Dituria

  • Rrit madhësinë e fondit
  • Madhësia normale e fontit
  • Ul madhësinë e fontit
Home Publikationer-Botime të reja Nga Ullmar Qvick : NJË LIBËR MIQËSOR – NJË LIBËR PËR MIQËSI

Nga Ullmar Qvick : NJË LIBËR MIQËSOR – NJË LIBËR PËR MIQËSI

 

 NJË LIBËR MIQËSOR – NJË LIBËR PËR MIQËSI

 

 

Nga Ullmar Qvick

Norrköping, Suedi më 11 maj 2012.

 

Në foto Ullmar Qvick

 

Shkrimtari dhe arsimtari Viron Kona është bërë një mik besnik i Suedisë. Ne, suedezët, mund të mburremi dhe gëzohemi se kemi një mik si ky! Ai jo vetëm bën vizita në Suedi, duke studiuar realitetin suedez me sy, ai e studion edhe në vendlindje përmes librave të të gjitha llojeve me burim nga Suedia.
Dhe miku ynë Viron nuk kënaqet me kaq: Ai shkruan studime dhe libra me motive suedeze.

Kur ne lexojmë me vëmendje tekstet e shkruara nga z. Viron Kona shohim shumë shpejt se ky shqiptar paska rënë në dashuri me Suedinë. Duke qenë se unë vetë që herët rashë në dashuri me Shqipërinë e kuptoj plotësisht. Të dy mjediset në të dy anët e Europës, kanë shumë cilësi simpatike, tërheqëse për studiuesin apo turistin e huaj. Anët positive që ka Suedia regjistrohen dhe prezantohen nga Vironi në librin e tij ”Per Ju miqtë e mi”(Tiranë 2012), për të cilin dua të shkruaj disa rreshta sot.

Vija e kuqe që përshkon këtë libër është miqësia. Në pjesën e parë Viron Kona boton studimin e tij rreth librit “Më shumë heroizma se sa grurë”. Ai e cilëson librin tim si ”brilant”, atëherë dua të kthej se në atë rast edhe recensioni i tij është brilant. Dhe jo vetëm një studim prezantohet këtu (më përpara i botuar në gazetën ”Republika”) por edhe mendimet e 19 intelektualëve shqiptarë, të cilët edhe unë sot konsideroj si miq personalë  dhe miq të Suedisë. Studimi i Viron Konës rreth librit tim është shumë i hollësishëm me komente dhe mendime të cilat lexohen me shumë kënaqësi dhe të cilat tregojnë se ky recensues ka kuptuar imtësisht domethënien e librit dhe synimet e autorit.  Me këtë studim ai nderon veprën time dhe më jep shpërblim shpirtëror për përpjekjet e mia.

Në pjesën e dytë të librit ”Për Ju miqtë e mi” z. Viron Kona vë në dukje se Suedia ka disa yjë të pashuar në qiellin letrar: August Strindberg, Astrid Lindgren dhe Selma Lagerlöf. Veprat e tyre, të njohura në tërë botën, mund të lexohen edhe nga shqiptarët përmes përkthimeve, dhe kjo fushë zgjerohet  vazhdimisht: Sivjet kanë kaluar 100 vite pas vdekjes së Strindbergut, dhe kjo do të thotë se disa nga veprat e tij botohen për atë arsye tani edhe shqip. Një vëllim me Përrallat e tij sapo u botua nga i palodhuri Hamit Gurguri dhe një dramë, Pelikani, u përkthye nga Agim Ademi, të dy përkthyesit me banim në Suedi. Sigurisht kjo jubile do të shkaktojë edhe më shumë jehonë në botën shqiptare.

Pjesa e tretë e librit të Viron Konës i kushtohet veprimtarisë letrare të bashkëatdhetarëve Sadulla Zendeli-Daja, Sokol Demaku, Hamit Gurguri dhe Bahtir Latifi. Kam ndërmend edhe unë të shkruaj diçka për librat që prezanton autori, kështu që në këtë rast nuk do të hyj në hollësira.

Në fund të librit , në faqet 205-247, z. Viron Kona na jep udhërrëfimin e tij  me një entuziazëm dhe gjallëri të rrallë nga vizita e tij në Suedi në vitin e kaluar.  Ky entuziazëm dhe kjo gjallëri më bëjnë të kujtoj librin e Vedat Kokonës me përshtypje nga vizita e tij në Suedi – para gati 80 vitesh! Vedati, student i ri në atë kohë, dhe Vironi në moshën e pensionit, dallohen për të njëjtën frymë rinore!!


 

Bokutdelning. Per Sjöstrand, rektor på Fjärdingskolan, tar emot ett signerat exemplar av Viron Konas första bok på svenska, Men kära Bubulino. Till höger

står spindeln i kulturutbytesnätet – Sokol Demaku. FOTO Sandra No rdin

Kush është i ri në shpirt dhe zemër mbetet gjithmonë i ri. Përshkrimi i ambienteve… takimeve…ngjarjeve gjatë vizitës së Vironit në vitin 2011 ka të bëjë sidomos me shkollat, bibliotekat dhe me jetën shpirtërore të fëmijëve, do me thënë për ato fusha të jetës që janë më afër zemrës së një pedagogu  dhe një autori të librave për fëmijë.

Po presim që të vazhdojë kjo miqësi frytëdhënëse dhe shpresëdhënëse që përhap Viron Kona përmes vizitave  dhe në tërë veprimtarinë e tij. Ai është bërë ambasadori ynë i kulturës suedeze në Shqipëri. Sigurisht vetëm ”honoris causa”, sepse siç dihet, mundimet kulturore shpërblehen shumë keq në këtë botë… Prapësëprapë, ne jemi të lumtur dhe të nderuar të kemi në mesin tonë miq besnikë shqiptarë si Viron Kona me shokë, të cilët pa u lodhur ndërtojnë urë mirëkuptimi midis popujve tanë.

Mirë u pafshim në Suedi dhe në Shqipëri, miku ynë i shtrenjtë Viron Kona!

 

 

Newsflash

 

PËRSHËNDETJE, NË 5-VJETORIN E RADIOS “DITURIA”-SUEDI

Prof. MURAT GECAJ

Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Arsimtarwve të Shqipërisë

Ma.KOZETA HOXHA

Moderatore dhe gazetare, në Radiotelevizionin Shqiptar-Tiranë


Nga e majta: V.Kona, K.Hoxha, S.Demaku e M.Gecaj(Boras-Suedi, prill 2012)

-Të dashur kolegë e vëllezër të Qendrës Kulturore Shqiptare “Migjeni”,

-Anëtarë të Redaksisë së Radios Lokale “Dituria”, në Boras-Suedi

-Te nderuar miq suedezë!

Në këtë ditë të shënuar për  Bashkësinë Shqiptare, në Boras e më gjerë në Suedi, por dhe për ju miq suedezë,  ju dërgojmë përshëndetjet dhe urimet  tona më të përzemërta, me rastin e festimit të 5-vjetorit të emisionit të parë në gjuhën amtare shqipe, në Radion Lokale “Dituria”! Në vetë emërtimin e kësaj Radioje, shprehet kaq bukur përmbajtja dhe detyra  kryesore e saj, të cilën ajo e ka kryer dhe po vijon ta kryejë: me sukses të plotë, me atdhetarizëm e profesionalizëm.

Ne jemi të gëzuar e të kënaqur, kur kujtojmë me emocione se, një vit më parë, festuam aty së bashku me ju, 5-vjetorin e Qendrës  Kulturore Shqiptare “Migjeni” dhe të Revistës “Dituria”. Kështu, edhe manifestimi  juaj  sot, është në vazhdimësinë e veprimtarive të bukura, që organizohen nga Bashkësia Shqiptare në Suedi. Sigurisht, kjo është meritë  edhe e shoqatave  tjera  atdhetare e kulturore shqiptare, të cilat veprojnë në Suedi dhe e Shoqatës së Shkrimtarëve, Artistëve e Krijuesve Shqiptarë, “Papa Klementi XI”.

Ne, kolegëve, miqëve dhe dashamirëve në Shqipëri, na gazojnë dhe na entusiazmojnë arritjet tuaja, duke përhapur e propaganduar historinë dhe traditat tona të lashta shqiptare, si përmes valëve të Radios “Dituria”, me shfaqjet kulturore e artistike dhe me anën e botimeve të shumta të autorëve shqiptarë atje.

Duke u ndodhur me mendje e zemër ndërmjet jush, në atë festë të bukur të 5-vjetorit të Radios Lokale “Dituria”, ju urojmë sinqerisht për punën fisnike, që keni bërë deri tani. Njëkohësisht, jemi të bindur që, edhe në të ardhmen, ju do të ecni në në këtë udhë të drejtë, duke vazhduar të jeni misionarë të popullit shqiptar,  në mjedisin e ngrohtë dhe mikpritës demokratik suedez, ku keni gjetur mbështetje dhe ndihmë bujare e të pakursyer.

Me shumë respekt për të gjithë ju, dëshirojmë të keni kurdoherë:

Shëndet të plotë, arritje në punë e begati, gëzime dhe lumturi në familjet tuaja!

Tiranë, 29 mars 2013