Dituria

  • Rrit madhësinë e fondit
  • Madhësia normale e fontit
  • Ul madhësinë e fontit
Home
Botime të reja


Arqile V Gjata: KU VAJTËN ATO ËNDRRA...?

Nga Arqile V Gjata

KU VAJTËN ATO ËNDRRA...?

Të nderuar miqë, poetë e shkrimtarë, e ndjej veten shumë mirë që ndodhem sonte këtu midis shumë krijuesëve, poetë, shkrimtarë, gazetarë e studjues për të diskutuar rreth dy vëllimeve letrare të botuar nga Dhurata Lezo; Vëllimi me poezi “Shiu i dashurisë” dhe vëllimin me tregime “30 vjet lumturi”.

...Poetja e ditëve tona, Dhurata Lezo poetikisht është një PEMË Poetike.Poetika e saj vërtetë është një pemë me të gjitha karakteristikat, vlerat dhe bukurit e një PEME që kanë ato në vetvete, një mendim të till arinë ta thuash pasi ta keni lexuar poezinë e Dhuratës...dua të them: “Dashuria e saj i ngjanë një Peme”!


Pjesa e parë e cikleve të poezisë së autores janë një realitet poetik i shëndetshëm ku të mahnitin figurat stilistike, në veçanti metafora dhe simbolika, ato janë aq të magjishme e të çuditëshme...ku i bukuri i saj është dhe i “shëmtuar” dhe veshja e mendimit poetik...Kokëverdha, ose e barabartë, apo si e lodhur deri në penlin!

Vargu i poetes, cek, rok, përkëdhel...ato plasin nga padurimi të shohin, të ndjejnë shpirtin dhe fantazinë, ato kalërojnë gëzueshëm! Sa mrekullueshëm e ka karakterizuar vjeshtën; -ah...ajo vjeshta-qanë pa të dashuruarit/ Mos e lini vjeshtën vetëm, mos!/do të trishtohet keq e mira, e bukura, e florinjta!...eh, poetja mediton, dëshëron dhe shiun që bie ta habis, veç të ishin bashkë AJO-AI dhe NATA!

Dhurata Lezo është një nga poetet e veçanta më të sinqerta, më e drithërrueshmja...-Po, si ndodhi ta marrë e mira ta marë që ju poete u ndatë nga djali i mrekullive...??? (është një pyetje nga lexuesi)!

Shumë poezi të autores të mallëngjejnë, të mahnitin me shpirtin, me dashurin e saj sublime që rrjedh nga sinqeriteti i shpirti të saj njerëzor e poetik! Motive, emocione të veçanta ndjenë e përjeton tek poezitë, “Shiu i Dashurisë”, vërtetësisht disa nga poezitë e këtij libri nuk vdesin...si për shëmbull poezia “I fundit Çast”, “Lirikë Fushe”, “Të erdha dje në Qytetin tënd”, “U Deshëm”, “Merrëm në telefon”, “Parandjenjë”, “Princit të ëndrrave” dhe “Përkushtim” janë një buqetë poetike shumë të bukura, plot ngjyra që kursesi nuk mund të shuhen nga kujtesa. Me poezinë “I fundit Çast” Poetja i ka lën kohës, lexuesëve çaste të paharueshme, të papërsëritëshme poetikisht të shkruara me gjakun e shpirtit, ku autorja i ka pikturuar dhe i ka vënë në skenë madhërishëm me monologun e saj në “pasdite qiellplagosur”.Ajo e ka fiksuar, potretizuar fytyrën e K-së dhe pse shiu dridhej ndër fletë zemre...

Atje ku Poetja është vetëvetja shpirtërisht dhe poetikisht poezia e saj shkëlqen...por kur ndikohet nga faktor të jashtëm që veprojnë jo si frymëzim dhe që janë larg ndjenave njerëzore të poetes Dhurata Lezo, krijimet e saj bien në moralizime!

Urime e dashura poete dhe ju faleminderit që më dhatë mundësi të përcillja për ju dhe të pranishmit disa mendime modeste rreth poezisë tuaj!

Janar 2014 Athinë

 

GËZIM STRORA: LUMTURI NË THONJËZA MBI LIBRIN ME TREGIME TË DHURATA LEZO

GËZIM STRORA

LUMTURI NË THONJËZA MBI LIBRIN ME TREGIME TË DHURATA LEZO

KRITIKË

Lumturia aq shumë e kërkuar sidomos nga njeriu minzatrop, por aq tepër e zhytur në themelet e ngurta të vetë jetës, rrjedhës së saj, në substacionet e panjohura të një lënde shoqërore të ngërdheshur me parete të zbehta të hidhëta e falëse duket se qëndron larg kohës, sëmuret në gjokset tona jo e plotë e vdes nëpër ëndrra e mbuluar, futur në arkivolin e shpresës. E kam patur shumë të lehtë të shkruaj për vujtjen shpirtërore, njeriun vemje që jargavitet e lë në trup krimin, zhvendosjet e skajëshme të shpresës e kur vjen puna për një fjalë që lidhet me gëzimin e lumturinë ndihem i huaj, humbas në tynele dëshpërimi ndoshta zemra ime atë e ndjen shumë pak e shikon të fshehur pas tylesh të errëta ku drita trembet. Ky është karakteri im, përmbajtja e fytyrës sime të vrazhdët të rreshkur në hije. Prandaj e ndjej të ndodhem personazh në “ 30 vjet lumturi” e si i tillë bie në kthetrat e saj me ndjenjën dashuri në zemër, lugthin e tharmin e një rruge të ngushtë që të çon tek një varrezë gjigande ku shkruhet në krye të saj varrosja e lumturisë. Lumturia e varrosur nuk është gjë tjetër veçse e ardhmia e zymtë, shpresa e dënuar të hallakatet në pritje të stërgjatë. Autorja tashmë e përsosur në stilin e saj të tregimit, i shmanget tradicionalitetit tematik, hyn thellë tek problematika e narracionit, e përditëshmja të mban nga afër, të rrëfen platacionet e gjelbërta nga mbijnë e çelin lulet e më pas të shtang në hapësirën e heshtjes me deklarimin se “Sinqeriteti im është shfaqur vetëm me të vdekurit”. Këtë sinqeritet nuk e mban dot në gjoks as heshtja, as dashuria, hidhërimi e farsa. Filozofi deri në harresë, parantesë logjike deri në hakmarrje. Nuk kemi të bëjmë me ngastër, dritëhaje por, me shpirt të drejtuar tek liria. Ky sinqeritet flet nga lart nga mushkritë e tokës aty ku akumuloet lëndja e dhimbjes, shtrembërimi në kthjelltësi i ëndrrës. Ky mendim i fshehur në gjethe të zverdhura, fjalë të artikuluara plot kolorit gjuhësor zbret përplot baltim si hapje në mjegull, tërheqje në pyll drejt dritës pas një rrebeshi të vrullshëm shiu. Dhe këtu vrapon nëpër turmë një vajzë e venitur, e çuditëshme, një autore në kompleks misterioze, e atrofizuar nga kodet e lumtura të shpresës nga vlera në ëndrra, e vendosur të përballet me penelatat plot ngjyra të artit bashkëkohor, por që tani ka një profil të vetin në tregimin apo prozën e shkurtër shqipëtare. Dikush mund të thotë është shpejt jeni nxituar e unë përgjigjem jo, ajo ka të ardhme një copë hënë në ndriçim, këtej e tutje do thellojë tiparet, do specifikohet në cilësi, në karakterin e shkrimit sepse në substancë është tepër e qëlluar. Kështu ja vlen të ndalemi në disa nga tiparet kryesore të tregimeve, si funksionon mendimi, si rrjedh fjala e përkryet rrëshqitja nga mirëqenia në zbrazëti, nga drita në errësirë, nga forma në antiformë nga mizaskena e shkurtër sa një tragjedi në thelb deri tek hija që e lë vetveten në shpërfytyrim.

1 Ndërtimi i tablosë tregimore në mënyrë atipike! Narracioni i shthurur.

Kalorësit e letërsisë janë të shumtë e me kalimin e kohës ngelen shumë pak si gishtërinj të stampuar në qiell tek shënjat njerëzore të hënës, të tjerët bien nga kuajt gjymtohen gjatë rrugës e humbasin përjetësisht në sëmundjen e tyre.

Tregimi ndërtohet në mungesë të një reference të ngarkuar personazhesh me një zë të fuqishëm të plotë që zë vend jo vetëm nga meditimi por sidomos nga dialogu mendor që ndihet kudo e biseda dialogore që shoqëron telajon në gjithëplotësimin e skenës. Mënyra atipike vihet re në përcaktimin e tipit të tregimit zhvillimit jashtë skemës nga nis vareteja e ngjarjes, tërheqja e aksionit artistik në divergjencë me mënyrën e shprehur diku gjetkë. Kjo mënyrë vjen e përsoset duke tipizuar në mënyrë të zhdërvjellët nga skematizmi tek tregimi “Buzëqeshja” duke mbritur në një kolazh megjithse me personazhe të pakët në tregime tepër të goditura si: “Takim pas vitesh”, “Varrosja e lumturisë”, “Koha që vdiste”, “Djali pa emër” e tje. Kjo ka krijuar mundësinë e krijimit të një narracioni të shthurur që ndihmon në krijimin e tipizimin e personazhit nëpërmjet atipizimit të formës.

Narracioni i shthurur, mënyra jo ekzakte e vendosjes së ngjarjerjes në raport me transmetimin në kohë të ndryshmeve kuptimimore. Tek “Apagorevmeni agapi” vajza vendos të tregohet e çiltër, shkrimtarja me zgjuarsinë e lindur kupton gjithshka, ai vrapon të paraqitet në vendin e takimit, ajo i rrëfehet një pamjeje që më tepër të kujton melodinë e dashurisë me vetveten, pra dashuria ka nxjerrë në pah dhëmbët e saj të prishur.

Subjekti zhvillohet pas një zhvendosjeje që kryen hija e personazhit, ndryshimit që ai ka pësuar gjatë kohës. Në tregimin tim “Thërrime buke e një shkop magjik” një plakë niset nga një pike e caktuar një rrugë plot pluhur për të mbritur tek një pike që duket në horizont që nuk është gjë tjetër veçse një dhomë bosh ku ajo ka vendosur të lejë mbingarkesën shpirtërore, vetveten e lodhur nga jeta. Autorja ka një bagash të ndodhur nën trysninë e mbartjes së lëndës e lëshon në rrugë të ecë për të bërë zhvendosjen, ndryshimin e të rifitojë aftësinë e mëparëshme. Nga dhoma çmendinë ku lënda e vetvetes është mbrujtur hapen portat të zhvishen në rrugën e lirë ankthet.

Jeta vrapon e shfrenuar, pas saj rroket me të njëjtën ritëm një qënie e vogël e pamjaftueshme të flijohet me shtatshkurtësinë e shtatlartësinë e lakuriqtë kur bën ngrohtë e ngricë. Një vajzë e rregjur në marrëzi tek “Varrosja e lumturisë”, e vogël sa kokra e frutit të një peme që mendon se kurë nuk do bjerë në tokë, pëson zhgënjim, rënie, mjerim shpirtëror që kthehet në dramën e saj. Dhurata ngre konture, shtylla të forta mendimi, ngrohtësi e akullësi plot ankth që zhubrosen në erën që fryn rrugës, që të rrëmben me gjatësinë e shkurtësinë e saj në zbrazëti e diell përvëlues. Dashuria nuk është gjithmonë lule e bukur që qëndron gjithmonë e çelur, erëmirë që të tretet në qiell, jo “ a s’qe dashuria një zhgënjim, vjedhje lirie e qetësie, drite e rehatie, një qerre e përmotëshme formë njerëzore, një dhomë e lakuriqtë” pohon autorja e futur thellë në guvën e qelqtë të personazhit.

2 Disarmonia në nivelin gjithëpërfshirës

Armonia midis idesë mendimit e meditimit letrar janë armët me të cilat lufton një autor në ndërtimin e subjektit dhe shtresimin e tij si një të tërë në ngjarje. Armonia nuk është gjithmonë rezultative në suksesin e një tregimi apo romani. Ngritja në aksion e disarmonisë midis këtyre elementëve e bën tregimin më narrativ e kur tema e tij është surrealiste kthehet në mistik e filozofi gjithëpërfshirëse. Kjo mëshirohet në tregimet e autores e cila ruan një lloj barazpeshe midis armonisë e disarmonisë, bukurisë në art e natyrë, midis artit e idealit për të mos humbur ekulibrin e duhur e rënë në amulli letrare. Këtë e vëmë re tek “Novelë e pambaruar” , “30 vjet lumturi”, “Varrosja e lumturisë” e diku gjetkë ku dikurset midis dy faktorëve të suksesit luajnë role tipike e atipike të suksesëshme.

2a Mënyra publiçistike e tregimit

Tashmë trevat e tregimit janë zgjeruar, hapësirat në të cilat rreken personazhet nuk kanë ndryshuar vend ose më mirë i janë përshtatur vendit e ambjentit ku ato marrin jetë e megjithatë mënyra e të shprehurit në këtë skenë është tjetërsuar, Hamleti modern denoncon në mënyrë gazetareske krimin e bërë ndaj atit të tij. Fjala është më e prerë më e shkurtër më kumbuse e me një informacion mbi shtresor që zhvendoset lehtë nga tipikja e djeshme e lidhur ngushtë me tiparet e personazhit. Kjo formë duket sikur e zbeh formën letrare por po të mendojmë kështu do ishte gabim. Dhurata e mban pranë ngjarjen e stërvit personazhin deri në thellësi regjizon punën e tij duke mos shtresuar deri në kllapi letrare tipare e përshkrime pa vlerë, por me një gjest që publikon sekuencat e ngjarjes si akt e më pas si narracion të plotë me shumë vazhdimësi krijuese të gjendjes së jashtëme e të brendëshme të personazhit krijon personifikimin e duhur të tij. Kjo vihet re në disa tregime si “Pabesi” e tje ku luhet mënyra mistike për të fshehur qëllimin e personazhet nën perden e fshehtësisë. Megjithatë kjo mënyrë nuk përbën fenomenin e plotë të mënyrës tregimore sepse do ta gjymtonte rëndë atë. Ajo mbështillet me kërkesa letrare të cilat e shëndërojnë në tregim autentik në formë të gjendur artistike e letrare. Mbajtja para syve e koncepteve letrare, pasqyrimi i lëvizjes së personazheve nën tendenca e preceptime artistike e lartësojnë tregimin e krijojnë kushte për mbarëvajtjen e tij që Dhurata tani e di dhe e mëshiron shumë mirë.

3 Fuqia e toni mesatar i personazheve në dialogime

Auditori që krijon autoria e përjashton krisjen që vjen nga bërtitjet të thirrurat e shumta që nuk krijojnë aksion real, por sekuenca artificiale ose tone të larta për një akt që kërkon gulç e mishërim deri në gjakosje. Ajo arrin ta preceptojë zërin e personazhit si një objekt letrar që duhet të hyjë në auditor me ndjesinë e ëmbël të fitores dhe të të humburit brenda një pakete linguistike që nuk lejon përbaltime.

Dhe unë jam i pabinduri i saj, lexuesi, ai që harrbohet të kapet pas frutit që pritet të bjerë, unë njeriu i pabindur, i marri që harron, kujton se dashuria vrapon të kapë shpirtëra pa njohur se ata vdesin kur para syve shfaqesh si hije, si errësirë. E çfarë mund të mendojë një njeri kur dëgjon një tingëllimë në qiell përveçse për këmbanën nga vjen zëri. Po a ka zë, kush është ngjyra e tij, këmbana?, a lejon të thithen pamjet e shpërfytyruara të një shprese, të një lajthitjeje që mendon se ndjenjat nuk ndryshojnë të zhëndërohen në qëllim? Doemos që jo! Ky zë ka vdekur, kjo dashuri ka shëndëruar pamje është zverdhur, pulsi nuk i punon më e pritet një rreze rrënqethëse për ta zhytur në harresë. Kemi të bëjmë me personazhe të skalitur, baltuar në një atelie mendore të pjekur, të stërvitur me një hapësirë pamore që të rëmben, të shkakton kënaqësi, të rrënqeth nga trishtimi e pastaj të mbështjell me një vello shprese freskie që të ngjall gëzim e adhurim njëkohësisht. Kështu do hasen personazhe bindshëm me zë që të ngelen në memorie, dialogje që krijojnë ndjenjën e lumturisë e të kurthit njëkohësisht kur bëhet fjalë për dashurinë

4 Simbolika e dashurisë si simbol abstragues

Dhurata nuk ndalet, statujën e krijuar e vendos në pasqyrë, gjetja artistike forma e rrëfimit ka rëndësi, nuk i bindet syrit sepse ai enjtet nga nata, gjumi i shprishur, qërrohet nga njëtrajtshmëria rutinë e shkrimit atëherë kujtohet të vendosë pasqyrat përballë njëra tjetrës, për të parë pra përbërjen, zhvleftësimin, lartësinë ose kazmën që çuket me forcë deri në shkatërim me një ekulibrim të qetë ndjenjash. Kur është bindur që pasqyrat nuk gënjejnë i rreket baltës që ka ngelur. E merr në duar e fillon baltosjen. Jam i bindur që baltosjen e fillon nga bukuria e simbolika e fjalës e pastaj rreket pas kuptimit e nënkuptimeve. Kjo e bën të veçantë në skalitjen e fjalisë, të bustit tregimor, me lëvizje të hallakatura e strikte, hapa të mataura larg hendeqeve, gropave ku fshihen argjile të thata dielli, pasqyrime të rëndomta. Absurde në thelb, tekanjoze në përshkrim, shoquese në hamendësi e bëjnë Dhuratën një tregimtare të mirëfilltë në tregimin shqip e cila tek vizatimi i një lule nuk niset vetëm nga era e mirë, aromëmania por nga rrënjët freskia e tyre e përmbajtja. Dhurata i referohet pothuaj në të gjitha tregimet dashurisë sepse sheh se vetëm nga barku i saj mund të lindë lumturia. Këtu metafora mund të kishte më tepër fuqi mbizotëruese. Duket se një gjest tjetër mban afër tregimin simbolizimi i dashurisë në përshkrime, dialogje e krahasime artistiko letrare. “Koha po vdes, dilni prej saj të shpëtoni shpirtrat, s’ka më pritje” thërret fuqishëm tek tregimi “Koha po vdes” duke na dhënë një mishërim superior dashurie. Në këtë mënyrë ajo i jep kohës funksionin e një ikonografie që bëhet referencë abstraguese. Dalja nga koha është kontributi i formës të kllapitur në errësirën që gjykon hapin zhvendosja nga tiparet e rutinës e leqeve të saj.

4a Sintaksa e fjalës

Sintaksa që krijon autorja po thuaj në të gjithë rrëfimet e saja është konçize, e qartë e drejtpeshuar dhe e drejtpërdrejtë. Ajo u largohet me zgjuarsi përshkrimeve të gjata false të cilat nuk i shërbejnë filozofisë që përmban tregimi për të mos e mbishtresuar atë me logjizma të verbëra pa vlerë. Pra ajo nuk përdor fjali nënrenditëse e bashkërenditëse pa funksion. Dhurata duhet konsideruar e veçantë për vetë faktin se ligjëron shkurtër pa komente të gjata e përshkrime që të përshtjellohen në fyt duke dhënë një bashkërrëfim të zgjuar, të qetë e të çiltër si gurrë mali për tu besuar.

Libri 30 Vjet lumturi është një prurje me vlerë në letërsinë shqipe e unë i uroj autores suksese të mëtejëshme

Sot kur antivlerat lëvizin lirshëm, kur autoritete letrare pa vlerë mbisundjnë në media organe e organizma duket sikur lumturia nuk do dalë kurë nga varrosja ku është shukulluar.

Mbaruar më 27|01|2014

 

Novruz Abilekaj: Një krijuese potenciale me stil ndryshe.

Një krijuese potenciale me stil ndryshe.

(për prozën e Dhurata Lezos)

Të nderuar miq,

Përfitoj nga ky bashkëbisedim midis krijuesish e dashamirësish që të shfaq disa mendime për prozën e Dhurata Lezos.

Prej fillimit po theksoj:

Nuk e mora fjalën vetëm për të lëvduar por edhe për të gjykuar një krijuese ponteciale në shpirtin e së cilës, në botëjetimet e saj fjala e fryma artistike zinin vendin e parë por u braktisën një ditë “dhunërisht” sa që lypet “burrëri” Uliksi për t’u rikthyer në mbretërinë që i përkiste dhe i përket.

Më poshtë vjen “pretenca” ime:

Sapo rashë në kontakt me një grusht tregimesh të autores, u riktheva mendërisht mbi ç'kisha lexuar. Arshivova vlera artistike të mirëfillta dhe u ndjeva mirë që isha unë në kontakt me të tillë krijimtari. Pas ndjesisë së parë, u kujtova që po lexoja letërsi të pabotuar dhe u trishtova. U trishtova si lexues, si dashamirës i letërsisë.

Shkrova: Tregimet e tua mjaft të mira kanë merituar dalje në jetë por paskan rënë në "thonjtë" e një "krimineleje pa pagesë", i ka përthithur honi i mospërfilljes së asaj që i gatoi në "mitrën" prej krijueseje, e cila i la të ngrijnë në akullin e viteve.

Pata një brengë se mos ky qëndrim i gjatë në ngrirje i atyre krijesave simpatike, i atij guximi artistik që di të fusë në mengenenë e sarkazmës edhe shenjtërinë e dashurisë e të çastit të lumtur, nuk do të mund të rivijë aq i freskët në rikthimin e Dhuratës-tregimtare.

Mallkuar qoftë ky merak i imi.

Ama, këtu zë fill “akuza”.

Për ta zbutur a shmangur virtuozitetin e “prokurorit”, mora angazhimin për t’i publikuar herë pas here në faqet e internetit dhe ndihmova në këtë përmbledhje që kemi në dorë me shpresë se do i priste mirë lexuesi, posaçërisht lexuesi i kualifikuar, ai lexues që di të lexojë përtej kopertinës dhe midis rreshtave.

***

Krijimtari e ngritur mbi paradoksin

... Jam e lumtur si njeriu që nuk dashuron... shkruan Dhurata

Ky paradoks përshkon tërë filozofinë krijuese të shumicës së tregimeve në këtë përmbledhje. Duke medituar rreth këtyre pak fjalëve, pandërgjegjshëm lë fluturimin dhe zbret para meje vargu lapidar i cili ka fole në zemrën e çdo shqipfolësi pas adoleshencës. “... dashuria ... do na hidhërojë”

Ju e dini si edhe unë se penalizimi i dashurisë, duke e shenjtëruar, shfaqet kaq shpesh në truallin njerëzor saqë ka plagosur shpirtin e Homerit, Eskilit, Shekspirit, Tolstoit, Floberit, të mijëra poetëve, rapsodëve, bejtexhinjve, të dashuruarave dhe të dashuruarve në të katër anët e rruzullit. Lumturia e Helenës së Trojës, Klitemnestrës, Romeos dhe Zhuljetës, Ana Kareninës, Zonjës Bovari ... ishte lumturi kalimtare, e ngritur mbi kolonat e përkohshme të dashurisë dhe, thuajse përherë, e mbytur në limeret e tragjikes. Gëzimet e jetës, në se kështu është lumturia, u dorëzohen atyre që nuk dashuruan, që as rrezikuan të dashurojnë, të cilët edhe u harruan pa ikur nga kjo jetë.

Digjen dëshirat nëpër netët vetmitare

Lexoj tek “Varrosja e lumturisë”:

Dashurisë ... i kam pronësuar vetëm periudhën e parë, atë të shikimeve pa një fjalë në mes. Si një zjarr i vockël digjeshin dëshirat e mia të topitura nëpër natën vetmitare aq sa s`qe zor të më treteshin një ditë ndër duar.

Pastaj u binda, mbase ashtu kotazi, se ëndrrat ishin mashtruese me plot kuptimin e vërtetë të fjalës, se në jetë dashuria s`ishte kurrë aq e përsosur, pa gabime brutale, të pafalshme e pendimsjellëse

Jeni të vëmendshëm? Po përsëris togfjalësha që të gjykoni në ç’lartësi qëndron tregimtarja kur nënvizon:

Periudha e parë e dashurisë,

dëshira që treteshin në duar,

ëndrrat ishin mashtruese,

në jetë dashuria s’ishte kurrë aq e përsosur ...

Duke përqendruar vështrimin mbi këto, konstaton se nuk bëhet fjalë për fillime jo, bëhet fjalë për pjekuri artistike të hershme.

Gjithsesi, të braktisur.

Prozë ndryshe

Proza e Dhuratës të nxit ta lexosh ndryshe, ose të rilexosh paragrafin që sapo e tejkalove.

Lëvizjet e jashtme janë si të paqena. Vetëm fjala lëviz nën timonin e një mendimi filozofik befasues, që askush nuk mendon se do ta gjejë tek e panjohura e letrave, tek krijuesja që nuk u ka rënë kurrë kambanave të promovimeve.

Mënyra e të shkruarit e vë lexuesin në kërkim të mendimit të autores dhe e udhëheq në meditim filozofik. Fare pak i intereson ngjarja e cila "maskohet" pas aforizmave për kuptimin dhe moskuptimin e jetës.

Autorja qëmton pemën e dashurisë deri në ngjyrën e gjetheve të skajshme. Aty zbulon vitalitetin e rrënjëve. Pse vyshken gjethet edhe pa ardhur vjeshta?! Diçka nuk shkon mirë atje, thellë, në rrënjët e padukshme. Prandaj njeriu gërmon shpirtin të zbulojë rrënjët e dashurisë, shëndetin e tyre. Mundim i vajtur dëm. Nuk diagnostifikon dot. Lumturia varroset pa diagnozë.

Prandaj, Lezo preferon ta rrethojë rrëfimin me filozofinë e kotësisë dhe pasigurisë për hapin tjetër të jetës. Gjithkund ka

ironi deri në satirë. Ironi për vrapimin shekullor të njeriut drejt dashurisë e lumturisë së pagjetur.

Këtë e arrin duke vënë shenja dalluese tek fundi i mjaft marrëdhënieve dashurore:

Shpesh fati ynë ndodhej në dorën e tjetrit dhe mjaftonte mospërfillja apo qoftë edhe interesimi i shtirë … për të dyfishuar fatkeqësinë.

Po a s`është dashuria, tamam, a s`qe dashuria një zhgënjim, një vjedhje lirie e qetësie, drite e rehatie, një qerre e përmortshme formë njerëzore, një dhomë e lakuriqtë që pret e pret të mbushet disi e që, sidoqoftë, i qëndronte prishjes shthurëse (edhe mohimit!) si flokë të lyrshëm, si net kujtimi e pendimi, si parajsë e gjërave të harruara. E pra, a s`është dhe ka qenë gjithmonë dashuria një gënjeshtër e egër dhe enigmatike, shtyrëse dhe tërheqëse si magnet, fuqimisht e shekullisht kërkuese…?

***

Po personazhet, do të pyesë lexuesi.

Personazhet të përmbytur në dashuri ama nuk i nënshtrohen asaj

Përse?

Janë të paktën dy personazhe qendror në çdo tregim të cilët shoqërohen nga kalimtarë; qofshin këta soditës, intrigues, shpërfillës, depërtues ndaj të çarave të të dahurisë së partnerëve apo, hije të papërfillshme.

Gjatë leximit jam bindur se brenda këtyre dy portreteve të secilit tregim (në shumicën e tyre) përfshihen çifte të pafundme të dashuruarish që nuk e mbyllin me kapak floriri dashurinë midis tyre sepse ... egoizmi, krenaria, dinjiteti, pavarësia e mendimit, synimi profesional, pra, tërësia e personalitetit nuk i nënshtrohet dot trysnisë që përcjell personaliteti i partnerit i cili ngulmon dhe vë parësore po atë mur ndarës, po ato cilësi të karakterit të tij.

Mbetet vetëm malli i përzier me dhimbje.

...Shikoje një njeri që dikur e kishe hyjnizuar dhe s`ndjeje gjë më. E shumta, vetëm malli i përzier me dhimbje për kohët që kishin ikur (Takim pas vitesh).

... A mund të betoheshe për dashuri të përjetshme në një botë kur çdo gjë qe e përkohshme, kur mbaronte së ekzistuari njeri, qoftë edhe në mendjen e tjetri. Pastaj, ai tjetri, për një grimë kohe, vazhdonte të shpresonte ... me një shpresë të turbullt (Atje ku mban trupi)

Personazhe të ngjashëm me të përditshmen takojmë tek “Takim pas vitesh”, “Dashuri në xham”, “Djali pa emër”, “Buzëqeshja”, “30 vjet lumturi”. Në tërësi, personazhet udhëtojnë mbi jetën e tyre si snobë, të pavëmendshëm për botën jashtë tyre, polumbarë të vetvetes. Kështu në pjesën dërrmuese të 18 tregimeve. Kështu e shohim të jetë në bashkëkohësinë tonë.

***

Dua të besoj. Besoj. Do të besoj se:

Në krijimtarinë e ardhme, autorja do di të shmang disa shfaqje të monotonisë gjatë rrëfimit, do di të shmanget nga mania e krijimit të fjalëve dhe togfjalëshave krahinorë që i lejohen personazhit, tipizimit ama jo ndërhyrjeve të krijuesit, do di të jetë më e afërt me lexuesin e mesëm.

***

Shumë njerëz në këtë botë e çajnë xhunglën e jetës me ha-ha-ha! Dhurata e merr më seriozisht dhe frikërisht. Duhet pakëz mendjelehtësi. Duhet cazë papërgjegjësi. Duhet njëz "le të dalë ku të dalë" që t'i afrohesh dy-tre-pesë hapa lumturisë. Pa e arritur përfundimisht sepse atëherë do biem prapë në seriozitet cfilitës. Le ta lëmë lumturinë të jetë fluturë që joshet e lodron gëzueshëm rreth një çasti-dritë. Le ta lëmë lumturinë të jetë zog që e harbon rrezja e parë e ditës.

A do u hap dritaren Dhurata këtyre “le të-ve” të mia? Po lexuesi?

Kam siguri se këto përgjigje do vijnë pas leximit të librit.

Lexim të këndshëm!

Faleminderit!

Novruz Abilekaj

Athinë, 01 shkurt 2014

 

DOLI NGA SHTYPI NË SHQIP LIBRI”DJALI DHE TIGRI” I AUTORIT SUEDEZ LARS WESTMAN

DOLI NGA SHTYPI NË SHQIP LIBRI”DJALI DHE TIGRI” I AUTORIT SUEDEZ LARS WESTMAN

Në kuadër të redaksisë së botimeve të revistës Dituria këto ditë doli nga shtypi libiri ”Djali dhe Tigri” i autorit suedez Lars Westman në përkthim të shkrimtarit dhe publicistit Sokol Demaku.

Libri është redaktua nga Viron Kona, me recenzet Dr. Rovena Vata, Ismet Hasani dhe Mr. Kadrije Meniqi, si dhe nënë përkujdesjen editoriale të Mr.fil Sadulla Zendeli Daja, e me përkujdesje në shtyp të shtypëshkronjës nga Tirana Westprint.

Libri ka gjithësejt 145 faqe dhe është shypurë në 1000 egzemptar e do të shpërndahet falas për nxënësit e shkollave fillore në Republikën e Kosoves, në Republikën e Shqipëri dhe diasporë.


Faleminderit Lars!

Lexuesit e vegjël shqiptarë e kanë njohur letërsinë suedeze veçanërisht nëpërmjet librave të nobelistes Selma Lagerlof dhe të magjishmes Astrid Lindgren. Ashtu si fëmijët në Skandinavi dhe në botë, ata e kanë lexuar me ëndje “Udhëtimin e mrekullueshëm të Nils Olgerssonit” dhe “Pipi Çorapegjatën”, kurse tani, kanë në dorë një tjetër libër të mrekullueshëm nga letërsia suedeze, “Djali dhe Tigri” të shkrimtarit të njohur Lars Westman.

Që në fillim të këtij shkrimi, dëshiroj të them se shkrimtari suedez, na ka dhuruar një libër me vlerën e një margaritari vezullues. Me penën e tij të artë, ai na rrëfen me një stil tërheqës dhe gjuhë të figurshme, aventurat e Djalit që e donte aq shumë macen e tij, Tigrin, saqë, për tre muaj resht, pa u lodhur dhe pa u tërhequr nga vështirësitë, e kërkoi atë deri në skajet më të largëta të atdheut, Suedisë së bukur. Në çdo faqe, libri mban të ndezur zjarrin e kureshtjes për të mësuar fatin e Djalit dhe të Tigrit dhe, krahas emocionit dhe kënaqësisë së madhe, na jep artistikisht mësime të vlefshme për gjeografinë dhe historinë e Suedisë, na nxit shpirtin e guximit dhe të vendosmërisë, për të njohur edhe më mirë botën e njerëzve dhe të kafshëve. Tregimet, shfaqin episode, ngjarje, aventura, dialogë, batuta, fjalë të urta të mrekullueshme pa fund, të cilat ushqejnë pareshtur flakët e dëshirës për ta lexuar me pasion çdo rresht, paragraf dhe faqe të librit. “Djali dhe Tigri”, nis me arratisjen e papritur të Tigrit, shqetësimin dhe vendosmërinë e djalit për ta kërkuar dhe për ta gjetur doemos atë. Njerëzit që ai takon, thuajse të gjithë e këshillojnë Djalin që të kthehet në shtëpi, por ai nuk mund të kthehet, ai nuk mund ta braktisë dhe ta lërë në mëshirë të fatit Tigrin, mikun e tij të dashur.

Episodet vijojnë si sekuenca filmike: biseda me parashikuesen e fatit, episodi, se si Djali, përtë siguruar ushqimin e ditës bëhet fotograf, dialogu i këndshëm me urithin, i cili ndihet keq sepse nuk ka krahë që të fluturojë së bashku me shpendët dhe, në pamundësi, ëndërron të hapë një tunel të gjatë të nëndheshëm deri në Lapland, tregimi për salmonin madh, që ndonëse me plagë në trup, priti natën me hënë që të kërcente fluturimthi në ujëvarë dhe të shkonte doemos në vendlindjen e tij, tregimi për shitësin shëtitës, për macet e egra, shtegtimin e zogjve drejt Afrikës, takimi i Djalit me vajzën që donte të shkonte në Paris, përshkrimi i aventurave të Vjedullës, tregim për djemtë që mblidhnin kanoçe, për vajzën refugjate në kambanore, tregimi që na mëson se dhelpra dhe kusarët janë e njëjta gjë, tregimi për jetën e samve dhe të drerëve në Veri të Suedisë...

Duket sikur autori ngjyen penën e tij në ngjyrat e mahnitshme të aurorave polare dhe përhapë nuancat e tyre të freskëta nëpër faqet e librit, duke na treguar se bota është e madhe, se jeta është e bukur kur i jep vlerë dhe kuptim, se mirësia dhe dashuria njerëzore duhet të triumfojnë mbi gjithçka, se është gjithnjë në rrugë të mbarë dhe nuk gabon kurrë, ai që ecën në rrugën e së vërtetës, se e drejta për të jetuar është e drejtë e çdo gjallese të rruzullit tokësor...

Njëri tregim më i interesant se tjetri, njëri më tërheqës se tjetri, një bukuri e pafund fabulash, përshkrimesh, shprehjesh me hijeshi artistike pasqyrohen në faqet e këtij libri të magjishëm, që e ka sjellë në gjuhën shqipe me përkthimin e tij poeti, shkrimtari dhe gazetari i njohur Sokol Demaku.

Në libër përshkruhet Suedia, mjediset dhe peizazhet e saj magjepse, qytetet, krahinat, bregdeti, ishujt, klima dhe natyra e këtij vendi të mrekullueshëm. Përshkruhen, skaliten dhe portretizohen njerëzit, personazhet e librit, që të mbeten në mendje për karakterin e pa përsëritshëm, zakonet, bisedat, fjalët që përdorin, mendimet që shfaqin, humori, të veçantat e secilit. Përshkruhet llojshmëria e kafshëve dhe e shpendëve, jeta e tyre, respekti, kujdesi dhe dashuria e suedezëve për çdo gjallesë të rruzullit tokësor.

Duke lexuar të 140 faqet e këtij libri, kuptojmë se jemi bërë më të ditur, më të pasur shpirtërisht, më të vendosur në qëllimet tona për të mësuar dhe për të përballuar jetën dhe vështirësitë e saj, për të dashur më shumë atdheun dhe njerëzit, për të respektuar lirinë dhe mendimin përparimtar, por jemi bërë edhe më të ndjeshëm ndaj natyrës, drurëve dhe pemëve, kafshëve dhe shpendëve. Ndërkohë që, mendimet dhe përjetimet tona, imagjinata dhe frymëzimi ynë, kanë fituar hapësira dhe dimensione të reja. Shkrimtari na ka vënë në mendime, ka nxitur tek ne përfytyrime për gjëra që nuk i dinin përpara se të lexonin këtë libër, ka bërë që t’u tregojmë me padurim shokëve dhe miqve se çfarë libri të rrallë kemi lexuar dhe, pastaj, bashkërisht, të përpiqemi të vëmë në skena të improvizuara teatri, episode, ngjarje, rrëfenja të këtij libri.

E përshëndes kolegun suedez për librin e bukur, edukativ, tërheqës dhe mbresëlënës që na ka dhuruar. Kam ndjerë shumë gjatë leximit të librit, kam përjetuar emocione të bukura dhe befasuese, jam përfshirë në valë respekti dhe dashurie për jetën dhe njerëzit e guximshëm, këmbëngulës në arritjen e qëllimeve që i vënë vetes. E falënderojë nga zemra dhe e urojë shkrimtarin suedez për krijime të tjera të bukura, që na pasurojnë dhe na zbukurojnë mendimin, fantazinë, imagjinatën dhe jetën tonë.

Faleminderit Lars Westman!

Viron Kona,

 

Fetah Bahtiri: DASHURIA DHE ATDHETARIZMI I NJË ÇIFTI TË BEKUAR

DASHURIA DHE ATDHETARIZMI I NJË ÇIFTI TË BEKUAR

(Vilhelme Vranari Haxhiraj, Bashkë në dashur dhe atdhtari, Botim i dytë, Bukuresht, 2013)


Fetah Bahtiri

Para disa javësh, me rastin e Krishtlindjeve dhe në vigjilje të Vitit të ri 2014, doli një dritë botimi i dytë i një libri shumë interesant me titullin simbolik e shumë domethënës: ”Bashkë në dashuri dhe atdhetari” (Kushtuar Aurelia dhe Ajvaz Vokës nga Shipkovica e Tetovës). Autore e librit është shkrimtarja dhe publicistja e njohur nga Shqipëria, Vilhelme Vranari Haxhiraj. Libri është i formatit 14 X 20,5 me lidhje të butë, ndërsa sponsor i ribotimit është legjenda e gjallë e kulturës shqiptare në Suedi, Sadulla Zendeli Daja. Ballinën e ka me ngjyra, sikur edhe shumë foto që ndodhen në brendi, gjë që e rrit vlerën teknike dhe estetike të veprës, por edhe efektin e perceptimit të së vërtetës dhe realitetit që paraqitet në te. Në libër ndodhen afër 90 fotografi dhe dokumente origjinale të skanuara, të cilat më së miri e tregojnë atë që autorja ka dëshiruar ta paraqesë në këtë vepër vlerash të vjetra, impresionuse dhe interesante. Për këtë arsye dhe për shkak të mënyrës së shtruarjes së matetrialit, libri është një lloj dokumentari me elemente biografike për një çift me taban të shëndoshë, por edhe për kontributin e tij në fushë të dashurisë ndaj kombit dhe atdheut.


Vepra respektive është interesante sepse në te paraqiten ngjarje, rrethana dhe veprimtari të individëve në një kohë të kaluar ku protagonistë

janë dy persona të dashuruar si burrë e grua, por edhe si dy luftëtarë të devotshëm në fushën magjike të veprimtarisë patriotike për çështjen shqiptare. Tema e librit që karshi dashurisë, brum kryesor e ka adhedashurinë, shtrohet e sqarohet aq bukur, aq rrjedhshëm dhe aq bindshëm, sa që atë që e merr në dorë këtë libër e bën ta lexojë me një frymë, pa u lodhur dhe pa e ndërprerrë lekturimin e tij. Autorja që e ka strukturuar librin në gjashtë kapituj, dëshmohet edhe si njohëse e mirë e gjeografisë dhe historisë së ambientit nga e ka prejardhjen Ajvaz Voka, i cili, për shkak të shtypjes sociale, politike dhe presioneve të pushtetit sllav të asaj kohe, ishte shpërngulur në Rumani më 1928, ku pas 4 vitesh (1932), ishte takuar me fatin e tij jetësor: Aurelia Graur. Këta dy të rinj u njohën, u dashuruan, u bashkuan dhe filluan jetën e përbashkët, por edhe veprimtarinë atdhetare për çështjen shqiptare në kohën e Asdrenit dhe rilindësve tanë të panumërt në Bukuresht. Mua më duket shumë ineresante veprimtaria e zonjës Aurelia Graur, një rumune e cila porsa u martua me shqiptarin e Sharrit – Ajvaz Vokën, me mish e shpirt iu përkushtua çështjes shqiptare.

Kjo zonjë tashmë e ndjerë, që në vitin 1932 kishte qëndisur në një pëlhurë artizanati kushtrimin ”Rroft Shqipnija e na nimoft Perëndija!”. Nuk mund të ekzistojë argument më i fortë se ky qëndrim i saj që vërteton se ajo qysh atëherë, nga bashkëshorti si saj ishte pajisur me njohuri të mjaftueshme për shqiptarët, për Shqipërinë dhe Kosovën. Prandaj, sikur që e donte Ajvazin, e donte jo vetëm Shqipërinë dhe Kosovën, por edhe Shipkovicën. Këtë dashuri të madhe të saj e argumenton edhe fakti se kur burri i saj vendosi të kthehet në vendlindje (1941), edhe ajo ishte kthyer bashkë me te, në një fshat të Malësisë së Sharrit, në Shipkovicë. Atje ku Aurealia kishte vazhduar një jetë të zakonshme, por e angazhuar me gjithë shpirt t`u ndihmojë femrave tjera në atë ambient, për emancipimin e tyre. Prandaj, ata që e njohën, e patën pagëzuar ”Nëna Tereze e Shipkovicës”. Nuk është vetëm veprimtaria e saj që bëri të quhet kështu. Ajo u lind në vitin kur u lind Gonxhe Bojaxhiu (1910), dhe vdiq në të njëjtin vit kur vdiq Nëna Tereze (1997). Edhe burri i saj u lind 500 vjet pas lindjes së Gjergj Kastriotit (1905), dhe jetoi aq sa jetoi edhe Skënderbeu, 63 vjet (1968)! Bashkëpërkime interesante, apo jo!

Unë në vitin 2011 kam shkruar një roman me titullin ”Rrugëtimi i Dashurisë”. Moto e këtij romani është: ”Dashuria mes një gruaje dhe një burri është dhuratë e Perëndisë. Ajo nuk ka rregulla dhe nuk njeh kufij”. Në veprën ”Bashkë në dashuri dhe atdhetari” shkohet edhe më larg. Dashuria është ajo që Aurelian e nxit të jepet me mish e me shpirt në shërbim të atdhedashurisë për atdheun e të zgjedhurit të saj. Autorja në libër sqaron edhe faktin se Aurelia Voka ka qenë e ndikuar edhe nga princesha me origjinë shqiptare, Elena Gjika, e njohur me pseudonimin Dora d´Istria dhe veprimtaria e saj. Por, unë gjithnjë mendoj se Aurelian e ka joshur me dashuri ndaj shqiptarëve i shoqi, Ajvazi, i cili në Bukuresht kishte zhvilluar një veprimtari aktive në bashkëveprim me figurat më të njiohura të kohës. Madje, në libër sqarohet se si atëherë Bukureshti ishte një koloni shumë e rëndësishme shqiptare. Aty kishin jetuar dhe jetonin e vepronin figurat më të rëndësishme të kohës, sepse në atë ambient lindi projekti i shpalljes së pavarësisë në Vlorë më 1912. Aty lindi edhe hymni unë kombëtar. Aty u veprua me mish e me shpirt për interesat vitale të kombit shqiptar.

Ajvaz Voka aty pati rastin të njohë Asdrenin, Mitrush Kutelin, Ibrahim temon, Lasgush Poradecin, Petro Janurën, Aleko Vançin, Gjergj Bubanin e veteranë të tjerë. Ajvaz Voka në mënyrë direkte apo indirekte u ishte bashkangjitur këtyre veprimtarëve dhe atdhetarëve të shquar. Derisa jetonte dhe vepronte në Bukuresht, edhepse merrej me tregti të imtë si ëmbëltor, ai merrej edhe me shkrime gazetareske. Kemi aty artikullin në gjuhën rumune kushtuar shqiptarëve dhe Shqipërisë me titullin ”Populli Shqiptar dhe rendi i ri europian” (Curentul, maj 1941). Këto fakte të njohura historikisht sqarohen mjaft bindshëm edhe në këtë libër. Por, autorja gjenezën e përcaktimit patriotik të këtij çifti e gjen në rradhë të parë në ambientin e Shipkovicës së Ajvaz Vokës. Lexojmë të dhëna interesante gjeografike, historike dhe toponomastike për këtë fshat malor me një biografi të bujshme në zemër të Sharrit. E gjejmë faktin se kjo trevë shqiptare gjithmonë ka qenë dhe ka mbetur vendlindje e atdhetarizmit. Lexojmë të dhëna bindëse për fisnikërinë, bujarinë, miqësinë, atdhetarinë, atdhedashurinë dhe besnikërinë e shipkovicasve gjatë historisë. Madje, autorja këtë Malësi e quan ”Kërthizë e shqiptarizmit”.

Në libër e hasim edhe një fakt tejet interesant. Shihet dhe argumentohet me shumë fakte të shkruara, dokumente dhe të dhëna të tjera, se virtytet që i përmendëm pak më parë lidhur me Ajvaz Vokën, konstatojmë se këto i ka trashëguar edhe pasardhësi i tij, Baki Ymeri i cili jeton dhe vepron në Bukuresht. Autorja këto të dhëna i sqaron në mënyrë të plotë dhe bindëse, me foto të shumta, me dokumente dhe me biseda në formë intervistash e letërkëmbimesh. Në libër i shohim faktet se sot Baki Ymeri është personalitet i shquar dhe i dalluar i atdhedashurisë shqiptare në Rumani. Sipas atyre që e kanë njohur apo lexuar, ai është ”Oksigjen i diasporës shqiptare, Një zjarr i shenjtë për zemrat shqiptare, Një jetë e shkrirë në funksion të kulturës kombëtare, Simbol frymëzimi dhe admirimi, Krenari e mërgatës sonë në botë, Drita e Dardanisë në Bukuresht”. Dhe jo vetëm kaq! Baki Ymeri, trashëgimtari i Ajvaz dhe Aurelia Vokës, i persekutuar dhe i ndjekur politikisht në ish Jugosllavinë komuniste, është kryeredaktor i revistave ”Shqiptari” dhe ”Kosova”, autor i shumë veprave letrare, i antologjive të krijuesve shqiptarë, përkthyes i përsosur nga rumanishtja në gjuhën shqipe dhe anasjelltas, dhe mbi të gjitha një ambasador i vërtetë i kulturës sonë në Rumani dhe Evropë.

Nuk mund ta përfundoj këtë recension pa theksuar se shumë fotografi e dokumente që ndodhen në këtë libër me 150 faqe, janë një thesarr i mirëfilltë kombëtar. Është thënë shumë herë se një fotografi e mirë flet më shumë se njëmijë fjalë. Kjo thënie konfirmohet edhe nga begatia që ofron Vilhelme Vranari Haxhiraj në kuadrin e librit të saj ”Bashkë në dashuri dhe atdhetari”. Unë rekomandoj që secili lexues i cili është i interesuar për të lexuar libra që zgjojnë kureshtjen ta kenë këtë libër në bibliotekën e vet. Ju garantoj se Jua dërgon falas Bakiu sipas porosive, ngase tryezën e ka plot. Duke e shfletuar këtë vepër, njeriu mëson për shumë gjëra impresionuese, për një varg rrethanash e raportesh interesante, por në të njëjtën kohë e pasuron dhe fisnikëron shpirtin e vet, në rradhë të parë me dashuri ndaj familjes, kombit dhe atdheut.

 


Faqe 25 nga 79

Newsflash

Në 50-vjetorin e numrit të parë:

“MËSUESI”, EMËR I NDERUAR NË SHTYPIN TONË PEDAGOGJIK

Nga: Prof. Murat Gecaj

Publicist e studiues-Tiranë

Kur më kërkuan kolegët e revistës së sotme ”Mësuesi”, që të shkruaja pak radhë me rastin e 50-vjetorit të daljes së numrit të parë të gazetës sonë të dashur, me emrin aq simboklik “Mësuesi”, ndieva emocion të veçantë. Së pari, kujtova ato afër 22 vite (1981-2002), që i kalova bashkë me të, kohë kur ajo shënoi arritje të mëtejshme në udhën e bukur të arsimimit dhe edukimit të breznive të reja në Shqipëri. Solla në kujtesë të gjithë redaktorët e drejtuesit e tij, të cilët nuk kursyen dijet as energjitë e tyre, mendore e fizike, në shërbim të mirërritjes së saj.
Por, njëkohësisht, këto ditë të fillimit të vitit të ri arsimor 2011-2012, kur gazeta jonë (tani revista “Mësuesi”) mbushi 50 vjet, nga 1 shtatori 1961, më erdhi ndërmend edhe udha e përshkuar nga shtypi ynë pedagogjik, ndër vite.

Lexo ma...