Bashkim Saliasi:Fran Gjoka, i përjavshmi i gazetës “Mësuesi”

Bashkim Saliasi, Gazetar dhe shkrimtar

Fran Gjoka, i përjavshmi i gazetës “Mësuesi”

Nuk kam patur fatin të njihem nga afër me Franin, por me shpirt e zemër jemi shumë të afërt, pasi që nga viti 2007 e deri në këto moment që mora shkruaj këto radhë, kemi komunikuar me të hera-herës në telefon, kur jam gjendur në shoqërinë e mikut tonë të përbashkët Viron Kona. Do ishte gazeta “Mësuesi” që do na njihte dhe miqësonte me shumë miq dhe shokë, mësues,  kolegë të tjerë të profesioneve nga më të ndryshëm, duke ndjekur hap pas hapi shkrimet e njëri-tjetrit.

E kam lexuar me qejf Franin vazhdimisht, sepse tek ai kam gjetur gazetarin e duhur në trajtimin e problemeve metodike dhe shkencore në fushën e letrave si intervista, trajtimit të problemeve të përsosjes së metodave të mësimdhënies, marrëdhëniet shkollë-familje, marrëdhëniet mësues nxënës, analiza dhe kritika letrare etj.

Puna e Franit në gazetën “Mësuesi” , ishte një nga penat që shkëlqente në ato vite të botimit të kësaj gazete. Frani pothuajse ishte i abonuar në këtë organ dhe çdo të mërkurë do e gjeje me një artikull të ri, ku trajtimi i problemeve nga njëri artikull në tjetrin ndryshonte. Ai sillte vazhdimisht risi të reja me artikujt e tij.

Në punën e tij si gazetar çdo gjë është e bukur, por mua më ka tërhequr në shkrimet e Franit  publicistika dhe trajtimi i problemeve të përsosjes së metodave të mësimdhënies, marrëdhëniet shkollë - familje dhe mësues nxënës, të cilat ai i përgjithëson me shembuj konkret dhe tregon dhe rrugën e duhur për të korrur sukses.

Gjuha e përdorur në shkrimet e Franit është e thjeshtë, e kuptueshme dhe e qartë dhe duket sikur kumbon në veshët e tua, kur lexon shkrimet e tij.

Duke qenë një mësues model dhe një gazetar i mirë me përvojë, Frani vazhdimisht ka trajtuar problem metodiko-shkencore duke na sjell përvojën e tij në mësimdhënie dhe të mësuesve lezhjanë.

Njohës i mirë i psikologjisë dhe pedagogjisë, Frani trajton me mjaftë profesionalizëm veçoritë psikologjik-pedagogjike  të moshës së fëmijëve dhe marrëdhënieve ndërmjet të rinjve, djemve dhe vajzave.

Këto problem të trajtuara me art në shumë artikuj metodikë - shkencor, tregojnë se ai i ndiente dhe i përjetonte dëshirat dhe pasionet e nxënësve të tij, por njëkohësisht, Frani me takt, i godet  ashpër konceptet e dëmshme që dëmtojnë marrëdhëniet shoqërore dhe sidomos përdorimin e dhunës nga kolegët e vet.

Në bisedë me kolegun e tij Nue Dragusha kam dëgjuar fjalët më të mira për Franin, i cili në prezencën time dhe mikut Viron Kona është shprehur: - Se Frani është një mësues model, korrekt në punë, korrekt në marrëdhënie me kolegët, korrekt në marrëdhëniet familjare dhe sjelljen në shoqëri.

-“Të këtij mendimi jemi dhe ne, -aprovuam  unë dhe Vironi, - prandaj e duam dhe e respektojmë Franin”.

Kultura letrare e gjuhësore, njohja e psikologjisë dhe pedagogjisë së fëmijëve, e ka bërë Fran Gjokën  edhe një studiues të mirëfilltë të problemeve sociale. Ai vazhdimisht në artikujt e botuar në organet e shkruara dhe mediet elektronike, ka trajtuar dhe trajton problemet gjuhësore dhe shtrembërimet që i bëjnë asaj.

Meritë e Franit është gama e gjerë e problematikave që ai trajton në shkrimet e tij në kohë dhe hapësirë.

Së fundi, mund të them, se Fran Gjoka është dhe do jetë një nga gazetarët më prodhimtar në medien e shkruar. Edhe pse ka dal në pension, ai vazhdon po me të njëjtin ritëm të shkruaj dhe të botoj kohë pas kohe në shumë gazeta të vendit dhe,gjithnjë tërheq vëmendjen e lexuesve,por dhe të mësuesve,drejtuesve të shkollave,që e ndjekin Franin si atëherë kur ai shkruante me aq vrull në gazetën e përjavshme dhe të dashur “mësuesi”. Ky libër është plotësisht i merituar për këtë njeri të letrave, gazetar të talentuar, mësues që i është përkushtuar vazhdimisht shkollës dhe jetës.

I uroj  Fran Gjokës pension të mbarë!

Pena e tij plug qoftë nga hera!