Fatmir Minguli: Variacione mbi një temë magjike
E diel, 25 Nandor 2012 21:19
Sokol Demaku
Fatmir Minguli
Variacione mbi një temë magjike
(Mendime studjuese për romanin ”Vrasësi i shpirtrave” të Hamdi Erjon Muça
Qui animum ad scribvendum
Applicat, vel ad dicendum, tot
Sibi indices contra se assumit,
Quat lectores.
S.Hieronimi
Kush merret me shkrime,
Ose me gojëtari, do të marrë
Kundra vetes sa gjykatës
Aq dhe lexues.
Shën Hieronimi
Kohët e fundit, shtëpia botuese e Tiranës OMBRA GVG nxori në qarkullim romanin e ri të autorit Hamdi Erjon Muça, titulluar “Vrasësi i shpirtrave”, roman i cili me 330 faqet e tij i jep lexuesit shqiptar një sagë të mirëfilltë të shqiptarëve në periudhat para se Skënderbeu të fillonte betejat e tij madhështore. Në këtë roman të thurur artistikisht bukur me nocionet e historisë së shqiptarëve, nuk ndodhet vetëm Kruja por e gjithë hapësira ilire ,ajo tokë që ishte e ilirianëve. Galeria e personazheve është shumë e larmishme duke intersektuar personazhet shqiptarë me ata të huaj, veprim shumë mjeshtëror i autorit Erjoin Muça ,i cili, kështu na ka sjellë romanin kozmopolit të historisë së atyre kohëve me shumë kureshtje dhe kënaqësi në lexim.
***
Historia e popullit shqiptar kundër pushtuesit shekullor turk ka kaluar nëpër kohëra e paralelisht dhe nëpërmjet shkrimeve të historisë dhe të krijimeve të letërsisë, ku më shumë spikatin romanet e letërsisë shqiptare e që zanafillojnë nga prifti shkodran, Marlin Barlet me Historinë e Skënderbeut dhe të Motit të madh të shqiptarëve me librin e tij për Skënderbeun.
Romani i autorit durrsak që jeton në Itali Hamdi Erjon Muça, “Vrasësi i shpirtrave”, i vendos ngjarjet në periudha kohore përpara ardhjes së Skënderbeut në Shqipëri e të fillonte organizimin e tij kundër turqve. Kësisoj, Erjon Muça, sikur do të thotë, me këtë roman , ose më mirë do që të vërtetoj shprehjen e Skënderbeut kur u kthye në Krujë:
“Lirinë nuk ju a solla unë, atë e gjeta këtu, midis jush.” Mendoj se popullit dhe letërsisë sonë i duhej një roman i tillë që në fund të fundit tregon veçse shpirtin e pamposhtur luftarak të shqiptarëve në të gjitha kohërat.
Ngjarjet e romanit duke filluar shumë herët në shekullin e 13-të apo të 14-të e që hipotetikisht ngulmojnë në vigjiljen e ardhjes së kryetrimit në Krujë, marrin karakterin e ortekut. Ato fillojnë në skenat e një kulle të veriut të Shqipërisë dhe përfundojnë në veprimet e bashkërenduara të princave shqiptarë që nga skajet veriore të Dardanisë e bregdetit Adriatik të sipërm të kroatëve të sotëm deri poshtë në Epirin jugor.
Të duket sikur rreth personazhit kryesor ,djalit të ri Gjergj dhe i biri i një malësori trim e enigmatik Gjon, vinë e bashkohen princërit shqiptarë andej e këtej Shqipërisë e duke u bashkuar ecin përpara drejt një obelisku madhështor por imagjinar, që nuk do ishte veçse dëbimi i turqve nga trojet tona shqiptare.
Orteku i ngjarjeve merr me vete në këtë roman jo të zakontë edhe marrëdhëniet e shqiptarëve me shtetet fqinjë, armiq apo jo armiq duke na shpalosur tablo të reja të skenave shqiptare , të diplomacisë dhe të zyrtarizmit të kohës, kulturës dhe dijeve bashkëkohore të princërve shqiptarë.
Mënyra e narracionit që përdor autori Erjon Muça në romanin e parë të tij “Vrasësi I shpirtrave”, i ngjan zmadhimit galopant amebik të ngjarjeve. Krejt ndryshe nga romanet shqiptarë që trajtojnë temën e luftës kundër turqve , përmend këtu” Kështjellën” e Kadaresë,” Skënderbeun”e Godos,” “Të jetosh në ishull “ të Blushit, e ndonjë tjetër, Erjon Muça , jo vetëm që nuk merret me kohën e Skënderbeut por sheh poshtë në oborret e shtëpive e kullave të shqiptarëve të thjeshtë duke i sjellë njerëzit që banojnë në to si personazhe shumë të detajuar dhe të mirë analizuar artistikisht.
Është e çuditshme njohja e thellë e botës së shqiptarëve të thjeshtë në ato shekuj kur vendosen dhe ngjarjet e këtij romani. Është gjithashtu befasuese dhe njohja e simboleve të jetës së kullave të veriut të cilat kanë veçori që kanë tronditur shumë studjues të huaj që i kanë vizituar e kanë qenë mysafirë aty. Prandaj, kur autori përshkruan jetën në vendet e veriut shqiptar, pa lënë mënjanë dhe malësitë e Kosovës, përdor me një origjinalitet të tij artistik parabola dhe legjenda të mirëfillta shqiptare që pleksen me flokët e grave e vajzave shqiptare e deri në mjeshtërinë e përdorimit të shpatave nga burrat luftëtarë shqiptarë.
Pikërisht , janë këto parabola që përbëjnë pëlhurën fantazmagorike e cila shpesh mbulon si një tis magjik skenat e jetës normale në realitetin e vet pothuajse në krejt faqet e romanit.
Titulli i romanit “Vrasësi i shpirtrave”, veçse është sugjestionues, është dhe një ekstrakt i gjithë pjesës reale dhe pjesës abstrakte që përbëjnë dhe ndërlidhin natyrshëm faqet e shumta të romanit .Është ky ekstrakt që autori e ka për objektiv final, jo për finesë artificash letrareske por si objektiv madhor që i takon popullit shqiptar ndër shekuj. Në se legjendat, mitet dhe këngët e eposit shqiptar të veriut bëjnë pjesë në jetën e vendasve, shqiptarëve që punojnë dhe mbrojnë trojet e tyre nga pushtuesit turq dhe të tjerë, për këta të fundit ato legjenda, mite apo pjesë të eposit kthehen në ekranizime të turbullta në trutë e tyre që i çojnë ata në frikën e demonëve- ashtu siç e analizon me elegancë autori Erjon Muça këtë fenomen aspak të trilluar që ndodhte tek ushtarët turq. Të mos harrojmë se si turqit morën pjesë nga skeleti i Skënderbeut dhe i mbajtën ato për hajmali!? Sipas shumë autorëve të huaj që kanë studjuar histori të popujve të ndryshëm aty ku nuk shkoqitet mirë historia , në ndihmë u vinë pikërisht mitet ,legjendat ,feja , etj të atij populli të cilit i studjohet historia, siç kanë vepruar Karen Armstrong tek shkroi librin për Jerusalemin , teoricieni prakticist Karl Poper etj.
Erjon Muça me shkathtësinë e tij ka ditur të gërshetojë ekuilibrin e besimit të shqiptarëve duke e luhatur pendulin e besimit fetar të shqiptarëve herë nga paganizmi dhe herë nga kristianizmi , dhe shpesh duke i përzierë së bashku , duke sjellë këtu një risi në prozën shqiptare por të treguar brenda një romani historik, d.m.th. artistikisht.
Janë pikërisht këto maniera të narracionit origjinal të përdorura në romanin “Vrasësi i shpirtrave” që e bëjnë atë të veçantë, tjetër lloj.
Këto tipare që qarkullojnë si damarë të tejdukshëm nëpër subjetin e romanit janë dhe veçori të personazhit simpatik, shqiptarit të ri ,të zgjuar , Gjergj, i cili trashëgon sekrete jo vetëm të luftimit nga i ati Gjon, por trashëgon ndjenjat njerëzore të dashurisë jo vetëm për familjen por dhe për atdheun dhe popullin e tij.
Personazhi Gjergj megjithëse në moshë të re ,arrin të marrë përsipër pa e ditur as vetë një enigmë të madhe që me dekada ishte përhapur si një legjendë në mes mjegullnajës në viset ku ndodhin ngjarjet e romanit. Por ai, Gjergji nuk është thjesht bartës i enigmës por ai zotëron intuitivitetin e trashëgimit duke ja marrë të atit këtë fshehtësi të madhe, fshehtësi që turqit e kishin pësuar në kurriz të tyre e që nuk e kuptonin nga vinte Ai ,fantazma ,që pasi vriste me qindra ushtarë turq, zhdukej misteriozisht. E si mund ta quanin turqit këtë njeri!? Këtë njeri , Gjonin-vrasës të shpirtrave- dhe jo vetëm të trupit! Ai ishte demoni i tyre dhe atij i ruheshin më shumë se djallit. Marrja e trupit është thjeshtë vrasje në ushtri , ndërsa marrja e shpirtit është punë që ka të bëjë jo me njerëzit e vdekshëm. Por me dekada Gjoni po kërkohej nga komandantët turq po nuk gjendej, mbasi Gjoni ishte tërhequr nga “marrja e shpirtrave “ të pushtuesve. Nga ky moment që zhduket Gjoni si vrarës i shpirtrave të turqve , këta te fundit i vihen sistemit policor investigues nëpërmjet një Aleksandri që u shërbente turqve.
Romani ,në këtë etapë shkëputet nga të gjitha emërtimet e modës së sotme që qarkullojnë pasarelave e vitrinave të librit televiziv si në Shqipëri ashtu dhe në Itali. Nuk kemi të bëjmë me trilerin e trendit e as me fiktion-in e modës. Është thjesht një roman i ndërtuar nga shpirti i pavrarë nga formulat e modës letrareske në atmosfera metroplolitane të Italisë. Ky roman nuk e ka një plan përgatitor- përfundimtar si ndoshta disa plane të autoreve femra që s’po kam për zemër ti përmend, ndonëse librat e tyre mbushin të gjithë raftet e librarive dhe të koshave në dalje të supermerkatove. Erjon Muça është një autor i ri që ngazëllohet nga poezitë brilante të Oskar Walldit , poezi që i ka njohur në sistemin monist, e duke qenë kështu ndjekës i principeve të lirisë së këtij poeti ai arrin të kompozojë romanin sipas principeve të lirisë. Edhe pse është një punë e madhe romani me karakter historik , Erjon Muça inspirohet dhe nga Properci që thotë; ”Në punët e mëdha mjafton vetëm të dëshirosh”(in magnis voluisse sat est).
Erjon Muça duke sjellë pa ndërprerje tabllo të jetës shqiptare të viteve të pushtimit turk , na fut njëkohësisht në botë të panjohura apo shumë pak të ndeshura në historinë artistike shqiptare apo dhe të huaj. Mënyra e ndërtimit të subjekteve me ndërprerje për mendimin tim ja shton bukurinë romanit duke tejkaluar format arkaike të modeleve të shumë vendeve Evropiane edhe të dy shekujve të fundit.
Kjo mënyrë krijimi dhe vendosjesh tablosh, njerëzish , ngjarjesh në formë abstraksioni veç se e zbukuron linjën e leximit,duke e bërë të larmishme atë çka lexuesi kalon nëpër duar. Tek shkruan me guxim për Dyrrahun e dashur për të gjithë durrsakët, mendja më shkon menjëherë te libri i vetmuar i kroatit Milan Shuflai, romani “Konstandin Balsha” ku flitet për jetën e Durrësit në shekullin e 12-të dhe 13-të.
Mjeshtëria e futjes së ngjarjeve të kompleksit real – ireal në shumicën e faqeve të romanit duket se ngjet me atë të realizmit magjik të plakut Gabriel Garsia Markes, por në një natyrë krejt të kundërt me atë të amerikano-jugorëve. Vetëm mjeshtëria mbetet e tillë pa asnjë shenjë tipike ndikimi e as një lloj përputhje qoftë dhe e rastit.
Gjithashtu nuk është e rastit ngjarja me nobelistin e vitit 2012 në fushën e letërsisë .Vepra e kinezit Ma Yan u cilësua nga Akademia Suedeze “si punë me realizëm prej iluzionisti që bashkon tregimet popullore, historinë dhe bashkëkohoren.”
Erjon Muça përdor efektin sugjestionues, telepatik dhe pse jo dhe aspekte të disa lloj magjie. Gjatë leximit të skenave ku tregohet se si priten kokat e turqve nga lëvizjet e zhdërrvjellta të protagonistit Gjergj, por më parë dhe të atit të tij , Gjon, mendja më shkonte te filmat japonezë me heronj shpatash , te ninxhat e tyre dhe te samurajt . As që pritja ti gjeja ashtu stampë të mirëfilltë ,(por jo stampë letrare ) në librin e Erjonit, por në kapitullin e dytë gjej pikërisht skena të luftimeve të ninxhave me magjistarë të shpatës. Pasi i lexon këto pasarele që vërtëtojnë “magjinë” e letërsisë së Erjon Muçës, me njëherë të kujtohet Skënderbeu.
Pa dashur të hyj në komente të tepërta ,po citoj një fragment nga libri im “Tjetër lloj” ku flas për herë të parë mbi problemet e luftës së Skënderbeut në kushte të papara gjatë komentimit të një studimi të Moikom Zeqos për figurën e Skënderbeut:
“Në rastin e dytë, Moikom Zeqo ka trajtuar artin luftarak të Skënderbeut sipas teoricienit kinez Sun Xu , në një nga studimet e tij…”
Edhe në librin “Skënderbeu, një hero modern” të italianit Xhovani Falcione, trajtohen 36 raste të zbatimit të tezave të Sun Zu –së , për luftën guerrile në kushtet e terrenit të thepisur.
Pra kemi të bëjmë me telepati apo me iluzionizëm në veprën romaneske të Erjon Muçës?!
Është i rëndësishme fakti që gjatë sipërmarrjes së shkrimit të një romani historik duhet të dalësh nga klishetë bajate të stërpërdorura dhe keqpërdorura. Kështu, romani do të ketë destinacion harresën me anekset e saj dhe fenomenin e stokut. Por kur romani ka marrë përsipër jo vetëm ëmbëlsinë e ngjarjes por dhe disa forma jo normale se si ato ndodhin , do kuptojmë se aty do gjejmë dhe magjinë dhe këngën e eposit të ndërthurur me ligjet reale të kanunit të Lekës, përzier me magjinë e prerjes së kokave të turqve me një të goditur shpate, këngët e vallet në luginat plot lule të stinës, ujin gurgullues të lumit që sjell fjalët e spiunëve që i shërbejnë turqve e kështu me radhë.
Figura e Gjergjit me të gjitha dhuntitë që ka , përbën një risi në prozën shqiptare sepse duke qenë i dhënë plotësisht si personazh , ai vjen e rritet gjatë romanit ; me kalimin e faqeve lexuesi herë ndeshet me një Robin Hud, herë ndeshet me një Til Ulenshpingel e herë, herë me trimat e Bjeshkëve.
Krijimi i figurës së Gjergjit padyshim është i pashkëputur nga figura e të atit Gjon si dhe të vëllezërve të tij. Jo vetëm kaq, por dhe kushërinjtë, miqtë në fshatra e në qytete janë figura lëvizëse në skenat e teatrit të Erjon Muçës dhe të gjithë së bashku realizojnë skenat masive që vinë në të ardhmen. Mund të duket si detaj i vogël, ndoshta për tu anashkaluar , lokanda , vendi ku fshatarët pinin ndonjë kafe apo një gotë verë të kuqe. Si në asnjë prozë shqiptare nuk jepet kaq gjallë jeta e fshatarëve të atëhershëm në ato thellina. Lokanda përbën një nyje jo vetëm për romanin por dhe për intensitetin e lexuesit,sepse është dhënë me shumë dashuri dhe intimitet.
Për tu rikthyer në një nga variacionet që ky roman na sjell , do të përforcoja faktin e mbijetesës së shqiptarëve ndër shekuj. Këtë lloj mbijetese virtualisht e kemi ndjerë në balada e filma të ndryshëm, në libra historie brenda kallëpit akademik apo dhe në këngët margaritar të arbëreshëve, arvanitasve etj.
Novacioni i Erjon Muçës në romanin “Vrasësi i shpirtrave” në drejtimin e mësipërm ,është ai i saktësisë së rrjedhshmërisë së jetës duke i qëndruar konsegent deri në fund të romanit, si për tu thënë lexuesve se jeta vazhdon e ku Gjergji , tashmë baba, i thotë djalit të tij të vogël e që i kishte vënë emrin e të atit, Gjon:
“Ti ke nderin të jetosh në fshatin që mban emrin e atij, që armiqve nuk u merrte vetëm jetën.Ti ke nderin dhe detyrimin, ta mbash lart emrin e atij, që armiqve u vriste shpirtrat.”
Asnjë ndërprerje nuk ka ndodhur në karakteret e në historitë e shqiptarëve. Arti i luftës i shqiptarëve është gati proverbial. Erjoni na e sjell këtë art në gjithë puritanizmin e tij dhe jo vetëm artistikisht, por të bazuar dhe në analet e historisë. Kështu autori Italian Paolo Petta, në librin e tij “Stradiotët, ushtarë shqiptarë në Itali”, shkruan se në mijëra vjet , stradiotët shqiptarë kanë luftuar si trima e kalorës të aftë e që prej tyre ka dalë një papë dhe një revolucionar i shkëlqyer si Antonio Gramshi.
Në historinë e luftërave moderne të shekullit të 17-të në Evropë lulëzonte strategu dhe teoricieni i kalorësisë së lehtë Gjergj Basta, i cili ishte me origjinë nga fshati Nivicë Bubar i Bregdetit të Poshtëm të Sarandës. Nuk është përsëri e rastit që ai ishte shqiptar dhe që gjyshi i tij Andrea kishte qenë bashkëluftëtar i Skënderbeut e që përfaqësonte familjen fisnike të Bastajve!
Nëse autori tek krijon personazhe të tillë origjinalë si Gjergji dhe i ati i tij duke i shpalosur ata si fitimtarë të përhershëm, ai , besoj se nuk bazohet aq fort te Davidi i Biblës që rrëzoi Goliathin se sa tek hipoteza e Talesit që thotë se “tek çdo njeri ka diçka hyjnore”.
Ja përse unë e vlerësoj romanin “Vrasësi i shpirtrave” të Erjon Muçës , si roman origjinal, si një prurje e ndritshme mbi disa skena të errësuara të teatrit shqiptar të viteve e të shekujve të ndryshëm. Shpesh ato që nuk i bëjnë historianët të motivuar nga arsye nga më të ndryshmet, i bëjnë shkrimtarët, të cilët jo vetëm shkundin pluhurin e perdeve të mbyllura të teatrit të historisë shqiptare.
Fatmir Minguli
MURAT GECAJ: “PETRO NINI LUARASIN” E PRESIN ME FLAMUJ, NË PRISHTINË…
E premte, 23 Nandor 2012 15:00
Sokol Demaku
“PETRO NINI LUARASIN” E PRESIN ME FLAMUJ, NË PRISHTINË…
-Dhurohen mbi 200 libra, kushtuar atij, për shkollat e Kosovës-
Nga: MURAT GECAJ
1.
Nuk ishte hera e parë, që në ditën e djeshme e bëja udhën për në Kosovë e në Prishtinë. Kisha shkuar atje edhe pas mbarimit të luftës dhe çlirimit të saj, nga pushtuesit barbarë serbë. Atëherë, ajo ishte e shkatërruar, se kishte përjetuar humbje shumë të mëdha në njerëz, materiale etj. Por liria kërkonte sakrifica dhe ato ajo i përballoi me qendresë të pashoqe dhe fitoi. Për ato fakte tragjike, por dhe heroike, shkrova e publikova librin “Si e pashë unë Kosovën” (Tiranë, 2000). Ndërsa në udhëtimet e mëpastajme e kam parë me gëzim të natyrshëm atë vend të lirë, që ripërtërihej dhe përparonte pa ndërprerje. Pastaj, erdhi plotësimi i një ëndrre e shprese shumëvjeçare: Kosova u shpall Republikë, e pavarur e demokratike.
Dhe ja, vetëm pas një muaji, kur kaluam përmes Prizrenit e arritëm në Shkup, tani ndodhemi përsëri në këtë tokë të bekuar dhe të mbushur plot me flamuj, kombëtarë e shtetërorë, por dhe të BE-së e SHBA-ve. Se, ashtu si Shqipëria, trojet tjera amtare e diaspora, Kosova është në festë. Ajo po e pret me gëzim të patreguar shpalljen e Pavarësisë dhe krijimin e shtetit të parë shqiptar. Kjo gjë na bie kudo në sy, kur kalojmë pranë maleve të Sharrit, në Carralevë, Shtimje, Malishevë ose Lipjan etj.
Në Prishtinë gjejmë po atë mjedis festiv, që e lamë para disa orëve në Tiranë e gjatë tërë udhës, në Kamzë, Fushë-Krujë, Milot, Mirditë e Kukës, duke përshkuar “Udhën e Kombit”. Për vizitën tonë këtu kanë dijeni në Bibliotekën Qendrore, ku na presin me përzemërsi kolegët, drejtorë të dy bibliotekave, Sali Bashota e Munish Hyseni. Pasi çlodhemi pak e pijmë nga një kafe, hyjmë në sallën e mbledhjeve. Aty takohemi me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Isa Mustafën dhe drejtoreshën e kulturës, rinisë e sporteve, Vlora Dumoshin, e cila është koordinatore e kësaj veprimtarie. Pastaj përshëndetemi me mjaft kolegë e miq të njohur, si me Akademikët Pajazit Nushi e Ramiz Këlmendi, prof. Shefkije Islamaj, publicistin e poetin Vezir Ukaj, piktorin Agim Krasniqi, shkrimtarin Adem Zaplluzha, poetin Izet Abdyli e të tjerë. Në mes tyre, ka mjaft drejtues të shkollave e punonjës të arsimit, kulturës e shkencës, nga media e shkruar dhe ajo elektronike.

Nga e majta: Prof.Alfred Uçi e M.Gecaj, para Bibliotekës Qendrore…
2.
Bashkë me prof. Alfred Uçi-Akademik, do të paraqesim para lexuesve dhe personaliteteve të arsimit, kulturës e shkencës librin e ri kushtuar martirit të shkollës shqipe, Petro Nini Luarasi (1865-1911), “Mësues i Popullit”. I pari e merr fjalën M.Hyseni, i cili, ndër të tjera, thotë se ky tubim përkujtimor e festiv organizohet për veprën e re të Akademikut A.Uçi, të cilën ky ia ka kushtuar, me dashuri e profesionalizëm, atdhetarit e personalitetit të shquar të Rilindjes sonë Kombëtare, Petro N.Luarasit. Më tej shton se, “Thënia e tij lapidare: Edhe 99 herë të rrëzohemi, përsëri duhet të ngrihemi”, shërbeu si testament i qendresës, mbijetesës dhe pavarësimit e zhvillimit të shkollës e arsimit shqip, në të gjitha hapësirat shqiptare, të cilat përjetuan pushtime e luftëra, për liri e pavarësi”.
Prof. Alfred Uçi, duke treguar shkurt përmbajtjen e këtij libri, ndalet në përpjekjet e parreshtura të rilindësve tanë, ndër të cilët ishte i palodhuri e martiri i shkollë shqipe, Petro N.Luarasi, gjysh i tij. Përveç ndihmesës, që ai dha për hapjen e funksionimin e shkollave shqipe, në krahinën e tij të Kolonjës, u dallua edhe në drejtimin e shkollës së parë kombëtare të Korçës, ku drejtor i parë kishte qenë Pandeli Sotiri. Gjithshtu, folësi tregon se në këtë vepër janë publikuar disa shkrime të Petro Ninit, si dhe dëshmi e dokumente të tjerë arkivorë, kujtime të bashkëkohësve, nga shtypi i atyre viteve dhe i mëvonshëm etj. Në fund, ai u tregon të pranishmëve se kishim sjellë me vete mbi 200 libra kushtuar Petro N.Luarasit, dhuratë për shkollat shqipe të Kosovës. (Disa libra i lamë aty dhuratë edhe për shkollat e Kosovës Lindore-Preshava). Kjo është diçka simbolike, në këtë prag të festimeve për 100-vjetorin e krijimit të shtetit të parë shqiptar.

Pamje nga salla, ku u zhvillua veprimtaria…
Ndërsa prof. M.Gecaj flet për udhën e gjatë e të vështirë të krijimit dhe funksionimit të shkollave shqipe gjatë këtij 100-vjeçari, si në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi, Çamëri e diasporë. Që nga 7 marsi i vitit 1887, kur u hap shkolla e parë në Korçë, u deshën shumë mund, dituri e sakrifica të panumërta, që shkolla në gjuhën tonë amtare të mbijetonte e te zhvillohej. Më tej, pas, posaçërisht, ndalet në rrethanat e çeljes së shkollës së Prizrenit (më 1 maj 1889), e cila ishte dhe e para në Kosovë, me mësues Mati Logorecin e Lazër Lumezin. Një rëndësi të veçantë i kushton dhe tregon me fakte punën e Dikastërit të Arsimit, në Qeverinë e Vlorës, pas 28 Nëntorit 1912. Ai drejtohej nga Luigj Gurakuqi dhe pranë kishte delegatin e Koszovës në Kubend, pejanin Sali Gjukë Dukagjni, tani “Mësues i Popullit”. Bashkë me mjaft kolegë të tjerë, ata iu përkushtuan hapjes dhe funksionimit të shkollave në gjuhën amtare në katër qarqet e Shqipërisë së asaj kohe. Në vazhdim, folësi nënvizon ndihmesën e mësuesve, të cilët shkuan nga Shqipëria, në Kosovë, në vitet 1041-1945. Po kështu, u ndal në përpjekjet e parreshtura për shkollën shqipe, nën regjimin serb dhe për zhvillimin e saj në udhën demokratrike, pas vitit 1999, kur vendi u çlirua një herë e përgjithmonë.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa e uron prof. A.Uçi për veprën e re, kushtuar Petro Nini Luarasit dhe paraqitjen e përmbajtjes së saj para auditorit, si dhe prof. M.Gecajn për pasqyrimin, në fjalën e tij, të udhës nëpër të cilën ka kaluar shkolla shqipe, në të gjitha trojet tona amtare, deri në ditët e sotme.
Në vazhdim, Prof. A.Uçi e prof. M.Gecaj u dhurojnë libra të tyre, me nënshkrim, disa pjesëmarrësve në këtë veprimtari, mbresëlënëse e të paharruar.
3.
Në mbyllje të këtyre pak radhëve, kërkoj mirëkuptimin e lexuesve, se do të tregoj diçka, që më bëri përshtypje, por që nuk lidhet direkt me veprimtarinë e mësipërme. Kur po hanim drekë, në Prishtinë, aty pranë nesh ishin tre të moshuar. Njëri nga ata, që më pas më tregon se ishte nga Peja dhe quhet Mit’hat Begolli, ngrihet nga karrikja, më përshëndet dhe e vë gishtin e tij tregues në gjokshin tim. Aty e kisha vendosur simbolin e Flamurit tonë Kombëtar. “Qenka shumë i bukur!”,-u shpreh ai… E kuptoj se dëshiron që edhe ai ta ketë një të tillë, në këto ditë feste. Sakaq, e heq nga xhaketa dhe ia jap atij, duke i thënë se një simbol të tillë, pra të Flamurit tonë, do ta marr përsëri në Tiranë. E kundershton pak veprimin tim miqësor dhe më përqafon me dashuri e më falenderon nga zemra. Kështu, ne ndahemi si dy miq të vjetër, të njohur kohë më parë.
…Largohemi nga Prishtina, të mbushur plot kënaqësi dhe me ndjenja të bukura, shkaktuar nga tërë mjedisi i mrekullueshëm festiv, në prag të 100-vjetorit të Pavarësisë. Këtë gjë ne e pamë kudo, pra jo vetëm në kryeqytetin e Kosovës, por dhe në qytete e fshatra të saj.
Tiranë, 23 nëntor 2012
Baki Ymeri: ZËRI I KOSOVËS NË GJUHËN SUEDEZE
E premte, 23 Nandor 2012 14:57
Sokol Demaku
ZËRI I KOSOVËS NË GJUHËN SUEDEZE
(Ramiz Kuqi, Biblisk tystnad/Heshtje biblike, Përktheu Dorina B. Landen, Amanda Edit, Bukuresht 2012)

Baki Ymeri
Krijuesit nga Kosova kanë fat të rikëndohen në gjuhë të huaja, paralelisht me sivëllezërit tanë nga Shqipëria dhe diaspora shqiptare. Rëndësia e përkthimit është një subjekt i veçantë që implikon cilësi, besnikëri, përkushtim, admirim dhe afirmim. Në këtë kontekst vjen në shprehje krijimi i një ure të shëndetshme të miqësisë mes dy gjuhëve, dy kulturave, dy popujve dhe dy vendeve. Ramiz Kuqi nuk është as poeti i parë dhe as i fundit i rikënduar me vargje briliante në gjuhë suedeze. Heshtja e tij biblike del në dritë në bashkëveprim me Bashkësinë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë (Boken ges ut i samarbete med Kulturella Unionen Albaner i Rumänien).

Dihet se në Suedi (pas ekzodit të shqiptarëve nga Kosova), ekziston një komunitetit i fuqishëm i bashkatdhetarëve tanë, sidomos në Malmo, Halmstad, Boras etj. Atje vepron edhe një poeteshë e shquar (Dorina Brëndusha Landen), e cila është dashuruar në botën lirike të krijuesve tanë. Dorina është autore e disa vëllimeve poetike me vlerësime të veçanta nga bota e kritikës letrare, prezente në disa antologji poetike dhe në faqet e revistës Shqiptari. Gjatë këtij viti ajo e mori përsipër rikëndimin në gjuhën suedeze të poezive të Lulzim Tafës, Nexhat Rexhës, Jeton Kelmendit dhe Remzi Kuqit, që të katërt me origjinë nga Kosova. Në këtë vëllim poemash të seleksionuara, defilojnë principe dhe norma të jetës së poetit, të transponuara në varg.
Kemi theksuar dikurë se Ramiz Kuqi anashkalon shablonet e lirikës klasike dhe monotoninë. Sipas Agim Vincës, poeti vazhdon shtegimin e tij (meditativ) drejt jetës, historisë, aktualitetit, dashurisë dhe motiveve të tjera që e cysin atë. Nga pikëpamja e konceptit krijues, kjo poezi sillet mes lirikës si ditar intim i poetit dhe poezisë si vetëdije e ekzistencës kolektive. Në kuadrin e një vlerësimi lidhur me të njëjtin vëllim që e pa para disa muajsh dritën e botimit në gjuhën rumune, konstatojmë se Ramiz Kuqi është poet i kohës, ku ”Njerëzit janë zhytur/ Në strofuj kujtimesh”, duke depërtuar në botën e fjalëve që ëndërrojnë një jetë të qetë, duke dëshmuar se shqiptari ka energji krijuese, dhe nuk bëhet aq lehtë pre e defetizmit jetik apo fanatizmit. Pse? Sepse kjo tokë, sipas tij, në çdo pore të saj ka gjak brezash, kur poeti bëhet zogu i natës për zbutjen e dhembjeve të ditës. Fjala e frymëzuar e poetit ta përkujton moshën e fëmijërisë me dimensione homerike të një kohe të qetë, si një hyrje e dalje nga një parajsë e humbur, diku, në brigjet e fshatit, atje ku ka lindur përjetësia.
BOX
Ramiz Kuqi u lind në fshatin Kotlinë të Kaçanikut. Shkollën fillore e kreu në vendlindje dhe Kaçanik, të mesmen në Ferizaj, kurse Gjuhën dhe Letërsinë Shqipe në Shkup dhe në Universitetin e Prishtinës. Ka punuar në Gjimnazin Skënderbeu në Kaçanik për vite të tëra. Nga viti 2005-2010 ka qenë drejtor i Kolegjit Aga Xhite dhe bashkëpunëtor në universitetin privat Universum, në Ferizaj. Është magjistër i Letërsisë dhe anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Bëlbëzimet e para poetike i ka bërë si student. Poezinë e parë "Një natë" e ka botuar në revistën letrare "Jeta e re", në Prishtinë (1977). Ka bashkëpunuar me shumë gazeta dhe revista letrare në Kosovë dhe në Maqedoni. Ka botuar vëllimet me poezi "Degë e ndarë", 1997, "Asnjë zog", 2000, "Një copë diell", 2006, "Atdheu, metaforë e dhembjes", 2012, “Tacere biblica/Heshtje biblike”, shqip-rumanisht, 2012, Biblisk tystnad (Heshtje biblike), shqip-suedisht, 2012. Në botim e sipër është edhe monografia "Aspekte të krijimtarisë letrare të Ndre Mjedjes", punim i magjistarturës. Është prezent në antologjinë “Zjarr i pashuar” dhe shkruan herë pas here vështrime për autorë dhe vepra letrare. Nga viti 2010 jeton dhe krijon në Oslo të Norvegjisë.
BOX
Ramiz Kuqi föddes i byn Kotlina Kaçanik (Republiken Kosova). Efter grundskolan och gymnasiet i Ferizi Kotlina, tar examen i albanska språket och litteraturen vid universiteten i Skopje och Pristina. Han var lärare vid ”Skenderbeu” i Kacanik och mellan 2005-2010 var chef för Akademin ”Aga Xhite” och samarbetade med privata universitet ”Universum” i Ferizi. Ramiz Kuqi är litteratur magister och medlem av Kosovo Författarsällskap. Han skrev första dikterna som student, dök den första dikten i den litterära tidskriften ”Jeta e re” från Prishtina (1977). Han arbetade för många tidningar och litterära tidskrifter i Kosovo och Makedonien. Han är författare till böckerna ”Delade grenar” (Utgivare Rilindja, Prishtina, 1997), ”En bit av solen” (Rozafa, Prishtina, 2012), ”Fosterlandet, smärtans metafor” (Prishtina, 2012), ”Biblisk tystnad” (tvåspråkig utgåva, rumänsk-albanska, Amanda Edit, Bukarest 2012). Monografin ”Synpunkter ur Ndre Mjedjas litterära verk”. Han är med i antologin ”Outsläcklig eld” (Bukarest, 2012). Ibland skriver han recensioner om författare och deras litterära verk. Sedan 2010 han bor och skriver i Norges huvudstad Oslo.
Një libër më shumë, në 100 vjetorin e pavarësisë
E premte, 23 Nandor 2012 14:33
Sokol Demaku
Remzi Basha
Një libër më shumë, në 100 vjetorin e pavarësisë

Shqipëri, Shqipëri Toka që buron flori Emrin tënd do lartësojmë Pranë flamurit kuq e zi
Poezia shqipe e dekadave të fundit, është zhvilluar si sasi dhe cilësi. Këtë zhvillim, e kanë ndihmuar proceset shoqëroredhe politike.
Kombi shqiptar tanimë jeton në një liri solide, si kurrë më parë dhe kjo ka krijuar kushte dhe rrethana të mira për komunikimin e arealit poetik shqiptar, pa pengesa. Poezi shqipe, si asnjëherë më parë, krijohet në liri dhe atë në shumë hapësira kulturore, shqiptare dhe të huaja.
Ideja për të hartuar një album poetik, me autorë të përfshirë nga gjitha trevat shqiptare, në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, është një përpjekje modeste, që t’i bashkojmë brenda kopertonave të një libri, poetë të stileve të ndryshme, gjeneratave të ndryshme dhe me një qëllim thelbësor: të shfaqet bukura e vargjeve të tyre. Këta poet, që nuk janë assesi të vetmit që e meritojnë të jenë në këtë album, kanë një prodhim cilësor solid dhe shkruajnë ne hapësira të ndryshme dhe me interesime poetike të ndryshme.
Lexuesit e kësaj përmbledhje poetike, si dhe poetët tjerë, sigurisht do të pyesin, mbi çfarë kritere janë bërë përzgjedhjet, pse është ky dhe pse nuk është ai?
Këto pyetje, janë të natyrshme, sepse nga një kopsht i bukur me lule, është vështirë të shkëpusësh vetëm disa lule, dhe të thuash i kam zgjidh më të mirat. Unë kam bërë një përzgjidhje personale poetike, duke u bazuar në përvojën time të leximit dhe njohjes modeste të poezisë shqipe.
Të gjithë autorët e përfshirë, janë emra cilësor dhe produktiv në disa fusha të letërsisë shqipe.
Me qëllim, nuk janë shoqëruar biografitë e autorëve, që lexuesit të kenë mundësi të lexojnë vetëm poezitë e tyre dhe t’i shijoj ato, duke u shkëputur nga referencat e jashtme, me qëllim që të merret vetëm me produktin e tyre, poezinë.
Një libër më shumë, në 100 vjetorin e pavarësisë, është një gur i vogël, por i nevojshëm, në ndërtimin e kalasë sonë kulturore e letrare.
Remzi Basha, Suedi
|
|