Kadri Tarelli: POezi

Kadri Tarelli

Përçarja! 

KUSH E MBOLLI KËTË FARË?

poezi

Nga Roma e lashtë na erdhi kjo farë:

“Botën e sundon, kur e ke përçarë”

Të tjerët e shkulën. Na mbiu në arë.

Shekuj që kaluan, ende s’është tharë.

 

Mes njëri tjetrit, sa shumë jemi vrarë,

Për qejfin e hasmit, kombit i hap varrë.

Hallku fërkon duart. Mbetëm duke qarë!

Ai shkon kaluar, ne mbajmë samarë.

 

Rilindasit na thërresin, mblidhuni shqiptarë!

Zini diturinë, mos rrini të ndarë!

Bota gajaset, kur bëjmë si të marrë.

Ne zgjasim qafë, ajo mpreh hanxharë.

 

Si apostull foli, Pashko Vas Shkodrani,

Një flamur e kemi, kurrë mos u ndani.

Fenë e shqiptarisë, në zemër e mbani,

Ndarja prish atdheun, shkon edhe vatani.

 

Pa na doli Marksi, gjithë mjekër e lesh,

Me luftën e klasave, na bëri përshesh.

Përçarja rri ulur, këmbëkryq në shesh.

Sllavët na e sollën, na bënë peshqesh.

 

Si mallkim i kohës, na lindën partitë.

Grindemi mes vedit, s’pushojmë një ditë.

Lamë urtësinë, pëlqejmë marrëzitë.

Të rojë udhëheqja, t’i kemi si dritë.

 

Partia është nëna, njerkë Shqipëria.

Në humnerë vendi, u çmend marrëzia.

Ne kështu të ndarë, s’na do as perëndia,

Po na shuhet kombi, se po ik rinia.

 

Bashkim! Fjalë e shenjtë, e kërkon liria.

Si çiflig mesjete, e ndarë Shqipëria.

Sundimtarët lart, poshtë njerëzia.

Për karrige bythe, na duhet partia.