Kadri Tarelli:Poezi

Kadri Tarelli 

BOTA PRISH PAZAR. 

Bota hileqare, gjithmonë prish pazarë,

Sa kohë mes vedit, do jemi të përçarë.

Fqinjët si lugati, po mprehin hanxharë,

Copa nga trojet tona, gati për t’i marrë.

 

Ç’është ky mallkim, mbirë ndër shqiptarë?

Shekujt kaluan, s’e shkulëm këtë farë?

S’duam njëri-tjetrin, mbetëm duke sharë,

Për një fjalë goje, shtegun për të vrarë.

 

Hasmi rri tek dera, qesh duke na parë,

Pret të mbyllim sytë, kur të ndezë zjarrë.

Me pesë kacidhe, gjen ca mercenarë,

Kur i hedhin kocka, turren si zagarë.

 

Eh Shqipëri e mjerë, me ty çfar ka ngjarë,

Shqiptarët ikin, rrugëve të shpërndarë.

Me trastë në shpinë, mbetëm mërgimtarë.

Çfarë i bëjmë vetes, hak kush do marrë?

 

Në dyert e botës, mbetëm si lypsarë,

Ca duke u tundur, ca duke u qarë.

Si s’e gjetëm fjalën, punët për t’i ndarë.

Ata kanë vulën, ne mbajmë samarë.

 

Na mbinë partitë, me sopat’ e sharrë,

Mendjen na trullosën, na bënë të marrë,

Kombin e copëtuan, po na bëjnë varrë,

s’di kush është i dyti, të gjithë pashallarë.

 

Mëmëdhe i mjerë, me ty çfarë ka ngjarë,

Burrat mbajnë shtetin, çatia mbi trarë.

Bir Selmani nënës, kë të qaj më parë.

S’lamë gjë pa bërë, vodhëm dhe thesarë.

 

Porosit Naimi: “Të zemë udhën e mbarë!”

Çfarë bëjmë ne? – Mbetëm po tru tharë.

Për karrige bythe, partinë vemë të parë.

Shqipëri e shkretë, ndaj po hiqesh zvarrë.