Kadri Tarelli:Poezi

Kadri Tarelli

Fjala dhe poeti

Fjala e pagdhendur, më ngjan me një gur,
Që nuk shtron kalldrëm e as ndërton mur.
Poeti e gdhend dhe bën vargje poezie,
Me to ndërton shkallë, për fron perëndie.

Fjala e pagdhendur me ngjan me një dru,
Që askujt s’i vlen, për gardh e as për hu.
I urti e gdhend, bën orëndi, bën edhe kuti,
E mban pranë vatrës, nderon mik e miqësi.

Fjala e pa gdhendur, stoli e hedhur përdhe,
E shkelur e humbur, që askush nuk e ngre.
Poeti frymëzohet, kur has një bukuri, 
E vendosë në këngë, kënduar për dashuri.

Fjala e pa gdhendur, e derdh verën kot,
si një gotë e thyer, dikur mbushur plot.
Ç’ është ky mëkat? Po grindet poeti.
Verë po pi unë! Verë pi dhe mbreti.

Fjala e pagdhendur, si ferra në ugar,
Të gris e të çjerr, dhe s’bën as për zjarr.
Eh! Sa vuan poeti, të gjejë fjalën e zgjedhur,
Si bleta në lule, për nektarin mbledhur.