Albert HABAZAJ:Poezi

ARKITEKTURA E MJALTIT

Perlës, kur mbushi dy vjeçe

Albert HABAZAJ

Dy vjeçe mbesa, si princesh’ gëzimesh,

Sa më lumturon, si mbret me kurorë

Në mbretërinë e Familjes sime

Kam zënë qiellin e qeshur me dorë.

 

S’kam parë më të bukur shtozjoválle,

Ma mbushi shpirtin me rreze dielli,

Refleksesh të njoma në kaltërì vale

Ujëvarë me lule ngjyrëqielli.

 

Stolisur fustanin me ëndrra mjalti,

Mbushur me lule të bardha limoni,

Pikuar lule shege si yje fati,

Tek shkon rëndë si bijë arkondi.

 

I keqen gjyshi, se e kam sorkadhe

Që ecën dhe flet me këmbë e duar,

Dhe buzëqesh si lule portokalle,

Me një të qeshur më mban gazmor një muaj.

 

Me gjuhën e vogël, ajo di ç’ thotë

Dhe loz si flutur nëpër trëndafila.

Perlë është siç ka emrin, falma o Zot,

Kur këndon e ngatërroj me bilbilat…

 

Po kur vrenjtet sikur është e madhe,

Kur qeni i xha Markos leh vend e pa vend…,

Kur është me gjyshin s’e ka për gájle,

Ngjan një Miro tërbaçe me tërë mend…