Dituria

  • Rrit madhësinë e fondit
  • Madhësia normale e fontit
  • Ul madhësinë e fontit
Home
Debattartiklar


Eriola Hyseni: E lindur femër!

Artikull nga Eriola Hyseni

E lindur femër!

Femra është në të gjitha kohët e historisë, sepse femra është historia e të gjitha kohërave.

Gj. Zalazar Henoe.

Një pohim i tillë është shumë universal dhe gjithëpërfshirës, pasi flet për rolin e femrës si e tillë duke u mbështetur në konfirmimin historik, të këtij roli dhe këtu nuk ngelet më vend për komente. Personalisht nuk dua të hedh vështrimin në drejtim të faktorëve të jashtëm, që ndikojnë në rolin e femrës në shoqëri, pasi ata thjesht mund t’a modifikojnë karakterin e individit, por kurrsesi nuk munden t’a ndryshojnë. Dominantë janë faktoret e brendshëm dhe natyra e gjithësecilit, përtej ndasive gjinore. Ndikimin e shoqerisë në karakterin e individit e ilustron shkëlqyeshëm ky shembull nga mitologjia Greke. (marrë nga libri “Perënditë e cdo mashkulli” nga Jean Shinoda Bolen)

Kusari Prokrust, zinte pritë rrugën nga Megara në Athinë dhe udhëtaret, i vendoste për kallëpe me përmasa standarte. Nëse personat ishin po aq të gjatë sa kallëpi, atëhe ata e kishin më të lehtë, nëse ishin më të shkurtër i terhiqte me anë të një pajisjeje të veçantë dhe nëse ishin më të gjatë i priste.

Edhe shoqëria vepron në të njëjtën mënyrë me individet. Njerëzit, arketipat e sjelljes së të cilëve u pershtaten stereotipeve të vlerësuara sociale, e kanë më të lehtë, brenda shoqërisë. Individet, të cilët, nuk pershateten natyrshëm me kallëpet sociale, kalojnë nëpër një proces të mundimshëm përshtatjeje. Këtu po sjell një citat nga përshkrimi, qe i bën ketij fenomeni Jean Chinoda Bolen:

Në pamje të parë, mund të duket se një person u përshtatet në mënyrë të shkëlqyer kërkesave të jashtëme, por në të vërtetë ai mund t’a ketë arritur këtë me një çmim te lartë – duke prere disa elementë të rëndësishëm të personalitetit të tij. Ndoshta, ky njeri ka qenë i detyruar të zgjasë disa vija karakterizuese të tij, për t’iu pershtatur kërkesave – por këto vija nuk arrijnë të kenë thellësinë dhe ndërlikimin e duhur dhe për këtë sukseset e arritura për vetë personin nuk kanë asnjë vlerë shpirtërore.

Të tillë kallepë, ka cdo shoqëri përfshirë edhe shoqërinë shqiptare dhe kjo është e natyrëshme dhe e përbashkët si për femrat ashtu edhe për meshkujt. Përtej këtij aspekti të përbashkët, do të doja të ndalesha tek arketipat universalë të femrës si natyrë, dhe më pas të mund të shqyrtoja, se si e gjejnë veten femrat në kallëpet e shoqërisë shqiptare, lidhur kjo me atë çfarë janë, lidhur me atë farë shoqëria u ofron dhe lidhur me atë në çfarë pozicioni meshkujt shqiptarë i vendosin ato.Po i referohem sërish Jean Chinoda Bolen: Sipas kësaj psikoanalisteje arketipet femërore, të simbolizuara me Perendeshat e Mitologjise Greke, grupohen në tre grupime:

  1. Perëndeshat e virgjëra

Artemisa – femra e pavarur që ndjek pikësynimet e veta në fushën që ajo vetë zgjedh, e zonja të kujdeset për veten dhe nuk ka nevojë për një mashkull për tu ndier e kompletuar dhe ia del mbanë vetë pavarësisht kë burrë ka në krah.

Athina – femra praktike, logjike, e udhëhequr më tepër nga ndjesia shoqërore se sa nga zemra. E kërkon më tepër shoqërinë mashkullore se sa Artemisa dhe Hestia, por lufton si e barabartë me ta. Këshilltare dhe stratege e shkëlqyer.

Hestia – femra e përkushtuar ndaj përditshmërisë, shtëpisë dhe integritetit moral, në pamje të parë gruaja e qetë dhe e nenshtruar ndaj burrit por realisht ruan pavarësinë e saj të brendëshme dhe mbretëron në botën e vetë në heshtje.

  1. Perëndeshat vulnerable

Persefona – femra fëmijë dhe njëkohësisht femra mbretëreshe e botës së brendëshme. Megjithëse në thelb femra e pambrojtur, femijënore, e adaptueshme me dëshirat e tjetrit më të pushtetshëm deri në manipulim të tij, kur nëpërmjet pervojës femra “Persefone” rritet, bëhet e aftë të lidhë botën e pandërgjegjëshme dhe psikike më të thellë, duke u bërë tejet intuitive dhe fleksible.

  1. Perëndeshat alkimike

Afërdita – lumturia e femrës Afërdite është pasioni dashuror.

Këto arketipe femërore janë universale. Po i rikthehem realitetit shqiptar. Femrat "Hestia, Hera, Demetra dhe Afërdita" e lidhin lumturinë e tyre me celulën e rrethit të ngushtë familiar dhe ndihen të plotësuara nëse gjejnë ambientin e duhur familiar apo dashuror. Në kallëpin e shoqerisë shqiptare Hestia, Hera dhe Demetra janë femrat që përshtaten më mirë dhe që vetë shoqëria i nxit të jenë të tilla. Me mundim ose jo, e paragjykuar ose jo, natyra e Aferditës është një natyrë, e cila i ka gjetur hapësirat në çdo kohë dhe rend shoqëror. Lumturia dhe vetëplotesimi i tyre nuk lidhet me të qënit aktive në nismat sociale, angazhimet shoqërore apo zhvillimet politike, por me krijimin e kushteve të pershtateshme për zhvillimin harmonik të tyre në familje, pra me lumturinë e familjeve shqiptare. Ndikimi i shtetit për mirëqenien e këtyre femrave në shoqërine tonë është disi indirekt, në këtë rast me anë të mundësimit të zhvillimit ekonomik, për shoqërine në total, nxitjes së zhvillimit socio – kulturor, si dhe sensibilizimi për ruajtjen e vlerave morale, gjë që do të sillte përmirësim të komunikimit ndërmjet individëve të veçantë brenda shoqërisë dhe akoma më tej brenda familjeve. Por siç u permend edhe më sipër se njerëzit, të cilët janë më të shkurtër, se kallëpet e shoqerisë detyrohen të zgjaten deri sa të hen të dobishëm pr shoqerinë vetë, në shumë raste këto femra megjithëse nuk e lidhin lumturinë e tyre me punën jashtë shtëpisë, janë të detyruara të punojnë dhe ky nuk është vetëm fenomen shqiptar por universal. Në rastet kur femra të tilla, kanë në krah meshkuj patriarkalë, ose meshkuj të cilët sigurojnë të ardhura mjaftueshme për ekonominë familjare, atëherë ato ndihen në harmoni. Për t’u ndier të lumtura këto femra kërkojnë punësim për bashkëshortët, apo femijët e tyre, dhe vlerësim prej këtyre të fundit. Në rastet kur shoqëria, apo politika i vendos ato në pozicione vendimmarrjeje, ato mund t’a realizojnë fare mirë, por vetëm duke u zgjatur per t’iu përshtatur kallëpit.

Por si në gjithë botën edhe në Shqipëri, janë të pranishme edhe arketipet femërore, të cilat e lidhin lumturinë e tyre me të qënit aktive dhe të kontribuarit në shoqëri. Por sa inkurajohen këto femra kaq të dobishme dhe të afta për të kontribuar për të gjithë shoqërinë, nga vetë shoqëria jonë? Femrat “Artemisa, Athina dhe Persefona” kanë pasur deri më sot fate të ndryshme në shoqërinë shqiptare në tërësi dhe në politikën shqiptare në veçanti. Kush janë Artemisat shqiptare? Janë ato femra me karakter deri diku mashkullor, të cilat janë vetë burrë, vetë grua në familje dhe në pozicionet në të cilat i ka vendosur shoqëria. Duket sikur ky është standarti kryesor që ka vendosur shoqëria jonë për femrat direkt apo indirekt, pasi dashur padashur të gjitha femrat e tjera gjenden të detyruara të ndjekin këtë stereotip, qofshin ato “Hera, Aferdita apo Athina”. Në shoqërinë tonë ka shumë papunësi dhe probleme sociale, deri në atë pikë sa vargjet e çajupit marrin një vlerë aktuale:

“Burrat nënë hie

Lozin kuvendojnë

Pika që su bie

Se nga grate rrojnë

Të gjendura përballë një realiteti ku ka shumë meshkuj pa punë, ose të varur nga lojërat e fatit, apo cfarëdo varësishe të tjera, një shumicë femrash shqiptare, gjenden përballë detyrimit për të qenë “Artemisa”, pavarësisht nëse kjo nuk është prirja e tyre natyrore.Nga ana tjetër është krijuar ideja se në politikën shqiptare kanë vend, vetëm “Artemisat”, për arsye se dominanca mashkullore nuk ka lënë hapësira për arketipet e mirëfillta femërore. Kështu janë apo nuk janë të tilla, femrat shqiptare gjenden të detyruara t ‘i shëmbëllejnë një arketipi të tillë në politikë. Ky është një problem shumë i madh, i shoqërisë tonë në tërësi dhe i politikës shqiptare në veçanti. Ky është një problem sepse femrat “Athina dhe Persefona”, të cilat kanë prirje natyrore të kontribuarit në shoqëri, ose nuk munden të kontribojne si duhet ose zgjatin vijat e karakterit të “Artemises”, duke shkurtuar ato pjesë absolutisht të nevojëshme për shoqërinë, të karakterit të tyre.Femra “Athinëështë femra luftëtare, stratege dhe praktike, shumë e aftë për të drejtuar dhe shumë bashkëpunuese. Ajo është një mbështetje shumë e fortë për mashkullin tonë. Nëse meshkujt e angazhuar ose jo në politikë anashkalojnë një femër të tillë, humbasin një forcë shumë të madhe levizëse të shoqërisë.

Psikologu Daniel Levinson shprehet:

“Jo rrallë, në jetën e një mashkulli është e pranishme “femra e veçantë” , e cila luan rolin e ruajtëses së endrrës.”

Shoqëria jonë ka nevojë të dalë nga prapambetja dhe paragjykimet dhe të vlerësojë femra të tilla, sepse ato janë të shumta në shoqerinë tonë megjithëse të shtypura dhe të detyruara t’u shëmbëllejne skemave tradicionale.Femra tjetër e aftë për t’i dhënë shumë shoqërisë tonë është femra “Persefona”. Ky është arketipi femëror që më pak e gjen veten aktualisht në shoqërine tonë, sepse Persefona është shumë e aftë të përshtatet me rregullat e lojës por thellë brenda vetes, mbetet e lidhur me punën nëntokë. Kjo femër del pakë sken sepse pret momentin e duhur. Femra të tilla duhet të zbulohen dhe ndoshta ka ardhur momenti që të zbulohen. Të tilla femra, duke mos pasur dëshiren të jenë “Artemisa”, struken në botën e tyre të nëndheshme, por janë të afta të dalin në momentin e duhur dhe të marrin vendimet e duhura apo të kenë ndikimin e duhur në zhvillimin e shoqërisë. E ardhmja jonë ka nevojë për femra të tilla, të afta të përshtaten me situatat e reja dhe vështirësitë e reja që shfaqen dhe t’ia dalin mbanë përsëri. Në politikën shqiptare të tilla femra deri më sot nuk kanë qenë të vlerësuara. Mungesa e vlerësimit të femrave “Athina dhe Persefona” në politikën shqiptare ka thelluar më tej totalitarizmin mashkullor si kundrejt femrave, ashtu edhe kundrejt tërë shoqërisë, sepse duke vendosur kallëpe të tilla të ngushta ka prerë një pjesë shumë të domosdoshme për të. Ka ardhur koha që kjo të ndryshojë!

 

Të dashur bashkatëdhetar, shokë, miq, vëllezër...dëgjues!

Të dashur bashkatëdhetar, shokë, miq, vëllezër...dëgjues!
2 KORRIKU  është një datë e shënuar me shkronja të arta në Kalendarin
Historik të Botës Shqiptare dhe të neve në redaksinë e Radio "Zëri i Arbërit";
Përkujtojmë 2 Korrikun e vitit 1990 kur delegatët e atëhershëm të Kuvendit
të Kosovës i thanë JO-në e madhe Serbisë okupuese...
Duke pasur parasysh këtë fakt dhe mijëra tjera para e pas saj, edhe ne pas
asaj golgote të cilën e pësuam, pas atij kalvari biblik...deshëm që sadopak  të
bëjmë  diçka për fëmijët tanë, bashkatdhetarët tanë fillimisht këtu në Norvegji e tani
kudo në botë; më 2 Korrik 2001 hapëm radiostacionin që aq bukur simbolikisht
tingëllon, "Zëri i Arbërit". Pikërisht në këtë datë për herë të parë u dëgjua fuqishëm
zëri Arbënor në etërin e Norvegjisë "Ju flet radio "Zëri i Arbërit" në valën FM 99.0 MHz"!
në radiostacionin regjional RADIO FOLLO i cili dëgjohej edhe 50 kilometra në
brendi të Suedisë...
Para kësaj përshëndetje në gjuhën e Perendisë, realizatori teknik i Radio Follos,
z.Per Sverre Egen, në fund të emisionit, kur duhej të fillonte programi shqip, informoj
mesa vijon dëgjuesit norvegjez: "Tani në vazhdim do dëgjoni premieren botërore, zërin
shqip për komunitetin shqiptar në Norvegji"...A mund të përshkruhen emocionet kur u
dëgjua HIMNI I FLAMURIT? Pastaj fjala hyrëse e redaktorit, informatat për Kosovën me
përplot plagë kur ende gjaku ishte i freskët e më të dashurve tanë s`ua dinim as varret...
Pastaj, emisioni për fëmijë "E dua Atdhenë" dhe ato këngë me vlera dhe shprehjen e
bindjes sonë se: Kurr më s`do u prishet lumturia...ëndërrat e tyre! Pasuan këngët me
vlera për të rënët, fjalët e mendimtarëve të mëdhenjë, prezentimi i figurave të shquara
Kombëtare dhe në fund të orës së parë një pikë e mirfilltë humori,(dëshmi këto të cilat
ruhen në arkivin e radios me mijëra skedar edhe sot pas 13 vitesh).
Vitin e parë e filluam me vetëm një orë program;
Vitin e dytë me tre orë programe, kurse vitin e tretë me pesë e në nëntor të vitit 2003
me shtatë orë programe të drejtëpërdrejta...
Nga data e shenjët, 17 Shkurti, 2008, emitojmë program 24 orë për çdo ditë dhe ate
nga 5 e 6 orë drejtëpdrejtë me program edukativ ku pseudovlerat s`kan vend tash 13 vite.
Pasqyra e programeve ditore mesa vijon: për çdo ditë emisioni për fëmijë nga ora 20-
21;00 e pastaj "Mikrofoni i dëshirave të dëgjuesve" Nga ora 22:00 çdo ditë Kalendari
Historik i Botës Shqiptare dhe nga ora 22:00 - 02 pas mesnate temat kryesore në ditët
mesa vijon:
E hënë - Arkivi i radios dhe sa ju ka pëlqyer programi një javor i "Zërit..."
E martë - Sote radhën e ka...emisioni Ftesë në studio, me mysafir...
E mërkurë - Top lista e këndëve; folklorike, popullore, argëtuese...
E enjte - Fjala e bukur artistike,(deklamojmë vargje të Rilindasve e brezat të cilët
i pasuan dhe afirmojmë edhe pena të reja);
E premte - Kuizi i diturisë:22:00-24:00; 00:00-02:00 Programi i natës;
E shtunë - Mbrëmja gazmore dhe
E dielë - Programi me "Thesarët e odave shqiptare", sajuar me anekdota, thënie
të mendimatërëve të mëdhenjë, satirë etj.
Ne në redaksinë e "Zërit të Arbërit" jemi duke e përgaditur librin monografik për
këtë medium i cili dëgjohet edhe në Zelandë të Re, Amerikë, Kanadë...kudo në
Evropë e trojet shqipëfolëse...ku do zënë vend mijëra letra...puna stafit dhe kontributi
i dëgjuesve i skalitur në skedar dhe shumë gjëra me vlera...
Këtë gëzim të papërshkruar deshëm ta ndajmë edhe me juve të dashur miq kudo që
jeni.
Me respekt, Imri TRENA, Kryeredaktor i radios

 

Murat Gecaj: Faqe nga zhvillimi i arsimit në Çamëri

Profil i shkollave shqipe:


“SOT ÇELMË KËTU, ME SHUMË LAVDËRI, NJË SHKOLLË SHQIP”

(Faqe nga zhvillimi i arsimit në Çamëri )

Këtu në Prevezë tashti...zunë të mësojnë shqipen. Pa na duhen abetare të mëdha dhe të vogla se, sa herë që i flasim ndonjë shqiptari për nevojën e shqipes, na kërkon abetare. E, kur s' kemi t'i apim, helmohemi".

 

Nga: Prof. Murat Gecaj

publicist e studiues-Tiranë

 

 

Ashtu si kudo në vendin tonë edhe në krahinën e Çamërisë u bënë përpjekje të shumta për përhapjen e mësimit shqip dhe për çeljen e shkollave në gjuhën amtare. Kështu, në vitet e fundit të shekullit të 19-të, atdhetari Rexhep Demi e bashkërendoi punën me Sabri Prevezën (1862-1929), me synimin kryesor përhapjen e shkrimit të gjuhës shqipe në të gjithë Çamërinë. Kështu, u dendësua edhe puna për shpërndarjen e librave dhe të gazetave shqipe, si në Çamëri dhe në Shqipërinë e Jugut. Vetëm në Prevezë, Sabriu u kishte mësuar shkrimin e leximin shqip disa bashkatdhetarëve. Më 1899, ai i shkruante shoqërisë "Dituria" të Bukureshtit, me të cilën mbante lidhje të vazhdueshme:

"Duhet të zgjojmë ata mëmdhetarë, që gjenden në gjumë e të mos i trembemi Fizanit dhe Bosforit, se posa u trembëm këtyre...s' fitojmë gjëkafshë, andaj duhet të kemi guxim e shpejtim në shërbesë të mëmëdhesë, sa që të fitojmë qëllimin. Këtu në Prevezë, tashti...zunë të mësojnë shqipen, pa na duhen abetare të mëdha dhe të vogla. Se, sa herë që i flasim ndonjë shqiptari për nevojën e shqipes, na kërkon abetare. E, kur s' kemi t'i apim, helmohemi".

Sabri Preveza, si shumë atdhetarë të tjerë të penës e të pushkës, u përfshi nga vala e kryengritjeve të mëdha antiosmane të viteve 1910-1912, që çuan në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 Nëntor 1912. (Më 1925, i ndjekur nga shovinistët grekë, ai u vendos në Sarandë, ku dhe vdiq).

Po tërë kjo veprimtari atdhetare e arsimore tërhoqi vëmendjen e qarqeve shoviniste dhe iu kundërvunë përhapësve të shqipes. Ashtu si në krahinat e tjera të Shqipërisë, ata u vërsulën me ashpërsi edhe ndaj atdhetarëve në Çamëri. Më në fund, në vitin 1900 e arrestuan Rexhp Demin, në Filat dhe e dërguan në Janinë, qendra e vilajetit. I kontrolluan shtëpinë, sidomos për të gjetur libra shqipe, gjë që për shovinistët përbënte faj të rëndë. Librat e gazetat shqipe, që iu gjetën, ia morën të gjitha. Për "krimin", që kishte bërë, ky atdhetar u mbajt dy vjet në burgjet e mykura të Janinës. Por edhe aty ai nuk u tërhoq nga puna e tij e frytshme për mësimin e shqipes. Në bashkëpunim me nxënësin e tij, Qamil Çami, themeluan një shoqëri të fshehtë, në të cilën bënin pjesë me dhjetëra nxënës. Ajo mori emrin simbolik "Vëllazëria".


Rexhep Demi(1864-1929)

Ndër synimet kryesore të anëtarëve të kësaj Shoqërie, ishte mësimi i gjuhës amtare shqipe. Kështu, pas përgatitjeve të duhura, u arrit që më 7 shtator 1908, në Filat, të çeleshin dyert e një shkolle fillore në gjuhën shqipe. Në një telegram, të dërguar nga Musa Demi, thuhej: "Me gaz të madh u japim një sihariq se sot çelmë këtu, me shumë lavdëri, një shkollë shqip dhe bëmë disa fjalë mëmëdhetarisht".(Gaz. "Lirija", Selanik, 14.09.1908, faqe 2). Afërsisht, po në atë kohë u hap një shkollë tjetër shqipe në Luros të Çamërisë. Mësuesit e parë të shkollës së Filatit ishin: Qamil Izet Çami, drejtor e mësues dhe Hamit Demi, mësues. Shpejt ata morëm masa dhe për kurse mbrëmjeje, ku të rriturit mësonin shkrim e këndim shqip. Reaksioni i armiqve ishte i madh, ndërsa vendosmëria e mësuesve dhe e prindërve ishin për ta vazhduar me çdo çmim punën e nisur. Për këtë gjë, mësues Qamili shkroi edhe disa vargje, në të cilat shprehej me entusiazëm: "E hapën e u gëzuan (shqiptarët, shkollën),/ grekët e djallit u helmuan,/ çami, bir' i astritit/ i dha dërrmën moraitit". Vështirësitë për libra e mjete mësimore ishin të shumta. Por vetë mësuesi Izet Çami punoi për përkthimin e materialeve të duhura nga gjuha frënge. (Ibrahim D. Hoxha, gaz. "Çamëria", 18.04.1991, faqe 6)

Veprimtarinë e tij, në shërbim të arsimit kombëtar, Qamil Çami e vijoi më tej, duke bërë të mundur ngritjen e një shkolle të mesme shqipe, po me qendër në Filat. Ndër të tjera, aty do të përgatiteshin mësuesit e rinj për të hapur shkolla shqipe, kryesisht në Jug të Shqipërisë. Gjatë kësaj periudhe, ai bashkëpunoi me shtypin e kohës, sidomos me gazetën "Zgjimi i Shqipërisë", që dilte në Janinë dhe shkroi vjersha me temë atdhetare. Tërë kjo veprimtari i egërsoi shovinistët, të cilët e vlerësuan "njeri të rrezikshëm", e pushuan nga puna dhe e internuan në një fshat, afër Edrenesë. Megjithatë, nuk iu bind urdhërit, por rroku armët, doli në mal dhe u bashkua me çetat kryengritëse. Pas shpalljes së Pavarësisë, u vu me të gjitha dijet e aftësitë e tij në shërbim të arsimit kombëtar. Mori pjesë aktive në Revolucionin e Qershorit 1924 dhe e caktuan drejtor shkolle në Konispol. Më pas, e transferuan mësues në fshatra të Beratit dhe më 1930 në konviktin "Çamëria"-Sarandë. Por, pas tre vjetësh, kur Qamili kishte dhënë aq shumë për Atdheun e arsimin në gjuhën shqipe, vdiq në Tiranë, në moshën 48-vjeçare.

Në vazhdim të punës së bërë, në pranverën e vitit 1910 funksiononin disa shkolla shqipe, përveç asaj të Filatit e Mallakastrës së Çamërisë. Të tilla ishin shkollat në: Konispol, Ninat, Koskë, Janjar, Konicë e Mazarek. Në shkollën Mesare të Leskovikut ishte mësues Haki Glina, intelektual "mjaft i njohur midis atdhetarëve". Detyrën e mësuesit shëtitës për fëmijët çamë e kryen disa intelektualë atdhetare, ndër të cilët u dallua Hamza Tatzati e të tjerë. E njohur është dhe ndihmesa, që dha atdhetari Dervish Hima në verën e vitit 1911. Ai grumbulloi "të holla për të themeluar shkollë shqipe në Filat të Çamërisë", për të cilën shkruante se: "Kjo shkollë do të jetë shumë e dobishme për ne dhe unë po përdor gjithë vullnetin tim dhe gjithë energjinë time për të arritur suksesin e saj". Përpjekje u bënë dhe për hapjen e shkollës së Janjarit. Për shkollat shqipe në Filat u caktua si përgjegjës Qamil Efendiu, por në punën e tij i dolën shumë pengesa nga autoritetet qeveritare.

Në Prevezë u kërkua me ngulm që mësimi i shqipes të futej, përveç idadijes, edhe në shkollat fillore turke. Të papërtuar në përhapjen vullnetarisht të mësimit të gjuhës amtare te fëmijët e të rriturit u treguan intelektualët atdhetarë Qamil Çami, Musa Demi e të tjerë. Atdhetarët shqiptarë shtruan detyrë përgatitjen e mësuesve të shqipes në shkollat pedagogjike, që u menduan të hapen në Margariti e Janinë. (Dr. Apostol Pango, Sarandë, 28.02.1999).

Pra, gjatë viteve 1908-1912, ashtu si në krahinat e tjera, mësimi i shqipes në Çamëri mori përhapje edhe jashtë dyerve të shkollave shqipe. Sali Filati (Çeka) shkruante kështu: "Çamëria sot mori një lëvizje përparimi. Ky çip i vjetër i Shqipërisë ngreh gjerdhet nga kopështrat e diturisë dhe sheh bilbilët, lulet, fatbardhësinë e qytetërimit".(Gaz. "Korça", nr. 9, 20.05.1910).

Në vitet e mëvonshme, mësimi në gjuhën amtare shqipe në krahinën e Çamërisë u përball me rrethanat e vështira historike, që u krijuan si pasojë e shpërguljeve masive të atyre banorëve, larg trojeve të tyre të stërlashta shqiptare. Megjithatë, kudo që i çuan valët e jetës, në zemrat e tyre mbeti kurdoherë e gjallë dhe pashuar dashuria për shkronjat dhe fjalën e ëmbël shqipe.

 

Kadrije Meniqi: NË FJÄRDINSKOLAN DITURI, KULTURË, PUNË, EDUKATË ISHIN ELEMENTE QË SHOQËRONIN KËTË SHKOLLË CILËSORE SUEDEZE NË BORÅS TË SUEDISË

Kadrije Meniqi

NË FJÄRDINSKOLAN DITURI, KULTURË, PUNË, EDUKATË ISHIN ELEMENTE QË SHOQËRONIN KËTË SHKOLLË CILËSORE SUEDEZE NË BORÅS TË SUEDISË


Në udhën e gjatë ajrore nga Vushtria për në Suedi isha në vorbullën e misterit që ka secili kur sheh një vend të paparë. Më shkonte mendja të ftohtësia. Ftohtësi polare??? Një vend i ftohtë, thashë me vete, do të ketë dhe njerëz të ftohtë. Tashti më duhet që publikisht të kërkoj falje për atë mendim të strukur thellë brenda vetes. Zjarre mund të ndezësh kudo. Kudo kudo, po një vend ku flasin të paktën 32 gjuhë të botës duhet të ketë brenda vetes një zjarr gjigand . Një zjarr që nuk dihet se kur është ndezur së pari apo se kur do shuhet. Një zjarr që më kujtonte odat e kullave të Kosovës ku ka shumë fëmijë E unë isha brenda tyre . Si mësuese , Si pjesë e Kosovës që, ndoshta më shumë se çdo vend në botë e ka dashur ngrohtësinë.


U nisëm në këtë rrugëtim të largët por me një mission të madh, me një projekt madhor “ Udha e shkronajve” e filluar para ca viteve me shkollën “ Demokracia “ të Durrësit” për të vazhduar në shtetin më të ri të Kosovës, në qytetin e të madhit Hasan Prishtina, në Vushtrrinë e lashtë, në shkollën “ Ali Kelmendi”. Ky bashkëpunim i inicua fal mësuesit, poetit dhe publicistit të madh z.Sokol Demakut dhe miqëve suedez të shkollës Fjardingskulan të Borasit.

Ftesat i kishim dhe në këtë grup pune ishte kryetari i komunës së Vushtrrisë z.Bajram Mulaku, mësuesja e klasës së pestë z.Ilmije Halili, edukatorja Ferdane Hysseni dhe unë drejtoresha e shkollës Kadrije Meniqi.


E prisnim me padurim dhe kjo ditë erdhi. Agun e mëngjesit e pritëm në një shkollë qindra kilomatra larg, në qytetin e bukur të Suedisë, në Boras.Një shkollë me shumë ngjyra, ku cicërronin 32 gjuhë të botës, ku ngrohtësia shpirterore e mësuesve binte sikur dielli mbi këtë planet, ku klasët gjasonin në ylber sepse ylberi kishte zënë vend në atë shkollë.

Në shumë vende të botës fillimi i një mësimi ka një sinjal, një zile po aty ishte ndryshe, ndryshe fare ndryshe…Mos ishte një botë tjetër?????

Po, një botë ndryshe, një botë ku mirësia, dashuria dhe çdo gjë e bukur ishte skalitur që moti, ku Konventa për të Drejtat e Fëmijëve ishte realitet që shihej në cdo kënd.

Dituri, kulture pune, edukatë ishin elemente që shoqëronin këtë shkollë cilësore.


Dita e parë, takimi ynë i parë me drejtuesit e shkollës dhe mësuesin, gazetarin, publicistin dhe poetin e njohur z/Sokol Demakun i cili gjatë gjithë kohës përkthente fjalë për fjalë prezentimet e mësuesve dhe drejtuesve të shkollës Fjardingskolan të Borasit, e ne ashtu të habitur merrnim shumë përvoja të mira që nesër t`i bartim në shkollën tone me dashuri dhe kënaqësi.

Vizitë gjatë orëve mësimore ishte përvojë tjetër e bukur për ne. Ajo më e bukura ishte fryma demokratike që karakterizonte këtë shkollë. Pastaj kultura etnike ishte çelësi i suksesit dhe harmonisë brenda kësaj shkolle. Të gjithë fëmijët bashkë pa dallim ngjyre, etnije dhe feje, të gjithë një, të gjithë të barabartë për të ecur drejt shtigjeve të diturisë dhe edukimit, dhe kjo ishte mrekulli, ky është shembull i një shteti demokratik , një shteti ku respektohet barazia dhe vlera e të qenurit njeri.

Vizitë parashkollorëve, fëmijëve që na befasuan me prezentimet e tyre, me lojën dhe vendimet që merrnin në Këshillin e nxënësve, dhe këtu është suksesi, këtu reflektohet e bukura nga hallka e pare e arsimit dhe edukimit, nga niveli 0 ku fëmijët mësohen të vendosin për gjëra të mira për të përmirësuar jetën e tyre ne shkollë, për fjalën e tyre që dëgjohet me seriozitet dhe realizohet nga edukatoret dhe drejtuesit e shkollës…. Vetëm kështu edukohen fëmijët në frymë demokratike….


E bukura nuk ndalet këtu. Ne vazhduam rrugën në pyllin e shkollës, dhe duke ecur rrugës plot gjelbërim dhe drunjë të lartë e shumë të vjetër ku na shoqëronte zëri i zogjve të malit dhe aroma e pishave, mbrimë në vendin ku na pritnin parafilloret me edukatoret e tyre, në vendin e përrallave që ne kishim parë dhe dëgjuar vetëm nga librat …

Një kasolle nga druri, nje vend për të ndezur zjarr dhe ulëset përreth, anash drunjët gjikand, ku parashkollorët kalonin çastet më argëtuese duke luajtur dhe mësuar njëkohësisht. Detyrat që merrnin nga edukatoretm të ndarë në grupe ishin shumë inetresante dhe joshëse. Fëmijët posa merrnin detyrën si bletët vraponin për të realizuar atë mission dhe ktheheshin në zgjojet e tyre, të buzëqeshur, plotë jetë sepse jeta ishte aty në atë pyll plotë mrekulli, ajër të pastër që hynte thellë në mushkritë e fëmijëve. Ne mësuam se në atë pyll kishte shumë kitra dh kaproj dhe se fëmijët kishin shumë njohuri për këta shtazë dhe bimët që i kishte fal nëna Natyrë. Për t`u bërë edhe më bukur aty ishin ndërtuar lodërat e punuara nga druri natyral dhe përdoreshin për argëtim dhe zhvillim fizik të këtyre fëmijëve.


Do ndalem edhe pak te parashkollorët, ata kishin punuar shumë vizatime të bukura të cilat ishin të ekspozuara në sallën e mësimdhënësve, dhe ajo që kishin vizatuar ishte personazhi shumë i dashur i tyre, Pinokio, për të cilin kishin dëgjuar nga edukatoret e tyre por edhe e kishin parë dhe vizituar këtë skulpturë në qytetin e tyre të bukur. Nuk ishte e vetmja skulpturë, qyteti iBorasit kishte shumë të tilla që për fëmijët dhe vizitorët ishte një kënaqësi e paparë.

Qytet i rrethuar me male, me numer të madh liqeneve, skulptura, shkolla, universitete, det, parqe dhe shumë e shumë gjëra të bukura, na la mbresë të pashlyer në mendjen tonë.

Ditët kaluan aq shpejtë sa na u dukën si sekonda. Erdhi dita ta analizojmë punën tonë.


Ishte kënaqësi të dëgjonim prezentimin e drejtorit të shkollës dhe bashkëpunëtorëve të tij. Çdo gjë e planifikuar mirë duke marr mendime nga ne dhe mësueset nga shkolla Demokracia e Durrësit.

Tashmë projekti kishte pikat e planit. “ Udha e shkronjave”, pikat e planit E- grupet etnike, M-matematika, dhe D-vlerat e demokracisë, do vazhdon rrugëtimin me partnered A- Shqipëria, K-Kosova dhe S-Suedia, me metodat e projektit, Vizitat, Letrat e këmbimit-emailat, dhe Bloggun e përbashkët . Gjithë kjo punë e bërë me seriozitet të madh duke definuar edhe nivelet e Bloggut, si drejtori, mësuesi dhe nxënësi padyshim që do të ketë edhe rezultate dhe suksese.


Pas këtij takimi shumë efektiv ne kaluam çaste të paharruara në sofrën shqiptare, në familjen e nderuar të poetit z.Sokol Demakut, dhe kjo ishte një mikëpritje që na nderoi dhe na bëri të ndihemi krenar për bashkëkombasin tone Sokolin dhe familjen e tij.

Kështu na nderuan edhe shumë bashkëkombas që jetonin e vepronin në këtë qytet të bukur të Suedisë. Kështu na nderuan edhe miqët suedez të cilët i falenderojmë nga zemra.

Kjo vizitë përfundoi këtu për të vazhduar sërish vizitat në shkollat bashkëpunuese, ngase projekti Udha e shkronjave veç sa ka filluar…

Suksese dhe shumë fat në këtë rrugëtim të diturisë dhe kultures…..

 

Vlashi Fili: Përfundoi viti mësimor, në shkollën shqipe “Gjuha Jonë”)

“SHQIPËRIA ËSHTË VENDI, QË MË PËLQEN MË SHUMË”

(Përfundoi viti mësimor, në shkollën shqipe “Gjuha Jonë”)

Nga: Vlashi Fili

Filadelfia-SHBA


Nga ceremonia e mbylljes së vitit shkollor…

Ja, erdhi edhe dita mbyllëse për vitin arsimor 2013 – 2014, në Shkollën Shqipe “Gjuha Jonë”, në Filadelfia të SHBA. Ishte ndryshe nga ditët e tjera. Ajo filloi me testimin e nxënësve, për të treguar se sa kanë përparuar në gjuhën shqipe, gjatë tërë vitit dhe përfundoi me shpërndarjen e dëftesave.

Është viti i dhjetë i kësaj shkolle. Me njëmbëdhjetë sezione mësimore, që ajo ka zhvilluar, kanë dalë plot fëmijë që kanë mësuar ose përmirësuar gjuhën e nënës dhe që sot vazhdojnë shkollat e mesme a të lartat.

Nxënësit dhe mësueset u mblodhën së bashku, në sallën kryesore të Qendrës Kulturore të Shoqatës sonë, për ta filluar ditën e mësimit, si zakonisht, me Himnin e Flamurit tonë Kombëtar. Pastaj, të ndarë në klasa, me mësueset në krye, ata u ulën nëpër klasa, të gatshëm për të bërë testimin përfundimtar. Tri klasat e para u testuan në diktim, kurse dy të tjerat, e katra dhe e pesta, në hartimin me temë të lirë.

Në përfundim të orës, mësueset bënë kontrollin e fletë-testimeve, bënë korrigjimet e duhura dhe vlerësuan testin e secilit nxënës. (Fletë- testimet ruhen në fondin e shkollës, sipas klasave përkatëse). Mësuesja e vitit të fundit, Raimonda Bardhi, që është njëkohësisht edhe drejtore e shkollës, përcaktoi hartimin më të mirë. Ja çfarë shkruante ajo, në fund të hartimit të nxënëses së klasës së pestë, Angelina Sali, që u vlerësua I tillë: “Të lumtë! Krijimi dhe hartimi kanë përmbajtje të pasur artistike. Është emocionuese, kur lexon këtë përshkrim artistic. Në të, ka detaje, ku tregohen vlerat kulturore të Atdheut tonë. Shumë mire!”. Me të vërtetë, është kënaqësi, kur lexon hartimin e kësaj nxënëse, që për pesë vjet me radhë ka ndjekur me korektësi shkollën shqipe. Por, sigurisht, kishte edhe hartime të tjera të bukura, nga nxënësit e kësaj shkolle.


Fëmijë shqiptar, para Flamurit tonë Kombëtar…

Ja, një hartim tjetër domethënës: “……Pas dy vjetësh, pushimet verore do t’i kaloj në Shqipëri. Pse, do të pyesni ju? Shqipëria është vendi, që më pëlqen më shumë…Atje, qytetet që më pëlqenjë më shumë, janë Korça e Vlora, se aty kanë lindur prindërit e mi. Korça është në jugë-lindje të Shqipërisë, ndërsa Vlora është në jug-perëndim të saj. Në Vlorë është ngritur Flamuri ynë Kombëtar dhe Shqipëria u shpall shtet i pavarur, më 28 Nëntor 1912. Por edhe Korça e nënës sime, nuk është më pak e bukur se Vlora. Në atë qytet është hapur shkolla e parë shqipe. Shqipërinë time të dashur nuk do ta harroj kurrë.”, shkruante Anxhelina Sali, në hartimin e saj me titull, “Pushimet verore”

Në vazhdim fëmijët dhanë para prindërve një program me recitime, fjalë të urta, gjëagjëza etj. Ishte një domethënie e tyre për prindërit, që sakrifica e tyre për t’i sjellë fëmijët çdo të dielë në shkollë dhe përpjekjet nga këta për të mësuar sa më shumë, nuk kanë shkuar kot. Në këtë program, çdo klasë, veç e veç, kishte pjesën e vet. Prindërit duatrokitën pjesët e çdo klase, por sidomos ngelën mjaft të kënaqur nga fëmijët e klasës së parë (6 -7 vjeçarë), që e filluan shkollën një vit më pare dhe treguan aq bukur, se çfarë kishin mësuar gjatë tërë këtij viti.

Mbas përfundimit të programit të fëmijëve, u kalua në shpërndarjen e dëftesave. Në zarfe të veçanta ishin vendosur dëftesat, si edhe vlerësimet për nxënësit e dalluar. Kurse nxënësit më të mirë të çdo klase kishin edhe një çek simbolik, dhuratë e Shoqatës “Bijtë e Shqipes”, që e administron këtë shkollë.

Ishte kënaqësi, kur i shikoje fëmijët tanë shqiptarë, që drejtoheshin për te Flamuri ynë, përuleshin në gjunjë dhe e puthnin atë, duke thënë: “Të falem, o Flamuri ynë!” Mbasi i merrnin dëftesat, që i shpërndante midis anëtarëve të këshillit drejtues të shoqatës, Llazar Vero, i ngarkuar me ndjekjen e shkollës, ata uleshin përsëri pranë prindërve dhe ua tregonin atyre gjithë gëzim, çfarë përmbante zarfi i dhënë. E, si mund ta harrojnë këtë ditë këta fëmijë, kur të rriten? Jo, sepse kjo është një ngjarje sa e bukur, aq mbreslënëse.

Shpërndarja e zarfave filloi me fëmijët e klasës së parë dhe u mbyll me ata të klasës së pestë. Këta të fundit, në zarfat e tyre kishin edhe dëshminë e dhënë nga Shoqata “Bijtë e Shqipes”, për përfundimin me sukses të ciklit –vjeçar, në Shkollës Shqipe “Gjuha Jonë”.

Sadik Elshani, anëtar i këshillit drejtues të Shoqatës, i dhuroi fitueses së hartimit më të mirë, nxënëses Angelina Sali, një çek me disa para, veprim që ai e bën regullisht çdo fundviti shkollor.

Ndërsa kryetari i ri i Shoqatës sonë, Tajar Domi i falenderoi fëmijët për përfundimin me sukses të vitit arsimor, mësueset për punën e bërë me profesionalizëm, prindërit për sjelljen dhe përparimin e fëmijëve të tyre në këtë shkollë dhe uroi për një vit tjetër të suksesshëm.

Me njoftimin për datën e fillimit të vitit të ri shkollor, pra në muajin shtator, u quajt i mbyllur viti arsmor 2013 – 2014.

Në fund, fëmijët dhe prindërit i kaluan disa çaste së bashku, në koktejlin e zakonshëm të Shoqatës.

Filadelfia-SHBA, qershor 2014

 


Faqe 17 nga 95

Newsflash

 

MIQËSORJA OTTAVA-MONTREAL

Nga Ajet Nuro, Montreal, Kanada


Ekipet e Montrealit dhe të Otavës (Ottawa) para ndeshjes

Do të doja që këtij shkrimi të vija si titull togëfjalëshat “ndeshje miqësore”, “takim miqësor” apo edhe “ndeshje futbolli mes shqiptarësh” por ajo që më ngeli nga të gjitha këto fjalë ishte fjala MIQËSORE. Ditën e djelë në datën 30 shtator 2012, me një ekip futbollistësh nga shqiptarët e Montrealit u nisëm për në kryeqytetin kanadez për t’u ndeshur me një ekip vendas. Kënaqësia e këtij takimi dhe pritja e miqëve vendas ishte e tillë që pyetja “Kur do shihemi përsëri?” doli spontanisht ende pa mbaruar takimi.

Që nga vizita e fundit e dy ekipeve shqiptare nga Hamilltoni dhe Otawa në korrik për Kupën e 100-Vjetorit të Pavarësisë organizuar këtu në Montreal, herë mbas herë kisha patur mesazhe se kur do t’u kthenim vizitëm miqve tanë nga Ottawa dhe ngaqë ata janë edhe më të afërmit me ne, e filluan me këta të fundit. Miqve tanë nga Hamiltoni do t’u duhet të presin edhe pak…

Ndonëse dita nuk ishte dhe aq e bukur dhe një shi i imët n’a shoqëroi gjatë rrugës për në Ottawa, mikpritësit dhe kryesisht organizatori vendas z. Ismail Latifi kishte menduar të na priste në një terren të mbuluar duke marr masa për një pritje që unë do t’a quaja dinjitoze. Duke qenë hera e dytë që takoheshim me njëri-tjetrin shumë prej tyre i quanim tashmë miq dhe kuptohet si ndihesh mes miqësh.

Të dy delegacionet kishin në gjirin e tyre edhe dy kryetarët e shoqatave që grumbullojnë shqiptarët në kryeqytetin kanadez dhe në metropolin e Kebekut respektivisht zotërinjtë Arbnor Krasniqi e Kujtim Ismaili. Madje, para ndeshjes të gjithë së bashku pozuam dhe të dy kryetarët pasi uruan mbarëvajtjen e aktivitetit, kujtuan se në Montreal po punohet për ngritjen e monumentit të Nënë Terezës dhe, edhe shqiptarët e Otavës mund të ndihmojnë në ngritjen e kësaj vepre që do të jetë vepër e të gjithë shqiptarëve. Në fakt, shumë prej shqiptarëve pjesmarrës kanë shprehur dëshirën të ndihmojnë me anë të një dhurate për ngritjen e monumentit të shqiptares së madhe.

Në terren, ndeshja filloi me një gol të vizitorëve nga Montreali të cilët dominuan duke e mbyllur ndeshjen 5 me 3. Duhet theksuar edhe njëherë një organizim i përsosur që nga arbitrat deri tek rregullat që favorizojnë një lojë të pastër e të ndershme.

Pas ndeshjes, mikpritësit i ftuan vizitorët nga Montreali në restorantin e sapo blerë nga Haxhi, një shqiptar nga Kosova për t’i qerasur. Restoranti, kishte qenë një restorant grek dhe ende ishte i afishuar emri i mëparshëm por, pronari n’a tha se restoranti do ketë ngjyra shqiptare dhe një kuzhinë mesdhetare e shqiptare.

Me përshtypjet më të mira, shqiptarët e Montrealit, lanë Otavën me dëshirën e mirë për t’u riparë përsëri e për t’u “miqësuar” me njëri-tjetrin në futboll apo aktivitete të tjera.

Ajet Nuro

Montreal më 3 tetor 2012