Mimoza Gjetaj: Poezi

Mimoza Gjetaj 

MALLIN S’E MUNDI DOT

 

Malli që ndjej për ty më ka pushtuar

Më djeg nga brenda si prushi nën hi

Dritat e shpirtit m’i mban ndezur

Me rreze engjëlli nga altari i shpirtit

Ngrohtësi zemre për të të dhuruar...

 

Malli që ndjej për ty më mban gatitur

Si besimtarin para altarit të lutjeve

Mbylli sytë, dua të të shoh me sytë e hënës

Të të flas ëmbël me dritën e yjeve

Me bukurinë e luleve të ta stolisë ballin...

 

Përqafimet i shpërndaj si stërkalat dallgët

Mbi syprinën e blertë të shpirtit të bukur 

Të mijëra dëshirave që bien nëpër mua

Si shiu i ngrohtë mbi lulet e pranverës

Që pres të t’i dhuroj në secilën ditëlindje...

 

Vetëm me frymën e kësaj shprese 

Nuk e shuaj dot mallin që ndjej për ty 

Dua rreze nga dielli i dashurisë për mua

Akullin në shpirt ta shndërroj në lumë freskie

Të ujis lulet e dashurisë që ndjej për ty...