Nga Gladiola Busulla Jorbus: Sofra poetike – Boras 2019

Nga Gladiola Busulla Jorbus

Sofra poetike – Boras 2019

Muaji mars, muaji i poezisë dhe i pranverës u përmbyll poetikisht dhe me një feedback pozitiv për letrat shqipe. Qendra Kulturore “Migjeni”, në Boras / Suedi për të tetën herë radhazi, mirëpriti poetë, gazetarë, regjisorë, pedagogë, muzikantë, rapsodë nga Suedia, Shqipëria, Kosova, Greqia, Maqedonia.

 Ishte bukur të dëgjoje vargje poetike në gjuhët shqipe, suedeze, arabe, greke. Diversiteti unikal i këtij festivali që po u reziston viteve, tashmë ka prekur shumë shqiptarë brenda e jashtë vendit të organizimit. Ky festival më shumë u konceptua si një festë për poezinë, ku pjesëmarrësit përmes mesazheve e fjalës poetike, emocionuan me çdo gjë që shprehen dhe interpretuan.

 Falë punës së palodhur, durimit, angazhimit, maturisë së kryetarit të shoqatës “Migjeni” Sokol Demaku dhe anëtarëve të saj Hamid Gurguri e Bahtir Latifi, vërtet që edhe ata më skeptikët kanë dëshirë të rikthehen në të.

Serioziteti i veprimtarisë pati dy kulminacione: më datë 30 mars Qendra Kulturore “Migjeni” vlerësoi me titullin “Pena e artë” autorin e njohur kosovar Ibrahim Kadriu. Emocione të shumta për një titull të merituar. Momenti i dytë kulminant ndodhi të dielën, më 31 mars në qytetin Norrkoping, ku nën prezencën e Shkëlqesisë së tij, Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Suedi, zotit Virgjil Kule dhe të një përfaqësie diplomatike nga Konsullata e Republikës së Kosovës në Stokholm, mikut të shqiptarëve, albanologut dhe përkthyesit të shqipes Ullmar Qvick iu dha titulli “Pena e artë”, një vlerësim i pritur prej 40 vitesh.

Ambasadori Kule, një ndër personalitetet më të spikatura të universit shqiptar, e përshëndeti vlerësimin e kësaj figure me rëndësi për shqiptarët e gjuhën shqipe, duke përfaqësuar denjësisht shtetin e tij dhe duke reflektuar kulturën e qytetarinë që e karakterizojnë gazetarin e mençur, me zërin kumbues e të dashur për të gjithë shqiptarët.

Angazhimi i ardhshëm i pjesëmarrësve në festival ishte udhëtimi drejt Goteborgut të bukur, ku poetja dhe shkrimtarja suedeze Anna Mattson zhvilloi një diskutim sfidues rreth letërsisë me profesorin e sociologun e respektuar z. Zyhdi Dervishi e më pas me shkrimtarin Ibrahim Kadriu. Temat e trajtuara ishin për rolin e letërsisë në shoqëritë post-traumatike, kulturat në tranzicion dhe letërsinë disidente.

Biseda u zhvillua në gjuhët anglisht, shqip e suedisht. Në këtë bashkëbisedim morën pjesë dhe të pranishmit të cilët drejtonin pyetje nga paneli. Gjatë aktivitetit “Sofra poetike – Boras 2019” u përfshinë punime, diskutime rreth tryezës me tema të ndryshme shoqërore dhe ndikimin e tyre në poezi, etj. Së fundmi ia vlen të theksohet se poezia shqipe u recitua dhe u përcoll ndjeshëm në bibliotekat e qyteteve Boras e Goteborg.

Image
g