Dituria

  • Rrit madhësinë e fondit
  • Madhësia normale e fontit
  • Ul madhësinë e fontit
Home Prosa-Proza Vangjush Saro: Një hartim çapraz për Vitin e Ri

Vangjush Saro: Një hartim çapraz për Vitin e Ri

Vangjush Saro

Një hartim çapraz për Vitin e Ri

Tregim humoristik

Zysha dha sqarimet e fundit dhe u ul në katedër e lodhur, hundë e buzë, a thua donte të na thoshte: “Vrafshi veten tani!” E si mund të mendoja ndryshe, kur tema e hartimit - që ajo sapo e kishte shkruar në dërrasën e zezë - ishte aq e çuditshme: “Si e kaluat Vitin e Ri?”...Kjo nuk shkonte fare. Ne ishim mësuar me të tjera tema, me të tjera përfytyrime. Vetë zysha, kur përpiqej të na udhëzonte, përdorte gjithfarw figurash, që tani i kishin mësuar përmendësh edhe ata më të dobëtit e klasës: “Mëngjes i ngrohtw”, “Njw fllad na pwrshwndet”, “Rrezet e diellit pranveror”, “Shkëlqimi krenar i majave të maleve”, “Qyteti ynë ka sot shkolla, kopshte, fabrika...”, e të tjera këso, që fëmijët i zhgrapnin lehtë e lehtë, madje të bindur se kështu kishin shkruar plot frymëzim. Ashtu siç donte zysha.

Si e kaluat Vitin e Ri? Ku “Rrezet e diellit pranveror”, ku Viti i Ri? Pa le fllad qw s’kishte kund. Pastaj, vinçat si t’i fusnim në këtë dreq hartimi? Po krahasimet me të kaluarën, që zysha i donte doemos, “Kasollet me baltë, ku tymi të nxirrte sytë...”, etj., si mund të lidheshin me një gjë kaq të thjeshtë dhe njëkohësisht kaq të ndërlikuar si ky hartim për Vitin e Ri?

Më së fundi, pas nja dhjetë a pesëmbëdhjetë minutash të mbushura me pëshpëritje dhe zhgaravina gjithfarë, ulëm kokat përfundimisht edhe iu futëm punës vendçe. “Është mëngjes, shpërtheu e para një shoqja jonë, që gjithnjë mësonte përmendësh, dielli pranveror, shkëlqen me rrezet e tij të arta...” Një tjetër, që e dinte se zyshës i pëlqenin thirjet dhe psherëtimat, e filloi hartimin e vet ndryshe: “Ah, ç’ditë e bukur! Zemra ime nuk përmbahet prej gëzimit. E vallë, përse jam kaq e lumtur? Oh, lulet shumëngjyrëshe na kënaqin me aromën e tyre...” Dikush e kishte filluar hartimin në një mënyrë krejt origjinale: “Shikoj qytetin në këtë ditë. Mbushur plot e përplot me kopshte, çerdhe, spitale, shkolla, fabrika...I madhërishëm qëndron aty një vinç...” Kurse një tjetër, që mendonte se kushedi, mbase zysha donte të shkruanim për të kaluarën, po grinte sallatë kësisoj: “Atëherë njerëzit jetonin në kasolle me baltë. Tymi iu nxirrte sytë. Bukë të hanin nuk kishin. Të pasurit bënin qejf.”

Kështu, thuajse shumica e kishin parë të udhës të kapërcenin paksa nga tema dhe të përsërisnin fraza të njohura, pas të cilave ndiheshin gjithnjë më të sigurtë. Vetëm unë po vrisja mendjen dhe vështroja përhumbshëm nga dritarja... Si e kaluat Vitin e Ri? Zura të përshkruaja se si kishim blerë një pulë dhe pastaj ajo na e kishte mbushur ballkonin me glasa. Më tej, tregova se si na ishte prishur televizori. Babai shkoi me ngut te tekniku. Ky mavria na hëngri gjysmën e pulës dhe veç rrinte e mendohej. Pastaj filloi të sillte nëpër gojë ca shkronja, lidhja e të cilave ishte e çuditshme. PC... PCL... Ishte fjala për një llampë.

-Ta blejmë këtë llampë, - tha babai i shkretë menjëherë.

-Ehë!, - ia priti tekniku - Një fjalë goje. Ecë e gjeje!

Babai i ra ballit me pëllëmbë. Motra e vogël zuri të qante. (Në kohët e sotme, nuk mund të merret me mend se ç’do të thoshte atëherë të mos kishe televizorin për Vitin e Ri.) E hutuar nga të gjitha këto, nëna kishte harruar në stufë ëmbëlsirën. Ajo rrëmbeu sakaq mbajtëset e tenxhereve dhe u përpoq të shpëtonte ç’të mundte. Mirëpo ëmbëlsira ishte përzhitur. Nëna zuri të shante e të mallkonte si t’i vinte për mbarë. Kurse babai ende vështronte i trishtuar teknikun. Dhe ky mbase donte të hante e të pinte edhe më tej. Më në fund, diçka premtoi ashtu nëpër dhëmbë e duke i ngrënë edhe fjalët.

Por sikur të mos mjaftonin këto, vjen në shtëpi vëllai i madh, i shoqëruar...nga një polic. Kjo ua vuri kapakun të gjithave. Vëllai kishte shkuar për të gjetur një degë bredhi, përndryshe pemën e Vitit të Ri. Mirëpo nuk e kishte vrarë mendjen gjatë se ç’mund të sillte këputja e një dege dhe kështu, tani polici kërkonte gjobën... Deshi s’deshi, babai e nxori sërish kuletën e tij të vogël...

Ja, këto kisha shkruar pak a shumë në hartimin tim.

Pas disa ditëve, zysha na solli fletoret e hartimit. Ajo i ndau ato, duke bërë vërejtje dhe duke vlerësuar nxënësit...që kishin shkruar më bukur. Të gjithëve iu tha fjalë të mira. Edhe nxënëses që kishte folur për diellin pranveror, edhe asaj që kishte numëruar kopshtet e çerdhet, madje edhe dikujt që kishte shkruar në fund të hartimit: “Rroftë Viti i Ri!” Vetëm mua më shkoi përanash indiferente. Dhe pas pak, m’u lëshua me gojën plot:

-Po ti, ç’i kishe ato budallallëqe? Në estradë jemi ne këtu? Hartimi kërkon fjalë të zgjedhura...frymëzim...shpërthime...

I mërzitur sa s’thuhet, po vërtisja nëpër duar fletoren time të mjerë. Gati po pendohesha që nuk kisha shkruar edhe unë për diellin pranveror, edhe pse ishim në pikë të janarit. Mirëpo kur dolëm për pushimin e madh, në korridor, për çudinë time, zysha më kapi për supesh dhe më tha me ngrohtësi:

-Megjithatë, biri im, hartimi yt ishte...Nuk di si ta them...u gajasa së qeshuri...

 

Tidningen-Gazeta

Vem är Online?

Kemi 19 vizitorë n'linjë

Besökare

Shikimet e përmbajtjes : 1010715
SocialTwist Tell-a-Friend

Newsflash

Nga Ajet Nuro

NË MONTREAL FILLOI VITI I RI SHKOLLËS SHQIPE

Montreal, Kanada


Ditën e shtunë në datën 21 shtator 2012, në Montreal u hap viti shkollor në shkollën që mban emrin e bamirëse së shquar shqiptare Nënë Tereza. E veçanta e këtij viti shkollor është fakti që, drejtuesit e Bashkësisë së Shqiptarëve të Kebekut në Montreal e kanë bërë mësimin e gjuhës shqipe dhe rrjedhimisht shkollën shqipe, prioritetin e tyre numër një të punës së tyre. Kështu që nga zgjedhjet e reja gjer në ditën e hapjes së shkollës, Bashkësia ka organizuar disa aktivitete dhe ka ngritur në këmbë një strukturë të tërë për mirë funksionimin e shkollës shqipe. Kështu është organizuar një forum enkas për shkollën shqipe nga i cili doli një komision që organizoi rishikimin e programit dhe përshtatjen e tij në përshtatje me orientimet e forumit të qershorit 2013. U përzgjodhën mësuesit që do të realizojnë programin e ri dhe u sigurua baza materiale. Duke mos dashur të citojmë të gjithë ata që ndihmuan në këtë aksion, një merit i takon përgjegjësit për edukimin në këshillin drejtues të bashkësisë z. Gerti Bajraktari që ishte edhe kryesues i të gjitha veprimtarive për mbarëvajtjen e shkollës shqipe.

Duke parë pjesëmarrjen e prindërve dhe fëmijëve të tyre në ditën e parë, mund të themi se puna e kaq muajve i ka dhënë frutat e para. Sigurisht, ngelet shumë për t'u bërë pasi n
ë Montreal mendohet se jetojnë 3-4 mijë shqiptarë dhe nëse bëjmë një raport të thjesht shifrash, numri i nxënësve pjesëmarrës duhet të ishte dhe më i lartë.

Në ceremoninë e hapjes së vitit shkollor ishin të pranishëm veç prindërve dhe nxënësve, edhe kryetari i Bashkësisë së Shqiptarëve të Montrealit z. Hysni Marku, anëtarët e kryesisë zotërinjtë Idriz Beha, Besnik Bashi, Ilir Orana, Gerti Bajraktari e Ajet Nuro si dhe kryetari i komisionit për të ardhmen e shkollës shqipe dhe selisë së Bashkësisë së Shqiptarëve ë Kebekut në Montreal z. Laze Leskaj.

Z. Hysni Marku duke iu drejtuar të pranishmëve theksoi rëndësinë e ruajtjes së gjuhës shqipe tek fëmijët tanë si shprehje e ruajtjes së identitetit tonë kombëtar si dhe rëndësinë që i ka kushtuar këshilli drejtues i bashkësisë mbarëvajtjes së shkollës shqipe.

Pastaj anëtari i kryesisë së Bashkësisë së Shqiptarëve të Kebekut në Montreal, z. Gerti Bajraktari prezantoi dy mësuesit që do të sigurojnë mësim-dhënien në dy grup moshat (5-8 vjeç dhe 9 deri në 13 vjeç) zotin Alban Zeneli dhe zonjën Etleva Xhaferi.

Drejtues të shoqatës dhe prindrit e pranisëm shkëmbyen mendime për mbarëvajtjen e procesit mësimor

Drejtuesit e shoqatës kishin marr masat për t'u ofruar të pranishmëve pije freskuese dhe ushqime të çastit si dhe dhurata për fëmijët pjesmarrës.

Pastaj filloi regjistrimi dhe dita e parë e mësimit. Uroj më që entuziazmi i ditës së parë t'i shoqëroj fëmijët tanë gjatë gjithë vitit shkollor. Vit të mbar dhe suksese!

 

Montreal, 22 shtator 2013