Urime Dita e Pavarësisë
MESAZH PËRSHËNDETJEJE:
KREYSISË SË SHOQATËS SË SHKRIMTARËVE, KRIJUESVE DHE ARTISTËVE SHQIPTARË, NË SUEDI
-Z. Ibrahim Hyseni
Të dashur e të nderuar krijues dhe vëllezër shqiptarë!
Në pragun e ngjarjes së madhe historike të Kombit tonë, 99-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë sonë Kombëtare, me kënaqësi të veçantë mësova lajmin e gëzuar, përmes Internetit, për themelimin në qytetin Fërslov, të Shoqatës së Shkrimtarëve, Krijuesve dhe Artistëve Shqiptarë në Suedi.
Ashtu siç jeni edhe ju më mirë në dijeni, komuniteti i emigrantëve shqiptarë në Suedinë mikpritëse, ka gjetur aty të gjitha kushtet për punë e jetesë, por dhe për ruajtjen e zhvillimin e traditave kombëtare shqiptare në të gjitha fushat, si në arsim, letërsi, kulturë e art, shkencë e tjerë. Kjo është dëshmia më e mirë e përkrahjes së emigrantëve tanë, nga ky shtet demokratik në brigjet e Skandinavisë, i cili jep një shembull të çmuar edhe në mbështetjen e aspiratave të shqiptarëve për t’u integruar në Bashkësinë Europiane, si të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës.
Kam patur rastin të ndjek arritjet tuaja të lavdërushme, sasiore e cilësore, me krijimtari në të gjitha fushat, për ruajtjen e traditave të lashta dhe të bukura të Kombit tonë, përmes botimeve të ndryshme, si dhe në Faqen e Internetit e në revistën “Dituria”, që drejtohen nga miku im i mirë, Sokol Demaku. Gjej rastin këtu të përmend edhe njohjen nga afër, në Panairin e 14-të të Librit në Tiranë (nëntor, 2011), me kolegun tuaj dhe krijuesin tashmë të afirmuar, Sadulla Zenbdeli (Daja), si dhe më parë me krijuesin Bahtir Latifi, po në Tiranë. Gjithashtu, jam lidhur e kam bashkëpunuar në përgatitjen dhe botimin e librit (Tiranë, 2010) kushtuar Prof. Bedri Dedjes-Akademik, me z.Rizah Sheqiri. Këtu nuk mund të lë pa përmendur edhe punën e kënaqshme, që bëri znj. Qibrije Hoxha për përkthimin në gjuhën suedeze të librit për fëmijë, “Eh, more Bubulino”, me autor shkrimtarin e njohur shqiptar, Viron Kona, me banim në Tiranë.
Jam i bindur se qëllimi i formimit të Shoqatës suaj të nderuar, për të nxitur e zhvilluar edhe më tej krijimtarinë në komunitetin shqiptar, me banim në Suedi, si në letërsi, arte etj., do të plotësohet me sukses të plotë. Kjo gjë do të mundësohet me shpirtin tuaj prejt artisti krijues dhe, mbi të gjitha, me atdhetarizmin e flaktë, që ju dallon, me mendje e zemër në të gjitha trojet amtare shqiptare.
Duke i mbyllur këto pak radhë, Ju përgëzoj nga zemra për këtë nismë tuajën të re dhe ju përshëndes, në prag të Festës së Flamurit, 99-vjetorit të Pavarësisë sonë Kombëtare, me besimin e plotë që, si deri tani dhe më shumë e më mirë në të ardhmen, ju do të krijoni vepra dinjitoze dhe me përmbajtje të thellë kombëtare shqiptare.
Paçi kurdoherë shëndet të plotë, begati dhe lumturi në familjet tuaja shqiptare!
Ju përqafoj ngrohtësisht dhe përzemërsaisht nga larg:
Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues
Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Arsimtarëve të Shqipërisë,
Përgjegjës sektori në Institutin e Integrimit të Kulturës Shqiptare
Tiranë, 27 nëntor 2011 |