë e urtë, e kujdesshme për çdo gjë dhe e zellshme në mësime. Prandaj mësuesit dhe edukatorët e donin dhe e respektonin. Ndër ta, ishte dhe mësuesi i mirënjohur kosovar, Avni Zajmi. Një herë Nazmija u sëmur  dhe pranë iu gjend menjëherë “Profesori”, siç e quanin me të drejtë nxënësit e tij. E qetësoi, e këshilloi të mos bëhej merak dhe  fjala e tij ishte një ilaç për të, si e një prindi të mirë. Por edhe kur doli në jetë e Nazmia u bë mësuese, do ta kujtonte me mirënjohje dhe do ta takonte, sa herë i paraqitej rasti, këtë mësues të saj të  nderuar e të paharruar.

Jeta rridhte e Nazmia po piqej para kohe, nga kushtet e vështira. Por, sakaq, iu çel  një dritare e nditshme në jetën e saj: u fejua  dhe u martua, në moshë të re, me mësuesin e njohur dibran , Aqif Pasholli, dekoruar me Urdhërin “Naim Frashëri”. Edhe ky, i mbetur jetim, u rrit te dajat e tij dhe, pas një shkolle turqisht, vazhdoi kursin  në Normalen e Elbasanit , për t'u bërë mësues.E caktuan në këtë detyrë  në Kurdari të Matit, ku dhe u martua me Nazmijen.

Duke përfituar edhe nga ato pak mësime në “Strehën Vorfnore” të Tiranës, Nazmia  mundi të përfundojë pesë klasë të fillores dhe një kurs për mësuese në Shkodër, duke u pajiur kështu me një farë diturie për kohën. Me atë guximin , që e karakterizonte, me shpirtin e madh dashamirës për njerëzit e sidomos për femrat, të cilat ishin më pak të mbrojtura në shoqërinë e kohës, Nazmie Pasholli ndërmori një detyrë sa njerëzore, aq dhe atdhetare. Kështu, pra, ia nisi punës që edhe vajzat dibrane të mësonin shkrim e këndim. Pati ndonjë, që shprehu mosbesim; ishte dikush që u përpoq ta pengonte realizimin e këtij misioni fisnik. Por  ajo  qëndroi shumë e vendosur dhe nuk u tërhoq nga rruga e nisur. Pranë, si kurdoherë, pati të shoqin, mësuesin Aqif Pasholli dhe kolegë të tjerë dibranë.

Në vitin l974, në rrethin e  Dibrës u organizuan disa veprimtari ,kushtuar 60-vjetorit të hapjes së shkollave të para: në qytetin e Peshkopisë dhe në fshatin Trebisht. Me atë rast, e ftuan edhe mësuesen veterane Nazmie Pasholli, e cila jetonte në Tiranë. Në pamundësi të shkonte atje, i shkroi një letër kolektivit të mësuesve dhe nxënësve atje. Ndër të tjera, aty thoshte:

"Më falni që, për arsye shëndetësore të ditëve të fundit, nuk munda të marr pjesë në këtë festë të madhe të hapjes së shkollës, të fillimit të të mësuarit shkrim e këndim, në rrethin e Dibrës. Dëshmitarë të kësaj ngjarjeje kemi qenë dhe ne, unë  së bashku me burrin tim, Aqif Pasholli. Ai për shumë vjet ka punuar e jetuar për të mësuar fëmijët e dibranëve, pothuaj në pjesën më të madhe të fshatrave, si në Peshkopi, Zerqan etj...".

Ishin vite, kur mbretëronin  varfëria e padituria, kur mbi supet e grave e vajzave malësore, pra edhe të Dibrës, rëndonin shumë padrejtësi.  Ishte diçka njerëzore, ishte detyrë e vështirë atdhetare, që dikush t'u gjendej atyre pranë, për t'ua lehtësuar dhimbjen, për të biseduar si motër e nënë, për t'ua ndriçuar mendjen e turbulluar. Dhe kjo ishte Nazmie Pasholli. Ajo vazhdonte në letrën e mësipërme:

"Mua, si sot, më kujtohen ato ditë të vështira të hapjes së shkollës së parë për femra, në vitin l923 ose 24 ( mbasi tani nuk e mbaj mend mirë) dhe 5 vjet më vonë në Trebisht. Më kujtohen kushtet shumë të vështira, ku mësonin fëmijët e dibranëve dhe ku ne punonim, për t'ua mësuar germat e para të gjuhës shqipe. Në kushte shumë më të vështira e ndiqnin shkollën vajzat, të cilat pengoheshin dhe nga vetë familjet, duke u nisur nga mentaliteti i gabuar, se "vajzës nuk i duhet shkolla"?! Por, me gjithë këtë, me punën këmbëngulëse të patriotëve dhe arsimtarëve të vjetër, arritëm që , më në fund, të bënim që vajzat të vinin në shkollë dhe të mësonin edhe këto gjuhën amtare, gjuhën shqipe, që poeti patriot  rilindës, Naim Frashëri e quante "gjuhën më të ëmbël".( Kopjen e dokumentit e ruan familja, në Tiranë ). Shkolla femërore, në atë vit, kishte l7 vajza, në klasën e parë dhe 8, në klasën e dytë, gjithësej  25  nxënëse. (Gazeta "Ushtima e Maleve",Peshkopi, l9.6.l974).

Shkolla e parë femërore në Peshkopi u çel, së pari, në një shtëpi të vogël. Siç kujtonte më vonë mësuese Nazmija, nuk kishin banka e për shtroje përdornin hastrat. Nxënëset kishin nga një gjysëm fletoreje dhe një gjysëm kalemi. Ndërsa vullneti i vogëlusheve ishte i madh. Në fillim, shkuan pesë-gjashtë vajzat e para dhe këto bënë që të tërhiqnin pas vetes dhe shoqe të tjera. Por, kryesorja, ishte puna e palodhur, fjala e ëmbël dhe e mençur e  mësueses së re, Nazmie Pasholli. Pra, e dëgjuan dhe e respektuan jo vetëm nënat, por dhe burrat e moshuar dibranë. Veçanërisht, më pas ajo bëri një punë të kujdesshme edhe me vajzat e Trebishtit, që ato të mësonin, ta flisnin e ta shkruanin sa më mirë gjuhën shqipe.

Ishte viti  shkollor l928-l929. Në shkollën e Trebishtit u transferuan Nazmia dhe Aqif Pasholli. Për këtë periudhë të jetës, vetë ajo ka shkruar :

"Në këtë fshat, shkolla jonë ishte larg shtëpive, në një kodër...Fëmijët duhet të ecnin në borë, ashtu të zbathur dhe të paveshur, për të mësuar "abc"-në e alfabetit tonë...Por ne, nga këto vështirësi, nuk u larguam, por punuam me durim dhe, me aq sa më jepnin mundësitë e arsimit tim, munda të arrija edhe këtu rezultate...".

3.

Në vitin 1939, kur vendin tonë e pushtoi Italia, Nazmia ishte me burrin, në shkollën e Homeshit të Dibrës. Për ndjenjat e tyre antifashiste, i larguan nga detyra e nderuar  dhe e vështirë e mësuesit. I ndanë, kështu, nga djemtë e vajzat dibrane, që ishin aq të etur për dituri e përparim.Pra, më 1940 i përcollën me dhimbje e dashuri, të vegjël e të rritur, kur familja Pasholli erdhi në Tiranë. Nazmia dhe i shoqi u ndanë përfundimisht nga shkolla, nga nxënësit. Më pas, ajo punoi sanitare, ndërsa Aqifi roje në  kryeqytet.

Megjithatë, Nazmie Pasholli gjithnjë do ta kujtonte vitin e parë të jetës   në arsim. Për këtë, u fliste fëmijëve të vet dhe nxënësve të shkollave të Tiranës, gjatë bisedave të ndryshme. Por edhe do të fiksoheshin nga ajo kujtimet e saja, në muzeun e rrethit të Dibrës dhe në gazetat që, me të drejtë, shkruanin për ndihmesën e çmuar të kësaj mësueseje në zhvillimin e arsimit në atë rreth, që është pjesë e rëndësishme e arsimit tonë kombëtar.

Jehona e kohës në arsim, në shkollën e parë të femrave në Peshkopi, me mësuese Nazmie Pashollin, ka ardhur deri në ditët tona dhe do të përcillet  në brezat, që vijnë. Aty ishin regjistruar vajzat e para. Por puna, për ta shtuar numrin e tyre, u vështirësua. Çfarë kishte ndodhur ? Një nxënëse mori guximin e u tha prindërve të saj:  "Vdekjen e pranoj, por nga shkolla e shoqet e mija nuk ndahem !"( Gaz. "Ushtima e Maleve", datë 31.3.1984,faqe 4).

Çfarë shqetëesimi përjetoi mësuesja Nazmie Pasholli ! Të tilla qenë dhe vështirësitë, që kishin kaluar gjatë kryerjes së detyrës së tyre në Dibër, mësueset e reja kosovare: Sabrije Shkurit (Boletini), në shkollën e vajzave të Kastriotit dhe Emine Gjakova (Shedula), në shkollën-konvikt të Homeshit, ku ishte bashkë me të shoqin, Demush Gjakova.

Po le  të kthehemi te ngjarja, që përmendëm më lart. Fjalët e prera, që tha nxënësja e mësuese Nazmijes, ndikuan që vajzat e tjera të largoheshin nga shkolla, sigurisht nga ndikimi i prindërve. "Se, ku ishte dëgjuar që një vajzë t'u drejtohej prindërve me ato fjalë? Pastaj, ç'e shtynte atë cucë, të ishte aq këmbëngulëse të shkonte në shkollë ?"-arsyetonin fanatikët. Mësuesja hyri shtëpi më shtëpi, por nuk e kuptoi menjëherë të vërtetën, pasi prindërit nxirrnin lloj-lloj shkaqesh për mosvijimin e shkollës nga vajzat, si: " është sëmurë", " kemi punë në shtëpi" etj. As autoritetet zyrtare nuk e ndihmuan dot Nazmien në punën e saj të vështirë.

Pasi e zbuloi mirë të vërtetën, bashkë me të shoqin, Aqifin, Nazmie Pasholli shkoi  vetë në shtëpinë e asaj vajze, që e kishin penguar ta vijonte shkollën. Fjala e urtë e bindëse e mësueses, bëri  të thyhej akulli, që ishte krijuar. Prindërit, veçanërisht babai i  asaj nxënëseje, e kuptuan se sa fisnike ishte mësuesja e re dibrane, se me sa dashuri punonte ajo për arsimimin e vajzave  malësore. Prandaj babai iu drejtua asaj: " Vajza, të qoftë falë e bashkë me të edhe e motra e saj!"

Kjo ishte një fitore e rëndësishme, në punën e palodhur të mësuese Nazmijes. Ngjarja u mor vesh menjëherë dhe prindërit e tjerë dibranë u bindën t'i rikthenin vajzat e tyre në shkollë. Çfarë kënaqisie të patreguar dhe të natyrshme, që ndjeu në zemër mësuesja Nazmie Pasholli !

Pas Peshkopisë, ajo ishte mësuese në shkollat për femra edhe në Trebisht, Homesh etj. Kudo la mbresat  e një mësueseje të mirë, të një punëtoreje të palodhur. (Gaz. "Shkëndija",Prishtinë,nr.2, mars 1994,faqe ll). Të tillë e kujtuan dhe e kujtojnë me mirënjohje të gjitha nxënëset, kolegët e të njohurit mësuesen e nderuar, Nazmie Pasholli.

4.

Në vitet e Luftës II Botërore  vëllai i madh i Nazmijes, Asimi ra dëshmor për Atdheun. Ndërsa i dyti, Esati u burgos dy herë nga rregjimi titist dhe , më në fund, e larguan nga vendlindja, Dibra e Madhe. U detyrua të vendosej në Obiliq të Kosovës, ku dhe iu shkri përfundimisht jeta.

Koha  bënte punën e saj. Mbi supet e nënës dibrane Nazmije Pasholli rëndonin edhe vështirësitë e dhimbjet, që kishte kaluar.Por, si kurdoherë, ajo mbeti e rrethuar nga dashuria e respekti i  djemëve e vajzave, njerëzve të afërm dhe gjithë të njohurve. Çdo jetë ka një fund, por sa gjë e madhe është, kur ky fund është i merituar, pra kur ti lë pas një kujtim të mirë për të gjithë dhe malli e mirënjohja për ty shtohen, me kalimin e viteve. Kështu ka ndodhur edhe me këtë mësuese dhe nënë të mirë dibrane. Në familjen Pasholli, në Tiranë, ra zija, se ajo mbylli sytë përgjithnjë ! Lajmin e hidhur dhe pikëllimin e përjetuan, gjithashtu, në vendlindjen e saj dhe në Obiliq të Kosovës. Në njoftimin e botuar atje në shtyp, përkrah fotografisë, lexoheshin këto fjalë:

"Njoftojmë farefisin dhe miqtë tanë se, më 15 korrik 1979, në Tiranë, vdiq kunata dhe halla jonë e dashur Nazmie ( Menzelxhiu) Pasholli, mësuese shumëvjeçare nga Dibra. Ngushllimet mund të shprehen në adresën: Beqir Menzelxhiu, Shtëpia e Kulturës-Obiliq. Të pikëlluem: Kunata Fatime, Esat Menzelxhiu, nipër, mbesa dhe farefisi" . (Gazeta "Flaka e Vllaznimit", korrik 1979).

Për humbjen e mësueses Nazmie Pasholli lajmi u përhap edhe në rrethin e Dibrës, ku ajo kishte shkrirë energjitë e saj rinore për mësimin dhe edukimin e nxënësve, veçanërisht të vajzave dibrane. Në  telegramin e dërguar familjes në Tiranë, nga seksioni i arsimit e kulturës, në atë kohë, lexojmë: " Mësuesit dhe nxënësit e rrethit të Dibrës ju sjellin ngushllimet për vdekjen e Nazmije Pashollit, mësuese e parë  e vajzave në Peshkopi ".

Një vlerësim i denjë iu bë mësueses Nazmie Pasholli në vitet e Demokracisë, pasi në kohën e sundimit monist veprimtaria e saj, pothuajse, ishte lënë në harresë. Në shtator 1993, me dekret të Presidentit të Republikës, ajo u nderua me titullin e lartë "Mësuese e merituar", me këtë motivacion: "Për përkushtimin në përhapjen e arsimit në Dibër, si mësuese e parë e shkollës së femrave në Peshkopi ".

Tiranë, 6 maj 2012

 

Newsflash

POEZIA KA LEXUESIT E VET

Në kuadër tër kremtimit të Ditës së flamurit dhe 97 vjetorit të Shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë në qytetin Borås të Suedisë në organizimin e Qendres Kulturore Shqiptare Migjeni dhe organeve të saj revistës mujore shqipe ”Dituria” dhe radios lokale në shqip Radio Dituria e në bashkëpunim me Këshillin komunal të Kulturës dhe Bibliotekën e qytetit në Borås u mbajt orë e madhe letrare në ”Javën e Bibliotekës Nordike”.Këtë orë të madhe letrare në bibliotekëne qytetitit Borås e hapi sekretarja e Qednres Kulturore Shqiptare ”Migjeni” zonja Gjyljeta Andersson, e cila në mes tjerash foli rreth rendësisë që ka 28 Nëntori për ne shqiptarët në diasporë dhe pasardhësit tanë këtu.Manifestimin e hapën nxënësit e shkollave fillore me mësim në shqip këtu në Borås me recitimet e tyre kushutar flamurit, atdheut, kombit, shkollës. Ishte mahnitëse voglushja Arbëresah Jashari nxënëse e klasës së tretë me recitimin e saj të vjershës ”Flamuri”, pastaj Andi Baruti me poezinë e Naim Frashërit ”Mëmëdheu”.Në këtë orë të madhe letrare merrnin pjesë poet shqiptar dhe suedez. Ne mesin e tyre Ibrahim Abedini, Hamit Gurguri dhe poetet suedez Lars Gastin, Anna Lisa Ekelund dhe Inger Dahlgren.Poeti Ibrahim Aberdini beri promovimin e librit të tij më të ri ”Harro se ç`kemi biseduar”.

Lexo ma...