Dituria

  • Rrit madhësinë e fondit
  • Madhësia normale e fontit
  • Ul madhësinë e fontit
Home Publikationer-Botime të reja
Botime të reja

Shefki Stublla: LIBËR I VOGËL - ME PËRMBAJTJE TË MADHE

Shefki Stublla

LIBËR I VOGËL - ME PËRMBAJTJE TË MADHE

Fatime Rr. Ahmaeti, LIKJA, roman, botoi ULKK, Prishtinë, 2015

Romani LIKJA, i autores Fatime Rr. Ahmetit, është një libër i formatit të vogël, me përmbajtje të madhe, është një himn që i kushtohet dashurisë për atdhe, vendlindjes së të parëve, një himn që qëndron brenda shpirtit të Likjes dhe secilit njeri me ndërgjegje të pastër prej nga buron gjithçka që të bën krenar.

Dashuria e Likës për atdhe e hijeshon atë dhe e kënaq lexuesin, sepse kjo edhe pse ndodhet larg në Anadollin e mallkuar turk, shpirtërisht është e lidhur me të. Ky është edhe mesazhi themelor i librit: të mos e harrohet atdheun, sepse guri peshon rëndë, vetëm në vendin e vet.

Komunikimi i autores Ahmeti, me lexuesin, është i mbarë, i qetë, i qartë dhe i këndshëm. Autorja duke përdorur këtë trajtë shkrimi, Likjen e Martinajve, e zbukuron edhe kur flet, edhe kur ëndërron edhe kur është e dëshpëruar për konvertimin e të vëllait në turk. Të gjitha veprimet e saj janë të natyrshme, me karar dhe vazhdimisht të veshura me ngrohtësi humane. Tërë këtë gjendje shpirtërore të Likjes dhe personazheve tjera në roman, autorja e përshkruan thjeshtë, kuptueshëm, me emocion, dhe sinqeritet që ta lë shijen e një proze të vërtetë poetike, që ta shton dijen dhe respektin për Likjen dinjitoze, e cila falë shpirtit të paepur, të mbushur me vlera e virtyte ia arrin qëllimit dhe kthehet në vendlindjen e të parëve.

Rrethana historike e sollën që shumë shqiptarë të largohen nga vatrat e veta. Dhe në rrugën e gjatë, të panjohur edhe familjen e Likjes e futën në humnerë. Gjatë asaj odisejade, ndodhin shumë fatkeqësi të kobshme: nënën e sëmurë të Likjes, në vend të ndihmes turqit e hodhën në det nga vapori,i vëllai ,Simoni u konvertua në turk dhe mori emrin Sinan,bishat barbare e rrëmbyen dhe deshën ta dhunojnë, por e shpëtojnë disa gra bamirëse, ia vrasin të vëllain Engjellin... Sidomos është e rëndë dhe me plot rreziqe rruga e kthimit për në atdhe. Likja e kamufluar në rroba të vjetra plake është me fat kur takohet me dy burra që donin të kthehen në atdhe nga asqeri i turkut. Kjo skenë e takimit me ta ishte si e porositur dhe shumë prekëse. Këta njerëz, në udhëtimin e gjatë, nëpër det, e sjellin Likjen në qytetin e alfabetit shqip, në Manastir. Aty e vendosin në një han. Meqë bujtina ishte vetëm për udhëtarë burra, i zoti i hanit e vendos tek familja e tij. Pronari i hanit porosit të renë që plakën ta dërgojë në dhomën e tyre ku edhe bun. Të nesërmen kur shkon reja ta ftojë për kafjall plakën has në një vajzë bukuroshe, si peri. Kthehet prapa dhe informon vjehrrin dhe vjehrrën: ajo plaka kishte ikë. Në dhomë gjeta një vajzë të bukur. Të gjithë mbeten të stepur nga bukuria e saj. Kjo familje e shëron Likjen nga TBC-ja dhe kjo vajzë bëhet ndrikull e djalit që u lind në atë familje duke emërtuar nipin e tyre me emrin Arbër. Rrugën e gjatë nëpër shi e mjegull, me Malësorin Ujkan e kalon si është më mirë, përkundër shumë vështirësive. Kur kthehet në vendlindje nuk gjen askë, përveç varrezave të të parëve të saj. Në derën e oborrit të dikurshëm, ra në gjunjë dhe puthi tokën. Askush nga të afërmit nuk e njohën Likjen e Gjeloshit. Edhe Likjen e kishin shpallur për të vdekur. Likja, pasi u përqafua me të afërmit e saj, mori gurin nga skaji i boshqës (shamisë) dhe vendosi kryelivadhit në vendin e vet, aty ku dikur kishin pasur shtëpinë.

Ky kthim i Likjes në vendlindje i dha asaj një mundësi që të motivojë bashkëvendësit e saj që kurrë, për së gjalli, mos ta lëshojnë vatanin dhe të shkojnë në një vend të mallkuar siç ishte Anadolli.

Gjatë gjithë leximit e kam përcjell Likjen, kudo që shkoi, ndejti dhe punoi, por mbeti po ai njeri modeste dhe e përzemërt dhe mike e kujtdo, pa paragjykuar se cilës fe i përket. Ajo është shembull kuptimplotë për të treguar se asgjë nuk vlen para qenies Njeri. Pikërisht për këtë qëndrim dinjitoz të saj Likjen e konsideroj si vajzë dhe motër timen.

Ky roman i autores Fatime Rr. Ahmetit, është një motivim për të gjithë ata që e duan atdheun gjë për të cilën përherë meritojnë nderimin tonë. Gjithmonë kam menduar dhe tash e vërtetova se e vërteta mund të shkruhet edhe me pak faqe siç ndodhi me romanin e autores. Fatimja mund të vlerësohet tashmë, jo vetëm si poete por edhe si romansiere e talentuar.

 

Aurore, faleminderit, për këtë vepër me përmbajtje të mbarë.

 

Vladimir Muça: Kumtet jetësore në Kaleidoskopin e romanit “Loja e Mëkatit” të romancieres Vilhelme Vrana Haxhiraj “Mjeshtre e Madhe e Penës”

Nga Vladimir Muça

Kumtet jetësore në Kaleidoskopin e romanit “Loja e Mëkatit”  të romancieres

Vilhelme Vrana Haxhiraj “Mjeshtre e Madhe e Penës”

(ese)

Gjatë punës për recensimin e këtij romani, në laboratorin e përceptimit jam“ngopur”me një sëri refleksionesh të cilat më trazonin shijet estetike, si në një bahçe ku kultivohet me nikoqirllëk një prozë e vërtetë moderne, natyralizuar në ambjente me diversitete shoqërore të ndryshme. Proza dhe autorja komunikojnë mes tyre në mënyrë transparente me një subkoshiencë nga natyra tek qënia, nga e kaluara në të tashmen, nga e tashmja në një start të ri, drejt një të ardhmeje racionale.

Në këtë rrafsh të artit të madh të rrëfimtarisë romaneske Vilhelme Vrana (Haxhiraj), në këtë roman prezantohet si një autore që i njeh dhe i eksperimenton me sukses teknikat e prozës së sotme moderne. Një njohje e tillë, me themel i estetikave,  stilistikave moderne e posmoderne i ka dhënë mundësinë që me punën e palodhur dhe cilësinë prej mjeshtreje, ta stampojë fabulën romaneske në forma nga më të ndryshmet.

Një shumëllojshmëri e formateve mozaikiste, pasazhesh poetike, sentencash aforizmatike, ngulmimesh analitike e mbrujtur me ekstrakte fjalë-urtash popullore, ku hera-herës proza merr formën poetike nga ku përshfaqen shumë ndjesi, duke i dhënë mundësi lexuesit të rrokë kumte’ e magjira nga më jetësoret.

Kjo prozë dëshmon përplasje në drama njerëzore, lirie e burgosjeje shpirtërore, përmbushje dëshirash e zhgënjimesh fundosur në humnera të një diktatur-demokracie. Në romanin “Loja e mëkatit” mes një zhgënjimi të tillë çdo gjë vjen me një kontrast, modeli i të cilave nuk i ngjan njëri-tjetrit por në esencë janë e njëjta linjë, me të njëjtët bashkëpunëtorë.

Dramaciteti shoqëror dhe ai liriko-erotik i prostitucionit, i abstraguar si profesioni më i vjetër i njerëzimit vjen në mënyrë të atillë, ku brenda një dramaciteti familjar pluskojnë si një vullkan në shpërthim, drama të vogla, kontraste dhe kundërshti, si reaksion i vlimit të këtij dramaciteti shoqëror.

Në këto përhapje apo përshfaqje mendimesh, ndjenjash e mesazhesh, Vilhelmja bëhet motra binjake e personazhit Kaltra, sepse ajo është dhe bota e saj e vuajtjeve shpirtërore gjer në pafundësi.

Për të shpalosur këtë substancë të re shoqërore, autorja përdor forma stilistike në shtjellimin e rrëfimit, përdorimin lakonik të gjuhës, gjykimin e drejtë-përdrejtë therës, duke “goditur” fortas si me nagant, gjer në shtjellimet parabolike, në domethënie të mesazheve fshehur në retiçenca. Në këtë kontekst dukuritë e dramacitetit të përshfaqur e të fshehur në dëshirat kryeneçe të autores dhe të personazheve, intimitetit të rrëfimit dhe veprimit, bëhen më të kapëshme nga lexuesi, ndonëse ato nxjerrin krye ngahera dhe në forma paradoksale. Në pluralizmin krijues, dramaciteti shoqëror, mpleksur me atë liriko-erotik gjer në zgripin e një tragjizmi, vijnë si një pjellë e një mendjeje të lirë krijuese e vetë-vetes, pakomplekset e dogmës të soc-surealizmit, autoçensurës dhe të letërsisë klienteliste me porosi e të programuar.

Ndryshe nga librat e tjerë, por në një linjë me romanin“Ankthi i së vërtetës” ky roman bashkëkohor që lexuesi do ketë nderin ta marrë në dorë, në esencën rrëfimtare, do jetë si jeta e çdo femre të trafikuar. Lexuesi gjithçka që e përjeton do i shfaqet si një larmi të vërtetash jetësore, materia e të cilëve do i lerë një shije të një produkti të regjur ndër këto 25 vite tranzicioni, ku më së fundi mbas një mundi e përballje me një kuçedër të diktaturo-demokracisë, triumfon e mira ndaj së keqes sociale.

Dramaciteti social dhe idilik kapërcen leqet e handikapëve e maturohet me një komoditet të ri të shumëdëshiruar. Gjatë këtij diversiteti të dramacitetëve, lexuesi do të lundrojë në një univers të hapur (ndonëse në burgo-bar Angeli) ku nëpër pasazhe rrëfimtare zbulon në mënyrë ekzigjente botën ekzistenciale, përjetimet, përballjet, por i gjen dhe shtigjet në të cilat mund të kalojë dhe jeta e tyre. Kjo ndodh ngaqë krijimtaria prozatorike dhe poetike, publicistike, monografike e Mjeshtres së Madhe të Penës Vilhelme Vrana (Haxhiraj) ka një përputhje të unit të saj si bijë- si femër- si nënë, si dhe shqetësimeve sociale të qëndrimit larg volumtarizmit shoqëror, ose popullorçe nuk e merr çdo detaj e fenomen hopçe.

Pema rrëfimtare e Vilhelmes është si ajo bima në kopshtin e një bahçevani merakli, ku informacionet që përpunon mendja artistike dhe kujdesi, janë në lartësinë e kërkesave maksimale. Ajo pemë mbillet, rritet në një traull konkret të punuar e lesuar mirë dhe jo si ata shkrimtarë të cilët e “mbjellin” fabulën në djerrina fantazmagorish, me rrënjë në ajër.

Autorja në këtë përballje dramash, duke vënë në dukje mangësitë dhe padrejtësitë, krahas operimeve me gjykimtari e mendimtari të matur, shpreh njëkohësisht dhembëshuri, dashuri, nderim për femrën e qytetarin shqipëtar, si në sferën e thjeshtë shqipëtare por dhe në krahasim me atë globale..

Vilhelmja në tërësinë e formimit si krijuese është imune, e aftë për të qënë një intelektuale produktive në fushën e letrave, në aftësinë për të vjelë produkte shoqërore, jo konformiste, por e mbarsur me një koncept shumëdimensional të lirisë shoqërore. Autoren, koncepti mbi filozofinë e jetës e vëllazëron me aktivitetin material në kërkim të një substance të re, ndryshe, duke zbuluar rrugët e vështira, nëpër të cilat ecin zemrat e shpirtrave njerëzor.

Këtë autorja e realizon duke përdorur gjithë forcën dhe potencën e saj intelektuale, me dashurinë për gjërat që e bëjnë të shkruaj. Ajo hap shtigje të reja pa paragjykime për femrën dhe marrëdhëniet në familje, në luftë të papajtueshme me konformizmin i cili i ka zënë frymën lirisë së mendimit letrar, duke zgjedhur me guxim estetika mes një absurdi sa arkaik (fillesat e shoqërisë) aq dhe veshur me xhybe moderne.

Në këto kontekste kohore dhe vendore, në lirinë e emigracionit, me një psikoanalizë të substancës shoqërore, autorja evidenton ligësitë e këtyre burgo-bareve, ku farkëtohen prangat e persekucionit dhe burgosjes së lirive në “diktaturën” demokratike.

Kërkimi i hapsirave për një liri shumë të dëshiruar shoqërore si dhe liria e individit Arlind dhe Kaltra, në roman vjen si pjesë fondamentale e qenies njerëzore, pa cënuar lirinë e tjetrit, mëton autorja. Gjithçka vjen si një paradigmë sociale gjatë shtjellimit të rrëfimtarisë romaneske.

Në substraktin analitik, proza e Vilhelmes lind nga kujtesa memorative e shumë ngjarjeve dhe fenomeneve shoqërore, si bashk’udhëtarë të jetës që e ka ndjekur si ajo trokashka e mullirit kur bluan drithin në ato vende e çaste të hidhura por dhe të gëzueshme, ku i ka rënë këmba e ku burgosja e lirive, nga një gardian tjetërsoj i një diktature të re e cila në planin shoqëror vjen më i dhunshëm me absurdin e tij.

Bar Angelo në Rimini dhe burgo-vilat në bregun lindor, marrin përmasat e“Kështjellës” Kafkiane, por me një ndryshim esencial, se aty gjallon një jetë me lakuriqsinë e saj të pështirë,  e cila mbytet në një apokalips shoqëror. Kjo më përngjan me atë shkallën e fundit të Ferrit Dantesk ku Ugolinë surealë shqyejnë mëndjet dhe shpirtërat njerëzor. Autorja me mjeshtërinë e penës i kapërcen kufijët e sureales, duke milituar në një kohë substanciale të re, në gjurmët e lëna nga mjeshtërit e mëdhenj Aragon, Brekart, Borges, Eko, duke stiluar me një koncept të ri në natyralitetin bio-shqiptar. Duke bërë përqasjen e atdheut amë me vendin në emigracion, me nocionet dhe të një absurdi, si në një ëndërr të keqe, ku fragmentet e jetës me makthe të frikëshme, pëzihen me çaste lumturie surreale, ku aplikacioni i një diktature totalitare plazmohet me dukuri të ndritshme  dhe farse në sfondin e një diktature të re shoqërore. Kjo vjen si një piskamë, me një dhembje të thellë shpirtërore, i një realiteti të hidhur, vjen si një proklamatë për brezat e ardhmë, si një thirrje për të pasur në shpirt dhe zemër vendin ku të ka “rënë” koka, sepse sipas Kazonzaqis: “Njeriu shkëputet dhe rritet, tërhiqet e shkon mbrapsht, tek ai vend nga është shpërngulur, por që nuk ndodhet më aty.” ; por jeta dhe angazhimi i Arlindit dhe Kaltrës në shërbim të një shoqërie të pastër, vjen me ideale duke hapur siparin e një lëvizjeje feminile, ku personaliteti dhe angazhimi i femrës në përforcimin e familjes si bërthama e familjes-shtet me moral, prevalon dukshëm në filozofinë psiko-analitike të autores.

Dramaciteti lirik dhe ai shoqëror, në unison, janë protonizmi që gjeneron mirësinë në një shoqëri, janë rrotorët e së vërtetës që stimulojnë energjinë e femrës jo vetëm me femilitetin e saj, por dhe në aspektin shoqëror. Ajo që është kryesore në prozën romaneske të Vilhelmes, në personalitetin e saj artistik, në veçanti në romanin “Loja Mëkatit” është aftësia për ngritjen në prototipe artistike, përgjithësuese, të qënieve njerëzore në kategori e shtresa shoqërore nga më të ndryshmet, të cilët përbëjnë magjinë dhe brumin ku gatuhet jeta shoqërore. Kjo lëvizje shoqërore vjen dhe si psiko-terapeutike e jetës së autores dhe të bashkëqytetarëve të saj, si ekzistencë historike, kulturore, gjeografike, politike, shoqërore, zakonore e të lartimit të kulturës gjuhësore e të komunikimit.

Gjuha dhe komunikimi në këto interpretime ekzistenciale nuk vijnë si produkte sprove me imbarkime e huazime të huaja. Ata vijnë të kthjellët ngarkuar dengshëm me ato ekstrakte popullore e filozofike, të cilat Umberto Eko i quan “mballoma artistike

të cilët mbartin e mbarështrojnë një produkt letrar sa moderrn aq dhe autokton. Nga një ngarkesë e tillë estetike, mëkati në romanin “Loja Mëkatit” ka marrë përmasat e universialitetit nga pena mjeshtërore e Vilhelmes si: Mëkat moral, shoqëror, ekonomik, ndërshtetëror e institutcional.

Me Arlindin dhe Kaltrën, autorja zhbiron mjaftueshëm dhe tek rëndësia që ka ky mëkat në marrëdhëniet mes popujve në kuadrin global, ku integrimi dhe bashkëpunimi, luajnë një rol të rëndësishëm në zbutjen, apo shmangien nga shumë mëkate të tjerë si: qëndrimi indiferent ndaj kulturës dhe historisë, resurseve të zhvillimit ekonomiko-shoqëror, reflektuar kjo në katarsin shpirtëror të Antonios.

Duke qëndruar pas personazheve si regjizori pas kuintave të skenës, me një idealizëm të kulluar Sen Simonian, autorja tenton të na japë ide, mesazhe të pritshmërisë të një substance të re kohore, duke pasuruar pa mëdyshje dhe të vërtetat e trishta, me të cilat përballemi me jetën, por dhe reflekton duke bërë një vetëkorrigjim shoqëror, në një shoqëri të trazuar e të ndotur nga mbetjet homogjene të një sistemi të kaluar totalitar.

Si në vendin amë të molepsur, por dhe në vendin e “parajsës së ëndërruar” njeriu dhe pushteti, dramaciteti shoqëror dhe ai liriko-erotik, i japin narracionit konfiguracion artistik të veçantë, ku me koshiencë kërkohen alternativa dhe zgjidhje të tërthorta në një substanciale të re, duke lënë pas kohën krono.

Për këtë-mëton autorja për të  gjitha Kaltrat,“Po ta ruante me fanatizëm lirinë si gjënë më të çmuar, njeriu nuk do ta lejonte kurrë dhe asnjëherë, nuk do ti hapë rrugë padrejtësisë.”

Ndonëse romani shtrihet në hapësira gjeografike, ai rrëfehet në largësinë e një frymëmarrjeje të plotë, si një veçori intepretative dhe si një dramacitet linear. Gjithçka zhvillohet si në një teatër të stilit tragjik Shekspirian, me çështjet e diskutueshme që të vënë në mëdyshje, duke shtuar ankthin e lexuesit, duke hapur siparet për kuptueshmërinë e jetës reale, të asaj jete të vërtetë që duhet të jetë strumbullari i lëmit njerëzor, në një barazi në subkoshiencë dhe gjykimtari.

Kjo bën që të evidentohen veçoritë e nocionet bashkëkohore të këtij romani: ndriçimtaria e ngjarjeve dhe fenomeneve mozaikatekstuale, struktura në kumtet njerëzore, të cilat zbresin me rrapëllimë nga shpatet shkëmbore si përrejt malorë në shtratin e lumit romanesk.

Në planin estetiko-stilistik, këto provojnë personalitetin krijues dhe mendimin origjinal në krijues të tillë. Romani përcepton tek lexuesit e çdo kategorie dhëmbjen për fatin e njeriut dhe veçanërisht për femrën shqiptare, duke e përshkruar si një parabolë gjithë rrjedhën e rrëfimit. Dhëmbja për njeriun, zjarri i protestës mbi këtë padrejtësi shoqërore, dëshira për tu bërë pjesëtar shpirtëror, do jenë bashkëudhëtarët për lexuesin gjatë udhëtimit leximor e shpirtëror, në kapitujt e romanit, ndërtuar mbi amalgama e paradigmat e jetës të femrës së sotme shqiptare.

Jam i sigurt që kjo do të ndodhë nga që, Vilhelme Vrana (Haxhiraj) është nga ai soj shkrimtarësh që përjeton në receptorët më të ndjeshëm krijimin e një vepre letrare ndër shtërzimet e një dhembje- lindjeje, me kënaqësinë e dashurinë për frutin e lindur.

Mbas një mundi për gjithçka të krijuar me zërin, sytë, mëndjen e Vilhelmes si shkrimtare, shoh kënaqësinë dhe dashurinë për gjithçka të përjetuar në botën e këtij romani. Kam besimin se të tillë do të ndjehen edhe lexuesit mbasi të lexojnë këtë libër, të mbarsur me një social-prozatori, dramacitet liriko-shoqëror, me risitë e një romani moderrn bashkëkohorë.

Vladimir Muça- shkrimtar-kritik

Dyrrah Maj-Qershor 2015

 

 

Klaudia Malaj: “Nëse nuk ke emocion, nuk mund të transmetosh emocion”

Klaudia Malaj

Xhavit Gasa: “Nëse nuk ke emocion, nuk mund të transmetosh emocion”

Të fala nga Londra është vëllimi i tret poetik i autorit Xhavit Gasa. Të falat nga Londra, Xhaviti ja përcjell shpesh miqve, të afërmve sa herë komunikon me ta. Por, ai zgjodhi edhe të komunikoj me të gjithë shqiptarët edhe jo vetëm, me një vëllim poetik, ku përmbledh çdo emocion që e shoqëron çdo ditë në hapat që hedh në rrugët e Londrës. U munduan shpesh ta ndalonin edhe i bërtitën; “Mos shkruaj më”, por nuk mundi të rrinte i fjetur pasioni për poezinë.

1. “Të fala nga Londra” titullohet libri juaj. Çfarë mesazhi mbart ky titull?

"Të fala nga Londra"

Unë jetoj në Londër më shume se një dekadë, dhe me këtë titull dua t'ju them bashkë-atdhtetarëve te mi, se nuk ju harroj, nuk e harroj vendlindjen, kjo ndjenjë shprehet dhe në vargjet e poezisë qe mban që mban titulli i librit.


TË FALA NGA LONDRA

Të falat nga Londra e largët çdo ditë  për miqtë nis

Për to i kërkoj lutshëm  diellit rreze të ngrohta

Të trokasin si zot konaku në derën e drunjtë të shtëpisë

Në oborrin e gurtë ku hapat e parë hodha!!!

Dërgoj të falat e ngrohta nga Londra e largët

Njerëzve që dritë më dhanë në natën e errët

Kur rrezet e diellit dhe hënës vrisnin barbarët

Ju them atyre që dielli i rremë i verboi se i  kam falur..

Ju bëj të fala nga urat e tamizit në Londrën  e Bajronit

Oh, sa fatlum jam që ia ktheva shqiptarisht vizitën

Është shkrimtari mik i madh i bijve të shqiponjës

Që viset e bukura shqiptare shumë e mahnitën..

Të falat e mia për ju i thur me fjalë të ngrohta,

Sjell kartolinë stolisur me bukuri të Matit mbretëror,

Mbushur me mall të gjithë shqiptarëve nga Londra,

Brenda meje shpërthejnë si dasëm me fllad pranveror

2. Cilat janë temat që keni trajtuar në këtë vëllim poetik?

Për çeshtjen kombëtare kam shkruar gjithmonë, dhe te libri "Të fala nga Londra", kam shkruar tre të tilla. Nipi dhe mbesa, janë mjalti i mjaltit, kjo është e vërtetë, shijen e këtij supër mjalti po e shijoj vetë, me mbesën time, Ennisin.Me durim, urtësi dhe gjakftohtësi njeriu përballon sfidat e jetës, një temë tjetër e imja e shprehur në poezi. Malli për vendlimdjen na ndjek në çdo hap ne emigranëve, këtë temë e kam trajtuar në tre vëllimet poetike.

3. Çfarë thërrisni nëpërmjet vargjeve? Çfarë nuk shihni të realizuar?

E vetmja pasuri që ka poeti është fjala. Mundohem që në vargjet e mia të shkruaj fjalën e duhur. Thirrja ime në vargje është, për shumë mirësi, dashuri dhe besim midis njerzve. Nuk shoh të realizuar kohën e humbur, nuk është pak, mbi 30 vjet!!!

4. Çfare ju çon në realizimin e poezive zoti Gasa?

Emocioni, nëse nuk ke emocion, nuk mund të transmetoshë emocion te lexuesit.

5. Sa vite keni që shkruani?

Kam shkruar që në fëmijëri. Në vitin 1968 dërgova një poezi Radio Tiranës për emosionin "E shtuna letraro-artistike për pionierë". Poezia ime u lexua në këtë emision,që transmetohej në mëngjes, unë nuk e dëgjova vetë, por kur shkova në shkollë më përshëndetën të gjithë shokët dhe shoqet e klasës që e kishin dëgjuar.

6. Po mësuesit si e kishin pritur?

I emocionuar prisja reagimin e mësueses në klasë. Në vend që të më përgëzonte, mësuesja më qortoj ashpër, duke më përmendur biografinë se isha bir armiku e kulaku, dhe më tha që mos e përsërit të dërgosh më, atë e vendosim ne kush duhet të dërgojë poezi.

7. Por, ju nuk ndaluat me realizimin e poezive, shkruajtët edhe në gjimnaz, edhe pse biografia e keqe ju shoqëronte…

Unë nuk i dërgova më poezi radio Tiranës, për fatin tim vitin tjetër erdhi një mësues tjetër gjuhe letërsie, që më inkurajonte të shkruaj, të paktën mi afishonte te letrari i ri në shkollë. Pas mbarimit të 8 vjeçares, me ndihmën e kushrinjve të mi, familjes Ali dhe Nazime Preni, vazhdova shkollën e mesme në Kamëz. Kur hartimin e parë që shkrova mësuesi i letërsisë e afishoj te këndi i letrarit të ri të shkollës. Që nga kjo kohë në këndin e letrarit të ri nuk munguan poezitë dhe hartimet e mia. Krijuesit e shtëpisë botuan në ato vite një almanak letrar me krijimet e tyre, dhe unë pata fatin të isha pjesë e këtij almanaku me një poezi. Një nga këto ja dhashë përgjegjësit të kulturës. Ai u befasua kur e lexoj, shumë e bukur më tha, dhe e mbajti. Pas disa ditësh kjo poezi ishte afishuar te këndi i shtëpisë së kulturës, por pa emrin tim, gjithë krijimet e tjera kishin emrin e autorit. Që të mos zgjatem, pas një debati me sekretarin e partisë në zyrën e tij, nuk shkruajta më poezi.

Edhe poezinë e hoqa nga këndi i shtëpisë së kulturës në vitin 1981

Po ju risjell tekstin e poezisë që hoqa nga këndi i shtëpisë së kulturës në vitin 1981

RINI E VENDIT TIM

Fluturo, o rini e vendit tim,

si zgalem, ti fluturo!

Nga jugu në veri,

nga aksioni në aksion..

O, rini e vendit tim,

e pastër si uji i kristaltë,

fluturo, pra, e lirë,

vrulli yt kurrë mos u ndaltë...

8. A janë censuruar shkrimet tuaja? Përse mendoni se ky ishte fati i shkrimeve tuaja?

Shtëpia e kulturës në Kamëz botoi një almanak letrar ku mora pjesë dhe unë me një poezi

Kur u ktheva në vendlindje mora një kopje të librit. Këtë e mbja si gjënë më të çmuar te ato pak libra që kisha dhe i kisha vendosur te kapaku i drunjtë i divanit. Pas disa muajsh e hapa të rilexoja ato që ishin shkruar, por u shtanga, fleta ku ishte poezia ime mungonte, ishte grisur nga dikush...çensura kishte bërë të veten. Fati i shkrimeve të mia, ishte si fati i një populli të tërë, që punonte si skllav, që rendte e duartrokiste i verbuar me sy në ballë nga dielli i rremë i propagandës së partisë shtet.

9. Cilët kanë qenë mbështetësitë tuaj kryesor por edhe kritikët me vlerë të cilët ju kanë treguar se si duhet përmirësuar shkrimi juaj deri në botimin e tij?

Kur u ktheva pas 7 vitesh në vendlindje, i bëra një vizitë kushurirës time poete Adivie Hoxha, të cilën e urova për librin e saj të parë me poezi, njëkohësisht i dhashë një tufë poezishë që kisha shkruar. Pas disa muajsh Adi i redaktoi dhe i botoj te gazeta Mati. Me nxitjen e vazhdueshme të djalit tim Genti që të shkruaj dhe të botoj një libër. Kontaktova me poetin Basir Bushkashi dhe i kërkova që të ishte redaktor i librit që po shkruaja. Në nëntorin e vitit 2009 botohet libri i parë me titullin; "Jehonat e dhimbjes". Një vit më vonë në një aktivitet të komuniteti shqiptar në Londër takoj poetin, gazetarin dhe publiçistin e mirënjohur Fatmir Terziu i cili është redaktor i librit tim të dytë, "Trokëllima e poetit”, dhe ka shkruar disa artikuj analizë dhe kritikë letrare për krijimtarinë time. Nuk mund të le pa përmendur shkrimtarin Namik Selmani, redaktor i librit të tretë, "Të fala nga Londra".

10. Tematikat që kanë trajtuar edhe botimet e mëparshme?

Nëse në një roman trajtohet një temë, në vëllimet poetike ka shumë tematika. Çdo poezi ka një tematikë në vete. Në të tre librat e mi me poezi ka larmi temash. Në poezitë e mia, kam shkruar, për nënat që na sollën në jetë, na rritën me mundime, kurrë nuk u ankuan, për fshatin, për bujkun që zbukuron tokën dhe mbush plot të mira sofrën, për dashurinë, kam trajtuar çështjen kombëtare, Kosovën, Çamërinë etj. Kam shkruar për barbarizmat e diktaturës, për poetët e burgosur vetëm se kërkonin fjalën e lirë...

11. A do të kemi sërish botime nga ju zoti Xhavit?

Sigurisht që do të vazhdoj të shkruaj dhe të botoj.

Dua të botoj në prozë, pa lënë as poezinë...

…..

 

Në fund të kësaj interviste dua të bëj një thirrje mesazh, të gjithë bashkë-atdhtetarëve kudo që janë. Ta duam njeri tjetrin, ta respektojmë njeri-tjetrin, pa bindje krahinore, fetare e ngjyra politike, ngjyra më e dashur dhe e shtrenjtë për ne është atdheu.

 

Viron Kona: “Modernët e kohës” në penën e studiuesit dhe kritikut Sejdo Harka

Edhe ylberi po të shfaqej gjithnjë në qiell, nuk do ta shihnim më

(“Modernët e kohës” në penën e studiuesit dhe kritikut Sejdo Harka)


Shkruar nga Viron Kona

Në kopertinë bie menjëherë në sy një kornizë bosh. Letërsia dhe arti kështu e kanë, duhet të vrasësh pakëz mendjen, që ta kapësh mendimin apo mesazhin që kërkon të përcjell autori. Poshtë asaj kornize boshë, jo të paqëllimtë, autori shkruan titullin e librit: “Modernët e kohës”. Duket sikur do që të na thotë: “Unë kam studiuar dhe kam sjellë në këtë libër disa autorë, që i konsideroj “Modernë të kohës”, ju mund të sillni edhe të tjerë, që kanë vlera, mbase edhe të ndryshme nga këta që kam sjellë dhe kam skalitur unë me dashuri e durim, duke studiuar dhe qëmtuar veprat e  tyre, libra pa fund dhe duke dashur t`i paraqesë ata nëpërmjet fjalës dhe mendimit tim, të tregojë për  punën, mundin, krijimtarinë, mendimin artistik, fantazinë dhe vlerat e tyre”. Sigurisht, askush nuk mund të ketë monopolin e  vlerësimit dhe mos vlerësimit, i mirë, i keq; i madh, i vogël, modern, jo modern...Sepse, siç thotë i lashti Teognid:

...As Zeusi,

Nuk u pëlqen të gjithëve,

As atëherë kur bie shi,

As kur s`e lë të bjerë.”

Njerëzit e dijes dhe të artit, duke u përpjekur kërkojnë perfeksionin, bëjnë sa mundin, japin më të mirën e tyre, vihen me vullnet të plotë dhe përkushtim në garë për të arritur me të bukurën, të vërtetën, atë që është më e mira për njerëzimin, që i shërben zhvillimit.

Nuk është se kjo “garë” ka stacion, ajo vazhdon si lumi që nis nga burimi dhe çon pareshtur ujë në det, duke e ushqyer detin me ujë dhe kripëra... Sejdo Harka nuk merr përsipër të paraqesë të gjithë modernët, apo të gjithë ata që kanë prirje moderne, por, ai, në një libër që, gjithsesi është i kufizuar, paraqet disa prej tyre, duke filluar nga yje të njohur në mbarë botën e, deri te shkrimtarë të  truallit të begatë shqiptarë, të djeshëm dhe të sotëm, por që kanë tërhequr edhe këto kohë vëmendjen e tij për prodhimtarinë cilësore të letërsisë që bëjnë, për mesazhet mbresëlënëse që përcjellin, për vlerat letrare dhe veçori të tjera që karakterizojnë veprat e tyre.

Nga leximi i librit, krijoj përshtypjen se Sejdo Harka i përmbahet idesë se, ashtu siç një  kopsht nuk mund të jetë i plotë dhe i begatë vetëm me disa lule, qofshin ato nga më të rrallat dhe më të bukurat, ashtu dhe kopshti i letërsisë nuk mund të jetë i plotë vetëm me disa emra krijuesish. Sado të mëdhenj mund të jenë disa krijues, ata nuk mund të kënaqin dhe t`u përgjigjen të gjitha interesave, shijeve dhe kërkesave të gjera e të larmishme të mijëra lexuesve. Siç thotë Gëtja, “Edhe ylberi po të shfaqej gjithnjë në qiell, nuk do ta shihnim më”.

Sejdo Harka vjen me një libër të veçantë, të rrallë për kohët që kalojmë, një libër kritikë me analiza letrare, esse, portrete, me mendime estetike dhe social - politike, duke u përpjekur t`i bëjë skaner kohës që jetojmë dhe asaj që lamë pas, gjithnjë duke analizuar një grup shkrimtarësh, krijuesish, njerëzish që si edhe shumë të tjerë, sakrifikojnë kohën, mundin, energjitë që t`u japin diçka nga vetja bashkëkohësve, t`u falin edhe kënaqësi estetike, por edhe t`u rrëfejnë me gjuhën e artit eksperienca përgjithësuese, apo edhe personale..


Nis libri me artikullin kushtuar persianit  të madh Xhelaledin Rumiut, të përkthyer nga Riza Lahi, ku Sejdo citon se, nga dashuria:

“Edhe dhimbjet mërgojnë,

Edhe vdekja vjen e bukur, si këngë...”

Teksa zbërthen më tej mendimin se “ai di t`i shkrijë mirë ëndrrat e njeriut me ato të hyjnive”…Vazhdon me veprën “Flladi i Orientit”, përkthim i Perikli Jorgonit, poezi moderne të botuara nga Fondacioni Kulturor Iranian “Saadi Shirazi”...

Është natyrshme që, për shkrimtarë të mëdhenj të ketë shkrime nga më të ndryshmet, për ata është shkruar në dekada dhe shekuj, sepse veprat e tyre u ngjajnë minierave të pasura, në të cilat sa më shumë gërmon, aq më tepër dhe më cilësore shfaqen mineralet që zbulohen. Prandaj dhe projektorët e studiuesve ndriçojnë galeri dhe shtresa të ndryshme, herë sipërfaqësore dhe herë në thellësi, por gjithnjë tek të mëdhenjtë mbeten gjëra të pathëna, të pashkruara. Ata janë kambanë për kohët kur kanë jetuar, për shekujt që kanë kaluar, por edhe për kohët e sotme. Ata flasin dhe bashkëbisedojnë me kohët.

Sejdo Harka i sjellë veprat e tyre në këndvështrimin e  tij, gjithnjë me kulturën dhe fokusin e një studiuesi elegant, të çiltër dhe të sinqertë. Lexuesi njihet me analizën që ai i bën librit “Ah ky Esenini!”, shkruar nga Vasil Premçi, i trajtuar me dashuri dhe ndjenja të bukura që vijnë nga kambanat e dashurisë drithëruese të Eseninit... Ndërkohë që, Sejdo, u bënë analizën dhe vë në dukje disa nga idetë më të rëndësishme të këtij libri të vlefshëm për letërsinë tonë, i cili jep edhe një informacion të panjohur më parë për Esenin, gjeniun e poezisë ruse.

Tërheqin vëmendjen shkrimet: “Ëndrra e “Kamorros” për të sunduar”,  “Prushi që shkrin akullin e shpirtit të sulltanëve”, “Naim Shqipëria”, - ku me të drejtë, autori nënvizon: “Edhe pse Naimi punoi dhe jetoi larg trojeve, ai, me penën e tij bëri aq shumë për Atdheun, sa populli, në këngët e tij, e ka pagëzuar me emrin e madh “Naim Shqipëria”. Vijon më tej artikulli: “Lasgush Poradeci”, kolos i poezisë shqipe”, - ku portretizohet me nderim dhe dashuri figura dhe personaliteti krijues i Lasgushit të madh, si dhe disa nga krijimet e tij të njohura poetike të ofruara për lexuesin me një muzikalitet tërheqës dhe mbresëlënës. “Koha është e maskarenjve”- titullohet artikulli kushtuar krijimtarisë poetike të Ali Asllanit. Duke perifrazuar poetin, Sejdo Harka shkruan: “Ai ishte i bindur se maskarenjtë dhe “çakejtë”, një ditë, do të rrëzoheshin nga “erërat e kohërave”, si gjethet e pemëve në vjeshtë...” Vijon libri me artikullin homazh: “Lame Kodra, poet i dhimbjes së shpirtit”, ku ndër të tjera, mësojmë fakte që nuk i kemi ditur më parë për Sejfulla Malshovën. Prekës ky artikull dhe me bukuri tronditëse. Sejdo, duke respektuar autorin e librit kushtuar Sejfulla Malshovës, shkrimtarin Niko Tyto, citon: “Kishin dashur ta digjnin si një meteor, që ndriçon vetëm një çast, por nuk mundën ta shuanin dot, sepse ai rrinte me yjet...aty ku  e kanë vendin të mëdhenjtë.”

Interesimin, lexuesi i librit, shpresoj se do ta përqendrojë tek artikulli “Monarku” i letrave shqipe”, në kujtimet e Helena Kadaresë”, artikull ky, me analizë të plotë dhe pikante, që i dedikohet shkrimtarit Ismail Kadare. Në këtë artikull Sejdo Harka fokuson dhe ndriçon më tej figurën dhe personalitetin  e shkrimtarit tonë të madh, krenari për letërsinë shqiptare, Ismail Kadarenë. Mendoj që Sejdo është objektiv në trajtimin e personalitetit krijues të Kadaresë, duke ndriçuar anë që vënë në dukje jo vetëm tipin dhe karakterin e tij, por edhe se  si ai arriti të mbijetojë në kohën e sistemit komunist në Shqipëri, jo me maniera, as me servilizëm, por me rrugën e njohur të artit që vjen që nga lashtësia, duke filluar me përçimin e ideve dhe mesazheve me gjuhën e Ezopit e, deri te krijimi i veprave letrare artistike të drejtpërdrejta dhe pa ekuivokë në dobi të vlerave të demokracisë. Ismail Kadare dhe mjaft kolegë të tij kanë mbijetuar artistikisht duke shkelur në një “fushë të minuar” dhe, siç mund të nënkuptohet, është më e guximshme dhe më e vështirë të shkruash në një fushë të “minuar”, sesa të mos shkruash fare apo të bësh “kritikun” komod. Tek e fundit, historia që është realiste dhe nuk mbanë anë, na rrëfen se,  veprat e mëdha kanë kaluar përmes riskut, vuajtjeve dhe peripecive të mëdha. Ata që krijojnë e dinë mirë këtë. Krijoj përshtypjen që, Sejdo Harka, me analizën e tij na thotë me të drejtë se, ne, shqiptarët, duhet të krenohemi me shkrimtarë dhe artistë të standardit të Ismail Kadaresë, t`i inkurajojmë ata dhe, jo të ndodh si në disa raste, që t`ua vështirësojmë jetën private dhe atë publike me pandehma dhe insinuata absurde dhe të çuditshme. Në vijim Harka analizon librin e  Kadaresë “Darka e gabuar” me artikullin “Misteret e një darke”,   “Mosmarrëveshjet e Shqipërisë dhe shqiptarëve me vetveten, në këndvështrimin e  Ismail Kadaresë”, “Hipershkrimtarët dhe “farsa makbethiane” e realizmit socialist”. Ndërkaq, Sejdo vazhdon me një tjetër kolos të letrave shqipe, shkrimtarin e mirënjohur dhe të  respektuar Dritëro Agolli, me artikujt:“Marrëzitë e kohës në humorin e Dritëro Agollit” dhe “Dritëro Agolli, i përndjekuri i dashurisë”, të cilin, me të drejtë autori e cilëson: “Gjeni të letrave shqipe, monument të gjallë të kulturës shqiptare”. Libri vijon me shkrimin “Bedri Dedja, personalitet i letrave shqipe”, ku është analizuar libri “Bedri Dedja në kujtesën tonë”, përgatitur nga prof. as. dr. Murat Gecaj, e ku, me të drejt, për akademikun dhe shkrimtarin Bedri Dedja, nënvizohet se “Ai shkoi të flerë përjetë, por la zgjuar vepra të pavdekshme...”. Një artikull i veçantë është “Lame Xhama, një jetë për lirinë dhe arsimin”, ku portretizohet mjaft bukur “Mësuesi i Popullit” Lame Xhama, i cili “Nuk u nda për asnjë çast nga shkolla, kolegët, nxënësit dhe të gjithë njerëzit”, si dhe nënvizohet porosia e tij: “O njerëz të mirë, jetoni jetën, me punë e dinjitet, deri në orët e fundit të saj”. Pikant janë gjithashtu edhe shkrimet: “Historia në trillin krijues të Ben Blushit”,   “Othello, që të mos vriste dashurinë, duhej të kishte vrarë arapin...”, “Shqipëria dhe shqiptarët në optikën e Ben Blushit”...Ndër të tjera, në shkrimin polemik, ku analizon romanin e Blushit “Të jetosh në ishull”, Sejdo Harka shkruan: “Ai është një shpërthim i brendshëm, që zgjoi dëshirën për t`iu rikthyer leximit të librit artistik.”

Në vijim lexuesi do të njihet me artikujt  “Mallkimi i të mallkuarëve”,   “Engjëj” që mbyten nga “djaj”, “Ura që lidhin brezat”, “Një autograf nga Skënder Hasko”, - shënime për romanin “6 muaj nga jeta e Besianit”, të cilat nisin me autografin: “Ja ku më ke, edhe kur të mos jem”. Më tej, artikujt: “Akmorte diktatorësh”, “Kur do të vinë fëmijët e dashurisë?!”, “Kur dija vlen për jetën”,   “Poezia që shpëtoi nga “Boa e Nankinit”,  “Mesazhe suedeze nga Zonja nga Borasi”, “Syqelqi që mban të mbërthyer “Prometheun”, “Magjia që largon ujqit e gjakmarrjes”, “Zjarre që shtegtojnë në shpirtra”, “Shpirti që hakmerret...”, “Dashuri në kohë të çmendura”, “Një jetë duke shkruar”, “Themelet e rrënojave”, “Drama e dashurisë në faqet e një romani”, “Kur një grua shkruan për dashurinë”,   “Hapësirat e vendlindjes në një vëllim me poezi”,“Emigranti në ditarin e poetit”. Thuajse në të gjithë këta artikuj, autori sikur na çel portën e “një kopshti me lule të freskëta”, na merr për dore dhe na rrëfen me gëzim e pasion vlera të veçanta dhe origjinale të kompozicionit, të stilit, figuracionit, ngjyrimeve  të llojllojshme; zbërthen ide, mesazhe, vë në dukje portretizimin e tipave dhe karaktereve, ngazëllen me bukurinë e disa prej arritjeve artistike, eksploron thellësinë dhe pasurinë gjuhësore dhe figurative të mendimit krijues...

Në pjesën e dytë të librit, autori ka portretizuar disa personalitete dhe shkrimtarë, duke hedhur dritë mbi jetën dhe veprat e tyre, por edhe duke pikturuar me penelata të lehta dhe kolor çaste të veçanta të krijimtarisë, ashtu dhe veçori të letërsisë që ata krijojnë. Kurse në pjesën e tretë Sejdo Harka ka parapëlqyer të botojë disa Esse: “A është çliruar Prometeu?”,   “Laookontët” rrinë me yje”,   “Tej kufijve të legjendës”. Janë esse të realizuara mjeshtërisht, ku aluzioni  është mjaft shprehës, realist  dhe mesazh-përcjellës, ndërsa analogjia është e drejtpërdrejtë..Citoj:..Ky është Laookonti, heroi i mitologjisë, i cili rend përmes shekujve, me këmbë të përgjakura dhe me gjarpërinjtë kular në qafë, që luftojnë t`i marrin frymën, vetëm se tha të vërtetën. Po përsëri ai nuk gjunjëzohet. Edhe sot e kësaj dite, e shohim se si lartësohet, jo vetëm mbi shtatoren e Luvrit, në mes të Parisit, por edhe në çdo pëllëmbë të rruzullit tokësor, gjallë mes të gjallëve.”

Duke qartë se me këtë libër Sejdo Harka ka bërë një punë voluminoze shkrimore, jo thjesht duke veçuar vlera shkrimtarësh, por edhe duke dhënë te lexuesi mesazhin se letërsia shqipe nuk ka ngecje apo shterpësi, thjesht ajo ka nevojë për përzgjedhje dhe lexim të veprave. Shkrimtarët  shqiptarë, si dhe i gjithë populli, kanë përballuar dhe kanë mbështetur kalimin nga sistemi komunist në atë demokratik, kanë përjetuar kapërcimin mbresëlënës nga shekulli i njëzetë, në atë të njëzetë e një, si dhe kapërcimin e harkut nga mijëvjeçari i dytë në  mijëvjeçarin e tretë. Ata nuk janë bërë dot biznesmenë, as pronarë; disa prej tyre janë shndërruar prej kohësh në argatë, në njerëz që punojnë fizikisht për mbijetesë, ata qëndrojnë modest dhe me durim e besim për t`u mbështetur më mirë nga shteti dhe shoqëria, presin qoftë edhe një sponsorizim, jo për ushqimin dhe veshjen, por për të mundësuar botimin  e një libri...Zgjedhjet politike  përsëritin “zakonin”, qeveritë venë e vinë, teksa “ndryshimet” shpeshherë shoqërohen nga krijuesit me ankthin zhgënjyes: “Ah, edhe kësaj here s`po bëhet gjë, edhe këta njëlloj si ata që sapo “u rrëzuan” nga karriget e që shpejt do të ulen përsëri në to, duke kaluar nga “porta” tjetër...!Kurse Evropa?Ajo thotë duke nënqeshur:“Keni bërë hapa përpara!”

Pandehma se “sot nuk ka letërsi” është e  pabazuar, nuk është reale. Boshllëk nuk ka, aq më tepër që, më të mëdhenjtë e letërsisë shqipe si Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli vazhdojnë të krijojnë vepra dinjitoze. Të tjerë vijojnë të shkruajnë përkrahë tyre... Libri i Sejdo Harkës e argumenton dhe vërteton këtë. Natyrisht në periudha tranzicioni, edhe shkrimtarët, ashtu si edhe të gjithë njerëzit, kanë nevojën e një periudhe reflektimi, e një “qetësie” krijuese, e një ekuilibri. “Tërmeti” tronditës i përmbysjes së sistemit komunist -shkaktoi një tranzicion të pritshëm, por jo kaq të zvarritur e si të pafund, siç po ndodh dhe përjetojmë, ndërkohë që ky tranzicion është pasuar nga drama dhe tragjedi të pamenduara as nga imagjinatat më të frikshme makbethiane...Periudhat që kaluam apo që po kalojmë, përjetohen edhe nga shkrimtarët. Ata i ruajnë dhe i përpunojnë idetë, mendimet, episodet, ndodhitë, i “mbjellin” ato dhe i përpunojnë në imagjinatën e tyre krijuese, u shërbejnë vazhdimisht derisa nxjerrin produktin e tyre letrar-librin. Ndodh si me bujkun, i cili hedh farën dhe i shërben vazhdimisht tokës që fara të dalë në sipërfaqe, të rritet e të bëhet bimë e shëndetshme dhe të prodhojë. Me gjithë vështirësitë e shumanshme që shoqërojnë ngaherë letërsinë, krijuesit shqiptarë po ecin më të sigurt, si bijë të popullit, në rrugën evropiane, që është njëherazi vektori i provuar i demokracisë së vërtetë.

Libri  ka dalë në librari për lexuesit, por ai u nevojitet po aq edhe studentëve, pedagogëve dhe mësuesve të letërsisë; është një auditor i gjerë, të cilëve u nevojitet dhe u shërben ky libër. Ndërkaq “Modernët e kohës” është një ndihmesë për letërsinë shqipe dhe kritikën letrare, një rrugë e nisur dhe  munguar e letërsisë dhe publicistikës, që me siguri do të pasohet nga libra të tjerë të këtij zhanri.

Për këtë nismë, për këtë libër, meriton një falënderim të plotë Sejdo Harka, ky njëri i mirë, i ditur dhe i urtë, i heshtur dhe i respektuar për mendimin dhe guximin, për zemërgjerësinë, për sinqeritetin dhe thjeshtësinë me të cilën shkruan dhe komunikon me lexuesin

 

Urime dhe falënderime Sejdo Harka!

 

Bardhyl Xhama: Libër nga Sejdo Harka me analiza letrare, ese dhe portrete

Modernët e kohës”

- Libër nga Sejdo Harka me analiza letrare, ese dhe portrete -


Nga: Bardhyl Xhama

“Mësues i merituar”, shkrimtar


Mësuesi, gazetari dhe studiuesi Sejdo Harka, sapo ka botuar librin e titulluar ”Modernёt e kohёs” (Për autorë shqiptarë dhe të huaj). Në të, janë përmbledhur disa nga studimet e recensat e shkruara për autorë e vepra letrare,  ese, skica e portrete figurash të kulturës dhe artiti.

I diplomuar për gjuhë e letërsi shqipe, me përfundime të larta, Sejdo Harka ka një veprimtari të gjerë në fushën e arsimit, kulturës, gazetarisë e të kritikës, mësues e drejtues shkollash, në Përmet e Tiranë, korrespoendet i hershëm e bashkëkohor i shumë gazetave dhe i revistave dhe deri kryeredaktor i Gazetës “Mësuesi”, pranё Ministrisë sё Arsimit dhe Shkencës.

Kultura e gjerë letrare e gjuhësore, njohja e psikologjisë dhe e pedagogjisë, e ka bërë Sejdon të jetë vullnetfortë dhe gjurmues pasionant, në fushën e krijimtarisë letrare. Ai nuk ka rreshtur t’u pёrkushtohet krijimeve me vlerë, veçanërisht në fushën e studimeve letrare dhe të gazetarisë.

Fryt i një pune të tillë, të gjatë e krijuese,  është dhe libri i tij i ri, ”Modernёt e kohёs”, që po e paraqesim shkurt pёr lexuesit.

Libri ka vlera të shumëfishta. Në të, janë përmbledhur jo vetëm disa nga shkrimet më të bukura, të botuar  në vite, në gazetat dhe revistat e kohës. por dhe shumë të tjerë, që janë shkruar kohët e fundit posaçërisht për këtë libër. Pjesё e librit janё studime  për shkrimtarë, nga më të shquarit e letërsisë sonë dhe të huaj, si dhe recensa për veprat e tyre. Përmendim, midis të tjerash, shkrimin për Naim Frashërin, me titullin domethënës “Naim Shqipëria”; atë për Lasgush Poradecin si kolos i poezisë shqipe; për Ali Asllanin, me titullin “Koha është e maskarenjve”; për Sejfulla Maleshovën, poetin e dhimbjes së shpirtit etj.

Me mjaft interes dhe me këndvështrime të veçanta janë edhe shkrimet për Dritëro Agollin (“Marrëzitë e kohës, në tehun e humorit të Dritëro Agollit”, “Dritëro Agolli i përdjekuri i dashurisë”); për Ismail Kadarenë (“Misteret e një darke”, “Mosmarrëveshjet e shqiptarëve me vetëveten, në këndvështrimin e I.Kadaresë, ”Monarku i letrave shqipe, në kujtesën e H.Kadaresë ...); për Ben Blushin (“Historia në trillin krijues të Ben Blushit”, “Otello, që të mos vriste dashurinë, duhet ta kishte vrarë arapin” etj.).

Por vargu i shkrimeve është i gjatë. Ai vazhdon me shkrimet “Mallkimi i të mallkuarve”, për  Enver Petrovskin;  “Ëngjëj që mbyten nga djajtë”, për Diana Çulin; “Kur funeralet prihen nga arkimorte diktatorësh”, për Visar Zhitin  e pastaj me radhë,  për Bashkim Hoxhën, Skënder Haskon, Bedri Dedjen, Koçi Petritin,Sokrat Habilaj, Petraq Riston, Viron Konën,

Meritë e autorit është, gjithashtu, përfshirja në këtë libër e autorëve dhe veprave  ndër më të mirat e  letërisë botërore, të përkthyera në gjuhën shqipe. Përmendim këtu poezitë iraniane të Rumit, në shkrimin me titull “Rumi, shpirti i dashurisë njerëzore”; shkrimin  për pozinë persiane, “Mesazhe universale, nga “Flladi i Orientit”; shkrimin “Esenini, gjeniu i lirikës ruse” ose shkrimet për  librat “Lirika dashurie të sulltanëve” dhe “Gamorra”, të shkrimtarit italian, R.Savjano.

I përmendëm të gjitha këto, për të treguar se autori Sejdo Harka, me njohjen e gjerë dhe të thellë që ka për letërsinë tonë dhe atë botërore, ka arritur të na japë  një mozaik të vërtetë krijimesh, të përjetuara nga leximet e vëmendshme. Dhe, çka është e rendësishme, na i paraqet me një stil e gjuhë të qartë, të kuptueshme e të lidhur ngushtë me veçoritë e krijmtarësë të secilit, në prozë, në poezi, në dramë ose dhe në gjini të tjera.


Me interes lexohen dhe shkrimet:  “Bedri Dedja, personalitet i madh i letrave shqipe”(për librin”Bedri Dedja, në kujtesën tonë”), “Një jetë për lirinё dhe arsimin” (për librin “Lame Xhama, ”Mësues i Popullit”), për librin “Pedagogji e zbatuar”” të Musa Krajës, për librin autobiografik “Udhëtim nëpër vitet e jetës sime”, të Skender Haskos etj.

Një vend të vaçantë zënë punimet e këtij autori   për shkrimtarë, krijues e personalitete  të rëndësishëm të shoqërisë dhe kulturës shqipare. Përmendim këtu shkrimet “Ministrja e parë shqiptare, që u persektua tërë jetën” (për Naxhije Dumen), “Thoma Deljana, ministri që guxoi të kundërshtonte Mehmt Shehun”, “I arti Bardhyl Xhama”,”Studuesi dhe publicisti i njohur MuratGecaj”, “Legjenda e një jete, me emrin Skënder Hasko”, ”Viron Kona, njeriu që reflekton kulturë”, etj.

Me mjaft interes lexohen, gjithashtu, shkrimet-ese:  “A është çliruar Prometeu?!”,  “Laokontët rrinë me yjet”, “Tej kufijve të legjendës”. Këto krijime,  përveç se tregojnë njohuritë e thella të autorit dhe trajtim profesional, të gjerë dhe orgjinal, lidhen në mënyrë organike edhe me jetën e sotme, të vështirë e plot zikzake, të tranzicionit.

Sikurse e vëreni, në këtë paraqitje të shkurtër, nuk kishim si synim që të bënim vlerësimin  kritik të këtij libri. Qëllimi është të parashtrojmë përmbajtjen e tij, problemet që  trajtohen, aftësitë dhe dijet e gjera të autorit, shumllojshmërinë e ҫёshtjeve që trajtohen,  gjithpërfshirjen e autorëve e veprave të tyre, kompetencën profesioale dhe shkencore,  me të cilën ato analizohen, si dhe ndjenjat, emocionet dhe  mesazhet, që Sejdo Harka kërkon të përçojë te lexuesit,  nëpërmjet këtij libri.

Sigurisht, lexuesit do të jenë të aftë ta gjykojnë e ta vlerësojnë vetë përmbajtjen e gjerë dhe mozaike të këtij libri, disi i veçantë në krijimet e viteve të findit.

Shpresoj se ky botim i ri do të pëlqehet dhe do të zërë vend në bibliotekat familjare e shkencore, por veçanërisht në bibliotekat e shkollave, ku nxënesit e të gjitha moshave  dhe studentët  e lendëve shoqërore, do të gjejnë materiale me vlerë për zgjerimin e  njohurive të tyre , përmbi ato që marrin nga programet shkollore, veçanërisht për shkrimtarët e shquar shqiptarë. E, pse jo, mendojmë që ky libër paraqet interes edhe për mësues e pedagogë të profilit të letërsisë.

 

Tiranë, gusht 201

 


Faqe 11 nga 83