Poezi nga Petrit Malushi

Nga Petrit Malushi

Qytet në rërë

(Poemë për fëmijë)

Vapa e verës djeg si llavë,

Përcëllon nëpër qytet.

E vendosëm ! Për fundjavë

Do të shkojmë në bregdet.

 

Rrugën marrim bashkë ne,

Me makinë, të kompletuar.

Plane bëjmë për atje,

Ditën ta kalojmë gëzuar.

 

Deti blu na përshëndet,

Rëra ngjishet butë nën këmbë.

Çantat ulim lehtë-lehtë,

Zbrazim ngarkesën “e rëndë”.

 

Si kërpudhë çadra çon hije,

T´butë shezlonët për t´u shtrirë.

Të ndërtojmë, në mend na bie,

Një qytet me “rërë të ngrirë” .

 

Nipi, unë, e vogla mbesë,

Të tre pushues, që s´pushojmë.

Nisim punën, është mëngjes,

Rërë e ujë bashkë trazojmë.

 

Vogëlushët, bashkë  të dy  

Hedhin pikat e projektit.

Moshë e tretë i ndjek me sy,

Brigadë në buzë të detit.

 

Vija drejt edhe tërthor     

Hiq së gjati dhe së gjeri.

Shenja ngul, trego me dorë,

Mungon spangua edhe peri.

 

Kovën  mbush, gjyshi - punëtor, 

Deti i kripur, ka ujë plot.

Dy e tre, dhe  katër orë,

Rërë-llaç gatuajmë në got.

 

Lartësohen grataçelat,

Qendrës, më pas, i vjen radha,

Shtyllat, kablot, dritat, telat…

Kujdes me vizat e bardha !

 

Semaforë dhe  kryqëzime,

Rrugët, anash trotuaret.

Mbikalime e nënkalime,

Pallatet, lulet, dritaret.

 

„Parkun, pemët  tej t´i shtysh

Këndi i lodrave, n´formë xhepi.  

Shkollën, këtu ta ngremë gjysh,  

Kopështin tonë, atje te cepi”.      

 

Bulevardi, pak  m´i gjerë,

Hije bliri, pisha, plepa.

Shatërvani ujë të nxjerrë,

Dhe korsi për biçikleta.

 

Mungon qendra tregëtare,

Rrotull saj shesh parkimi.  

Për spitalin harruam fare !

Ta vendosim te fillimi.

 

S´ka qytete  pa muze,  

Bibliotekë dhe librari,   

Jo këtu, më mirë atje,

Kanë  më tepër bukuri.

 

Një stadium, një teatër, 

Ku, fundjavave si në garë,

Qytetarët,  tre e katër

Shkojnë shfaqje për të parë.   

 

Nga çadra fjalë u dërgojnë

„Shlodhuni disa minuta !“

Luisi, Elia vazhdojnë,

S´i ndalojnë  duart e buta.

 

Valët nuk u prishin punë,

Te këmbët i përkëdhelin,  

Gudulis e bardha  shkumë.

Djersët mbi faqe u ngelin.

 

Përfundojnë punimet. Urra !

Plazhistët për rreth, të tërë 

Mblidhen fëmijë, gra e burra

Për të parë „Qytet në rërë“. 

 

„Arkitektë të vegjël, prisni...“

Duartrokasin ca të tjerë.

U bëjnë foto dhe i nisin,

Në revista për t´i nxjerrë.

 

Shushurijnë dhe dallgët, thonë :

“Tani ejani midis nesh,

Të luajmë  bashkë, u takon

T´ju pastrojmë trup e vesh…”