Gladiola Jorbus: Erë dhe ujë – Yin dhe Yang

Nga Gladiola  Jorbus

                                                      Erë dhe ujë – Yin dhe Yang

Feng Shui është një sistem filozofik oriental që daton në antikitet dhe studion rrjedhën e energjisë për të zotëruar me vetëdije dhe efikasitet hapësirën. Qëllimi i tij është të krijojë një ndikim pozitiv dhe harmonik të energjisë për këdo. Feng Shui, ad literam do të thotë "erë dhe ujë", në nder të dy elementeve që plazmojnë tokën.

 Bota natyrore karakterizohet nga harmonia, një element thelbësor që duhet të mbretërojë dhe në shtëpitë tona. Sipas interpretimeve perëndimore, Feng Shui është mënyra se si ne dekorojmë shtëpitë tona, sepse dekorimi i tyre luan një rol themelor, dhe mund të modifikohet për të bërë të mundur rrjedhën universale të energjisë. 

Në filozofinë kineze, feng shui konsiderohet si frymëmarrja e natyrës. Objektivi i feng shuit është të krijojë mirëqenien psiko - fizike dhe emocionale, përmes vendosjes së një ekuilibri harmonik. Lëvizja e përjetshme kontrollohet nga dy forca motore, tkurrja dhe zgjerimi; Yin dhe Yang. 

Yin - parimi negativ, femërorja, përfaqësuar nga ngjyra e zezë; Yang- parimi pozitiv, mashkullorja, përfaqësuar nga ngjyra e bardhë. Zbatimi praktik i kësaj disipline të lashtë nuk është një trill, por një mënyrë jetese; të gjithë ne mund të përmirësojmë disa fusha të banesës sonë. I gjithë qëllimi është të përfitojmë sa më shumë energji pozitive nga ambienti ku jetojmë.

P.sh.: kuzhina luan një rol kyç në shtëpi; kuzhina ideale sipas Feng Shuit është një mjedis praktik, i ndritshëm, me sipërfaqe të mjaftueshme për të punuar. Pozicionimi i duhur i mobiljeve duhet të krijojë dritë të plotë, qarkullim të mirë të ajrit dhe hapësirë të bollshme për të lëvizur. Kuzhina nuk duhet të jetë e vendosur pranë hyrjes së shtëpisë, për të shmangur përshtypjen se banorët e saj janë të përqendruar vetëm tek ushqimi; por nuk duhet të jetë as e pozicionuar afër dhomës së gjumit, në mënyrë që banorët të mos shqetësohen kur flenë.

Për një shtëpi, gjithashtu është e rëndësishme dhe dera qendrore e saj: energjia duhet të kalojë pa u penguar nga kolona, pasqyra, mure apo qoshe. 

Dhoma e gjumit është një tjetër pikë strategjike e kësaj disipline. Ajo duhet të jetë e pozicionuar larg rrugës dhe zhurmave. Shtrati duhet të jetë i mbështetur pas një muri nga ana e lindjes; teksa këmbët dhe koka e tij nuk duhet të jenë me drejtim nga dera. Sipas Feng Shuit, një shtrat i vendosur në formën e gabuar bëhet shkak për nervozizëm dhe probleme në çift. Nga ana tjetër nuk këshillohet prania e kompjuterit a televizorit në dhomën e gjumit, e cila përbën një vend pushimi dhe qetësie. 

Përveç vendosjes së objekteve në pozicionin e duhur, është thelbësore dhe zgjedhja e ngjyrave. E kuqja sjell fat të mirë; simbolizon fatin, forcën, suksesin dhe zjarrin, i cili stimulon forcat e së mirës dhe  përjashton energjinë negative nga dhoma. E gjelbra është ngjyra e drurit që përfaqëson rilindjen dhe rimishërimin. 

Bimët natyrale me lule shumëngjyrëshe do t’ju sjellin gëzim dhe do t'ju lejojnë të lidheni me energjinë e tokës. Mundohuni të mos mbani lule të vyshkura ose të thata.

Përveç elementeve të sipërpërmendura, aromatizuesit do të mundësojnë një aromë të këndshme dhe do të pastrojnë ajrin e shtëpisë tuaj. Për të purifikuar dhe rinovuar atmosferën e shtëpisë këshillohet temjan, mirrë, rozmarinë ose livando.

Muzika instrumentale do t'ju lejojë të mbushni shtëpinë tuaj me energji pozitive. Një nga këshillat e Feng Shuit është shtimi i objekteve që prodhojnë tinguj të këndshëm në kontakt me rrymat e ajrit. 

Verandat, tarracat dhe ballkonet janë mjedise që do t'ju ndihmojnë të grumbulloni energji pozitive për shtëpinë tuaj.

Përfitoni nga këto këshilla dhe rregulla të disiplinës Feng Shui dhe përpiquni të modifikoni hapësirat tuaja jetësore në mënyrë të tillë që të përfitoni vende plot shëndet, paqe dhe energji pozitive. Feng Shui mund ta bëjë jetën tuaj të përditshme më të ekuilibruar dhe harmonike.