Alba Huta: Sofra Poetike Boras, Suedi 2019

Alba Huta

Sofra Poetike Boras, Suedi 2019

Ora 9 pa 20 dhe avioni zbriti shtresën e reve mbi Gothenburg. Kontakti i parë i syve me tokën e vikingëve, ndeshi në një peisazh fantastik në këndvështrimin tim, i cili ndërthurej prej pyjeve dhe liqeneve të vogla e të shumta. Kjo ndjesi që më përcolli impakti i parë i takimit me Suedinë e largët do të mbetet gjatë në kujtesën time ashtu si i gjithë qëndrimi në të. Po e vazhdoj rrëfimin tim me një histori të shkurtër të shoqatës në emër të së cilës u zhvillua Sofra Poetike për ta vazhduar më tej me aktivitetet që u zhvilluan.

Sofra Poetike Boras, Suedi 2019 është aktivitet i zhvilluar nga Qendra Kulturore Shqiptare në Suedi “Migjeni” e cila është themeluar më 10 mars 2007 me iniciativën dhe kërkesë të vetë bashkatdhetarëve atje. Qëllimi primar i saj ishte ruajtja e gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar të bashkatdhetarëve tanë në Boras dhe rrethina. Dhe si pjesë e qëllimit të saj, Qendra Kulturore Shqiptare prej themelimit e deri më sot ka organizuar takime të shumta kulturore, manifestime të ndryshme në përkujtim të ngjarjeve më të rëndësishme të historisë sonë: Shpalljen e Pavarësisë 28 Nëntorin, Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës 17 shkurtin 2008. Si pjesë e veprimtarisë së Qendrës Kulturore Shqiptare janë revista ‘’Dituria’’ e cila është organi i saj që del një herë në muaj në gjuhën shqipe e në dy ose katër faqe në gjuhën suedeze dhe që përfshin fëmijët të rinjtë dhe prindërit që veprojnë në Suedi. Pjesë e veprimtarisë së Q.K.SH “Migjeni “ është dhe  radio Dituria e cila ka një kohë të caktuar në valët e radio Borasit dhe trajton tema të ndryshme për audienca të ndryshme, duke filluar që nga fëmijët, të rinjtë e deri tek audienca e të rriturve  dhe kulturëdashësve të tjerë. Sot kjo radio në valët e saj, çdo të mërkurë ora 18:00 për 60 minuta promovon autorë të ndryshëm shqiptarë, të rinj dhe të njohur të letërsisë shqipe. Kjo ka bërë të mundur njohjen e një sërë poetësh, shkrimtarësh jo vetëm në Boras por në të gjitha vendet ku flitet shqip.

Për të vazhduar në rrëfimin e udhëtimit drejt Borasit. Pritja u bë në mënyrë të organizuar dhe kjo u vu re nga gatishmëria e Sokolit, Hamitit dhe Bahtirit të cilët e kishin përcaktuar saktë kthimin nga aeroporti i Gothenburgut drejt Borasit. Një komunikim për t’u admiruar dhe bashkërenditje e veprimeve në mënyrë të paqtë e të gëzueshme.                                                                                                                                          Sofra Poetike Boras u zhvillua në Pallatin e Kulturës së qytetit në sallën e eventeve në pjesëmarrjen e poetëve shqiptarë, suedezë, sirianë dhe arabë të cilët performuan poezitë e tyre secili në gjuhën e tyre amtare.

Sofra u hap nga shkrimtari dhe veprimtari i shquar Hamit Gurguri, i cili  e çmoi poezinë si një zhaner të  rëndësishëm të letersisë për ruajtjen e gjuhës amtare dhe shkëmbimin  me kulturat e tjera. Poetët u prezantuan nga Anxhela Ziso, poete dhe nëna e re e cila na kishte mundësuar që në sallë të gjendej dëgjuesja më e re e poezisë, Arjana shtatë javëshe. Organizatorët kishin mundësuar për secilin poet që performonte, t’i jepej simbolika e Sofrës, një kopje e antologjisë,(përmbledhja e poezive të pjesëmarrësve) dhe romanin “Nisja e Billit në ora 9:42 për një jetë të re” e autores suedeze, Sara Kadefors, të përkthyer nga shkrimtari, gazetari dhe veprimtari i shquar i Migjenit, Sokol Demaku.

Atmosfera gjatë prezantimit të krijimeve të poetëve ishte e pakrahasueshme, megjithëse poezitë ishin në gjuhët amtare të secilit poet, fryma ishte e mrekullueshme, tingujt përktheheshin dhe ndjesia që përcillnin ishte sikur po interpretoheshin në një gjuhë, atë të poezisë. Qëllimi i Sofrës ishte përmbushur, poezia jo vetëm e ruan gjuhën amtare por edhe e promovon atë ndër gjuhë të tjera.  

Në Sofrën Poetike ishte i ftuar Ibrahim Kadriu, poeti, shkrimtari dhe gazetari i njohur nga Kosova i cili na mrekulloi me poezinë  e tij “Babai im” pjesë e librit me poezi në dy gjuhë, shqip dhe suedisht “Korsningar”. Gjithashtu studiuesi dhe sociologu nga Tirana Zyhdi Dervishi, të cilin e pamë në një tjetër dimension krijues, atë të poezisë, si një shpalosje e  ndjesive personale dhe shoqërore në rreshta dhe vargje. Pjesë e Sofrës ishin edhe poetët Louise Harlvardsson dhe Henrik Mimmersson të cilët depërtuan fuqishëm në shpirtrat tanë jo vetëm nëpërmjet poezisë por edhe më anë të interpretimit magjepsës të ndërthurur  me instrumentë që ia shtonin misticizmin poezisë “Duart e mia” Një tjetër performim interesant ishte ai i Hala Akari, poetes me origjinë siriane, e rritur në Greqi dhe  aktiviste në mbrojtje të të drejtave të emigrantëve në Suedi, si njëra prej tyre.

Në Sofrën Poetike performuan edhe rapsodë me fyell e violinë, Mustafë Berisha, Rexhep Jashari dhe Afrim Berisha, të cilët elektrizuan sallën. Kishte performim edhe me kitarë nga suedezi Nicklas Abrahamsson. Poetët Remzi Basha dhe Jashar Jashari interpretuan me ndjenjë patriotike.

Gjithashtu një vlerë e Sofrës ishin poetet nga Tirana me banim njera në Greqi dhe tjetra në Angli, përkatësisht Bardha Mance dhe Nexhi Hasani, të cilat e kishin eksperiencë të së disatës herë pjesëmarrjen në Sofrën Poetike, madje secila prej tyre ishte edhe promovuese e veprimtarëve bashkëkombas në vendet e tyre buajtëse. Merita Isufi e cila nuk ishte poete por hartuese e një platforme në Londër “ Nëna të Suksesshme” dhe mbështetëse e krijuesve në Angli ishte pjesë gjithashtu.

Nga Shqipëria vinin edhe poetët Mark Simoni dhe Eli Kanina të cilët ishin pjesë për herë të parë dhe me gjasë sipas përshtypjes së tyre mjaft pozitive, do të dëshironin të ishin sërish pjesë vitin e ardhshëm e kjo mbresë jo vetëm prej tyre por e të gjithë pjesëmarrësve.

Në këtë manifestim poetet femra ishin në numër të konsiderueshëm dhe kjo ma gëzoi zemrën, ku njëra prej tyre isha edhe unë dhe pata nderit të hap Sofrën me poezitë e mia. Ndër to përmend Gladiola Busulla( Jorbus), Teuta Haziri, Emine Hotin, Liridona Jakupi, Jeta Paci, Sadije Aliti, Emine Imeri të cilat patën një impakt sa individual aq edhe shoqëror me poezitë e tyre si pjesë e përvojave dhe ndjesive personale po aq edhe atyre femerore, si nëna, vajza apo gra, si pjesë e së tërës.

Organizatorët e manifestimit poetik Boras 20119, kishin organizuar edhe dy evente të rëndësishme si pjesë e turit Boras 2019 dhe e veprimtarive kulturore të Shoqatës ,njëri do të zhvillohej të nesërmen dt 31.03.2019 në Norrkoping, në vendbanimin e albanologut të shquar dhe mikut të madh e të sinqertë të shqiptarëve, Ullmar Qvick( Ulmar Kvik)

Sërish në rrugë për në Norrkoping, ora 11: 00 duhej të fillonte prezantimi i veprimtarisë së Ulmarit në prezencën e ambasadorëve të Republikës së Shqipërisë dhe atij të Kosovës në Suedi, përkatësisht Virgjil Kule dhe Sedat Burniku , të familjarëve, lexuesve dhe të interesuarve. Dhe ia dolën sërish me sukses, Sokoli, Hamiti dhe Bahtiri në bashkërenditje të veprimeve dhe angazhimit maksimal të secilit prej tyre dhe familjarëve.

Në fokus të eventit ishte prezantimi i veprimtarisë së Ulmar Kvik-ut dhe veçanërisht librit të tij mbi shqiptarët “ Më shumë heroizma se grurë” Prezantimin e hapi Rizah Shaqiri me një reçension të veçantë e të spikatur mbi librin. Si pjesë e fjalës mbi veprimtarinë e autorit dhe librit të tij u bënë dhe ambasadorët duke vlerësuar dhe e falenderuar për punën e gjatë e të palodhur, gjashtëdhjetëvjeçare të Ulmarit në dobi të promovimit të vlerave dhe aspekteve reale të shqiptarëve.  Të pranishëm ishin dhe Nazmie Pacolli e Amir Duraku , gazetarët e Radiotelevizionit të Maqedonisë, programacioni në gjuhën shqipe, të cilët regjistruan dhe intervistuan autorin në fund të eventit me qëllim jo vetëm promovimin  e veprimtarisë së tij por edhe në shenjë falenderimi për promovimin e gjuhës dhe vlerave të shqiptarëve.  Një ndjesi të vëçantë përçoi fjala e Hamit Gurgurit mbi veprimtarinë e Ulmarit, marëdhenien e tyre shumëvjeçare dhe përvojat jetësore të cilat kishin shenjuar jo vetëm në jetën e tyre por edhe të shumë shqiptarëve në Suedi. Fjala e Ulmarit në fund ishte po aq emocionuese për faktin se ai e filloi me përshkrimin e pikënisjes së “dashurisë “ për Shqipërinë e shqiptarët, kulturën, doket, zakonet, gjuhën tonë që nga vizita e parë e tij në Shqipëri, në adoleshencën e tij dhe pikënisja kishte qenë pikërisht muzika shkodrane, jaret. Që nga ajo kohë atij nuk i kishte dalë nga zemra as shqipja e as shqiptarët, madje këtë e përfoconte edhe martesa me një grua shqiptare nga Peja e cila përmbushte dashurinë e përkushtimin e tij si në aspektin profesional po aq edhe emocional. Interesant ishte fakti se ai prezantimin  e bëri në dy gjuhët duke e motivuar këtë me faktin se ai edhe zemrën e kish ndarë në dy gjysma, në atë që i përkiste vendit të tij dhe në atë që i përkiste shqiptarëve.

Një moment emocional dhe i këndshëm ishte kur poetja dhe artizane e veshjeve popullore kombëtare, Emine Hoti i dhuroi Ulmarit xhubletën e burrit dhe bashkëshortes së tij xhubletën e gruas në shenjë mirënjohje dhe falenderimi. Për ta përmbyllur si aktivitet, albanologut Ulmar Kvik-ut iu dha në shenjë mirënjohje dhe vlerësimi, “Pena e Artë e Migjenit” për punën e palodhur gjashtëdhjetëvjeçare në kuadër të studimit të kulturës, gjuhës, dokeve e zakoneve shqiptare nga Sokol Demaku si përfaqësues Qëndrës Kulturore Shqiptare”Migjeni”.

Ishte kënaqësi të ndaje momente komunikimi me Ulmar Kvik-un për faktin se shqipja e tij ishte aq e qartë, sa nuk dallohej që ishte suedez dhe të jepte përshtypjen e komunikimit me një bashkëkombas.

Dhe veprimtaritë nuk përfundojnë këtu, në vazhdim të tyre kemi dhe intervistat në Pallatin e Kulturës në Gothenburg me studiuesin dhe sociologun, Zyhdi Dervishi nga Tirana dhe shkrimtarin, gazetarin e njohur, Ibrahim Kadriu nga Prishtina. Intervistat u kryen nga Anna Mattsson, gazetare e kulturës, poete dhe redaktore  e njohur, gjithashtu një bashkëpunëtore e vlerësuar e Q.K.SH “Migjeni”.

Intervistat rrodhën natyrshëm dhe patën një linjë të qartë mbi atë çfarë ishte në focus të saj, liria në të shkruar në periudha të ndryshme të historisë, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Autorët e shquar shqiptarë të cilët janë parë si pika referimi për ne, si ka ndryshuar mënyare të shkruarit sot dhe cilët janë përfaqësuesit kryesorë të letërsisë shqipe.

Dhe veprimtaritë e programuara nga Q.K.SH-ja u mbyllën me sukses, tashmë ia lënë vendin bisedave dhe komunikimit joformal mes miqsh të rinj, formuar rishtas apo të vjetër me një të përbashkët, dashurinë për poezinë, letërsinë dhe kulturën në përgjithësi. Ato çfarë do mbeten gjatë në kujtesën e gjithsecilit janë ndjesitë që lamë tek njëri-tjëtri përmes qëndrimit, komunikimit, shakave të vona, bisedave mbi jetët e përditshme të njëri-tjetrit tek holli i hotelit me Muratin, Jasharin, Belginin, Rizën, Teutën, Nexhin, Meritën, Eminen,  apo vizitat tek shtëpia e Sokolit ku pjesen më të madhe e kishin zënë librat, dhe ngrohtësinë e mikpritjes e kishte Sabrija, si zonja e shtëpisë, gjithashtu kafet mes miqsh me Hamitin, Qerimen, Bahtirin, Aleksandrit, Anxhelës, Besnikut, Ibrahimin dhe zonjën e tij, Gladiolen, Arjani e bukuroshen e tyre të vogël, etj.

Vendi i vikingëve, Pipi Çorapegjatës, i Pinokut, i liqeneve të shumta, natyrës së mrekullueshme, pyjeve me pisha dhe njerëzve të bukur, shtatlartë e sybojëqielli, mikpritës i shumë etnive nga e gjithë bota, na përcjell me ndjesi të bukura të vetëdijes dhe kërkesën për rikthim të cilën as nuk e fshehim tashmë, por ia vëmë si qëllim vetes që herën tjetër të vijmë të synimtë për të lënë gjurmë akoma më të mëdha dhe për të dhënë kontributin tonë në bashkëpunimin dhe forcimin e marëdhënieve kulturore përmes fjalës në të gjitha gjuhët e botës, sigurisht duke ruajtur identitetin tonë kombëtar.

Image
A