
Gentiana Zagoridha
KRAHASIMI I MËSIMDHËNIES SË DREJTPËRDREJTË ME MËSIMDHËNIE JO TË DREJTPEËRDJREJTË
Metodat e mësimdhënies janë ecuri organizative me anë të të cilave mësuesi përpiqet të realizojë nivelin e dëshiruar të të nxënit dhe objektivat lëndorë.Ato kanë të bëjnë me mënyrën e organizimit të lëndës dhe të materialit mësimor të teknikës së përdorur dhe të mjeteve mësimorë, si dhe të ecurisë që ndjek mësuesi.Një metodë e vërtetë rrjedh nga synimet e lëndës.Një nga cilësitë themelore të saj është koherenca që ajo krijon ndërmjet synimeve të lëndës dhe veprimtarive mësimore.Nuk është e mjaftueshme që mësuesi të dijë vetëm ku do të shkojë,por edhe si do të veprojë për të arritur synimet,pra ç’metoda do të përdorë.Po cila është metoda më e mirë? Robert Stavin ka thënë:”Të përpiqesh të dallosh mes metodave të të mësuarit se cila është më e mira,është po aq e kotë sa të përpiqesh të dallosh se cili është më i vlefshëm,të ecurit apo të notuarit.Të notuarit të duhet kur je në det dhe të ecurit për në tokë.” Pra e thënë ndryshe nuk është një metodë e caktuar ajo që sjell suksesin në klasë por një kompleks metodash.Të gjitha metodat dhe strategjitë e të mësuarit,secila me specifikat e saj,vlejnë për të realizuar qëllime të caktuara të orës së mësimit.Në dekadat e fundit të shekullit të kaluar shkolla dhe mësimdhënia në shkollën shqiptare është dalluar për natyrën tradicionale të saj.Natyra e kësaj lloj mësimdhënie karakterizohet nga mësimdhënie tek të nxënët e fakteve,rregullave e veprimeve zbatuese për përvetësimin e njohurive.Por tani,koha e kërkon që mësimdhënia të përqendrohet më shumë tek dhënia e koncepteve,modeleve dhe abstragimeve,duke përdorur strategji që vënë theksin në shqyrtimin dhe zgjidhjen e problemit.Të dy tipet e të nxënit duhet të kombinohen në mësimdhënie me përdorimin e strategjive të ndryshme për ti aftësuar nxënësit të zgjidhin probleme,të mendojnë në mënyrë kritike dhe të punojnë së bashku.Arsyeja është e thjeshtë se në shoqëritë e zhvilluara teknologjike kërkohen gjithnjë e më shumë qytetarë,që jo vetëm të mbajnë mend fakte,sepse këtë e bën mirë dhe kompjuteri,por që të dinë të gjejnë lehtë atë informacion,që u duhet,të dinë ta përdorin frytshëm dhe të jenë të zot të vetmësojnë gjatë gjithë jetës.Prandaj del si domosdoshmëri së pari njohja,krahasimi i këtyre modeleve në mënyrë që mësuesi të mund të ndërtojë vetë proçesin për mësimdhënien dhe të nxënët ,mbi bazën e njohurive bazë dhe shprehive që lidhen me to.Rezultatet e të nxënit klasifikohen në dy kategori të mëdha:
1.Fakte,rregulla dhe veprime zbatuese (mësimdhenie e drejtpërdrejtë)
2.Koncepte,modele dhe abstraksione (mësimdhënie jo e drejtpërdrejtë)
Në kategorinë e parë në më të shumtën e rasteve paraqitet një sjellje e niveleve të ulëta dhe të thjeshta të fushave njohëse,emocionale dhe psikomotore.Këto përfshijnë nivelet e të njohurit,të kuptuarit dhe zbatimit të fushës njohëse,nivelet e ndërgjegjësimit,reagimit dhe vlerësimit të fushës emocionale,nivelet e imitimit,manipulimit dhe saktësisë së fushës psikomotore.
Ndërsa në kategorinë e dytë në mënyrë të shpeshtë paraqiten sjellje të niveleve më të larta dhe më të ndërlikuara të këtyre fushave.Ato përfshijnë objektiva në nivelet e analizës,sintezës dhe vlerësimit të fushës njohëse; nivelet e organizimit dhe karakterizimit të fushës emocionale dhe nivelet e artikulimit dhe natyralizimit të fushës psikomotore.
Mësimdhënia e drejtpërdrejtë kërkon kombinimin e fakteve dhe të rregullave në nivelin e të njohurit dhe të kuptuarit nëpërmjet disa veprimeve zbatuese që mund të përvetësohen përmes vëzhgimit,përsëritjes përmendësh dhe ushtrimit.Nxënësit mund të mësojnë përgjigjet e drejta, duke i kujtuar dhe praktikuar sjelljet që modelon mësuesi.
Mësimdhënia jo e drejtpërdrejtë kërkon një tip tjetër të nxëni.Përgjigjet e sakta nuk janë shumë të lidhura me faktet,rregullat dhe veprimet e vijueshme të cilat mund të kujtohen dhe praktikohen në një përmbajtje të kufizuar.Duhet diçka tjetër që nxënësi të shkojë përtej fakteve,rregullave apo veprimeve për të krijuar,sintetizuar dhe analizuar.Në mjedisin e të nxënit nxënësit duhet të sjellin një mendim aktiv dhe energji të mjaftueshme për të bërë ndryshime vetjake,që kërkohen gjatë përvetësimit të njohurive të vijueshme.
Në mësimdhënien e drejtpërdrejtë, objekti është arritja e shpejtë e zotërimit të fakteve,rregullave dhe formimit të shprehive për to.Përmbajtja e lëndës është e ndarë në hapa të vegjël dhe që përvetësohen lehtë përmes shpjegimeve,shembujve,ushtrimit praktik etj.Praktika ,si ajo e udhëhequr,ashtu edhe ajo e pavarur,por nën mbikqyrjen e plotë të mësuesit,i ndihmon nxënësit të përfshihen aktivisht në proçesin e të nxënit,në shkallën më të lartë.
Ndërsa gjatë mësimdhënies jo të drejtpërdrejtë,objektivi është të përfshihen nxënësit në shqyrtim dhe hetim,çka ndihmon në formimin dhe zhvillimin e koncepteve në formën e modeleve dhe abstragimeve.Mësuesi,në mënyrë të vazhdueshme,përdor pyetjet për të udhëhequr nxënësit të zbulojnë dhe përgjithësojnë dhe të jenë në gjendje të vlerësojnë përgjigjet e tyre.Kur shihet që konceptet janë ende të pakonsoliduara,atëherë përdoret diskutimi në grup,që zëvendëson rolin udhëheqës të mësuesit dhe i lejon nxënësit të shprehen në forma të ndryshme,konsolidon formimin e koncepteve.Prandaj shumë herë,të dy modelet mund të kombinohen në një mësim të vetëm,pasi duhet të përvetësohen më parë një numër i vogël i fakteve,rregullave apo veprimeve zbatuese para se të fillohet me një koncept,model apo abstraksion.Në këtë kuptim asnjë prej këtyre modeleve nuk mund të përdoret për të përjashtuar tjetrin.Aq më tepër që struktura për të menduarit kritik është ndërtuar sipas parakushtit të mëposhtëm:
Njohuritë që një njeri zotëron,janë kushti i parë për ato që mund të mësojë.
Kjo strukturë njëkohësisht përthithet mirë nga mjedisi ynë arsimor,pasi ka edhe disa ngjashmëri me mënyrën tonë tradicionale të mësimdhënies.Tradicionalisht,mësimdhënia tek ne ka patur tre komponentë kryesorë: hyrjen dhe kontrollin e njohurive e cila mund të zëvendësohet me evokimin fazën e parë të kësaj strukture,shpjegimin e lëndës së re e cila mund të zëvendësohet me realizimin e kuptimit (faza e dytë) dhe përforcimin i cili mund të zëvendësohet me reflektimin(faza e tretë).Pra në këtë mënyrë mësimi në shkollat tona modernizohet në një formë të re duke e ngritur atë në nivelet e kërkesave të sotme bashkëkohore.
REFERENCAT
Fondacioni i shoqërisë së hapur SOROS Projekti për zhvillimin e arsimit në Shqipëri Edukatë qytetare 5-8 TIRANË 1997
Musai B. Metodologji e mësimdhënies TIRANE 2003
Llambiri S. Braktisja e fshehtë Objektivat minimale të domosdoshme për nxënësin TIRANE 2007
| < Para | Tjetri > |
|---|




