Dituria

  • Rrit madhësinë e fondit
  • Madhësia normale e fontit
  • Ul madhësinë e fontit

ZYBA HYSEN HYSA: KOKË E PRERË E NJË ZEMRE... RREH EDHE PAS VDEKJES...

ZYBA HYSEN HYSA: KOKË E PRERË E NJË ZEMRE... RREH EDHE PAS VDEKJES...

(Refleksione nga libri “Ditari i kujtimeve të paharruara”, të autorit Sadula Zendeli-Daja

Kur dikush të dhuron një libër nga krijimtaria e tij, për respekt, do gjesh pak kohë që ta shfletosh, të lexosh diçka nga fillimi, diku nga mezi… pak nga fundi. Ky lloj leximi quhet lexim respekti, por në të njëjtën kohë ne dallojmë stilin e shkrimtarit, apo poetit dhe, ashtu siç provojmë me një majë luge gjellën, për të parë se na pëlqen, apo jo, edhe ne kemi provuar shijen e librit që na bën, ose ta mbyllim me kaq, ose të ulemi mirë e ta rinisim nga fillimi për ta lexuar faqe më faqe e rresht më rresht, bile aty – këtu, të ndalojmë për të lexuar edhe në bardhësinë midis rreshtave duke na futur në meditime e ndodh që më pas të shkruajmë refleksionet tona për çka kemi lexuar.

Kështu më ndodhi, kur rastësisht më ra në dorë libri “Ditari i kujtimeve të paharruara” të autorit Sadulla Zendeli (Daja), ku autorin nuk e njoh fizikisht, por si krijuese që jam, kam veti njohëse përmes krijimtarisë së tij, njëlloj si të shikoj madhësitë e gurëve, deri në guriçka të vogla nën kthjelltësinë e burimeve që gurgullojnë zabeleve të bjeshkëve të Sharrit, se shpesh, lexuesve, apo kritikëve që nuk janë krijues do u duhej të pyesnin, të shfletonin, apo dhe të kontaktojnë edhe me ta për të qenë sa më realë në vlerësimin e tyre.

Në ritualin e përhershëm me libra që më bien në dorë, pa dashje bëra një ndryshim, se më tërhoqi kopertina e ideuar nga Lavdije Cenmurati, ku paraqiteshin fytyra të shformuara, si t’i shikoje nën ujë, si të ikur nga bota reale, për të hapur portat e odave të shpirtit ku rrinë të kyçura kujtimet e paharruara të jetës, por dhe në ato porta ku kanë mbetur në errësirë sythet e dëshirave, të idealeve dhe ideve që kurrë nuk e panë dritën e realizimit të tyre, apo në ato skuta të errëta ku fshihen brengat dhe dhembjet që nuk patën shërim kurrë...

Mbase këto ndryshime nga një odë në tjetrën, e shndërronin portretin në shumëplanësh e shumëdimensional, ku shpesh shihet vetëm një sy, një vesh, një copë ballë, ashtu si kujtimet që koha i ka gdhendur duke i hedhur tej si ashkla të shpërndara që kurrë s’kanë për t’u bërë më një e tërë, por që koha do t’i kthejë në humus që do të ushqejnë kujtimet e reja, apo të atyre kujtimeve që sqepari i kohës nuk mundi t’i ashkëlojë. Dhe ngjyrat ndryshojnë ngjyrë nga gri e zënë, si një shpirt i drobitur nga brengat e tallazet e pafundme, aty – këtu me zbardhje të grisë, por jo krejt e bardhë e me fasha të zeza nga të zezat e kohës pa kohë të mirë për shqiptarët e, pak, fare pak shigjeta të kuqe dashurie që vijnë e godasin deri në tërmetosje e na lënë të përpëlitemi gjatë si peshku i nxjerrë në zall në mungesën e ujit... e dashje, pa dashje duke zhbiruar kopertinën, kisha hyrë në shpirtin e poetit dhe ndjeva butësinë e vargut poetik të dalë nga një shpirt më i butë se butësia, ndjeva fortësinë e vargut dalë nga një shpirti më i fortë se fortësia, ndjeva bardhësinë e vargut dalë nga një shpirti më të bardhë se bardhësia, preka fisnikërinë e vargut dalë nga një shpirt, më fisnik se fisnikëria dhe me kaq nuk kisha nevojë të bëj ritualin e kapërcimeve të faqeve, por e nisa me qetësi me radhë që në faqen e parë, pa lexuar fjalët e redaktorit, apo dedikimet e tij të ndryshme, gjë që e bëj përherë për të mos u ndikuar në shkrimet e mia.

Kapitulli i parë: “Këngë dashurie” dhe me mend thashë” Qenkemi në një mendje!”. Të gjitha gjallesat frymojnë, ushqehen, shumohen, por nuk janë në gjendje të flasin, të shkruajnë, të krijojnë, të punojnë... dhe motori që i vë në lëvizje këto, mendoj është dashuria.

Shpesh herë unë me mend kam hedhur poshtë teorinë e Darvinit së prejardhjes të njeriut nga majmuni, se këto veti njerëzore të njeriut nuk janë thjesht veprime mekanike, apo instiktive, por si rezultat i zhvillimeve psikologjike që përcaktojnë shkallën e aftësisë së njeriut për të folur, shkruar, krijuar punuar... se po ta shikojmë për nga ndërtimi fizik, pak dallojmë nga majmuni, por pse nuk mundëm ta shndërrojmë një majmun në njeri?! Unë mendoj se nuk është materia primare në zhvillimin e njeriut, por llojet dhe sasia e kuanteve në shpirtin e tij që vijnë nga Universi e shkojnë në Univers.

Kur ne pranojmë krijimin e tokës si planet, atëherë pse të mos pranojmë dhe krijimin e njeriut me tiparet e tij fizike, por që me zhvillimet e Universit zhvillohet dhe pasurohet shpirti i tij në varësi nga lloji i kuanteve që përbëjnë shpirtin e tij dhe aftësia e tyre për të vepruar mbi sistemin nervor për të nxitur mendimin dhe për të ndryshuar mënyrën e jetesës së njeriut sipas dëshirave të tij shpirtërore.

Mendoj, se pikërisht këto grimca rrezatuese që përbëjnë shpirtin njerëzor, kanë aftësitë e të dashurit të vendlindjes, të afërmve, e ajo që i ka zhvilluar proceset e të folurit ka qenë nevoja e brendshme për të shprehur emocionet dhe ndjenjat, të cilat kanë lindur me lindjen e njeriut. Vetëm Dashuria kuantike bën të mendosh përtej të mirës e të ligës dhe të nxit të prekësh Nirvanën. Kjo lloj dashurie është motori lëvizës i njeriut për të menduar e për të vepruar përtej nevojat e tij biologjike, ngandonjëherë dhe në kundërshtim me to.

Nëse në lashtësi, dashuria i ka nxitur njerëzit të flasin, të luftojnë për lirinë e tyre e cila ekziston tek shpirti qysh në lindje e na shoqëron deri në vdekje, të perfeksionojë veglat e punës për një jetë më të mirë, në kohët moderne ajo i bën njerëzit të bëhen kreativë, për të gjetur mundësi të reja për të arritur atë ç’ka dëshirojnë e kush pushtohet nga zjarri i dashurisë kuantike, pra të bashkimit të kuanteve të dy shpirtrave edhe kur ata janë larg nuk shkëputen dot, atëherë shumë njerëz kanë bërë vepra madhore, deri në kryevepra të shoqërisë njerëzore. Vetëm dashuria e çon shpirtin në vlim duke shkrirë talentet për të na dhënë vepra – kryevepra në të gjitha zhanret e artit dhe letërsisë botërore.

Unë nuk them që libri “Ditari i kujtimeve të paharruara” është një kryevepër, por edhe pse është shkruar thjeshtë, tek unë nxiti të shkruaj, pra me bindje them se është një libër që vlen për lexuesit, por edhe për studiuesit, nga ku mund të merren mesazhe të mëdha të cilat burojnë përmes vargut poetik të dalë nga shpirti i autorit. Në këtë libër të ndarë në 4 kapituj vërej që poezia e tij është më e stërholluar në përdorimin e mjeteve stilistike për të përçuar idetë dhe mesazhet tek shqiptarët pa u dalluar nga armiku (këtu futen poezitë e para viteve ’90 e poezitë që vijnë më pas, vërtet kanë mjete stilistike, por ato janë të thjeshta për t’u kuptuar, kjo si rezultat e ardhjes së demokracisë dhe shkallmimit të diktaturave më të egra që ka njohur shekulli i kaluar nga sundimi serb, sidomos mbi shqiptarët.

Unë shikoj një ngjashmëri të këndvështrimit të këtij autori të dashurisë me autorin Adem Demaci në veprën e tij “Dashuri kuantike”, ku bisedon dhe me të dashurën njëherësh me lirinë, si dy dashuri në një. Kështu në poezinë “Sonte ëndërroja” ai shpalos këto lloj dashurie kuantike për vashën dhe njëkohësisht për Atdheun, si dy dashuri që sa më shumë largohemi, aq më shumë ua ndjemë mungesën dhe aq më shumë na rëndon pesha e mallit. “Mund të dojë kushdo qoftë/ Por Perëndia të ka qëndisur për mua... T’i rrisim zogjtë e mëmëdheut/ Qofshin të mallkuar ata që të shtrënguan/ Ballin tënd të bukur shamia të mbulojë/ Perëndia i vraftë e nëma imë i zëntë/ Shqiptarët të vonuar i keni lënë/ Eja vasha ime, sa të dua/ Lëri kotësirat, moj gocë e bekuar!”

Apo tek poezia “Dashuria ime” ku shprehet: “Dashuria ime thellë më trand.../ Askush nuk e di që dhembja ime je ti...”, apo tek poezia “Jetoj dhe jetoj” Pa ty dielli nuk më ngroh mua/ Yjet errësojnë ndriçimin...” e përsëri e lidh me vendlindjen “Eja, afrohu, me ty të jetoj/ Të gdhijë agimi në vendin tonë/ Simfoni e zogjve të Sharrit/ E të Tomorrit për ne të këndojnë!”

Dashuria për Atdhe lind që me ardhjen tonë në jetë e na shoqëron gjithë jetën si një lidhje e pazgjidhshme e shpirtit tonë me “shpirtin” e tokës ku lindim, se nuk ka se si të shpjegohet ndryshe malli i vendlindjes, thikat që godisnin në zemër, kur vendi rënkon i robëruar e fluturon nga gëzimi, kur dëgjon për begatinë e tij. Ndaj e pse i mërguar vazhdon të jetosh jetën e Atdheut, e pse i mërguar, ëndrrat i sheh në Atdhe dhe dëshirat i lidh përherë me të, se vetëm Atdheu, vetëm dashuria është “diell që ngroh në çdo stinë/ Zemra ime si e zhytur në akull/ Pa ty e pa diellin akull ngrij.../ Të pres te burimet e Vardarit/ Kudoqoftë në Sharr, Tomor, a Pollog...”, thuhet tek poezia “Dielli që ngroh gjithmonë”, ku më fort e thellon mendimin tek poezia tjetër “Nata më mundon”, ku është vështirë të dallosh kufirin midis dashurisë së tij për vashën dhe për lirinë, apo kur flet për vashën, ka parasysh lirinë e vendit, por gjithsesi për të dyja dashuritë mund të thuhet e njëjta gjë: “Pa ty jeta është e zbrazët/ Si në Sharr, Tomorr, apo Pollog.../” Kjo është e keqja e shqiptarin, që as dashurisë, as lirisë nuk ia di vlerën, se pasi i fitojmë ato, nuk kujdesemi dhe autori shprehet “Nuk e çmova aq kur e pata pranë/ Sa s’u çmenda kur më kaloi matanë.../ Me të zeza jetën, në terr ma qiti...” tek poezia “Ëndërroj”.

Nuk ka se si të shpjegohet ndryshe humbja e dashurisë dhe e lirisë përveç pakujdesisë dhe “sigurisë” se e kemi fituar përjetësisht (Dashurinë me celebrim në bashki dhe lirinë me Deklaratën e Pavarësisë), por harrojnë se që të dyja janë filiza të sapo mbjellë, që të rriten kërkojnë kujdes të vazhdueshëm.

Po çfarë ndodh me ne, shqiptarët? Pasi të dashurën e bëjnë grua të ligjshme, e burgosin duke e kthyer robinë shtëpie, pa përfillur të drejtat dhe liritë e saj njerëzore, pra lirinë e saj e burgosin burrat në lirinë e tyre, kështu martesa prishet, po kjo gjë ndodh edhe me lirinë duke e burgosur ne që e fitojmë me gjak, se harrojmë që ajo vaditet me djersë e përkushtim, ne e kthejmë atë në thjesht “grua” për të përfituar prej saj pa i dhënë hapësirë të zhvillohet, ndaj vendi ynë sërish robërohet po nga ata që e lanë me gjak duke kërkuar shpërblim për luftën, pa i dhënë djersë e përkushtim për ta nxjerrë nga prapambetja.

Me dhembje më duhet të pranoj, se kështu ndodhi në Shqipëri në 1944 e po kështu pas viteve ’90 – ës dhe në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë, kështu ndodh edhe në Maqedoni, Mal të Zi e gjetkë, që politikanët shqiptarë në vend të përpiqen për të siguruar liritë dhe të drejtat e shqiptarëve, nuk lënë gjë pa bërë për të siguruar mirëqenien e tyre personale, ndaj ne, shqiptarët, mbetëm duke kërkuar ndër shekuj liri, edhe sot që jemi diçka të pavarur, përsëri kërkojmë liri dhe tek poezia “Ku je?” autori do të shprehet: “Ku je, ku je, o shpirt, afrohu.../ Ku ke humbur në tënden dëshirë/ Se gjaku i martirëve trima/ Nuk u derdh kot!” por këtë gjak që toka piu e shkelën me këmbë ata që morën pushtetin dhe fjala “liri” dhe “pavarësi” ekziston vetëm si nocion për të fshehur dhëmbët vampirë të ngulur në trupin e Shqipërisë, Kosovës, e kudo ka shqiptarë në trojet e veta.

Ku është liria? Ku është pavarësia? Ku është shteti shqiptar që akoma nënat shqiptare lindin bij për të ikur shërbëtorë nëpër botë përherë të malluar për atdhe e përherë porta mbyllur në atdhe?! “Koha bëri të vetën/ Armiku zgjodhi më të keqen/ Na zgjodhëm të vërtetën.../ Po, çfarë fituam e pse “Në gjoksin tënd sytë i mbaja/ Në mërgim sa herë na kapte vaja/ Kokën në gjoksin tënd vendosja/ Për jetë të jetës i thashë vetes/ Kurrë shtëpi pa ty mos të ndërtoja...”

Autori e pse e shkruan në vitin 1967 poezinë” “Sermnova e zemrës”unë do ta quaja aktuale për ditët e sotme në Kosovë, por me një ndryshim, kemi shfrytëzim të dyfishtë! Populli është më i varfër se nën pushtimin serb, më i ikur se asnjëherë...

Një nënë që nuk mund t’i mbledhë bijtë e saj e që nuk di se ku i ka e nga i ka, ndodh veç atëherë kur ajo është veçse e prangosur e për fat të keq, po ata që na gjakosën, por me gardianë që flasin shqip e nënën e kthejnë prostitutë për të marrë fitime marramendëse pa e vrarë mendjen se sa e si e lëndojnë atë, veç të jenë në rregull me krye tutorin antishqiptar dhe të mbushin xhepat e tyre që vetëm thellohen nga shpërblimet e majme që shtohen sa herë rrisin shfrytëzimin e pashpirt ndaj nënës së tyre.

E ashtu vetëtimthi më ven në mend një poezi që kam shkruar në 2012, dhe që është vlerësuar me çmimin të parë në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë nga shoqata Mbarëkombëtare “Bytyci” me titull “Mëmëdheu emigrant”, pra ne që jetojmë në vendin tonë kemi fat emigranti, por do thosha se mos kishim “shpirtin” e tokës kaq pranë, zor se do mbijetonim. Shpeshherë çuditem se si arrijmë të mbijetojmë, por mbijetojmë, marrim frymë, por bijtë asgjë nuk kanë të sigurt për të ardhmen e tyre. Është e dhimbshme, kur bijtë fillojnë universitetin se kanë etje për dije e në të njëjtën kohë mendojnë të marrin rrugët e botës për të pasur mundësi për të krijuar familje. Kush do e zhvillojë kombin, ne pleqtë që mezi marrim frymë? Ikën rinia e pse është e dashuruar përjetësisht me truallin e trashëguar brez pas brezi, ikën me kokën pas, me dhimbje në gjoks e me sy të përlotur, pa e ditur se çfarë e pret.

E pasi fitojnë pasuri e duan të kthehen për të investuar në Shqipëri, nuk favorizohen nga shteti, bile nxjerrin ligje për të favorizuar të huajt, kjo për të përligjur firma fantazmë dhe për të penguar zhvillimin e vendit nga vetë shqiptarët, si e vetmja rrugë për zhvillim dhe bashkim kombëtar, se boll kemi ëndërruar e thirrur për Kombin, sikur ai të ishte në një planet jashtëtokësor dhe harrojmë që kombi bashkohet kur ne ruajmë dhe zhvillojnë gjuhën shqipe, kur ruajmë dhe zhvillojmë kulturën dhe traditën e vyer shqiptare, kur shkruajmë dhe mësojmë historinë tonë të vërtetë, kur nuk endemi më rrugëve si turma verbuake duke klithur e tundur flamurë, pa ditur se ku shkojmë, kur shumat marramendëse që harxhohen për kongrese e konferenca “shkencore” të shoqëruara me dreka e darka të mos bëhen më vend e pavend, por këto para të investohen për të pastrehët, për shkolla e spitale, se Bashkimi Kombëtar nuk vjen me platforma, as me luftë e gjak, ai vjen me dije, me punë, me bashkim kapitalesh ne një bankë kombëtare e kështu kufijtë shkrihen vetvetiu, se edhe po t’i bashkojmë sot kufijtë, nuk bëjmë gjë tjetër vetëm do pasurojmë më shumë “gardianët” dhe “tutorët”. Të keqen ta kërkojmë tek vetja, duke mos e lejuar të na zaptojë... “Gishti ta ktheni nga vetja...” tha Doris Pak.

Në poezinë “Ëndrra” autori e sheh qartazi se kjo ëndërr për të do të mbetet ëndërr dhe në poezinë “Ëndrra ime, ai do të shkruante vargjet: “Ëndrra ime gjithmonë po ajo/ Gjumi të më kaplojë/ Dhe i gjallë të zgjohem/ Të kem kohë të shkruaj dy fjalë/ Bashkimi i trojeve shqiptare/ Në Arbërinë tonë të ndarë...” Populli shqiptar ka kërkuar historikisht Bashkimin dhe ka harruar zhvillimin, apo më mirë të themi, nuk e kanë nënë të zhvillohet, ndaj e ardhmja jonë duhet të shihet zhvillimi si bashkim mendjesh, zemrash dhe kapitalest të investohen në trojet tona etnike, ku të punësohen bijtë tanë e cila është më e vështirë se bashkimi i kufijve, por që do sjellë ndryshim të jashtëzakonshëm.

Më kujtohet para disa vitesh, në mos gabofsha, në vitin 2006, isha në Strugë dhe aty kam takuar rastësisht pronarin e lokalit “Paris”, Filizan, më duket e quanin, i cili më ngazëlleu kur tha: “Bashkë me vëllezërit e blemë këtë lokal që të mos na ngulej në mes të Strugës një i huaj...” Ja një shembull, ka dhe tjerë plot, por shumë më shumë të ketë e kështu bëhemi bashkë duke qen bashkë.

Autori e prek dhe e ndjen vështirësinë dhe pamundësinë që ai ta arrijë këtë Bashkim, ndaj shprehet: “Do të shuhem pa e prekur me dorë/ E pa të parë ty, moj me sy/ Edhe në varr do të qaj këtë dashuri...” po në poezinë “Ëndrra ime”.

Poetin e tremb koha në të cilën jetojmë, siç e tremb varri i zi, se poeti shikon të padukshmen e tmerrohet, ndaj kërkon të ikë larg, ashtu si Buda nëpër shkretëtirë, të kërkojë një dorë për t’i dhënë dorën, të kërkojë filozofinë e së vërtetës sonë, e së drejtës sonë të ligjshme për të mjekuar dhembjet e kombit, dhembje që poetët i shpon që nga mijëra kilometra largësi.”Të shkoj në një shkretëtirë/ Zogjtë të ma hedhin/ Për mëshirë ndonjë thërrimë/ Të mendoj për Shqipërinë/ Të qaj për fëmijët e mi/ Që i lashë në mërgim të zi/ Do të shuhem duke qarë.../ Atdheun tim e lashë të ndarë.../ Me ëndrrat për shtetin tonë/ Iliri e madhe përgjithmonë.” Shprehet autore me dhembje përtej dhimbjes në poezinë “Të shkoj e mos kthehem kurrë” të shkruar në maj 2013 e këtë titull – dëshirë e shpreh me dufin e dëshirës që nuk u bë realitet, me ankthin e së tashmes dhe mugëtirën e së ardhmes, se shekujt kanë hapur kanale dhe tunele në trupin e kombit tonë që përpijnë dëshirat tona, megjithëse ai shpresën e lë të ndezur si një dritë që do ndriçojë brezat që do të vijnë.

Më duhet të shkruaj, mbase një libër për të hedhur refleksionet e mia gjatë dhe pas leximit të librit “Ditari i kujtimeve të paharruara” të autorit Sandulla Sendeli (Daja), se poezitë e këtij vëllimi poetik janë një vullkan që kurrë nuk e ndal shpërthimin, ashtu si shpirti i tij patriot i pushtuar nga dashuria kuantike për Atdheun e tij, për ardhmërinë dhe bashkimin e Kombit, ndaj për ta mbyllur që të lë radhë për shkrues tjerë që të ndizen nga këto vargje vullkanike për të shkruar me dëshirën e zemrës për të ndjellë lexues të gjithë kategorive për t’i bërë pronë të tyre mesazhet e pavdekshme të kësaj poezie.

Unë do ta mbyll me vargjet e tij shkëputur nga poezia “Miq të përbetuar” ku çdo shqiptar duhet t’i mbajë “vëth në vesh”, siç thotë populli ynë, se koha ecën dhe jeta rrjedh, brezat lënë vendin njëri – tjetrit, ripërtërihen, por kjo ripërtëritje e popullit tonë ka ardhur përmes sakrificash e gjakderdhjes, përmes fitoresh e rrëmbim fitoresh sërish nga gjakësorët të ndihmuar nga tradhtitë e vjetra e të reja.

“Kokë e prerë e një zemre

Që rreh edhe pas vdekjes...

Tradhtia bart kokën t’ua dhurojë

“Kanibalëve”...

ZYBA HYSEN HYSA

VLORË, më 08.01.2014

 

Kostanca Jorgji: Disa çështje që duhet të na shqetësojnë…

Disa çështje që duhet të na shqetësojnë…

Nga Kostanca Jorgji, juriste pranë Fondacionit "Harriet Martineau".

Përpjekjet e Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Europian fillojnë qysh në Qershor të vitit 1991 me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike Shqipëri - Komuniteti Ekonomik Evropian. 
Këto marrëdhënie vazhdojnë me programet PHARE dhe CARDS, programe këto që siguruan asistencën e Bashkimit Evropian për Shqiperinë në një sërë fushash të caktuara si ekonomike dhe politike. Në këtë rrugë të gjatë të Shqipërisë drejt kësaj bashkësie në respekt të dëshirës së popullit shqiptar për anëtarësim në familjen evropiane, një date mjaft me rëndësi është 1 Prill 2009 - që shënon hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit ku dhe hapet rruga drejt aplikimit për t’u anëtarësuar në BE dhe qe shoqerohet me tej me vendimin që Këshilli mori për liberalizimin e vizave afat shkurtër për qytetarët shqiptarë në datën 8 Nëntor 2010. 
Kandidaturën për aderimin e saj në BE Shqipëria e paraqiti më 28 Prill 2009 por statusi i kandidatit zyrtar u rekomandua në Tetor të vitit 2012 si pasojë problemeve me zhvillimit demokratike dhe mosrespektimit të 12 pikave-rekomandime që Bashkimi Evropian i parashtroi Shqipërise për ta marrë këtë status. 
Në Dhjetor të vitit 2013 shoqëria shqiptare ishte në pritje të një vendimi të rëndësishem lidhur me këtë cështje në përgjigje të të cilit u vlerësua se Shqiperia “nuk i ka plotësuar kriteret për të marre statusin e anëtarësimit ne BE”.
Sigurisht gjate kesaj periudhe vendi yne ka bere progres ne fusha te ndryshme, por jo mjaftueshem per t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. 
Progres Raporti i vitit 2013 thekson pikat ku Shqiperia ka perparuar dhe atyre ku duhet punuar me shume. Sipas ketij progress raporti Shqiperia ka bere perparime ne lidhje me kriteret e Kopenhagenit sic jane garantimi i demokracise dhe shtetit te se drejtes, stabilitetit ne vend, respektimi i te drejtave te njeriut dhe i minoriteteve si dhe garantimi i fqinjesise te mire me shtete kandidate dhe ato anetare ne BE-së, por sigurisht qe keto perparime nuk jane te mjaftueshme. Më poshtë është një analizë e shkurtër e pikave qe jane evidentuar si pika kyçe drejt integrimit. 
Sa i perket demokracise dhe shtetit te se drejtes sipas ketij progres raporti, një progres i Shqiperise jane zgjedhjet e Qershorit 2013 te cilat jane vleresuar nga komisioni nderkombetar i vezhgimit te zgjedhjeve si te lira dhe demokratike.Vleresohet pjesmarrja ne zgjedhje dhe permbushja e rekomandimeve te OSBE / ODIHR-it. Megjithate duhen bere perpjekje te vazhdueshme ne gjetjen e gjuhes se perbashket ne parlament si dhe ne miratimin e nje sere ligjesh te rendesishme te cilat vazhdojne te shqyrtohen ne menyre te ngadalshme. 
Sistemi juridik,pjesa kryesore e shtetit te se drejtes mbetet akoma ne permiresim.
Ne kuader te ketij sistemi Shqiperia duhet te beje me teper perpjekje ne garantimin e pavarsise se pushtetit qyqesor dhe kjo lidhur ne menyren e emerimit te gjyqtareve si dhe duhet te luftoje me teper ne sigurimin e lufte s kunderr korupsionit ne kete sektor. Ne kuadrin e te drejtave te njeriut Shqiperia ka bere progres ne garantimin e te drejtave te grave dhe te femijeve duke ratifikuar Konventen për Parandalimin dhe Luftën kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje si dhe duke bere disa ndryshime mjaft te vlefshme neKodin penal te cilat perfshijne perdhunimin dhe dhunen seksuale ne martese. 
Megjithate kjo mbetet nje nga ceshtjet me delikate ne vendin tone. 
Nisur edhe nga ky raport situata aktuale flet për një rritje të dhunës në familje. Dhuna ne familje eshte rritur ndjeshem. Rastet e dhunes ndaj grave dhe femijeve jane alarmante. Shoqëria mëson për rastet e shumta te dhunimit te grave madje dhe marrjes se jetes se tyre edhe përmes kronikave në media. 
Sipas raport progresit të vitit 2013 shteti duhet te punoje me fort per te forcuar politiken kunder cdo lloj formeje dhune te ushtruar ndaj grave. Perpjekje duhen bere ne ngritjen e strukturave perkatese ne mbrojtejen e grave. Krijimi i nje strehe publike dhe ne sigurimin e sherbimeve te ndryshme sociale per viktimat. Sigurisht nuk mund te themi se strukturat mungojne, por ato duhet te jene me efektive dhe mendojmë se janë të pamjaftueshme. Persa i perket te drejtave te femijeve ato mbeten problematike. Ne vendin tonë rastet e abuzimit te femijeve mbeten akoma shqetesim. Ne kete progres raport evidentohen rastet e abuzimit dhe shfrytezimit te femijeve duke punuar pune nga me te ndryshmet apo duke lypur ruges. Ne kete kuader Shqiperia duhet te punoje me shume ne sigurimin e sherbimeve me baze komunitare si dhe duhet te sigurooje ndihme ketyre familjeve te varfra dhe ne nevoje. Duhet punuar me shume per garantimin e te drejtave te tyre dhe mbrojtjen nga dhuna, trafikimi i paligjshem dhe pornografia. Duhet rritur numri i sherbimeve sociale qe merren me femijet dhe te permirësohet me shume puna e tyre qe jane eksistente. Problem mbetet sepse sistemi i mbrojtjes se femijeve nuk ka mjete financiare te mjaftueshme. Është theksuar ne kete Progres raport situata e femijëve të ngujuar. Shqiperia duhet te marre masa ne mbrojtjen dhe garancimin e sigurise se ketyre te miturve. Emigrimi i femijeve e vecanerisht atyre rome drejt shteteve te BE mbetet nje sfide me vete. Gjithashtu per t’u permirsuar mbetet dhe sistemi i rehabilitimit te femijeve qe kane kryer vepra penale. Duhen permiresuar kushtet neper burgje si dhe mjaft me rendesi eshte pranija e nje psikologu ne keto ambjente . Mjaft pune mbetet per t’u bere gjithashtu ne mbrojtjen e te drejtave te njerezve me aftesi te kufizuar. Ne lidhje me arsimimi, punësimin, kujdesi shëndetësor dhe shërbimeve sociale qe ju duhen ofruar në fushen e te drejtave te njeriut vlen per tu permendur ceshtja e diskriminimit ne lidhje me racen, fene, perkatesine gjinore. Edhe pse jane marre masa te ndryshme kunder diskriminimi si per shembull ndryshimet ne kodin penal gjendja mbetet akoma shqetesuese. 
Ne vendin tone vazhdon akoma të ekzistojë diskriminimi vecanerisht ndaj minoritetit rom apo grupeve te tjera si ndaj homoseksualëve, biseksualëve apo transgjinorëve. Qëndrimet ndaj këtyre të fundit janë tërësisht të refuzimit madje edhe sa i takon pranisë së tyre në shoqërinë tonë sëbashku më problematikat që i shoqëron. 
Te gjithe i shohim kushtet ku jeton minoriteti rom. Ato jane alarmante. Edhe pse jane bere perpjekje te vazhdueshme, ky minoritet vazhdon te perballet me mungesen e strehimit, sherbimeve sociale dhe arsimore. Pra shkurtimisht, keto ishin disa nga problematikat me kryesore në lidhje me vendin tone dhe BE. Te gjithe jemi të ndërgjegjshëm se keto çështje jane aktuale dhe mjaft te prekshme. Shtetit tone i duhe të bëjë një punë të madhe. Por jo vetem shtetit! Të gjithë ne si qytetarë, në aktivitet të lirë apo në kuadër të aktivizmit civil, duhet te punojme më shumë duke u ndërgjegjësuar mbi dëshirën tonë për integrim evropian, por edhe mbi çfarë bëjmë vërtetë për t’u integruar në këtë bashkësi të madhe të qytetarëve evropianë.

 

Murat Gecaj: DHIMBJE E MALL PËR SHKRIMTARIN BUZAGAS, RIZA LAHI…

DHIMBJE E MALL PËR SHKRIMTARIN BUZAGAS, RIZA LAHI…

(Elegji të P.Hysit, D.Binajt, V.Zikos, K.Taboinit e L.Xhulit; shkrime të F.Terziut, N.Selmanit, V.Capos e R.Moisiut etj.)

Nga: Prof. Murat Gecaj

publicist e studiues-Tiranë


Nga e majta: G.Mejdani, Riza Lahi, S.Zogiani e M.Gecaj (Tiranë,14 dhjetor 2013)

Si zakonisht, në përurimin e librave Riza Lahi ishte gjithnjë i pranishëm. Kështu ndodhin edhe para diisa ditësh, kur mjediset e Ministrisë së Kulturës u bë përurimi i librit të gjakovares Drita Nikoliqit-Binaj, ardhur nga Novi Sad i Vojvodinës. Pas koktejit të rastit, shkuam në një lokal, aty përballë. Aty pimë kafe, së bashku me Xaken, Gurali Mejdanin dhe kolegun nga Prishtina,Salih Zogiani. Me atë buzëqeshjen e pandarë të fytyrës dhe humorin karakteristik, Rizai na i bëri mjaft të këndshme ato minuta, që i kaluam aty. Ndër të tjera, ai e kishte merak numrin e revistës, që do të përgatisnin, me tematikë jetën e rromëve të Shqipërisë. Me shaka, ai më “lavdëroi”, që e kisha mbështetur në një mesazh të tij, në Internet, që ai emër duhej shkruar me dy “r”, pra jo me një, siç e mendojnë disa. Po kështu, shoqërisht, më porositi që të përgatisja një shkrim, sa më të mire, për numrin e ri të revistës në fjalë. U ndamë përzemërsisht dhe në mendje më ka mbetur ajo buzëqeshja e tij, që gjithnjë ia pushtonte tërë qenjen e tij.

Por ja, që jeta qenka shpesh e pabesë dhe lajmi i ndarjes së papritur përgjithnjë nga jeta, të kolegut e mikut tonë të mirë, shkrimtarit të njohur edhe për armën e aviacionit, Riza Lahi, na befasoi të gjithëve. Kur po i shkruaj këto radhë, sjell në kujtesë takimet tona të shpeshta, sidomos në vitet e fundit. Ato kanë qenë, sidomos, në përurimin e librave të ndryshëm, në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar, në Ministrinë e Kulturës ose në Akademinë e Shkencave. Në këto raste, kemi biseduar bashkë edhe për planet e tij të botimeve. Kështu, Xakja më kërkoi që ta rishikoja, me kunatin tim, teknikun e aviacionit, Nikollë Zef Zhuri, në shkrim nga libri “Dinosaurët e fundit”(Tiranë, 2003), mbasi mendonte që atë ta ribotonte. Këtë porosi të tij e kryem me shumë dëshirë dhe shkrimin në fjalë ia nisa atij me e-mail, gjë për të cilën më falënderoi. Po kështu, një rast tjetër, biseduam për pilotin dëshmor Azbi Serani, me të cilin kam qenë në shkollën ushtarake dhe më tregoi se ku punonte vëllai i tij, pasi dëshiroja të shkuaja diçka për të. Më pas, përgatita një shkrim dhe ai u publikua, sidomos në disa qendra Interneti. Sigurisht, Rizait i erdhi mjaft mirë, për këtë gjë.

Lajmi i dhimshëm, i trishtueshëm e i papritur, i ndarjes përgjithnjë nga familjarët dhe nga tërë ne, i shkrimtarit Riza Lahi, pushtoi disa qendra Interneti. Kështu, disa veta i shprehën ndjenjat e tyre përmes elegjive dhe shkrimeve, si dhe me anën e mesazheve të panumërt, që ata kanë publikuar.

Ja, përpara kam mjaft krijime të kolegëve dhe miqëve të Xakes. Poeti Përparim Hysi e nisë kështu elegjinë e tij:

Oh, çfarë ke ba, more Riza Lahi?!

I ke hipë avionit, je nisë për "Parajsë?!"

A ndigjon, besa, në kor asht "ahi!"
Si lumë e le lotin tim, që të rrëshqasë...

Ndërsa Drita Nikoliqi-Binaj, me elegjinë e saj, “Si do thoshte Riza Lahi”, vajton atje, në Novoi Sad të Vojvodinës:
Njeriu e ka zemrën plagë
dhe ngrysë netët duke qarë,
kur shtyn jetën diku tjetër,
tutje nga folezë e parë.
Dhe sikur një ditë papritur
të jetë e tija gjithë bota,
do kërkojë rrugën e vjetër
- për atje, ku i ka rënë koka…

Me ndjesi të trishta, poeti i njohur lirik, Vangjush Th.Ziko (Korçë), e shprehë me vargje dhimbjen e tij, për mikun Riza Lahi:

Më mbetën sytë në qiell,

avionin tënd po kërkoj,

që rrëmbeve papritur

dhe na e le bosh

aeroportin e shpirtit.

Të qeshurën tënde na le

dhe ëndrrën e fluturimit…

Po, sikur e vazhdon këtë mendim, poeti Luan Xhuli, që nga Athina:

Flamur i shpirtit tënd të zjarrtë,

që të shpuri në qiell,

do të të zbresë prapë

në aeroportin e zemrës,

që na e le të zbrazët.

Ndërsa poetja tjetër, në Tiranë, Venka Capo shprehet me fjalë dëshpëruese:

“Ah, sa dhimbje mora! Kurrë s’e besoj, që miku im, Riza Lahi, sot nuk është mes nesh! Në një takim, që kaluam bashkë, sa njeri i këndshëm ishte, paqësor ,i dashur dhe i respektuar. Sa do më mungojnë bisedat e shakatë, që bënim, poezitë që i tregonim njër- tjetrit, për të na venë “notën” ai. I paharruar, miku im i shtrenjtë!”.

Krjuesi i njohur Kolec Traboini, i ndodhur këto ditë larg Shqipërisë, shkroi shumë vargje, në poezinë e tij me titull, “Si mund të iket kështu? (Fjalë pikëlluese për një mik)” Nga ato, po shkëpusim vetëm dy strofa:

Si mund të iket krejt kështu?
Më pyesin miqtë në Prishtinë
e Shkodër-locja e përlotur,
që sot ka humbë djalin e mirë.

Si mund të iket krejt kështu?
Pyesin të gjithë, në këtë Vit të Ri,
nuk shtyhet festa pa buzëqeshje,
buzëqeshjen që na e sillje ti!…

Dhimbjen e mallin e pashuar për kolegun e mikun e dashur dhe të paharruar, Riza Lahi e ka shprehur edhe Fatmir Terziu, në Faqen e Internetit “Fjala e Lirë”-Londër, që ai drejton.
Ndër të tjera, që në fillim të shkrimit të tij, janë këto radhë:

“Miku i disa krijuesve, poeti dhe publicisti Riza Lahi është ndarë nga jeta. Dhe, kështu, njeriu që rendi pas penës vite e vite me radhë, por edhe pas yjeve si një pilot i hershëm shqiptar, sot ka një udhë, memorjeve tona... Leximi i “vetes”, nën vargun e Lahit, është një simbolikë reale. E thjeshtë, e kuptueshme, … një shportë për brezat…, ishte gjuha e Riza Lahit. E, kështu, do të mbahet mend ai, miku i pavdekshëm…”.

Me trishtim të ligjshëm shprehet edhe arsimtari, poeti e shkrimtari çam, Namik Selmani. Në një shkrim të gjatë, që ai ka publikuar, me zemër të plagosur i thotë edhe këto fjalë: “Joo! Nuk e besoj, vërtetë, se u nda nga jeta miku ynë, shkrimtari, studiuesi, gazetari e skenaristi Riza Lahi. Thuajeni sa të doni! Si të doooooni! Vendosni çdo fjalë të shqipes, të anglishtes, të frëngjishtes diku në nekrologjitë internetike, diku në shtyllat e bulevardeve, në ndonjë kronikë televizive, aty nga fundi i lajmeve! Po, ai është mes nesh. Mjafton që të hapim një libër, një kronikë takimi dhe do ta kemi atë: sa të menduar, sa të mençur, sa gojëtar, sa hokatar. Ishte vetëvetja jonë më e mire…”.

Ndërsa, në mbyllje të këtij shkrimi, mbushur me dhimbje e mall për këtë koleg e mik tonin të veçantë, po rishkruaj fjalët e dala nga zemra, që atje përtej Oqeanit Atllantik, nga Nju Jorku. Janë nga Raimonda Moisiu, kryetare e Shoqatës së Shkrimarëve Shqiptaro-Amerikanë të Diaspporës: “Tronditet Bota e Letrave Shqipe, Tronditet Bota e Publicistikes Shqiptare, Tronditet krejt Bota Shqiptare, ne Trojet e saj:Ndahet krejt papritur nga jeta: Shkrimtari, poeti publicisti, perkthyesi i shquar, Kryemiku im,miku i tërë shqiptarëve në trojet etnike, në Diasporë, Kosovë e Çameri, Altruisti, i miri dhe i mrekullueshmi, i qeshuri e gazmori, punëtori dhe i palodhuri, aviatori që u bë shkrimtar i mbi 35 librave, Riza Lahi. Dhimbje e thellë, dëshpërim i pakufi për këtë gjëmë, për këtë pikëllim kaq të rëndë, që ai na la, në pragun e Vitit të Ri!”

Të paharruara qofshin kujtimi dhe vepra, që la pas, kolegu dhe miku ynë i dashur, Riza Lahi (janar 1950-dhjetor 2013) dhe ngushllime të sinqerta, për familjarët dhe gjithë të njohurit e shumtë të tij!

Tiranë, 2 janar 2014

 

Urimi për Vitin e Ri

 

SOKOL DEMAKU: 'NJË HARK YLBERI' I NIKOLLË LOKËS

'NJË HARK YLBERI' I NIKOLLË LOKËS


Nga SOKOL DEMAKU


Franc Nopçe,1908: “Një nga tiparet më interësante të karakterit të malësorit të veriut qëndron në aftësinë e dallueshme organizative të popullit, dhe nuk ka vëzhgonjës të popullit shqiptar, i cili nuk e vën në reliev këtë cilësi të veçantë.”



Me një art të pastër të brenbdësisë shqpirtërore prej malësori dhe me një botë të nduardurt të vargut të tij lirik poeti Nikollë Loka na vjen me përmbledhjen e tij poetike të radhës “Një hark ylberi” e cila përmbledhje ngërthen në vete vargje nga më të zgjedhurat nga llojllojshmeria e tyre duke fillau nga ato idilike të cilat janë aq bukur të thurura e ku zënë vendin themltar në këtë vargëtim  poetik.
Edhe vet libri mori titullin nga një poezi e tillë “Ta çova një hark ylberi” e ku autori për mrekulli përshkruan ndjenjen e tij të dashurisë me një metaforë të fortë e cila edhe i jep ngjyrën e duhur vargut kur ai thotë:
Ta çova
Një hark ylberi
E një gjysëm hëne.
Shtatë ngjyrat
I trazova
Në shtatë telajo vjeshte,
Dhe e mbajta shiun pezull
Duke e shtyrë drejt teje,
Parfum
I ëndërrës sime.

Vëllimi poetik “Ta çova një hark ylberi” është një lirkë dashurie si e tham, por është edhe një prezentim i jetës së vet poetit dhe na vjen si një pasqyrë e artit krijues të autorit, duke u endur në kohë dhe çaste të ndryshme të jetës. Filozofija e tij e jetës është ajo që ia rritë vlerën vëllimit sepse vargu na del sa optimist dhe i permbushur me ndjenjen e gëzimit dhe të arritjes së objektivit në ate çka autori aludon në dashurinë. E këtë lexuesi do e ndjej kur lexon vargjet e poezisë “ Tek ëndrra jote”:
Deri tek ëndrra jote,
Ngjitem
Me fluturimin e zogut
Në shtatë bjeshkë hirëplote.
Clodhem
Në shtatë lëndina shprese,
Dhe vij
Te hija jote
E të ulem mbi vetull,
Pa të prekur,
Qerpikhënë e bjeshkës.

Vargjet ndëthuren me ndjenjen e shpirtit te poetit e që në vete ngërthejnë filozofinë e dashurisë se virgjër të vendit ku ka burimin poezia, pra atë ndnjenjën malësore dhe idilën e  cila është e fuqishme dhe me plotë jetë. Këtë  e gjejmë tek peozia e tij me titull “Të fola me gjuhën e zemrës” kur poeti shprehë ndjenjen e zemrës dhe ate e krahason me aromën dhe gjuhën e luleve kur ato bisedojne me njëra tjetrën kur ai thotë:
Të fola
Me gjuhën e luleve në syth,
Para çeljes së gjetheve.
Pranvera m`u shfaq në ty,
E në sytë e tu.

Me metaforën e tij prej vargëtari, poeti i jep kontrast, i fal nota dashurie edhe natyrës me fjalën e thejshtë të bukurisë poetike. Edhe lexuesi ndjehet sikur është pjesë e kësaj bukurie natyrore, pjesë e kësaj pranvere që mbështjellë misterin e ëndërrës së poetit. Por misteri është në lumturinë njerëzore, në lumturin e shpritit shprehur me dashuri.
Në çdo pranverë
Ndjej brenda meje
Ty dhe pranverën,
Mbështjellë
Me misterin e ëndërrës
Që s`e prek.

Rrugët e njerëzve janë të ndryshme, por ato kanë një pikëtakim dhe ndoshta mund të themi se edhe përputhen diku, sikur kryqëzimet, janë njësoj si edhe horizontet që shtrihen në kaltërsinë e shprishurë nganjëhere të reve me shi. Por ky horizont është vet ajo, është ajo që për çdo ditë prekë me shikimin e saj shpirtin e tij, e që ky vështrim ringjallë ndjenjat të cilat e bejnë më pesimist në jetë sepse dashuria është si një: hënë e plotë, si një horizont që lëvizë në një hapsirë me plotë hënë e diell.
Je ti një horizont,
Që lëviz
Në pak hapësirë.
Një hënë e plotë,
Që del ditën për diell.

Njëmall , një ndjenjë, një brengë ndoshta e cila do përfundoj si një agim i lodhur, një dritë e brishtë e që shprehë pesimizmin e poetit në dashuri kur ai thotë tek poezia “Një perëndim fatkeq”:
Në sytë e tu të zinj
Shoh agimin e lodhur,
Brishtësinë e ditës
Që thyhet si qelq.
Prandaj kur të flas
Më vret
Në thellësi të shpirtit,
Moj vajzë syzezë!

Një temë që nga pak kush është rrahur në vargun poetik, e që me mjaft mjeshtri filozofike e ve në varg Nikolla, është edhe tema mbi gjurmët e mitit dhe historisë, e që me mjaft sukses mendoj unë e ka leruar këtu në këtë buqetë poetike Nikollë Loka. Ky një përbërës shume i rëndësishëm i rrefimit të Nikollë Lokajt, miti. Një fuqi që ndoshta është përdorurë më shumë në prozë e ja sot me shumë sukses e gjejmë të gershetuar në vargun e Nikollë Lokaj. Këtë do e gjejmë tek poezitë “Plaku dhe korbi”, “Meditim mbi Rozafën”,”Miti i Europës”,”Shkëmbi i vashës”, “Hija e Zepës”, “Vdekja e hijshme”. Miti është përbërës i rëndësishëm me një funksion mjaft të fortë në magjin e të varguemit, sepse nxjerrë shumë gjëra në pah e lexuesi ato i asimilon në ndjenjen e tij.
I pari burri Hotit
Malet i drishi,
Kur u rrëzua
Në gjakun e vet.
Le të rrojë Shqipëria, tha
Edhe në frymën e fundit,
E shpirti iu ngjit
Mbi Malin e Shenjtë.
.......
Shtatë mirditas
E përgjakën ballin,
E dhimbjen për plakun
Ia dhanë gurit e lisit.
Për Dedë Gjo Lulin,
Ne vdesim,- i thanë hasmit
Dhe jetën mbi gurë e lanë
Në Shpellën e Akullit.

Ose tek poezia “Meditim mbi rozafën” ku autori thotë:
Varrin s`ta gjetëm askund,
Veç një copë mermer
Në mes të gurëve të vjetër.
As një epitaf
Ku të shtonim një varg,
A ninullën e djalit tënd
Mbi liqenin e plakur.
....
E ajo kodër
Do të shejtërohej  pas flijimit,
Pas një pabesie ndër vëllezër,
Pas një krimi.

Një mall, një nostalgji për kohën e ikur, një ndjenjë e cila nuk mund të ikën, por mbetet në vargun e poetit, sepse për të arritur cakun duhet sakrificë kur ai thotë në poezinë e tij me titull: “Amshimi”

Linda
Në një sekondë të paemër...
U rrita
Pa numëruar ditët...
Mpreha shikimin,
Pashë një ëndërr,
U lodha
Pa e kapercyer dritën.

E vazhdon me vargun prej nostalgjie tek poezia e etij e radhës “Kujtimet e mia” e që hyn në palcën e ndjenjave përmes vargut me një optimizëm për një të ardhme me të bardhë.
Kujtimet e mia,
Si pëllumba jetimë
Në fluturim të pasosur.
Pluhur i natës
Që shkundet,
Mbi gurra mendimesh.
Valë që ikin
Çasteve të humbura.

Filozofia e jetës ka kuptimin e plotë në vargjet e Nikollë Lokaj. Lexuesi e ndjen ate në çdo varg mbështjellur me metaforën kuptimplote të autorit përdodurë me mjeshtri në vargun e tij. Por nga nje herë poeti shpërthen përmes lirizmit të vargut të ngarkuar me emocione, e të cilat emocione i shprehë me filozoifinë e tij të jetës dhe duke kërkuar ndihmë ndoshta edhe nga Zoti, duke shprehurë atë ndjenjën e atdhedashurisë përmes vargut të tij filozofik, si tek peozia “Për këtë Zot që u bë njeri”
Malet tona vazhdojnë të rriten,
Dhe për pak qiellin do ta prekin.
Do ta çojnë atje një gur e pak dhe,
Ku të bëhet Zoti:
Për këtë gurë që mabj në shpinë,
Për këtë qiell, përzier me tokën!

Pra kjo është filozofia e vargut dhe e shprehjes së ndjenjes mbi jetën dhe mbi vlerën e njeriut e jetës, e le ta shofim si e paraqet në vargun e tij filozofik poeti tek poezia “Uji që(S)ecën”thotë:
Uji që s`ecën
Bëhet pellg.
Askush atij kryet s`ia hedh,
Gjithë llumin mbledh.
Mos e shih fytyrën sipër tij,
Se do ta nxijë.

Lexuesi përmes metaforës së fortë të përdorurë për mrekulli nga Nikolla pothuja në të gjitha vargjet e tij do e ndjej dhe përjetoj këtë filozofi, por është interesant se jeta është e mbushur me plotë befasi, intriga, rreziqe të cilat janë një sprovë e njeriu e që duhet të jetë i gatitur për përballimin e të gjitha këtyre e ne e verejtëm më heret se mendimet filozofike të poetit janë të lidhura shumë ngusht me Zotin dhe se njeriu e ndjen ate dhe se për të gjitha këto gjen mbeshtje te Zoti e këtë e gjejmë tek poezia “Shpresa” kur thotë:
Për ta prekur mëshirën
Deri në frymën e fundit,
E për t`ia dhuruar qiellit,
Me urimin:
Të bëhet më mirë!

Por ecjet në leximin e vargjeve në këtë buqetë poetike të Nikollë Lokaj vazhdojnë nga lexuesi në njerën anë e në anën tjetër si duket autori është ai i cli jeton brenda ndjenjes, e mban shpresa  dhe se ai ne poezinë:”Litarit të fatit” thotë : Litarit të fatit/ do t`i ngjitet / deri te burimi. E kjo duket se është një shpresë për një të ardhme me te mirë por duke mundurë veshtirësitë.


P.S. Nje biografi e Nikolle Lokaj

Nikollë Loka
Nikollë Loka lindi në Fanë të Mirditës me 25 mars 1960. Diplomohet për mësuesi në vitin 1983. Në vitin shkollor 1987-1988 ka kryer një specializim njëvjeçar pasuniversitar në Universitetin e Tiranës. Ndërsa më vonë, në vitet 2003-2004, një specializim në shkencat humane pranë ICHEC-Culture në Bruksel, si dhe një kurs katërmujor për marrëdhënie europiane në Qendrën Studimeve Europiane në Bruksel. Fituar gradën shkencore "

Master

në edukim" në Universitetin e Tiranës, doktorant në proces në Historinë e Arsimit Shqiptar në Universitetin e Tiranës.
Mësues, zevendësdrejtor dhe drejtor i shkollës së mesme "Ndrecë Ndue Gjoka" në Klos të Mirditës, mësues në shkollën e mesme jopublike "Drita e Dijes" në Tiranë dhe

specialist

në qendrën e kualifikimit "Soal" në Tiranë.
Dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me medaljen "Naim Frashëri" me motivacionin: "Për rezultate të larta në procesin mësimor-edukativ".
Publicist, fitues i çmimit të dytë për shkrimin publicistiko-shkencor më të mirë të vitit 1988, shpallur nga gazeta "Zëri i Rinisë".
Analist në gazetat "Albania", "Ballkan", "Ndryshe" dhe redaktor i gazetës javore "Politika".
Autor i dhjetë monografive historike.
Në letërsi
Autor i katër vëllimeve poetike:
"Njerëz që plaken udhëkryqeve" 1998, "Koha e shkelur" 1999, "Larg Atdheut" 2001 dhe  "Një hark ylberi" 2013.
Pjesëmarrës në antologjitë poetike: "

Kontakt

poetik" 1999,  "Antologjia-Sofra e poezisë shkodrane" -Gegnisht, vëll. I, 2012,  "Antologjia e dhimbjes-101 poetë për Ali Podrimjen" 2012 "Pesë degë trungun thërrasin" 2012,  "Antologjia-Sofra e poezisë shkodrane" -Gegnisht, vëll.II. 2012 "Antologjia Federiciana V”, Roma 2013, në gjuhën italiane.
Cikle poetike në suplementet letrare të gazetave "Studenti", "Republika", "24 orë", gazetës "55" dhe "Mirdita", si dhe në gazetën letrare "Muzgu".

 


Faqe 9 nga 41

Newsflash

Stinë provimesh

Durrës më 25. 04. 2012

STINË PROVIMESH

Vjen Maji dhe afron mbarimi i vitit shkollor. Si zakonisht me fundin e pranverës vjen edhe stina e provimeve të lirimit për shkollat 9-vjeçare dhe të pjekurisë për shkollat e mesme. Dikush me humor e quan edhe stina e të korrurave, që në mënyrë figurative mblidhet prodhimi i punës mësimore disa vjeçare.

Është bukur vërtet, dhe ngazëllehemi kur shikojmë e ndjejmë merakun dhe shqetësimin e mësuesëve, por edhe emocionet që përjetojnë të rinjtë para, gjatë dhe në fund të provimit. E kemi provuar vetë, ndaj nuk ka si të ndodhë ndryshe: Mësuesit përpiqen me të gjitha forcat dhe mjetet, që t’ u japin nxënësve të tyre më shumë njohuri dhe t’ ua bëjnë ato të qendrueshme. S’ ka rrugë tjetër, është e vetmja mënyrë që ata të ndjehen të sigurtë në ditën kur do përballen me të panjohurat e provimit. Mjafton një një bisedë e shkurtër me mësuesin dhe nxënësit e shkollës 9-vjeçare në Shkallnur, me të cilët patëm rastin të takohemi këto ditë të fundmajit dhe të kuptohen lehtë të gjitha ndjesitë e afrimit të provimeve.

Është ditë e zakonëshme pune. Oborri gumzhin nga zërat e “Tifozëve” Zhvillohet ndeshje volejbolli. Ndërsa brenda në shkollë, që ndrit nga pastërtia, qetësi e plotë. Në korridor dëgjohet shumë pak veç zeri i nxënësve që përgjigjen, apo i mësuesit që sqaron ose spjegon mësimin. Drejtori i shkollës Z. Muhamet Merja shprehet: “Jam i kënaqur me punën dhe përkushtimin e të gjithë mësuesëve, në veçanti të klasave të nënta. Vitin e kaluar nuk patëm asnjë mbetje në provim. Për ne, për shkollën dhe për nxënësit tanë është sukses. Edhe këtë vit besoj se, do të kemi rezultaet të mira, veç këmbëngul në kërkesën e drejtorisë që, vlerësimi i mësuesëve për nxënësit të jetë sa më real, sa më pranë të vërtetës. Askujt nuk i intereson nota fiktive, as nxënësve e as prindërve, ca më pak mësuesve. Është një kërkesë që thuhet shpesh e nga të gjithë, dhe në parim e miratojnë të gjithë, por jo kurdoherë e zbatojmë”.

Në fakt interesi ynë është, të mësojmë se në prag provimesh, si e përballojnë ngarkesën mësimore nxënësit dhe mësuesit e kësaj shkolle. Po nuk mund të anashkalojmë kujdesin për pastërtinë dhe mirëmbajtjen e paisjeve, tavolinave dhe karrigeve, të cilat për hir të të vërtetës, duken si të reja edhe pse kanë mbi shtatë vjet që punohet me to. Duke patur parasysh ankesat dhe kërkesat e vazhdueshme për bazë materiale, të shumë drejtorëve, sepse baza material ekzistuese është e dëmtuar deri në atë shkallë, sa nuk mund të përdoret, vetiu lind urimi: “Ju lumtë që kini mundur t’ i mbajtur kaq mire”. Dhe mësuesit me modesti shprehen: “Ne jemi kujdesur, por mirë i kanë mbajtur nxënësit tanë”.

Të gjithë mësuesit, që kanë sado pak përvojë në arsim, në çdo lloj niveli qofshin, e dinë mirë se gjatë gjithë vitit dhe sidomos në prag provimesh, kanë në vetvete dy shqetësime:

I pari: është për nxënësin, që duhet të dalë me rezultate të mira, sepse për të, dhe sëbashku me të, është investuar gjith’ ajo punë, gjith’ ai mund e përkushtim, si nga shkolla e mësuesi, ashtu edhe nga familja. Është përgjegjësi shtetërore, morale dhe shpirtërore ndaj nxënësit, që përgatitet për të dalë i suksesshëm në jetë. Bashkë me të parin, qëndron edhe shqetësimi i dytë: Meraku për vetveten, pasi rezultati i nxënësve është vlerësim dhe notë edhe për vetë mësuesin. Mësuesia nuk është thjesht zanat, si të gjithë prtofesionet e tjerë, por është edhe mision humanizmi, kulture e qytetarie, që i merr rezultatet pas shumë vitesh kur nxënësi del në jetë. Mësuesi ka një emër fisnik, që me punën dhe sjelljen e tij duke qënë i pranishëm në jetën e shumë familjeve, krijon opinion shoqëror që e shoqëron për gjithë jetën.

Në bisedë me mësuesit z. Teodor Kajana, Hasan Kasa, Liliana Koni, të tre mësues të gjuhës dhe letërsisë shqipe dhe znj. Hana Golemi, Faik Tusku mësues të matematikës, mësojmë se në simestrin e dytë, në shërbim të provimeve, një pjesë të madhe të kohës ia kushtojnë konsultimeve dhe përsëritjes vjetore. Teodori, si më i vjetri dhe me më shumë përvojë, shprehet:

“Kam një jetë të tërë që punoj si mësues, ndaj dhe kam kaluar shumë provime, e disa breza nxënësish. Emocione kanë nxënësit, ndjesi normale, sepse ata futen në provim. Çudi ! Emocione përjetoj edhe unë. Pavarësisht se “stina e provimeve” përsëritet çdo vit, edhe pas kaq e kaq vitesh, emocionet nuk më ndahen si vitin e parë të punës. Është dashuria për nxënësin, mbase edhe idealizmi dhe dashuria për profesionin e mësuesit, që më bën kaq të ndjeshëm. Këmbëngul që nxënësit e mi, me njohuritë që kanë fituar dhe vlerësimin që marrin, të justifikojnë punën, mundin dhe përpjekjet e disa viteve bashkë. Nuk është e lehtë. Të gjithë e pranojmë këtë. Po fakti është se, nga rezultatet e viteve të shkuar nuk jam zhgënjyer. Të njëjtin përfundim pres edhe këtë vit. Shfrytëzojmë çdo mundësi që na jepet për konsultime dhe përsëritje. Besoj se kështu, kush më shumë e kush më pak, veprohet nga të gjithë mësuesit kudo që janë. Rezultati, natyrisht nuk është i një llojtë. Unë, sëbashku edhe me kolegët e tjerë, përpiqemi të ngjallim tek nxënësi guximin dhe bindjen, se kanë njohuri dhe janë të aftë përballen me provimet edhe pse në sallë nuk ndodhet mësuesi i tyre, edhe pse testet korrigjohen jo nga ne, por nga të tjerë mësues. Me formën e re të provimeve, që ka pak vite që është futur si sistem, duke i grumbulluar nxënësit në disa shkolla, ne mësuesit e lëndës jemi lënë disi “Të lirë”, me një fjalë, jemi lehtësuar nga lodhja e organizimit dhe zhvillimit të provimeve. Por së bashku me nxënësit, jemi në ankth deri ditën që shpallen rezultatet përfundimtare të vlerësimit. Kështu e ka kjo punë: Punojmë disa vjet dhe provohemi për një orë”.

Largohemi nga shkolla e Shkallnurit me përshtypjet më të mira, duke i uruar nxënësit dhe mësuesit: Suksese në provime !

Kadri Tarelli