Nga Gladiola Jorbus:Tragjedia e intelektualit

Nga Gladiola Jorbus

                                                                       Tragjedia e intelektualit

Ndotja më e madhe në historinë e njerëzimit është rezultat i prodhimtarisë artistike, mediatike, shkencore etj., së megalomanëve, të amplifikuarve, injorantëve që blenë diploma në tregun e krizës morale, të funksionarëve të linçuar, të narcisoidëve, dhe kujtdo që zhvleftëson rëndësinë e krijimitarisë dhe të dijes së vërtetë.

Nuk e dimë a duhet të pajtohemi me shumë moderatorë, analistë e opinionistë që shfaqen në media sikur janë intelektualë të mirëfilltë, dhe akoma më tepër a mund të pajtohemi, me ata të diplomuar që e “shesin veten” për intelektualë, e s’janë tjetër veçsetë pazotë për të ushtruar vullnetin dhe profesionin e vet.

Misioni i intelektualit është të hedhë sadopakëz dritë mbi shpirtrat e përgjumur dhe mendjengushtësinë njerëzore. Shpeshherë; formimi, kultura, vlerat bëhen tragjedia më e madhe e tij, sepse shoqëria pretendon t'i përgjigjet me atë kulturë të dorës së dytë, të cilën e ka standardizuar, dhe me të cilën ka rënë në kompromis.

Ndërkohë që pseudointelektualët shtiren dhe çorodisin ndërgjegjen shoqërore me njohuritë e tyre gjysmake, dija psiko-kozmike endet e anatemuar dhe çapaqorras në këtë kaos të pafundëm. Ky fenomen do të ndodhë rëndom, deri sa të na serviren me imponim, vlera e atribute të paqena.

 Intelektualizmi spikat në disa persona të caktuar të cilët posedojnë një përgatitje serioze, të thelluar e të plotë në fushën e artit, teknikës, kulturës etj.  Të qenit i diplomuar do të thotë të kesh mundësi (nga familja apo vullnet e këmbëngulje) që të studiosh për disa vjet: kjo është arsyeja bazike që të diplomuarit janë më të arsimuar se pjesa tjetër e popullsisë, por kjo nuk i bën ata domosdoshmërisht intelektualë, edhe pse mund të ndihen të tillë.

 Intelektuali nuk shkëputet për asnjë çast nga librat, enciklopeditë dhe marrja e vazhdueshme e informacionit të gjerë, nuk resht kurrë së qeni kërkues ndaj vetes. Intelekti formohet përmes studimit, leximit, interesave, përvojës, dëshirës së epërme për dije, imagjinatës aktive, si dhe qasjes pa paragjykime e arrogancë ndaj botës.

Në përgjithësi, universiteti i ngjet një udhëtimi që ka një finale të qartë: specializimin dinjitoz në një drejtim të caktuar, ani pse kjo nuk të ndihmon të profilizohesh menjëherë si profesionist i mirë. Këtë të fundit ta mundësojnë veç praktika e eksperienca. Pra, universiteti kurrsesi s’mund të jetë tregues i intelektit, thjesht vërteton arsimimin tënd në degën e përzgjedhur ose të fituar.

Statusi social i intelektualit sot përfaqësohet nga manipuluesit e trurit, rrufjanët politikë, artistët mediokër, oportunistët apo sahanlëpirësit mediatikë - të cilët për të realizuar synimet e tyre, shkelin mbi gjithçka.

Për të arritur të vërtetat më të larta, ato për të cilat lufton inteletuali sui generis që nga koha e Aristotelit, duhet që pikësëpari shpirti të shndërrohet në shprehje të madhështisë njerëzore përkundrejt  universit, duhet erudicion dhe integritet. Vetëm atëherë, mund ta meritosh plotësisht këtë status!

Fatmirësisht ekziston një hon i dukshëm midis intelektualit dhe pseudointelektualit, sepse intelektuali nuk konformohet kurrë me gënjeshtrën, nihilizmin, deformimet artistiko-kulturore, retorikën fyese dhe denigrimin e vlerave. Ai mbetet i qashtër e i gjithëdijshëm mbi fronin e së vërtetës.
Në përmbyllje të shkrimit, dua të përmend lutjen supreme të Faik Konicës, intelektualit të  papërsëritshëm e unikal, që s’i dhurohet dy herë një kombi. Ai me të drejtë thoshte:

"Ati ynë që je në qiell, jepna fuqinë të mbajmë gojën mbyllur kur s'kemi gjë për të thënë. Falna durimin të thellojmë një punë përpara se të shkruajmë mbi të! Frymëzona me një ndenjë të mprehtë të drejtësisë që të flasim jo vetëm me paanësi, por dhe të sillemi ashtu! Shpëtona nga grackat e gramatikës, nga shtrembërimet e gjuhës dhe nga lajthimet e shtypit. Ashtu qoftë!"