Mik prej miku, Ulmar Kviku

Mik prej miku, Ulmar Kviku

”Miku më i mirë

dihet në ditë të vështirë!” 

proverb shqiptar

   Me 31.03.2019 para dite në bibliotekën e Norrqopingut, në prani të shqiptarëve e të suedezëve, në mes tyre edhe ambasadori i Shqipërisë, Virgjil Kule, U. D. së ambasadorit të Kosovës, Sedat Burrniku, të shumë poetëve, shkrimtarëve e miqve nga shumë qytete u hap manifestimi me titull:

“Ullmar Kviku, 60 vjet me letërsinë dhe historinë shqiptare!”

      Tubimin e hapi Hamit Gurguri, botues dhe kryetar nderi i QKSH “Migjeni”.

       Për veprën e Ulmar Kvikut, me një entuziazëm të theksuar në shqip e suedisht foli poeti ynë i mirënjohur, pedagogu dhe mësuesi i shpërblyer me titullin “Mësuesi më i dashur”, Riza Sheqiri. Ai i njehsoi librat e përkthyera të Ulmarit, takimet, reagimet, këshillat dhe bashkëpunimin e tij me mikun, siç e quajti ai “Mik prej miku, Ulmar Kviku”, në kohëra të vështira për Kosovën.

     Pas tij përshëndetën: Virgjil Kule, Sedat Burrniku, Zyhdi Dervishi dhe Ibrahim Kadriu.

     Kreatorja e rrobave Emine Hoti ia dhuroi Ulmarit një xhubletë, të cilën ai e veshi menjëherë dhe bashkëshortes së tij, Samka Kviku – Nimani një fustan të qëndisur me ojëra kuq e zi.

    Pastaj, Kryetari i QKSH “Migjeni” Sokol Demaku ia dorëzoi plaketën e cila iu nda Ulmarit për vepër jetësore gjashtëdhjetëvjeçare: “Pena e Artë e Migjenit!”

    ‒ Ndjehem si në ëndërr, miqtë e mi, tha Ulmari duke u falënderuar pjesëmarrësit, e veçanërisht anëtarët entuziastë dhe të palodhshëm të Qendrës kulturore shqiptare “Migjeni” nga Boråsi.

   Në fund Hamit Gurguri iu drejtua Ulmarit:

   I dashuri Ulmar,

   Kam nderin, që sot si botues, si anëtar i QKSH “Migjeni”, si krijues që sot jemi në qytetin tuaj:

   Ky takim mund të fillonte si ndonjë përrallë; “Na ishte një herë një djalosh dymbëdhjetë vjeç, i cili mori dhuratë nga prindërit një radio. Ishte koha kur “Perdja e hekurt” e ndante tërë Evropën. Ai, çka është vërteta bëri një delikt, se kaloi atë kufi pa leje, bile vajti larg, deri ku e dëgjoi zërin: “Ju flet Radio Tirana”. Ai shkroi një kartolinë Radios Tiranës, ku u gjet një dorë e një koke të ditur e cila iu përgjigj, i dërgoi fjalorë, libra dhe e ftuan në disa manifestime gjuhësore e kulturore!”

    Sot, kur qëndrojmë para teje, me këtë kontribut të vogël për veprën e madhe me shqiptarët dhe për shqiptarët, të shprehim mirënjohjen dhe adhurimin tonë si mikut tonë besnik. Të kishim ambasador, kur Kosova nuk kishte ambasadë, të kishim zëdhënës të çështjes së Kosovës dhe të shqiptarëve në përgjithësi, të patëm mik kur të tjerët na e kthenin shpinën. Ti qëndrove stoik e i palëkundur duke dëshmuar dashurinë për shkencën dhe në veçanti ndaj albanologjisë.

    Jam i sigurtë, se me punën tënde ti sigurove vendin në historinë e letërsisë shqipe barazi me Erik J. Thunmanin suedez, Gjorgj Bajronit anglez, Anton Nopçës hungarez, Karl Gustav Majerin austriak, Norbert Joklin gjerman, Helge Petersenin danez, Robert Elsien kanadez dhe të tjerëve.

   Duke i nderuar shqiptarët, ti nderove Suedinë, popullin tënd të gjithë kolegët tuaj arsimtarë. Ti   ngrite një urë të fortë të miqësisë në mes shqiptarëve dhe suedezëve, ku brezat e ardhshëm e kanë lehtë të gjenden, të takohen dhe të bashkëpunojnë, se mund të kenë si person referimi.

    Tubimi përfundoi pas një ore, më shkurt se i planifikuar për shkak të shëndetit të Ulmarit.

 

Qendra kulturore shqiptare “Migjeni” në Borås të Mbretërisë së Suedisë

Image
k