Dituria

  • Rrit madhësinë e fondit
  • Madhësia normale e fontit
  • Ul madhësinë e fontit
Home Publikationer-Botime të reja
Botime të reja

Viron Kona: Gur tjetër i çmuar në gjerdanin e artë të kulturës kombëtare

Gur tjetër i çmuar

në gjerdanin e artë të kulturës kombëtare

(Përurim “Thesari Kombëtar 3” në qytetin e Laçit, Shqipëri)

Shkruar nga Viron Kona

Ditës së 8 Marsit në Laç iu shtua edhe një ngjarje tjetër e veçantë dhe e gëzueshme. Në pallatin e kulturës së qytetit, u përurua libri “Thesari Kombëtar 3”, botim i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI, Albani”, Suedi.

Botimi-1

Më 30-31 Nëntor 2013, “Thesarit Kombëtar” 1 dhe 2 u përuruan në Tiranë dhe Durrës. Kurse kësaj here, përurimin e “Thesarit Kombëtar 3”, Kryesia e Shoqatës “Papa Klementi XI Albani” Suedi, në bashkëpunim me Shoqatën Kombëtare të Miqësisë Shqipëri-Itali, vendosën ta përurojnë në vendin e origjinës së Papa Klementit XI, Albani, pikërisht në zemrën e Kurbinit, në këtë trevë të njohur historikisht për arsimim, kulturë, liri e pavarësi. Një zgjedhje origjinale, emocionuese dhe e mençur e organizatorëve.

Erdhën në këtë veprimtari festive dhe përuruese një delegacion me shqiptarë nga Suedia, i përbërë nga z. Hysen Ibrahimi, intelektual i njohur dhe Kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptar “Papa Klementi XI, Albani”, Suedi, i shoqëruar nga zëvendëskryetari i shoqatës, prof. Osman Ahmetgjekaj, dhe nga anëtarët e kryesisë: znj. Saranda Iseni dhe z. Naim Latifi, i cili kishte sponsorizuar këtë veprimtari atdhetare. Bashkë me ta erdhën dhe vëllezërit nga Kosova: Prof. Hysni Syla, Zëdhënës i Kuvendit të Komunës së Mitrovicë dhe Halit Barani, Drejtor i Qendrës për Kulturë "Rexhep Mitrovica" në Mitrovicë.

Kishte të ftuar edhe nga Kosova, Tirana, Durrësi, Lezha etj. Krahas anëtarëve të Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Itali, ndodheshin edhe përfaqësues institucionesh dhe të bashkësive fetare të Laçit e Lezhës, si dhe gazetarë, poet e shkrimtarë, mësues e intelektual të fushave të ndryshme, etj.

Pallati i ftohtë i kulturës së qytetit në atë 8 Mars, u ngrohë nga atmosfera festive dhe duartrokitjet e vazhdueshme të disa qindra banorëve të Laçit, që kishin mbushur sallën dhe pritën ngrohtësisht vëllezërit e tyre shqiptarë ardhur nga Veriu i Largët i Evropës.

Flakët e zjarrit atdhetarë dhe mikpritja laçiane u shoqërua nga ritmi i këngëve dhe valleve popullore, nga tingujt e daulles dhe çiftelive, nga duartrokitjet e ngrohta që përgëzonin oratorët që ngjiteshin njëri pas tjetrit në foltore dhe shprehnin mendimet, vlerësimet dhe konsideratat e tyre të larta, si për librin “Thesari Kombëtar 3”, ashtu dhe për atdhetarizmin e diasporës shqiptare. Ishte një ditë e shënuar që ngjallte emocione të mëdha dhe gëzim në shpirt e në zemra, një ditë e mbushur plot e përplot me ato lloje ndjenjash të ngrohta e të bukura që shkaktojnë erërat e freskëta pranverore dhe kthimi i dallëndysheve nga shtegtimi i largët.

Bijtë nuk e harrojnë nënën, ndaj kthehen hera herës ta shohin, ta përqafojnë me mall, t`i mbështetin kokën në gjoks dhe t`i dëgjojnë të rrahurat e zemrës, t`i shprehin dashuri dhe ta qetësojnë, por edhe ta ndihmojnë me praninë dhe t`i rrëfejnë për veprat që kryejnë atje larg, në shtete dhe vende të tjera të botës.

Veprimtaria u çel me Himnin Kombëtar. Në fillim e morën fjalën drejtueset simpatike të programit: znj. Saranda Iseni nga Suedia dhe Fatime Aliu me banim në Zvicër. Një organizim i bukur, mbresëlënës dhe i përkryer, një veprimtari që u ndoq me kureshtje, respekt dhe duartrokitje të gjata thuajse gjatë dy orëve.

Programi alternohej me fjalë të mençura të oratorëve dhe me këngë e valle popullore, që përfshinin thuajse të gjitha trevat shqiptare e që u realizuan nën drejtimin e artistit të shquar Augustin Ceka, si dhe nga artistët: Gjergji Leka, Preg Prenga, Kastriot Kola, Gjesilda Përsheta, Vjollca Grecaj, Fatmira Aliu e Mide Aliu...

Për qëllimin e veprimtarisë folën dy kryetarët: z. Hysen Ibrahimi dhe z. Nikollë Lleshi, kurse në vazhdim, përshëndeti kryetari i Bashkisë së Laçit z. Artur Bardhi.

Arritjet na bëjnë krenar,

por detyra edhe më të mëdha na presin.

-Ndihem i privilegjuar, - tha në fjalën e tij z. Hysen Ibrahimi, - sepse ndodhemi në vendlindjen e Papa Klementit të XI Albani, emrin e të cilit ka nderin të mbajë Shoqata jonë e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Suedi. -Në vijim të fjalës së tij, ai informoi të pranishmit rreth veprimtarive të shumta të shoqatës, ato me karakter atdhetar, publicistikë, shkencor e letrar. -Ne mburremi dhe ndihemi krenar që mbajmë emrin e Papa Klementit të XI Albanit. Ky emër është një inspirim dhe motivim për ne, se si duhet punuar dhe sakrifikuar për vendin e origjinës, se si duhet organizuar dhe ndihmuar, ashtu sikurse Papa Klementi XI Albani veproi dhe ndihmoi Atdheun e vetë, duke organizuar Kuvendin e Arbrit dhe shumë veprimtari të tjera në interes të çështjes kombëtare.

Synimi ynë qenësor ka qenë që ta njoftojmë botën se populli shqiptarë ka pasur dhe ka disa Papë në Vatikan, e që më i njohuri prej tyre ishte Papa Klementi XI Albani. Prandaj ne e kemi vënë në ballinën e librit “Thesari Kombëtar” në tri gjuhë: shqip, suedisht dhe anglisht.

Në vazhdim z. Hysen Ibrahimi theksoi se Shoqata që ai drejton është e hapur për bashkëpunim dhe se në Shoqatë vepron puna në grupe të përbëra nga anëtarë të saj. Gjer më sot, - informoi ai,- janë botuar tre numra të “Thesarit Kombëtar”, kurse para disa ditëve përfundoi edhe i katërti. Një falënderim të veçantë ai bëri në adresë të anëtarit të Kryesisë së Shoqatës, biznesmenit Naim Latifi, i cili ka ndihmuar pa u kursyer në botimet me rëndësi të shoqatës.

Nga fjala në vazhdim e z. Hysen Ibrahimi mësuam se deri më sot është arritur që Thesari Kombëtar 1, 2, 3 të shpërndahet, (përveç qyteteve të trojeve etnike shqiptare) nëpër të gjitha bibliotekat e vendeve të ndryshme jashtë trojeve shqiptare, si në Bruksel, Cyrih, Shtutgard, Stockholm, Oslo, Helsinki, SHBA, Londër, Bukuresht etj. Autorët krijues të Shoqatës kanë arritur të botojnë mbi 200 vepra letrare, artistike dhe publicistike, disa prej të cilave janë përkthyer në disa gjuhë të Evropës si: suedeze, angleze, rumune, sllave etj. Ndërkaq janë zhvilluar tre sesione shkencore, por edhe disa përurime të “Thesarit Kombëtar” 1, 2, 3, në Prishtinë, Mitrovicë, Tiranë, Strugë, Pejë, Durrës, Gjakovë, Llaushë, Therandë, Malmo, Cyrih, Kristianstad dhe, më 8 mars, në saj të bashkëpunimit me Shoqatën e Miqësisë Shqipëri-Itali, në qytetin e Laçit, në zemrën e Kurbinit, në vendin e origjinës së Papa Klementi XI, Albani.

Në përfundim të fjalës së tij, e cila u ndoq me interes të madh dhe duartrokitje të gjata, - z. Hysen Ibrahimi, në emër të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Papa Klementi XI Albani”, falënderoi për mikpritjen vëllazërore dhe uroi lidhje dhe bashkëpunime të tjera të frytshme në shërbim të çështjes kombëtare.

Për vlerat e “Thesarit Kombëtar 3”, u shprehë gjerësisht publicisti dhe shkrimtari Vlash Prendi dhe, në vazhdim: Martin Gecaj, Osman Ahmetgjekaj, Engëll Ndocaj, Zef Gjeta, Besi Bekteshi... Gjatë veprimtarisë u lexua edhe një përshëndetje e dërguar nga kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Diasporë, Hasan Qyqalla, me banim në Gjermani.

Bashkim mendjesh dhe zemrash shqiptare

“Thesari Kombëtar 3” bënë të njohura dhe prezanton në botën e qytetëruar vlera kombëtare shqiptare. Në 757 faqet e “Thesarit Kombëtar 3” përfshihet një material mjaft i pasur publicistik, studimor e letrar, i shkruar kryesisht nga anëtarë të shoqatës dhe ku bien në sy edhe mjaft emra të njohur të kulturës, gazetarisë dhe shkrimtarisë. Veçohen në këtë botim veprimtari të shumta të kryera nga shoqata “Papa Klementi XI, Albani”, në qytete të ndryshme të Suedisë, në Shqipëri, Kosovë, në troje shqiptare, por edhe në vende të tjera të botës. Përfshinë ky “Thesar Kombëtar 3” botime veprash letrare, publicistike e studimore, recensa dhe vlerësime, krijime në poezi e prozë, bashkëpunime me shoqata të tjera në Suedi dhe në diasporë etj.

Nga folësit dhe pjesëmarrësit në veprimtari u theksua se ky 8 Mars në qytetin e Laçit, ishte një ditë bashkimi mendjesh dhe zemrash shqiptare, që shprehnin dashurinë për Shqipërinë, Kosovën dhe tërë trojet shqiptare, por edhe mallin që ata ndjenin, detyrat ndaj Mëmëdheut. Prandaj dhe nga kryesitë e dy shoqatave, por edhe nga Bashkia e Laçit dhe institucione e shoqata u ideuan e u projektuan punë të përbashkëta, veçanërisht me karakter atdhetar e kulturor.

Atdhetarizmi është një cilësi e brendshme e njeriut. Ai nuk nxitet artificialisht, por vjen natyrshëm, ashtu siç vjen natyrshëm dashuria e fëmijëve për prindërit...Bijtë dhe bijat e Shqipërisë, të shpërndarë nëpër botë si dallëndyshet, i mbajnë përherë sytë dhe mendjen tek Atdheu. “Sytë i kemi gjithmonë nga TV shqiptar për të dëgjuar lajme nga Shqipëria, nga atdheu ynë mëmë...”, “Këtu janë rrënjët tona shqiptare”, - nënvizoi prof. Osman Ahmetgjekaj.

Mërgimtarët janë njerëz që kanë shkuar në shtete të tjera të zhvilluara për të punuar, për të ndihmuar familjet dhe për një jetë më të mirë, një e drejtë kjo e kujtdo. Por, atje ku shkojnë, sado mirë që të jenë, ata ndihen të “ndarë” në dy pjesë: nga njëra anë është vendi ku banojnë, jetojnë dhe luftojnë të mbajnë familjet e tyre dhe, nga ana tjetër, Atdheu, tek i cili kanë jo vetëm sytë, por mendjen dhe zemrën. Prandaj dhe takime të këtilla janë mjaft prekëse, aty shfaqet malli dhe dashuria për Atdheun, shprehen dëshira dhe urime që Ai të vijë duke u forcuar dhe begatuar përditë.

Vlerësime dhe mirënjohje

Në veprimtari, u veçua dhe u respektua ndihmesë dhe mbështetja që i bëjnë shoqërisë civile Bashkia e qytetit të Laçit dhe kryetari i saj z. Artur Bardhi. Për këtë ndihmesë dhe mbështetje ai mori përgëzime nga z. Nikollë Lleshi dhe z. Hysen Ibrahimi, por edhe nga të pranishmit në sallë.

vazhdim z. Lleshi bëri të njohur vendimin e shoqatës për të pranuar Anëtarë-Nderi të kësaj shoqate zotërinjtë: Hysen Ibrahimi, Padre Giovani Parugine, Besi Bekteshi e Murat Gecaj.

Ky moment i bukur u prit me duartrokitje dhe entuziazëm nga të gjithë të pranishmit në sallë. Në këtë veprimtari, prof. Murat Gecaj, dhuroi kopje të librit të tij më të ri “Me shpirt atdhedashurie”, që i kushtohet në radhë të parë punës dhe ndihmesës që japin veçanërisht mërgimtarët shqiptarë për çështjen e madhe të atdhetarizmit.

Një vlerësim i veçantë iu bë biznesmenit shqiptar me banim në Suedi z. Naim Latifi, i cili, pa u kursyer, ndihmoi jo vetëm zhvillimin e kësaj veprimtarie të mrekullueshme, por edhe veprimtari të tjera dhe botime të Shoqatës.

“-Është kënaqësi për mua, - tha z. Latifi, - që t`i shërbejë me mundësitë e mia veprimtarive të tilla atdhetare e kulturore, por edhe të zhvilluara me nivel të lartë artistik, me përmbajtje të thellë dhe ide të qarta, që i shërbejnë edukimit, por edhe pasqyrojnë punët atdhetare që bëjmë ne në emigracion. Ne ju falënderojmë ju që na kuptoni kaq mirë dhe na mirëprisni me kaq dashuri, na krijoni mundësi të arta që edhe ne të shprehim ndjenjat tona të dashurisë dhe respektin për shqiptarizmin”.

I qetë, i vëmendshëm dhe fjalë bukur, Naim Latifi ndjente mall të madh për atdheun Mëmë, Shqipërinë, sikurse shprehu edhe keqardhjen që, kësaj here, ndenji kaq pak në Shqipëri. “Herë tjetër do të rrimë më shumë dhe do të kemi mundësi të shprehemi e bisedojmë më gjatë”, - tha ai me sinqeritet, ndërsa kujdesej për të bërë fotografi sa më të bukura.

Moderatore të shkëlqyera

Vlerësime dhe fjalë miradije plot respekt u shprehën për dy moderatoret e programit, të shkëlqyerat Saranda Iseni dhe Fatime Aliu.

Ndërsa Fatimja drejtonte me fjalën e çiltër dhe të bukur shqipe, si dhe ishte këngëtare dhe soliste e valleve të kërcyera në atë program, Saranda Iseni, e njohur në diasporë si një prezantuese e magjishme, i qëndronte në krahë dhe, të dyja, teksa bënin të njohur programin, dukeshin se këndonin një duet me bukuri të rrallë që i bënte pjesëmarrësit të mos e largonin shikimin dhe vëmendjen nga skena.

“-Ajo është një yll i diasporës shqiptare në Suedi”,-u shpreh për Sarandën në fjalën e tij z. Osman Ahmetgjekaj. Vlerësimi i tij u mbulua nga duartrokitje të ngrohta e miratuese.

Shprehjet e gjetura dhe të bukura të Saranda Isenit, theksi dhe timbri i saj i veçantë, ëmbëlsia dhe freskia e fjalës shqipe, ngjallën admirim tek të gjithë të pranishmit. Ndërkohë që, Saranda shkëlqente me nurin dhe buzëqeshjen e saj karakteristike, me ngrohtësinë rrëzëlluese që përhapte gjatë prezantimit të programit, apo dhe gjatë recitimeve të poezive, kur hiqte hijshëm dhe me elegancë vallet e bukura me motive shqiptare, kur rrëfente në skenë ngjarje me humor dhe batuta të këndshme, pse, jo, edhe në bisedat e lira dhe komunikimet gjatë koktejit të shtruar nga Bashkia e Laçit. Shprehjet e çiltra të saj drejtuar artistëve të skenës: “Vëllai im”, “motra ime”, afronin vëllazërisht artistët dhe pjesëmarrësit, ndihmonin në krijimin e një mjedisi mjaftë të ngrohtë, aq sa dukej se aty ndodhej një familje e madhe shqiptare. Nuk e teproj kur shkruaj që, Sarandës, edhe ndonjë lapsus gjatë prezantimit, i kishte hije. Fjalëzat e saj ishin flakë të një zjarri të madh, flakë zemrash të etura për vëllazërim e bashkim të trojeve shqiptare në Evropën e Bashkuar.

Tek e dëgjoja Saranda Isenin që fliste aq bukur dhe me atë muzikalitet të rrallë, më shkonte mendja se, gjuhëtari i madh Shnajder, një zë të tillë në shqip do të kishte dëgjuar, kur në vitin 1894, u shprehë se gjuha shqipe paraqitet “si tingëllimi më i pastër dhe më besnik i gjuhës pellazge.”

Faleminderit znj. Saranda Iseni për këtë ndihmesë që i jep atdhetarisë dhe kulturës shqiptare, prezantimit dhe përhapjes së bukurisë dhe ëmbëlsisë së fjalës shqipe.

Njerëz dhe vepra që i shërbejnë kombit

Për cilindo pjesëmarrës ishte kënaqësi të merrte fjalën në atë veprimtari, në 8 Mars aty në Laç, në vendin e njerëzve bujar dhe fisnik, që kanë treguar vlera në shekuj, në tradita, në luftën për liri e pavarësi, duke qenë vazhdimisht në ballin e luftës për mbrojtjen e Mëmëdheut. Ashtu si edhe 300 vjet më parë, Papa Klementi XI Albani, i bashkoi zemrat shqiptare, duke rritur e lartësuar edhe më shumë krenarinë për truallin e lashtë arbëror dhe historinë tij.

Clemente XI

Papa Klementi XI Albani (1649 - 1721) udhëhoqi Selinë e Shenjtë për 21 vjet resht, që nga zgjedhja e tij më 23 nëntor 1700 dhe deri më 19 mars 1721. Familja e Papa Klementit të XI, Albani, e ka prejardhjen nga Laçi i Kurbinit, nga ku rrodhën edhe kardinalë të shquar, diplomatë të mëdhenj dhe burra shteti. Gjatë gjithë jetës së tij, por veçanërisht me zgjedhjen Papë, ai u interesua shumë për atdheun e vetë dhe mbajti me krenari mbiemrin Albani

Teksa shkruaj këto radhë, sjell ndërmend nga leximet, fjalët e Papa Palit VI, më 17 janar 1968, me rastin e 500 -Vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu: "Ndër ata, që hipën mbi katedrën e Shën Pjetrit, me kënaqësi po e kujtojmë paraardhësin tonë Klementin XI-Albani, i cili mburrej për rrjedhën e tij të moçme shqiptare." Kurse Papa Gjon Pali II, gjatë vizitës që bëri në Shkodër, në vitin 1993 dhe në intervistat e tij e ka përmendur disa herë emrin e Papa Klementit XI, Albani, duke theksuar lidhjet e ngushta dhe të mira që kishte në kohën e Tij, Vatikani me Shqipërinë e asaj kohe. Ndërkohë, na e shton krenarinë edhe fakti se nga historianë të ndryshëm, Papa Klementi XI, Albani konsiderohet Papë "i madh", që ka lënë gjurmë të thella në Kishën Katolike dhe në jetën politike evropiane. Portretet dhe bustet e tij janë të shumta, në Romë, në Urbino dhe në vende të tjera.

Rrugë që vazhdon

“Erdhëm si mysafirë, por u ndamë si të ishim të një familje”

Një takim si ai i zhvilluar në 8 Mars 2015 në qytetin e Laçit, krahas prezantimit dhe njohjes së “Thesarit Kombëtar 3”, krahas vlerësimit të kontributeve të çmuara të Papa Klementit XI Albani, solli në vëmendje e kujtesë edhe personalitete të tjera të shquar në shekuj, që mbajtën me krenari emrin shqiptar(Alban), por edhe i dhanë vrulle të fuqishme zhvillimit të Kombit shqiptar, atdhetarizmit, arsimimit dhe kulturimit të popullit. Mirënjohje për korifenjtë e pavdekshëm të shqiptarisë, që, jo vetëm nuk e lanë në haresë çështjen shqiptare, por i treguan botës se Shqipëria është evropiane, madje është vendi që e mbrojti Evropën nga dyndjet osmane, sidomos në epokën e Gjergj Kastriot Skënderbeut, atëherë kur Perandoria Osmane drejtohej nga dy sundimtarët e saj më të fuqishëm: Sulltan Murati i II dhe Sulltan Mehmeti, i mbiquajtur Fatiu(“I pamposhturi”). Për kontributin e madh në mbrojtje të Evropës nga pushtimi osman Skënderbeu u cilësua Mbrojtës i Krishterimit...

Figurat e tjera të ndritshme të atdhetarizmit, të luftërave për liri, të fjalës së shkruar shqipe, e, veçanërisht rilindësit e mëdhenj kombëtar vazhduan rrugën e të parëve të tyre të shquar, bënë realitet ëndrrat shekullore për pavarësi më 1912, por edhe shënjuan piketa të reja të për ardhmërinë e Kombit shqiptar...

Kokteji i organizuar nga Bashkia e Laçit, i zhvilluar në një mjedis të ngrohtë vëllazëror, përmbylli këtë veprimtari kaq të bukur dhe të paharruar. Ndërkaq, fotografitë ishin të shumta dhe mjaft të dëshiruara.

Ato u bënë pjesë e rëndësishme e veprimtarisë; ishte e dukshme dëshira e të gjithëve për t`u fiksuar vëllazërisht në celuloid, digjital dhe kamera, një kujtim i rrallë për mikpritësit e mrekullueshëm laçianë dhe vëllezërit shqiptarë ardhur nga Veriu i Largët i Evropës. Teksa pjesëmarrësit ndaheshin, tek të gjithë shprehej dëshira se përfundimi i këtij takimi të paharruar, nuk ishte ndarje, por programim dhe vazhdim më i dendur i takimeve dhe veprimtarive të tjera atdhetare e kulturore.

xxx

Në letrën e falënderimit pas përfundimit të kësaj veprimtarie, z. Hysen Ibrahimi, Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani”, Suedi, si dhe Nënkryetar i Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë për Mërgatën, shprehet: “Dëshira e kamotshme e anëtarëve dhe e Kryesisë së Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” në Suedi, për të përuruar librin “Thesari Kombëtar i Mërgatës Shqiptare në Suedi” në vendlindjen e Papa Klementit XI Albani, emrin e të cilit Shoqata e jonë e mbanë me krenari, u realizua falë vullnetit dhe angazhimit maksimal tuaj z. President Nikollë Lleshi, kryetarit të Bashkisë z. Artur Bardhi dhe të tjerëve”.

Dhe, më të tej pasi bënë vlerësime dhe shprehë falënderime për të gjithë organizatorët dhe mbështetësit e tjerë të kësaj veprimtarie, ai përfundon: “Ju themi se ne erdhëm si mysafirë, por u ndamë si të ishim të një familje, kur sot ndjejmë mungesën tuaj”.

 

Hysen Berisha:JA DISA PËRJETIME DUKE LEXUAR ROMAIN ”RRUGËTIMI I DASHURISË” TË SHKRIMTARIT FETAH BAHTIRI

Ishte vlug i promovimeve të veprave artistike, në Bibliotekën Kombëtare, në Prishtinë. Promovimet, zaten, kanë këtë qëllim: të takohen shkrimtarët, të njihen, të shkëmbejnë veprat e tyre. Kështu lidhet miqësia e gjeneratës me gjeneratën më të re, e shkrimtarit me shkrimtarin më të ri. Kështu ndodhi që vegjëlia ime të njohë Fetah Bahtirin. Ai, i rryer me jetën, jetë prej gazetari, jetë prej hulumtuesi të kulturës shqiptare, jetë prej mësuesi në vendëlindje dhe në mërgim, e bënte atë madhështor. Shumë i qetë më pranoi mua dhe vëllaun tim, Eshrefin, në Prishtinë. Ne, si fëmijë të vegjël, u ndamë të kënaqur se kishim njohur, madje kishim marrë libra të nënshkruar na z. Fetah Bahtiri. U ndamë me premtimin se do i lexojmë veprat. Duke lexuar "Rrugëtimin e dashurisë", dallova se kjo vepër vërtet është e madhe. Edhepse, nga autorë të të katër anëve të botës, është shkruar shumë për dashurinë, te kjo vepër vërejmë një origjinalitet dashurie të pjekur, pikërisht shqiptare. Ndërsa gjakmarrja, poashtu një temë më vete, e cila në botën shqiptare është e mocme po sa dhe dashuria,  është pasqyruar shumë rrjedhshëm dhe në shkallë pjekurie.

Hysen Berisha

JA DISA PËRJETIME DUKE LEXUAR ROMAIN ”RRUGËTIMI I DASHURISË” TË SHKRIMTARIT FETAH BAHTIRI

Fetah Bahtiri  (1943), që në moshën 25 vjeçare, shkroi përmbledhjen me vjerësha "Këngë për Zaden" (1968), vit ky kur Fetahu mbaroi studimet në Fakultetin Filozofik  të Prishtinës. Në ndërkohë është marrë me studime edhe me gazetari dhe folklor. Pastaj, sa i përket shkrijimeve artistike, pasoi një vakuum deri në vitin 2011, kur iu botua romani RRUGËTIM DASHURIE.

Romani  ka dy rrafshe, dy tema bosht, të cilat rrugëtojnë paralel dhe mjaft kompakt. Janë, pra: HAKMARRJA dhe DASHURIA.  Me një numër personazhesh jo të shumtë, ia arrin qëllimit ta  zhvillojë lojën mjaft bindshëm dhe rrjedhshëm.  Vetë fakti se autori ka qenë edhe gazetar, edhe studius folklori, ia ka bërë më të lehtë prezantimin, sidomos të gjakmarrjës ( e cila, në njëfarë mënyre, është pakë e lavruar), ta shtjellojë më me sukses.

Përsonazhet, sigurisht, për ta bërë ma interesant, ndahen në pozitiv dhe negativ. Por hetohet edhe një ndarje spontane: ajo e personazheve kryesor dhe e atyre dytësor.

Si më të rëndësishëm do të veçoja Driten dhe Flamurin. Këta, si fëmijë të dy skajave në armiqësi, në fillim në mungesë informate, bijnë thellë në dashuri. Babai i Dritës, Cen Luta, një burrë korrekt, bëmirës, por pak a shumë tepër korrekt, bjen në konflikt me babanë e Flamur Kajtazit (Qerkinin). Qerkini, me disa goditje me thikë, në vendpunim në Prishtinë, ia merr shpirtin Cenit.

Ceni la gruan (Havën) me dy fëmijët (Mustafën dhe Dritë), të cilët, pas vdekjës së babait, përfitojnë, nga ndihmat që i siguron ndërmarrja e punës, të blejnë një shtëpi mu në Prishtinë. Duke u larguar nga fshati i lindjes, konflikti me familjen Luta, mbeti në hije.

Flamuri, edhe ai, duke mos hulumtuar të kaluaren, derisa po punonte në gazetë, i erdhi rasti ta njohë Dritën, e cila dërgonte shkrime në redaksi. Që të dy ishin studentë të dalluar. Që të dy, edhe pasi hetuan se janë në armiqësi, investuan shumë në ruajtjen e dashurisë dhe në pajtimin e dy familjeve, të cilat, mbi 18 vjet, ishin në hasmeri.

Këshilli pajtues i gjaqeve, disa herë, kishte provuar të pajtonin familjet Kajtazi me atë Lutaj, por njëfar Nezir Kryemadhi, babë i pesë fëmijëve, nuk pranonte assesi të pajtoheshin. Neziri shet lopën e vetme të qumështit për ta blerë (Pulën me zogjë), revolen me fyshekë, për të vrarë "hasmin".

Fetah Bahtiri, këtu, si njohës i mirë i traditës, bën një evolim: Neziri nuk interesohet të vras të tjerë, tash, sepse e dinte e Qerkini (dorasi), ishte në burg, ndaj kërkonte ta vriste edhe Dritën, edhe Flamurin. Dritën si dënim pse ka pranuar hasmin për bashkëshort, ndersa për Flamurin, i cili, në vend që të investonte në pajtim, ai, gjëja se me vetëdije, e paska shemb iniciativën për pajtim.

U deshën shumë akrabacione, shumë levizje gurësh, për të mbërritur deri te pajtimi.  Një ndihmesë dhe projekt të sakt e ofroi një kusheri i afërm i Dritës, Beqiri, i biri i Sylë Lutës, i cili jetonte në Suedi. Ai, si nënshtetas i Suedisë, sigurisht i shortuar dhe i liruar nga idetë prapanike, i orientoi drejtë ambasadës suedese në Beograd, prej nga ata fituan strehim dhe udhëtuan për në Gøteborg.

Në Gøeteborg, në Suedi, ata fillojnë punën pa humbur kohë. Në shoqatën Kosova organizohet mësim plotësues të  gjuhës amtare. Që të dy ishin mësues aty. Aty lexuan dhe e përjetuan edhe faljen e gjakut, por edhe shkarkimin e një frike të tmerrshme. Gjithnjë, edhepse kishin indentitet të fshehur, ndjenin edhe frikën, por edhe barrën e fajit.

Komunikonin me vendlindjen, por tërthorazi. I dergonin letrat në gazetë, në Prishtinë. Prej aty, me tjetër zarf dergoheshin në familjet e tyre. Ky komunikim e shtyri Nezir Kryemadhin të shetiste prej shkolle në shkollë (duke menduar se çifti janë mësues dhe punojnë diku nëpër malësinë e Shalës së Bajgorës). Ai, kryeneqi, i cili disaherë i kishte prish planet e Pajtimtarëve, pasi kishte përjetuar marerit në rrugën e hakmarrjes, e kishte zbuluar se hakmarrja është një projekt disa shekullor, i imponuar nga armiku i kombit, për të varferuar sa më shumë shqiptarët, pastaj të pasonte përqarja dhe sundimi.

Merita e autorit qëndron pikërisht te suksesi i rrëfimit duke i emancipuar edhe njerëzit e familjeve në konflikt, por edhe njerëz të dorës së dytë, të cilët i gëzoheshin fatit të vuajtsve.

Si figura negative, pa ndonjë interes, dalin shoqet e Dritës, profesori i artit, i cili, me mjeshtrinë e tij të mjerë, ua imponon dy kolegëve që t`ia mbyllin asaj notën e dobtë. Janë dhe shoqet e saja që gjelozojnë dhe i japin kahje të shtrebër rrjedhës së ngjarjeve të ditës rreth dashurisë së tyre. Prandaj Flamuri dhe Drita vendosin të shlyejnë publikisht çdo shenjë dashurie, deri në momentin më të përshtatshëm. Por ky moment erdhi në shprehje sigurisht pas një odiseade, du i nderruar edhe emrat e mbiemrat. Drita, në Suedi, mbrriu me emrin AFERDITA SHALA, ndersa Flamuri quhej MERGIM KOSOVA.

Një përshkrim shumë prekës bëhet për momentin kur, çifti i ri, i thirrur përmes mjeteve informative që të këtheheshin në vendlindje, me një pritje ceremoniale, të dy familjet, i pranojnë në gjirin familjar.

Shfajësimin e çiftit, më së miri, e bëri Beqir Luta. Ai, i thirrur nga kusherinjt, tregoi fije më fije për Rrugëtimin e dashurisë.

Ski (Norvegji), më 27.02.2015

 

Murat Gecaj: KOLEC TRABOINI E DI, PSE “FAJIN E KA HEKUBA”…

KOLEC TRABOINI E DI, PSE “FAJIN E KA HEKUBA”…

Nga: Murat Gecaj

1.

Në fillimin e “Rrugës së Dibrës”, në Tiranë, ndodhet edhe një lokal me emrin domethënës “Muza”. Pamja e brendshme e tij është plot shijë artistike, pasi aty janë të vendosura edhe disa piktura të bukura. Ishte rasti i parë që shkoja aty, bashkë me mikun tim, publicistin e poetin Jaho Margjeka apo me poetet Lida Lazaj, Manushaqe Toromani etj. Ndoshta, kushte të drejtë një mik i yni, i cili e vlerësoi këtë lokal “stehez të ngrohtë” të krijuesve kryeqytetas.

Kështu, pra, ne u ndodhëm në miqësinë e mjaft krijuesve e botuesve të njohur, si në poezi e prozë dhe publicistikë. Për të gjithë ne, “sebebqari” ishte  poeti i njohur Kolec Traboini, autor i afër 25 librave. Ai na kishte ftuar me dashamirësi, që të merrnim pjesë në përurimin e librit të ri poetik, me titullin paksa intrigues, “Fajin e ka Hekuba”. Poezitë zënë gjithësej 155 faqe dhe janë ndërë në katër pjesë. Në hyrje të vëllimit, ka shkruar disa faqe vlerësuese, Anton Gojçaj.

Organizatorët e kishin menduar këtë tubim jo siç veprohet zakonisht, pra pa “ceremonira” të mërzitshme, me leximin e temave të parapërgatitura nga njerëz të ndryshëm. Por ishte një bashkëbisedim I natyrshëm, aty rreth tavolinave, duke ngritur edhe nga një gotë e duke folur, si për këtë libër të ri dhe, në përgjitësi,  për krijimtarinë e autorit K.Traboini.

2.

I pari e mori fjalën e mirëseardhjes shkrimtari Pandeli Koçi (Sazan Goliku). Për të pranishmit, ai lexoi poezinë e frymëzuar të K.Traboinit, që ia ka kushtuar kolegut  e mikut të ndjerë, Frederik Rreshpja. Në vazhhdimësi, Ilia Dedi lexoi poezinë “Si mund të iket krejt kështu?(Mikut tim, Riza Lahi)”, duke theksuar se lexuesve tanë u nevojiten krijime të tilla bashkëkohore. Poezi nga autori K.Traboini lexuan edhe Dodona Qose e Agron Calleku, që është krijues dhe pronar i lokalit “Muza”. Ndër të tjera, ai i ftoi kolegët e miqtë e tij që, sa herë të dëshirojnë, do të jenë të mirëpritur në këtë mjedis të tyre të ngrohtë.

Duke çmuar disa nga vlerat kryesore të këtij vëllimi poetik, por dhe duke lexuar poezi të zgjedhura prej tij, njëri pas tjetrit, e morën fjalën: Dedë Malaj, Ilia Terpini, Riza Braholli, Jaho Margjeka, Minella Kureta, Fatime Kulli, Kujtim Dashi dhe kolegë e miq të tjerë të autorit. Përveç të tjerash, ata nënvizuan se në krijimet e K.Traboinit është ravijëzuar jo vetëm ndjeshmëria e tij e veçantë poetike, por dhe në vargjet e tij ka ditur të nderojë vendlindjen dhe të jetë pasqyrë e mirë e traditave atdhetare të paraardhësve të vet, që janë të njohur, si në Malësi dhe më gjerë.

Meqenëse ndonjë nga folësit në këtë përurim nuk e shpjegoi, se përse e ka “fajin” Hekuba, po shënoj këtu që këtë titull e ka njëra nga poezitë e bukura të këtij vëllimi. Ndër të tjera, autori shkruan:

Po të mos kishte lindur Paridi,

Po të mos kisha lindur dhe unë,

Gjërat do të ishin ndryshe,

S’do përjetoja këtë kalvar mundimesh,

Ku jeta më tërheq përdhuni.

Fajin e ka hekuba,

Hekuba dhe Nëna ime! (2013)

Në mbyllje të tërë veprimtarisë, autori Kolec Traboini i falënderoi, si folësit dhe gjithë pjesëmarrësit në përurim. Ai njoftoi se e ka në përfundim një poemë të gjatë, e cila ndoshta do të na mbledhë përsëri, në atë mjedis të këndshëm.

Tiranë, 12 shkurt 2015

 

Murat Gecaj: PËRUROHET LIBRI I SKËNDER HAKLAJT, “TROPOJA E MREKULLIVE SHPIRTËRORE”

PËRUROHET LIBRI I SKËNDER HAKLAJT, “TROPOJA E MREKULLIVE SHPIRTËRORE”

Nga: Prof. Murat Gecaj

publicist e studiues-Tiranë

Nga e djathta: S. Haklaj e M.Gecaj

1.

I lindur në Rosujën ilire të Bujanit, aq të njohur për lashtësinë dhe vlerat e saj të çmuara historike e kulturore, jo vetëm në 12 vitet e para të jetës sime atje, por dhe në 8 vitet e shërbimit tim (1966-1973), me rininë e kulturën në rrethin e Tropojës, si dhe nga leximet e ndryshme, me autorë të kësaj krahine ose jo dhe tani përmes librit të ri studimor të Skënder Haklajt, jam njëri nga dëshmitarët e shumtë të traditave të mrekullueshme, që mbart krahina jonë e dashur, Malësia e Gjakovës. Ky është një studim i veçantë në llojin e vet dhe i botuar në një libër, i cili e ka titullin domethënës, ”Tropoja e mrekullive shpirtërore”(Tiranë, 2014). Akademiku Vasil R. Tole është konsulent shkencor i tij dhe ka shkruar hyrjen, ndërsa redaktore letrare e teknike Suela Kolpepaj dhe me ballinë të punuar Agim H.Doçi.

Përurimi i këtij libri u organizua nga Bashkia e qytetit ”Bajram Curri”, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave, Qarkun e Kukësit, deputetin e Tropojës, Unionin Artistik të Kombit Shqiptar dhe Shoqatën ”Tropoja”. Bashkëkraninas të autorit, shkrimtarë e poetë, punonjës të fushave të ndryshme të jetës dhe të kërkimeve e botimeve, të artit e kulturës, nga media e shkruar dhe ajo elektronike, e kishin mbushur sallën ”Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave, gjë që sigurisht e kishte dhe simbolikën e vet.

Pamje nga salla, ku u zhvillua veprimtaria (Foto nga: Gëzim Steaj)

Përshëndetjen e rastit për pjesëmarrësit në këtë tubim mbresëlënës e bëri kryetari i Bashkisë së qytetit ”B.Curri”, Agron Demushi. Pastaj pata kënaqësinë që unë të flisja, shkurtimisht, si për traditat e mrekullueshme artistike, kulturore e shpirtërore të popullit të Malësisië së Gjakovës (Tropoja) dhe për vlerat e përgjithshme të studimit të Skënder Haklajt.

Pra, autor i këtij libri është ky mik i imi i kahershëm dhe djalosh tropopjan me zemër atdhetare. Në gjithësej 340 faqe e në 8 kapitujt e tij dhe përmes disa fotografive domethënëse, aty flitet bukur për tradita, doke e zakone; gojëdhëna, mitologji dhe vende historike e legjendare; për kullat karakteristike dhe gatimet tradicionale të krahinës; për veshjet e instrumentët popullorë dhe për lojërat me elemente kërcimi, për moshat e vogla etj. Sigurisht, për këto tema Skënderi ka shkruar e folur bukur e me pasion edhe për faktin, sepse që në fëmijëri, ka jetuar, është rritur dhe mëkuar në mjedise me tradita të tilla të rralla e frymëzuese. Posaçërisht, vetë ai, gjatë jetës iu përkushtua me pasion të veçantë, valleve popullore të krahinës, duke u bërë kërcimtar e koreograf i talentuar dhe, tanimë, studiues i zellshëm i pasurive shpirtërore, me burimin nga gurra e pashterrshme e popullit artist të Malësisë së Gjakovës.

Ballinat e librit të ri...

Janë domethënëse fjalët, që ai i ka shkruar në hyrjen e librit të tij dhe me kaq sinqeritet: “Padyshim, që shkolla rreth oxhakut ka qenë udhërrëfyesi i parë në jetën time. “Leksionet” dhe pleqësitë e zgjuara të saj u bënë ëmbëlsira e dashurisë sime për traditat, doket dhe zakonet tropojane. Oda e burrave është shtytsa themelore e shpirtit tim, e cila më nxiti dhe më ndihmoi të kërkoj, të studioj e të shkruaj, për vlerat tradicionale, shpirtërore e kulturore të popullit, në shtrirjen dardanmalase-Tropoja e sotme”.

2.

Të pranishmit në përurim dëgjuan me vëmendje përshëndetjet e bëra nga deputeti i Kuvendit të Shqipërisë për atë krahinë, Besnik Dushaj; kryetari i Qarkut të Kukësit, Ipsen Elezi dhe Akademiku Vasil Tole. Ndërsa nga Ramiz Lushaj u lexua tema, që kishte përgatitur prof.dr.Shefqet Hoxha, ”Mësues i Popullit”. Aty paraqiteshin vlerat e shumanshme të librit të autorit Skënder Haklaj, i cili është bazuar fort dhe me aftësi profesioinale, në traditat e mrekullueshme popullore të vendlindjes së tij.

Aktori Llesh Nikolla lexoi pjesë nga ky libër, ndërsa në ekran u dhanë pamje për atë dhe jetën e autorit. Pjesëmarrësit dëgjuan edhe disa vargje, që kishin thurur për autorin e këtij libri të ri, kushtuar traditave popullore në krahinën e tyre, Nuredin Lushaj e Xhevdet Malaj.

Amatorët e rinj e ”ndezën” sallën, me këngë e valle të bukura popullore të krahinës...(Foto nga: M.Gecaj)

Pjesë e bukur e tërë këtij tubimi, në qendër të të cilit ishin traditat shpirtërore dhe kulturore në Malësinë e Gjakovës, ishin edhe vallet e shkathëta të një grupi me vajza e djem nga ajo krahinë. Me ata u bashkua edhe valltarja e njohur, qysh shumë vite të shkuara, Hajrie Haklaj. Gjithashtu, u duartrokit nxehtësisht edhe kënga me lahutë e rapsodit Gjovalin Prroni.

Në emër të UAKSH, Azgan Haklaj e Xhevdet Malaj i dorëzuan autorit të këtij libri, Çmimin ”Jeronim de Rada”. Ndërsa e reja Jerinda Goçi i dhuroi atij një buqetë me lule të freskëta.

Në mbyllje të gjithë kësaj veprimtarie përuruese, Skënder Haklaj i falënderoi përzemërsisht folësit dhe pjesëmarrësit, si dhe gjithë ata, që e mbështetën atë në realizimin e saj.

Pasi secili i ftuar mori me nënshkrim një libër dhuratë, nga djali i autorit të tij, bisedat e përbashkëta ata i vazhduan në koktejin e shtruar, me këtë rast.

Tiranë, 30 janar 2015

 

Gjin Musa:Ne pentagramet e poezis

Gjin Musa


Ne pentagramet e poezis

Me poeten Gjenofefa Myrtaj Ferrari.


Keto dite me rane ne dore 5 librat e poetes Vlonjate Gjenovefa Myrtaj Ferrari,pasi i kame lexuar me shum kenaqesi ato krijime

te mrekulluesheme,eshte e natyresheme qe me terhoqen vemendjen edhe vleresimet e redaktoreve perkates.

Ja si shprehet poeti dhe gazetari Ndue Lazeri

Ishte mengjes i nje te diele kur me erdhi nji mesazh.

Me shkruante Gjenovefa Ferrari.Emerin e saj e kisha hasur ne internet,kisha lexuar krijimet te saj poetike,dija qe kishte publikuar dy vllime me poezi.

Kishim nji miqesi virtuale ne fb,por nuk kishim komunikuar ndonjihere drejtperdrejt.

Me  ndrojtjen e natyrshme te komunikimeve te para me tha qe disheronte te me dergonte disa poezi per t'i pare e t' i jepja miqesisht ndonje opinion.Pranova me kenaqesi.Pas pak ditesh me dergoi nji tufe lirikash,qe flisnin te tera per dashurin.

Me terhoqi thjeshtesia e saj,por edhe origjinaliteti i ndjnjes dashurore  qe buronte  mes vargjeve.

Dashuria e saj vinte here si dallge qe te rremben me vrullin e papermbajtshem e herre si vale qe te perkellel embelsisht si ne pergumje,here si zjarr qe pervlon nga brenda me forcen e llaves e here si nur hene qe zbukuron mbremjen.

Redaktori i liberit TAKIM NE PARIS z.Ndue Lazri nder te tjera tregon:

Cikli i pare u pasua nga te tjere.Kesisoj lindi nji bashkepunim i vazhdueshem midis miqesh e kolegesh.

Nderkohe tregon Ndueja me arriten dy librat e sajj te pare,e me vone edhe i treti.

Njohja me poezine e saj,me boten e endrrat e saj poetike,po behej gjithnji e me e plot

Bshkepunimi na coi vetvetiu drejt pregaditjes se ketij vellimi,qe eshte edhe i katerti qe lexuesi merr ne dore nga kjo autore.

Te cilin personalisht e konsideroj nje shkalle me lart ne pjekurin artistike te Gjenovefes.

Motivi zoterues eshte gjithnje ai i dashurise.

TAKIM NE PARIS

Po te pres ne te bukurin Paris,

mes shiut,poshte Harkut te ndritur,

aty do t'i puth buzet e tua,

aty ku gjithmone me ke pritur.

A e mban mend se ç'me thoe:

Ne te gjithe librat qe kam lexuar,

ty te gjeja ne çdo rresht e shkronje,

se me Parisin ti je dashuruar........

Nuk di,por ne Paris,i dashur

njerzit ndjehen gjithnje te dashuruar,

apo jane vetem neper libra tane

o ne tabllot muzeve ekspoz uar?

Te pres tek Harku i Triumfit te dashurise

aty te puthemi gjithe epsh e mall,

dikur ai Harku iu kushtua lirise,

liria zemrat na i mbush me zjarr.

Eja te takohemi ketu ne aparis

Tek Kulla Ejfel,tek Harku i dashuris.

Kjo poezi u shkeput nga vllimi i titulluat Takim ne Paris e poetes Gjenovefa Myrtaj Ferrari,po vlersimet jane te shumta per poeten ne fjal.

Redaktori Ndue Shabaku nder te tjera thot:

Pergjithesisht kemi te servirur nji varg te embel,te bukur,komunikues e depertues.

Mesazhi na vjen here i nenkuptuar,here si nji enigeme e ne disa raste me vleren e nji mesimi me vlera emancipuese shoqerore.

I pranishem dhe vargu i guximshem per t'iu pergjigjur zemres qe nuk nenshtrohet ne emer te dashurise.Te dashurise qe gjeneron dhe gjenerohet.

Kurse z.LIGOR SHYTI ja se sie vlereson poezin e poetes Gjenovefa.

Me force te madhe shpirterore,autorja na ben bashkeudhetar te saj gjate leximit te librit.Ajo na fut ne boten e saj te brenshme,na nxjerr shetitje te shohim dhe te shijome natyren,detin,pejsazhin dhe,si pa e kuptuar,nis te tregoje enderrat e saj te dikurshme,ato te bukurat,qe shpesh i kane ngelur autores edhe ne sirtar dhe tani,kur jeta ka marre tjeter drejtim dhe tjeter kuptim,n i tregon ato si thesare poetike qe here pas here i ngacmojne ndjenjen dhe kujtimet.

Gjithkush qe e ka provuar dashurine

me pranveren ka qenne bashkeudhtare

s'ka si te jete ndryshe :kete e dime:

pranvera me dashurine nuk rri kurre e ndare!.

Poetja nuk ngurron t'u shprehe atyre edhe mesazhe optimizmi,duke thene:

Nga libri i jetes do te marr me te miren

e ta shperndaj nder miq,anembane

do t'ju fal driten,ta mund erresiren

e me vargjet e mia t'u jem prane.

E tille eshte poezia e Gjenovefa Myrtaj,nji metafore e perhershme,ku kontradikta dhe kundrervenia poetike leverohet me shkathtesi,ku kerkimi shpirteror apo gjeografike,shnderrohet ne nji Odise te brenshme e te pambarimte.

Gjithçka behet me finese,me nji mjeshteri qe duket se autorja e zoteron me mjaft lehtesi.

Duke mbyllur kete shkrim,me ngjason sikur po notoj ne pentagramin e poezis.Autores se pese librave te nji pasnjeshem i uroje qe s'shpejti te na prezantohet me liberin e ri te cilin poe punon me shume kujdes poeti dhe gazetari i mirenjohur,miku im i viteve te rinis Ndue Lazri.Gjenovefa na ka mahnitur me krijimet e saja teper dinjitoze.

Gjin Musa

 


Faqe 6 nga 72