Murat Gecaj:GJENIU I GJUHËSISË SHQIPTARE(Prof.Dr. EQREM ÇABEJ-Akademik)

Nderim e kujtim, në 110-vjetorin e lindjes:

               GJENIU I GJUHËSISË SHQIPTARE

             (Prof.Dr. EQREM ÇABEJ-Akademik)

Nga: Prof.Murat Gecaj  publicist e studiues

Në nderim e vlerësim të lartë, për jetën dhe veprën e tyre: atdhetare, arsimore-pedagogjike e shkencore, disa vjet pas mbarimit të studimeve të larta, shkrova dhe botova librin “Filologë që nuk harrohen”(Tiranë, 2002). Ai u kushtohet pikërisht pedagogëve, që na dhanë leksione e dituri në auditorët e Fakultetit Histori-Filologji, dega gjuhë-letërsi shqipe, të Universitetit të Tiranës.

Ndërmjet figurave më të shquara, për të cilët flitet në këtë libër, është edhe ajo e Prof.Dr. Eqrem Çabej-Akademik. Shkrimin e mëposhtëm, i cili ishte në 10 faqe, me pak shkurtime, po e ribotoj, në nderim e kujtim të jetës dhe  veprës së tij aq të çmuar, në 110-vjetorin e ditëlindjes.

         

1.

“Gjeniu i gjuhësisë shqiptare”, siç e kanë vlerësuar Prof. Eqrem Çabejn disa studiues tanë, lindi më 7 gusht 1908, në qytetin e gurtë të Gjirokastrës. Mësimet e para dhe shkollën qytetëse i kreu në vendlindje. I etur për dije e kulturë, ashtu si mjaft të rinj të kohës, mori rrugët jashtë vendit për t’i vazhduar më tej studimet. U vendos në familjen Rainmyler, në qytetin St. Pëlten të Austrisë, ku pati qëllim mësimin mirë të gjuhës gjermane. Ndërsa në vitin 1926, për një vit përfundoi dy klasë të gjimnazit në Klagenfurt.

Por ai kishte etje të madhe që t’i ndiqte studimet e larta dhe për t’ia plotësuar dëshirën të jatit, u regjistrua në Fakultetin e Mjekësisë, të Universitetit të Romës. Nuk i pëlqeu kjo degë dhe shkoi në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Gracit, në Austri. Më vonë, studimet e larta i vazhdoi në Universitetin e Vjenës. Ndoshta, pa e ditur, shkencëtari i madh i ardhshëm i shqipes, u gjend në një mjedis ku historia e popullit tonë dhe e gjuhës sonë amtare kishte nisur të studiohej me zell nga albanologë të shquar austriakë. Ndër ta po përmendim veprën e konsullit shqiptar në Janinë, Georg fan Hanit, “Studime shqiptare”(1854), si dhe veprimtarinë studimore e botuese në fushën e shqipes të albanologëve austriakë Norbert Jokl e Maksimilian Lamberc etj. Gjatë studimeve e më vonë, Çabej pati lidhje të ngushta e letërkëmbim me albanologun e njohur Paul Kreçmer. Ata ishin bërë edhe pedagogët e miqtë e afërt të shumë studentëve shqiptarë në vendin e tyre.

Ngjarje me rëndësi në jetën e Çabejt të ri ishte mbrojtja, më 7 tetor 1933, e disertacionit me temë “Studime italo-shqiptare”. Ai ishte në 145 faqe të daktilografuara. Si bazë e këtij punimi i kishin shërbyer materialet gjuhësore, të mbledhura ndërmjet arbëreshëve të Sicilisë. Juria përkatëse e vlerësoi “shkëlqyeshëm”. Kjo gjë ishte nxitje e madhe për studimet e mëtejshme të gjuhëtarit tonë të ri.

I përgatitur mirë nga ana shkencore e pedagogjike, me një kulturë të kënaqshme perëndimore, doktori i shkencave Eqrem Çabej erdhi në Shqipëri plot energji dhe ëndërra për të ardhmen. Iu përgjigj kërkesës për të shërbyer si pedagog ose drejtues në shkollat e mesme të qyteteve  Shkodër, Elbasan, Tiranë e Gjirokastër. Në vitin 1936 e caktuan në Ministrinë e Arsimit, drejtor i arsimit të mesëm, gjë që nuk e dëshiroi. Më vonë iu dha mundësia të punonte pak vjet në Akademinë e Shkencave në Romë, ku nisi studimin e çështjeve të gjuhës shqipe. U kthye në Tiranë, në korrik 1944. Pas Luftës II Botërore prof. Çabej shërbeu këtu në Institutin e Lartë Pedagogjik. Ndërsa me krijimin e Universitetit të Tiranës, më 1957, ishte studiues shkencor e pedagog në Institutin e Historisë dhe  të Gjuhësisë. Leksionet e tij dhe ndihmesa e pakursyer, që u dha mësuesve e studiuesve të ardhshëm të fushave të ndryshme të dijes, janë ndër meritat më thelbësore të punës dhe përkushtimit të jashtëzakonshëm të këtij atdhetari e pedagogu të madh..

Gjatë jetës së tij, prof. Çabej pati një krijimtari të begatë në fushën e  studimeve gjuhësore, sidomos për historinë e prajardhjes dhe zhvillimit të gjuhës shqipe. Me vlera të jashtëzakonshme janë disa shkronja, me fjalët përkatëse, që përfundoi, për Fjalorin etimologjik të shqipes. Përmendim këtu edhe studimet e gjëra të tij për  “Mesharin e Gjon Buzukut”, për gjuhën e Pjetër Budit dhe tekstet e vjetra shqipe etj. Ndihmesë të çmuar dha në përgatitjen e Kongresit të  Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (nëntor, 1972). Po kështu, u shqua në grupet përkatëse për përgatitjen dhe botimin e fjalorëve të ndryshëm etimologjikë të gjuhës sonë amtare etj. Gjatë studimeve universitare dhe në fillim të punës së tij, u mor me pasurinë folklorike dhe letërsinë artistike. Gjithashtu, me vlera të mëdha ishin studimet e tij për çështje të shqipes bashkëkohore. Spikatin këtu studimet në fushën e etimologjisë, fonetikës historike, gramatikës historike dhe dialektologjisë. Në fazën e parë ai u muar me studimin sinkronik dhe në fazën e dytë me studimin diakronik të shqipes. Deri sa i mbylli sytë përgjithnjë, mori pjesë, lexoi tema të thelluara dhe debatoi me kompentencë në të gjitha veprimtaritë shkencore, kombëtare e ndërkombëtare, që u zhvilluan në fushat e gjuhësisë, historisë, letërsisë, etnografisë, folkloristikës etj. Kudo e dëshmoi veten atdhetar të mirë dhe personalitet të shquar të gjuhës shqipe.

2.

E ndiej që në fillim se e kam shumë të vështirë t’i shkruaj ashtu siç duhet kujtimet e mia për pedagogun e gjuhëtarin e madh shqiptar, prof.dr. Eqrem Çabej-Akademik. Megjithatë, po përpiqem të rikujtoj diçka nga njohja e kujtimet, që më lidhin sadopak me këtë figurë të shquar dhe të nderuar të kombit tonë.

Së pari, atë e kam parë e takuar në auditoret e Universitetit të Tiranës, në vjeshtën e vitit 1958. Siç do të shkruaj edhe në ndonjë pjesë tjetër të këtyre kujtimeve për pedagogët e mi, brenda ndërtesës së Fakultetit të Historisë e Filologjisë, ku nisa studimet për gjuhë-letërsi shqipe, ishte dhe sektori shkencor për gjuhën, letërsinë e historinë. Aty ishin mbledhur ndër studiuesit më të njohur të këtyre fushave dhe, njëkohësisht, jepnin leksione në auditorët e Fakultetit. Një ndër këta shkencëtarë ishte dhe prof. Eqrem  Çabej.

Vinte çdo mëngjez në Fakultet, ashtu trupdrejtë e trupgjatë, i heshtur e plot autoritet. Me cilindo që përballej, e përshëndeste përzemërsisht. Dhe nuk kishte se si mos të impononte respekt që në paraqitjen e sjelljen e tij të jashtme. Pastaj hynte në zyrën e tij, ndërmjet kolegëve dhe ulej të shkruante. Në fillim, të them të drejtën, unë nuk e dija konkretisht se me cilën fushë të ngushtë të studimeve gjuhësore merrej ai. Por pak e ngapak u njohëm me profilin e secilit pedagog, pra dhe të prof. Çabejt. Si fushë kryesore të kërkimeve, studimeve, botimeve e leksioneve të tij, ai kishte historinë e formimit dhe të udhës së gjuhës shqipe, posaçërisht prejardhjen (etimologjinë) e fjalëve të shqipes sonë. Kjo, padyshim, ishte një ndër drejtimet më të vështira dhe më të bukura të studimit të shqipes, të cilës ai i ishte përkushtuar me tërë seriozitetin, dijet dhe horizontin e gjerë të tij.

Ardhja e prof. Çabejt në orët e leksioneve e seminareve të historisë së gjuhës shqipe, ishte një kanaqësi e posaçme për mua dhe për shokët e mi studentë të grupit. Dëgjonim me vëmendje të madhe shpjegimet e tij të qarta, përpiqeshim të hynim sadopak në të fshehtat e “matematikës “ së gjuhës shqipe dhe mbanim shënime për ato që arrinim t’i asimilonim sadopak. Ai na e kuptonte mirë gjendjen tonë shpirtërore në leksionet e vështira të kësaj lënde, prandaj nuk nxitonte në të folur e në argumentet e tij. Përkundazi, përpiqej të ishte sa më i qartë e i kuptueshëm dhe herë pas here pyeste: “A i kuptuat deri këtu, këto çfarë thashë?” Ne pohonim heshturazi dhe e ndiqnim rrjedhën e logjikës së shpjegimeve të tij.

Më vonë, kur dola në jetë dhe pata nderin e kënaqësinë t’i dëgjoja temat e tij të thelluara në sesionet shkencore ose në Konferencat Kombëtare e Ndërkombëtare të gjuhësisë, letërsisë, folklorit, etnografisë a arkeologjisë, kuptoja se si rritej përherë figura e tij në ndërgjegjën time. Sigurisht dhe ndiehesha kranar, se prej atij kisha marrë leksione në Fakultet dhe isha përgjigjur në provim përpara tij.

Mbaj mend se isha në vitin e katërt, kur ne dhamë provimin e “Gramatikës historike”. Atë ditë të gjithë ishim të shqetësuar e të emocionuar, pasi do të flisnim para pedagogëve tanë  të shquar, si Çabej, Kostallari, Domi, Prifti e. Demiraj. Ishte pranverë dhe dita na joshte më bukuritë e saj. Që të ishim sa më të freskët, por dhe që të përsërisnim ndonjë gjë me njëri-tjetrin, përveç katër studentëve të parë, ne të tjerët hymë në parkun përballë Fakultetit tonë. Qëndruam atje pak kohë dhe unë me një shok erdhëm të shihnim se çfarë po bëhej, pra a kishte dalë ndonjëri nga provimi.

Ndoshta, kohën nuk e kishim llogaritur mirë dhe vumë re që ishin përgjigjur të katër ata shokë tanë të parë dhe te dera nuk kishte njeri që priste për të hyrë brenda. Unë isha në fundin e listës së grupit, pas kthimit nga studimet në ish-B. Sovjetik. Pra, praktikisht nuk kisha se përse të shqetësohesha për radhën. Por shokët e shoqet, që e kishin pasur radhën, ishin shmangur nga “frika” apo “emocionet” dhe   ishin “zhdukur”. Kështu, meqenëse futa kokën të shihja në sallë, më ftuan të futesha brenda, sigurisht jashtë radhës. Nuk kundërshtova, jo pse isha më “i fortë” a më “trim” se të tjerët, por ndoshta nga sedra ose respekti që kisha për pedagogët e mi. Pas meje hyri dhe një shok tjetër e morëm tezën me pyetjet përkatëse. U ula në vend dhe u hodha një sy pyetjeve. Nuk ishin as të lehta as të vështira. Por gjej rastin këtu të tregoj një cilësi jo aq të mirë, që kam pasur kurdoherë në përgatitjen e përgjigjeve të pyetjeve aty në sallë. Së pari, dëgjoja se për çfarë po fliste shoku im para meje (atë ditë nuk kishte të tillë) dhe në fletë nuk përpiqesha ta rreshtoja përgjigjen e plotë, si siç e praktikonin shumë veta, por vetëm shënoja disa pika, rreth të cilave pastaj përqëndrohesha gjatë përgjigjes para komisionit të provimit. Një “praktikë” të tillë ndoqa edhe atë ditë. Nuk di se çfarë përshtypjeje lashë në përgjigjet e mia, por shihja se anëtarët e komisionmit pohonin me kokë dhe pothuajse nuk më ndërhynë shumë në përgjigjet e dhëna. Mora librezën, vura re se nota ime ishte “katër”(në atë kohë sistemi i notave ishte deri në pesë). Sigurisht, nuk u dëshprova, përkundrazi isha i qetë, pasi pothuajse askush nuk e merrte notën “pesë” në provimin e asaj lënde.

3.      

Shënoj këtu se rikthimi im në auditorët e Fakultetit të Historisë e Filologjisë në Tiranë, në shtatorin e vitit 1961, nuk ishte as për mua aq i këndshëm. Por dihet se ndryshuan marrëdhëniet ndërmjet shteteve tona dhe ne, studentët duhej ta pranonim me gjakftoftësi situatën e krijuar. Në Tiranë vazhdova përsëri vitin e tretë, pra aty ku i kisha ndërprerë studimet. Ndër pedagogët tanë të nderuar, ishte përsëri dhe prof. Çabej. Ai më takoi me dashamirësi dhe u përpoq të më qetësonte dhe të më këshillonte që t’i përkushtohesha gjuhësisë dhe, në veçanti, dialektologjisë. Sigurisht edhe ai, në mbledhjet e katedrës, kishte dhënë mendimet e tij për mua, pra që të merrja pjesë në ekspedita dialektologjike, të shkruaja temë vjetore dhe të nisja punën për mbrojtjen e diplomës, në mbarim të studimeve të larta, nga fusha e  dialektologjisë shqipe. Mbaj mend se, kur u ktheva nga një ekspeditë vëzhguese në Tropojë, bisedova me të për disa toponime e fjalë të rralla të krahinës, për të cilat i dhashë mendimin e prejardhjes së tyre. Ndoshta, ishte guxim i tepruar për mua ky, por vura re se ai u kënaq për këtë gjë dhe “debatuam” bashkë. Ndër të tjera, i shpreha mendimin për emrin e malit Shkëlzen, se mund të vijë nga emri “shkëlzim” ose folja “shkëlzen”, pra shkëlqen. Kjo sepse mbi majën e atij mali bien për herë të parë në atë krahinë rrezet e diellit në mengjes dhe ai “shkëzen” (shkelqen) prej tyre. Po kështu, diskutuam bashkë për toponimin “Qafë e Prushit”, që ndodhet në lindje të fshatit Zogaj të Tropojës, pak kilometra larg Gjakovës. I thashë mendimin tim, të cilin gjithashtu ai ma pëlqeu, se ndoshta në lashtësi aty duhej të kishte patur ndonjë punishte për përpunimin e metaleve, që nxirrnin “prush”. Prof. Çabej më përmendi se kjo ishte më se e vërtetë, pasi ajo zonë sot është e njohur për mineralet e saj të pasura, sidomos për kromin dhe se për këtë ruhen dokumente të vjetra.

Në vitin 1962 në Tiranë u organizua Konferenca I e Studimeve Albanologjike. Aty prof. Çabej u paraqit me referatin dinjitoz: “Disa probleme themelore të historisë së vjetër të gjuhës shqipe”. Ndërsa për mua ishte nder e vlerësim i veçantë që përshëndeta në emër të studentëve të Universitetit të Tiranës. Në fund, ndër të parët, ai më përgëzoi e më shtërngoi duart fort, duke më uruar për mbarimin sa më mirë të Universitetit dhe vazhdimin e studimeve në fushën e gjuhësisë. Edhe  herë të tjera, më vonë i kam dëgjuar me interes punimet e tij, si psh, në Kuvendin e Parë të Studimeve Ilire (1972): “Problemi  i vendit të formimit të gjuhës shqipe” etj. Vepra e tij monumentale është: “Studime etimologjike në fushë të shqipes”. Katër vëllime janë botuar deri tani tek ne dhe tre të tjerë ndodhen në shtyp. Po kështu, disa libra e studime të prof. Çabejt janë publikuar në Kosovë dhe  në disa vende të Evropës, si: Austri, Francë, Greqi, Gjermani, Itali, Jugosllavi, Poloni, Rumani, Turqi, Rusi etj.

Është diçka e veçantë për mua dhe kujtim i bukur e i paharruar përgatitja e temës së diplomës: “Një vështrim në sistemin morfologjik të të folmes së Krasniqes”( fis i Malësisë së Gjakovës,-shënimi im). Kështu, në historinë e shkollave tona të larta u mendua që disa studentë me prirje në fusha të caktuara, të përgatisnin tema diplome. Nga dega e gjuhë-letërsisë u caktuan gjashtë veta, ndër ta edhe unë. Drejtues të temës së diplomës kisha pedagogun e dialektologjisë, prof. Jorgji Gjinarin. Ndërsa oponentë u caktuan prof. Eqrem Çabej dhe pedagogu i ri Emil Lafe, i cili kishte bërë një studim për të folmen e krahinës së Nikaj-Mërturit (në Tropojë). Kopjen e oponencës së prof. Çabejt e ruaj si një ndër kujtimet e rralla të jetës sime. Në hyrje të mendimeve të shprehura me shkrim, ai theksonte: “Ideali i një studimi dialektologjik, është kur atë e shkruan folësi i asaj krahine. Kështu është dhe ky punim i Murat Gecajt, që mund ta krahasojmë me një monografi...”. Për mbrojten e diplomës sime dhe të pesë shokëve të kursit u bë shpallje publike në Fakultet. Sigurisht, mbrojtja e diplomave nga studentët për herë të parë ngjalli insteres e kureshtje për studentët e pedagogët dhe median e shkruar. Kështu, ato ditë u botua dhe një njoftim në gazetën “Zëri i Rinisë”. Diploma ime u vlerësua “shumë mirë”, që ishte çmim për mua, por dhe dëshmonte për ndihmën e mbështetjen e udhëheqësit të saj dhe të oponentëve. Ata më përgëzuan me dashamirësi. Veçanërisht, pashë në dritën e syve të prof. Çabejt një mirësi, shenjë dalluese e përhershme e tij dhe një shkëlqim të veçantë. Gjithnjë më vonë e kam kujtuar atë ditë dhe kam menduar se  ai dëshironte me shpirt që gjuhësia shqiptare të kishte studiuesit e saj, nga të gjitha krahinat. Rrethanat rrodhën të tilla, që mua nuk m’u dha rasti të punoja në ndonjë institucion kërkimor-shkencor. Megjithatë, në Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë më vonë u caktua me punë bashkëkrahinasi im, prof.dr. Xhaladin Gosturani.  Gjithashtu, ky pati një miqësi e lidhje të ngushtë me prof. Çabejn.

Në vitin 1972, kur isha me punë në rrethin e Tropojës, u bënë përgatitje të gjithanshme për Kongresin e Drejtshkrimit të  Shqipes. Aty prof. Çabej mbajti kumtesën “Mbi disa çështje të traditës së shkrimit dhe të drejtshkrimit të shqipes”. Ndër pjesëmarrësit e atij Kongresi isha edhe unë. Në seksionin A (seanca IV),“Probleme të drejtshkrimit të zanoreve dhe të bashkëtinglloreve”, referova temën: ”Mbi drejtshkrimin e zanores “u” të patheksuar tek emrat, mbiemrat dhe ndajfoljet, me -ull, -ur”. Për përgatitjen e saj pata ndihmesën e pakursyer të disa studiuesve të Institutit të Gjuhësisë  dhe Letërsisë, ndër të cilët ishte vetë prof. Çabej. Tema ime u mirëprit dhe më pas u botua në librin: “Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe”, Tiranë, 1973; me redaktor përgjegjës prof. A. Kostallarin.

Siç e mbajnë mend të gjithë, prof. Çabej ishte tepër njerëzor, korrekt dhe  respektonte çdo njeri. Më kujtohet se, kur isha student, një ditë po kaloja pranë Monumentit të Skënderbeut, në qendër të Tiranës. Pashë që para meje po vinte me hap të rregullt dhe me trupin e drejtë si çetina, pedagogu im i nderuar, prof. Çabej. Nuk e di se si u solla në ato çaste, por vura re se ai buzëqeshi lehtë, hoqi nga koka barsolinën dhe u përkul pak përpara. Ky ishte nderimi i zakonshëm i atij njeriu e shkencëtari të madh, për studentin e tij fare djalosh. Se kështu dinte ai t’i respektonte të tjerët, kudo që i takonte. M’u duk se sheshi m’u soll rrotull nga emocionet dhe, sigurisht, unë e përshëndeta me mënyrën time, por pa hequr gjë nga koka, pasi nuk  kisha.

4.

...Kur mora vesh se Profesori ynë kishte qenë sëmurë dhe ishte kuruar në Itali, bashkë me ish-studiuesin e dialektologun e Institutit të Gjuhësisë e Letërsisë, Xheladin Gosturanin shkuam për një vizitë në shtëpinë e Eqrem Çabejt. Te dera na priti me përzemërsi bashkëshortja. Ndërsa ai u ngrit nga vendi ngadalë dhe pashë që po buzëqeshte, me një ndjenjë të brendshme kënaqësie. U përqafova me të, si me një njeri shumë të afërt e të dashur. Kur u ulëm, iu drejtua një çifti, i cili ndodhej aty para nesh: “Më falni, po unë bisedën do të vazhdoj me Muratin...”. Foli kështu e në zërin e tij ndjeva dhe një notë trishtimi, ndoshta nga sëmundja, ndoshta nga ai kujtim i hidhur, për të cilin shkrova më lart.

E pyeta prof. Çabejn për shëndetin dhe u kënaqa se ai ishte optimist, që ndjehej më mirë. Më foli dhe për ditët e qëndrimit në spital jashtë shtetit, në Romë, për mallin që kishte pasur për vendlindjen etj. Por më tregoi edhe se atje nuk  e kishte ndërprerë punën për “Fjalorin Etimologjik të Shqipes”. Bile, me shaka, më tha se shpesh skedat i “fshihte” poshtë krevatit, që të mos ia diktonte e shoqja, pasi nuk donte që ai të lodhej duke punuar, deri sa të bëhej më mirë. Ndjenjëm gjatë bashkë, por m’u duk se koha kaloi shumë shpejt. I kërkuam lejë të ngriheshim, pasi nuk donim as ta lodhnim më tej Profesorin. Ai na falënderoi për vizitën dhe na përcolli deri në koridor. Aty, sakaq, u kujtua se para pak minutash  më kishte premtuar që do të më jepte me autograf një separat të temës së tij: “Mbi disa dukuri të historisë së gjuhës shqipe, të para në lidhje me gjuhët e tjera ballkanike”.(Revista “Studime Filologjike”, nr.4, 1979).  Këtë e kishte lexuar në një veprimtari ndërkombëtare në Ankara të Turqisë. Ai hapi kapakun e raftit të librave dhe nxori që andej separatin. Që mos të ktheheshim më prapa, i kërkova që të ma  bënte shënimin një herë tjetër, pasi së shpejti do ta shihja përsëri. E mora me vete separatin, të cilin e ruaj me kujdes dhe në kapakun e tij kam shkruar: “Kujtim nga prof. E. Çabej, dhuruar në shtëpinë e tij, në vizitën që i bëra pas kthimit nga Italia, ku u operua; Tiranë, prill 1980”. Ne nuk u pamë më dhe nuk munda të merrja autografin e prof. Çabejt. Sa merak më ka mbetur!

Më duket me interes të riporodhoj diçka nga një kujtim i shkrimtarit Ismail Kadare, lidhur me veprimtarinë e mësipërme dhe vetë cilësitë e prof. Çabejt: “Në Ankara, në mjediset e Kongresit Ndërkombëtar për Studimet Jugevropiane, u përtëri e u gjallërua, siç nuk e kisha parë kurrë. Dukej më i ri e më i gjatë; me shkathtësi përshkonte korridoret, i ndjekur nga adhurimtarët, që donin të dëgjonin kumtesën e tij dhe gjermanishten e tij të shkëlqyer. Ishte krjet në botën e vet, i lumtur si “midis dritës”, siç do të thoshte Naimi. Përshëndeste më të majtë e më të djathtë kolegët e vet dhe u puthte dorën si xhentëlmen i vërtetë, që ishte, zonjave shkencëtare, ndonëse për këtë gjest kishte pasur një herë probleme”.(Prof. Shaban Demirajt, “Eqrem Çabej, një jetë kushtuar shkencës”, Tiranë, 1990, faqe 7).

Gjashtë muaj më vonë nga ai takim në shtëpinë e tij, mora vesh lajmin shumë të hidhur për vdekjen e Akademikut, prof. Eqrem Çabej, në një klinikë të Romës, më 13 gusht 1980. U preka pa masë, po, për fat të keq, nuk u ndodha në Tiranë ato ditë të varrimit të tij. E çuditshme, por kështu më kishte ndodhur edhe për raste të tjerë të dashamirëve të mi: kur u nda nga jeta bija e Bajram Currit, Feridja; kur u nda nga jeta “Mësuesi i Popullit” Avni Zajmi; kur u nda nga jeta nënë Behixhe Imami (bashkëshortja e “Mësuesit të merituar” Ferid Imami dhe nënë e dëshmorit Besim Imami), të cilët unë i doja e i respektoja dhe do të kisha dashur t’i shihja për herë të fundit.

Megjithatë, nderimi e kujtimi im për  Akademikun prof.dr. Eqrem Çabej është dhe do të mbetet i përhershëm.. Më ka ardhur jashtëzakonisht mirë: kur kam marrë vesh se veprat e tij janë botuar në Kosovë; kur doli në qarkullim libri për të i prof. Shaban Demirajt; kur ia vunë emrin e tij të nderuar Universitetit të Gjirokastrës;  kur janë organizuar veprimtari shkencore e përkujtimore për të...

Për meritat e tij të shumanshme, Prof. Dr. Eqrem Çabej është nderuar me medalje e urdhëra të ndryshme, ka marrë “Çmimin e Republikës” të Klasit të Parë dhe titullin e lartë “Mësues i Popullit”.

…Një ndër librat e mi, ai kushtuar mësuesve vetreranë kosovarë, normalistë e gjimnazistë të Shkupit, në shenjë nderimi e respekti të veçantë, ia kam kushtuar pikërisht prof. Eqrem Çabejt.(M.Gecaj, “Pishtarë të parë të Normales së Shkupit”, Kumanovë, 2002). Aty kam shkruar këto fjalë, mendoj jo pa domethënie: “Këtë punim modest, ia kushtoj: Kujtimit të paharruar të Akademikut Prof. Dr. Eqrem Çabej, pedagogut tim të shkollës së lartë, njeriut erudit e atdhetar, i cili më mësoi dhe më edukoi, më futi në shpirt dashurinë për arsimin, shkencën dhe kulturën tonë kombëtare; më rrënjosi durimin e pasionin për kërkime e studime në fusha të ndryshme të dijes; me mirënjohje të thellë, autori, Murat Gecaj”.

(Nga libri, me autor Murat Gecaj, “Flologë që nuk harrohen” Tiranë, 2002, faqe 28-38)

Image
e